Në të shkuarën e largët, raste ka dhe tani, si në të gjithë vendin, gruaja, në Kalivac të Tepelenës ka qenë e nënshtruar dhe e nëpërkëmbur. Mbi kurrizin e saj ushtronin trysni tre pushtete. Ata e mbanin të nënshtruar, të izoluar e të diskriminuar. Pushteti i zakonit e i traditës ishte i ashpër, shtrëngues dhe detyrues.
Pushteti i burrit ishte, ndoshta dhe është hipokrit. Në marrëdhëniet e ngushta, ai ka qenë; herë tolerant e dashamirës e herë i rreptë e fanatik. Në opinion, ky lloj pushteti, sa për t’u dukur në sy të të tjerëve, paraqitej i ashpër e i largët.
Pushtet më të ëmbël, mbi gruan kishte feja, por vetëm në sipërfaqe. Po e nis, shtjellimin e gjësë, nga fundi, siç lexonin, dikur, një libër, banorët e një vendi ku kam jetuar.
Një gjë duhet sqaruar që në nisje. Gratë nga Kalivaci, nuk visheshin me petka të zeza, për hobi e për mode3, por nga halli që i kishte zënë. Ndonjërës i kishte vdekur burri e kishte mbetur e ve, me fëmijë për të rritur. Ajo, duke preferuar të lidhej pas fëmijëve, lidhte në kokë shaminë e zezë, vishej, kokë e këmbë me të zeza dhe u përkushtohej fëmijëve. Të zezat nuk i hiqte gjatë gjithë jetës së saj.
Rastet më të shumta janë ato kur ndahej nga jeta, një i afërm, për hir të traditës, gratë vishnin të zeza. Sapo rridhte afati për t’i hequr të zezat, vdiste ndonjë tjetër e ajo prapë me të zeza. Kishte gra që gjatë gjithë jetës, nuk i hiqnin të zezat. Edhe të afërm të tyre, nuk i mbanin mend ato me petka të çelura. Veshjet e nusërisë, mbeteshin në sepete.
Disa gra, në Kalivac, kanë mbetur simbole të zisë. Të tilla kanë qenë: Hysnija e Musa Mehmetit; Memja e Muharrem Hasanit dhe vjehrra e saj - Lulja; Zonja e Resmi Nelos; Bejekua e Mino Jaçes; Vezikua e Qazim Lazes; Nasua e Maliq Brehamit; Memja e Çeno Rakipit; Nurishaja e Kalo Qazos; Vezikua e Hasim Malos; Arzihana e Aliko Qazimit; Hasimete e Azbi Bakos etj.
Vajzat, sipas traditës zakonore dhe kulturës së injektuar nga pushtuesit osmanë, i nënshtroheshin një trajtimi çnjerëzor. Ato trajtoheshin si robina e si plaçkë tregu. E tillë është fejesa dhe martesa e tyre, pa e parë burrin dhe me moshë rreth 15 vje3ce kur nuk kishin sosur adoleshe3ncen, pa bërë fjalë për pjekjen fiziologjike të tyre. Bebja lindte e rriste beben.
Vajzat, që të konsideroheshin të ndershme, duhet të visheshin me fustane të gjatë, deri në fund të këmbëve. Nusja duhet të nuseronte, në këmbë dhe përpos kësaj torture, ajo duhet të çohej kur ishte e ulur, edhe kur hynte një fëmijë i seksit mashkull.
Keni parë kur shkonte çifti diku; burri hipur mbi kafshë e gruaja, në këmbë, disa hapa pas tij. Edhe pse në Kalivac nuk e kam ndeshur shitjen e vajzave, diku kam parë si bëhej pazar mes babait të vajzës dhe atij të djalit, sikur të ishin në pazarin e gjësë. Këto janë vetëm disa dukuri, të cilat nuk zhduken lehtë nga skena e jetës edhe në fshatin tonë të bekuar e të përparuar!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.