Sot, përjetova një kënaqësi të rrallë. Dhe kur? Në kohën e pandemisë së mallkuar e cila vetëm bezdi krijon. U përurua busti i "Heroit të Popullit" Selam Musa Salaria. Ka disa muaj që është vendosur shtatorja e tij në hyrje të rrugës: "Komuna e Parisit". Kur e pashë bëra një kujtesë, për tepelenasit që të bëhej një meting e të vendoseshin lule, tek shtatorja e tij. Ja erdhi çasti e sot, në një shkallë më të lartë, m’u plotësua dëshira.
Pa paragjykim e pa militantizëm partiak, them, plot gojën: "U lumtë mendja dhe dora, si atij që e krijoi shtatoren dhe atyre njerëzve të shumtë të cilët kishin ardhur nga larg, për ta nderuar Heroin!"
Akti heroik i Luftëtarit të regjur, atdhetarit të përkushtuar për mbrojtjen e trojeve shqiptare- Selam Musa Salarisë, është i rrallë e nuk ndodh përditë. Një gjë duhet fiksuar mirë në mendje, se Selamin e bëri të hidhej mbi telat me gjemba të llogoreve të armikut, dashuria pa kufi për ata gurë e shkëmbinj të vendlindjes së tij - Salarisë Malore dhe trojeve shqiptare, të cilët lakmoheshin atëherë, janë të lakmuar dhe sot, kur atdhetaria, në shumicë është zvetenuar.
Kur xhirohej filmi i Muharrem Fejzos; "Guna përmbi tela", kushtuar aktit heroik të Shqiptarëve në Luftën e Vlorës të gushtit të vitit 1920, ku morën pjesë dhe mjaft kalivacas, në çetën e Kanan Mazes, nga Shkoza, në çift me Daut Xhaferin, u ulëm në Vlorë dhe imituam ardhjen e avionëve italiane, nga deti. Pastaj, në ekipazh me Lutfi Hysenin, imituam futjen në Luginën e Shushicës, deri në Bolenë e në Kuç. Në sheshin e xhirimit, në Peshkëpi, rrezikova të përplasesha me linjën e tensionit të lartë, kryesisht për fajin tim.
M’u bë zemra mal, që edhe në këto kohë të paqarta, nderohet vepra e pavdekshme e Atdhetarëve të shquar.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.