Në kohën e “Nizamit”, sipas traditës osmane, e cila u shtri dhe në vendin tonë, vajzat lidheshin sapo shkelnin në të pesëmbëdhjetat dhe djemtë thirreshin në ushtri kur mbushnin 19 vjeç. Ata martoheshin para se të shkonin ushtar e i linin nuset në shtëpi, me fëmijë ose pa fëmijë. Djemtë, i rrëmbente Dovleti e i syrgjynoste, nizamë, në skaje të ndryshme të perandorisë, për të luftuar për zgjerimin e trojeve të saj. Nusja priste e priste; burri i saj, shpesh nuk kthehej kurrë.
Ditën e Barjamit, ka qenë traditë të vishej ndonjë petkë e re. Një vjehërr, njerëzor, për t’i bërë qejfin nuses, i bleu një fustan. Ajo e lau fustanin e ri, më tepër me lot.
Kënga e saj, në ditën e shenjtë të Barjamit, me nota vaji u rrëfente shoqeve:
“...Ditën e Barjamit, bleva një fustan;
Mjera unë, e mjera, me ke do ta mbaj;
Si motrat që gjeta, ikën edhe vanë;
Mjera unë e mjera; me ke do ta mbaj;
Burrin që para, ma muaren nizam;
Mjera unë e mjera, me ke do ta mbaj...”!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.