(Përkushtim, sivëllait Selman Resul Nelaj).

Më 28 mars 2020, u nda nga jeta (jo nga pandemia), pas një sëmundjeje të gjatë, në Kalivaç të Tepelenës, atje ku u lind 87 vite më parë, Selman Resul Nelaj. Selmani, erdhi në jetë gati një shekull më parë, nga dy prindër autoktonë; nga e mira Mbete dhe nga babaxhani Resul Nelo. I rritur mes shtatë fëmijëve, në skamje të skajshme, shumicën e jetës e kaloi në kasolle prej kashte. Ai e ndjeu shpejt peshën e varfërisë dhe për t’i ardhur në ndihmë familjes hyri në punë të rënda, për moshën dhe për fizikun e tij, në Selenicë, në Gorishovë, në Shkodër (si nënoficer aktiv) e më pas në kooperativën Bujqësore të fshatit Kalivaç.

Në vitin 1960, lidhi martesë me zj. Lutfije, me të cilën solli në jetë 5 fëmijë. Fëmijët dhe të afërmit e tij do ta kujtojnë Selmanin si një njeri “nobël”; me gjithë të mirat.

Selmani ishte zemërmadh e zemërbardhë. Fjala e tij e ëmbël; dashamirësia, pa kufi, shkuarja me të gjithë, me dorë në qafë e me buzë në gaz i dhanë nofkën: “Selman komisari”.

U nda nga jeta në ditë të vështira kur izolimi total bënte e bën ligjin. Kjo nuk i pengoi dashamirët e tij të vërshonin si lumë për t’i dhënë lamtumirën e fundit, në varrezat e fisit, atje pranë vëllait të madh Xheladinit dhe të birit që iku shpejt.

Mjerisht, situata virulente nuk favorizoi tre fëmijët e tij të larguar t’i hidhnin një dorë dhe Babait të tyre të dashur. Por ata ndihen krenarë për atë Baba që kishin!

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!