I veçantë është emri Nënë, po sa e paparë është dashuria e saj, për ata që ka sjellë në jetë. Këtë e thonë shumë por përveç atyre që kanë lindur fëmijë, të tjerët e kanë me të dëgjuar. Madje dhe ato që kanë sjellë njerëz në jetë, në disa raste i harrojnë vuajtjet dhe dhembshurinë që kanë për fëmijët e tyre. Nuk pretendoj se them ndonjë gjë të re. E veçantë është ndjesia e Nënës. Këtë dua të shtjelloj, e do të mundohem të jem konkret.
Nuk besoj të ma marrë njeri për keq po t'u rrëfej një ndodhi të shumë viteve të shkuara, e cila jehon në çdo kohë. Dy Nëna; njëra nga të cilat ishte imja dhe tjetra Gegë Merushja e Shatrafileve. Ishin shoqe të ngushta dhe kusuremëdha.
Në pregjet tanë, Ato dy gra ishin vetë burrë e vetë grua, me burra gjallë. Im atë, Xhevit Malkua punonte në Selenicë e vinte në familje herë pas here. Xha Telhai, i dhënë, marrëzisht pas tregtisë së vogël e cila mbijetonte me shumë mundim, as që donte të dinte për punët e shtëpisë. Zonja e Madhe e Binajve dhe Merushja e Telha Qazimit, si kusuremëdha që ishin, kishin mbi supe gjithë punët, brenda e jashtë.
Ato ishin gra nga më të fortat e fshatit. Kur ngarkoheshin me dru, në Kocimare e zbrisnin tek Bregu i Staneve, dukej sikur lëvizte pylli. Me tërkuza në duar, njëra me sëpatë e tjetra me kosore, që në mëngjes, herët, ngjiteshin në Bregun e Staneve, për të bërë dru, në Gryka, në Doke, në Kocimare, në Trapin e Çezmës, madje dhe në Shkozën e Rrahut ku nuk bënte dru njeri, nga frika se mos i ndodhte ndonjë fatkeqësi, po të vinin sëpatë në atë vend të “shenjtë”.
Një ditë u qepa pas tyre. U ngarkuan të dyja dhe po zbrisnim nga Bregu i Staneve. Në sheshin me të njëjtin emër, zuri një shi i dendur me erë. Suferina të merrte frymën.
Ishim bërë qull, deri në palcë; përroi i Veldonit kish dalë nga shtrati e gumëzhinte nga gurët që rrokulliste, me zhurmë. Kish dalë nga shtrati dhe Përroi i Çorrushit, por ai sillte aluvione e baltë. Një det i tërë shtrihej përpara nesh. Nuk mund të kalonim në anën tjetër, për të vajtur në shtëpi.
Duhet të prisnim pak sa të qetësohej situata. Gratë e zgjuara e punëtore, zgjidhën tërkuzat e i lanë drutë në shesh.
Ku të futeshim? Gjetëm një strofkë dhelprash, në krye të Bregut të Staneve. U fut e para nëna, ime, që të më siguronte mua, se mos brenda ishte dhelpra. Në mes tyre -unë. Gegë Merushja trupmadhe, mbyllte hapësirën e dritës.
Citjanët e tyre ishin qull, por ato më mbështollën me citjanët e lagur e më ngrohën me frymën e tyre, sa u qetësua situata. Çfarë sakrificë bënë ato gra? Se mos vetëm ato!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.