Kalivaci i Tepelenës, si vend i bekuar, disponon kushtet klimateriko-tokësore dhe njerëzore, për mbarështimin e pulave të detit. Gjelat e detit të fshatit tim janë mjaft të shijshëm, të skuqur, në saç. Ata ushqehen, jo vetëm me drithëra bukë e me insekte të qëmtuar atyre hënave, por dhe me ullinj (me kokrra, me bërsi dhe me llocka). Disa gra, të mbetura pa burrë, të cilat lidhën në kokë shaminë e zezë e rritën fëmijët me gjela deti.
Tradicionalisht, pulat e detit nxirreshin në kullotë, për të ngrënë e për të shëtitur, nën kujdestarinë e vajzave të pafejuara, adoleshentë, të moshës 12-15 vjeç. Njëri nga shkaqet bazike të kësaj përzgjedhjeje ishte fakti se pulat e detit ecin shpejt e me hap të gjatë dhe fluturojnë. Vajzat adoleshentë të moshës që u theksua më sipër ishin të lehta e të shpejta dhe ua dilnin pulave të tilla.
Si rregull, 2-3 vajza, të cilat ishin dhe shoqe mes tyre, bëheshin bashkë e në tufë të madhe nxirrnin në kullotë pulat e detit të familjes së tyre. Ato, jo vetëm që bënin një punë por dhe bisedonin me njëra-tjetrën, duke qarë hallet dhe i rrëfenin shoqja-shoqes edhe sekretet e moshës. Vajza të tilla, mund të përmend: Lumturinë e Xhevit Malkos; Pashakon e Isuf Jaces; Lavdijen e Abedin Kahremanit; Nasibenë e Muharrem Kamberit; Metullahen e Breshan Fejzos; Sosen e Xhemal Haxhiut; Nailenë e Ahmet Selfos.
Vajzat çobane të pulave të detit, mbanin në dorë një shufër të gjatë e të fortë, për të pritur e për të trembur tufën që ruanin. Më tepër si vend kullotë dhe shëtitjeje, ishte Derrasa; Faqekuqja; Qurket; Shuret; Bishtjet; Xinat etj. Synoheshin vendet që ishin në pronësi të të gjithë fshatit; tokat aliher.
Duke qenë tufë, pulat e detit pikaseshin shpejt nga shpendet grabitqare si skifterë; larashë etj dhe sulmoheshin prej tyre. Vajzat, për t’i mbajtur larg tufës së tyre shpendet grabitqare, këndonin një këngë unike; Fjalët e saj ishin:
“...O sqyfer, hoi-hoi;
Mos hajde tek zogjtë e mi;
Jo këtu, po në Gorisht;
Se atje janë zogjtë, me bisht...”!
Ato futeshin mes tufës së pulave dhe vringëllinin shufrat në ajër.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.