Kurbeti i mallkuar ka zënë vend gjerësisht në këngët e fshatit tim. Ai (kurbeti), është çmuar e është përçmuar nga pozicione e për anë të ndryshme. Dikur, një kalivaças i thjeshtë, shofer në profesion, burrë fisnik e këngëtar cilësor, i pasionuar, i shëndetshëm e simpatik, njeri i gëzuar e i qeshur dhe me shpirtin si det, të cilin e quanin Muharrem Rushan Xhaferaj bënte, thuajse çdo ditë rrugën: Memaliaj- Ballesh, për të transportuar qymyr guri.
Në makinën e tij - Saurer, të cilën e guidonte, me siguri, Muharremi, rrugëtarët më shumë udhëtonin falas, ose paguanin - sipas dëshirës.
Kabina e makinës së tij ishte gjithnjë plot, me fëmijë shkolle, zakonisht. Ata hipnin dhe mbi mbulesën e motorit (kofe).
Interesante dhe e padëgjuar ishte sjellja e Muharremit me fëmijët e shkollës. Si zakonisht, ata i nxirrnin dorën shoferit, teksa qëndronin në anë të udhës. Shoferi ndalonte makinën, hapte xhamin anësor dhe i pyeste: “A di të këndosh labçe”? Nëse përgjigjja e fëmijës ishte pohjuese; hip i thosh Muharremi. Në rast se fëmija thosh: “Jo”; shoferi ikte.
E mbushte plot me fëmijë, kabinën e makinës, Muharremi, dhe ajo gumëzhinte, si zgjua bletësh, nga zërat e fëmijëve. Vetë Muharremi, si këngëtar cilësor bëhej pjesë e “korit”, herë duke ia marrë, herë duke ia kthyer, herë duke ia hedhur e rrallë bënte iso polifonike.
Kënga e tij e preferuar, mes mjaft të tjerave, ishte:
“... Ju dallëndyshe që shkoni, do t'u jap një porosi:
Fshatin tim kur të kaloni, thoni:” Vdiq një djalë i ri “;
O ju sorra që më hani; Sytë e zës, mos m'i ngani;
Se kam një të zezë Nënë; del e qan, lëmë më lëmë;
Se kam një të zezë motër, del e qan kodër më kodër;
Se kam një të zezë grua; del e qan krua më krua...”
Muharrem Rushani nuk është në jetë, ai ka kohë që ka vdekur, por rron kënga e tij dhe ata që la pas.
- I paharruar qoftë ai deli djalë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.