Banorët e Kate Tepelenës, nuk shquhen vetëm si këngëtarë; ata janë dhe valltarë të spikatur. Dikur, si "kampion" i vallëzimit njihej e ishte xha Durka i Hadere të Hasanimeret. Thonë se, po të mos ishte në valle Ai burrë, vallja nuk shkonte e nuk kish lezet.
Në një gosti, në mëhallë, Xha Durkës i vinte rëndë të shkonte mbasi i kish vdekur një i afërt. Mirëpo kur u ndez kënga e vallja, deshi s’deshi, xha Durka vajti e rrinte anës murit, kur të tjerët kërcenin. Me terezi, iu afrua një mik i tij e i tha: "Ta dimë hallin, por ti futu në valle e mos këndo, vetëm kërce!" E dëgjoi mikun valltari Durkë e u bashkua me ata që vallëzonin. Me të hyrë xha Durka, në valle, u gjallërua gjëja dhe valltari i shquar harroi fare vakinë e u përfshi në gaz.
Dihet që talenti lind por ata që e kanë në gen një gjë ia transmetojnë brezi -brezit. Cano Adem Haderaj, dentisti i fshatit ishte një valltar që "fluturonte". Në Ahmetaj, ishin të shquar si valltarë: Ahmet Selfua dhe Laze Xhezua, të cilët e dridhnin mesin, sikur të ishin balerinë dhe e hiqnin vallen si flutur. Bukur kërcente dhe Breshan Fejzua, por ai ishte i rëndë dhe, kur kërcente, tundej dyshemeja.
Në Hysodosaj ishte një çift valltarësh: Kalo Qazua dhe Mete Medini. Atyre vallëzimi u ishte bërë ves e nuk rrinin dot pa kërcyer. Dëftojnë se në një gosti, Meten nuk e mbante vendi. E gjeti mënyrën për të dalë në valle dhe sajoi këngën:
"Se ç’m’u bë në ëndërr premë;
Metja me Kalon, në këmbë..."
Brofi Kalua, kapi Meten për dorë e gjëmoi vallja.
Në Hasanbegaj, ka qenë një njeri i lehtë, si flutur, i cili fluturonte në valle. Si Veiz Dano Takaj, asnjëri nuk kërcente në Kalivac. Kur dilte xha Veizi në valle dhe ia merrte këngës:
"... Do t’i vemi me firjan, xhan o more xhan;
Ta lan xhanja, pse s’ta lan;
Xhan o more xhan... "
Nuk pipetinte as miza!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.