Në Kalivaç të Tepelenës, kur bie mort, një i afërm i të ndjerit, sapo agon dita e re, me kuje, njofton për fatkeqësinë që ka ngjarë. Sakaq shtëpia ku ka ngjarë gjëma, mbushet me njerëz. Burrat, sapo shkelin pragun e derës, thonë: "Qyç e liga; qoftë i xhehnetit!" Mbasi zënë vendin që u takon, sipas hierarkisë fisnore apo asaj miqësore, numërojnë vlerat e të larguarit nga jeta; gratë, rreth xhenazes qajnë, me ligje, gjithashtu duke shpalosur vlerat e të ikurit.
Njëra nga gratë (zakonisht nga më të afërmet ose ajo që qan më mirë (kjo ngjan më rrallë)), qan me zë të lartë; të tjerat e pasojnë. Vaji, me ligje, i ngjan një kënge vaji, ku zërat harmonizohen, bukur, e ngjan me një këngë labçe, me shumë zëra. Qëllimi i këtij riti është i njëjtë: Lehtësimi i hidhërimit që ka lënë pas vdekja mizore.
Në Kalivaç ka jetuar një burrë, nga ata me rr rr të fortë. Ai ishte i fortë, i zgjuar, i shkathët, trim i tërbuar, këngëtar e valletar virtuoz, i dhimbsur si baba e si mik.
Një ditë ngarkoi pelën, me ushqime, kaloi vahun, afër Bishtit të Goricës të Shkozës, dhe mori udhën për në mëhallën Aligjon, të këtij fshati. Do të shkonte në Brahimaj, për t'u shpurë ushqime dy jetimëve, të vajzës së tij, Tanës, burri i të cilës u nda nga jeta, në moshën rreth 25 vjeç, në Korçë, nga një sëmundje që mund të shërohej. Këtë punë, Refat Mahmut Bilaj e bënte shpesh.
Sapo mori udhën anës fushës së Shkozës, tek varrezat e fshatit, dëgjoi një zë gruaje dhe pa një grua të veshur me të zeza, përmbys, mbi një varr. Dy gra të tjera, po me të zeza e shoqëronin atë.
Refati, si këngëtar "brilant" pëlqente dhe ligjërimin e vajit, kur ajo që qante, numëronte, me ndjenjë vlerat e atij që ishte nën dhe. I zbriti pelës Refati, u ul në bisht, pranë varrit, me qëllim që të dëgjonte më mirë.
Priti sa shoqërueset e ngritën të helmuarën dhe, atëherë i pa fytyrën asaj që ligjëronte. U mahnit kur njohu krushkën Fatime e cila qante me ligje Ferrikun, të birin e Idai Brahimit, i cili ishte biri i saj i ndjerë dhe dhëndër i Refatit!...
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.