Një djalë, i marrosur pas një vajze, me të cilën ishte i fejuar por nuk mund ta takonte, për shkakun e fanatizmit të prindërve të saj dhe të opinionit të fshatit, i cili ishte konservator, i grisi opingat duke bërë xhiro rreth shtëpisë së saj. Mendoi se ditën e Barjamit, prindërit e vajzës do të bënin ndonjë lëshim e do ta pranonin të takonte të bijen.

Duke kaluar disa herë, pranë shtëpisë së vajzës që donte, djalit i zuri veshi një ankesë të vajzës. Ajo i ankohej nënës se i dhimbte koka. Djali e dëgjoi ankesën e saj e i pikoi në zemër; vajti në shtëpinë e tij, mbasi u mendua thellë, por nuk gjeti udhë të dilte nga kjo situatë, formuloi këngën:

“...Ditën e Barjamit, të shkova tek porta;
Zënë ta dëgjova, thoshje më dhemb koka;
Të të bje doktorin, më vjen turp nga bota...!”

Sa e sa të dashuruar e të fejuar, në kohët për të cilat bëhet fjalë, përvëloheshin së brendshmi për të takuar e për të biseduar me atë që donin, por, koha i kufizonte e pritnin, me padurim martesën!