Çobenët e fshatit tim, në muajt e nxehtë të verës, i shpinin dhëntë për verim në kullotat e malit të Bozhiqit; mbi fshatin Dorëz të rrethit të Tepelenës; dhijarët i shpinin bagëtitë për verim në fshatrat e Zagorisë, në Kajcë e në Arrze.
Një herë, njëri nga çobenët që veronte në Bozhiq, u sëmur rëndë. Shokët, me stane pranë, e hipën në kalë e morën në ruajtje dhëntë e tij. E lidhën burrin në samar të kalit dhe në kaptell të samarit i varën një torbë, me ca të brendshme brenda. Kali, si kafshë e urtë e besnike, e mbajti mend udhën dhe e shpuri të sëmurin në shtëpinë e tij.
E priti nikoqirja e u gëzua që i erdhi burri në shtëpi. Kur pikasi se Ai ishte i sëmurë e i lidhur mbi samar, thirri gjitonët për ta shkarkuar nga kafsha. E morën gjitonët krah e kofshë dhe e shtrinë në minder. Burrit i mbetën sytë nga dera.
Gruaja, disi e “leshtë” u afrua tek i shoqi. Ai, me zë të mekur i tha, më bëj një harapash, po hidhi brenda nga ato gazherret që janë në torbë. Gruaja e kishte zjarrin përjashta shtëpisë e doli të bënte harapashin.
Kur hyri të merrte gjalpë, pa që burri i saj, kishte dhënë shpirt. Ulëriu e u mblodhën gjitonët, por nuk ia priste çfarë të bënte më tej.
Një grua e fisit i tha: “Po ti qaje burrin, siç qajnë gratë kur u ikën burri”. Dhe bashkëshortja nisi të qante, me ligje. Vajtimi i saj ishte:
“...M’i lë dhëntë sipër në stan;
O veqil, e zeza;
Më erdhe varur mbi kalë;
O veqil, e zeza;
Më kërkove harapash;
O veqil, e zeza;
Më kërkove harapash;
O veqil, e zeza;
Më kërkove po s’ta dhash;
O veqil, e zeza;
Se më dukej shumë i trashë;
O veqil, e zeza!”
Plasi gazi, në vend të vajit, rrëfehet edhe tani, nga ata që e dinë.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.