Nuk mund t’i quaj të arrira shkrimet për fshatin tim të dashur, Kalivaçin e Tepelenës, pa hedhur disa radhë, për kafshët shtëpiake të cilat e kanë shoqëruar kalivaçasin që nga kohët kur nuk mbahet mend. Kjo ndërmarrje imja do të ishte e pakuptimtë po të mos kishte një lidhje të veçantë, të cilën shumëkush e quan kimi mes njeriut dhe kafshës. Mund të them se njeriu me kafshët është bashkëudhëtar. Ata, së bashku kanë përshkuar shekuj të tërë e udhës janë miqësuar njëri me tjetrin. Me disa syresh, miqësimi ka qenë më i theksuar teksa me të tjera, më i varfër. Siç rrëfejnë gojëdhënat, njeriu, fillimisht kafshët i ka përdorur për të ngrënë mishin e pjekur të tyre dhe ky veprim i tij, ka ndikuar fuqishëm në vetë evoluimin e njeriut.

Njëra nga kafshët shtëpiake, e cila i ka qëndruar vazhdimisht pranë njeriut dhe është sjellë me bindje e besnikëri ndaj tij, ka qenë qeni. Në Kalivaçin e Tepelenës tradicionalisht, çdo familje ka pasur një qen. Në të shumtën e herës, qeni është mbajtur i lidhur, i veçuar nga njerëzit e larg kontaktit me ta. Ky lloj "izolimi" ishte i qëllimshëm e bëhej, në mënyrë që qeni të ishte i ashpër me ata që nuk i njihte dhe të mos kursente asnjërin prej tyre. Nëse shkon krahasimi, qeni në të shkuarën dhe celulari sot, janë dy miq të cilët, rëndom gjenden pranë njerëzve; së paku në çdo familje.

Një kategori e veçantë qensh, me statusin e të preferuarit, janë qentë e stanit. Përfytyroni një të tillë, trupmadh, leshator, të egër në sjellje me të huajt dhe ledhatues, deri në servilizëm ndaj çobanit të stanit. Destinacioni i tij ka qenë e mbetet të ruajë të paprekshëm stanin, në kuptimin e vendit ku qëndron çobani por dhe gjëja e gjallë. Kafshë të tilla, janë të zgjedhura nga racë e mirë dhe e sprovuar. Nuk i ndahet mikut të tij (çobanit) "murrua", si në nome (stan) dhe në kullotë. Meqenëse e nisa këtë rrëfim me qenin, dua të plotësoj merakun e ndonjë bashkëfshatari, i cili, kohë më parë, me qesëndi, më pyeste: "Kur do të shkruash për qentë e stanit?" Mbase erdhi koha t’i plotësohet dëshira edhe atij dinjitari.

Cilido që ka monitoruar, qoftë edhe për disa ditë bagëti të imëta dhe ka pasur pranë një qen stani, me siguri që ka përcjellë çaste fatlume në shoqërinë e tij.

  • Komunikimi i njeriut me kafshët, sa historik, aq aktual

Përfytyroni një pllajë të gjelbëruar, ku tufa e dhenve është "shtruar" në kullotë dhe çobani është ulur mbi një gur apo mbi një shkarpë e i bie fyellit për qejfin e tij, pranë ka qenin, i cili nuk i ndahet por e vështron, në sy, me gojë hapët e me gjuhë përjashta, me bishtin që i tund çobanit në shenjë servilizmi që ai t’i hedhë ndonjë copë bukë apo ndonjë kockë dhe, të dy janë në sintoni të plotë. Çobani, nuk është muzikant, e nuk ka kryer ndonjë shkollë muzike, madje ai mund të mos dijë fare të shkruajë e të lexojë, por avazet që luan me veglën muzikore me tubin që mban në dorë ose e vendos në qafë, janë të bukura e nga ato raste kur kalimtari ndalon frymën dhe çapin për një çast, për të shijuar melodinë që dëgjon. Po cilat janë motivet që lëvron një çoban i fshatit tim, me fyellin që nuk e ndan nga vetja? Me njërin cep të buzës dhe me gishtat që përdor për të hapur e mbyllur vrimat e tubit metalik, ai i këndon vëllait që ndodhet në kurbet; një të afërmi që është prapa hekurave; një të riu të familjes apo të fisit, i cili ndodhet në ushtri; një dashamiri të tij, për të cilin ka mall, se është ndarë nga kjo jetë etj. Interesante janë meloditë me fyell, kushtuar të dashurës së zemrës. Duke u ankuar për vetminë që e ka pllakosur, çobani, djalë i ri, në moshën për t’u martuar, ka pikasur një vajzë si gjeraqinë, të cilës i ka parë vetëm për disa sekonda sytë, kur ajo ishte duke fshirë avllinë apo duke u hedhur haje kafshëve.

Në rastin më të mirë ai i ka parë shtatin si selvi, dhe hiret vashërore mbuluar, kur ajo shkonte në burim për të mbushur ujë, mes shoqeve apo në një festë familjare kur e kishte parë duke vallëzuar, si flutur. E kishte parë, i kishte mbetur mendja dhe e ëndërronte ta kishte në krah atë "perri". Asaj i thurte meloditë më të bukura, me vulgun e shpirtit rinor dhe me shpresën se një ditë do ta kishte pranë. Në çdo rast, qeni, kafsha e tij besnike, në pamundësi për të mbajtur iso, e miratonte melodinë në mënyrën e vet, atë që shprehte çobani, me fyell apo me cylë dhe me "vegla" të tjera të mundshme çobanërie. Çobani komunikon me bagëtitë që mbarështon; ai ka mënyrën e vet të komunikimit me to. Dikush bën të habiturin e tek dëgjon një gjë të tillë, mbledh supet e thotë, me habi: "Ua ditka gjuhën; u flet në gjuhën e tyre dhe kafshët e kuptojnë".

Po t’i referohemi praktikës shumëvjeçare të transmetuar nga brezi në brez, na del se profecia e disa rasteve, po t’i mbledhësh e thotë vetë atë që ka për të thënë. Duke i rënë fyellit për qejfin e tij, çobani dukej sikur u thosh dhenve: "Kullosni ju; kullosni se unë këtu jam", kurse qenin e siguronte për miqësinë e tij.

Kur ndonjë dele shkëputej nga tufa e bridhte kuturu, për të gjetur më tepër ushqim, çobani i bërtiste: "Aj, bravare"; duke i përmendur emrin me të cilin ai vetë e ka pagëzuar si: kuaca, vakerra, krruta, menja, llaja, bejka, cuka, sykuqe, kaleshe, larë, etj. etj. Kur çobani ka përpara dhi, të cilat janë më të shkathta e kobatare, çobani me qëllim që kafsha të mos shkojë në zarar (të mos bëjë dëm), i bërtet: "Ci. i. i" e i përmend emrin: "kabadhe, shyte", etj. etj.

Kur i shpinte dhentë për të pirë ujë, në lumë, në Sheshin e Donijes apo në fundin e Jorgave, në mënyrë që ato të jenë të qeta e të pinë ujë sa kanë etjen, çobani u fishkëllen, duke i siguruar se është aty, në roje të tyre. Më ka rastisur të vëzhgoj, një bujk, i cili "ngiste" një pendë qe, e leronte arën, me plug por dhe me parmendë druri, kur e përziente ose kur e mbillte atë. Ai, shpesh, u bërtiste qeve që kishte përpara, në zgjedhë: "Oha, kazil-o, sorran-o, Verdhan-o, arap-o" etj., "në brazdë".

Kur vështronte se njëri i bënte hile ortakut në zgjedhë dhe kur kërkon që ata të ndalen, u thotë: "O- ha" dhe ngul hostenin në tokë e lëshon nga dora bishtin e parmendës.

Komunikimi i njeriut me kafshët, sa historik, aq aktual

Është vërtetuar shkencërisht dhe në praktikë se edhe lopët, kur në stallat e tyre dëgjohet muzikë, ato prodhojnë më tepër qumësht. Kështu dhe dhentë apo dhitë, kur dëgjojnë meloditë e bukura të luajtura nga çobani që i mbarështon, sikur ledhatohen e lëshojnë më tepër qumësht.

Qeni, vërtet është besnik e i bindet të zotit, por mjaft besnik është dhe kali. Ndër kafshët e ngarkesës, kali mund të konsiderohet nga më besnikët e kalorësit. Me siguri që keni parë kalërim. Edhe kur kalorësi pa dashje rrëzohet nga kurrizi i kalit mbi të cilin kalëron, ky i fundit nuk e shkel, por e anashkalon atë ose angazhohet për t’i siguruar kalorësit mundësi që të ngjitet sërish mbi shpinën e tij. Ka dhe një gjë, e cila duhet thënë. Kali e në tërësi kafshët e ngarkesës, kanë intuitë të zhvilluar dhe forcën e parashikimit të ndodhive negative e kanë vepruese. Sa e sa raste mund të përmenden kur një kafshë ngarkese, në një udhëtim të pasigurt, kur parashikon se diçka e keqe do të ndodhë, tenton të kthejë udhë, dhe kur kalorësi e detyron për të vijuar udhën, duke e goditur kafshën me mamuze apo me shufër, kafsha ngul këmbë, me kokëfortësi, turfullon e nuk vazhdon më tej.

Mbase do të ngjajë si përrallë, por më ka ndodhur personalisht e dua ta ndaj me ju: Disa kafshë, ku renditet jo vetëm qeni, kali etj, por dhe macja janë roja besnike që sigurojnë paprekshmërinë e njeriut. Në vitin 2012, më 10 gusht mora pjesë në festimin e formimit të Batalionit Partizan "Baba Abaz", në Donije të Kalivaçit. U bë festë e madhe. Gëzimi i njerëzve nuk kishte të sosur. Aq shumë njerëz, nuk ishin mbledhur ndonjëherë në atë buzë lumi. Era e mishit të pjekur dhe e rakisë të çante flegrat e hundës. Natën e kalova në shtëpinë e njeriut tim: Reshat Resmi Nelaj, në Shure. E zonja e shtëpisë, e ndjera Xhiko, një grua për kokën e gruas: e dashur, e mençur dhe pastërtore, më shtroi në një dhomë më vete, në mënyrë që të isha i qetë.

Meqenëse, shtëpia është përdhese e natën mund të futen zvarranikë të dëmshëm, gruaja e kujdesshme zemërmirë, mbylli, si pa dashje, brenda dhomës ku pushoja unë, macen e shtëpisë. Në mëngjes, kur pashë macen aty, u habita. Habinë time e sqaroi një ditë më vonë e moshuara Yzeme Malaj (Nelaj) (ndjesë pastë), kur i vajta në shtëpinë ku banonte, tek djali i saj - Skënderi. "E ka lënë për të të ruajtur nga zvarranikët agresivë - o derman!" - tha ajo. U sqarova dhe për këtë ndodhi.

Nuk mund të numërohen rastet dhe dukuritë që kanë zënë vend e janë kultivuar me kohë, në raportet e njeriut me kafshët e shtëpisë, madje dhe me egërsirat e pyllit. Ka qenë i detyruar njeriu të komunikojë me kafshët, ndaj është përpjekur të gjejë "gjuhën" me anën e së cilës të merret vesh. Në material u paraqitën disa raste e shfaqje tipike por, në praktikë ka më tepër e janë më të larmishme. Kalivaçi, si gjithë të tjerët por ca më tepër ky (mbasi llogaritet të jetë më i lashtë) është dhe më i pasur në ndodhi. Kohët kanë ndryshuar dhe mentalitetet nuk janë të njëjta por, në esencë gjëja mbetet po ajo. Rrëfeva për qentë e stanit dhe për ata që ruajnë shtëpinë. Ashtu ka qenë: Shtëpitë që ndodheshin të veçuara, si p.sh. në Ruc; në Arat e Buta, në Margëlliç; në Çesmën e Thatë e gjetkë, mbarështonin qen të fortë e të egër, të diktuar nga largësia; brendapërbrenda mëhallëve, kjo dukuri zbehej. Sot, kafshëve shtëpiake, u bëhet shërbim tjetër e ato, në njëfarë mënyre kanë zëvendësuar fëmijët e familjeve që kanë shtegtuar në emigracion. Në Tiranë, p.sh., nuk del dot në rrugë se përplasesh, me makina luksoze, ose me të moshuar që mbajnë për dorë, me kapistër, një qen të bukur, të pastër, e si rregull të bindur, të cilit i japin koncentrate për të ngrënë, e lajnë me shampo, madje i fshijnë dhe të ndenjurat me picetë, kur jashtëqit. Dikur, për një qen të fortë kujdesej vetëm pronari, të tjerët ku ta gjenin për ta goditur, sot, për qenin kujdesen jo vetëm familjarët, por dhe shoqëria, shoqatat e ndryshme dhe bëhet nami po të keqtrajtohet një kafshë. Nuk jam kundër kësaj praktike por mendoj se ka më tepër vend për trajtimin si duhet të njerëzve.

Kalivaçasit, kanë qenë e janë mjeshtër të mbarështimit të bagëtive dhe bujq të mirë. Asaj cope toke, që kishin, në fushë apo në vende të varura, ia bënin shërbimin, e siguronin mbijetesën. Bujku Xhemal Haxhi Nelaj, e punonte arën, në Margëlliç, e sistemonte, e pastronte nga barërat e dëmshme dhe e ruante atë, me përkushtim. Nuk shkelte këmbë njeriu, apo bagëti në arën e tij dhe merrte rendimente të larta. Ta kish ënda të vështroje arën e xha Xhemalit, të qëndisur, siç qëndis vajza pajën. Bujq të tjerë, kujdeseshin për arën dhe për kafshët e punës, ato të ngarkesës dhe për bagëtitë e imëta që mbarështonin. Vëllezërit Veiz e Rrapo Dano Takaj, në Hasanbegaj; vëllezërit: Sefer e Mahmut Rushiti, në Leshnje; Shefit Qazimi; Kalo Qazua; Mahmut Muharremi e shumë të tjerë në Hysodosaj, ishin esnafë të punimit të tokës.

Meqenëse, puna e bujkut nuk bën dot pa atë të blegtorit, në fshatin tim ka pasur dhe esnafë, të cilët punonin tokën dhe mbarështonin bagëti të imëta. I paparë ishte Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj) i cili arat në Llagëme dhe stanin në Ferra, i kishte bërë si shtëpinë e tij të dytë. Ahmet Selfua; Refat Mahmuti dhe vëllai i tij Karafili, Shyqyri Abedini e mjaft të tjerë, ishin sa bujq, aq dhe blegtorë të mirë. Një takëm si Azis Selfo Alidervishaj; Shefit Qazim Muharremaj etj. përveç pasionit që kishin për tokën dhe bagëtitë, u zinte dora, për të bërë vegla pune dhe kur shartonin pemë apo ishin të përfshirë në fushën e vreshtarisë kishin rezultate befasuese.

Meqenëse kalivaçasi kishte pasion blegtorinë dhe jetonte në saje të prodhimeve të saj, nuk kanë qenë të paktë fyelltarët cilësorë, në të gjitha kohët. Rrëfehet si gojëdhënë, fakti që blegtori nga Kalivaçi Malko Bino Nelaj, kur i binte fyellit, bënte të lëvrinin edhe zvarranikët e dëmshëm nëpër pyll e nëpër shkurre. Çobani Aqif Axhem Caushaj, një vetmitar, mjeshtër i mbarështimit të dhenve, ishte dhe mjeshtër për t’i rënë fyellit. Zenel Jaupi; Kalo Gucja; Sabri Veiz Takaj, Celo Ago etj, me fyellin e tyre, "ngjallnin edhe të vdekurit", etj. Një burrë nga Kalivaçi, i cili quhet Enver Qemal Zenelaj (Mucoimaj) i bie aq bukur fyellit sa ka përfaqësuar fshatin, në grupin polifonik edhe në festivalet kombëtare ku grupi polifonik i fshatit është renditur në vende nderi. Kjo, padyshim është dhunti, por është dhe ushtrim i vazhdueshëm i një "aneksi" të punës së çobanit.

Nisur nga realiteti mbizotërues, nuk mund të mos themi se kalivaçasit, përveç vlerave të tjera, të thëna e të përsëritura, shpesh, kanë dhe shpirt artisti e veshë muzikanti.

Komunikimi i njeriut me kafshët, sa historik, aq aktual

Puna e kafsharit nuk është më pak e vështirë nga ajo e bujkut dhe e blegtorit. Mbarështimi i kafshëve të ngarkesës është art më vete. Bazuar në varfërinë e skajshme të kalivaçasit dhe në terrenin kodrinor e me rrugë tërë kthesa e me shumë zigzake, bashkëfshatarët e mi, përgjithësisht kanë mbajtur në katonjtë apo në kasollet e tyre gomerë. Gomari është kafshë ngarkese ekonomike, me pak shpenzime dhe i zgjuar. Shumëkush, kur ka për qëllim të ofendojë një tjetër e krahason atë me një gomar.

Por nuk është kështu. Thënia e rëndomtë: "Ik, or gomar!" nuk ngjit gjithmonë.

Sa për ta ditur, arabët, në rrugëtimet e gjata nëpër shkretëtirë, ku dunat e rërës mbulojnë rrugën dhe oazet e ujit janë qindra kilometra larg, në krye të karvanit vënë një gomar. Këtë e bëjnë jo më kot. Gomari, si kafshë e zgjuar dhe e duruar e mban mend udhën ku ka shkuar qoftë edhe një herë të vetme, edhe në rastet kur ajo është e mbuluar nga rëra. Mund t’ju sjell dhe një shembull tjetër, të lidhur me të parin. Gjeometrat topografë, kur duan të piketojnë një udhë automobilistike të re, në një terren të thyer, në fund të malit, (në bazën e tij), aty ku nis lartësimi i malit, marrin një gomar, i vënë në samar rreth 70 kg ngarkesë dhe e lënë të lirë, të ecë sipas dëshirës, dhe në çdo kthesë vendosin piketa, deri sa mbërrijnë në krye të lartësisë.

Në këtë mënyrë është piketuar udha automobilistike malore që ngjitet nga Sinanajt, mbi Dorëz, del tek shtëpitë e Mahmut Imerit e vazhdon më tej, në udhën mespërmes Malit të Bardhë, për në Sevaster, e më tej. Me këtë metodë është piketuar dhe udha malore tërë kthesa e Llogarasë, e cila ngjitet nga Drimadhe, në Qafën e Llogarasë.

Nuk e ka të vështirë ta ndalojë i zoti gomarin kur ai është i ngarkuar. Duke i thënë "ysh", kafsha lëviz përpara kurse kur dëgjon togfjalëshin "Y-tpp" ai ndalon. Pra, veshëgjati nuk është vetëm ekonomik por dhe i bindur. Ka dhe një përparësi tjetër. Meqenëse është i ulët në shtat, veshëgjatin mund ta shfrytëzojnë dhe ulokët, siç ka pasur raste, në Kalivaç e më tej.

Kalivaçi i Tepelenës është i bukur për turizëm, i begatë për të jetuar dhe i sigurt, por dhe tepër i vështirë, si terren. Fukarallëku dhe mjaft shkaqe të tjera, e kanë çuar kalivaçasin drejt pranimit të gomarit, si kafshë ngarkese; por nuk është gomari e vetmja kafshë e këtij lloji. Në fshatin tim, mushkat janë vërtet të rralla, por vegjetojnë, ndonëse janë specie në zhdukje. Mjaft familje kanë mbajtur e mbajnë kuaj si kafshë ngarkese. Muharrem Qerimi; Hamza Sheshua; Tahir Axhemi; Ferrik Çobani; Ali Xhelili; Veiz e Rrapo Danua; Ago Manxhari; Gani Dashua; Muharrem Ismaili; Dule Alushi; Ahmet Fejzua; Tefik Medini; Qamil Sulua, Muharrem Kamberi, Dine Xhelali, Breshan Fejzo, Tahir Muharremi, Qemal Sherifi, Ahmet Selfua, Musa Mehmeti e Musa Brahushi; Banush e Laze Xhezua; Abedin Kahremani; Refat Mahmuti; Muhedin Salihu etj. kanë mbajtur kuaj e pela. Disa i mbanin me gjithë pajisje shale, për të marrë nuse; të tjerë, disa kuaj të zgjedhur i shfrytëzonin për të shirë grurin në lëme, kundrejt shpërblimit në natyrë ose në të holla; një pjesë për të mbarsur pelat etj.

Por kafsha bazë, e cila ishte dhe ekonomike ka qenë e vazhdon të jetë gomari. Ato familje, të cilat e kanë të pamundur të mbajnë kafshë të tjera ngarkese, i "falen" veshëgjatit, i cili ushqehet me gjemba e me ferra, në natyrë dhe nuk e "preferon" tagjinë.

Shembuj të panumërt na bindin për domosdoshmërinë e komunikimit të njeriut me kafshët; me zë, dhe me "gjuhën e trupit". Edhe pulave, kur nikoqirja u bërtet: "botë-botë", të huajat ndahen veç. Kalit, kur kalorësi i thotë: "Dur"; ai ndalon; qenit, kur i zoti e ndërsen me fjalën: "odosa", ai e sulmon të panjohurin; kurse demave që maten me njëri-tjetrin në fushën e nderit, të zotët e tyre, i nxitnin me fjalët: "Borro- borro- borro- mu", e ata sulmojnë me furi njëri-tjetrin.

Kështu veprohet dhe me deshët kur ndeshen kokë me kokë; veçse atyre u thuhet: "tok-tok-tok" etj. Kalivaçi ka njohur blegtorë esnafë, të cilët, i kishin dhentë, profesionin dhe pasionin e tyre të dashur e të preferuar. Ata komunikonin me dhentë jo vetëm me fjalë por dhe me gjeste; pra me gjuhën e trupit. Një esnaf për mbarështimin e dhenve, kur u jepte atyre bar, në stinën e ftohtë, si kufi, në fund të parcelës, ngulte shkopin; sipër tij vendoste xhaketën dhe dhentë nuk e kalonin shenjën që kishte vënë çobani. I njëjti njeri, kur kthehej, në shtëpi, në mbrëmje, nuk qëndronte kurrë në fund të tufës së dhenve, por, dilte përpara tyre dhe ato e ndiqnin pas, instinktivisht e për hir të traditës shumëvjeçare.

Ka një gjë që duhet ditur: Kafshët, në raportet me njëra-tjetrën, kanë e zbatojnë kodet e tyre. Ato jetojnë sipas kodit të tyre gjenetik. Ligjet e kodit të tyre, ngjasojnë, por nuk janë po ato, me ligjet, traditat, normat zakonore, doket dhe me praktikat e marrëdhënieve mes njerëzve. Ndryshimi qëndron në faktin e thjeshtë se, nëse njeriu, kur nuk zbaton ligjet, ndëshkohet, ligjërisht; kafsha i zbaton ato instinktivisht dhe ndëshkohet për moszbatimin e tyre, dyfish: nga natyra dhe nga njeriu. Pa u futur në brendinë e shpjegimit të këtyre dukurive interesante, punë e cila është kompetencë e specialiteteve të tjera, dua t’ju sjell në mendje një ngjarje të jetuar e të vrojtuar nga autori i këtyre radhëve, kohë më parë.

Më ka lënë mbresë e nuk e harroj, një ndodhi, të cilën e kam vrojtuar në Voskopojë, ku, për shkaqe vetjake e familjare, kam shkuar thuajse çdo vit, për të pushuar, në atë natyrë të bukur e mes atyre njerëzve të bekuar. Për të mos e zgjatur rrëfimin, vija re, çdo mëngjes, që nikoqiret nxirrnin lopët tek shtegu e ato i grumbullonte në tufë prej rreth 40 krerësh. I çonte në kullotë, në mal, një lopar, i cili e ushtronte këtë profesion, i detyruar nga papunësia si zdrukthetar. Një mëngjes, po ngjitja të përpjetën që të çon tek Manastiri i Shën Johan Prodhromit.

Kur mbërrita tek kisha e lashtë e Shën e Premtes, atje tek është një çesmë dhe një llekan (tip govate prej betoni), ku mund të pinë ujë kafshët, vura re një mrekulli. Aty pashë një dukuri tepër interesante, të cilën nuk mund ta shpjegoja. Një lopë, me ngjyrën e lëkurës bezhë, pa brirë në kokë, me gjinjtë që i vareshin deri afër tokës, po pinte ujë, në llekan. Një mëshqerrë, me të njëjtën ngjyrë të lëkurës, merrte ujë, me gjuhë dhe lagte, për ta freskuar, pjesën e përparme të kokës së lopës. Shtanga. Pranë ishte lopari, një burrë i gjatë, rreth 2 m, me një stap (shkop) në dorë, me torbën me ushqimin e ditës në krah dhe me qenin që shoqëronte tufën e lopëve, në pyllin ku janë dukur dhe egërsira. "O Berti", i bërtita loparit, "hajde vështro çfarë mrekullie, mëshqerra i hedh ujë lopës në fytyrë për ta freskuar!"

"Lëre-lëre", tha Berti, me një të folur sip e Korçë, të llastuar. "Ato janë nënë e bijë dhe pa pirë ujë e ema, nuk e fut kokën në llekan e bija." Vështroni sa forcë ka kodi gjenetik i kafshëve dhe si zbatohet ai vullnetarisht, në mënyrë të përsosur. Po ne, që "na humbte vula", përse nuk bëjmë që ligjet e shtetit, të njihen e të zbatohen nga të gjithë, vullnetarisht? Sa trishtim ndjej, kur vë re të moshuar, me qen përdore, teksa fëmijët e tyre kanë marrë arratinë, për një jetë më të mirë. Po kthehet në epidemi, praktika e mosinteresimit të më të rinjve (të rejave), për prindërit e tyre. Nuk besoj të jetë vetëm çështje edukate! Le të më kundërshtojë, kush të dojë, nuk hip dot në një autobus urban se nuk ta lëshon njeri vendin, edhe kur është shumë më i ri (e re).

Secili le ta bëjë vetë krahasimin e veprimit të mëshqerrës së Bertit lopar, me sjelljen e paedukatë të një të riu që hiqet si i shkolluar e bën sikur lexon gazetën, kur pranë tij, në autobus qëndron në këmbë e mezi e mbajnë këllqet, një i moshuar, madje dhe një invalid! Sa turp! As sa kafshët nuk bëjmë për njëri-tjetrin; ku vemi kështu?

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Mynih, më 17.06.2019