(Rrëfim për një fis të fismë, me njerëz mendjendritur e humanë)

Demir Mucoimaj

Mendimi fillestar, për të bërë një renditje të personaliteteve të shquara të fshatit tim, m’u duk i lehtë, por nuk doli, siç e mendova. Personalitetet me vlerë; ata që kanë ndikuar fuqishëm në historinë e fshatit tonë, janë aq të shumtë, sa nuk besoj t’i ketë njeri të evidencuar. Vështirësia qëndron dhe në faktin: Ke të përmendësh e ke jo. Për ta bërë këtë, mendoj se nevojitet një "peshore" e saktë dhe ai që do ta mbajë kandarin, në dorë të jetë i drejtë si vetë e drejta. Ka dhe një vështirësi tjetër serioze, e cila bëhet pengesë: Kemi varfëri në shkrime e dokumentet përkatëse janë të kyçura; prandaj jam i detyruar t’u drejtohem e të mbështetem në disa gojëdhëna. Dihet që rrëfenjësit, sido që të jetë puna, nuk mund të jenë të paanshëm dhe problemet e moshës me kujtesën, disa i bëjnë pak të besueshëm.

Disa kontributorë me vlerë në historinë e fshatit, kanë shkelur në më shumë se një shekull dhe kanë përcjellë disa regjime politike. Fakti që mjaft rrëfenjës të besueshëm nuk janë më në jetë, e bën akoma më të vështirë punën.

Në këtë shkrim, patjetër të mangut, jam mjaftuar me thëniet e atyre që kam njohur personalisht e më pak të atyre, bëmat e të cilëve kanë ardhur deri tek unë si gojëdhënë. Të dhënat për bemetaret janë të përafërta; saktësimi i tyre, me siguri që do të ndodhë, e kjo është vetëm çështje kohe. Mjaft kontributorë të rrallë janë në kufijtë e legjendës; njohja me ta vjen nëpërmjet gojëdhënës, e cila, siç dihet, për shkaqe nga më të ndryshmet, "firon" udhës. Po të mbajmë parasysh natyrën zemërake të ndonjë bashkëfshatari që kërkon t’i marrë të gjitha vlerat për vete, është e kuptueshme që vështirësitë shtohen akoma më shumë. Po ta trajtojmë çështjen, jo bardhë e zi, si deri tani, del përpara një vështirësi e re, e cila duhet kapërcyer.

Nuk thuhet për herë të parë se Kalivaçi i Tepelenës, si trevë e begatë e i pozicionuar "me hatër", në çdo kohë të jetës së tij disashekullore ka qenë vazhdimisht i lakmuar e i "sulmuar", në radhë të parë nga fqinjët e tij shekullorë. Nuk di, me saktësi, kur kanë ardhur në fshatin tonë Xhaferajt, nga Nivica e Kurveleshit; Caushajt dhe Mehmetajt, nga përtej lumit, nga Dorza; Pashajt, dhe të parët e Arif Qamilit, nga Vasjari; Çelajt, nga Drizari etj. Të ardhurit në kohë të ndryshme, ata që kanë populluar fshatin tonë, janë të shumtë e të zgjedhur. Kalivaçasit, pa qenë racistë; as ksenofobë, i kanë pranuar me zemërgjerësi të ardhurit e kanë bashkëjetuar gjatë me ta, duke u "shkrirë" në një komunitet ku marrëdhëniet njerëzore kanë qenë gjithnjë me frymë miqësore. Pa u rrekur të bëj historianin, për hir të së vërtetës, jam i shtrënguar të gjykoj, se në këtë përzierje fisesh e njerëzish, disa të ardhur kanë qenë protagonistë të ngjarjeve historike me rëndësi. Ata kanë tronditur kohën, i kanë dhënë jetë jetës kalivaçase, e kanë bërë atë më të pranueshme e më të njerëzishme. Në "presidiumin" e kohës kanë zënë vend të nderuar mjaft bashkëfshatarë (kështu do t’i quaj të gjithë ata që banojnë në Kalivaç); në këtë shkrim, do të evidencoj, vetëm ata që di me siguri.

Ai që ka vullnetin e mirë dhe ndihet i paplotësuar, është i lutur të mos mjaftohet vetëm me një kundërshtim të thjeshtë por të shtojë ato që di. Kur i përfshiva edhe të ardhurit në termin bashkëfshatarë, mbajta parasysh faktin se ata janë natyralizuar dhe, kur i pyet: "Nga je?", të përgjigjen, plot gojën e me krenari se: "Jam nga Kalivaçi i Tepelenës". Nuk i bëj shërbim tezes se kalivaçi, si fshati më i madh e më i hershëm, në atë trevë, ka populluar fshatrat rreth tij, por mbroj tezen se të tjerët janë dyndur e kanë zënë vend në fshatin tonë të bekuar, me synimin për një jetë më të mirë. Ja disa raste jo të rastësishme:

  • Saga e Sakajve

Sherif Mucoimaj

Caushajt, si fis, i madh e i ndjerë, të vendosur në Specovë, dhe Mehmetajt në Brinjën e Beut (Ruç), ashtu si Llakajt e Shametajt, në Leshnje, janë të ardhur nga Dorza; Xhaferajt – nga Nivica e Çelajt nga Drizari por nuk janë vetëm këta. Njëri nga rastet e të ardhurve e ka origjinën në fshatin Toç, të rrethit të Tepelenës. Është fjala për shkëputjen e dy vëllezërve Mucoimaj: Demir e Sherif Rrapo Mucoimaj, të cilët u vendosën në trojet dhe në pronat e dajos së tyre (vëllait të nënës) - Bektash Sako Ormenit, në mëhallën Ahmetaj të Kalivaçit ku u integruan për bukuri me vendasit dhe hynë në lidhje të qëndrueshme e fatlume, me ata që gjetën. Po të shprehemi në mënyrë konkrete, me faktet që kemi në dispozicion, mund të themi:

Zagoll Saliko Xhaferaj, i pari i fisit që përfaqësonte një komunitet jo të vogël, me mençuri e me zgjuarsi diti të lidhet me familje "të rënda" kalivaçase. Pinjollët e fisit Xhaferaj, jo vetëm që kanë "pushtuar" qytete të ndier të vendit, por i gjen dhe në vende të tjera, ku kanë shpalosur vlera me vlerë për fshatin tonë, duke nderuar veten dhe Kalivaçin. Azbi Bako Çelaj (Bakaj) ishte i ardhur në Kalivaç, por nuk ndihej i tillë. Ai nuk ndihej mirë, kur i thoshin je i ardhur, mbasi kishte hyrë në lidhje miqësie me familje fisnikësh siç ishte martesa e tij me Hasimene, të bijën e Mino Jaçes e të Bejekos, nga Nelajt, por dhe e martoi të bijën, Lulen – lule, në Hasanbegaj, me të fismin Rrapo Dano Takaj, i cili ishte nip, në familjen e Muharrem e Beshir Haxhiut, e cila, në fakt ishte familja më e kamur e më me peshë në trevën e Kalivaçit e më gjerë.

Jo rastësisht, Azbi Bakua e ktheu atë shtëpi përdhesë të akullt ku "binte miu e thyente kokën", në një çerdhe të vërtetë të luftës për liri e i dha asaj, 4 partizanë (Hamitin; Xhemalin; Shabanin dhe Axhemin); dy të parët ranë dëshmorë të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Me tiparet burrërore të rralla që shpalosi, me mençuri e me trimëri, me ndershmëri e me bujari, burri i ndjerë i Mehmetajve, Muharrem Qerimi, të cilin, të tijtë me të drejtë e thërrisnin "baba", u bë "baba" i tërë fshatit Kalivaç dhe meritoi zgjedhjen në detyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit, në disa legjislatura. Muharremin e donte i madh e i vogël në Kalivaç; Ai u natyralizua bukur e u lidh me martesë me të bijën e Musa Delos; një kalivaças i ndjerë nga derë e dëgjuar.

Ky shkrim në trajtën e një sage (historie të dhimbshme) bën fjalë për dy vëllezërit Mucoimaj; Demirin dhe Sherifin, të cilët, pas ndarjes nga jeta të babait të tyre Rrapo Ormenaj, u zhvendosën nga fshati i tyre i lindjes - Toçi i rrethit të Tepelenës e u natyralizuan në trojet dhe në shtëpinë e Bektash Sakos, të cilin e kishin dajo (vëlla të nënës). Bektash Sakua i Ormenajve, kishte tri motra: Gjylon, të martuar në Toç; Xhemilen, të martuar në Çorrush, me Dinë Agon, dhe një tjetër, të martuar në Vasjar. Kjo, e fundit, rreth vitit 1906, së bashku me bashkëshortin emigruan në Turqi; u vendosën në Stamboll, ku sollën në jetë një djalë - Bakiun dhe një vajzë. Me Bakine, Muhameti, i biri i Demir Rrapos të Mucoimajve, mbajti korespondencë deri në vitin 1957.

Bektash Sakua, i martuar me Zonjën Dylbe, motrën e Hysen Mahmut Alidervishaj, nga Hysodosajt, nuk solli në jetë fëmijë dhe sipas traditës vendore shumëvjeçare, atyre u rrezikohej trashëgimia; nuk kishin kujt t’ia linin në trashëgim pronën. Vlen të vihet fort theksi në faktin se Dylba e Bektash Sakos, me fisnikërinë e origjinës së saj, fisnikëroi edhe familjen e burrit. Me ardhjen në truallin e dajo Bektashit, të dy vëllezërit: Demiri dhe Sherifi, të cilët, pas vdekjes së babait të tyre, shitën shtëpinë, mallin e gjënë që kishin në Toç dhe, së bashku me nënën e tyre – Gjylon dhe me motrat: Sheron dhe Havane, ngarkuan plaçkat dhe, me një grusht verdhushka (monedha floriri) në xhep, u vendosën tek dajo Bektashi. Vajtja e tyre tek dajo Bektashi e gjallëroi shumë jetën e familjes dhe të fisit në tërësi por rezultoi në ngushtësi për dajon dhe për të ardhurit nga Toçi. Ai, për të zgjeruar shtëpinë, dhe truallin, iu drejtua mëhallaliut Nelo Bino Nelaj dhe Avizese të Bilbil Bolos, nga të cilët bleu truall e u zgjerua. Përveç truallit, dajo Bektashi, bleu dhe ara, në Llagëme dhe bagëti të imëta (dhen) e kafshë pune e ngarkese.

Kur Bektash Sakua dhe nipërit ndërtuan shtëpi të re dhe blenë ara e kafshë dhe ishin në procesin e riorganizimit të ekonomisë bujqësore, në vitin 1905, Bektash Sakua emigroi, në Anadol, të Turqise; atje ku, zakonisht bënin kurbet fshatarët nga Kalivaçi i Tepelenës. Në ato ujëra, notonin dhe dy vëllezërit e ardhur nga Toçi: Demiri dhe Sherifi, të cilët ishin në moshën e shpërthimit të energjive rinore dhe kishin rënë në kontakt me të tjerë bashkëfshatarë të cilët u kishin sugjeruar Amerikën si vendin ku mund të jetohej e të fitohej më mirë. Si në atë kohë dhe sot, Amerika konsiderohet "tokë e premtuar". Nuk kaloi shumë kohë dhe të dy vëllezërit, i dhanë fund mëdyshjes dhe morën udhën detare të emigrimit ekonomik.

Ata, ndryshe nga bashkëfshatarët e tyre dhe krahinarët e trevës emigruan, jo në Turqi, siç ishte tradita por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vëllezërit Mucoimaj u vendosën në qytetin e Bostonit, ku mjaft shqiptarë kishin bërë "fole" dhe u futën në punë në një fabrikë tekstilesh: Demiri ekonomist (magazinier) e Sherifi – doker. Të dy vëllezërve Mucoimaj, kurbeti në Boston nuk u vajti dëm. Ata, me punën e tyre të ndershme dhe dinjitoze, arritën të bënin prokopi. Demiri ishte i zgjuar e i shkolluar dhe, përveç punës që bënte, u lidh e u aktivizua në shoqatën atdhetare "Vatra" të shqiptarëve të Bostonit ku iu dha mundësia, të cilën e shfrytëzoi, për të vazhduar shkollë në fushën e gjeologjisë. Demiri shkruante herë pas here në shtypin e kohës, sidomos në gazetën "Dielli" ku i bënte jehonë jetës në Shqipëri.

Me punën dhe me qëndrimin e tij në fabrikë dhe në shoqatë, Demiri fitoi dashurinë dhe respektin e punëtorëve dhe të drejtuesve të fabrikës si dhe u hyri në zemër drejtuesve të shoqatës "Vatra". Sherifi doker, ndjente përgjegjësi të dyfishtë, në raport me të vëllanë. Ai nuk donte të skuqej për shkak të tij, vëllai i mençur, prandaj e kompensoi pashkollimin e tij me punë të ndershme dhe me sjellje të mirë, e cila e afroi dhe e miqësoi me mjaft shqiptarë e me vendas.

Mirëpo jo çdo gjë, në punën dhe në jetën e dy vëllezërve Mucoimaj, në Boston të Amerikës vajti siç do ta donin ata.

Një ditë pune, Sherifi ndjeu dhimbje në fund të barkut e iu drejtua mjekut të fabrikës. Pas analizave dhe këqyrjeve të domosdoshme, në rrugë mjekësore u konkludua se Sherifit i kishin shkarë dhjamët e për evitimin e komplikacioneve të mëtejshme, nevojitej ndërhyrje kirurgjikale. U shtrua Sherifi në spital e iu nënshtrua ndërhyrjes, por në kushtet pasoperacionale, Ai nuk mund të vijonte punën e dokerit si më parë. Pas konsultave mes dy vëllezërve u arrit në përfundimin se rruga më e përshtatshme për zgjidhjen e këtij problemi ishte kthimi në Atdhe i Sherif Rrapos. Me kontribute të përbashkëta, Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj), pas katër vitesh punë në Boston, mori udhën e kthimit për në Shqipëri, nëpërmjet lundrimit. Ai zbriti në skelën e Vlorës, atje ku zbrisnin zakonisht të ardhurit nga emigracioni ekonomik në rrugë detare ku e pritën mjaft njerëz të familjes e të fisit të tij dhe shumë dashamirës.

Ardhja në Kalivaç tetepelenes, me baulet plot me dhurata e me xhepin plot me para u përcoll nga një davet (gosti) e madhe. Në atë gosti, u ther një kope me të imëta e u pi raki (me opingë). Dyfeku nuk pushoi atë natë e pas saj. U deshën disa ditë që tyta e armës të ftohej. Mishi bio, i pjekur në hell kundërmoi dynjanë. Era e këndshme e tij u përhap në të gjithë mëhallën Ahmetaj e u ndie deri në Qafën e Dërrasës, e në Hysodosaj dhe përtej Përroit të Llaskos, në mëhallët Beqiraj e Hasanimeraj.

Gëzoi e u lumturua Sherifi, por jo vetëm Ai. Gëzimin e ndjeu fqinjësia, soji e tarafi, si në Kalivaç dhe në Toç e gjetkë. Atë ditë zj. Dylbe, edhe pse ishte nikoqire nga më të mirat në mëhallë e në fshat, si zonjë shtëpie, nuk mund ta përballonte, e vetme, ngarkesën e madhe që solli daveti, prandaj kërkoi ndihmën e disa grave të mëhallës, të cilat shquheshin për gatime të shijshme dhe për punë të tjera shtëpie. Ndër gratë që thirri për ndihmë, ishin: Shaza e Xhelal Fejzos; Avizeja e Abedin Kahremanit; Fatija e Kamber Asllanit; Lulja e Hasan Sadikut; Hysnija e Musa Mehmetit; Tacja e Xhezo Nures etj. Gra të ahmetajve. Nuk e shtriu thirrjen tek gra të tjera të mëhallës, të cilat ishin po aq të zonjat por ishin më larg me shtëpi.

Pas gostisë në shtëpinë e tij, Sherif Rrapua gjezdisi nëpër shtëpitë e të tijve, duke vajtur për të takuar sojin e sorollopin dhe miqësinë, kudo ku gjendeshin, në fshatrat rreth Kalivaçit, atje ku kishte fare e fis, miqësi e krushqi. Në këto takime e gosti, mërgimtari Sherif Rrapo nxori mallin e të larguarit nga vatani, për ata që ia donte zemra. Ai, në të njëjtën kohë dha e mori informacion, për ato që kishin ngjarë gjatë kohës kur ishte në kurbet dhe u rrëfeu të pranishmëve, vështirësitë e punës dhe të jetës, larg tyre, në dhe të huaj. Kudo ku vajti, Sherifi, i rrethuar nga sy kureshtarë e nga njerëz bujarë, vinte re një padurim të tyre dhe kureshtje të madhe për të pikasur; çfarë kishte ngjarë tek njeriu i tyre gjatë kohës së mungesës katërvjeçare të tij. Sherifi - djalë i shkurtër në shtat por me trup të lidhur e tërë muskuj, të cilët u kalitën më tej nga puna e dokerit, sipas zakonit të vendit, kishte lënë mustaqe, të mëdha, bojë gruri, të cilat i shkonin për bukuri asaj fytyre buçko, kuqalashe, të freskët e pa teprime. Fjalëpak e gojëmjaltë, Ai u përgjigjej me qetësi e urtësi pyetjeve të kureshtarëve, të cilët donin të dinin shumë. Në çdo përgjigje, tek djali i Rrapo Mucoimajve sundonin logjika e shëndoshë dhe modestia e lindur. Dashamirët e shumtë, në çdo davet, duke e rrethuar të sapoardhurin nga larg, nuk harronin të pyesnin: Për lundrimin e gjatë dhe për anijen që i transportoi; a i "zuri" deti? Ku e si fjetën në anije? A u mjaftuan ushqimet që u nisi Dylba me vete dhe sa ditë kaluan me to?

Cilat ushqime rezistuan më gjatë e cilat u konsumuan më shpejt? Deri në detaje të rëndomta si lloji i ushqimeve me të cilat mbushën torbat si: Vezë të ziera, petulla, llokume fshati, paluze, revani, pula të pjekura, byreke, yshmre, qullapitë, djathë të bardhë e urrel, arrore, shegë e ftonj, arra e bajame. Çyrekë, palafike, vergje me fiq, mish të pjekur në hell etj. Etj.

Disa ushqime, i kishin prurë dhuratë, sipas traditës së mirë, farefisi, miqtë e shokët dhe gjitonët, për djemtë që do të merrnin udhën e kurbetit. Pyetjet e kureshtarëve nuk kishin të mbaruar edhe për punën, dhe për jetën, shoqërinë dhe lidhjet e reja që krijuan gjatë punës, në Bostonin e largët ku u vendosën. Kishte dhe pyetje naive por pa dëm. Njëri p.sh., pyeti: Si u lidhën me shqiptarët e Bostonit dhe a kishte atje njerëz nga Kalivaçi apo nga kazaja (rrethi i Tepelenës)? Disa herë, Sherifi, në pamundësi për t’u përgjigjur me saktësi, u ndodh në vështirësi. Interesante ishte pyetja që i bëri njëri nga të pranishmit, lidhur me operacionin që kreu.

Ai, me naivitet donte të dinte: si u përcaktua? Kush e mori përsipër ta kryente operacionin? Si ishin kushtet në spital? Sa ditë qëndroi i shtruar e si e trajtuan më pas? Etj. Etj.

Ndërkohë, Demir Rrapua, i mbetur i vetëm në fabrikën e tekstileve të Bostonit, ia pa hajrin veprimtarisë në shoqatën Atdhetare "Vatra". Ai fitoi jo vetëm para, nëpërmjet punës, por shfrytëzoi dhe mundësinë që iu krijua për t’u arsimuar në fushën e gjeologjisë. Largimi i vëllait nga fabrika e la Demirin "pa njërin krah". Ai e ndjeu fort largimin në Atdhe të vëllait, i cili, me punë të ndershme e me sjellje konkrete kishte fituar dashurinë dhe respektin e shokëve por kishte shtuar dhe mjaft vlerë në formimin e personalitetit të vëllait të vetëm, Demirit, i cili, i hodhi sytë tek shoqata "Vatra", e cila e formoi më tej si atdhetar vlerashumë.

Me baulet plot me dhurata, për të shtëpisë e për më të largëtit dhe me një grusht para në xhep, Sherifi u kthye në Kalivaç, ku e pritën, si rrallë njeri. Kthimi i Sherifit në Kalivaç, nga kurbeti i pertejoqeanit solli një gëzim të paparë, për të dyja familjet e fiset dhe për shokë e miq të shumtë të tyre. Dhuratat e shumta e të çmuara që solli Sherifi i joshën përfituesit e tyre e kjo është e natyrshme, por në çdo takim e gosti për nder të kurbetliut të kthyer në Atdhe, Sherif Rrapua u përball me pyetjen e pritshme, e cila u bë lejtmotivi i ditës: "Po Demiri, si është e kur do të vijë?" Sherifi, i zënë ngushtë nga kjo pyetje dhe në mungesë të një përgjigjeje të saktë për kthimin e të vëllait, e zhvendoste rrëfimin tek bukuritë dhe vështirësitë e lundrimit të gjatë, u fliste të pranishmëve kureshtarë, për jetën në fabrikë e në Boston dhe për sëmurjen e tij e për operacionin që bëri. Fliste, rrëfente e gëzonte, bashkë me ata që i rrinin rreth e rrotull dhe e vështronin në sy, por mendja i fluturonte gjetiu, tek Demiri dhe një brengë, në zemër e kish. Ai dinte shumë për të vëllanë por nuk mund t’u dëftonte dashamirësve të shumtë që e rrethonin, një datë të saktë për kthimin e tij.

Ata e kishin të qartë nivelin dhe aftësitë e Demirit, prandaj dëshironin dhe kërkonin ta kishin Atë mes tyre, si njeri me vlera, ku mbi të gjitha shndrinte mençuria.

Mbasi dëgjonin mirë e mirë rrëfimin e Sherifit për sëmurjen e tij dhe për operacionin që përjetoi, të pranishmit, si në kor, njëzëri gumëzhinin: "Shyqyr që të shpëtoi Zoti dhe mos e provofsh më atë derë"! Fisin, miqësinë dhe të gjithë dashamirësit e Sherif Rrapos, i gëzoi, pa masë kthimi i tij në Kalivaç dhe e shprehnin atë, në mënyra nga më të ndryshmet, ku dollitë dhe mirësitë dilnin në plan të parë. Por, të gjithë, sido që u gëzuan e u lumturuan, në vetvete e kishin një brengë; ata ishin të shqetësuar për Demirin; si do t’ia bënte Ai burrë, i vetëm, pa gjysmën e tij të ngjashme në dhe të huaj. Vëllai i vetëm, me të cilin mori udhën e kurbetit, u kthye, pas katër vitesh, por Demiri kishte mbetur i vetëm, përtej Oqeanit Atlantik, shumë larg vatanit, nga i cili, në atë kohë ishte mjaft e vështirë të merrte njoftime.

Për ta mbushur, disi, këtë boshllëk që u krijua pas largimit të vëllait Sherif, të cilin e kishte si dritën e syve, Demir Rrapo Mucoimaj ishte i detyruar të lidhej më ngushtë me bashkatdhetarët e tjerë e në veçanti me shoqatën atdhetare "Vatra" e cila mblidhte rreth vetes mjaft shqiptarë atdhetarë. Demir Rrapo Mucoimaj, i mbetur në Boston, pa vëllanë Sherif, i cili e kishte nderuar, në çdo rast e ishte bërë simbol i punëtorit të rrallë, i njeriut të ndershëm e të drejtë që e bazonte përballjen me jetën, nëpërmjet punës dhe djersës së ballit. Demiri u integrua bukur në shoqatën "Vatra" e u shkri me të. Nuk mund të anashkalohet reputacioni i merituar që kishte arritur Demiri, mes punëtorëve të fabrikës ku punonte dhe ndjesia e mirë që kishte përcjellë tek stafi drejtues i fabrikës së tekstileve.

Sherif Rrapua, mbasi i shëtiti, me radhë, ku për drekë e ku për darkë, të dashurit e tij, për të cilët kishte mall, iu përfill punës në ekonominë bujqësore të familjes së madhe, të bashkuar. Mbështetje të pakursyer në misionin që ndërmori, për të shtuar e për të gjallëruar ekonominë bujqësore të familjes, Ai kishte kapedanen Dylbe, e cila menaxhonte, me ekuilibër, çdo kokërr drithë e çdo sapllak me dhallë. Sikur kjo të mos mjaftonte zj. Dylbe edhe pse nuk kishte arsim të profilit ekonomik, me aftësitë që kish, shërbeu si këshilltare e pagabuar për nipin e burrit, në përpjekjet e përbashkëta për të shtuar e për të gjallëruar ekonominë bujqësore të familjes. Sherifi, djalë në vaktin, i shëndetshëm e i fuqishëm dhe sedërmadh, njeri i drejtë e i njohur për ndershmërinë e tij të pamatë, jo vetëm që e vuri në binarë të mbarë ekonominë e familjes së madhe duke i bërë vend vetes mes kalivaçasve por u bë njëri nga njerëzit më me influencë në mëhallën Ahmetaj.

Zonja Dylbe, (xhixhija) dhe dajo Bektashi, me merak të madh e me shumë kujdes, nën ndikimin dhe presionin e miqësisë, në të dy krahët e origjinës së Sherifit, bënë kujdes dhe për shtimin e vatrës familjare të Sakajve të cilët shpresonin shumë në ardhjen e nipërve Mucoimaj, nga fshati Toç. Ata, gjetën e "zunë nuse" për Sherif Rrapon, në fshatin Kashisht të rrethit të Tepelenës. Sipas kodit zakonor, dera e fisme e Sakajve duhet të lidhej me krushqi, me një familje të radhës së saj, prandaj përzgjodhën, një familje të fisme, në fisin Zekaj të Kashishtit dhe morën nuse të mirën Fatime. Dasmë e madhe u bë në Sakaj, për martesën e Sherif Rrapos me Fatimenë. Dasma zgjati plot një javë, me këngë e me valle, me raki të fortë e me mish të pjekur në hell dhe me krismat, pambarim të dyfekeve që ushtinin në atë faqe kodre. Të gjithë dasmorëve, por jo vetëm këtyre, u vinte keq që vëllai i madh i Sherifit - Demiri, ndodhej qindra milje detare, larg Kalivaçit, atje, në mërgim, në qytetin Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk u ndodh në atë gëzim të shumëpritur.

Çifti i të sapomartuarve, nuk vonoi, por fill pas 9 muajsh solli në jetë fëmijën e parë, i cili, siç e donin prindërit dhe familja e fisi tradicional, rezultoi të ishte djalë. Ky ishte i pari i fëmijëve, të cilin emërtuan Qemal, për nder të Ismail Beut të Vlorajve, që ngriti flamurin, në vitin 1912.

Por çifti në fjalë e shtoi atë derë me pesë djem që pasuan njëri-tjetrin. Ata morën emrat: Qemal; Teki; Ferrik; Barjam dhe i fundmi i tyre u quajt Hekuran. Në përcaktimin e emrave të djemve, Sherifi dhe të tijtë, respektuan rregullin e pashkruar të vazhdimësisë së racës, në të dy krahët dhe simbolikën, siç ishte emri Hekuran. Për fat të keq, në vitin 1936, njëri nga djemtë e Sherif Rrapos, Barjami, u nda nga jeta. Hekurani, i fundit i djemve, u nda nga jeta, në vitin 2017, në qytetin e Durrësit, ku banonte prej vitesh, në moshën 90-vjeçare. Aktualisht, asnjeri nga fëmijët e Sherifit nuk është në jetë, por ata kanë lënë pasardhës të denjë, të cilët mbajnë gjallë traditën e fiseve dhe ruajnë, me fanatizëm tiparet dhe karakterin e prindërve që i sollën në jetë.

Në Kalivaç, në trojet e Sakajve, në kohën që jetojmë, banon vetëm Abdyli, njëri nga djemtë e Qemalit shpuzë e hokatar. Ai, nuk mund të qëndronte veç ndryshimeve që ndodhën në shekullin ku jetojmë, në Ahmetaj dhe në Kalivaç, por ka bërë rindërtime e transformime. Për fat të keq, Abdyli ka vënë dorë mbi trashëgiminë e ngrehinave historike të këtij fisi, të fismë.

Demir Rrapua i Mucoimajve, me zgjuarsinë tipike që kishte dhe me shkathtësinë e ëmbëlsinë e fjalës, përveç punës bazë të magazinierit në fabrikën e tekstileve, shfrytëzoi avantazhet që i dha anëtarësimi dhe veprimtaria atdhetare në shoqatën "Vatra", me zotësi e me sakrifica u arsimua në fushën e gjeologjisë, profesion i cili i hyri në punë, sidomos kur u kthye në vendlindje. Arsimimin, Demir Rrapo Mucoimaj, e kishte pikë të dobët. Për të arritur qëllimin që i kishte vënë vetes për të rritur nivelin e tij arsimor, Ai nuk linte rast e mundësi pa i shfrytëzuar. Ai, veç të tjerave, shkruante periodikisht në gazetën e shoqatës me emrin "Dielli", e cila botohej në qytetin e Bostonit. Në shkrimet e tij në këtë gazetë, binte në sy atdhetaria. Demiri i bënte jehonë botës shqiptare dhe vështirësive që përjetonin bashkatdhetarët e tij, nën thundrën e të huajit pushtues dhe të lakmitarëve të shumtë për të përvetësuar territore shqiptare.

Puna e gjatë në Boston për gati 19 vjet e lidhi Demirin me atdhetarë të shquar, të ditur e të kulturuar, e poqi djalin nga Kalivaçi (i natyralizuar) dhe e shndërroi atë në një intelektual të mirëfilltë, të cilit, zemra i rrihte, fort, për Shqipërinë e nuk e hiqte nga mendja, as Tocin ku erdhi në jetë; as kalivaçin që e rriti dhe e veseliti.

Në Bostonin e pertejoqeanit, Demir Rrapua jetonte me pulsin e vendit të tij - Shqipërisë. Ai, i njihte mirë hallet e popullit, gjendjen e vendit dhe e ëndërronte Shqipërinë të rreshtuar përkrah vendeve të qytetëruara; Zonjë ndër Zonja; siç e meritonte. Me dëshirën e pamatë për ta parë Atdheun e tij të ndriçuar nga drita e diturisë, Demiri bëri të tijin sloganin e rilindasve tanë të shquar, sipas të cilit, "Dritë e diturisë, përpara do të na shpjerë"! Atdhetari zemërzjarr Demir Rrapo Mucoimaj, e ndau mendjen për të ndriçuar bashkëfshatarët nëpërmjet të mësuarit të shkrimit e këndimit në gjuhën amtare, duke mësuar Alfabetin Shqip si dhe, aq sa ishin mundësitë, të shtrihej arsimimi, tek bashkëfshatarët e tij, në Kalivaç të Tepelenës. Prej kohësh e kërkonin një shkollë shqipe, fshatarët kalivaças teksa i digjte zjarri që gjuhën e nënës të dinin edhe ta shkruanin, shqip. Fati u erdhi në derë vetëm kur u kthye nga Amerika djali i tyre Demir Rrapo Mucoimaj, në vitin e largët 1921. Ai, kur u kthye nga kurbeti, në vend që të sillte baule me dhurata, për të shtëpisë e për të afërmit e tij, preferoi të sillte 4 baule me abetare, gazeta, revista e libra të shkruara në shqip, me synim që t’u mësonte bashkëfshatarëve të tij, të shkruanin e të lexonin. Puna e gjatë në emigracion, puna e magazinierit të tekstileve dhe jeta me dorë të shtrënguar, i kishin dhënë mundësi, emigrantit Demir Rapo, të sillte dhe një qese me para, të verdha floriri si dhe bënë të mundur rritjen e shkallës së kulturës e të qytetërimit, tek djali i zgjuar i Mucoimajve.

Pasi u takua e u çmall me familjarët dhe përcolli gostitë e davetet që u organizuan në nder të tij nga dashamirë të shumtë, Demiri, mbasi shoi mallin e mërgimit të gjatë, iu përfill punës për t’i dhënë jetë planit të tij të ëndërruar prej kohësh, organizimit të një kursi kundër analfabetizmit në fshat, ku të grumbullonte "ajkën" e burrave e të grave, të cilët kishin shprehur dëshirën e zjarrtë për të mësuar shkrim e këndim.

Në vitin e largët 1921, në odën e tij, në Ahmetaj, duke luajtur edhe rolin e mësuesit, Demiri organizoi kursin me 17 pjesëmarrës; 2 nga të cilët ishin gra. Kursi zhvillohej kryesisht mbasditeve e vazhdonte deri në orët e vona të natës. Përpjekjet e tij për të çarë errësirën shekullore që sundonte në fshat, u kurorëzuan me sukses të plotë. Në këtë ndërmarrje me puls atdhetar të Demir Rrapos, qëndruan në anën e tij mendtarët e fshatit si: Abedin Kahremani; Musa Mehmeti; Sadik Dajlani; Ahmet Selfua, Muharrem Haxhiu e vëllai i tij – Beshiri; Zagoll Salikua; Halil Lazja; Qamil Sulua; Sulo Beqiri; Muharrem Hasani; Malo Barjami; Idriz Agua; Çizo Selfua etj. Për herë të parë morën në dorë kalemin dhe u ulën, mbi fletore, bashkëfshatarët: Hysnije Reiz Nelaj; Sado Fazlli Agaj; Xhemal Haxhi Nelaj; Banush Xhezo Haderaj; Mane Tafil Zenelaj; Kalo Qazo Ramaj; Muharrem Hasan Nelaj; Tefik Medin Sulaj; Sulo Beqir Sulaj; Qamil Sulo Malaj; Muharrem Sheme Agaj; Breshan Fejzo Bejomalaj (Nelaj); Sulo Barjam Hysaj; Ahmet Selfo Zenelaj; Kalo Guçe Dulaj; Muharrem Qerim Mehmeta j dhe Barjam Axhem Llakaj.

Siç dëftonte bashkëfshatari Xhemal Haxhi Nelaj, pjesëmarrës në këtë kurs afatshkurtër kundër analfabetizmit: "… Ata që vinin për të mësuar shkrim e këndim ishin të rritur në moshë e të pjekur. Në kurs, kur zhvillohej mësim, mbretëronte qetësia, vëmendja dhe interesimi i pjesëmarrësve për të mësuar, serioziteti dhe rregulli. Mësimin e drejtonte Demiri, në odën e Bektash Sakos. Ai ishte burrë i mençur, i sjellshëm e mjaft i duruar. Demiri mësues, nuk përtonte të na e thosh, të njëjtën gjë, disa herë, sa ta kuptonim, nuk na lejonte të kapërcenim pragun e derës së shtëpisë klasë, për të vajtur në shtëpitë tona, pa u bindur se çdo gjë që na kish mësuar e ne e kishim përvetësuar... Me ata që e kishin të vështirë, punonte më vete.

Demiri nuk e ngrinte zërin, kurrë e nuk ishte arrogant. Ai na thosh: ‘… Mësoni, se për vete e keni…’".

Sot, pas gati një shekulli, nga dita kur u hap kursi i parë kundër analfabetizmit, në Ahmetaj, kur shkolla dhe shkollimi në Kalivaç kanë kapërcyer procesin e natyrshëm të rritjes, pa dhimbje dhe aktualisht në fshatin tonë funksionon një shkollë nëntëvjeçare, me mësues të kualifikuar e me përvojë të gjatë pune, mund të duket e lehtë dhe e thjeshtë ajo punë "titanike" që bëri bashkëfshatari ynë Demir Rrapo Mucoimaj, në atë kohë errësire kur ky akt dukej i pamundur. Në ato vite, në Kalivaç, njerëzit që dinin të shkruanin e të lexonin numëroheshin me gishtat e njërës dore. Një kalivaças, për t’i shkruar letër një mërgimtari, një ushtari apo një të izoluari, duhet të merrte udhë të gjatë, për të shkuar tek një i shkolluar (arsimtar; pushtetar; hoxhë) etj.

Demir Rrapos, për ta bërë realitet ëndrrën e tij për shkollimin e bashkëfshatarëve, nuk i mjaftonin dituria dhe aftësia, por i nevojiteshin, me tepri guximi e trimëria. Kundërshtimi dhe kundërshtarët nuk ishin të paktë; as të pafuqishëm. Kjo ishte pengesa kryesore që duhej kaluar. Efektet e kursit të parë kundër analfabetizmit, nuk vonuan të dukeshin. Ato u shfaqën, dukshëm, menjëherë, e vit pas viti. Hysnija e Musa Mehmetit, u zgjodh delegate e Kongresit të Përmetit; Muharrem Hasani u bë mësues i kompanisë partizane, në formacionet luftarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare; Mane Tafili u zgjodh Kryetar i Këshillit Antifashist të fshatit tonë; Sulo Beqiri u bë komandant i njësiteve partizane etj. Fara që mbolli Demir Rrapo Mucoimaj, në vitin 1921, gjeti truall të përshtatshëm; mbiu e u rrit e shëndetshme dhe sot, vajzat dhe djemtë nga Kalivaçi i Tepelenës, me zotësi janë ngjitur në majat e dijes e të shkencës.

Pa u orvatur të bëj evidencë; nuk mund të hesht përpara gjenialitetit të Mirjetes të Derajve; Vezirit të Fejzo Qazimit; Shyqyriut të Barjam Malos; Nekiut të Xhemal Idrizit; Dautit të Mahmut Rushitit; Xhelilit të Ali Xhelilit; Selfos të Sabri Rizait; Nuriut të Hamza Sheshos; Ferrikut të Azis Selfos; Edmirit të Xhaferajve etj. Etj. Pema e diturisë u kultivua e u veselit nga populli arsimdashës i Kalivaçit, nën kujdesin e mësueseve dhe mësuesve kalivaças. Ka të tillë, si çifti: Xhevaire e Skënder Xhaferaj, ashtu si Dauti i Mahmut Rushitit, Jashari i Banush Xhezos etj., të cilët e nisën në kalivaç karrierën e mësuesit dhe aty dolën në pension.

Ka zënë vendin e traditës, martesa e djemve kalivaças akoma pa vajtur ushtar; në moshën 18-19-vjeçare. Motivet janë të ndryshme; e pandryshuar mbetet ruajtja e koeficientit konstant të krahëve të punës në familje. Ikte djali ushtar por nusja e zëvendësonte atë denjësisht në punët e ekonomisë bujqësore familjare. Demir Rrapua, për shkaqe që dihen, në çështjen e martesës ishte i vonuar.

Në vitin 1925; katër vjet pas kthimit nga mërgimi, Ai u lidh me martesë me të ndjerën Merjeme, e cila ishte lindur e ishte rritur në fshatin Vasjar të rrethit të Tepelenës. Siç ishte tradita e trevës, fejesa dhe martesa mes tyre u bënë me mblesëri. Nga kjo martesë, më 13 tetor të vitit 1927 erdhi në jetë i vetmi fëmijë i çiftit - Muhameti. Lindja e djalit, si seks i preferuar i kalivaçasve e trevës përqark, gëzoi jo vetëm prindërit e tij por dhe gjithë familjen dhe fisin, në të dyja anët dhe dajot, në Vasjar. Siç thonë në Kalivaç, ardhja në jetë e një trashëgimtari: "gëzon qepra e qoromidhe"! Dhe, në fakt kështu ndodhi edhe kur lindi Muhameti.

Për të nderuar Profetin, dhe me shpresën që djali i sapolindur ta kishte jetën të gjatë i vunë emrin Muhamet.

Kur erdhi nga kurbeti, Demir Rrapua i Mucoimajve, nuk solli vetëm libra e revista, por dhe një dorë të mirë me para, në ar. Me paratë e Demirit e me ato që pruri vëllai i tij, Sherifi dhe me punën "vigane" të këtij të fundit, ekonomia bujqësore e familjes së zgjeruar të Bektash Sakos, njohu "lulëzim" e u shndërrua, në njërën nga ekonomitë bujqësore më në zë të fshatit e më gjerë.

Arat e mbjella me grurë, me misër, me fasule e me fierëza, me patate, me tepe, me elb e me tërshërë, në Llagëme e në Luadhe, nuk punoheshin por "qëndiseshin" nga Sherif Rrapua, i cili ishte një punëtor i pashoq i bujqësisë dhe një blegtor nga më të mirët e fshatit. Familja e Bektash Sakos, shtoi bagëtitë e imëta (dhen), gjedhët dhe kafshët e ngarkesës.

Për të punuar në kohë arat e shumta dhe për mbarështimin e blegtorisë, Bektashi dhe nipërit, pajtuan disa yzmeqarë, të cilët, në atë shtëpi, me këmbënguljen e Demirit, trajtoheshin jo si yzmeqarët e familjeve të tjera. Demiri dhe Sherifi ishin nismëtarë për ndërtimin e një banese të re, të madhe e të kohës, në vendin ku sot është banesa e pinjollit të Sakajve - Abdyl Qemal Zenelaj.

Siç më kujtohet nga vegjëlia, shtëpia e Sakajve ishte thuajse në mesin e mëhallës së Ahmetajve. Oda e madhe, e ngritur me gurë gëlqerorë të gdhendur, të lidhur me llaç gëlqereje e me breza druri në çdo 100 cm lartësi shtrihej në drejtimin Lindje - Perëndim, anës udhës që zbret tek Ullinjtë e Bushit, në anën Veriore të Bahçes së Dajlanit. Oda i kishte dritaret tip frëngjie, të cilat vështronin nga Perëndimi, andej nga është Fusha e Kalivaçit. Oda ishte mjaft e gjatë (rreth 7 m) dhe e gjerë rreth 4 m. Çatia e saj ishte e mbuluar me pllaka guri të bardhë por qeresteja e çatisë ishte e fortë prej druri Lisi, vidhi e ulliri. Dyshemeja e odës ishte e shtruar me dhogë të trashë, pa kanale e kllapa mes tyre.

Në anën Veriore të odës zbriste një shkallë guri, pa parmakë anash. Shkalla niste nga sheshpushimi sipër, e zbriste në tabanin e avllisë. Ngjitur me odën e vjetër, e cila, deri vonë është quajtur oda e Demirit, u ndërtua një tjetër odë, më e re, e cila i ra në pjesë Qemal Sherifit. Të dyja odat ishin me shpinë nga udha këmbësore që kalonte nga Buza, tek Guri i Kalit, nën murin e bahçes së Muharrem Kamberit dhe duke kaluar sipër Bahçes së Dajlanit dhe asaj të Safet Ahmetit, të çonte në Përroin e Llaskos e më tej. Oda e Demirit me odën e Qemalit, komunikonin nëpërmjet dy dyerve që dilnin në të njëjtin sallon (mesore).

Një përdhesë guri, shërbente si kuzhinë. Atje mblidheshin enët e gatimit dhe gatuanin gratë e saket: Nënë Dylba, Nënë Gjylua e më pas Hatemja e Qemalit. Përdhesja në fjalë ishte e mbuluar me pllaka guri të bardhë dhe e shtruar me shur (vapem). Së bashku me dy odat, me portën e madhe, me çati e me dy sofatë guri të lartë rreth 60 cm në të cilët vendoseshin bucelat me ujë të freskët kur vinin nga burimi i Madh, dhe uleshin njerëzit e shtëpisë e hera-herës kalimtarët e mëhallës, për t’u shlodhur pak, pas punës së lodhshme në arë e cila shtohej nga ngjitja e të përpjetës që vinte nga Shuret, formohej një kompleks i bukur arkitektonik, me vlera njohëse. Porta e madhe dykanatëshe ishte në hyrjen Jugore të kompleksit të Saket; në të mund të futej kafsha e ngarkuar me demekë ose me shkarpa, shërbente për të hyrë në avllinë që rrethohej nga një mur guri rreth 3 m të lartë. Konakët e sakajve, përbënin një kompleks të bukur arkitektonik me vlera të pazëvendësueshme muzeale.

Për fat të keq, ky kompleks, aktualisht nuk ekziston as në fotografi. Objekte të tilla me vlerë, rrëfejnë historinë e një fisi apo të një fshati të tërë, prandaj, do të ishte mirë të ruheshin, për t’u dëftuar brezave, nga vijnë.

Gjitonë të Bektash Sakos dhe të nipërve të tij kanë qenë: Dinë Xhelal Bejomalaj (Nelaj) dhe xhaxhai i tij - Breshan Fejzo Bejomalaj (Nelaj), nga Perëndimi; Muharrem Kamber Deraj, nga Lindja; vëllezërit Isuf e Mino Jacaj (Nelaj), nga Veriu dhe në Jug, kufizohej me Bahçen e Dajlan Muharrem Nelaj. Ndonëse ishte e rrethuar nga fisi i shtuar e i fuqishëm i Nelajve, familja e Bektash Sako Ormenajve, mbante më tepër lidhje e përkrahej me tri familjet e caqajve: me (Abedin Kahremanin; vëllezërit Laze e Banush Xhezo) dhe me Bilbil Bolon.

Demir Rrapo Mucoimaj ishte nga ata burra, tek të cilët shkonin mjaft bashkëfshatarë dhe të ardhur nga anë e anës, për t’u konsultuar me të e për të lypur zgjidhje për çështje të cilave nuk u jepnin dot udhë. Demiri ishte i mençur, i qetë, i thellë në mendime dhe gojëmjaltë. Fjala e tij si orator i rrallë, dëgjohej me vëmendje në kuvendin e burrave dhe zinte vend në mendjen e atyre që e dëgjonin. Ai thoshte të drejtën e nuk mbante anën e asnjërit, prandaj mendimet e tij priteshin me interes e dëgjoheshin me vëmendje nga pjesëmarrësit në kuvend. Demiri, nuk vendoste kurrë e nuk jepte mendim për zgjidhjen e një problemi, pa u konsultuar më parë me të vëllanë - Sherifin, i cili, gjithashtu e njihte mirë jetën. Konsulta me të tjerët, ishte për Demir Rapo Zenelaj, metodë pune dhe shfaqje e respektit të tij për interlokutorët.

Demiri kishte dhe një "armë" tjetër në anën e tij; Ai ishte gojëtar fjalëmbël dhe me logjikë të shëndoshë. Burrat e Kalivaçit e çmonin shumë mençurinë dhe gojëtarinë e tij, dhe, në një dialog mes burrave përfaqësues të fshatit Kalivaç, me ata të fshatit fqinj të Çorrushit pleqësia kalivaçase caktoi ta përfaqësonte dërgatën e saj në këtë takim – djalin e Mucoimajve - Demir Rrapo Zenelaj (Mucoimaj).

Në takimin dypalësh, i cili u zhvillua në rajonin e Çezmës së Thatë, u diskutua mbi sherrin që kishte shpërthyer mes dy fshatrave kufitare, lidhur me përkatësinë e sinoreve kullotë për bagëti tek Çezma e Thatë, në kodrën e Dokes, sipër saj dhe në rajonin përqark. Të dyja palët në konflikt pretendonin për pronësinë e tyre mbi kullotën dhe ranë dakord ta diskutonin këtë çështje, paqësisht, në një kuvend të posaçëm, me pjesëmarrjen e pleqësive të të dy fshatrave. Pleqësia e Çorrushit kishte marrë si "të parë", beun nga Cakrani - Bektash Cakrani. Nisën diskutimet. I erdhi radha Demir Rrapos. Ai argumentoi shkencërisht, mbi bazën e njohurive që kishte marrë në Boston të Amerikës për problemet e gjeologjisë.

Të dyja palët mbetën të habitura nga logjika e fortë dhe argumenti shkencor që përdori Demiri në ligjëratën e tij. Bektash Cakrani, mbasi dëgjoi djaloshin nga Kalivaçi, tha: "Ashkosun të qoftë" që do të thotë: "bravo të qoftë"! Dhe shtoi: "Të bëhet siç tha ai djali nga Kalivaçi se qenka i mençur". U bë ashtu dhe që nga ajo ditë, nuk ka më sherre për kocimaren dhe për Doken. Rakia e fortë dhe mishi i pjekur në hell, të cilat pritnin përfundimin e takimit, i hapën udhën dollisë. Më në fund, të dyja palët, të kënaqura nga rezultati i arritur, u ndanë me buzëqeshje e me duar në qafë.

Demir Rrapua ishte mjaft human. Ai nuk e kursente fjalën e mirë dhe qëndrimin tolerant, për këdo. Burrat nga Kalivaçi dhe ata të trevës përqark tij, të cilët karakterizoheshin nga ashpërsia në gjykim e në veprim, habiteshin me sjelljen e "ëmbël" e me qëndrimin tolerant të Demirit, i cili ishte i pajisur me kulturë oksidentale. Nuk ishte e rastit qasja e Demirit ndaj trajtimit të yzmeqarëve të familjes.

Sipas traditës, yzmeqarët ishin njerëz të një sere më të ulët nga pronarët e tyre; ata jetonin në mjedise të veçanta e nuk mund të qaseshin në të njëjtën sufra me pronarët e tyre. Si rezultat i këmbënguljes së Demirit, u arrit të uleshin edhe yzmeqarët në të njëjtën sufra me "agallarët". Në optikën e Demir Rrapos, "Yzmeqarët ishin njerëz, njëlloj si pronarët e tyre, trajtimi i tyre ndryshe ishte diskriminues." U mundua Demiri ta bënte fetakompli këtë ide të tij, por qasja oksidentale e Demirit, ndeshi në kundërshtimin e mentalitetit ekzistues oriental anadolak, edhe pse bëri bujë e ishte një risi, e cila pati mjaft vlerë.

Kundërshtitë serioze që ndeshi Demir Rrapua, përballë praktikave shumëvjeçare anadolake që kishin hedhur rrënjë në mendjet e kalivaçasve dhe të fshatarëve të trevave pranë fshatit tonë kërkonin mjaft punë dhe kohë për t’u shkulur. Ato, në mendjet e disave, ekzistojnë edhe sot e kësaj dite. Në këtë përpjekje "Titanike" të mendjeplotit e mendjendriturit të ardhur nga Bostoni, Demiri grumbulloi në anën e tij disa elementë përparimtarë, të cilët e kishin çapin më të shpejtë se koha. Kësisoj, në këtë betejë, Demir Rrapua nuk ishte i vetëm.

Mendtarë të tjerë si Zoto Halili i Ramajve; Dule Alushi, i Dulajve; Qamil Sulua, i Malajve; Muharrem Mehmeti i Ramajve etj. u përpoqën të bënin të njëjtën gjë.

Kalivaçi i Tepelenës, si vend i thatë, historikisht ka qenë në ngushtësi, për sigurimin e ujit të pijshëm. Karvanët e kafshëve të ngarkesës ku në shumicë ishin gomerët, të ngarkuar me bucela dhe radha pambarim e grave dhe vajzave të mëhallëve të Pusit, me varrjela ngarkuar apo me kazanë në kokë, në mëngjes, pa "nxjerrë dielli synë" dhe në mukth, i drejtoheshin Donijes për të mbushur ujë të ftohtë nga burimi i Madh, i cili ndodhej disa metra sipër lundrës, në drejtim të rrjedhës së lumit. Nga të katër mëhallët e Fshatit të Madh (Pusit), vetëm në Hysodosaj, në avllinë e Xheladin Dajlanit e të Murat Jahos, ndodhej i vetmi pus, me ujë të pijshëm, të ftohtë, por ai zotërohej nga Myftarajt. Çezma e Halilet dhe ca më pak ajo e Ninit, nuk i plotësonin nevojat për ujë të pijshëm. Një pus që gërmoi bashkëfshatari Muharrem Ismail Malaj, në vendin e quajtur Kullustra, nuk mund të përdorej, as për të pirë, as për të gatuar. Pusi tjetër, të cilin tentoi ta gërmonte xhaxhai ynë Isuf Jaçe Jacaj (Nelaj), në Ahmetaj, nuk nxori kurrë ujë dhe mbeti një rrezik real, për fëmijët e mëhallës.

Demir Rrapua, me njohuritë që kishte marrë në Boston në fushën e gjeologjisë, pas vrojtimeve të shenjave dalluese në terrenin konkret, arriti në përfundimin se në arishtën me emrin Luadhe, domen i familjes së tij, atje ku dikur ka qenë qivuri i Bektash Sakos dhe varret e mëvonshme të fisit, mund të nxirrej ujë për të pirë. Në këto e sipër, Demiri nisi gërmimin e pusit, i cili në thellësinë rreth 35 m dha ujë të ftohtë e të pastër, të përshtatshëm për të pirë. Damari i ujit që shpërtheu, shpejt mbushi fundin e pusit e duhej administruar. Gëzimi i ujit që doli nga pusi, ishte i madh; ai mbuloi dhenë, shumë shpejt. Kalivaçasit e mëhallëve "të poshtme", sidomos Ahmetajt ishin të dëshiruar dhe e pritën me kënaqësi këtë njoftim. Familjarët e Demirit po "vrisnin mendjen" për të bërë davetin e përurimit të pusit me ujë, kurse "arkitektit dhe zbatuesit" të projektit, Demir Rrapo Mucoimaj, mendja i punonte gjetiu.

Ai mendonte për disiplinimin e ujit të pusit, në mënyrë që njerëzit ta shfrytëzonin atë në dobi të tyre.

Për ta arritur këtë qëllim, Demiri, me shpenzimet e tij dhe të familjes, porositi, në Vlorë një sasi çimentoje dhe tubat e nevojshëm. Porosia e Demirit kishte mbërritur në fshatin Shkozë të rrethit të Vlorës, atje ku Ai kishte të martuar motrën, e cila kishte sjellë në jetë dy djem: Shaqo e Medin Muka. Demiri, për të tërhequr mallin, u hodh në lundrën e Kalivaçit dhe vajti në shtëpinë e kushërinjve të tij të parë. Të zotët e shtëpisë, e pritën kushëririn me nderimet që i takonin e i shtruan gosti. Natën e fundit të marsit të vitit 1928, në shtëpinë e kushërinjve, në Shkozë, Demiri u sëmur, rëndë. Të zotët e shtëpisë e mbajtën në jatak, 3 ditë, me shpresë se mos përmirësohej, dhe kur e panë se përpjekjet e tyre nuk dhanë rezultatin që pritej por i sëmuri po përkeqësohej, e çuan atë në Kalivaç, në shtëpinë e tij, ku Demir Rrapua ndërroi jetë.

Për vdekjen, para kohe të Demir Rrapo Zenelaj (Mucoimaj), thuhen disa versione. Disa, e trajtojnë problemin sikur Demiri u nda nga jeta aksidentalisht, pas një ftohjeje të rëndë gjatë kohës kur gërmoi pusin e ujit, në Luadhe. Një version tjetër, më i besueshëm është helmimi nga kundërshtarët e tij. Në fakt, shpjegimi se, Demiri u sëmur tek kushërinjtë e parë, në Shkozë, e Atij i dolën shkumë të bardha nga goja, bën fjalë për një helmim të mundshëm.

Po, kush dhe përse e helmoi Demir Rrapon? Ky version i mundshëm, gjithsesi mbetet enigmë. Me atë karakter e me atë formim që kish, Demir Rrapua nuk bëri armiq personalë, por ishte i rrethuar nga miq të shumtë e besnikë. As hasem nuk kishte; jo vetëm Demiri, si person por as tarafi i tij. Historianët, kur t’u vijë koha, me siguri që do ta thonë fjalën, por në ndonjë përfundim të përafërt edhe mund të arrihet. Personaliteti i spikatur, niveli kulturor dhe karakteri i tij tolerant dhe vizioni që kish për të ardhmen, në atë kohë ishin të parakohshme. Ndoshta në këto drejtime duhen orientuar kërkimet për të gjetur shkakun e vërtetë të vdekjes së atij "dishepulli", i cili, zor se mund të përsëritet.

Muhamet Demiri

Saga e Sakajve

Muhamet Mucoimaj

Demir Rrapua i Mucoimajve e mbylli jetën me lavdi dhe la pas gjurmë të pashlyera, si asnjë tjetër, në Kalivaç të Tepelenës. Vepra e tij humane, për të ndriçuar mendjet e bashkëfshatarëve është një gur themeli e një orientim i qartë nga duhet hedhur vështrimin. Demiri la pas një djalë të cilin, jo më kot e quajti Muhamet. Muhameti i vogël mori emrin e Profetit dhe i tillë u bë. Nëse mund të bëhet fjalë për një kalivaças të natyralizuar, i cili mund të radhitet me njerëzit më me vlerë e më dinjitozë, të fshatit tonë, mos e kërkoni gjetkë, veç tek figura e Muhamet Demir Mucoimaj, të cilin, për fat të keq, nuk e njohin mjaft të rinj të brezit aktual. Nuk e kanë thënë më kot mendtarët nga Kalivaçi: "Një - po një"!

Dhe njëshi i djemve të Kalivaçit nuk ka tjetër emër veç atë të Muhamet Demirit. Muhameti, edhe pse nuk e njohu babanë, në gen trashëgoi tiparet dhe vlerat e paraardhësit të tij lavdimadh. Nëse Muhamet Demiri u bë njëshi i djemve, kjo falë genit por dhe edukatës e frymës atdhetare që mori në familjen ku u rrit në veçanti falë rolit determinues i të mirës Dylbe dhe shtyllës së asaj dere - xha Sherifit. Nuk është për faj të Demirit, as të djalit të tij të vetëm që deri më sot, kanë qenë "në hije" vlerat e tyre. Gjetkë duhet ta kërkojmë këtë boshllëk. E mira, ashtu si dhe keqbërja, nuk mund të humbasin.

Vjen koha e ato "Pëlcasin".

Rrjedha e jetës së bonjakut Muhamet Demir Zenelaj (Mucoimaj), rrodhi jo në vijë të drejtë por me kthesa të forta e të papritura; të cilat patën ndikim në ecurinë e jetës dhe të veprimtarisë së tij Atdhetare, me shpirt e me zemër njerëzore, përmes kundërshtive e vështirësive. Më poshtë do të mësoni, diçka më tepër lidhur me personalitetin e spikatur të Muhametit, jetën e të cilit mund ta përkufizojmë me fjalët e popullit: "I miri nuk ka të mira në jetë"!

Shkrimi është titulluar: "Saga e Sakajve" për faktin e thjeshtë se në fakt, kjo histori i ngjan një sage të vërtetë, të dhimbshme.

Ndarja nga jeta, në mënyrë të beftë e Demir Rrapos, ishte një gjëmë e madhe për familjen e tij dhe një humbje e pazëvendësueshme për Kalivaçin dhe jo vetëm. Ai ishte përhapës i diturisë, një pishtar zemërzjarr e mendjelartë, i cili vuri piketa të shëndosha për arsimimin e njerëzve. Me fjalë të tjera, Demiri u solli dhuratë, kalivaçasve atë që u mungonte - dritën e diturisë. Kontributi i tij i shquar mund të matet vetëm me rolin që pati puna me frymë atdhetare e rilindasve tanë, të cilët përçuan diturinë në vendin tonë, nëpërmjet arsimimit të njerëzve.

Kuja në atë prag ra papritur e pa kujtuar e u shndërrua në një dhimbje të madhe, e cila përfshiu mjaft njerëz. Përmasa e dhimbjes ishte gati biblike. Nuk vdiq një burrë, por u nda nga jeta një prijës i diturisë, i cili, me atë që bëri trokiti në shekuj e do të kujtohet me nderim tërë jetën. Gratë e shtëpisë e të fisit dhe ato që erdhën nga Toçi e nga fshatra të tjera e qanë Demir Rrapon me ligje; siç qahen burrat në ato vise, duke i vënë në dukje vlerat dhe personalitetin e tij. Burrat e qanë me zemër. Dikush pëshpëriti: "Sy! E ka parë syri i keq"! Të tjerë, përsëritën sloganin: "Ashtu ishte e shkruar"! Etj.

Muhamet Demiri mbeti jetim nga i ati kur sapo kishte mbushur 5 muaj e gjysmë dhe ishte në djep, i lidhur me shpërgenj e me breza leshi. Ai nuk mund ta konceptonte gjithë atë gjëmë që ngjau, tek përkundej ëmbël nga dora e nënës. Është rast i rrallë, kur fëmija i sapoardhur në jetë, mbetet bonjak dhe nuk e ka përfytyrimin e figurës së prindit që e lindi. Ata që vinin për ngushëllim, takonin, në hyrje të odës Sherifin, vëllanë e vetëm të tij dhe i shprehnin Atij keqardhjen me fjalët: "Qoftë i xhenetit dhe t’i rrojë djali"!

Por djali që përkundej në djepin prej druri, nuk mund ta konceptonte në tërë dimensionin e saj gjëmën e madhe që kishte ngjarë atë ditë dhe pasojat që do ta shoqëronin dhimbjen që shkaktoi ajo vdekje. Ai vetëm sa kishte nisur të orientohej me sendet që ndodheshin pranë djepit dhe ndjente aromën e qumështit jetëdhënës të Nënës që e lindi. Fati i mbrapshtë e deshi që djali i vetëm i Demir Rrapos, të mbetej i vetëm në jetë, kur ende nuk ishte ndarë nga shpërgënjtë që e mbështillnin. Ai, pas vdekjes së Babait mbeti dhe pa Nënë e kjo ishte gjëmë më vete, madje mjaft e rëndë. Të sorollatesh rreth këtij fakti, mendoj se është e pavlerë, pas kaq vitesh që na ndajnë nga ajo ditë e zezë. Vetëm një gjë duhet thënë: Nëse vetë laktanti Muhamet Demiri nuk e ndjente mungesën e pranisë së Nënës, në rritjen e tij, Nëna Fatime, doli nga shtëpia e bashkëshortit, me shpirt të vrarë, me zemër të copëtuar e me kokën pas.

Ajo, e detyruar nga rrethanat dhe nën trysninë e opinionit që shtypte e ndrydhte gruan, si dhe nën presionin e opinionit të atyre që e gjykuan çështjen, pa përjashtuar vëllanë e saj të vetëm, të cilin e pyetën dhe i shtruan darkë, si mik shtëpie e ai dha pëlqimin që motra të "dilte" nga shtëpia e të ndjerit, duke e lënë djalin në dorë të "huaj". Zj. Fatime ishte e shtrënguar t’i nënshtrohej fatit të zi dhe e la djalin që mbajti në bark 9 muaj dhe i dha gji 5.5 muaj të tjerë, në kujdesin e Nënë Dylbes e të xhaxha Sherifit.

Nuk priti as të ngrihej në këmbë i biri, mbasi vëllai i saj shprehu vendosmërinë për ta marrë motrën e ve dhe djalin e saj, në shtëpinë e tij, në Vasjar. Në këto kushte, Sherif Rrapua, një burrë serioz e autoritar, i ndershëm tek Zoti, i kamur me djersën e ballit, duke parë mundësitë ekonomike dhe njerëzore që kishte familja e tij, vendosi që djalin që i la vëllai, ta rriste e ta veseliste vetë, dhe mundësitë i kishte. Ai mendonte se pasurinë e përbashkët që vuri, me shumë sakrifica, së bashku me vëlla Demirin, duhet ta trashëgonte i biri i këtij të fundit, Muhameti. Thonë se Sherifi, si njeri i drejtë e i ndershëm dhe besimtar i thekur e human i rrallë, kur doli Fatimeja nga shtëpia e burrit, i dha me vete një sasi të hollash, për sevap.

I mbetur jetim nga Babai, Muhameti laktant nuk gëzoi as përkëdhelitë e Nënës Fatime, e cila, në kushtet që përshkruam më sipër, doli nga shtëpia e burrit dhe vajti tek vëllai i vetëm, në Vasjar. Ishte tepër e re dhe me fëmijë "të braktisur", (në kuptimin që nuk e kishte pas vetes), Ajo u martua në fshatin Bylysh, që është si një mëhallë e fshatit Kashisht të rrethit të Tepelenës, me Tefik Hader Zikaj, i cili kishte pasur peripecitë e tij në jetë. Nga martesa me Tefikun, Fatimeja solli në jetë tre djem: Hakinë; Qemalin dhe Dilaverin. Dalja nga shtëpia e Fatimes ishte një vdekje tjetër e rëndë, në familjen e Madhe Sakaj dhe u përcoll me kujë, sikur të ishte ndarë nga jeta.

Pavarësisht se Muhameti, nuk e ndjeu më dorën e ngrohtë dhe qumështin e ëmbël të Nënës, që buronte nga trupi i saj i ngrohtë, Ai e kërkoi Atë vazhdimisht Nënën, derisa e gjeti. Mes brengës dhe gëzimit, më 5.12.1940, Fatimeja ra në shtratin e vdekjes e u nda nga jeta, me plagë në zemër, për Muhametin, të cilin e kishte nxjerrë nga shpirti, jo nga trupi, të cilin nuk e dëgjoi të artikulonte fjalën e ëmbël, Nënë. Ai sapo kishte nisur të belbëzonte fjalët e para dhe të ravijezonte portretin e Nënës, e cila, me kokë mbi djep, i këndonte ninullat e kohës. Mes fjalëve të shumta që i thosh të birit, Fatimeja, i përsëriste urimin e shpirtit: "U bëfsh si babai yt"! Dhe Muhameti, siç e uroi Nëna, jo vetëm që u rrit, me shtat si lis, por trashëgoi nga i ati tiparet më të vyera dhe virtyte të spikatura mirësie.

Burri i dytë i Fatimese, Tefiku, ishte luftëtar i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Në betejën e Qafës së Mirices, më 27 qershor të vitit 1943, Ai ra dëshmor i Lirisë. Muhameti u rrit, kur u ndërgjegjësua i gjeti vëllezërit nga Nëna dhe mbajti lidhje të vazhdueshme me ta, me dashamirësi e me kënaqësi, deri në fund të jetës së tij. Ai vendosi lidhjet e humbura edhe me familjen e Merjemes të ndjerë, bashkëshortes së xhaxha Sherifit, nga fshati Kashisht i rrethit të Tepelenës. Duhet thënë se Muhameti, i donte e i respektonte shumë ata; kur ishte rasti edhe i ndihmonte e i orientonte drejt në jetë, vëllezërit uterinë, siç qe rasti me vëllanë e vogël - Dilaverin.

Muhamet Demirin e rritën me të gjitha gjërat e domosdoshme dhe mes përkëdhelive sipas moshës, gjyshja Gjylo dhe Nëna adoptuese, e mira dhe e zonja - Dylbe, të cilat ishin dy gra të fisme e zemërmira, që bënë emër, me mirësinë e shpirtit të tyre bujar. Djali i vetëm i Demir Rrapos, trashëgoi nga i Ati dhe nga paraardhësit, të cilëve u ngjante, deri në thua, por u rrit e u mëkëmb nën vështrimet e rrepta dhe në përkujdesjen e dy grave fisnike, të cilat përcollën tek djali që rritej bonjak tiparet më të mira të burrave të fiseve në të dyja anët dhe e burrëruan atë, para kohe e me vlerat e një burri të kohës.

Që në fëmijërinë e hershme, tek Muhamet Demiri u dukën shenjat e një djali tepër të zgjuar, të shkathët, të dhimbsur, bujar, human e me vullnet për të mësuar. Meqenëse në familjen ku u rrit, kishte të gjitha të mirat që i duheshin dhe kishte përkujdesjen e grave të nderuara Nënë Dylbes dhe gjyshe Gjylos, kur u bë në moshën kur mendonte në mënyrë autonome, Muhameti gjeti nënën që e solli në jetë, të cilës nuk i përfytyronte as tiparet e fytyrës dhe kërkoi të dinte për Babanë, të cilin nuk e pa kurrë. Muhameti, deri vonë njihte për nënë adoptuesen e tij, Dylben fisnike dhe për baba Çeco Sherifin. Vetëm pas regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë, në vitin 1945, Muhameti mësoi të vërtetën dhe mori atësinë dhe mbiemrin që i përkiste.

Fëmijërinë, Muhamet Demiri e përcolli si gjithë moshatarët e tij; duke ruajtur bravaret e familjes dhe duke mësuar, në të njëjtën kohë, autodidakt. Ai nisi të shkruajë e të lexojë, më shpejt se bashkëmoshatarët e tij dhe ishte një hap përpara moshës që mbante. Siç shkruan veterani i Luftës, Teki Sherif Zenelaj (Mucoimaj), djali i dytë i Çeco Sherifit, moshatar i tij, njëri nga partizanët e orëve të para të Kalivaçit: "Muhameti ishte tepër i zgjuar e mjaft tolerant"! Të dyja këto tipare të spikatura, Ai i trashëgoi nga i Ati, të cilin nuk e pati shansin ta njihte. Nga rrëfimet e më të rriturve, Muhameti mësoi se Babai i tij, dikur kishte sjellë nga emigracioni i gjatë në Boston të Amerikës, disa abetare, libra, revista e gazeta, në shqip, të botuara nga shoqata atdhetare "Vatra", me të cilat hapi një kurs kundër analfabetizmit, në Kalivaç, me 17 vetë. Natyrisht, bëmat atdhetare të Babait të tij, e bënin krenar Muhametin djalë të ri, për atë çikë Baba me të cilin ngjante siç janë njëlloj dy pika uji.

Këto dhe emri i mirë që i la Babai, Muhametit adoleshent, i shërbyen si hajmali në udhën e ndritur që nisi, me dëshirën që të ngjante sadopak me atë deli Babë.

Sherif Rrapo Mucoimaj, e donte dhe e nderonte shumë të vëllanë, Demirin dhe falënderonte Zotin që i la si kujtim një djalë, i cili mori udhën e Babait. Në nderim dhe për kujtim të vëllait të ndjerë, Çeco Sherifi, këmbënguli që nipi i tij akoma i parritur të njihte pjesën e mallit që i kishte lënë trashëgim i Ati. Të gjithë e njihnin kontributin e Demir Rrapos, me mend dhe me të holla, për zgjerimin e ekonomisë bujqësore të familjes së madhe, dhe për mbrothësinë e saj. Si njeri i drejtë e i ndershëm që ish, Sherif Rrapomucoimaj, që në gjallje ndau mallin, shtëpinë dhe gjënë e gjallë, duke u thënë të gjithëve se "x" mall është i Muhametit, djalit të vetëm të Demirit. Qëllimi i këtij veprimi tejet njerëzor të xha Sherifit, ishte vetëm një: Ta dinin familjarët, të afërmit, fisi dhe vetë Muhameti, përkatësinë pasurore të tij.

Fakti që djali i vetëm i Demir Rrapos po rritej shpejt e vrullshëm dhe po kapte moshën madhore, e bënte të domosdoshme këtë veprim prej bujari, në shpirt. Vetë xha Sherifi caktoi për banesë odën e madhe, të cilën, deri vonë, të gjithë e dinin dhe e quanin oda e Demirit. Sherif Rrapua, po ashtu caktoi dhe pjesën e arave dhe të gjësë së gjallë që i përkiste nipit të tij. Pjesën e tij, njohu Muhameti dhe tek bagëtitë e imëta, tek gjedhët e tek kafshët e ngarkesës e të kalorësisë dhe në arat në Luadhe; në Llagëme e gjetkë. Një hap i tillë, burrëror e bujar, vjen në kundërshtim me disa praktika të kohës së sotme, kur vëllezërit ndahen me sherr e me shamata. Disa thonë se iku ai brez njerëzish të ndershëm.

Deri diku, ky slogan është i drejtë, por më duhet të them se njerëzit e mirë e të arsyeshëm nuk janë sosur, pavarësisht se vendin e njerëzillëkut e ka zënë babëzia dhe mungesa e dashamirësisë.

Pushtimi fashist i vendit tonë, 7 Prilli i vitit 1939, e gjeti Muhamet Demirin, në moshën 13-vjeçare. Ai nuk ishte i njëjtë me bashkëmoshatarët e tij, në mëhallë e në fshat por shquhej për fizik më të zhvilluar e më të fortë, për zgjuarsi natyrale, për ndjenjë komunitare dhe i kishte hipur një nur i bukur që shndrinte dhenë. Fashistët italianë, për qëllimet e tyre strategjike, piketuan dhe hapën trasenë e udhës automobilistike që përshkon, mespërmes, Malin e Bardhë dhe vargmalet e Gribes, dhe lidh qytetin e Vlorës me Tepelenen, nëpërmjet krahinës së Lopësit e vazhdon më tej, në Gjirokastër e në shtetin fqinj të Jugut.

Kantierin kryesor të ndërtimit, pushtuesit italianë e ngritën në vendin e quajtur Luadhe, pak (disa dhjetëra metra), në veri e poshtë mëhallës Hysodosaj, tek ullinjtë e kësaj mëhalle dhe atje ku ishin pronat e Sakajve.

Muhameti adoleshent u "punësua" në këtë ndërmarrje, e cila rezultoi fatlume për bonjakun 13-vjeçar, i cili brenda një kohe shumë të shkurtër (aq sa zgjatën punimet e rrugës përtej lumit), mësoi mjaft mirë Gjuhën Italiane; me shkrim e me të folur. Më vonë, në rrethana të tjera, Muhameti mësoi dhe gjuhë të tjera, si Greqishten e Rusishten, të cilat i shërbyen djalit të vetëm të Demir Rrapos, në udhën e tij të ngjitjes e në jetë.

Më 15 qershor të vitit 1943, në mbledhjen që organizuan tek Ullinjtë e Hysodosajve militantët komunistë: Mustafa Matohiti; Hysni Kapo; Abaz Shehu, Adil Carcani etj; ata u bënë thirrje banorëve të Kalivaçit që ata të hidheshin në Luftën çlirimtare. Në radhët e njësiteve partizane të Zonës së Parë Operative Vlorë - Gjirokastër, dy djemtë e Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj): Tekiu dhe Ferriku, si mjaft bashkëfshatarë të tyre kalivaças përqafuan thirrjen e Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste për Gjirokastren dhe hodhën në sup pushkën partizane e dolën malit, për Liri. Ata, në çdo luftim treguan shembuj të lartë trimërie dhe qëndrese, duke nderuar veten, familjen e origjinës dhe të dyja fshatrat respektive, si Tocin nga erdhi i pari i tyre dhe Kalivaçin ku u lindën e u rritën. Muhameti, si i gatuar nga i njëjti brumë, ishte i ri komunist, por, për shkak të moshës akoma të parritur dhe për faktin se ishte trashëgimtar i vetëm, nuk u pranua në radhët e partizanëve por u rreshtua në Çetën Territoriale që vepronte në zonën e pushtuar nga armiku. Ai dhe çeta ku bënte pjesë, vepronin në interes të formacioneve partizane. Mbledhja që u zhvillua tek Ullinjtë e Hysodosajve i parapriu ngjarjes madhore, të 10 gushtit të vitit 1943, kur, në Donije të Kalivaçit, tek rrepet shekullore hijerënda, u formua Batalioni Partizan, i cili u pagëzua me emrin e "Baba Abazit" dhe përfshinte partizanë nga Kalivaçi e nga treva përreth.

Qysh në ditën e parë, 50 vajza e djem nga Kalivaçi u rreshtuan në formacionet partizane, duke hedhur në sup pushkën e dolën në mal, për të shporrur armikun pushtues.

Veprimtaria luftarake e Muhamet Demirit në radhët e çetës territoriale ishte e shumëllojshme. Ai kryente detyrën e korrierit partizan, misioni luftarak i të cilit ishte të lidhte formacionet partizane që vepronin në atë zonë, me terrenin luftarak (fshatin). Partizanët kalivaças, si dhe të tjerë bij e bija të popullit tonë, kur dolën në mal, për liri, lanë në fshat, familjet, gratë me fëmijë të parritur e me pleq në shtëpi; lanë mallin e gjënë sheshit dhe, siç mund të thuhet; i lanë qetë e arës, në parmendë, të mprehur.

Muhamet Demiri dhe shokët e tij të rreshtuar në njësitin territorial të fshatit kujdeseshin, me përgjegjësi partie dhe me nderin e familjeve të tyre, për sigurinë e familjeve të partizanëve dhe për të siguruar paprekshmërinë e mallit e të gjësë së tyre. Për të kryer këtë detyrë delikate e me përgjegjësi të veçantë, Muhametit korrier, me dyfek në krah, i duhej të vigjelonte në çdo skutë të fshatit, e në çdo shtëpi për të vrojtuar lëvizjet dhe veprimtarinë e kundërshtarëve të lëvizjes nacionalçlirimtare, dhe informacionin e grumbulluar t’ua përcillte komandave të njësiteve partizane që vepronin në atë Trevë.

Falë zgjuarsisë, burrërimit të parakohshëm, guximit dhe trimërisë evidente, vendosmërisë për ta vënë tërë qenien e tij në shërbim të çështjes së madhe – çlirimit të vendit dhe shporrjes së fashistëve nga trojet amëtare, Muhamet Demiri e bënte natën ditë e nuk i vinte në kandar vështirësitë e motit e të terrenit, përpara detyrës luftarake. Terrenin, në Kalivaç e në fshatrat fqinjë, Ai e njihte në detaje dhe e kishte shkelur vendin në çdo pëllëmbë të tij. Ai dinte si të vepronte kur binte shi e kur frynte erë e ftohtë suferinë; kur nata ishte e errët dhe kur terreni bëhej i rrëshqitshëm si rrjedhojë e reshjeve të vazhdueshme.

Territori i Kalivaçit, nga Çezma e Thatë deri tek Varri i Hasan Memos dhe nga arat e Musa Mehmetit, në Margëlliç; deri në buzën e lumit, përshkohet nga përrenj të shumtë e të rrëmbyeshëm. Në hapësirat kalivaçase, përrenjtë kanë si veçori karakteristike, befasinë. Ata, paradite mund të jenë të thatë, apo me pak ujë, por mbas shirave (shumë shpejt) kthehen në ujëplotë e të rrëmbyeshëm që fshijnë e marrin përpara çfarëdo që ndeshin në rrjedhën e tyre. Edhe Përroi i Llaskos, i cili është ndoshta më "I ngathëti", bëhet i frikshëm e kalohet me vështirësi mbasi vërshon. Muhameti i njihte mirë veçoritë e tyre dhe dinte, ku mund të kaloheshin ata, ditën e natën. Ai e kishte shkelur, terrenin në çdo pëllëmbë, falë vajtjes së tij me bagëti të imëta, qysh kur ishte fëmijë.

Muhameti ishte trim e nuk pyeste fare, as për natën; as për shiun dhe erën me suferinë, nuk i kishte frikë, as kundërshtarët, as qentë e shumtë e të egër të fshatit. Muhameti kishte dhe njohje e përkrahje të gjerë në fshat, jo vetëm si pinjoll i një familjeje me potencë e fisnike, por dhe si bonjak i një burri të ndier, siç ishte Demiri, vëlla i Sherif Rrapos, i cili njihej si njëri nga njerëzit më burrërorë e më të respektuar në fshat.

Muhamet Demirit nuk ia bënte syri "tërrt"; ai, shpesh kalonte nëpër territoret e ruajtura nga armiku; për ta realizuar këtë, Ai shfrytëzonte natën e errët dhe me reshje, dhe "fluturonte", pa u ndier, mbi opingat e llastikut, të lehta e të padepërtueshme nga ujët. Mund të pohoj, pa mëdyshje se Muhamet Demiri, falë aftësive të tij të rralla, ishte ndoshta njëri nga pjesëtarët më aktivë e më të suksesshëm të çetës territoriale të fshatit.

Shtëpia e Sherif Rrapos, në Ahmetaj të Kalivaçit, u kthye në një bazë të fuqishme e të sigurt të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Dy djemtë e tij: Tekiu dhe Ferriku ishin partizanë e luftonin kundër fashistëve, të inkuadruar në formacionet partizane; Muhameti vepronte në terren, por dhe Dylba dhe Sherifi, së bashku me Qemalin e me Hekuranin e vogël, pritnin e përcillnin partizanë, të cilët i lanin e i ndërronin, i ushqenin e i pajisnin me torbat me bukë e me municione, madje dhe me armatim, për partizanët e tjerë. Shtëpia e xha Sherifit, në pozicion të favorshëm lehtësonte ardhjen dhe largimin e partizanëve, pa u pikasur nga spiunët e fashizmit, të cilët kishin gjetur strehë dhe përkrahje edhe mes kalivaçasve.

Muhameti, me zgjuarsi e shkathtësi dhe me tiparet e rralla që u thanë më lart, ishte në rolin e shoqëruesve të partizanëve që hynin e dilnin në shtëpinë e tij, por dhe bënte sigurimin fizik të tyre. Drejtuesit e formacioneve partizane, të cilët i ndiqte fashizmi këmba-këmbës, jo vetëm që ndiheshin të sigurt në shtëpinë e Sherif Rrapos, por, kur largoheshin për të vajtur në krye të formacioneve luftarake partizane, merrnin me vete, krahas materialeve luftarake, veshmbathjeve e ushqimeve, edhe shumë dashuri e përkrahje totale, për çështjen e madhe të Lirisë së Atdheut. Të zotët e shtëpisë së Sakajve, kur hynin e dilnin partizanët në këtë shtëpi bazë lufte, i përshëndesnin ata, me grushtin lart e me përshëndetjen: "Vdekje fashizmit; Liri Popullit"! Të dyja palët, kur ndaheshin, i uronin njëri-tjetrit: "Me një Shqipëri të lirë"!

Në shtëpinë e Sakajve kanë gjetur strehë disa nga drejtuesit kryesorë të Luftës Nacionalçlirimtare të zonës së Parë Operative Vlorë - Gjirokastër si Mehmet Shehu; Hysni Kapo; Mustafa Matohiti; Adil Carcani; Shevqet Peçi; Jaho Gjoliku; Shenasi Dragoti; Parashqevi Shehu etj. Në çdo rast, muhameti dhe bashkëpunëtorët e tij kishin detyra të vështira e me përgjegjësi të madhe. Mbi ta binte barra për të siguruar jetën e partizanëve e të drejtuesve të Luftës Çlirimtare në shtëpitë ku ata bujtnin dhe për të siguruar udhët e afrimit e të largimit, të cilat, disa herë kalonin nëpër territore të pushtuara.

Kalivaçasit, në shumicë ishin në përkrahje dhe mbështesnin Lëvizjen për çlirim kombëtar, por, në fshat, për fat të keq u organizua dhe një bërthamë nacionalistësh, kryesisht me njerëz që ishin nën ndikimin shoqëror ose në lidhje miqësie me disa krerë të Ballit Kombëtar edhe kur ai ra në prehërin e bashkëpunimit me pushtuesit. Krerët e nacionalistëve të fshatit tonë, i dinin mirë bazat e Luftës Nacionalçlirimtare dhe partizanët e familjet e tyre të cilët i ndiqnin hap pas hapi. Prandaj Muhamet Demirit dhe shokëve të tij u duhej t’i bënin "sytë katër" që të mos t’i nxirrnin bujtësit e tyre në pritën e kundërshtarëve të armatosur, përndryshe do të quheshin besëprerë.

29 nëntori i vitit 1944, çlirimi i plotë i Shqipërisë nga nazifashistët e gjeti Muhametin 18-vjeçar. Ai ishte në kulmin e energjive djaloshare; i pjekur e me vizion të qartë për të ardhmen që e priste. Muhameti dhe familja e tij e madhe e Sakajve erdhën fitimtarë e faqebardhë, përpara historisë, mbasi kishin dhënë një kontribut të ndjerë, në luftën për shporrjen e pushtuesve dhe i sollën lirinë e shumëkërkuar, popullit dhe vendit tonë. Si bir i denjë i një geni atdhetarësh të cilët morën udhën e nderit dhe prunë lirinë, Muhameti, ndihej krenar, jo vetëm për kontributin e çmuar që kishin dhënë kushërinjtë e tij në luftë dhe e gjithë familja në mbështetje të Luftës Çlirimtare, por dhe për atë ndihmesë modeste, por me shumë vlerë që dha vetë, duke i kryer detyrat luftarake të korrierit partizan, me vullnet e aftësi dhe me përkushtim të rrallë.

Krenaria e Muhamet Demirit kishte në bazë, në mënyrë të veçantë, atë pjesë që i përket "amanetit" të Atit të tij – Demirit, i cili "u shkri" për shqiptarinë dhe me veprimtarinë e tij atdhetare, e kish renditur veten me burrat trima me fletë të cilëve u këndohet kënga që kur janë gjallë si: "… Të rritur nëpër male, me libra në gji…"!

Më duhet të theksoj, me tërë fuqinë e mendjes e të shpirtit se Kalivaçi i Tepelenës, por jo vetëm ai, i mbetet borxhli, në jetë të jetëve, zjarrmëtarit, që ndezi, i pari zjarrin e dritës së diturisë dhe çau me guxim, si Ai, errësirën shekullore që kishte pllakosur atë fshat. Përcjellja për në banesën e fundit e Demir Rrapo Mucoimaj, në moshën 41-vjeçare, ishte jo vetëm madhështore, siç i takonte atij Burri, por shkaktoi, një trishtim të pazakontë dhe një habi. Kujt nuk i theri zemra për humbjen e atij njeriu të rrallë. Disa nga ata që morën pjesë në kortezhin e përmortshëm pyesnin, me habi, njëri-tjetrin e mbeteshin pa përgjigje: "Si ndodhi kjo gjëmë e beftë?" Tjetri, me hapin e rëndë, me kokën të përkulur e me "malin e dhimbjes mbi supe", ngaqë nuk dinte si ta shpjegonte këtë ndodhi fatkeqe, me gjysmë zëri i pëshpërinte shokut që ecte pranë tij: "Allaten, nga Zoti"!

Por fjalët e ngushëllimit nuk zinin vend, ndonëse dilnin nga shpirti i njerëzve. Figura e Demir Rrapos, mund të thuhet se ishte në kufijtë e Biblikes dhe pesha e fjalës nuk mjaftonte për ta "mbajtur" këtë dhimbje të madhe. Në kohën kur ngjau "gjëma" shumëkush nuk e kuptoi humbjen e madhe; ndonjëri nuk e çmoi sa e si duhet atë; pati dhe ndonjë të rrallë që fërkoi duart, me dashakeqësi se i erdhi koha të shpaloste vlerat e tij.

Demiri qëndronte mbi të gjithë e u jepte dritë të gjithë njerëzve që ndodheshin pranë tij.

Fjalët e ngushëllimit të burrave që kishin hidhërim në shpirt ishin të thjeshta e vazhdim i traditës shumëvjeçare kalivaçase. Ato ishin fjalë zemre por nuk mund t’i mbanin brenda përmasat e atij mbinjeriu. Sapo hynin tek dera e odës së burrave, pelegrinët, mes vajtimit me ligje e me çjerrje faqesh të grave që ishin ulur në odën fqinjë, burrat i drejtoheshin Sherifit me fjalët ngushëlluese, në të cilat kurajua ishte brenda: "Qyc e liga"; "Qoftë i Xhehnetit"; "Kader nga Zoti"; "T’i rrojë djali, vëllai dhe gjithë ata që la pas"; "atje qe e thënë" etj. Etj. Një burrë që ngjante me një kreshnik, nga ata që rrëfehen në legjenda, mbasi u ul këmbëkryq në vatrën e shtruar me qilime mbi shilten e leshtë poshtë të ndenjurave e me sharkun të hedhur krahëve, mbasi mbështetej pas jastëkut me tantela anash, me qëllim që t’u jepte kurajo të hidhëruarve, nisi rrëfimin e njohur e të dëgjuar me dhjetëra herë në vatrat kalivaçase kur ndodhte gjëma e radhës: "… Ia dha gurit; ai u copëtua; ia dha drurit; ai u ça; ia dha njeriut; ai e duroi"! Bëhet fjalë për dhimbjen. E kështu vijonin copëzat e bisedave disa nga të cilat ishin biseda të pambaruara, mbasi në shtëpinë ku ra gjëma, hynin e dilnin mjaft rekimtarë.

Dashamirësit ishin të paparë në Kalivaç, ata nuk kishin orar dhe të zotët e shtëpisë, në çdo orë të ditës, duhet të ishin të gatshëm për t’i pritur e për t’i përcjellë. Në orët e mbrëmjes, kur oda ishte plot me burra e me gra, të pranishmit rrëfenin, siç i dinin copëza jete dhe episode nga bëmat e Demir Rrapos të Mucoimajve. Në esencë bisedat silleshin rreth gjykimit të kohës: "Ashtu ishte e thënë"! Ky përfundim e kishte bazën tek bestytnitë që sundonin në mendjet e bashkëfshatarëve tanë dhe ushqehej nga fakti se Demir Rrapo Mucoimaj, kapërceu dete e oqeane, punoi rreth 19 vjet në emigracionin e largët, në Boston të Amerikës dhe erdhi e u fik në vatan, në Kalivaç të Teppelenes, ku kishte rrënjë të thella origjine dhe e donte shumë.

Arsimimi dhe punësimi

Me shkollën shtatëvjeçare të përfunduar dhe me Gjuhën Italiane të përvetësuar, Muhameti, falë zgjuarsisë së lindur, shkathtësisë së trupit dhe biografisë "brilante", në vitin 1950 u "vesh" nënoficer policie, në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Gjirokastrës, mbasi kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në këtë njësi. Duke qenë në krye të detyrës së vështirë të ruajtësit të rendit, Muhametit iu krijua Shansi për të vazhduar studimet në shkollën njëvjeçare të policisë në Tiranë, të cilin e shfrytëzoi e nuk e la t’i ikte nga dora. Mbasi mbaroi këtë shkollë, Ai u titullua oficer e u transferua në Degën e Punëve të Brendshme, në Tiranë, duke ruajtur profilin e ruajtësit të rendit.

Gjatë kohës kur shërbente në Gjirokastër, Muhameti mësoi të shkruante e të lexonte lirshëm Gjuhën Greke. Mësues i tij u bë një mjek stomatolog i cili kryente dënimin me burg, në Kalanë e Gjirokastrës. Kësisoj, bonjaku i rritur atyre hënave duke ruajtur bravaret u bë njohës i tri gjuhëve: Shqipes; Italishtes dhe Greqishtes. Dy gjuhët e huaja, Ai i mësoi autodidakt, falë zgjuarsisë së tij të lindur.

Ndershmëria, çiltërsia dhe besnikëria ishin të tjera "medalje" që shndritnin figurën e djalit të Demir Rrapos. Si argument bindës për të vërtetuar këtë tipar të Tij, na vjen në ndihmë një argument nga koha kur Ai ishte ruajtës i rendit në Gjirokastër, disa të kamur të qytetit dhe të rrethinave, kishin depozituar në kala 5 grumbullime floriri. Ose ishte thesari që shteti komunist u konfiskoi të kamurve.

Muhameti jo vetëm që i ruajti, me besnikëri të rrallë e ari nuk u prek, por brenda kompetencave, njoftoi "qendrën". Sa hap e mbyll sytë, mbërritën në Gjirokastër rreth 200 agjentë policie, nga Tirana, të cilët e morën sasinë e arit. Kjo ishte vlerë më vete e Muhametit, e çfarë vlere! Gjykojeni vetë këtë! A është e mundur kjo në kohën e sotme? Si ka thënë populli ynë: "Të futësh dorën në mjaltë e të mos lepish gishtat"?

Ja pra, Muhamet Demiri, i tillë ishte! Interesante ishte "zemërgjerësia" që dëftuan eprorët e Muhametit, të cilët, në shenjë shpërblimi për besnikërinë që reflektoi, i dhuruan Atij një stilograf të artë dhe një çifte gjahu të larë me flori.

Mirëpo ndershmëria e djalit të Demir Rrapos nuk kishte kufi. Ai, stilografin ia dhuroi Kadri Azbiut, me të cilin kishte njohje, kurse çiften ia dhuroi Mehmet Shehut, në shenjë respekti për të. Nuk i "ngjitej" gjëja e tjetrit, Muhametit. Kështu e kishin edukuar xhaxha Sherifi dhe Nënë Dylba; të dy fisnikë nga rrënja.

Kur erdhi në kryeqytet, Muhameti, shfrytëzoi në të mirë të tij, kushtet e përshtatshme të të qenit pranë institucioneve qendrore dhe vazhdoi, 2 vjet shkollën e policisë së asaj kohe. Kjo shkollë i dha privilegjin të emërohej komisar politik, me funksion të mbulonte sektorin e pasaportizimeve. Në ato vite, kishte mjaft shanse për t’u specializuar më tej. Kështu, në vitin 1957, Muhamet Demiri, mori udhën për në "metropolin e Kampit Socialist", për në Moskë, ku qëndroi rreth 6 muaj, në një kurs specializimi policie. E mësoi dhe Gjuhën Ruse, e cila, në ato vite, në vendin tonë ishte në modë.

Në vijim të specializimit të mëtejshëm, në vitin 1960, Muhameti kreu një kurs të avancuar politik, me specialistë të kualifikuar të sektorit të policisë, nga vendet e Lindjes. Shkollat, kurset e specializimit dhe praktika shumëvjeçare, e bënë Muhamet Demir Zenelaj (Mucoimaj) një kuadër të kompletuar nga ana profesionale. Po t’u shtojmë këtyre dhe tiparet e qenësishme të karakterit të tij, u përftua një oficer, me të gjitha kualitetet e nevojshme, të cilat bënin të mundur kryerjen e detyrave më të larta. Këtë e provoi praktika e mëvonshme e jetës së tij si ushtarak.

Në vitin 1955, kur Muhamet Demiri ishte me detyrë në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Tiranës dhe kishte nisur "të shkëlqente" në krye të punëve, duke dëftuar devotshmëri e përkushtim të rrallë, Ai lidhi martesë me të bukurën Sanije Jaupaj, nga fshati Allkomemaj i rrethit të Tepelenës. Lidhja mes të dyve, siç ishin kushtet, u realizua me mblesëri. Dasma u bë në Kalivaç, me shumë dasmorë e siç e kërkonte tradita vendase. Në shtëpinë e Sherif Rrapos, i cili e kishte rritur dhe edukuar Muhametin, të cilin nuk e ndante nga djemtë e tij, gëzimi dhe hareja kapën kulme të reja. Nënë e mirë, iu bë Muhametit, ajo çikë Dylbe, e cila nuk pati fatin të bënte fëmijë, por u ndodh fatlume që shtëpia e saj nuk u shua si të tjera dyer, por u mbush me cicërima fëmijësh që erdhën "duar-duar".

Dasma e Muhametit me Sanijen zgjati plot një javë; me këngë e me valle; me raki e me mish të pjekur në hell dhe me krisma armësh që nuk kishin të pushuar. Sipas zakonit të vendit, Nusen e re erdhën për ta parë gratë e mëhallës e ato të fshatit. Në çdo grup grash që vinin për urim, njëra (zakonisht më e moshuara e ajo me më shumë autoritet), ishte "komandante". Në njërën nga dërgatat e grave, një grua ziliqare, duke e parë nusen me vëmendje të madhe, nga këmbët tek koka, pikasi bukurinë e rrallë të saj dhe i mbetën sytë tek flokët e saj të cilët ishin "leshuratende" e i shkonin për bukuri asaj fytyre engjëllore. Sanija i mblidhte flokët prapa kokës dhe një gërshet i pleksur me merak, i zbriste deri në vithe. Gruaja me sy të keq, mbasi dërgata e grave kaloi Bahçen e Dajlanit e po futej tek Përroi i Llaskos, me zë të mekur, u pëshpëriti shoqeve: "… kjo nuse, qenka shumë e bukur e nuk do të trashëgohet".

Ajo grua shpirtkatran që bëri Kasandrën, sikur ndolli prapësinë që pasoi.

Sanija e bukur, pas një viti nga martesa me Muhametin, solli në jetë një vajzë - Festimen. Xha Sherifi besimtar dhe nënë Dylba, praktikane në Teqenë e Koshtanit, do të donin që fëmija i parë, siç e donte tradita, të ishte djalë, por nuk u dëshpëruan duke gjykuar se këto janë punët e Zotit dhe se çifti ishte i ri e do të bënte të tjerë fëmijë; vajza e djem. Krahas gëzimit të pamatë që pruri në atë vatër ardhja e vajzës së vogël, gëzimi nuk shkoi i qetë e pa kundërshti. Xha Sherifi, si besimtar i devotshëm, kishte dëshirën të përjetësonte emrat e Gjylos dhe të fisnikes Dylbe. Për të zbatuar rregullat e pashkruara të vijimësisë së emrave, Ai ishte i mendimit që vajza e vogël, kur të thyhej bukaniqja, të duartrokitej nga fëmijët, duke përsëritur emrin Gjylo. Ky mendim ndeshi në kundërshtimin e Muhametit, djalit të vëllait të ndjerë, i cili iu drejtua xhaxhait: "Jo or xhaxha Sherifi, vajza erdhi në jetë, kur festohej dita e përurimit të Batalionit ‘Baba Abaz’, në vitin 1956; jemi në festë, ndaj do ta quajmë Festime."

Dhe vajzës së sapolindur i mbeti emri Festime. Edhe pse ishte tepër e vështirë t’i dilje përpara atij Burri shumë autoritar e të mençur; Muhameti e pati guximin ta bënte këtë. Xha Sherifi dhe familja e tij ishin të lidhur ngushtë me Partinë Komuniste; shtëpia e tij ishte bazë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe e personaliteteve partiake, pas çlirimit të vendit; prandaj, gjykoi se nuk i shkonte ky qëndrim, prandaj mori pozicionin e duhur dhe hoqi dorë nga mendimi i mëparshëm, i cili, në fund të fundit ishte tradicional e konservator.

Pas Festimes, çifti: Sanije e Muhamet Zenelaj (Mucoimaj) solli në jetë edhe dy djem: Shkëlqimin dhe Arbenin. Ky i fundit u lind në qytetin e Korçës, ku Muhameti ishte në funksionin e Komisarit të Degës së Brendshme të rrethit. Familja po konsolidohej, por bashkëshortja e Muhametit - Sanija, e cila rezultoi me sëmundjen e epilepsisë, pas lindjeve, nuk u përmirësua; përkundrazi, sëmundja e saj u agravua, më shumë. Vështirësi të tjera i dolën përpara të mirit Muhamet Demir Zenelaj (Mucoimaj). Mjekimet nuk po jepnin efektet që priteshin; psikoterapia nuk solli përmirësim, mbetej vetëm një shteg i hapët, ndryshimi i klimës. Në këto kushte, Muhameti kërkoi të transferohej, në rrethin e Kolonjës, në të njëjtën detyrë, me shpresë se mos ndikonte në përmirësimin e shëndetit të bashkëshortes së tij, klima kontinentale e rrethit të Kolonjës.

E zonja e shtëpisë zj. Sanije, jo vetëm që nuk u përmirësua, por nga dita në ditë, u bë më keq. Atëherë, Muhameti, i detyruar, nga rrethanat, duke gjykuar nga fakti që bashkëshortja Sanije, nuk ishte, në gjendje të menaxhonte as familjen, as fëmijët e nuk mund të kujdesej për bashkëshortin në detyrë delikate, u shtrëngua ta çonte tek vëllezërit, në fshatin Krahës të rrethit të Tepelenës, fëmijët që Ajo lindi, u detyrua t’i dërgonte në Shtëpinë e Fëmijëve, në Tiranë, duke i privuar nga kujdesi i nënës të paaftë për menaxhimin e familjes.

Në këto kushte mjaft të vështira për familjen e Muhametit, atë e transferuan në Tiranë e më pas e emëruan Komisar Politik të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Beratit. Në Berat, Ai shërbeu deri në vitin 1971. Gjatë kësaj periudhe, në muajin nëntor të vitit 1966, pa dasmë e pa bujë, Muhameti, i ndodhur në kushte të rënda familjare, lidhi martesë me zj. Edije Brace, nga Berati, me të cilën solli në jetë dy fëmijë: Lorencin dhe Entelen; të cilët, aktualisht jetojnë në Milano. E mendoi gjatë, këtë punë dhe gjeti vetë zgjidhjen, mendtari. Me zj. Edije Muhameti u lidh ngushtë dhe e donte shumë, por nuk e pati fat jetesën të gjatë me të. Ajo, në fundvitin 1971, u aksidentua nga një atak kardiak dhe ndërroi jetë.

Kur e shoqja u aksidentua me vdekje, Muhameti ishte në një mbledhje partie dhe oguri i zi, e ligështoi shumë.

Fatkeqësitë, nuk iu ndanë njeriut të mirë Muhamet Demiri. Pas vdekjes së Edijes, një tjetër "gjëmë" i ngjau kusuremadhit. Sikur të mos mjaftonin dy të parat, për shkaqe pune, në atë vit (1971) Muhametin e ulën nga detyra dhe e emëruan komisar për ruajtjen e uzinës së Armatimeve e Municioneve, në Polican, si objekt i një rëndësie të veçantë, me përmasa kombëtare. Nuk kanë thënë kot njerëzit e mençur: "Njeriu i mirë, nuk ka të mira"! Edhe rasti ynë, e vërteton plotësisht këtë thënie profetike.

Në vitin 1974, Muhamet Zenelaj (Mucoimaj) rezultoi i sëmurë, rëndë e i papërshtatshëm për detyrën që kryente, prandaj u lirua nga organet e punëve të brendshme e nga ushtria. Pa ia mohuar vlerat, Atë e emëruan drejtor të Ndërmarrjes Komunale, me të drejtë për të drejtuar mësimin e lëndës së Marksizëm-Leninizmit, në Teknikumin ekonomik (shkollë nate). Në këtë kohë, Muhametit iu krijua mundësia për të lëvruar Gjuhën Greke, të cilën e kishte përvetësuar kur ishte në roja të Burgut të Gjirokastrës. Bashkëbisedues në këtë çështje, Ai kishte përgjegjësin e zdrukthtarisë së Uzinës, i cili, si Muhameti e zotëronte mirë Greqishten. U nda postë-telegrafa dhe Muhametin e caktuan drejtor të Postës së Policanit. Edhe në këtë detyrë, Ai jepte mësim në Teknikumin Mekanik të Policanit, si detyrë mbi detyrën për të cilën paguhej.

Pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes së dytë dhe sëmurjes së tij, situata në familjen e Muhametit, u vështirësua akoma më tepër. Atij i duhej të menaxhonte mirërritjen e 5 fëmijëve jetimë, nga të cilët, tre e kishin Nënën të gjallë. Në këto kushte tejet të vështira, shokët, kolegët, familjarët dhe miqtë e dashamirët e shumtë të Muhametit, duke gjykuar, kryesisht në interesin e fëmijëve, i bënë presion "heroit tonë" e u interesuan për t’i vënë zonjë shtëpisë e "Nënë" fëmijëve. Kërkimet çuan në fshatin Kocul të rrethit të Vlorës ku pikasën një njeri për së mbari, Dallendyshen, motër e 7 vëllezërve të fisëm dhe bijë e një dere të madhe. U gjykua se Dallëndyshja, me edukatën e shëndoshë familjare dhe me karakterin e saj tolerant, mund të bëhej bashkëshorte e denjë e Muhamet Demirit, e përshtatshme për të marrë përsipër atë mision tejet human të bashkimit, nën një strehë të 5 fëmijëve të gjetur. Jeta nuk i zhgënjeu parashikuesit; Dallendyshe Pashaj, jo vetëm që nuk i zhgënjeu rekomanduesit, por provoi, përpara opinionit të shëndoshë shoqëror, se mund të jetohet me fëmijë të barqeve të ndryshme, kur ke genin si të saj dhe një bashkëshort model siç qe Muhamet Demir Zenelaj (Mucoimaj).

Sëmurja dhe ndarja nga jeta e Muhamet Demirit

Puna e vështirë, e mbushur plot me sakrifica e privacione dhe streset që përcolli gjatë gjithë jetës, si dhe fatkeqësitë që ranë mbi të herë pas here, të cilat mund të përmblidhen si halle të rënda e Ai hallemadh; e lodhën dhe e sëmurën rëndë Muhametin, por "heroi ynë" e pa jetën në sy, siç i erdhi e nuk iu dorëzua, sëmurjes; as nuk e pati frikë vdekjen. Muhamet Demiri u sëmur në vitin 1974, kur ishte në detyrën e Komisarit politik të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Beratit, nga ku u lirua nga radhët e ruajtësve të rendit dhe nga ushtria. Sëmurja e tij kishte të bënte me shfaqjen e azotemisë, në veshka. Niveli i shkencës së mjekësisë në atë kohë, nuk u jepte dot përgjigje mjaft diagnozave të rëndomta dhe metoda e mjekimit linte për të dëshiruar. Të sëmurit i duhej të kryente dializën; proces, i cili asokohe ishte i pamundur. Muhameti u shtrua disa herë në Spitalin publik të Beratit (Uznove) dhe në Spitalin Qendror, në Tiranë por shërimi ishte i pamundur kurse përmirësimi - thuajse ishte inekzistent.

Në pamundësi për ta shëruar me metoda shkencore, mjekët specialistë i rekomanduan pacientit Muhamet Demiri ndërrimin e klimës dhe të fuste në dietën ditore të të ushqyerit shalqi (një thelë shalqiri, në ditë). Ja si e rrëfen këtë episod fisniku Reshat Zikaj, njëri nga pinjollët e bashkëshortit të dytë të Merjemes, nga Zikajt e Bylyshit: "Muhameti vuante nga bllokimi i veshkave dhe kishte kaluar në azotemi. Ai, u nda nga jeta, në Spitalin publik të Beratit (Uznove). Mjeku specialist i kishte rekomanduar të përdorte një thelë shalqiri, në çdo vakt të ushqyeri.

Kur ishte i shtruar në spitalin publik të Beratit, i shkova, për ta parë. U njoha me rekomandimin e mjekut specialist e i thashë: ‘Xhako! Kur të dalësh nga spitali, do të vish, në shtëpinë time, në Bylysh të rrethit të Tepelenës; atje klima është e përshtatshme; ajri është i pastër e do të jemi bashkë.’ Në dy vitet e fundit të jetës së tij e mbajta 2 muaj, në çdo vit (në muajt gusht dhe shtator). Zgjodha 40 kokrra shalqinjsh të pjekur, të cilët i futa në një bincë të errët, që mos ta vështronin dritën e të rronin gjatë.

Gjatë kohës që Muhameti qëndroi në shtëpinë time, në Bylysh, çdo ditë i çaja një kokërr e i jepja të hante një thelë, në çdo vakt. Vura re se kjo i bëri mirë.

Mirëpo natën nuk e zinte gjumi, nga dhimbjet. Dilnim, të dy atyre arishteve; shëtisnim e bisedonim.

Kur nata ishte me hënë, Muhameti kënaqej më shumë, tek sodiste bukuritë e fshatit. Kishte qenë me bagëti të imëta, në fëmijërinë e tij dhe e kujtonte me nostalgji jetën baritore.

Kur u rëndua, e mbyllte derën e odës, me çelës, nga brenda, i vetëm e thosh: ‘Po nuk dola nga oda, mbas dy orëve, shqyejeni derën dhe ta dini se kam vdekur!’ Në atë kohë isha i ri e nuk i kuptoja mirë gjërat… Muhameti ishte i jashtëzakonshëm. Ai donte t’i afronte me ne fëmijët e tij, me qëllim që të na njihnin. Në pushimet verore, e solli Cimin, me qëllim që të qëndronte 2 muaj, tek ne, në fshat, por, pas 3 ditësh Shkëlqimi nguli këmbë e iku nga fshati.

Kur u aksidentua gruaja e dytë, Muhameti u stresua shumë. Bashkëshortja e tretë e tij ishte nga fshati Kocul i rrethit të Vlorës. Ajo ishte nga një familje fisnike dhe kishte në shtëpi 5-6 vëllezër. Meritë e padiskutueshme e saj, ishte bashkimi i fëmijëve të tre barqeve dhe i shërbeu Muhametit, në mënyrë të përkryer, deri në frymën e fundit, më 14 mars të vitit 1986, në Spitalin Publik të rrethit të Beratit (Uznove). Ai prehet në Varrezat Publike të qytetit të Policanit, përkrah bashkëshortes fisnike Dallendyshe Pashaj, e cila zuri një vend të veçantë në jetën e trazuar të Muhametit dhe të fëmijëve të tij".

Le të kthehemi pak, tek martesa e tretë, e detyruar e Muhamet Demir Zenelaj (Mucoimaj), me dinjitaren Dallendyshe Pashaj. Jeta aspak e lehtë e Muhametit të sëmurë dhe interesat e familjes e të fëmijëve të tij (5 fëmijë nga dy berqe), e deshën që, pas vdekjes aksidentale të Edije Braces, "Heroi" i këtij rrëfimi të lidhte një martesë tjetër.

Njeriu me shumë shokë e miq dhe me taraf të gjerë Muhamet Demiri i Mucoimajve u ndodh përpara një presioni të ri, të gjendjes ku ndodhej dhe dashamirësve të tij, të cilët kërkuan, ndërhynë dhe sollën në shtëpinë e të mirit Muhamet Demiri, vlonjaten fisnike, motër e 7 vëllezërve, nga Koculi, të mrekullueshmen Dallendyshe Pashaj. Nga kjo martesë e detyruar, çifti: Dallendyshe dhe Muhamet Demiri, solli në jetë vetëm një vajzë - Zanen, e cila i ngjan Nënës së saj, sikur të ishin dy pika uji dhe në të gjitha drejtimet. Ajo, me figurën e saj dinjitoze, të kompletuar me të gjitha mirësitë, i bën nder vetes, nderon prindërit që e sollën në jetë dhe e mëkuan me "nektarin" e mirësisë së shpirtit të tyre, i bën nder cilitdo që ndodhet pranë saj. Zana banon përtej Detit Adriatik, në Milano ku ka formuar një çerdhe dinjitoze por vëllezërit dhe motrat që ka këtu, në Shqipëri, nuk i harron.

Po ta gjykojmë me mendje të ftohtë, tani që kanë kaluar mjaft vite dhe protagonistët e asaj lidhjeje kanë ndërruar jetë, nuk është e vështirë të themi se Ajo grua (Dallëndyshja), nuk ishte njeri i thjeshtë, por një engjëll, e cila hyri në jetën e Muhametit tonë, si një vegim ogurmirë e si një "engjëll mbrojtës", për bashkëshortin e saj dhe për të 6 fëmijët e tij. Ajo i shërbeu Muhametit kur Ai ishte në nevojë dhe fëmijët e tij, ndonëse ishin të lindur nga të tjera nëna, i bashkoi, nën një strehë e i mbajti ashtu, të bashkuar. Sa shpejt e sa ngushtë u lidh Dallëndyshja me fëmijët e gjetur, në shtëpinë e burrit e rrëfejnë fëmijët e lindur para ardhjes së saj në jetët e tyre dhe të gjithë ata që e njohën atë krijesë qiellore. Shkëlqimin, Ajo e donte shumë dhe betohej për kokën e tij. Eti (Muhameti), djali i Cimit, i cili mban emrin e plotë të gjyshit - Muhamet, në një takim, më bëri me dije se: "… unë, për gjyshe, dallendyshen njoh. Ajo, jo vetëm që më donte shumë, por, sa herë merrte rrogën, më jepte lekë, në mënyrë që të mos vështroja shokët…".

Dallëndyshja ishte e zhveshur nga çdo lloj paragjykimi e kompleksi dhe nuk shprehte asnjë shfaqje xhelozie. Fryma tolerante dhe shpirti demokratik i saj, bënë të mundur qëndrimin, nën një çati, për 6 muaj, me gruan e parë të Muhametit, e cila ishte e sëmurë. Bashkë rrinin; së bashku hanin e pinin dhe bisedonin, jo sikur të ishin shemra por si dy motra të mira. Është meritë e Muhametit dhe e Dallendyshes, futja e frymës së tolerancës që sundonte në atë familje. Poliçani por jo vetëm ai, e merrnin për model tolerance demokratike këtë familje dinjitarësh.

Bamirësitë e Muhametit

Çfarë të shkruash e çfarë të lësh pa shkruar për atë njeri të jashtëzakonshëm? Muhamet Demiri, mirësitë dhe bamirësinë i kishte në shpirt. Po të ishte e mundur ta shtrydhje qenien e tij humane, jam i sigurt se ajo do të pikonte vetëm bamirësi. Ai njeri sikur të ishte i gatuar, për të bërë mirë. Edhe në këtë pikë, Muhameti nuk i linte gjë mangut Babait të tij të nderuar; Demirit të Mucoimajve. Shpirtin human të Muhametit e gjejmë të shpërndarë kudo; si tek njerëzit e gjakut dhe tek ata që nuk i kishte gjë.

Bamirësitë që u ka bërë njerëzve, Ai njeri nuk kanë qenë pa rrjedhoja. Disa ia dinë e të tjerë nuk ia dinë për nder. Punë e tyre kjo. Muhameti e bëri të tijën, aq sa donte e atë që mundi. Ai e derdhi "nektarin" e bamirësisë pa pritur "shpërblim". Bamirësia e tij nuk kishte lidhje me të dukurit; as për t’ia ditur të tjerët.

Muhameti e kishte në shpirt bamirësinë dhe nuk mund ta ndante nga vetja.

Disa shembuj, të cilët na bindin e që nuk janë të vetmit, lidhur me të mirat që ka bërë ai burrë, të qëmtuara janë: Në fshatin Kashisht, xhaxhai i tij, Sherifi ishte dhëndër, në fisin Zekaj. Ai u martua me të ndjerën Merjeme, e cila solli në jetë një vatër me djem, por ata mbanin lidhje të ftohta, me dajot e tyre. Muhameti i kërkoi, i gjeti dhe rivendosi lidhjet e vjetra të miqësisë me familjen e të ndjerës, sikur të ishte familja e Nënës së tij, në Vasjar.

Në vitet 1950-1953, kur Muhameti ishte nënoficer, në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Gjirokastrës; 2 djem të Dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare, Muharrem Hasan Nelaj - Skënderi dhe Sadiku, ishin nxënës në shtëpinë e fëmijëve të atij qyteti. Vetëm Muhameti, në kushtet kur në atë njësi të ruajtjes së rendit, shërbenin dhe kalivaças të tjerë, si: P. H; I. M e Sh. M; shkonte, herë pas here në drejtorinë e konviktit, u merrte leje djemve, i shëtiste nëpër qytet, i qeraste dhe i çonte sërish në konvikt, në orarin e caktuar. A nuk flet edhe kjo dukuri për një humanizëm të pastër?

Bamirësinë e Muhamet Demirit nuk mund ta harrojë as Shevqet Musa Bilaj, nga mëhalla Hasanimeraj e Kalivaçit, i cili, aktualisht i ka kapërcyer të tetëdhjetat, por, kur ka qenë në moshë të re, dhe kërkoi të hynte në organet e policisë, në rrethin e Kolonjës, ku Muhameti ishte drejtues; Muhamet Demiri, brenda rregullave të kohës, ndërhyri për ta veshur polic, madje edhe duke rrezikuar personalitetin e tij. Hekuranin, të birin e xhaxhait të tij - Sherif Rrapos, Muhameti bamirës e ndihmoi të futej në shkollën e lartë të marinës luftarake, në Bullgari. Hekurani, pas kryerjes së studimeve dhe diplomimit inxhinier marine, shërbeu gjatë, si në Brigatën e nëndetëseve, në Pashaliman e më pas në Flotën Detare Civile, në kapitenerinë e Durrësit.

Bamirësitë e Muhamet Demirit nuk kanë anë e udhë. Interesante është qasja e Tij ndaj vajzës së kushëririt të parë – Qemal Sherif Zenelaj (Mucoimaj) - Gjylos, e cila mban emrin e gjyshes së tij të ndjerë. Ai e mori nga fshati dhe nga familja me shumë fëmijë, Gjylon e mbajti në shtëpinë e tij, në Polican, ku e rriti, e arsimoi madje dhe e martoi. Për bamirësi, madje rast tepër interesant, na dëshmon dhe ndërhyrja, brenda ligjeve të shtetit të asaj kohe, për t’i ardhur në ndihmë Dilaverit, vëllait me nënë që të transferohej në rrethinat e Tiranës, nga rrethi i Dibrës ku ishte arsimtar.

Nuk mund të lë pa përmendur një rast, i cili, ndonëse i largët, ka domethënie të madhe e na bind në shpirtin bamirës të Muhanet Demirit, i cili bëhej "copë e çikë", për t’u ardhur në ndihmë kalivaçasve. Midis rasteve të shumta që di, veterani nga Kalivaçi – Gjonlekë Ahmet Zenelaj, sjell në mend një rast tipik: "… Në vitin 1960, vazhdoja Shkollën e Ministrisë së Brendshme, në Tiranë. Muhamet Demiri ishte në detyrën e oficerit të lartë të policisë së kryeqytetit dhe kishte formuar familje të re që banonte në Metropol. Kisha qenë në Kalivaç, me leje.

Kur u ktheva në Tiranë mora me vete Babanë tim; Ahmet Selfo Zenelaj, për ta vizituar tek një mjek specialist i kualifikuar, siç ishte Dr. Zyma. Çecua vuante nga një kancer i fytit. Në tren rrugëtuam së bashku me Muhamet Demirin. Zbritëm, të tre, tek stacioni i trenit, në Tiranë. Morëm udhën për në Sheshin "Skënderbej". Strehimin e asaj nate, unë e kisha të sigurt, sepse vazhdoja Shkollën e Policisë; po Babai?

Sigurimi i një hoteli, qoftë dhe për të fjetur një natë, asokohe ishte thuajse i pamundur. Muhameti i futi krahun Çecos tim, e tha: ‘Unë, Rexhepin, vëllanë tënd të madh e kam shok. Së bashku kemi ruajtur bravaret atyre hënave e kemi ndarë së bashku vështirësitë e bariut e të papriturat e motit. Xha Ahmeti, sonte do të vijë në shtëpinë time.’ i shoqërova deri tek dera e shtëpisë së Muhametit dhe vajta në shkollë. Siç më tha Çecua, të nesërmen, Muhameti e kishte pritur babanë tim si mik i rrallë, me gjithë të mirat e mundshme dhe e kishte vënë për të fjetur, në jatak më vete, duke u ngushtuar.

Ku pyeste koka e Muhamet Demirit se ngushtohej; Ai kënaqej kur u bënte të mirë njerëzve, sidomos mezi priste t’u gjendej kalivaçasve në nevojë.

Muhameti, jo vetëm që e gostiti si mik atë darkë, Cecon tim, por, të nesërmen la punën dhe e shoqëroi për vizitë të specializuar. Muhameti u interesua edhe më pas për mbarëvajtjen e shëndetit të Babait tim. Kështu vepronte pinjolli i Demir Rrapos, sa herë ndodhej përpara një situate ku dikush, edhe i panjohur, kishte nevojë për ndihmën ose ndërhyrjen e tij".

Ta kish ënda të ndodheshe në shoqërinë e Muhamet Demirit madje edhe të përftoje ndihmën e tij bujare, e cila i dilte nga ai shpirt i gjerë e human. Buzëqeshja e çiltër dhe dashamirësia ishin bashkudhëtare të tij. Ato nuk iu ndanë në çdo hap të jetës së tij. Të tillë e pa gjithkush që e njohu atë njeri të veçantë.

Më 14 mars të vitit 1986, pas përpjekjeve "titanike" me sëmundjen e rëndë, "heroi ynë" dhe mjekët që e ndiqnin sëmundjen e tij të rëndë, nuk e fituan dot betejën me vdekjen; njeriu "engjëll", mbylli sytë përgjithmonë e zemra e tij e madhe pushoi së rrahuri, në spitalin e qytetit të Beratit (në Uznove). Mbi kokë kishte një turmë familjarësh e dashamirësish, të ardhur nga anë e anës. Mes dhimbjes e lotëve, trupi i pajetë i atij "vigani" u përcoll në varrezat publike të qytetit të Policanit. Arkivolin e tij e mbajtën në krah, fëmijët, bashkëshortja e rrallë, Ëngjëllushja, Tekiu, Ferriku, Qemali, të cilët e kishin si vëlla dhe shumë të tjerë të ardhur nga Toçi, nga Kalivaçi, miq, shokë e kolegë të shumtë.

Në shenjë nderimi për gjithë sakrificat që bëri, duke i shërbyer Muhametit, me dashuri e me përkushtim, deri në frymën e fundit të Tij, të mirën Dallendyshe, kur Ajo ndërroi jetë, e varrosën përkrah të shoqit, në një kthinë varreze, të rrethuar nga kangjella e të kyçur.

Epilog

Prej kohësh nuk dëgjohet më zëri kumbues, melodioz, i ëmbël kumbues, si gjëmim deti i Muhametit të Mucoimajve. Në rrugicat me gurë të mëhallës Ahmetaj, në Kalivaç të Tepelenës, ku shkonte me dëshirë e me mall dhe në rrugicat e qytetit të Policanit të Skraparit nuk ndihet më çapitja e lehtë e tij, ecja si me përtim, ngadalë-ngadalë por e sigurt e tij, rrjedhojë e lodhjes nga puna e rëndë e me orar të tejzgjatur; nuk rrezaton më mirësi e dashuri, qenia e tij qiellore; nuk e vështrojnë më familjarët; as gjitonët dashamirë atë fytyrë të bukur disi të ashpër dhe ata dy sy vezullues, prej të cilëve rrezatohej shumë mirësi e dashuri.

Të gjithëve, u mungon e do t’u mungojë përjetë humanizmi, pa kufi i atij që zbriti nga qielli për t’u gjendur pranë njerëzve, me qëllim që t’u dhuronte atyre gjithë ndihmën e mundshme, në situata të vështira të jetës së tyre.

Fëmijëve të bllokut e të mëhallës ku jetonte, të cilët mezi pritnin të kthehej Muhameti nga puna, për t’i qerasur, me çfarë të mundej, do t’u tretet vështrimi në zbrazëti e do t’u fashitet shpresa, në kotësi. Cicërimat e gëzueshme të tyre janë ulur në kujtesën e vajzave të djeshme që janë bërë nuse e nëna të denja; dhe në kujtesën e djemve të burrëruar, nga koha e nga hallet e shumta.

Bamirësitë që bëri Ai "mbinjeri", nuk mund të treten e nuk do të harrohen, sa të jetë jeta. Jehona e qasjes së tij të "kadifejtë", troket e do të trokasë në jetët e njerëzve, përgjithmonë. Bëmat e tij, do të kujtohen e do të çmohen, me respekt nga brezat që vijnë. E tillë është jeta, stafetë, por njeriu i mirë, kurrsesi nuk harrohet; kujtimi i tij i ndritur, nuk njeh kufij kohorë.

Muhameti i Mucoimajve përcolli një jetë tejet të vështirë, të mbushur me zigzake, plot të papritura, të pasur me kurthe, kthesa të befta e intriga, por, në vazhdimësi të përçuar nga ndershmëria, dinjiteti e lavdia e merituar. Ai prehet prej kohësh në varrezat publike të qytetit të Policanit, në një kthinë të rrethuar me kangjella hekuri e me portë metalike, të kyçur. Muhamet Demiri, për vlerat njerëzore që shpalosi, do të ruhet gjatë në mendjet dhe në zemrat e atyre që patën shansin ta njihnin, në jetë.

Muhamet Demir Zenelaj (Mucoimaj) prehet në paqe, në atë vend të shenjtë, së bashku me bashkëshorten e tij të nderuar, fisniken nga rrënja – Dallendyshen engjëllore, si nga pamja dhe nga shpirti, e cila, si e dërguar e qiellit, iu gjend dhe i shërbeu me devotshmëri, Muhametit, në çastet më të vështira të jetës së tij. Në atë shenjtëri ku prehen dy shpirtrat qiellorë të tyre, bëjnë pelegrinazh, e derdhin gjithë respektin për kujtimin e atyre dy "kolosëve" të mirësisë gjithë ata që ndjejnë dhimbje për ato dy jetë që nuk janë më.

Le të jetë ky shkrim, një përkushtim e nderim për kontributin njerëzor të protagonistit qendror – Muhamet Demirit dhe fisit të fismë, të Sakajve, ku u mbështetën dy pinjollë të Mucoimajve, të cilët i shtuan lavdinë Kalivaçit të Tepelenës.

  • i paharruar qoftë kujtimi i ndritur i Muhamet Demir Zenelaj (Mucoimaj), njeriut që shpërndante vetëm mirësi!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, bashkëkohës dhe bashkëfshatar i Muhametit.

Shkruar në Tiranë, në muajt gusht - shtator 2019.