Në fshatin Dhërmi, pranë Rezidencës qeveritare, në vijën e ujit, ndodhet një kishë e lashtë, e ndërtuar mbi gurë, e cila kokën e ka në qiell dhe këmbët në det. Kisha nuk ka përmasa të mëdha; ajo është ndërtuar me gurë, e lidhur me llaç dhe e orientuar nga kanali nëpër të cilin kalojnë karvanet e anijeve.

Fshatarët e Dhërmiut, historikisht kanë qenë e janë lundërtarë të zotë. Ata, në kohët për të cilat bëhet fjalë, lundronin me ca anije druri, me vela, me mjete navigacioni që bazoheshin kryesisht në astronomi, dhe bënin tregti me thuajse gjithë portet detare të Mesdheut. Tregtia e tyre ishte me këmbim, jo me para në dorë. Fshatarët e Dhërmiut eksportonin ullinj; vaj ulliri; lëkurë; agrume (limone, qitro, nespulla) dhe prodhime artizanati. Ata merrnin në këmbim drithë, pëlhurë dhe sende zbukurimi.

Të moshuarit e fshatit, i pyeta, e më rrëfyen historinë e ndërtimit të Kishës së piratit, e cila ka dy emra. Emri tjetër i saj është: Kisha e Shën Johanit. Për mendimin tim, kjo është një legjendë e mirëfilltë, përderisa nuk bazohet në dokumente autentike.

Një detar nga ky fshat, me emrin Johan, ishte mjaft i zoti në lundrim, shpirtmirë dhe i dashur me marinarët e anijes që drejtonte, të cilët e nderonin si kapitenin e tyre bëmëmadh.

Në një lundrim kthimi, kur marinarët ishin shkujdesur e po ktheheshin në familjet e tyre, në një natë me det të shqetësuar, hëna, ndriçoi tre njerëz që ishin mbi dhoga, të shkëputura nga trupi i një anijeje të shkatërruar. I pikasi kapiten Johani, syshqiponje dhe u vajti pranë, me anijen e tij. Tre burrat ishin nga Dhërmiu, të kallkanosur e të pangrënë. Në atë errësirë nate dhe deti të trazuar, ata shpresat i kishin vetëm tek Zoti dhe luteshin; "O Zot! mëshirona e na shpëto se jemi bijtë e tu të mirë!"

Fatkeqët i morën në anije, u dhanë për të pirë e për të ngrënë dhe ata e morën veten dalëngadalë. Kapiteni dhe marinarët e tij, i ulën ata në tokë, dhe natën, fatkeqët shkuan pranë familjeve që i prisnin, në ankth, të ktheheshin nga kurbeti... vijon.

...vijimi:

Fshatarët e Dhërmiut e të fshatrave përreth, si besimtarë të devotshëm të fesë ortodokse, për të nderuar kapitenin bëmëmadh Johan, sipas rregullave, e shpallën atë shenjtor dhe kishën e pagëzuan me emrin tjetër: Kisha e Shën Johanit.

Një ditë mora guximin e hyra brenda. Në kishë shkonin besimtarë e bënin ritet fetare.

Një i moshuar më dëftoi se në vitin 1946, pranë kishës doli mbi ujë një nëndetëse e huaj, nga e cila dolën disa njerëz, të cilët ecnin të përkulur e me hap të shpejtë. Ata hynë në kishë e dolën pas pak me diçka në duar.

Më e keqja ngjau në vitin 1967. Fshati ishte kooperativë bujqësore. Kishës iu mbyllën dritaret, me mure dhe nga brenda u lye me sherbet gëlqereje. U llangosën e nuk riparohen, ikonat dhe afresket.

Në kamaret e murit, pashë disa qypare të thyera, të cilat, më thanë se kanë qenë me ar, para grabitjes.

Në kishë, edhe pse fshati numëron mjaft kisha, vazhdojnë ritet fetare. U largova me ndjenjën e trishtimit dhe me shpresën se ata njerëz të mirë, diçka do të bëjnë, në të mirë të ruajtjes së trashëgimisë!