Dikush, mund të pyesë: Nga buron mosharrimi? Mos e "vrisni mendjen" se ua them unë dhe me vërtetësi të padiskutueshme; Gurra e vetme e mosharrimit, është mirësia. "Hidhe në det, të mirën, se del vetë në steret"- ka thënë populli ynë i mençur. Kjo nuk ka nevojë të vërtetohet.

Ai që ka në shpirt mirësinë nuk e ka të nevojshme të bërtasë e të ulërasë, që të tjerët të mësojnë bëmat e tij. Mirësia çan vetë. Ajo, vërtet që nuk ka gojë të flasë, por zëri i saj dëgjohet nga të gjithë.

Në Bozanaj të Kalivacit të Tepelenës, në pikën më të lartë të kësaj mëhalle, tek Lisi Historik i Aget, ka qenë një shtëpi përdhese, e mbuluar me pllaka guri të zi, të sjella nga Përroi i Toçit. Shtëpi fshatari, pa orendi e salltanete; brenda saj kishte shumë dashuri e mirësi. Aty banonte një çift i njerëzve të mirë, me shpirtin si det e me zemrën të madhe e të bardhë, si mali përballë i mbuluar nga bora, në majë të të cilit është Kurora e Malit. Çifti Ninije dhe Ago Muharrem Agaj (Varfaj) jetonin, në hallin e tyre e me djersën e ballit. I kam njohur personalisht e mund të nxij shumë faqe për të shpalosur mirësinë e shpirtit të tyre.

Ata kishin një vajzë, të martuar, e cila banonte në Tiranë - Jeminenë dhe një tjetër, të martuar në Leshnjë, me të mirin Mehmet Hysen Hysenaj.

Kur shkoja në Ahmetaj, nëpërmjet udhës së vjetër, poshtë bokërrimës, në krye të së cilës ishte Lisi i Aget dhe shtëpia e çiftit; Ninija, sikur të më ruante, më bënte me dorë që të ngjitesha lart. Mbasi më puthte në faqe e më mirëseardhte me fjalët: "Të keqen nëna, si je? Sikur u vonove këtë radhë" dhe më ftonte të hyja brenda. Mbasi e refuzoja vajtjen brenda, më thosh: "Prite nënën pak" dhe dilte me ca gjëra të futura brenda futes së zezë, që mbante. Nxirrte prej saj ca kokrra shege; ca ftonj; një grusht me arra, ose me bajame dhe më uronte: "Të bëfshin mirë!" Para se të ndaheshim, më porosiste: "Kur të vesh në Tiranë të më pjekësh Jeminenë e të m’i thuash se jemi mirë!"

Nuk thonë kot në Kalivac të Tepele3nes se: "Miqësia ngjan pa benet"; apo "Ka gjetur tenxherja kapakun".

I pakët nga shtati; i urtë e i qetë ishte burri i saj- Ago Muharrem Agaj (Varfaj), por ishte mjaft fisnik dhe i fismë. Ai ishte i thekur e nuk e zinte dot njeri në muhabet. Ishte i mendjes e i fjalës. Ashtu, qetë-qetë, pa zhurmë e pa bujë, kur ia merrte këngës Agua, tundej ai "Breg i këngës!" Agua ia thosh këngës:

"...Që në Lekel e Labovë;
Djemtë e rrezave, u mblodhë;
Kush u hodh, proto në lumë?
Selam Musai me gunë.
Hundekuq vuri graminë;
O djem: Do vemi Janinë..."!