Dikur, për të përcjellë në banesën e fundit, një njeri të familjes, të fisit, apo një të dashur tonin, bëhej një kortezh i gjatë, me makina e autobusë, dhe ndonjëherë me procesion religioz. Madje marrja pjesë në varrim dhe hedhja e një grushti me dhe të ndjerit (ndjerës), konsiderohej si nder i madh në mes të hidhërimit.

Virusi i mallkuar na detyron të mos marrim pjesë as në përcjelljen e fundit. Na dhemb koka e në ndihmë na vijnë specialistët e mjekësisë, të cilët, në këtë situatë kanë shpalosur jo vetëm vlerat humane por duhen konsideruar “heronj” të situatës.

Sot, në fshatin Toç të rrethit të Tepelenës, u përcoll një i afërm imi, për fat të keq, u mjaftova me një telefonatë ngushëllimi. Më thoni, a nuk ngjan kjo me një situatë analoge syrgjyni, kur djemtë e popullit vdisnin në dhe të huaj e nuk u bëhej asnjë rit shoqërues.

Atë vuajtje njerëzore, populli e ka fiksuar në këngë që të transmetohet, nga brezi në brez.

Kënga thotë:

“... O Brahim a unë nata;
qysh vajtë dhe ti, si Baba;
hem pa drekë e pa të shtata...”

Brahimit i kishte vdekur më parë Babai, siç ngjau dhe me të birin!