Nuk besoj të jetë e tepërt po të përsërit se Kalivaci i Tepelenës është i bekuar, i bukur e i begatë dhe i lakmuar. Historia e tij shumëshekullore e ka përkundur në dallgët e saj dhe dyndjet kanë përcaktuar përkatësinë fetare të popullsisë, e cila ka qenë variabile. Popullsia e Kalivacit, së fundmi është renditur në sektin bektashian, të fesë myslimane. Në të vërtetë, ajo nuk beson në fe. Kalivacasit i janë falur e i falen djersës së tyre dhe natyrës që i rrethon.
Në lashtësi, Kalivaci është ndodhur në trevat katolike të vendit. Toponime të shumta dhe emra njerëzish na e dëshmojnë këtë. Përroi i Shën Marisë dhe kisha me të njëjtin emër; emrat e njerëzve: Gjon; Lekë etj. janë domethënës.
Pushtimi sllav, bëri që mbi Kalivac e rrethina të fryjë era e ortodoksizmit. Për këtë na thonë toponimet: Jorga; Përroi i Zelenicës; Bozanaj, Ledhi i Kishës; pesë objektet e kultit ortodoks (kishat), njëra nga të cilat është ende në këmbë si rrënojë etj., janë dëshmi të qarta të kësaj dëshmie të pakundërshtueshme.
Pastaj fshati dhe treva u pushtuan nga Osmanllinjtë. Kalivacasit, ca me hir e të tjerë me pahir, u bënë myslimanë. Simbole të pushtimit Osman janë toponimet: Muratova, Fengje dhe pambarim emrat e njerëzve.
Në çdo periudhë kohore, pavarësisht nga kushtet e rënda të pushtimit të dhunshëm, kalivacasit e kanë ruajtur identitetin e tyre dhe pastërtinë e komunitetit. Në Kalivac, të ardhurit janë ingranuar e përshtatur ëmbël, me vendasit, saqë, sot, duken si i njëjti komunitet. Kanë pasur mjaft të përbashkëta, ndaj ka ndodhur kësisoj....vijon...
...vijon... Vështroni krushqitë që kanë lidhur kalivacasit, në vite. Me Shkozën; me Sevasterin; me Golimbasin; Me Gorishtin; me Kutën; me Çorrushin; Me Fratarin; me Krahësin; me Toçin, me Qesaratin e me krahina të tjera të vendit. Kalivacasi nuk është as racist; as ksenofob. Ai ka pranuar në Fshatin e tij, me bujari e me besë, Meshinajt nga Malëshova; Kagjinët, nga Zhei; Todin dhe Pilon nga Poliçani, punëtorët e zjarrit, nga Brezhani etj.etj. të cilët janë të fesë ortodokse. Kalivacasve ua zbukuron portretin fisnikëria; bujaria e shpirtit dhe krenaria e ligjshme.
Rrugëtimi i gjatë në shekuj i ka bërë kalivacasit tolerantë. Në shkrim dua të ndalem tek toleranca fetare, aq shumë e lakuar dhe e çmuar, si virtyt edhe i kalivacasve.
Ajo që dua t’ju rrëfej, ka ngjarë në vitet '50 të një shekulli më parë. Dy djem nga Kalivaci, nga më të mirët; të shëndetshëm, të bukur e të zgjuar dhe nga familje me biografi të kulluar, u mobilizuan për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në kufi, në rajonin e Çarçovës e të Përatit. Pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm, të dy qëndruan nënoficerë aktivë. Hynin e dilnin në familjet vendase dhe u pëlqyen, u dashuruan, u fejuan e lidhën martesë, me dy vajza vendase, të fesë ortodokse.
Njëri syresh ishte Serjan Aliko Muharremaj, i cili rrëmbeu thëllëzën e malit, me emrin Kristinë dhe tjetri ishte Ismail Breshan Bejomalaj (Nelaj), i cili rrëmbeu (me pëlqim të dyanshëm) bukuroshen Kostandinë, në fshatin Zhepë, gjithashtu të fesë ortodokse.
I sollën të dyja në Kalivac. Kisha dëgjuar gratë e mëhallës time, të cilat mbasi shkuan i panë nuset e sapoardhura, komentonin: “Nuse më të bukur se ajo e Smailit, nuk ka ardhur në Kalivac”. Të njëjtën gjë, komentonin dhe për Kristinën e Serjanit. Madje, në familjen e Serjanit, për shumë kohë, betoheshin për kokën e Kristinës.
Të dy djemtë, që u martuan me vajza të fesë tjetër, përveç guximit rinor, patën aleat vizionin për të ardhmen dhe edukatën e shëndoshë që kishin marrë në familjet respektive. Në vitet që pasuan shembuj të tjerë ndoqën të parët e sot gjykohet ndryshe.

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.