Dikur, në fshatrat e Bregut Jonian, mosmarrëveshjet zgjidheshin me pleqësi. Funksiononte një këshill pleqsh, nga një për fshat, burra të ndierë e kokëplotë. Këshillin e kryesonte Mullai i Dukatit; i moshuar por mendjendritur.
Në një fshat, u kthye nga emigracioni në Angli, një djalë i ri, nga ata që u thoshin: “Sorkadh mali”. Ai erdhi për të parë të tijtë e për të gjuajtur. Në pyll, pa një bareshë, të re e të bukur, me shtat si selvi e me sy si mëshqerrë. U pëlqyen e u pleksën.
Djalit i pëlqeu mjedisi dhe e shtyu kthimin në vendin e punës. Vajzës iu rrit barku e të sajtë i kërkonin llogari. Puna vajti në pleqësi.
U mblodhën kapedanët për të gjykuar por u mungonte kryetari plak. Atij i dërguan një mushkë dhe një shoqërues që të merrte gjak në vetull. E priti mirë shoqëruesin Mullai dhe e pyeti, gjerë e gjatë. Djali i rrëfeu, fije për pe.
Atëherë Mullai i tha djalit: “Na këtë tefterin dhe këtë molidhen e shkruaj:
‘... Kapedanë të u thoi;
Ta gjykoi, si të doi;
Mullanë, mos e mundoi;
Them ta marrë kush e shijoi;
Them ta marrë kush e bitisi;
Që e kishte si bythë lisi;
Ta marrë Marko Karavella;
Që bën gjueti, për derra;
Me barut nga Ingliterra;
Prandaj, ia lini te dera...’”!
E ngjiti letrën me pështymë; e palosi e ia dha, si amanet djalit shoqërues, i cili e futi në gji e iku.
Mesazhi ishte i qartë; Mullai e s’dha verdiktin edhe pa vajtur në kuvendin e kapedanëve.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.