Në përgjithësi, këngëtarët janë poetë. Ata, si çdo njeri kanë ndjesi. Ndjesia është gjë e brendshme; ajo shpërthen në raste të veçanta; domosdo në këngë. Nuk mund ta kundërshtoj faktin se ndjesia kthehet në një koncentrat vetjak. Pa përmendur emra mbasi lista do të dilte pa mbarim, them, me bindje se në Kalivac të Tepelenës, si dhe në treva të tjera ndjesitë e shfaqura nëpërmjet këngës nuk janë të pakta.

Motivet nga të cilët frymëzohen këngëtarët janë: Natyra e bukur dhe e veçantë e fshatit tonë të bekuar; historitë interesante të së shkuarës heroike të tij, si dhe realiteti i begatë aktual. Ka dhe motive vetjake.

Prapa këngës që vijon, askujt nuk i shkonte ndër mend se Ai burrë i urtë, e i qetë, i cili, edhe kur ia merrte këngës i thosh fjalët me zë të ulët; në fakt digjej përbrenda, si prushi i mbuluar me hi. Lexoni këngën e tij dhe gjykojeni, me kokën tuaj!

"... Të kisha zënë e bilbilit;
Gjithë jetën do këndoja;
Bukurinë e trëndafilit;
Gjë tjetër Zotit s’i doja;

Dhe bilbili kur këndonte;
Plagët e mia lëndonte;
Një nga një m’i numëronte.

O bilbil, more Gjyzdar;
Pse s’këndon si në behar?
Në behar, këndon kushdo;
Edhe zogu i qyqes-o... "!

Shumë herë kalivacasit i improvizojnë këngët në çast, e ato janë, jo vetëm të pëlqyeshme por dhe me kuptim. Në një davet, në odën e fisnikut Ali Xhelili ndodhej famëmadhi Veiz Dano Takaj. I kënaqur nga mbarëvajtja e gostisë, xha Veizi këndoi:

"...Ali Xhelili more;
Të rruatë rrethi që ke;
Shtëpia jote teqe;
Plot raki e plot meze... "!

Të tilla krijime janë të pranishme thuajse në çdo gosti e gëzim.