Sot është ditë e shënuar, ndonëse situata është e rëndë. Fshati im, Kalivaci i Tepelenës rreshtohet në hartën e zonës Bektashiane të vendit tonë. Besimtarët kalivacas, së shumti frekuentonin teqetë: Koshtan; Dorëz; Agaraj; Krahës dhe Arakop. Im atë, si rregull shkonte në teqenë e Dorëzës edhe pse ishte dhëndër në Koshtan, ku funksiononte njëra nga teqetë më në zë të Shqipërisë të Jugut.
Kur sapo barisja zbathur, një ditë, së bashku me babanë, të larë e të ndërruar, me petkat më të mira, kaluam lundrën, në Donije dhe u ngjitëm nëpër udhën e verbër e tërë gurë të Ylynecit në Teqenë e Dorëzës. Babai mbante në dorë një kaposh shqirak, sa një kalë. Të tjerët çonin në teqe, si kurban desh, me brirë të përdredhur, të lyer me bojë të kuqe, në kurriz. Ne ishim fukarenj, dhe një kaposh kishim taksur. Mezi e ngjita të përpjetën.
Na priti dervishi i teqesë, rametliu Besim Zeneli. Ishte rregull: kurbanet duhet të konsumoheshin nga ata që i çonin në Teqe. Dervishi, me mirësjellje, na dha për të ngrënë e na shtroi për të fjetur. Atë natë fjeta i ngopur e në jatakë leshi, në kokë më hodhi një peshqir e unë fjeta për shtatë palë qejfe.
Kur u kthyem në shtëpi na u mblodhën shumë kureshtarë, tërë sy e veshë, për të marrë informacionin e mundshëm.
Gëzuar, gëzuar nga mot e u shporrte kjo murtaje që vjen verdallë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.