Kohë më parë, një copë Dorëz, hodhi lumin e Vjosës e u ngul në Kalivac, në vendin e quajtur Brinja e Beut, apo, siç njihet nga vendasit, në Ruç. Fillimisht u shkëputën nga fisi i lashtë luftarak i Mehmetajve dy familje, kushërinj me njëri-tjetrin: Muharrem Qerim Mehmetaj dhe nipi i tij- Hamza Shesho Mehmetaj. Muharremin, jo vetëm si më i moshuar, por për vlerat e rralla që kish, komuniteti i vogël, i ardhur nga Dorza, e quajti "Baba"
Të parët e kësaj "qelize" ishin, padyshim burra të mençur e vizionarë të mirë; ata zunë vend veç fshatit, jo vetëm për shkak të pronësisë mbi tokën ku u vendosën. Mehmetajt ditën të përshtateshin natyrshëm e të integroheshin shpejt në jetën e vendasve. Fjalët, sido t’i zgjedhësh nuk mund të shpalosin plotësisht atë ngrehinë që u ngrit me aq merak nga "arkitektët" e kësaj pleksjeje historike të cilat të tërheqin, si magnet e të bëjnë t’i soditësh gjatë, me endje.
Mjafton të them se "Babai", siç e thërrisnin, jo pa kuptim Muharrem Qerimi e hodhi hapin i pari. Ai u lidh me martesë me Vezikon fisnike, të bijën e Musa Delos, nga mehalla e Hasanimeret, duke hyrë dhëndër në njërën nga familjet më të fismë e luftarake të Kalivacit. Shembullin e tij e ndoqën, më pas, të tjerë pinjollë të dyshes së Mehmetajve që zbritën nga Dorëza, në Kalivac. Nuk mund të jetë një povasti, fakti që Nuriu i Hamzait, gjithë nur e mend në kokë, zgjodhi për të kaluar jetën "ajkën" e vajzave të Kalivacit; fisniken Xhemile; të bijën e Xhixhos e të Çeços, nga Ahmetajt dhe mbesën e fisnikut Ali Xhelili, nga Hasanbegajt.
Të ardhurit nga Dorëza dhanë e morën; shkëmbyen vlera, me vendasit. Kësisoj, nga kjo lidhje e përzierje sqimtare rezultoi një aliazh i pastër. Ndër tiparet dalluese të këtij hibridi, mund të them: zgjuarsinë, trimërinë, burrërinë, fjalëmbajtjen; besën, ndershmërinë etj. etj. Por, dhe kënga, veshja, sjellja, gatimi, shija etj. kanë vendin e tyre. Do të ndalem tek kënga, si tipar i përbashkët i zemërbardhësisë së të dy komuniteteve... vijon...
...vijon...Të dy komunitetet që u mbështetën tek njëri-tjetri e gjetën kohezion, të krijojnë ndjesinë se janë dy pjesë të të njëjtit trung, të çarë në mes.
Muharrem Qerimi, i cili, me të drejtë mori nofkën "Baba", nuk ishte "baba" vetëm për nënfisin ku bënte pjesë, por dhe për Kalivacin, si fshat ku gjeti strehë e përkrahje. Bazuar në vlerat që kish, si burrë i traditës e si njeri me tipare burrërore, populli i Kalivacit, e zgjodhi atë, katër herë, në krye të komunitetit kalivacas, si kryetar i Këshillit Popullor të fshatit dhe e donte shumë atë. I bëri vend vetes, Muharremi i Mehmetajve, ndaj e donin dhe e respektonin të gjithë. Kur ia "çkulte" këngës labçe "Babai" gjëmonte vendi. Kënga e tij e zemrës ishte:
"... Do t’ia marr, a ç’jam i marrë;
Për qejfin e këtij behari;
Këto kusurete tona;
S’paskan të sosur akoma;
Po çelin lulet e njoma;
O kusure, mos u sosci;
U befshi, sa mos u njohshi... "!
Muharrem Qerim Mehmetaj lidhi krushqi, me familjen luftarake të Musa Delos, nga Hasanimerajt. Siç ngjan në një çift, burri me gruan japin e marrin me njëri-tjetrin; integrohen mes tyre. Vezikua e Musa Delos nga Isufajt, ia "fshiu" të gjitha të mirat Muharremit, madje dhe këngët e bukura, labçe të trimërisë. Veç ta dëgjoje Vezikon kur ia merrte këngës:
"... Që në Vlorë e Tepelenë;
Caush Lika, zu dufekne;
Caush Lika, plot pëllëmba;
Thyer dorë e thyer këmba;
I vate një ditë brenda;
O Tahir, mustaqe dhjamë;
S’u përpoqe, për babanë;
Djalë të kisha Havanë;
Që më mban fishekët pranë;
Ajo mbush e unë jap zjarrë;
Hava Likja, moj Lalote;
Ku këndohet kënga jote?
Atje tek portë e kalasë;
Këndohet keng' e Havasë... "!
...vijon...
...vijon dhe mbaron...
Djali i madh i Muharrem Qerimit, Ismaili, duke ecur në gjurmët e Atit, kur ia merrte këngës labçe, "tundeshin muret e shtëpisë!" Ai nuk i ndahej këngës luftarake që u bën jehonë të rënëve për Atdhe:
"... Sa e bardha kejo ditë;
Lule djemtë e nënave;
Ngrihi dëshmorë një çikë;
Lule djemtë e nënave;
Të shikoni mirësitë;
Lule djemtë e nënave;
Se vetë i kini stolisë;
Lule djemtë e nënave;
Me gjak e me sakrificë;
Lule djemtë e nënave;
Në borë natë dhe ditë;
Lule djemtë e nënave;
Pa bukë e pa ujë hiçe;
Lule djemtë e nënave... "!
Vëllai i tij, Aliu e "ngiste" këngën shtruar dhe e dridhte zërin. Ai ishte kantautor; para se t’ia merrte këngës, kur e kishte bërë "nxehjen", kruante zërin e ia "çkulte":
"...Që kur erdhi Italia;
U pushtua Shqipëria;
Kalivaci në TArti TepeleneU mblodhe, burra e djam;
Pranë Vjosës, në Donije;
U mblodh e gjithë rinia;
Dhe në luftë iknë e vanë;
U bashkuan me partizanë;
Në luftë, shumë u vranë;
Dhe disa nga djemtë tanë;
Kalivac - Sami Musanë;
Bilal e Muharrem Hasanë;
Xhemal e Hamit Azbinë;
Qerim e Hamdi Tahirë;
U vranë e mbeten dëshmorë;
Në çdo festë u vëmë kurorë... "!
Kur u ngulën në Kalivac, Mehmetajt ishin vetëm dy familje. Dy, po dy, -thonë në Kalivac!
Kushëriri i Muharrem Qerimit- Hamza Sheshua, nuk mund të bënte përjashtim. Ai kishte intelekt të rrallë; ishte burrë i zgjuar, i shkathët, këndonte me zë bilbili e me nota të ëmbla. Brenda këngës së tij nuk mungonin notat e humorit të këndshëm e të pranuar. Kënga e pëlqyer e tij ishte:
"...Piva shokë piva;
U bëra i marrë;
Le të jetë dimër;
Më duket behare;
Dy fijet e barit;
Më duken si trarë;
Kur këndon kaposhi;
Më duket si kalë... "!
Në çift me fisniken Sose, Ai solli në jetë mjaft fëmijë, të cilët, të shpërndarë nëpër botë, nderojnë veten, Kalivacin, Dorzën dhe Shqipërinë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.