Jemi mësuar të urojmë, shokë, miq e të afërm; të njohur e të panjohur, me rastin e ditëlindjes së tyre dhe u urojmë jetë të gjatë, etj., etj.
Sot, urimi im merr një vlerë të veçantë; nuk më duhet të uroj një njeri por një krahinë të tërë. Çfarë them? Jo një, po dy krahina, se Kurveleshi është i ndarë gjeografikisht, në Kurvelesh të Sipërm dhe Kurvelesh të Poshtëm.
Gëzuar! Gëzuar! Gëzuar! Në jetë të jetëve, o vatër e lirisë, e trimërisë dhe e burrërisë! Atyre që urojmë u themi: edhe njëqind! Kurveleshit i uroj të jetojë sa ata male të larta ku Perënditë kanë folenë!
Ja dhe një qyfyr:
Si Kurveleshi, janë të pakta trevat që kanë dhënë për Lirinë e Shqipërisë, aq shumë trimëri e gjak.
Në vitin 1945, Kuçi ishte nënprefekturë. Vjehrri im; Tahir Ilirjani ishte prokuror. Do të hartoheshin listat e ishpartizanëve, për të marrë pension lufte... Njerëzit kalonin përpara tribunës ku i pyesnin për formacionin ku kishin bërë pjesë dhe për shokët.
I erdhi radha një burri, mesoburrë, me një barrë mustaqe. E pyetën siç bënë me të tjerët.
Burri tha: "Po unë nuk kam qenë partizan; kam qenë ballist".
"Po këtu është për partizanët", i tha njëri nga të tribunës.
"Dre e e e", tha burri, "na vate lufta dëm!"
Qeshën ata që e dëgjuan; qeshin dhe sot, ata që e mësojnë këtë ndodhi!
Këndohej një këngë, shkruar nga Heroi i Popullit Memo Meto:
"... Kurvelesh - zemra ime;
Ku jam rritur me thërrime;
ku mbeten foshnjat jetime;
ç’janë këto bombardime?
Na dërgon Ducja urime..."
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.