(Një vështrim biografik, sipas kujtimeve të vëllezërve dhe fëmijëve të saj).

(pjesa e parë)

Zonja e Madhe e Binajve, koshtanakja, bijë e Temë Adushit dhe e Bejushes, e martuar në Kalivaç të Tepelenës me Xhevitin, të birin e Malko Binos dhe të Jeminesë, pas gati 15 vjetësh martese solli në jetë fëmijën e parë, në ditën e Ujit të Bekuar, më 6 janar 1940. Ishin kohë të trazuara. Kishte nisur Lufta e Dytë Botërore dhe Shqipëria ishte nën pushtimin e fashizmit italian. Varfërisë së skajshme të banorëve kalivaças iu shtua një zgjedhë e re, ajo e pushtuesve fashistë. Disa kalivaças qenë me fat; ata u punësuan në ndërmarrjet që hapën fashistët për kryerjen e punëve botore, ose në ndërmarrje të tjera të organizuara prej tyre.

Në Kalivaçin “rebel”, ishte në hapat e parë një lloj kundërshtimi ndaj pushtimit të huaj, fillimisht i heshtur e më pas shpërthyes, i nxitur nga vendas të arsimuar si Sulo Beqir Sulaj; Muharrem Hasan Nelaj etj. Më pas, kjo shkëndijë u shndërrua, dita-ditës në një lëvizje antifashiste, të cilën e futën në hullitë e Luftës Nacionalçlirimtare të rinjtë antifashistë që vepronin në fshat, në ilegalitet të plotë. Si fëmijë i parë, motra jonë e vetme, pruri gëzim në derën tonë e në familjen e re kalivaçase. Nuk dimë nga u nisën çobani i dhenve, yzmeqar i vëllezërve Muharrem e Beshir Haxhiut, nga Hasanimerajt dhe Zonja e Madhe e Binajve, një fshatare e thjeshtë nga Koshtani, që i vunë emrin vajzës së tyre Lumturi. Gjendja sociale e yzmeqarit dhe ekonomia e familjes së re nuk e justifikonin këtë emër. Ndoshta në këtë çështje kanë ndikuar mendjet e ndritura të pleqve përparimtarë të mëhallës Ahmetaj, ose idetë e bartësve të të rinjve përparimtarë të kohës.

Sido që të ketë ndodhur, Lumturia jonë nuk e pati jetën, siç i vunë emrin. Fëmijërinë, Ajo e përcolli në skamje e në ngushtësi ekonomike, si shumë bashkëmoshatare të saj, nga ato që nuk kishin as hi në vatër. Pas Lumturisë erdhi në jetë Niaziu. Sipas mentalitetit të kohës shtëpia e Xhevit Malkos, mbarë fisi e miqësia, përjetuan një gëzim të paparë. Në Binaj u ndez daveti; u therën shumë berra e rakia u derdh si lumë; buçiti kënga labçe – vënçe e u tundën dyshemetë nga vallja e kënduar, për të festuar ardhjen në jetë të trashëgimtarit të mallit e të gjësë, nipit të Malko Binos, i cili shtegtoi në Turqi e nuk u kthye, por humbi, pa nam e pa nishan dhe nuk i dihet as fundi; as varri.

Xheviti bonjak, fluturonte nga gëzimi e u ngjit deri në Teqenë e Baba Dero Dorzës, për të marrë emrin e djalit që kishte lerë në atë prag.

Lumturia, motra jonë

U rritëm si binjakë, ndonëse motra ime ishte lindur, gati tri vite më parë. Nuk ziheshim kurrë, por duheshim shumë, si motër e vëlla. Në atë fukarallëk të madh ne, fëmijët, gëzoheshim jo me kukullat, siç ndodh sot, por kur nëna jonë, Zonja e Madhe, priste e na qepte, me dorë, ndonjë petk të ri. Deri në klasën e parë të shkollës fillore, të dy, vëlla e motër, vishnim të njëjtin fustan (në atë moshë vishja fustan, si vajzat). I veshur me fustan dhe i zbathur, çapitesha me vështirësi nëpër rrugët me gurë të mëhallës Ahmetaj, duke përplasur këmbët nëpër ato popla që mbushnin sokaket.

Mbaroi Lufta e Dytë Botërore. Fshati ynë, vërtet u çlirua nga pushtuesit e huaj, por ai ra në një pushtim tjetër; në atë të skamjes e të mjerimit. Pas meje, familja jonë u shtua dhe me një fëmijë tjetër të seksit mashkull, të cilit i vunë emrin Selam.

Kur vëllai im ishte akoma në shpërgënj e përkundej në djepin e drunjtë të përgatitur nga mjeshtri drugdhendës Asim Cali, i doli në gushë një puçërr e zezë, e cila i mori jetën. E mjekuan plakat, me metoda të mjekësisë popullore, por shpëtimi i jetës së tij qe i pamundur. Ashtu si Selami, e pati fatin dhe vëllai i Reshatit e i Nelos, Pertefi, të cilin e zuri fruthi, me temperaturë të lartë dhe ashtu, prindërit e çuan në Shkozë, tek gjyshja Qerime, ku Ai u përkeqësua e ndërroi jetë. Viti 1945, rezultoi i mbrapshtë për Binajt.

Në atë vit, nga ky nënfis u hapën 6 varre. U ndanë nga jeta tre pleqtë e Binajve: Nelo Binua, bashkëshortja e tij Zadeko e më pas nëna e Xhevitit, Jemineja. Nuk i mbijetuan sëmundjes banale, dy djemtë: Selami dhe Pertefi; pasuan dy gjëma të rënda: vdekja e Resmi Nelos dhe e Behijes shtatzënë, vajzës së madhe të Resul Nelos dhe gruas së tij - Mbetes. Resmi Nelua vdiq shumë i ri dhe nga një sëmundje e rëndomtë, (nga pleviti). Mjekësia e asaj kohe ishte larg të qenit bashkëkohore, si me personel mjekësor dhe me medikamente.

Mbaj mend se, për çdo sëmundje, infermieri (se mjek nuk gjendej), të rekomandonte mjekimin me kininë. Kur vdiq Resmi Nelua, plaka Jemine Bazja dhe Behija nuse e qanë atë, me ligje, tek varri. Metodat popullore të mjekimit, përfshi hedhjen në djersë dhe veshjen e lëkurës, nuk dhanë asnjë rezultat për përmirësimin e shëndetit të Resmiut. Ai u nda nga jeta dhe la pas Zonjën e Vogël të Binajve, e cila ishte jo vetëm shumë e bukur, por dhe në moshë që nuk i kalonte të njëzetat. Resmi Nelua la dhe dy djem të mitur: Reshatin dhe Nelon, të cilët ishin për koromanen e bukës.

Reshati ishte moshatar me Lumturinë, kurse unë kisha ardhur në jetë 6 muaj përpara se të lindte Nelua.

  • Lumturia, motra jonë

Të dy djemtë që la pas Resmi Nelua, ishin fëmijë parashkollorë, kurse ekonomia familjare e tyre ishte tejet e varfër. Ata banonin në një përdhese, pa tavan e pa dysheme, të ftohtë akull me vatër e me oxhak, të shtruar me shur (baltë e bardhë) të përzier me bajga lope. Muret dhe çatia ishin ndërtuar me gurë të bardhë gëlqerorë. Ata nuk dispononin shtroje e mbuloje, por mblidheshin, me frymën e njëri-tjetrit mbi një minder (plisnok) e mbuloheshin me një rrogozhan (jorgan i sajuar). Veshja e tyre ishte keq e mos më keq dhe barkun nuk e ngopnin me bukë.

Vdekja e Resmi Nelos ishte një gjëmë e madhe; ajo u ndie thellë, si në familjen e ngushtë e në fis dhe më gjerë. Zonja e Vogël e Binajve, mbeti e ve, me dy fëmijë të mitur dhe në një moshë fare të re. U bënë të shtatat e Resmiut.

Në atë rast u mblodhën tarafi i Zonjës vejushe dhe të afërmit e Resmiut. Sipas traditës, gruaja e ve, pa kaluar shtatë ditë nga vdekja e burrit, detyrimisht duhet të deklaronte, nëse do të dilte nga shtëpia e burrit e do të kthehej, tek prindërit e saj, apo do të vazhdonte jetën, duke u angazhuar me rritjen e fëmijëve që i la burri i ndjerë. Për gruan e re krijohej një situatë tepër e rëndë. Ajo duhet të përballonte dhimbjen që i shkaktoi humbja e bashkëshortit dhe njëkohësisht të mendonte për të ardhmen e saj e të fëmijëve që kishte sjellë në jetë. Zonja e Vogël e Binajve, në kundërshtim me pjekurinë e moshës adoleshente, kur e pyetën për vendimin që do të merrte, Ajo u përgjigj, prerë: “Ky qe fati im; djemtë nuk i braktis e nga shtëpia nuk do të ‘dal’; unë do të lidh në kokë shaminë e zezë të zisë e do t’i shtrohem punës për të rritur këta ‘dy yje’ që më la jetimë Resmi Nelua!”

Një ulërimë pasoi fjalët e saj; ata që u ndodhën rreth vatrës, burra të mençur dhe esnafë, bërtitën njëzëri: “ashkosun”, që në turqisht do të thotë «bravo», apo «të lumtë»!

Po në atë natë, në takimin e burrave u shtrua dhe problemi për t’i gjetur një mbështetje, vejushës së re e të bukur dhe dy djemve të saj. Sipas traditës vendase, pleqësia iu drejtua, në radhë të parë, Resul Nelos, i cili ishte vëlla i të ndjerit, që të bëhej mbështetje, derisa të mëkëmbeshin djemtë, aq sa të mund të jetonin me vete. Resuli nuk e pranoi këtë kërkesë me justifikimin se ishte shumë fukara dhe se kishte në vatër shumë fëmijë, për të ushqyer. U hodh Xheviti, kushëri i parë i të ndjerit. Deklarata e tij e çiltër dhe fisnike përmbante shumë ndershmëri e përkushtim për të përballuar këtë situatë të rëndë.

Xheviti, i cili ishte rritur bonjak, dyerve të botës, u tha burrave të atij kuvendi mortor: “Do t’i bashkojmë të dyja familjet dhe, kështu do të jenë bashkë fatet e 7 njerëzve. Kështu, do të jemi më të fortë, për të përballuar hallin e madh që na ka zënë”. Ky vendim i tij ishte burrëror (gratë nuk pyeteshin në atë kohë), e u erdhi për shtat si njerëzve të trungut të Nelajve e kushërinjve të tyre, në mëhallë dhe atyre të përtej lumit - Qyrajve. U gëzuan të gjithë ata që ia donin të mirën asaj familjeje, të mbetur pa kryefamiljar. Me të drejtë u gjykua se tashmë, vejusha dhe dy djemtë e saj bonjakë do të kishin një mburojë të fortë dhe një mbështetje të sigurt. Tek Xhevit Malkua, të gjithë sa e njihnin, kishin besim në ndershmërinë dhe në drejtësinë e karakterit të tij.

Fisnikëria e tij njihej e çmohej nga të gjithë.

Qysh të nesërmen e asaj dite, nisi puna për bashkimin e të dyja familjeve. U tha; u bë. U bashkua çdo gjë: shtëpia; plaçkat; puna; trojet; arat e çdo gjë që deri atëherë kishte qenë në pronësi të secilës familje. Meqenëse bashkimi mund të ishte i përkohshëm, (sa të mëkëmbeshin djemtë), familjet ruajtën identitetin e sendeve që u bashkuan. Secili i dinte kufijtë dhe sendet e tij.

Për të banuar, të dyja familjet vendosën të sistemoheshin në shtëpinë e Reshatit (pas vdekjes së Resmiut, si kryefamiljar u njoh Reshati, djali i madh i të ndjerit). Ajo ndodhej në kufi me domenet e Musa Mehmetit dhe me ato të Muharrem Kamberit. Trualli dhe shtëpia rrethoheshin nga udha që të çonte, tek shtegu i avllisë së Muharrem Kamberit e më tej, tek Guri i Kalit (afër Kryes së Shtëpisë, ka qenë një gur, tek i cili, kalorësit ua hipnin kuajve).

Pas vdekjes së Behijes, vajzës së madhe të Mbetes dhe të Resul Nelos, e cila ishte e martuar me Tefik Barjam Isufaj, nga Hasanimerajt, Agai (Resul Nelua), u shpërngul në Gurishte, në tokën që i la i ati, ku ngriti dy kasolle në buzë të Përroit të Veldonit: njërën për të pritur miqtë; tjetrën për të ndezur zjarrin dhe për të mbledhur fëmijët. Një “rrip” trualli ku kishte kasollen në vendbanimin e mëparshëm, përposh avllisë, kur u shpërngul Agai në Gurishte, e mori familja e ribashkuar.

Më kujtohet inventari i sendeve që dispononim, si familje, në atë kohë. Seksioni ynë i përdheses me dy dhoma, kishte rënë brenda dhe Xheviti fukara, nuk kishte mundësi ekonomike që ta ngrinte, prandaj u ngjeshëm rreth vatrës, në pjesën e shtëpisë që i kishte rënë në pjesë Reshatit. Në pjesën tonë të shtëpisë, kur çatia nuk kishte rënë, në fund të dhomës ndodhej një tezgjah druri ku punonte qilima e rroba për shtrojë Zonja e Madhe e Binajve.

Kur u shemb çatia, tezgjahu u shkatërrua plotësisht e nuk pati nge, as të holla, për ta ngritur sërish në këmbë. Në shtëpinë e Reshatit, në fund të saj ishte një stivë me rroba. Në këtë stivë rrobash ishte grumbulluar e gjithë pasuria e luajtshme (shtroje e mbuloje) e të dyja familjeve. Në palët e asaj stive, e cila ishte e ndërtuar me dru dhe e fiksuar pas murit, ishin stivosur: një dyshek, i mbushur me lesh deleje, një jastëk, dhe një jorgan, i thurur, me rrombe, i mbushur me pambuk. Ato i kishte prurë Nelo Binua, kur u kthye nga kurbeti që bëri në Anadol.

Këto shtroje mjaftonin vetëm për një njeri; kur në shtëpi vinin më tepër se një mik (ato ishin për të fjetur miqtë), për të kaluar natën, i dyti e vështirësonte punën dhe e zonja e shtëpisë ndihej ngushtë. Plaku Nelo Bino kishte prurë nga kurbeti dhe mjaft enë të bakërta dhe një batanije të kuqe e cila, nga përdorimi i gjatë, ishte tripsur (holluar) mjaft e i kishte dalë boja. Kur Nelua grindej me Zadekon (gruan e tij) dhe me fëmijët, hidhte pas krahëve batanijen, dilte në shkallë dhe, në zemërim e sipër u thosh familjarëve: “Nuk rri më me ju, vikot e mutit; do vete tek Xheviti”… dhe kalonte në derën ngjitur, duke mburrur kunatën Jemine dhe të renë e saj, Zonjën e Madhe të Binajve.

Kur i kalonte inati, plaku Nelo, i harronte ato që kish thënë, hidhte përsëri rrobën e kuqe në krah e kthehej tek e ndara tjetër e përdheses.

Kur u kthye nga Anadoli, Nelo Binua, mes rrangullave e dhuratave të shumta pruri dhe një kazan të madh prej bakri me kapacitet bartës rreth 50 litra i cili përdorej për të mbledhur vajin e ullirit dhe për të nxjerrë niseshtenë. Kur u nda Xheviti, nga plaku Nelo dhe bijtë e tij, kazani i ra në pjesë Xhevitit. Ai u kujdes për të dhe e ruajti gjatë, deri në fund të jetës së tij, që i takon fillimvitit 1975. Nga sendet e vyera që solli kurbetliu Nelo Bino ndoshta ia vlen të përmendet një mulli kafeje prej tunxhi, cilësor, i cili i ra në pjesë Resmiut. Mulliri i kafesë, i rrallë në atë kohë, ishte i preferuari e i kërkuari në tërë fisin e më gjerë. Zonja e Vogël e Binajve, si menaxhere e mullirit, bënte sherr e shamata, kur ndonjë gjitone, bluante, në vend të kafesë, elb të pjekur, me mullirin e mirë të saj.

Nelo Binua u la djemve dhe Xhevitit pak truall. Aq ngushtë ishin Binajt për truall, sa nuk kishin vend as për të ndërtuar një vend septik për nevojat fiziologjike. Bahçeja mbi shtëpinë e Binajve ishte e Mane Tafilit. Për të zgjeruar truallin që trashëgoi nga xhaxhai, Xheviti u detyrua të shkëmbente lopën e vetme të familjes, Sorrilen e cila ushqente me qumësht 4 fëmijë e katër të rritur të asaj shtëpie, me bahçen që kufizohej me truallin e Abedin Kahremanit dhe në anën tjetër me arishtën e Musa Mehmetit. Në krye të saj ishte kopshti i Hysni Metes.

Në anën Lindore të bahçes ishte kullotë, e përbashkët (një vend i varur e me gurë, deri tek gërmadhat e shtëpisë së Ramo Nebiut) për të gjithë mëhallën dhe fshatin. Nga dera e shtegut të Hysni Metes dhe përpara portës së Mane Tafilit deri tek vendi ku mblidheshin, pa i thirrur njeri, burrat e mëhallës Ahmetaj, në kuvend sporadik, i quajtur Buzë, zbriste, tangent një udhë, e ngushtë me gurë, e cila kufizonte dhe mbronte bahçen e Abedin Kahremanit. Kafshë pune e prodhimi, nuk kishim; paga e yzmeqarit të dhenve që merrte Xheviti dhe lakrat e egra që mblidhnin dy Zonjat nga fusha na mbanin të gjithëve, me ushqim dhe përballonin harxhet e shtëpisë.

Sipas traditës vendase, kunata e madhe, Nëna jonë, e cila kishte ardhur në atë prag përpara Zonjës së Vogël të Binajve, kishte në dorë “frenat” e ekonomisë së përbashkët. Ajo mbante në brezmek çelësat dhe menaxhonte të ardhurat e familjes. Poshtë stivës së rrobave, afër derës, ishte vendosur një bucelë uji, me kapacitet bartës rreth 30 litra. Ajo ishte e ndërtuar prej listelave me dru vidhi të presuara e të fiksuara me një rreth flete metalike. Bucela rridhte dhe vende-vende e kishin izoluar, me baltë.

Kur regjej balta, bucela rridhte përsëri e lagte vendin ku ishte vendosur. Prandaj, prindërit tanë, e kishin ngritur atë, nga vatra (lexo nga sheshi i shtëpisë), me 2 - 3 pllaka guri gëlqeror. Në krah të saj, ndodhej një sepete, nga ato ku dikur futnin pajën nuset, çelësat e së cilës i mbante vetëm Zonja e Madhe. Ajo e përdorte atë arkë druri me zbukurime për të magazinuar zairenë dhe rezervat e familjes, të cilat, jo vetëm që shiteshin me pakicë, por dhe nuk gjendeshin në treg. Sheqeri, kafeja, mielli i grurit, gjalpi e sende të tjera ushqimore, me vlerë, zinin vendin kryesor në “magazinën” e nikoqires së shtëpisë.

Aty gjeje dhe ndonjë kokërr ftoi, ndonjë shegë, një grusht me arra apo me bajame, një varg me palafike, disa kokrra dardhë dimërore, ndonjë “duçe” me raki të mirë, të mblojtur për miq të rrallë, e ndonjë send tjetër ushqimor. Në sepete mbaheshin dhe niseshteja, mielli i grurit, i situr, i destinuar për të pritur miqtë me petulla e me paluze dhe vaji i ullirit ose, po të ishte e mundur, gjalpi i mblojtur për këtë qëllim. Më duhet të them se në ato kohë, ishte luks i madh të qerasje mysafirët me kafe, si kjo e sotmja. Vetëm ndonjë derë e kamur, ose ndonjë familje tregtari “e zënë” mirë ekonomikisht dhe vetëm për miq shumë të largët e të nderuar, mund të nxirrte kafe për qerasje. Në vend të kafesë, të ardhurve në shtëpi, nikoqirja u nxirrte një filxhan me shërbet ose me kafe elbi dhe një filxhan raki.

Zonja e Madhe e Binajve ishte bijë në fshatin Koshtan të Tepelenës. Si e tillë ajo konsiderohej malësore, ashtu si gratë që ishin martuar në Kalivaç por që ishin bija në Levan, Allkomemaj, Rabije, Izvor, Xhaxhaj, Kamçisht, Amanikaj dhe në fshatrat e krahinës së Buzit. Mes tipareve të tjera dalluese, ato kishin nam të mirë dhe si amvisa që gatuanin pastër e me shije. Si e tillë, Nëna jonë u caktua të bënte gatimin (gatim i thënçin), për pjesëtarët e familjes sonë, të bashkuar. Një nga detyrat e saj kryesore, ishte të priste e të përcillte me nderime e me gatime, siç u takonte, miqtë e shtëpisë.

Lumturia, që e vogël, mësoi nga e ema të gatuante si Ajo. Këtë “mjeshtëri”, Ajo e përsosi dhe e pasuroi kur u rrit e kur vajti nuse në një derë “të kamur”, siç qe ajo e Sulo Barjam Llakaj, në Krahës.

Një natë, kur nuk isha më tepër se 4 vjeç, Nëna jonë me cilësinë e nikoqires që mban në dorë tiganin, po ziente qull, në vatër. Qulli ishte për të ushqyer të gjithë anëtarët e familjes. Ne, të katër fëmijët ishim grumbulluar rreth zjarrit dhe ngroheshim e vështronim qullin që ziente. Mezi prisnim të ziente ai ushqim shumë i dëshiruar dhe të futnim diçka të ngrohtë në stomakët bosh. Si pekuli i familjes dhe pinjoll i tiganxhijes, po e vështroja Nënën time në dritë të syrit, me shpresë se mos bënte ndonjë lëshim.

Kisha zgjatur dorën drejt saj dhe kërkoja, me këmbëngulje e me përunjësi që ajo të më privilegjonte. E lodhur nga punët e rënda të ditës, e mërzitur dhe e bezdisur nga tymi që nuk i ndahej si dhe nga bezdija që i krijonim ne, duke i drejtuar duart, ajo, mori nga tigani një lugë me qull të përvëluar e ma lëshoi në dorë. Qulli i nxehtë më përvëloi e shputa e dorës u ngrit fllugë, menjëherë, si tullumbace. Ulërimat e mia dhe lotët që rridhnin çurkë, nuk kishin të ndalur. Brofën gratë që i kishin shtëpitë afër shtëpisë sonë, të shqetësuara e të bëra kurioze; për të mësuar çfarë kishte ngjarë.

Kur më panë me dorë të ënjtur e të lebetitur, u bënë të gjitha “doktoresha” dhe secila, sipas përvojës vetjake në të tilla raste jepte udhëzime, si të veprohej. Nuk di kur u qetësova e si, por më kujtohet se dhimbjet patën vazhdimësi. E mora një mësim të mirë atë natë dimri të cilin e kujtoj edhe sot, pas më se 70 vjetësh.

Jetonim në skamje e ishim të mjeruar. Nga arat tona të begata, në Llomera; në Rredhe dhe në Fengje, ku Reforma Agrare na dha disa dynyme tokë, nuk merrnim drithë as për të siguruar bukën e gojës, të paktën për 4 muaj të vitit. Për kohën tjetër të vitit, bukën e siguronim nga drithërat që blinim. Drithë, edhe mund të gjendej, por, çështja ishte: me se ta blinim? Të ardhurat e familjes në para ishin fare të papërfillshme, kurse çmimet e drithërave të bukës ishin në kupë të qiellit.

Gjatë kohës që nuk mbulohej me bukë, ishim të uritur e me barkun bosh. Nënat tona nuk e shfaqnin urinë, por shtrëngonin brezmekët e duronin. Zakonisht muajt e vjeshtës, në motin më të mirë edhe vjeshtën e prasme, së shumti deri në janar, i përcillnim me prodhimin tonë, të grurit, misrit, elbit, hokerrit (tepes) që merrnim nga produkti që mbetej duke e ndarë prodhimin me dysh, me atë që zotëronte një pendë qe parmende, i cili merrte në mes tokat tona. Kjo ndodhte mbasi ne nuk zotëronim qe parmende dhe Babai ynë i jepte t’i punonin tokat tona ata që e kishin këtë mundësi dhe u jepte gjysmën e prodhimit. Bukën e shijonim rrallë dhe gjithmonë të kufizuar.

Kur shkonim në dasmë apo në evenimente të tjera ku kishte trajtim me ushqim, lironim rripin dhe ushqeheshim me ato që mbeteshin në sufra, mbasi kishin ngrënë gratë dhe burrat. Të paktën ngrohnim pak stomakun me lëng mishi, apo me gjellë të ngrohtë, sipas rastit.

Netët e gjata të dimrit, kur edhe prindërit tanë nuk kishin punë në arë (përveç çobanëve), i kalonim pranë zjarrit. Nënat tona të mira na dëftonin përralla e na piqnin kalaposhe (kokoshka). Kalaposhet piqeshin në një shoshë, në flakën e zjarrit të vatrës e ne, të vegjëlit mezi pritnim të bëheshin kalaposhet. Era e mirë e misrit të pjekur dhe kërcitja e kokrrave të tij të bëra kalaposhe, na kënaqnin e na relaksonin, pa masë. Ky ishte argëtimi ynë më i pëlqyer në ato netë pa mbarim.

Ditën e ndërrimit të viteve nuk e njihnim e nuk e festonim fare. Ne i gëzoheshim ditës së Ujit të Bekuar, kur nënat përgatitnin byrekë me një monedhë “fati” brenda, të cilëve u thonim hanak; bënin qullapite, zienin misër kalli e për të na e shtuar gëzimin, mund të na blinin dhe ndonjë petk të ri. Vetëm në atë ditë ne të vegjëlit ndjenim aromën e festës së fillimit të një viti tjetër. Në familjen tonë, pas kësaj feste, fillonte kalvari i të ushqyerit me lakra të egra.

Nënat përpara e ne vocërrakët pas tyre, zbritnim në fushë për të mbledhur lakra të egra. Për këtë qëllim shfrytëzonim ledhet, anët e kanaleve kulluese dhe anët e arave të mbjella me të lashta. Si gjë e egër që rritet më shpejt e del mbi të butat (bimët e kultivuara) ato dilnin, me trup mbi të lashtat. Në Kalivaç, në ato vite, fshatarët mbillnin zakonisht: grurin; elbin; tërshërën; thekrën; hokerrin (tepen) etj. Ne preferonim të mblidhnim e të konsumonim rrepicën, lulekuqen, brokujt, korçanet dhe barishte të tjera të cilat mund të konsumoheshin, të freskëta. Hanim barishte, si bagëtitë që mbarështonim dhe jetonim, përafërsisht si ato.

Si nënat tona edhe ne fëmijët e tyre ecnim të zbathur. Zonja e Madhe mbante një çepele (biçak), në dorë, për të prerë rrënjët e lakrave. Ajo i printe “ekspeditës” sonë me 6 vetë. Kunata e saj, Zonja e Vogël, me një biçak në dorë, bënte si e madhja. Çapitesha me vështirësi pas Nënës sime dhe isha në rolin e “zbuluesit”.

I dëftoja Nënës sime, barishtet e ajo i shkulte. Gëzohesha e brohorisja kur “zbuloja” ndonjë korçan apo brokull e informoja menjëherë Nënën time: “Ja, Zonjë, tek është një korçan; vështro atë brokullin, atje” etj., barishte të cilat mund të konsumoheshin në çast, pa marrë një valë. Të ngrënshme, madje dhe të ëmbla ishin lulekuqja e lepjeta. Në ujët e kanalit që ndante arat, nënat tona i qëronin korçanet e lanin brokullin, lulekuqen apo barishtet që haheshin të paziera e na i jepnin për t’i konsumuar, aty, në fushë. Ndryshe ndodhte me barishtet që kishin hidhësirë, të cilat viheshin në një kazan llamarine, dhe mbasi merrnin një valë, kulloheshin dhe me një lugë vaj ulliri, herë me kripë e herë pa kripë, i hanim me dëshirë. Lakrat e egra, bio, të ziera e të ngrohta, na zinin mullën e na mbanin shpirtin, gjallë.

Shumë gëzim kishim kur nënat tona nxirrnin vajin e ullirit, me një torbë zhake, mbi një koresh, të cilin e merrnim në avllinë e xhako Rremes. Gratë, me këmbë zbathur, shtypnin ullinjtë e regjur në ujë e të përvëluar dhe mblidhnin vajin, si ar, që rridhte bashkë me lengjren. Në enën ku mblidhej lëngu i ullinjve, vaji, si më i lehtë, qëndronte sipër e zinte një shtresë të hollë, në sipërfaqe të enës, të cilin e lyenim me një copë bukë misri të ngrohtë. Mbase është ndjesia ime, por, gjë më të shijshme, është vështirë të gjesh edhe sot. Për të mbledhur lëngun e ullirit të shtypur, familja jonë shfrytëzonte një kazan të madh prej bakri, të cilin Nelo Binua e kishte prurë kur erdhi nga kurbeti. Ditën kur nxirrej vaji i ullirit e ne, të vegjëlit shijonim lëngun e artë, e kishim ditë feste.

Festa të tjera kur gëzonim e kishim pritmëri për ndonjë “dhuratë” ishin: Bajrami i Madh; Bajrami i Vogël dhe Sulltan Novruzi. Këto festa ishin në sfondin e përkatësisë fetare; ne, si të rreshtuar në sektin Bektashian i festonim këto evenimente. Së pari, gëzonim se do të mbushnim barkun me korkoqulle. Në grupe fëmijësh, sipas mëhallëve, me një përgjegjës në krye (djalë ose vajzë), në rresht për një, shkonim shtëpi me shtëpi të fshatit dhe e zonja e shtëpisë, mbasi na priste e na puthte me radhë e na pyeste të kujt ishim, na dhuronte çfarë të kishte. Së shumti, merrnim nga një petull, nga një copë qullapite, nga një kokërr veze, nga një lugë paluze, një kokërr shegë apo një ftua, një grusht me arra apo me bajame; një copë varg me fiq etj. etj. të cilat, i futnim në torbën prej rrobe, që hidhnim në krahë, të varur në një rrip prej cope të vetin.

Në ditën e Sulltan Novruzit, tradita e donte të “bëhej gjak”. Ata që kishin mundësi, i pritnin kokën një shelegu apo një keci; kush e kishte të pamundur këtë, i priste kokën një kaposhi dhe, kësisoj, përmbushte kushtet e ritit fetar. Kënaqësia shtohej kur nënat tona të mira, në ato kushte ngushtësie ekonomike, shtrëngonin brezmekun e me ndonjë lek të mblojtur, në një cep të futes, apo të shamisë së kokës, blinin metrazh, tek xha Telhai nga Luzati apo në ndonjë dyqan shteti dhe na bënin një rrobë të re (pantallona, fustan, brekë, opinga, etj.). Mendjen e kishim tek petkat e reja, por, më tepër vështronim çfarë do të na “zinte dhëmbi” atë ditë të veçantë (se në ditët e tjera i kishim të sigurta lakrat e egra).

Aty nga muaji maj, kur moti ngrohej e dielli ishte më i pranishëm në jetën tonë, piqej elbi e ne, përsëri gëzonim se do të hanim bukë, pavarësisht se halat e gjata të elbit, kur dilnin nga trupi ynë, të shponin prapanicën. Derisa të “na zinte elbi” të ushqyerit e kishim problem madhor. Për të mbajtur frymën, u suleshim bajameve. Ato nxirrnin kokrrat, të cilat, ashtu jeshile, i hanim me gjithë guackën e paformuar. Shumë fëmijë të sërës sonë, i vështroje në majë të fikut.

Varieteti Bradashesh i fikut, i cili lidh kokrra e piqet dy herë brenda vitit, ishte më i mundshëm për t’u ngrënë. Trakaliçet, sapo arrinin madhësinë e një kokrre kumbulle, gjenin belanë nga ne të vegjëlit, që i hanim me kënaqësi të madhe. Unë dhe sivëllezërit e mi, Reshati dhe Nelua, si dhe motra e vetme – Lumturia, fillimisht i vërsuleshim fikut Bradashesh që ndodhej në fund të kopshtit përpara shtëpisë, ngjitur me truallin e Banush Xhezos. Pastaj ngjiteshim në bahçen sipër shtëpisë ku ishte një rrënjë tjetër fik i këtij varieteti.

Nga të dy këta fiq, familja jonë nuk merrte kurrë fiq të pjekur, nga “dora e parë”.

Kur i sosnim fiqtë tanë, u suleshim fiqve të Muharrem Kamberit, kushëririt të Babait tonë, i cili kishte shumë rrënjë fiq bradashesh dhe në disa bahçe. Fëmijët e Tajanes dhe të xhako Rremes: Ramadani; Nasibeja (Bebeja); Engjellushja; Kamberi e Hydajeti, familja e të cilëve ishte thuajse në sërën tonë, i gjenim e i linim në majë të fikut, duke ngrënë trakaliçe, si ne. Xhako Rremja nuk na bërtiste kurrë, kurse gege Tajanja e kishte zemrën flori. Ajo nuk hante as gjellën që gatuante për njerëzit e shtëpisë së saj, pa i shpurë një tas Hysnijes dhe Zonjës së Madhe të Binajve.

Viti 1946 erdhi fatlum, për familjen tonë të bashkuar. Xhevitit, i cili kishte qenë yzmeqar me dhentë e Haxhiajve, për shumë kohë i erdhi për mbarë të bëhej bashkëpronar me të leshtat. Ai u bë qinosar me djemtë e Beshir Haxhiut dhe me vëllanë e tij Muharremin. Kishte ndodhur Reforma Agrare e Haxhiajve me shumë toka, u kishte shtetëzuar mjaft sipërfaqe tokë, arë, ullishte e kullota, në vendet e quajtura: Shure; Fengje; Llomera e në vende të tjera. Tokat e shtetëzuara të tyre, u shpërndanë fshatarëve të varfër e atyre pa tokë. Familja jonë, përftoi disa dynyme tokë në Fengje dhe 10 rrënjë ullinj, në vendin e quajtur “Ullinjtë e Haxhiajve”.

Djemtë e Haxhiajve, sidomos Bilali, i cili kishte qenë partizan; Halimi, një burrë i zgjuar e me kokën plot dhe Veipi, vërtet çoban i kopesë së dhive të familjes, por i pajisur me zgjuarsi natyrale e ndjenë “furtunën që po vinte”; shtetëzimin e tufave të blegtorisë dhe gjësë së gjallë e bënë disa veprime shpërndarëse, me qëllim që të shpëtonin pronën e tyre. Si minjtë që ndjejnë të parët tërmetin, edhe ata, i ranë hiles se gjëja e gjallë nuk mund të mbetej jashtë reformës së thellë që kishte nisur. Një pjesë të bagëtive të imëta që ishin në pronësi të familjes së tyre, ata i shpërndanë tek bashkëfshatarët në Kalivaç dhe në fshatrat përreth. Xhevit Malkua pati shansin të hynte në qinosi me pronarët e dhenve që ruante prej kohësh. Kushtet e qinosisë ishin sipas kontributeve në krerë të palëve.

Xheviti, në atë kohë, kishte përpara e mbarështonte rreth 300 krerë dhen, (të mëdha e të vogla), por të tijat nuk kishte asnjë. Dhentë ishin të Haxhiajve; Ai ishte rrogëtar (yzmeqar). Disa kushte të marrëveshjes së qinosisë ishin: afati – 5 vjet; kur të mbushej afati i marrëveshjes, bagëtitë do të ndaheshin me trish; prodhimi i dhenve, gjatë gjithë marrëveshjes do të ishte, gjithashtu, me trish; shpenzimet për kullotë, strehim, kripë etj., do të ishin në mes; çobanit i takonte një shark, një kostum shajaku e një palë opinga, falas për periudhën e qinosisë; për çdo shenjt, çobani kishte të drejtë të konsumonte një mish (krye) etj. Esenciale ishte përgjegjësia e Xhevitit për të ruajtur krerët e bagëtive fizikisht dhe detyrimi i tij për kullotjen e mbarështimin e tyre.

Periudha e vazhdimësisë së qinosisë ishte ndoshta kohë e “lulëzimit” të ekonomisë sonë familjare. Milnim aq shumë qumësht sa nuk kishim enë ku ta hidhnim. Vinim nga fukarallëku i skajshëm kur në shtëpinë tonë nuk gjendej as hi në vatër.

Kur niste mjelja e dhenve, në shtëpinë tonë gjëmonte dybeku e gëzimi i fëmijëve në shtëpinë tonë nuk kishte kufi. Si i kanë thënë dikur në Kalivaç, edhe tek ne “hante qeni petulla”! Dy kunatat me emrin Zonjë, u vetëpunësuan; ato bënin manipulimin e bulmetit të shumtë. Zonjat gjetën dhe i bënë funksionale, si dikur, enët e bakërta dhe ato të drunjta për grumbullimin dhe ruajtjen e bulmetit. Atëherë Xheviti, sikur të bisedonte me veten, thosh, nëpër dhëmbë: “Moj shtëpia bukëdhënë, do bëneç siç këshe qenë!”

Më i fituari nga fëmijët isha unë. Gjithë ditën qëndroja pas dhenve, në kullotë, duke ndihmuar Babanë; në Fierin e Metes; në Vathra; në Shure, në Qurke e në kullota të tjera. Kjo ndodhte në stinën e dimrit. Në kohën me mot të nxehtë e ngrinim stanin në Krye të Rredheve. Edhe natën e kaloja në stan.

Flija mbi një shtrat druri, shtroja dega rrapi e mbi to lëkurë delesh, mbulohesha me sharkun e pangjyer të Babait. Bagëtitë e kalonin natën të grumbulluara në vathë, e cila ishte e rrethuar me demeke shkarpash. Në anën Lindore, vatha ishte e mbështetur pas një bokërrime, nga ku egërsirat e kishin të vështirë të hidheshin; në anët e tjera, vatha kufizohej nga demeke të ngjeshura mirë me shkarpa, nga shtrati i çobanëve dhe ishte nën monitorimin e Balos. Në fakt, dhentë i ruanin frika dhe qeni Balo, të cilin e bëra shok. Ai ishte trupmadh, me ndjeshmëri të lartë dhe guximtar; nga ata qen që kacafyteshin me ujkun grabitqar.

Ngjitesha në qiellin e shtatë nga kënaqësia kur Babai milte dhentë, vedra mbushej plot me qumësht të ngrohtë, të sapodalë nga trupi i deles, dhe në krye të vedrës ishte një shtresë shkumë e ndonjë kakërdhi. Unë, me frymë largoja kakërdhitë e pija qumësht të ngrohtë; bio. Nuk më zuri, as militenca, as sëmundje të ngjashme dhe shtatin e kisha të mbushur e të fortë. Mbasi ngopesha me qumësht, kujtohesha se duhet të ushqeja Balon e ia mbushja kusinë edhe atij. Të katër fëmijët e familjes së bashkuar, u ndjemë më të gëzuar e na qeshte nuri.

Ndryshoi cehreja e fytyrës sonë. Të gjithë u tjetërsuam në fytyrë e u bëmë më të gjallë.

“Begatia” e familjes sonë, për fatin tonë të keq nuk e pati jetën të gjatë. Erdhi vjeshta e vitit 1946. Bulmeti, prej disa ditësh ishte pakësuar; por më e keqja nuk kishte kaluar. Në një ditë të bukur vjeshte, herët në mëngjes, në stanin tonë ia behën (erdhën papritur) disa pushtetarë. Ata mbanin të varur në qafë, nga një çantë meshini; të gjithë me çizme lëkure dhe hijerëndë.

Ishin nëpunës të shtetit, me funksione të rëndësishme, nga ata që kishin luftuar për çlirimin e vendit, por që me vështirësi shkruanin edhe emrin e mbiemrin e tyre. Deri aty e kishte mbajtur “vlagën” shkolla e malit. Në atë takim, pashë për herë të parë Halimin, njërin nga djemtë e Beshir Haxhiut dhe qinosarin tonë. Halimi ishte vëllai më i madh në moshë i asaj familjeje fisnike. Ai ishte kaluar mbi një pelë të kuqe; i shëndetshëm, (i kuqonin faqet buçko) i bukur, me sytë larush, i veshur shik, me çizme e me një xhaketë meshini bojëkafe.

Ishte më i bukuri nga burrat që erdhën atë mëngjes në stan e mua më mbetën sytë tek bukuria e tij e paparë. Me mendjen e një fëmije të moshës sime, u ndjeva krenar që Babai im kishte bërë qinosi me të tillë burrë. Të ardhurit pyetën për numrin e dhenve që mbarështonim; ata pyetën për Babanë: “Po ky?” Pronarët e quajtën punëtor me pagë, i cili punonte në stan, prej rreth 3 muajsh. Xheviti ishte i pashkolluar e falë besimit të plotë që kishte tek Haxhiajt, nuk kishte formuluar asnjë dokument të shkruar.

Pushtetarët urdhëruan të numëroheshin dhentë e të niseshin në udhën që të çonte në Xina, sipër shtëpisë së Barjam Rushanit dhe Mekamit të Baba Dero Fushës. Ata morën dhe gjithë pajisjet e stanit; mushkën dhe pelën; enët e qumështit dhe ato me të cilat ushqeheshim; Balon dhe Xhevitin. U formua një karvan i gjatë; në krye e në fund të tij, ishte një pushtetar. I ndoqa, pas, me këmbët e zbathura e i pangrënë. Më dhimbsej më tepër Balua.

U luta gjatë pushtetarëve të mos e merrnin, por nuk ma vari njeri. Babanë dhe dhentë e pajisjet i çuan në Vithkuq të Korçës, ku u formuan brigatat blegtorale dhe Babanë e mbajtën çoban. Ai u kthye në familje, pas 2,5 vitesh, nga “kurbeti”. Çapitesha pas tyre, në heshtje, jo duke ulëritur, siç ishte rasti të veproja, por duke u lutur, me zë të ulët sa nuk e dëgjoja as vetë, për pak njerëzillëk. Isha i pangrënë e tepër i trishtuar, më pushtoi ngashërimi e m’u sosën fuqitë.

E përcolla karvanin deri në Majë të Dërrasës. Siç duket, aty më kishte rënë të fikët dhe e pashë veten në një qoshe të shtëpisë sonë, i rrethuar nga disa gra shamizeza të fisit e të mëhallës, të cilat e kishin mësuar ndodhinë dhe mallkonin ata që u bënë sebep për këtë fatkeqësi. Mallkimet e tyre, me sa kujtoj, ishin: “I marrtë me vete kjo ditë e xhuma”; “mos i zëntë akshami”; “i thertë Baba Dero Doreza”; “I shajtofshin çirakët e Koshtanit”; “I vraftë Abaz Ali Tomorri!” etj. Mallkimet u drejtoheshin “rrëmbyesve” të kësaj tufe dhe inventarit të stanit. Kaq zgjati “pranvera” e jetës sonë. Ngjan me një ëndërr të keqe, e cila nuk zgjat shumë.

Mbetëm siç ishim, pa dhen e pa qen dhe pa Babanë në shtëpi. Ato pak rezerva që kishim krijuar, i konsumuam shpejt dhe nënat tona me ne, katër vocërrakë, morën sërish udhën e betejës me lakrat e egra të fushës. Kur u kthye Babai në shtëpi, pas 2.5 vitesh, na gjeti më të rritur, por ekonominë më të dobët. Ëndrra e tij ishte kërraba në dorë dhe tufa me dhen përpara. Na vinte keq, edhe ne të vegjëlve, kur e vështronim ashtu, jo të gjallëruar si më parë, e me humor, por të vrarë në shpirt e me një mërzi që nuk i shkonte atij tipi.

Kishin nisur të frynin erërat e rindarjes. Djemtë jetimë të Resmi Nelos, u rritën diçka, si ne të tjerët. Kur Reshati mbushi 8 vjeç u pajtua yzmeqar në Asllanaj, tek fshatari nga Çorrushi – Sefedin Brahimi. Mendoni një yzmeqar të atyre viteve me moshë 8 vjeç. Rrugë e mundësi tjetër, nuk kishte.

Njerëzve të asaj shtëpie dhe gjitonëve, u vinte keq ta aktivizonin bonjakun e parritur akoma, në punë të vështira siç ishte ruajtja e bagëtive. Pas disa muajve, Reshati, me mirëkuptim u largua nga Sefedin Brahimi dhe u pajtua yzmeqar tek Mufit Xhaferri (Qamili), i cili menaxhonte Mullirin e Gurrës. Mufiti nga Kurveleshi i sipërm dhe dy Merushet (nuse e vjehrrë) e trajtonin Reshatin më tepër si fëmijën e tyre. Të dyja Merushet ishin gra fisnike dhe nëna të dhimbshura. Mufiti, edhe pse ishte nga Kurveleshi (nga Nivica), u natyralizua në Kalivaç e u bë dhëndër i fshatit tonë.

Nelua nuk qëndroi në vend. Ai u zgjat më shumë se unë e u bë i shkathët. Babai ynë, kur vuri re se burimet financiare të familjes u pakësuan e nuk mund të ushqente 7 frymë, mori udhën e kurbetit. Ai vajti në Minierën e Selenicës, atje ku burrat e Kalivaçit shkonin, duke tërhequr njëri-tjetrin, për të bërë para. Xheviti u fut në punë, nën tokë, në një galeri të sektorit të Kumës.

Babai vinte në shtëpi, një herë në dy javë ose një herë në muaj, për t’u ndërruar e për të parë fëmijët. Kur vinte nga Selenica, mbaj mend, sillte në kurriz, një torbë, në dukje ushtarake, plot me bukë gruri (karavele) dhe disa kallepe sheqer të presuar, me ngjyrë të bardhë, i cili, në atë kohë gjendej me shumë vështirësi. Sipas rastit, Babai ynë sillte dhe ndonjë basme pambuku, për të qepur fustane apo për të bërë fute dhe ndonjë copë napë të zezë, për të prerë e për të qepur shami koke. E pritnim të malluar Babanë; e ndjenim mungesën e tij në shtëpi e nuk donim të largohej sërish në “kurbetin” e mallkuar.

Ndërkohë që u mëkëmbën djemtë bonjakë dhe Noja (Zonja e Vogël e Binajve) e kapërceu helmimin që i shkaktoi vdekja e burrit, Ajo mendoi se mund ta përballonte jetën, edhe e vetme, me dy djem që po hidhnin shtat. Zonja e Vogël, burrërisht, me kurajo të madhe, bëri një hap të menduar mirë, në interesin e djemve dhe të sajin. Ajo vendosi, pa mëdyshje: “Do të ndahem e do të dal me vete; Xheviti bëri të pamundurën e na shpëtoi të treve, tani mund t’ia dalim edhe të vetëm!” Vendimin e saj kurajoz, Ajo e shpalli në një takim të pleqësisë së fisit Nelaj dhe njerëzve të derës së babës, të cilët ishin thirrur nga Shkoza, posaçërisht. U tha; u bë: pleqësia dhe të sajet e gjetën të menduar mirë dhe të drejtë vendimin e vejushës me dy bonjakë dhe i dhanë karar: Zonja e Vogël dhe dy djemtë e saj jetimë nga babai do të ndaheshin me vete.

Ata do të merrnin pjesën e shtëpisë përdhese dhe inventarin e trojeve e të arave që u kishte lënë babai. Njëherazi, aty për aty, u nda dhe plaçka që dispononte familja dhe zaireja. Një kaposh me plaçka kishin të dyja familjet e bashkuara. Pleqësia nuk e pati të vështirë ndarjen e mallit, mbasi nuk kishte shumë kohë që kishte ngjarë bashkimi i dy familjeve në nevojë.

Seksionit Verior të përdheses me një dhomë, i cili ishte i familjes sonë, i kishte rënë çatia brenda dhe, për shkak se ekonomia jonë ishte shumë e dobët, nuk dispononim mjete e mundësi për ta ngritur në këmbë. Mbetëm pa shtëpi, në qiell të hapët e na duhej të “shtegtonim”, për të gjetur një strehë ku të futnim kokën. Për fat, Resul Nelua, kushëri i parë i Xhevitit, i ndodhur ngushtë, me shtëpi e me truall, kishte zbritur në Gurishte, buzë Përroit të Veldonit, në pronat që i kishte lënë i ati. Aty, Ai kishte ngritur dy kasolle me kashtë, me gardh, të lyer përbrenda me baltë të përzier me byk. Në njërën nga kasollet mblidheshin fëmijët e shumtë të Agait (kështu e thërrisnim) dhe gatuhej, teksa kasollja tjetër ishte lënë për të pritur miqtë.

Resul Nelua, në këtë rast bëri një gjest human e shumë fisnik. Ai na liroi kasollen e miqve, për të jetuar, sa të donim e pa shpërblim. Ndryshe nuk mund të bënte Agai, i cili, disa vite më parë nuk pranoi të bëhej “strehë” për Zonjën e Vogël, Reshatin dhe Nelon, të cilët, pas vdekjes së Resmi Nelos, vëllait të Resulit, u ndodhën në vështirësi të mëdha. Banuam në atë kasolle, disa vite; madje aty nisëm dhe mësimet e shkollës fillore të fshatit. Fëmijët e tij të shumtë: Xheladinin; Selmanin; Feruzenë; Luton; Behijen e re dhe Ilminë i kishim të të njëjtit gjak dhe shkonim si vëllezër e si motra, me njëri-tjetrin.

Xheladini, një gjigand i vërtetë me trupin gjithë muskuj, por nevrik i madh, punonte nën tokë, në një galeri, të sektorit Kume, në Minierën e Selenicës. Ai ishte mjaft punëtor, dhe i dekoruar. Drejtoria e Ndërmarrjes e dërgonte Xhelon, atje ku ishte vështirë të realizohej plani.

Xheviti, kur punonte në Selenicë vinte në shtëpi 1 deri 2 herë në muaj, për t’u ndërruar e për të parë fëmijët. Sa herë vinte në familje, Babai na sillte një çantë shpine të tipit ushtarak, plot me bukë gruri (karavele u thonim), të cilat Nëna i priste në feta dhe ne fëmijët i hanim me bukë misri, (natyrisht kur na ndodhej). Pra, ne hanim bukë me bukë. Buka e grurit ishte në vend të gjellës. Ai sillte dhe disa copa sheqeri, të presuar e me formë katrori, i cili, në atë kohë ishte mjaft i rrallë e i kushtueshëm.

Në ato vite, familjet që u nxirrnin për qerasje miqve kafe shqeto të ëmbëlsuar me këtë lloj sheqeri, ishin të privilegjuara. Zakonisht në familjet e zakonshme kalivaçase, nikoqiret, për qerasje shërbenin shërbet (ujë me sheqer) dhe një filxhan me raki koçimare, ose dy tigane me petulla, një tigan me paluze apo, kur ishte rasti, edhe revani të pjekur në saç. Zonja e Madhe e Binajve, kallepet e sheqerit që sillte Xheviti, nga Selenica, për t’i kursyer, i fuste në një qese pëlhure të bardhë e i varte në ndonjë tra apo në ndonjë grebesh të kasolles. Unë dhe Lumturia, të uritur e kuriozë, bënim grabitqarin dhe garonim, në heshtje me njëri-tjetrin, kush të ngjitej në majë të trarit për të rrëmbyer disa kallepe sheqer. Ne ruanim kur ikte Nëna jonë me Mbeten e Agait, për të mbledhur lakra të egra në fushë apo për të mbushur ujë në burim, dhe, fshehurazi nga njëri-tjetri, secili për hesap të vet, ngjiteshim si ata ketrat, në majë të trarit, hapnim qesen me sheqer, merrnim disa kallepe me sheqer dhe e lidhnim prapë sipas shenjave që kishte bërë Zonja.

Edhe pse qesja me sheqer, me kalimin e kohës nxihej nga tymi, gjurmët tona mbeteshin të dukshme mbasi ne nuk e maskonim dot vandalizmin tonë. Kur na pikaste Nëna, kuptohet, paudhësinë tonë e paguanim shtrenjtë, rriheshim si “daullja në dasmë”. Më e pakta ishte një rrahje nga ana e nënës sonë, dora e të cilës i përngjante më tepër një ledhatimi. Megjithatë, ne të dy dilnim të fituar se ëmbëlsoheshim disi dhe se i kishim bishtnuar jo vetëm monitorimit të Nënës sonë, por dhe vigjilencës së njëri-tjetrit. U rritën fëmijët e shumtë të Agait dhe lindi nevoja për më tepër sipërfaqe banimi.

Na u desh të kërkonim një banesë tjetër, mundësisht, brenda mëhallës Ahmetaj dhe pa shpërblim. Burri i ndershëm e trim Ali Pasho Nelaj, i cili, në ato vite ishte shpërngulur, së bashku me familjen në Margellic, atje ku kishte tokat, e kishte lënë të boshatisur shtëpinë e tij me dy dhoma, thuajse në qendër të mëhallës Ahmetaj. Shtëpia ishte përdhese, me dy dhoma të mëdha, por mjaft të ftohta; njërën nga të cilat e zuri muhaxhiri nga Luzati Telha Qazim Shatrafili; tjetrën e zumë ne. Bashkëshortja e xha Telhait dhe Nëna jonë u bënë shoqe të ngushta. Ato ishin të dyja mjaft të forta fizikisht dhe, kur zbrisnin ato nga Bregu i Stanet, me dru të ngarkuara në kurriz, të lidhura me tërkuza të thurura vetë, dukej sikur zbriste pylli.

Djemtë e xha Telhait: Hyseni dhe Qazimi, u bënë shokë me mua edhe pse ishin më të mëdhenj si moshë. Vetë Telha Qazimi ishte pramatar. Ai shiste vogëlsira si gjilpëra, bojë pambuku e bojë leshi, rruaza, metrazhe etj., me çmime të larta e me dorë të dridhur.

Lumturia e kishte kaluar moshën 7-vjeçare për të hyrë në shkollën fillore, por nuk i kishte mundësitë për këtë. Në vitin shkollor 1948 - 1949, ajo nisi mësimet e klasës së parë në shkollën fillore të fshatit. Babai më urdhëroi të shkoja dhe unë në shkollë, edhe pse nuk e kisha mbushur moshën. Do të shkoja pas motrës dhe për ta “ruajtur” atë kur ishte vetëm shtatë vjeçe.

Absurditet i kohës dhe ndikim i fanatizmit ekstrem. Mësues ishin dy gjirokastritët shpirt njeriu: Vasil Kola dhe Kristo Gushi. Nuk e kisha emrin në regjistër, por isha mjaft aktiv në klasë dhe shpesh çohesha me dëshirë për t’u përgjigjur. Mësues Vasili, në fund të vitit shkollor, më dha dëftesë dhe fletëlavdërimi, pavarësisht se isha nxënës “ilegal”.

Përdhesja e Ali Pashos, ku banonim, të dyja familjet, ishte mjaft e ftohtë, në të dy seksionet. Edhe pse zjarri në vatër nuk pushonte, ditë e natë, ato nuk ngroheshin kurrë e ne, fukarenjtë e të dyja anëve, merdhinim natën, se shtrojet e mbulojet i kishim të pakta. Ngroheshim me frymën e njëri-tjetrit dhe me lakrat e ziera që na jepnin nënat, kur ktheheshin nga fusha, me torbat plot. Xha Telhai, një burrë i thatë e mjaft nevrik, me kutin që maste metrazhet, kur nxehej, rrihte Merushen dhe djemtë. Gege Merushja, një grua e bëshme dhe shumë e fuqishme, kur e godiste i shoqi, me kut, bërtiste: “Kuterinë, moj Merushe!” Djemtë nuk ndiheshin edhe kur i godiste babai.

Hyseni (më i rrituri) me Qazimin (shokun tim) duheshin shumë; si vëllai me vëllanë; por, në disa raste grindeshin, madje edhe rriheshin me njëri-tjetrin. Qazimi, thuajse moshatar me mua, ngrinte gracka e leqe nga ullinjtë e xha Breshanit, nga ullinjtë e Hysodoset, në Gryka e në Pliren e Abedinit e gjetkë dhe i “zinte dora shumë”. Shkoja pas tij dhe mësoja si ngrihen grackat.

Ndërkohë, Lumturia, krahas vijimit të shkollës fillore të fshatit, në shoqëri të ngushtë me Lavdijen, vajzën e vogël të burrit të zgjuar e gjahtarit të thekur Abedin Kahremani, ruante pulat e detit, me një shufër të gjatë në dorë, të cilat i çonin për kullotë, në Pliren e Abedinit, sipër Llapodhicave, atje ku kishte më tepër karkalecë. Ato kishin me vete dhe një ka balash, me një bri të thyer të cilin e kishim blerë nuk mbaj mend se ku dhe lopën sorrile të xha Abedinit. Rreze koçimares, atje ku mbaronte ara e fillonte pylli i koçimares, Qazimi i Telhait ngrinte gracka e zinte harabela, mëllenja e në ndonjë rast ndonjë thëllëzë.

Një ditë, Lumturia dhe Lavdija, vajtën në Plire para Qazimit dhe kontrolluan grackat. Ato gjetën në një gropë grackë, një mi. E poqën miun; e bënë kërce sa të mos njihej dhe, kur erdhi Qazimi, ato ia paraqitën si zog. E hëngri, miun e pjekur Qazimi, dhe nuk e kuptoi çfarë ishte.

Kur e mbaroi mishin e miut, djali i xha Telhait, vajzat i thanë se kishte ngrënë një mi të pjekur. Volli edhe zorrët Qazimi e më nuk u afrua në shoqërinë e vajzave. Ndodhinë e pakëndshme shoku im i gjahut nuk ma dëftoi; atë e mësova pas disa dekadash, nga ime motër.

Pas disa vitesh, Ali Pashua u kthye në trojet dhe në shtëpinë e tij, në Ahmetaj. Na duhej të lironim shtëpinë e tij e të viheshim në kërkim të një banese tjetër, në mëhallën tonë. Për fat, kushëriri i babait, Muharrem Kamber Deraj, një burrë që nuk të bënte për burrë, na vuri në dispozicion Shtëpinë e Sheros. Ajo ndodhej në oborrin e shtëpisë së xhako Rremes (kështu i thoshim) dhe rreth 30 m larg shtëpisë sonë të rrënuar. Shtëpia e Sheros, ishte dykatëshe, me katua e me një dhomë mbi të, të shtruar gjysmë me dhoga të trasha e një pjesë (ajo pranë oxhakut) me baltë e me vatër.

Mbi vatër ngrihej oxhaku; në vatër ishin një saç, një çengel e një palë këmbje. Të gjithë mblidheshim rreth vatrës, dëgjonim përralla e piqnim kalaposhe dhe ngroheshim në dimër. Në katua, në muajt me lagështirë dhe kur ishte ftohtë, strehoheshin dhe punonin kallajxhinjtë. Ata vinin nga Brezhdani i Përmetit, për të kallaisur enët e bakërta të fshatarëve tanë, kundrejt një shpërblimi mjeran, në të holla ose në natyrë. Ata, shpesh, për punën që bënin merrnin si shpërblim: gjela deti, vaj ulliri, miell gruri, niseshte, produkte blegtorale e sende të tjera të dobishme.

Ushqeheshin si mos më keq dhe flinin mbi plehun e katoit.

Gjatë kohës kur banuam në Shtëpinë e Sheros, ndodhi një e papritur: Lumturia u sëmur e nuk gjendej mjek për sëmundjen e saj. Asaj iu shfaq një furungel në rreze të kofshës së djathtë. Furungla u mufat e u bë si tullumbace dhe e pengonte për të lëvizur. Lumturia, disa ditë nuk vajti në shkollë. Ajo qëndronte vazhdimisht e shtrirë, në një qoshe të shtëpisë.

Ajo dergjej mbi një plisnok dhe e mbuluar nga një jorgan i sajuar. Gratë e fisit e të mëhallës dhe ndonjë mike më e largët, vinin e vështronin, i sillnin çfarë t’u ndodhej në shtëpitë e tyre: ndonjë vezë të zier, një kokërr shegë apo një ftua, një enë me kos, një top me gjalpë, një varg fiq etj. dhe uronin shërim të shpejtë. Dikush nuk ngurronte ta yshtte e, kur i hapej goja, mallkonte syrin e keq që e kishte shajtuar kocën. Ndonjëra nga gratë dashamirëse, rekomandonte ta lyenim vendin me hudhër të shtypur, me fletë ferre të lyera me vaj ulliri etj. etj.; secila sipas përvojës vetjake. Të gjitha rezultuan të kota.

Furungla mblodhi qelb, i cili dukej me sy të lirë. Mjek kirurg, në rrethin e Tepelenës, nuk kishte. Familja jonë tejet e varfër nuk i kishte mundësitë financiare për të shkuar në ndonjë rreth tjetër për të realizuar ndërhyrje kirurgjikale. Xhako Rremja, të cilin e kishim gjiton dhe pronar të shtëpisë, e mësoi këtë gjë dhe një ditë erdhi në shtëpi e pa Lumturinë në jatak e në siklet të madh, pa furunglën e tha: “E shëron xhakua, kocën e Xhevitit; mbas 4 - 5 ditësh Ajo do të shkojë në shkollë”, kështu tha mentari i guximshëm e me përvojë. Ai, piu një filxhan me shërbet, e një gotë raki koçimare, të cilën e kishte shumë për zemër e doli nga dera.

Edhe në këtë rast, burri i traditës Muharrem Kamberi, e dëftoi veten, siç ishte: trim, me iniciativë, fisnik, i papërtuar e me iniciativë. Duhen nxirë shumë faqe për të përshkruar figurën e atij njeriu, i cili hyri në fondin e legjendarëve të fshatit dhe ishte tepër i veçantë. Pas 2 - 3 orësh, xhako Rremja u kthye sërish në shtëpinë tonë, me një thumb prej druri drize, të cilin e mbante nën mëngë dhe me një duçe raki ballë kazani në dorë. Urdhëroi Nënën tonë të bënte zjarr kalafak në vatër që të ngrohej mjedisi dhe bëri disa përgatitje, për operacionin që do të kryente. Ai mbasi i bëri psikoterapi Lumturisë me disa fjalë që i jepnin kurajo e besim, dogji në zjarr majën e thumbit dhe iu afrua të sëmurës.

Mbasi e lyeu vendin e ënjtur dhe rrezen e kofshës, me rakinë që pruri, me një lëvizje të shkathët e me një shpim të saktë me thumb, të furunglës, bëri që nga maja e plagës të dilte qelbi që mbante brenda. Kur Lumturia bërtiti nga dhimbja, “kirurgu” ynë, me të dyja duart (me gishtërinjtë e mëdhenj), shtrydhi fort furunglën, derisa doli shtrati. E lyeu përsëri me raki të fortë, vendin e plagës dhe rrezen e kofshës, e lyeu sipërfaqen me një pomadë që kishte lënë Ali Shehu, në një gazetë të mbështjellë dhe i dha disa këshilla Nënës sonë, e cila i shtroi përpara “kirurgut” një duçe me raki dhe diçka si meze (ullinj, gjizë e një qepë të grirë). Mbas 4 ditësh, Lumturia ngjiti të përpjetën që të çon në shkollë dhe u bashkua me bashkëmoshatarët në klasën e saj. U gëzuan Ajo dhe shoqet e shokët e saj të klasës, të cilët e donin dhe ishin të malluar.

Ca më tepër që e dinin shkakun e mungesës së saj në shkollë, por ishin në pamundësi për ta ndihmuar. Me sa kujtoj, në klasë kishim: Lavdijen e Abedin Kahremanit; Pashakon e Isuf Jaces; Engjellushen e Muharrem Kamberit; Barjamen e Laze Xhezos; Sadikun e Memes; Selamin e xhako Manes; Selvinë e Ahmet Selfos; Sosen e Xhemal Haxhiut, Fatimenë e Shefit Qazimit; Behijen e Halim Beshirit; Xhikën e Halil Lazes; Sheron e Zenjel Novruzit; Melaizën e Refat Adushit; Danon e Veiz Danos; Hamidenë e Qamil Sulos; Ahmetin dhe Farushen e Nazif Muharremit; Idainë e Hamza Sheshos; Myftarin e Malo Barjamit; Fejzinë e Jashar Pehlivanit; Hankon e Ahmet Fejzos; vajzën e Murat Jahos (Jetën); Nazminë e Mahmut Muharremit; Ferrikun e Manxhar Hazbiut; Lulushen e Kalo Qazos; etj. etj. fëmijë të fshatit tonë.

Mbaruam klasën e katërt, në vitin shkollor 1951 - 1952, të dy njëherazi. Lumja mori Dëftesën e Lirimit, me rezultate shumë të mira, kurse unë - me Fletëlavdërim. Babait tonë, kur punonte në Selenicë, një shok i tij i punës, i cili ishte me origjinë nga Çamëria, i kishte mbushur mendjen për t’i dërguar fëmijët në shkollë, nëse kërkonte që ata të bëheshin të vlefshëm. Xheviti donte të na dërgonte të dyve në shkollë, por Lumturia, nën peshën e traditës dhe të opinionit maskilist që rëndonte në atë kohë refuzoi, kategorikisht të ndiqte shkollat. Unë u ndodha me fat, mbasi përveç rezultateve në mësime, pata dhe ndihmesën e burrit me taban Muharrem Qerim Mehmetaj (në atë kohë Kryetar i Këshillit Popullor të fshatit), për të shkuar në konviktin e shkollës shtatëvjeçare që u çel atë vit, në Tepelenë.

Para dhe pas viteve ’50 të shekullit që shkoi, drithi që konsumonin familjet e varfra të fshatit racionohej dhe shpërndahej, në depot e shtetit në fshatin Turan të rrethit të Tepelenës. Nga një përfaqësues për çdo familje, grupoheshin e shkonin në Turan, çdo muaj, për të marrë racionin. Në vartësi të numrit të personave që kishte çdo familje, ishte dhe sasia e drithit. Gratë dhe burrat, në shoqëri të njëri-tjetrit, të grupuar sipas fiseve, rrugëtonin në këmbë rreth 12 orë, për të marrë disa kilogramë misër ose grurë. Kur në përbërje të dërgatës kishte ndonjë përfaqësues të familjeve të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare siç ishte Hysnija e Musa Mehmetit; Vezikua e Qazim Lazes; Memja e Muharrem Hasanit e ndonjë tjetër, ato kishin privilegjin të merrnin, pa radhë.

Nga familja jonë, si rregull, shkonte Zonja e Madhe e Binajve, e shoqëruar me Hysnijen, Memen, Vezikon; Tajanen e Muharrem Kamberit e me ndonjë tjetër. Në një rast, Nëna na dërgoi mua dhe Lumturinë për të kërkuar gomarin dhe 250 lekë (aq sa bënte racioni), tek Jace Sadiku, në Hysodosaj. Jacja ishte kushëri nga e ema (Jemineja), me Jacen, por atë ditë nuk ndodhej në shtëpi. Gruaja e tij, Dekua, një grua fisnike dhe bujare, në mungesë të burrit në shtëpi, na e dha gomarin dhe paratë. Të gëzuar, u nisëm për në shtëpi.

Sapo kaluam shtëpinë e Dajlan Xheladinit, ia nisi një shi i dendur, me erë të fortë (suferinë), të cilin e kishim përpara e nuk na linte të ecnim, asnjë çap përpara. U futëm tek një strehëzë, tek shtëpia dykatëshe e Demir Seitit, në pritje që të pushonte shiu. Siç ishim, me duar prapa, pas murit të shtëpisë së Demir Seitit, Lumturia, e cila, si më e madhe mbante kartëmonedhën në dorë, e palosi atë dhe duke kujtuar se ishte thjesht letër, e grisi në disa pjesë.

Kur e pikasi se kishte grisur kartëmonedhën që morëm borxh, ulëriti, me sa fuqi kishte dhe lotët i vajtën çurkë. Duke qarë, shkuam në shtëpi, ku na pritnin: Nëna dhe Babai i cili kishte ardhur nga Selenica. Me lot në sy, Lumturia, e përgatitur që të rrihej “paq” nga Babai, e rrëfeu tërë ngjarjen. Në sytë e saj të përlotur, viheshin re pendimi dhe kërkesa e mëshirës. Në kundërshtim me pritmërinë tonë, Xheviti, i njohur për marrëdhënie të dhunshme me fëmijët, në këtë rast na habiti.

Ai i tha Lumturisë: “Kocë e xhaxhakos, tyj të të kem mirë se unë pa para marr plot, atje ku punoj, në Selenicë. Do të marr kuindicinën, sapo të vete në minierë dhe ua dërgoj unë!” Lumturia dhe unë u qetësuam disi, Asaj “i shkriu gjaku”, por veprimi në dëm të familjes na mbeti në kujtesë për shumë kohë. Xhaxhakua nuk e kishte harruar ushtrimin e tij të preferuar, të cilin e praktikonte sa herë gaboja unë. Ai kur e pikaste fajin tim, më afrohej, më kapte për të dy veshët, më ngrinte lart e më lëshonte përtokë. Lumturisë, që bëri gabim të rëndë, nuk ia praktikoi ushtrimin e tij të preferuar, mbasi ajo ishte mjaft e shkathët dhe e papërtuar.

Kur i ngarkonte një detyrë Babai, Lumja, më përpara kthehej sesa shkonte. Ky tipar i saj dhe çiltërsia fëmijërore e kënaqnin Babanë tonë, i cili na mësonte të ishim të drejtë, të ndershëm, të dashur e të mos përgojonim njeri. Përveç këtyre, Lumturia ishte mjaft e zgjuar dhe mentare. Ajo, në klasë, ato që shpjegonte mësuesi, thuajse i përvetësonte menjëherë dhe me një të lexuar në shtëpi ishte gati të përgjigjej.

Në fundgushtin e vitit 1952, së bashku me disa bashkëmoshatarë që kishin mbaruar, si unë, klasën e katërt të shkollës fillore të fshatit, u sistemuam në klasën e pestë të shkollës unike (shtatëvjeçare) “Abas Shehu”, të Tepelenës; banonim në konvikt. Lumturinë e lashë në Kalivaç. Ajo, edhe pse ishte vetëm 12 vjeçe dhe imcake, u ingranua shpejt në punët e familjes bujqësore. Ekonomia bujqësore, në atë kohë ishte individuale e punët ishin të rënda e të shumta. Babai ishte shkëputur nga Miniera e Selenicës dhe erdhi në Kalivaç, për t’i dalë zot punës në tokat e tij bujqësore, shtëpisë dhe për të punuar arat tona pjellore. Atij i hanin duart për punë, se ishte mësuar të bënte punë të rëndë, në minierë; me orar e në kushte të rënda.

Fillimisht, Babai ynë e nisi punën në ekonominë e tij bujqësore me çeljen e tokës së re. Në fundin e arës me emrin Rredhe, pranë Zezanit, ishte një copë tokë rreth 5 dynyme në pronësinë tonë, e cila ishte e mbushur me konopicë dhe me kashtë të kuqe. Toka ishte me strukturë organike ranore, lehtësisht e punueshme, por konopicat e shumta duheshin shkulur dhe kuklat, mbasi thaheshin në diell, shfrytëzoheshin si dru zjarri, në dimër. Zonja e Madhe dhe Lumturia; nënë e bijë, i mbanin kuklat, herë në shpinë e herë në kokë, në atë distancë të madhe, nga fundi i Rredheve, në shtëpinë tonë, në pjesën e sipërme të mëhallës Ahmetaj, ku, e përpjeta tek Ullinjtë e Bushit ishte “thembra e Akilit”. Tutka (kështu i thoshim Lumes, me përkëdheli), ishte me skelet të paformuar mirë, por sedra dhe dëshira për t’i ardhur në ndihmë Nënës, ishin motiv i fortë për të duruar lodhjen dhe mundimet.

Në vjeshtë (aty nga fundi i gushtit), kur piqeshin fiqtë; me një kazan llamarine në kokë, apo me një shportë xunkthi në dorë shkonte në krye të Rredheve, ku ndodheshin dy fiq; njëri i varietetit bradashesh e tjetri i bardhë. Fiku i bardhë ishte në pjesën tonë, bradasheshi, në atë të Reshatit. Më poshtë, thuajse në mes të parcelës, ishin dy fiq të tjerë, të varietetit vasjarës. Fiku i bardhë dhe ata vasjarës ishin më të shijshëm. Kur kokrrat e tyre çaheshin, Nëna i bënte bukëfiqe; të tjerat përdoreshin për të ngrënë, të freskëta dhe shkoheshin vergje.

Një ditë, kur do të shkonte për të vjelë fiq, në Rredhe, Lumturisë iu qep nga pas Dilaveri, i cili ishte i vogël (pekuli i familjes) dhe mjaft nopran (i prapë). Sapo dolën në Shure, Dilua nisi të qajë e të ankohet se nuk mund të ecte, mbasi në këmbë i kishte hyrë një gjemb i bardhë, nga ata që dhembin shumë e nuk dallohen lehtë, kur futen në mish. Ai kërkoi nga e motra ta merrte në krahë dhe Ajo e mori kalipec. Në qafën e Lumes, pekuli ndihej mirë e nuk ankohej më.

Kur kaluan Kubenë, në Vidhishte e dolën tek shtegu i Llapovicave, Lumturia e zbriti nga qafa ku e mbante Dilaverin. Ai, nisi të ecte vetë, por çalë-çalë. Tek Mekami, Dilua u kujtua përsëri dhe kërkoi nga e motra të njëjtën gjë. Lumja, e cila e donte shumë vëllanë e vogël, e mori sërish kalipec, derisa vajtën tek fiku. Mbasi u ngop me fiq, në udhën e kthimit, Dilos nuk i dhembte më këmba.

Lumja nuk mbeti pa gjë; Ajo mbajti në kokë kazanin me fiq.

Xheviti, mbasi hapi fundin e Rredheve nuk e ndali punën e nuk përzgjodhi ta kalonte dimrin pranë zjarrit, siç vepronin kushërinjtë dhe bashkëfshatarët e tij. Babai ynë ishte mësuar me punë e nuk mund të qëndronte pa bërë diçka të dobishme. Një ditë i vajti mendja të “shkepte” ledhin që ndante arën nga një le (rrip toke i ngushtë) ku ishte dhe një ulli shakulli. Ai kaliti kazmën e gurit që kishim në shtëpi, tek usta Jemini, në Toç, gjeti dhe një kazmë qylyke, u bëri bishta të rinj dhe ia nisi punës. Ai e niste punën herët në mëngjes dhe kur vinin në arë Zonja e Madhe dhe Lumturia, Ai kishte bërë goxha punë dhe kishte nxjerrë një pirg me gurë.

Nënë e bijë, të dyja femrat, herë në kokë e herë në kurriz, ato i çonin gurët tek çfrati i Përroit të Çorrushit, midis dy ullinjve kaniniotë që ndanin arën tonë nga ara e kufitarit Cizo Selfo Agaj. Kur pikasi se Nënë e bijë lodheshin shumë duke ngritur gurë; me ca dhoga e me dy hunj, Xheviti sajoi një tezgë dhe, pas këtej gurët nuk transportoheshin më në kokë apo në kurriz. Mirëpo, pekuli i familjes, Dilaveri, kur i dilte gjumi e zbriste në Llomera, pa që Nëna jonë, së bashku me Motrën, lëviznin nga njëri cep i arës në tjetrin me një tezgë që ngjante si korroile, u tha atyre: “Më mbani dhe mua mbi gurë që të bëj qejf!” Nuk ia prishën pekulit ato dhe gjithë ditën, Dilua bënte varavingo mbi tezgë, pavarësisht se pesha mbi tezgë ishte më e rëndë.

Në verë, kur nënë e bijë, punonin tokën ose tëharrnin grurin në Sheshin e Llomese, të lodhura nga puna e rëndë, u shtrinë për “ta trembur” pak gjumin nën hijen e ullirit kaniniot, pranë çfratit me gurë. Të lodhura e të raskapitura, ato i mundi drema e i zuri gjumi. Papritmas, ato dëgjuan një zhurmë, e cila ngjante me rënien nga lartësia të një plenci me und. Zonja e Madhe, e cila e kishte gjumin të lehtë, e ndjeu zhurmën dhe ngriti kokën. Çfarë të vështronte? Një goxha gjarpër kishte rënë nga degët e ullirit e kishte shkaktuar gjithë atë zhurmë.

Sa rrëmbeu një furkaçe që kishte pranë për ta goditur, zvarraniku, i trembur nga sa i ngjau dhe nga prania e njerëzve aty pranë, rrëshqiti nëpër bar e u fut midis gurëve të çfratit. Nënë e bijë, të ndodhura përpara kësaj të papriture, e lanë punën e u morën me diçka tjetër, larg vendit të ngjarjes.

Në muajin gusht të çdo viti, unë dhe Lumturia, kur ishim me pushimet verore, shkonim në Koshtan, tek dajot (vëllezërit e nënës). Ata kishin një shtëpi me dy dhoma. Njëra syresh, ajo me katua, qëndronte vazhdimisht e shtruar për të pritur miqtë e shumtë të asaj dere miku. Shtëpia e Barjam Temes dhe e vëllezërve të tij: Adushit dhe Kadriut, ishte derë e madhe e bukëdhënë në Koshtan. Jo vetëm se ishte familje dëshmori (vëllai i tyre Musa Temë Shehaj ishte dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar). Ishin ditë të pushimeve verore, për shlodhje e argëtim, por dhe kohë e miqësimit me fëmijët e një gjaku, me të cilët mblidheshim vetëm në këtë muaj dhe për ndonjë dasmë.

Si majmunë nëpër pemë, hipnim nëpër degët që kishin fruta të pjekura dhe, sikur të kishte rënë karkaleci në arë, linim vetëm gjethet e pemëve dhe frutat e papjekura. Në atë kohë, ishin pjekur fiqtë e shumtë që rrethonin shtëpinë e dajove tanë; rrushi, me hereke dhe nëpër pjergullat e shumta, bajamet; kumbullat dhe ndonjë frut tjetër që mund të konsumohej. Sa për t’i bërë dëm, këputnim dhe ndonjë kokërr ftoi apo shegë, të cilat ishin çalla (të papjekura). Vajzat, si “grifsha”, tok me ne, djemtë, hanin gjithë ditën fruta dhe kur dilte në shkallë xhixhi Misikua, një grua shpirt njeriu, e zonja dhe menaxhere e mirë e ekonomisë familjare, e na thërriste për të ngrënë drekë, vajzat zbrisnin nga pemët e shkonin për të ngrënë drekën që kishte përgatitur Ajo. Unë nuk haja drekë se isha i ngopur me fruta.

Atëherë Xhixhi Misikua, me të madhe bërtiste: “Po këto ‘grifshat’, mbasi hanë fruta sa ngopen, hanë dhe bukë; po ti, me se rron?” Unë, i krekosur, plot krenari kalivaçasi përgjigjesha ezber: “Jam i fisëm e rroj me fis!” Qeshte ajo, qeshja unë. Në mbrëmje, opinioni im rrëfehej si ndodhi e rrallë dhe origjinale, imja.

Familja e dajove tanë, në Koshtan të Tepelenës, edhe pse kishte pësuar “firo”, prapëseprapë kishte mbetur e madhe, e kamur e me rreth të gjerë miqësor. Djali i madh i familjes, Salihu, në vitet ’30 të shekullit të njëzetë, emigroi në Turqi e u vendos në Izmir. Ai punoi atje, gjatë, e u martua me një greko-turke, me origjinë nga Çamëria, e cila quhej Nayet, me të cilën solli në jetë dy vajza dhe dy djem. Për t’u kujtuar për pjesëtarët e familjes që kishte lënë në Koshtan, për të cilët kishte shumë mall, vajzave të tij u vuri emrat e motrave, njërën e quajti Senise (Sherine) dhe tjetrën: Lejla (Lala); djemtë i quajti: Hamdi dhe Ali.

Para çlirimit të vendit, erdhi vetëm një herë në Koshtan dhe në Kalivaç, tek motra Zonjë, me shumë dhurata, për pjesëtarët e familjes, për kunatat, vëllezërit, miqtë e shokët e shumtë; sidomos për motrat (Lala; Sherine dhe Zonjë). Vëllai pasardhës në moshë ishte Barjam Temja; një burrë esnaf, gdhendës qoshesh, zot muhabeti e pijetar nga ata që nuk i dilte njeri përpara në tërë krahinën. Ai kishte jo vetëm miqësi të gjerë, por dhe një autoritet të padiskutueshëm si mentar i njohur në të gjithë krahinën.

Pas tij vinte vëlla Adushi, i cili ishte millona, në Mullirin e Malos, në Recol. Musai, më i riu, pas kryerjes së shërbimit ushtarak doli partizan e ra në luftën për liri. Kadriu, ishte ushtarak e u nda shpejt nga familja, i detyruar nga kushtet e kohës. Në shtëpinë e tyre, në atë majë bregu, hynin e dilnin pareshtur miq e të dashur të cilët gjenin ngrohtësi, nderim dhe bollëk. Shtëpia e dajove tanë ishte shtëpi bukëdhënë dhe nëna jonë kishte trashëguar tiparet më të mira të familjes ku u lind e ku u rrit, të cilat ia transmetoi Lumturisë.

Lumturia i bëri të sajat mikpritjen, bujarinë, sedrën për punë, sjelljen korrekte dhe kurajon për t’u përballur me këdo.

Motra jonë e vetme, Lumturia, u rrit, dita-ditës, mes halleve dhe kufizimeve të kohës. Ajo rridhte nga një trung i fisëm e kishte marrë vlagë, nga bujaria e prindërve të saj dhe nga ajo shtëpi bukëdhënë. Kur sapo kishte mbushur 12 vjeç, tek Xhevit Malkua dhe tek Zonjë Temja, rendën lloj-lloj lajmësish, të cilët bazuar në tiparet e saj dhe me bindjen se do të ngjante nga rrënja, e kërkonin për ta pasur nuse, në shtëpitë e tyre apo në fis e në gjitoni. Një i tillë, mori udhën e erdhi, në shtëpi, si mik i lashtë i familjes. Në shtëpi gjeti Zonjën e Madhe, dhe Xhevitin.

Lumturia, për fat, kishte vajtur me pula deti, me shoqen e saj të ngushtë - Lavdijen e Abedinit. Xheviti dhe Zonja e Madhe, sipas traditës, e pritën mikun, si mik, e hodhën në qoshe dhe e qerasën, me çfarë u ndodh. Kur miku u shfaq përse kishte ardhur, Xheviti, mbasi e vështroi mirë e mirë, u mendua një çast, e iu përgjigj tjetrit: “Po unë nuk kam kocë për të martuar; një kocë që kam, akoma nuk ka mbushur 10 vjeç!” Kjo përgjigje me diplomaci, bëri që miku të ngrihej e të ikte, duke kërkuar ndjesë që nuk e kishte “hetuar” mirë çështjen. Miku i shtëpisë veshi opingat e ia mbathi, andej nga kishte ardhur.

Ai ngjiti të përpjetën që të çon në Majën e Tendes, doli tek Lisat e Hyset e vajti në shtëpinë e tij në Bozanaj turivarur. Të tjerë lajmës, rastësorë e të specializuar trokitën në derën e Xhevitit nopran, për të kërkuar dorën e Lumturisë.

Njëri syresh, i cili, ndoshta provoi për herë të parë të bënte lajmësin, me qëllim që t’u bënte mirë të dyja palëve në krushqinë e pritshme, ishte kalivaçasi Karafil Mahmut Bilaj. Xha Karafili ishte një burrë i gjatë, mbi shtatlartësinë mesatare të bashkëfshatarëve, i veshur me rroba shajaku, me ngjyrë të zezë, me një qylah të bardhë në kokë, nga ata që përfundojnë me një majë të gjatë, si rrufepritëse. Karafili, dhe vëllai i tij, Refati ishin burra zakoni, trima e të besës dhe atdhetarë të spikatur. Ata ishin shpërngulur nga trojet e të parëve në Hasanimeraj e ishin vendosur në Margellic, pranë pronave të tyre të begata. Refati kishte ndërtuar dy përdhese të cilat komunikonin me njëra-tjetrën, tek gryka e derdhjes së Përroit të thatë të Serhanit, kurse, xha Karafili ngriti dy kasolle me kashtë në mes të përrallit shekullor dhe të drizave, në vendin e quajtur Gjembi i Bilos.

Xha Karafili ishte martuar me gege Bedrine, e cila rridhte nga një familje fisnike, por, për fat të keq, njërin nga sytë e kishte të verbuar dhe nuk lindi fëmijë. Ajo ishte mjaft e dashur dhe e dhimbshur e me zemër të mirë. Mirësinë e saj pafund e kishim provuar ne të vegjëlit, kur na jepej rasti të shijonim pekmezin që bënte ajo dhe petullat me vaj ulliri e me mjaltë që na servirte, kur i shkonim në kasollen shtëpi.

Xha Karafili ishte bujk i mirë dhe vreshtar i kualifikuar. Në ledhet midis parcelave të arave Llomera, Ai u kishte ngjitur drurëve frutorë dhe atyre pyjorë, pjergulla e u shërbente me esnafëri. Hardhia me rrush tavoline, të cilit në Kalivaç i thonë razaki, ishte më e preferuara. Thonë se kalivaçasit e kishin sjellë këtë varietet, nga Korinthi i Greqisë e ai ishte përshtatur për bukuri në klimën e Kalivaçit e më tej. Karafil Mahmuti, me djersën e ballit e me aftësi, kishte krijuar një ekonomi bujqësore për t’u pasur zili.

Përveç arave të begata, bletarisë dhe blegtorisë, ai kishte dhe shumë miq e shokë, në Kalivaç e në fshatra të tjera. Në Krahës, ishte e martuar motra e tij, Hasime Mahmutja, e cila kishte shkuar nuse në derën e fisnikut Sulo Barjami, në bregun e Llakajve. Sipas gojëdhënës, të parët e Sulos, kishin zbritur pranë pronave, nga Krahësi i sipërm ku kishin pasur mbiemrin Silaj. Hasime Mahmutja, në derën e Sulo Barjamit kishte lindur shumë fëmijë, djem e vajza, të cilët “pushtuan” vendin e dolën nëpër botë. Xha Karafili në rolin e lajmësit, kishte për qëllim t’u bënte mirë të dyja palëve: si Xhevit Malkos dhe Sulo Barjamit duke bërë çift Lumturinë me Tefikun.

Sipërmarrjen e xha Karafilit e nxiti lidhja miqësore e tij me Sulo Barjamin, por dhe një rrethanë e re e cila mundësoi lidhjen me Xhevitin kryeneç. Në janarin e vitit 1957, Xha Karafili lidhi një marrëveshje ekonomike me Xhevitin. Ai kishte një tufë me dhen, të cilat i futi në tufën e qinosur, me afat pesëvjeçar, me mjeshtrin e mbarështimit të dhenve, Xhevit Malko nga mëhalla e Ahmetajve. Kjo nuk ishte e vetmja lidhje miqësore mes dy fiseve të fisme. Refati, vëllai i vetëm i Karafilit, ishte i martuar me Mushon, të bijën e Musa Mehmetit dhe të Hysnijes kapedane.

Xheviti ishte kushëri i dytë i xha Musait. Karafili synonte ta thellonte miqësinë me Nelajt, mbasi të fismit mbështeteshin tek njëri-tjetri, prandaj tentoi për të lidhur një fije të re miqësie. Mirëpo Xheviti ishte kokëfortë e nuk bindej lehtë për të hedhur një hap të tillë. Ai kishte vetëm një vajzë dhe kërkonte siguri për të ardhmen e saj. Fukarallëku i skajshëm nuk ia kishte ulur kokën çobanit të dhenve, përkundrazi, djersa e ballit që kishte derdhur dhe rreziqet që kishte kaluar ia kishin shtuar krenarinë.

Kushtet e qinosisë së re, u formuluan në një akt të shkruar, autor i të cilit pata fatin të isha unë. Ndonjë sfond juridik, në atë mjedis e nga ai grup bashkautorësh, as që mund të pretendohej; sidoqoftë, kushtet e qinosisë, për të dyja palët u fiksuan, sipas normave zakonore, me saktësi. Mbasi nisi të funksiononte në praktikë marrëveshja, Karafili hynte e dilte lirshëm në shtëpinë e qinosarit. Atij i ra në sy e bija e Xhevitit, Lumturia, e cila, pavarësisht se ishte e imët në shtat, kishte të mishëruara tipare të qenësishme, sa i takon shkathtësisë, zgjuarsisë dhe zotësisë për të punuar, në arë apo për të mbajtur shtëpinë. Karafili, duke gjykuar thjesht e mençurisht, konkludoi se e bija e Xhevit Malkos, fisnike në gen e “dritë”, në tërë qenien e saj, ishte e zonja të ngrinte një familje të shëndoshë e të përballonte sfidat e kohës.

Pas disa bisedave miqësore, të dy qinosarët, arritën në përfundimin fatlum, për ta konkretizuar këtë lidhje krushqie. Më në fund, Lumturia u fejua me Tefik Sulon dhe, mbasi këmbyen “nishanet”, nisën përgatitjet për dasmën e pritshme.

Në vitet për të cilat bëhet fjalë, gjatë fejesës, derisa të realizohej martesa, të fejuarit nuk komunikonin me njëri-tjetrin. Kur “ndahej dita” e caktohej dasma, kandidatja për nuse nuk duhet të dilte nga shtëpia dhe njerëzit e dhëndrit, nuk duhet ta vështronin atë. Karafili, bëri çmos, të paktën të gjente rastin për të shkëmbyer dy fjalë me nusen e ardhshme. Lumturia, bënte çmos që kjo të mos ndodhte dhe ishte tepër e kujdesshme.

Një ditë, lajmësi qinosar, me synimin të shikonte të fejuarën e nipit të tij, erdhi në Ahmetaj, që në mëngjes, në kohën kur Xheviti nxirrte dhentë nga kasollja. Ai e dinte se Lumturia do ta ndihmonte të atin duke ngarë dhentë. Tek rrugica prapa shtëpisë së Bejekos së Mino Jaces, u takuan dy qinosarët e po kuvendonin, me zë të lartë. Lumturia, e cila e kapi “cepin” e bisedës mes tyre, u kthye mbrapsht, vrullshëm dhe “fluturoi”, e zbathur, midis poplave, kapërceu gardhin e kopshtit tonë, u fut në kasollen shtëpi dhe mbylli derën nga brenda. Kështu, me zgjuarsi e me shkathtësi, ajo u shpëtoi syve të lajmësit nga Margellici.

Lajmësi plak, për të parë nusen e nipit, kishte marrë gjithë atë udhë, por i doli mundimi huq dhe e pati të pamundur ta realizonte qëllimin.

Në fund të muajit tetor të vitit 1957, u realizua dasma e Lumturisë me Tefik Sulon. 2 – 3 muaj para dasmës, Xheviti, me qëllim që të grumbullonte ca para për të përgatitur pajën e Lumturisë, u fut në një punë shteti. Punimet kishin karakter ndërtimi; synohej përforcimi i nyjes ku mbërthehej pallamari i lundrës, në anën e Kalivaçit, në shkëmb, diku pranë Burimit të Madh. Paratë që fitoi Xheviti, nga puna në lundër ishin të pamjaftueshme për të bërë gati plaçkat e nusërisë së kocës së vetme. Pajë i thënçin, mezi u mbushën 2 valixhe me petkat më të domosdoshme dhe dhuratat. Duheshin para të tjera.

Xheviti fukara nuk kishte mundësi ku t’i gjente. I kërkoi borxh një miku të tij, jo nga Kalivaçi, por ai i tha: “Ti je fukara, ku do t’i gjesh që të m’i kthesh paratë?” Isha në shkollën e mesme, në Korçë e nuk mund të kontribuoja. Vëllai tjetër, Dilaveri, sapo kishte mbushur moshën 10 vjeç e nuk e merrte njeri në punë. Për fatin tonë, në atë kohë, ndërtohej një linjë e re telefonike, në zonën tonë dhe në ndërmarrjen e Postë Telegrafe Telefonit të rrethit të Tepelenës, punonte djali i teze Lalasë, nga Toçi - Nebi Hasan Beqiraj.

Ai ishte i fuqishëm, fizikisht edhe pse me një dorë të prerë dhe kishte ndikim të madh në ndërmarrje, si komunist i devotshëm.

Edhe pse nuk e kishte moshën për t’u pranuar në punë, me ndikimin e drejtpërdrejtë të Nebiut, Dilaverin e regjistruan si punëtor në ndërmarrjen e Postë Telegrafe Telefonit. Brigata ku bënte pjesë Dilaveri, tërhiqte telat e telefonit. Kjo punë kërkonte shumë fuqi të cilën vëllai im nuk e kishte. Po me ndërhyrjen e kushëririt të parë, u gjend një variant tjetër. Punëtorët, në vapën e atij gushti përvëlues dhe në muajin pasardhës, përvëloheshin për ujë.

Linjat telefonike kalonin kodër me kodër, andej nga burimet e ujit të pijshëm ishin të rralla. Dilaverin e caktuan t’u çonte ujë punëtorëve, me gjyma, punë të cilën Ai e përballoi, jo pa probleme. Siç rrëfen vetë Dilaveri: “Me rrogën e atyre tre muajve kur kisha pushimet verore, grumbullova aq para, sa i bleva motrës një fustan, ndriloje (tip fesh-feshe), për paje”.

Në dasmën e Lumturisë nuk mora pjesë. Babai ma njoftoi ditën e dasmës, por nuk më dërgoi (se nuk kishte) para, për të rrugëtuar. E festova, si munda martesën e motrës së vetme, por nuk u gëzova dot si të tjerët, në mes të dasmorëve. Vetëm në pushimet e dimrit, në muajin janar të vitit 1958, “dajos në horizont” iu krijua mundësia të shkonte në familjen e re të motrës Lumturi. Në Korçë, isha në mes të korçarëve, të cilët visheshin me sqimë e mbaheshin mirë.

Jetoja në konvikt dhe ekonomia ime, ishte ndoshta më e dobëta mes konviktorëve. Aq ngushtë isha nga ana ekonomike sa, me vështirësi gjeja 10 lekë për t’u qethur, jo më të paguaja rrugëtimin nga Korça në Tepelenë.

Dasma e Lumturisë u bë në javën e fundit të muajit tetor të vitit 1957. Ishte dasma e parë në shtëpinë e Xhevit Malkos sa u përket fëmijëve të tij. Fukarallëku i familjes sonë, vërtet ia kishte “rrudhur” mundësitë ekonomike Xhevitit, por, kurrsesi nuk mund të thuhet e njëjta gjë dhe për zemërgjerësinë e tij dhe shpirtin si det. Në shpirtin e atij njeriu kishte përherë behar. U mblodhën për të përcjellë Lumturinë nuse jo vetëm Nelajt dhe mëhalla e Ahmetajve, siç e donte zakoni i vendit, por e gjithë miqësia e familjes, kudo që ndodhej.

U bë dasmë e madhe; dasmë me zemër, jo vetëm me thela e gatime të rralla. Në trapeza kishte shumë bujari e gëzim; ziente kënga labçe e dollitë pasonin njëra-tjetrën. Shirat e rrëmbyeshëm, karakteristikë e asaj periudhe, nuk i penguan dasmorët ta bënin festën, të gëzueshme, siç i takonte. Zonja e Madhe dhe Xheviti, e shkrinë tërë kapitalin që kishin akumuluar për atë ditë.

Erdhën krushqit; të kapardisur e çakërqejf, të hipur mbi kuaj. Të gjithë kishin lënë mustaqe; në kokë mbanin qylahe të bardha, me “antenë” ose kapele me strehë dhe ishin rruar e qethur dhe të veshur me rroba serioze, së shumti të zeza. Karafil Mahmuti, me rol të dyfishtë: si dajua i dhëndrit e si lajmës, pinte raki rrushi, nga duçja që kishte me vete, e këndonte, gëzonte e bënte shaka, si rrallë ndonjëherë. Një kalë i kuq, azgan, por i urtë i pajisur me aksesorët e nevojshëm (në atë kohë, nusja merrej me kalë me shalë, ose me samar; kali që do të merrte Lumturinë nuse ishte me samar, me shilte sipër dhe me fre e yzengji) ishte caktuar për nusen. Atë e kishin lënë pa kalorës mbi vete mbasi kështu e kërkonte tradita.

Krushqit, disa të njohur e të tjerë të panjohur, për vendasit, u pritën në avlli. Sipas traditës, derisa burrat që do ta shoqëronin Lumturinë u bënë gati për udhë, krushqit dhe pritësit shkëmbenin batuta. Kush t’ia hidhte njëri-tjetrit. Me të hipur kocja në kalë, nga ana jonë, gratë këndonin këngën:

“Udhë e mbarë, moj bijë!

Të na dalç e mirë;

Udhë e mbarë, moj keçe;

Mos bëneç e keqe...!”

Disa burra, të fisit e të mëhallës që kishin armë me leje, qëlluan, në shenjë përshëndetjeje, disa herë dhe uronin: “Të trashëgohet vajza, xhaxhako!” Mes tyre ishin Mehmet Musa Nelaj; Muhedin Salih Nelaj; Ali Pasho Nelaj; Shyqyri Abedin Haderaj e ndonjë tjetër. Lumturinë e shoqëruan deri në shtëpinë e dhëndrit, në Llakaj të Krahësit, njerëz të fisit tonë, të fortë, të shkathët dhe nga ata që ishin zotër qosheje. Grupin e shoqëruesve e kryesonte fisniku Ali Pasho Nelaj; në dërgatë ishin: Skender Muharrem Nelaj; Reshat Resmi Nelaj; Mehmet Musa Nelaj dhe të tjerë.

Krushqit, për të ardhur në shtëpinë tonë, ndoqën udhën që vjen nga Lisat e Hyset, nëpër udhën e lashtë automobilistike që kanë ndërtuar austriakët, në Luftën e Parë Botërore, dolën në mëhallën Beqiraj, në Dërrasë, në Përroin e Llaskos, tek shtëpia e Safet Ahmetit dhe erdhën në shtëpinë (kasolle) të nuses. Karafil Mahmuti ishte udhërrëfyes, por dhe të tjerë krushq, nuk ishin të paditur, mbi udhët që të shpinin në avllinë tonë.

Sipas traditës, mbasi morën nusen, krushqit, për të vajtur në shtëpinë e dhëndrit, në Krahës nuk duhet të kalonin në të njëjtën udhë, nga erdhën. Ata dolën tek Buza, nëpër udhën e pjerrët zbritën tek Shtegu i Veldonit, u ngjitën në Fierin e Metes dhe morën udhën nëpër Arat e Buta, dolën në Saloniq dhe zbritën e dolën afër qendrës së lokalitetit të Krahësit, pastaj, nëpër shtratin e udhës automobilistike që të çon në Fier, mbërritën në Llakaj, ku, gjithashtu ishte e ngrehur dasma.

Atë ditë, nuk pushoi shiu. Shi i dendur, me erë. U shkrehën qiejt. Dikush, nga dasmorët tha: “Paska kruajtur tiganët dhe kusitë e Xhevitit, Lumturia!” Një tjetër ia priti: “Ku t’i gjente ato, me lakra është rritur kocja”. Udha nga kaluan krushqit me nusen mbi kalë, ishte tejet e vështirë. Në pjesën më të madhe, ajo kalonte nëpër monopate, në atë udhë ku shkojnë vetëm dhitë. Gurët e bardhë e të mëdhenj që mbushin udhën, i pengonin kuajt për të ecur me shpejtësi. Tek Shtegu i Veldonit, ishin disa shkëmbinj të mëdhenj dhe një shkallë e lartë. Në ngjitje shkallët bënë që kali të gulconte e tentoi të pengohej. Skenderi që mbante për krahu Lumturinë, kur pa se rrezikohej për t’u rrëzuar nusja, sikur ta parandjente rrezikun, i bërtiti kalit: “Plaç, të hëngërt butri; yt zot, nuk të paska dhënë tërshërë mbrëmë, por të paska dhënë elb!” E dëgjoi Lumturia mbi kalë e qeshi, lehtë (u ksinj). “Pusho, Ti, – i tha Skenderi, – se na turpërove!” Dilaveri, si vëlla i Lumturisë, në vend që të përcillte motrën tek burri, ishte me dhentë e qinosisë në Fierin e Metes, dhe e vështroi karvanin e krushqve tek ngjitej udhës së verbër për në Arat e Buta. Në vend të tij, Xhaxhakua caktoi Reshatin, i cili ishte rritur me Lumturinë dhe të dy kishin pirë sisë, tek nënat e njëri-tjetrit.

Gëzimi dhe të shtënat me armë, atë natë u shpërngulën nga Nelajt e Kalivaçit në Llakaj të Krahësit, ku krushqit u pritën me nderimet që u takonin dhe Lumturia, me gëzimin që shkaktoi ardhja e saj. Midis dy familjeve, miqësia e lashtë u ripërtëri e u dyfishua. Hasime Mahmutës, i erdhi në vatër, një nuse, por një nuse jo si të tjerat; atë do ta kishte: nuse, bijë dhe shoqe, me të cilën Ajo mund të bisedonte sikur të ishin dy motra, jo si nusja me vjehrrën.

Në Tiranë, më 28 nëntor 2018

Shkroi Niazi Nelaj - vëlla i Lumturisë

Fund i pjesës së parë; pjesa e dytë vijon, ajo përfshin jetën e Lumturisë në Llakaj.