Kalivaci është ndërtuar mbi tetë kodra, bazë fisesh, kryesisht. Në mehallet me disa fise, njëri ka dominuar. Mehalla kishte një të parë por ai ishte vetëm për atë mehalle.
Fshati, si i tërë, historikisht ka pasur një kryeplak. Vetë fjala kryeplak është taksative, por, të ishe kryeplak nuk do të thotë se ishe plak mbi pleqtë. Kryeplaku, ma do mendja është titull nderi dhe përcaktues. Më së shumti, Kryeplaku edhe nëse nuk mund të zgjidhej nga komuniteti, ishte i mirëpranuar prej tij.
Një kryeplak, pa qenë nevoja të jetë më i moshuari, detyrimisht duhet të prevalonte për nga tiparet. Në kohët moderne, të paktën në këto 100 vitet e fundit, kryepleq, të veçantë kanë qenë: Cizo Selfo Agaj; Musa Mehmet Nelaj; Mane Tafil Zenelaj; Muharrem Mehmet Ramaj; Muharrem Qerim Mehmetaj; Hydajet Muharrem Deraj; Sherif Mahmut Pashaj; Brahush Sulejman Bilaj etj.
Disa tipare pozitive ishin të domosdoshme, në çdo kohë, për një kryeplak. Kusht i padiskutueshëm ishte mençuria e tij. Kryeplaku, duke qenë i zgjuar, dilte mbi mendimet e të tjerëve dhe ia dëgjonin fjalën. Autoriteti i tij mbi komunitetin nuk imponohej, por ishte imponim me urtësi e me mençuri.
Dera e kryeplakut, ishte derë e madhe. Atë e “rrihnin” jo vetëm bashkëfshatarët, por dhe njerëz të tjerë të trevës. Prandaj duhet të kishte kushte për t’i pritur e për t’i nderuar ata që i vinin, se nderonte fshatin të tërë.
Nuk përjashtohet kërkesa për të qenë i drejtë, i ndershëm, i paanshëm e “peshore” e kolauduar. Ka pasur ndonjë burrë të mirë, i cili, pas çlirimit është zgjedhur 4 herë për të drejtuar fshatin. Ata që e kanë njohur Muharrem Qerim Mehmetaj, e dinë mirë çfarë vlerash kishte Ai njeri.
Kryeplaku menaxhonte pasuritë e fshatit, prandaj nuk duhet t’i “ngjiste” dora; Ai duhet të ishte gojëtar, me fjalor të ëmbël dhe me cika.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.