Dikur, për shkak të statusit, shkoja në konvaleshencën e Ushtrisë, në Durrës, me pushime. Fëmijët ishin parashkollorë dhe kisha të preferuar dy javët e para të shtatorit, kur dielli ngrohte por nuk të përvëlonte, kur deti ishte i ngrohtë e rëra gjithashtu. Në mensë, dieta pasurohej me vitamina frutash bio, lloje-lloje. Si unë vepronin dhe disa kuadro kryesorë të Ushtrisë (gjeneralë) të cilët banonin në një godinë më vete dhe ushqeheshin në mensë të veçantë.
Në atë kohë luaja ping-pong, mjaftueshëm. Petrit Dumës i pëlqente të luante me mua se e toleroja.
Në një rast, në rërë, pranë çadrës ku mbrohesha nga rrezet e diellit, ngriti çadrën, gjenerali Hito Çako. Djali im, Adi, 5-vjeçar zuri shoqëri me vajzën e vogël të gjeneralit dhe luanin, së bashku, në rërë e në breg të detit. Unë rrija nën çadrën time, si në gjemba, mbasi nuk kisha njohje nga afër me Hiton.
Në një rast, Ai theu heshtjen dhe e hodhi i pari hapin, për t’u afruar. Pyeti tim bir: “Nga je ti”? Nga Kalivaci i Tepelenës, u përgjigj, serbes djali. Ke ke në Kalivac e pyeti “shefi”? Adi, pa u menduar dy herë, u përgjigj: “Kam gjyshin, Nënën, dhëntë, gomarin dhe qenin”, e ku ta di unë se çfarë i tha tjetër.
A shkon në fshat ti, vijoi shtetari? Shkoj e do të shkoj, pas plazhit, ishte përgjigjja e Adit.
Gjenerali e tërhoqi pas këmbës dhe vijoi ta pyesë: “A do të më marrësh mua, kur të vesh?” Prisja në ankth përgjigjen, Adi, pasi u mendua pak i ktheu përgjigje tjetrit: “Jo! Nuk të marr!”
“Po përse?” i tha Hitua. “Se je rrugaç” ishte përgjigjja fëminore e djalit! Nuk dija ku të futesha!

Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.