Në fushën e Kalivaçit të Tepelenës, e cila është e bukur dhe e begatë, ndodhet, prej kohësh një vend i shenjtë, të cilin, vendasit e quajnë Mekam. Dikur, ky objekt kulti, në nderim të Baba Dero Fushës, i cili ka rrjedhur nga fisi i fisëm i Muharremajve. Në vitin 1968, në kuadrin e fushatës kundër fesë, Mekami u shkatërrua; kohët e fundit, u gjetën njerëz të mirë dhe e kanë restauruar. Pozicioni ku është ndërtuar ngrehina, është buzë udhës, e cila dikur është shkelur nga mijëra udhëtarë e karvanarë që vinin nga Bylysi e Veri -Perëndimi, kalonin tek Çezma e Thatë vijonte, përfund arave të quajtura Xina, midis tyre dhe Ledhit të Kishës, pranë Rretheve pjellore dhe zezanit, ku freskon Lumi i Vjosës.

Vende të tjera “të shenjta”, si Baba Loloja, në Bozanaj; Baba Dero Dorza, Kurora e Malit; Teqeja në Agaraj etj, janë vende pelegrinazhi të besimtarëve bektashianë.

Ruaj një kujtim të vitit 1950. Fshati nuk ishte kooperativë e sundonte prona private mbi tokën. Në verën e thatë, në vapën përvëluese të korrikut, bimët, sidomos ato prashitëse, veniteshin, ulnin kokën e dukej sikur luteshin për një pikë shi.

Banorët, në veçanti ata që besonin, i mbanin sytë nga Kurora e Malit dhe luteshin vazhdimisht për shi. Taksnin e thernin dhe kurbane.

Një ditë korriku, ku zhegu i vapës përvëlonte çdo gjë, bashkëfshatarët e mi, blenë, me para të përbashkëta, një goxha dash, nga ata që i prijnë kopesë, e therën, pranë Mekamit, e poqën në hell dhe e bënë hise.

Burrat e mbledhur hanin mish, pinin raki e këndonin labçe. Një djalë, i zhveshur dac, kishte veshur shpendra (shkurre me kërçell të fortë) dhe lodronte pranë trapezës së shtruar, duke përsëritur syre të Kuranit. Shpresohej se kurbani, dordoleci (djali i veshur me shpendra) dhe lutjet, do t’i bindnin çirakët për të hedhur shi.

Kur burrat ngroheshin, çoheshin në valle. Vallen e udhëhiqnin burra të rëndë, të cilët ishin vallëtarë cilësorë, si Cano Ademi; Ahmet Selfua, Laze Xhezua, Mete Medini, Kalo Qazua etj. Ata vallëzonin e këndonin.

Disa vargje të këngës së tyre, më kujtohen:

“... Dordolec, hidhna shi!
Të na benet misëri;
Misëri e gruri...” etj.

Isha i uritur, më pëlqente mishi i pjekur e hëngra me grykësi. Mishi i dhjamur dhe vapa, tok me të pangrënët, më rënduan.

Mora udhën për në shtëpi. Tek dy ullinj në fund të të cilëve ishin pleksur shkurre, m'u sosën fuqitë e rashë i vilanosur. Erdhën bashkëfshatarë e më përmendën!