Në fshatin tim të bukur e të bekuar, ka funksionuar një traditë e bukur. Të rriturit, gjithnjë kanë qenë të respektuarit e më të vegjëlve, në moshë. Ata (më të vegjlit), edhe kur u drejtoheshin më të rriturve, i përkëdhelnin duke u ledhatuar emrat që të tingëllonin sa më ëmbël. Karakteristike ishte se më të vegjlit, u drejtoheshin më të rriturve, me novkën që u kishin vënë fëmijët e tyre biologjikë.

Epiteti Çeço ka gjetur përdorim të gjerë, në mëhallën time. Me novkën Çeço, më të vegjlit i drejtoheshin Mane Tafilit; Ahmet Selfos; Xhemal Haxhiut; Breshan Fejzos; Muharrem Kamberit; Hysni Metës; Resul Nelos; Banush Xhezos, madje dhe Muhedin Salihut, i cili ishte relativisht më i ri në moshë.

Banush Xhezos, i thonim Çeço Banua. Shkurtimi i emrit Banush, ishte - Banua. Ai ishte një tip i veçantë e burrë i rrallë. I kompletuar me tipare të mira e i patrazuar, me njeri.

Portreti i tij paraqiste një burrë të gjatë, pak të kërrusur; në kokë mbante kapele me strehë, jo qylah të bardhë. Fytyrën e stërgjatur të tij e hijeshonin një palë mustaqe të prera shkurt e gjithnjë të pastra; zëri i tij gjëmonte nga toni por ishte i qetë dhe i ëmbël.

Banush Xhezua ishte esnaf në fushën e mbarështimit të dhenve. Ai ishte dhe bujk me njohuri të thella. Vishej me rroba shajaku, të zi. Arat e tij ishin pjellore, në Shpendra e në Ferra. Bagëti të imëta mbarështronte vetëm dhen. Në mëhallë e në fshat, dhëntë e Çeço Banos, dalloheshin për prodhimin e qengjave, të qumështit dhe leshi i tyre ishte gjithnjë i ndritshëm e i pastër, refleks i shëndetit dhe kujdesit që bënte xha Banushi, për dhëntë e tufës, të cilat nuk e kalonin numrin 50.

Çeço Banua, emigroi në rininë e tij, në Anadol ku ushtroi çobanërinë e u bë mjeshtër për mbarështimin e dhenve. Ai mësoi në perfeksion gjuhën turke të cilën e fliste bukur. Kur bisedonte xha Banushi me Hysnijen e Musa Mehmetit, turqisht, ma kishte enda t’i dëgjoja e nuk ngopesha së dëgjuari.

Me t'u kthyer nga kurbeti, Banushi u martua me Havanë, të bijën e Nasos të Brehamet, me të cilën solli në jetë një vatër me fëmijë.

Sipas traditës vendore, Xhezo Nurja dhe Nënë Tacja, i ndanë dy djemtë e tyre: Lazën dhe Banushin. Mirëpo Çeço Banua u nda e në pjesë nuk i ra banesë. Ai, me ish-ushtarët italianë, të mbetur atyre hënave, pas kapitullimit të Italisë fashiste, ndërtoi një palë shtëpi elbasançe. Më pas ndërtoi dhe një odë të madhe.

Kemi banuar në themel të njëri-tjetrit, dhe kemi kaluar mjaft mirë. U bëmë dhe gërshërë. Çeço Banua qethi time motër, mua dhe vëllanë e vetëm. Ne i thonim dajo dhe Havasë - xhixhi.

U larguam nga fshati, më parë ne e pas nesh, edhe djemtë e Çeço Banos, të cilët, i gjen kudo nëpër vendin tonë dhe gjetke.

I paharruar qoftë kujtimi i atij njeriu të mirë; t’i rrojnë ata që la pas!