Sofra e kalivaçasit ka qenë e shtruar dhe bujare, për dashamirët e shtëpisë. Në dasma e gosti, miq e shokë, shtroheshin në sofër apo me pjata të veçanta përpara dhe hanin ato gjëra që u pëlqenin, sidomos mishi i pjekur në hell i cili është specialitet i kalivaçasve. Hanin, pinin e këndonin labçe vënçe.

I zoti i shtëpisë, i cili kishte bërë harxhin, ishte i detyruar t’ia merrte dhe këngës, i pari. Në këngën e tij, ftoheshin pjesëmarrësit të hanin e të pinin, pa pikën e drojës. Në fjalët e tij kishte shumë bujari e zemërbardhësi.

Ja një pjesë këngë:

“... Pini shokë, pini;
Bëni muhabet;
Si në shtëpinë tuaj;
Brenda në qoshet;
Kjo gjë e xhymertit;
Pak, po me lezet;
Kjo gjë e njerëzit;
Shumë por për ibret...”

Kur miq e shokë, ngroheshin nga rakia e ngopeshin nga mezetë, meqenëse ia hodhën asaj dite, kërkonin të siguronin dhe të nesërmen. Njëri nga miqtë “me peshë” këndonte:

“... O byrek, more byrek;
Ku jemi nesër për drekë?”

E zinte turpi gjitonin apo njeriun e fisit dhe kthente përgjigje:

“... Tek filani, me shëleg”!

Aty nga fundi i gostisë, përpara se të prishej muhabeti, disa sarhoshë, mblidheshin në një qoshe dhe me zë, i cili dukej tjetërsoj, këndonin:

“... Hajde t’ia themi dhe një herë;
Tani me të shkuarë;
Dhe të zotin e shtëpisë;
Ta lëmë të gëzuarë...”

Shpërndarja e njerëzve bëhej me dorë në qafë e me të puthura në buzë.