(Sipas kujtimeve vetjake të viteve ’50 të shekullit që shkoi)

Kushtet klimateriko-tokësore të trevës, kanë bërë të mundur popullimin e Kalivaçit prej kohëve më të lashta. Datimi i ekzistencës së fshatit tonë si vendbanim, pas interpretimeve të zbulimeve arkeologjike të kohëve të fundit, ka për njësi matëse, jo vitet e shekujt, por epoka të tëra. Hamendësitë dhe përpjekjet e lavdërueshme të mentarëve nga ky fshat, tashmë kanë nevojë të korrigjohen e të përmirësohen. Nuk bëhet fjalë për saktësime mbasi, një gjë e tillë, praktikisht, tani për tani, do të ishte e pamundur.

Ia vlen të thuhet se të parët tanë kanë qenë mendjendritur e neve, pasardhësve të tyre, na përket t’u përulemi, me nderim e të ecim në gjurmët e tyre. E them këtë, nisur nga fakti se ata, të pashkollë, siç ishin kohët kur jetuan, i kanë ndërtuar banesat, mbi bregore dhe, mbi bazën e fiseve, kanë formuar mëhallet. Mirënjohja jonë lipset t’u drejtohet atyre njerëzve me mend në kokë, për faktin se nuk kanë zënë me shtëpi tokën arë, atë tokë, nga e cila buronte vazhdimësia e jetës së tyre, prodhimi i drithërave të bukës, por dhe nisur nga fakti që kanë parashikuar se dikur, mëhalla do të shtohej e do të zgjerohej, prandaj ata kanë lënë “fond tokë rezervë”. Shumimi i fiseve dhe familjeve në ditët tona, e vërteton, plotësisht largpamësinë e tyre.

Njëra nga mëhallet më të mëdha, si në numër familjesh dhe për frymë (njerëz), dhe njëra nga më të lashtat vendbanime është ajo e Ahmetajve. Ai që vuri gurin e themelit dhe lartoi ngrehinën e parë, pavarësisht nga koha kur kjo ka ngjarë, mendoj se ka qenë kokëplotë. Këtë përfundim, nuk e nxjerr apriori, por nisur nga disa premisa që më tërheqin vëmendjen. Një vrojtues i kujdesshëm, kur hedh vështrimin mbi këtë mëhallë, edhe fare rrëshqitas, nuk ka si të mos vërë re premisat e mëposhtme: Mëhalla është ndërtuar mbi faqen Perëndimore të një bregoreje, e cila e ka strukturën shkëmbore. Të mbështetura pas faqes së bregores, shtëpitë e kësaj mëhalle, duke u lartësuar, duken sikur janë vendosur njëra mbi tjetrën në formën e një shkallareje. Ato e nisin zbritjen, nga lart, poshtë, duke marrë start nga gërmadhat e fisnikut Ramo Nebi Kalemaj, në krye të mëhallës, deri tek shtëpitë e vëllezërve, Ahmet e Novruz Selfo Zenelaj, në fund të saj.

Në faqen Veriore të bregores, kalon përroi i Veldonit, shtrati i të cilit është mjaft i thellë dhe, në të dyja faqet që formojnë këtë “ulluk” lartësohen pjerrësi shkëmbore të mbuluara nga shkurre përralli, xine, mberte, ilqe, frashër, ferre qeni, koçimare etj. Shtrati i Përroit të Veldonit, në verë është i thatë, me përjashtim të disa pellgaceve që mbajnë ujë gjatë gjithë vitit, kurse, në periudhën e shirave, bëhet i frikshëm, prej gurëve që përcjell dhe është i rrezikshëm ngaqë bëhet ujëplotë. Ahmetajt e kanë lumin e Vjosës pranë dhe në afërsi të tij, në të gjitha anët, ngrihen bregore, të mbuluara nga shkurre përralli, koçimare etj., të cilat janë të dobishme si për të siguruar drutë e zjarrit, dhe si sipërfaqe kullosore; për të leshtat e për të dhirtat, dhe për gjedhët e kuajt.

Mëhalla e Ahmetajve ka një epërsi të dukshme sa i takon pemëtarisë. Ajo disponon toka arë të pasura, aluvionale dhe me taban të shëndoshë, si dhe është e pasur në ullinj, fiq, bajame, hardhi etj. Arat e mëhallalinjve të mi nisin nga Shuret, të cilat janë kryesisht gurishte e shfrytëzohen për të prodhuar elb, hokërr (tepen e harruar), kockulla, tërshërë, urov e kultura arash të familjes graminaçe, nga ato që nuk kanë nevojë, për ujitje, për prashitje as për shërbime të tjera kulturore. Diku, pranë një dardhe të madhe, kakishte, e cila emërtohej: Dardha e Haxhiajve, por që sot nuk ekziston, dhe në Shuren e Meços, kur pronarët e tyre bënin plehërim me plehra organike, mund të mbillej edhe gruri. Tokat gurishte dhe argjilore, deri atje ku nisin Llomerat dhe Vidhishtet, tradicionalisht janë shfrytëzuar për të mbjellë duhan dhe tagjira.

Ahmetajt, thuajse zotërojnë plotësisht arat aluvionale të Margëlliçit të cilat mund të quhen sera natyrale, të cilat kanë prodhimtari të lartë dhe Moçalet e Trapin e Çezmës, si dhe kanë ara të shumta në Llomerat, në Vidhishte, në Gryka, në Llapodhica; në Shpendra, në Luadhe, në Xina; në Jorga, në Fengje, në Llagëme, në Bishtje, në Rredhe e gjetkë. Natyra i ka favorizuar Ahmetajt, duke u dhënë zotërime të atilla, të cilat kanë pranë familje bashkëfshatare të ndiera e me besë.

Pjerrësia e faqes së bregores pas të cilës është mbështetur mëhalla, lejon që ujërat e shirave, të zbresin poshtë, nëpër rrugica, duke marrë me vete plehun e bagëtive dhe të kafshëve të punës e të prodhimit, që kalojnë nëpër këto rrugica, disa herë në ditë. Ujërat e shirave, të pasuruara me pleh, gjatë rrjedhës zbresin në Shure, ose në Përroin e Veldonit, i cili e ka grykëderdhjen, në Gurishten e Binajve. Përroi i Çorrushit, i cili përcjell aluvionet që rrjedhin nga pjerrësitë e malit të Thanës dhe në të dyja anët e luginës, “mbath” tokat nëpër të cilat kalon, deri tek Llomerat e Hysni Mete Deraj dhe në ato të Binajve e më poshtë në arat e Çizo Selfo Agaj e në Vidhishtet, deri tek Kubeja e dikurshme, në mes të fushës.

Në anën Jugore të mëhallës Ahmetaj, shtrihen dy mëhallë fqinje; ajo e Hasanimerajve dhe ajo e Beqirajve. Ka mundësi që projektuesi i mëhallës Ahmetaj, në optikën e tij largpamëse, të ketë parashikuar vend të lirë për ndërtimin e banesave të reja edhe në këto territore, si rrjedhojë e shtimit natyral të popullsisë dhe ndarjes së familjeve të reja, nga trungu amëtar. Ahmetajt i veçon nga dy mëhallet fqinje Përroi i Llaskos. Ai është një përrua i thatë, i cili vërshon e bëhet ujëplotë, në stinën me shira, duke grumbulluar e përçuar, ujërat e rrëkerave që mbledh ajo “govatë natyrale”, prej Dulajve, deri tek Çanajt dhe i derdh ato në Përroin e Faqekuqeve, tek varret e Ahmetajve. Ky përrua i cili i përcjell ujërat mbi një taban shkëmbor, nuk sjell shumë aluvione, mbasi terreni nëpër të cilin kalon është guror. Një pjesë e kufirit ndarës, mes mëhalleve, nga shtëpia e Çizo Selfos deri tek gropat e baltës, poshtë shkollës, të cilat i shfrytëzoi dikur, si gropa gëlqereje mjeshtri i kaminave, Hamit Caush Muharremaj, ka për objekt, udhën kryesore që shërben për daljen tek shkolla e fshatit, në Majën e Tendes e më tej tek Lisat e Hyset.

Sipas një gojëdhëne, hamendësohet se në lashtësi, si rezultat i lëkundjeve tektonike, nga “blloku” i dy mëhalleve (Beqiraj dhe Hasanimeraj) ka rrëshqitur mëhalla e Hysodosajve, e cila ka mbetur mbi një bregore dhe e ndan nga dy mëhallet e mësipërme Dërrasa. Kjo hamendësi nuk bazohet në të dhëna të tjera me karakter shkencor, prandaj mbetet në kufijtë e një legjende. Sidoqoftë, koha e ardhshme dhe zbulimet e reja, me siguri që do të hedhin dritë edhe mbi këtë dukuri, e cila, tani për tani, mbetet në fantazinë e një pjese të vendasve.

Gojëdhëna e hamendësi qarkullojnë dhe për vendin e banesës së parë që pretendohet se është ndërtuar atje ku vendi quhet: “Kryeja e shtëpisë”. Vetë fakti që atij vendi, i cili ndodhet thuajse në mes të mëhallës Ahmetaj, aty ku ka qenë ngrehina që ndërtoi e shfrytëzoi për banim, mëhallaliu Isuf Jaçja dhe vëllai i tij Mino Jaçja, të cilët janë shkëputur nga trungu i Nelajve dhe kanë ndryshuar mbiemrin udhës, në Jacaj e të tjerë në Bejomalaj.

Murishtet e shtëpisë së vëllezërve Minojacaj dhe një shesh i vogël, në Lindje të saj ku mblidheshin fëmijët e Nelajve, të Derajve, të Caqajve dhe të Mucoimajve për të luajtur me njëri-tjetrin, lojëra të fëmijërisë. Një dëshmi e 95-vjeçares Yzeme Xhemal Nelaj (Malaj), e cila është lindur e rritur në këtë mëhallë, hedh dritë mbi këtë hipotezë. Tek këndi juglindor i banesës kryqëzoheshin dy sokake; njëri që vjen nga Hija e nga Buza dhe vazhdon, nëpërmjet Përroit të Llaskos, tek shtëpia e Çanë Deliut dhe e Brahush Sulejmanit e cila dilte në Dërrasë dhe tjetri, që zbret në Sheshin e Veldonit, nëpërmjet Brinjës së Qendret. Jo më tepër se 5 m larg këndit të murit të kësaj shtëpie, në rrëzë të murit rrethues të bahçes së Muharrem Kamber Deraj ka qenë një gur i çuditshëm, i cili njihet me emrin: “Guri i kalit”. Ai gur, me lartësi rreth 70 cm, e me përmasa rreth 70x60 cm, shërbente për t’u hipur kuajve, mbi samar ose mbi shalë, kur burrat niseshin për udhë.

Vertikalisht, thuajse paralel me sokakun që zbret në Veldon nëpërmjet Brinjës së Qendret, është një sokak tjetër, më i gjerë, e i mbuluar nga gurë të pasistemuar, i cili nis nga porta e vogël e ngrehinave të Muharrem Kamber Deraj, deri tek vendi i quajtur Ullinjtë e Bushet. Ky sokak zbret paralel me bahçen e Dajlanit dhe lë në Veri bahçen me ullinj të Breshan e Xhelal Fejzos. Ia vlen të thuhet se ky sokak kalon përpara shtëpisë së Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj), e cila kishte përpara dy sofatë prej guri dhe një portë të madhe, me dy kanata, prej dhoge dhe sipër një qemer prej dy copash guri të gdhendur. Oda e vjetër e kësaj familjeje e cila kishte shpinën nga udha, së bashku me kompleksin e portës me qemer e me sofatë, kanë qenë njëri nga objektet ndërtimore më interesante të mëhallës.

Objekt tjetër me vlera historike është qivuri i Sadikajve, i cili ndodhet brenda bahçes së Dajlanit dhe është varr familjar. Sokaku që zbret mes Bahçes së Dajlanit dhe ullishtës së Bejomalajve (Nelajve), “fle” në kryqëzimin e udhës që vjen nga Veldoni, kalon rrëzë shtëpive të Ahmet e Novruz Selfo Zenelaj, pranë varrezave të mëhallës e ngjitet tek Qafa e Dërrasës, duke lënë në të djathtë Faqekuqet, të cilat kanë qenë në pronësi të Shahin e Kapo Danes; pjesë e njërit nga pinjollët e tij – Liço Kapo Malaj.

Objekt me vlera historike, por jo vetëm, ishte Buza. Thuajse në mes të mëhallës, si lartësi. Në anën Veriore të saj, në udhën që vjen nga Hija e pret mespërmes mëhallën, del në Përroin e Llaskos e më tej në Dërrasë. Ajo mblidhte burrat e mëhallës, në kuvend të lirë ku trajtoheshin problemet që shqetësonin komunitetin. Buza, ndoshta e ka marrë emrin, nga pozicioni i saj gjeografik. Ajo ndodhet, përpara portës me qemer guri të Abedin Kahremanit, pak nën lëmin e Mane Tafil Zenelaj, sipër lëmit të Muharrem Hasanit, i njohur si Lëmi i Dajlanit.

Pranë saj ka qenë një banesë dykatëshe, oda e Muhedin Salihut, e cila, brenda avllisë kishte një përdhesë, me kurriz nga Lëmi i Dajlanit. Midis odës së Muhedin Salih Nelaj dhe murit të avllisë së Abedin Kahreman Haderaj, kalonte udha horizontale që të çonte, nëpërmjet Përroit të Llaskos, në Dërrasë.

Interesante është vendosja, në mënyrë të çrregullt e disa gurëve të mëdhenj, si shkëmbinj, të nxirë nga koha e të mbuluar nga myshku. Buza, nuk kishte formën e një amfiteatri; me burrat e mëhallës të ulur mbi shkëmbinjtë, dikur zjente debati i lirë, objekt i të cilit ishin çështjet që shqetësonin komunitetin e mëhallës. Debati në Buzë, niste kur burrat e mëhallës ishin të lirë nga punët e ditës dhe, natyrisht, kur moti ishte i përshtatshëm. Debati në atë mjedis i ngjante një kuvendi burrash; ai kishte prerogativat e një ode, ku rriheshin mendime, por nuk merreshin vendime. Të moshuarit, burra të zgjuar, të mençur e me reputacion, mblidheshin e shfaqnin mendime të lira, siç e gjykonin gjënë, për probleme të ndryshme. Nuk kishte asnjë lloj kaosi në atë kuvend e nuk mbahej protokoll.

Fjala e pleqve më me peshë, gjithnjë i jepte tonin kuvendit dhe doemos ndikonte për t’u dhënë udhë shqetësimeve. Më shpesh, merrnin pjesë aktive në debat të moshuarit: Musa Mehmet Nelaj; Abedin Kahreman Haderaj; Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj); Muharrem Kamber Deraj; Mane Tafil Zenelaj; Ahmet Selfo Zenelaj; Xhemal Haxhi Nelaj; Banush Xhezo Haderaj dhe vëllai i tij, Laze Xhezo Haderaj; Xhevit Malko Nelaj; Breshan Fejzo Bejomalaj (Nelaj); Sadedin Xhelal Bejomalaj (Nelaj); Hysni Mete Deraj; Muhedin Salih Nelaj, Ali Pasho Nelaj, etj. Pjesëmarrja në këtë lloj kuvendi nuk ishte e detyruar dhe diskutimi i shqetësimeve nuk përfundonte me ndonjë vendim. Kuvendi i Buzës, shërbente më tepër si shkollë edukimi dhe përgatiste opinionin për zgjidhjen e problemeve shqetësuese. Nuk kishte ndonjë orar për funksionimin e këtij lloji kuvendi; në të merrnin pjesë ata që ishin të liruar nga punët.

Disa mëhallalinj, të cilët ushtronin profesionin e çobanit të dhenve, si: Banush Xhezua; Sherif Rrapua; Xhevit Malkua; Ahmet Selfua; Sadedin Xhelali e ndonjë tjetër, i gjeje më rrallë në këtë lloj pleqërimi. Kjo shpjegohet me vetë veçoritë e punës së çobanit. Puna e çobanit të kërkon të jesh gjithë ditën (natën) pranë bagëtive.

Kur ata ktheheshin në shtëpi, të lodhur e të drobitur, nga qëndrimi i gjatë pranë gjësë së gjallë, mezi arrinin të darkonin e të merreshin me sistemimin e bagëtive, dhe, në muzg, zakonisht, “kuvendi i pleqve të mëhallës” shpërndahej. Por, kishte dhe të tjerë që merreshin me bujqësi, si: Xhemal Haxhiu; Hysni Meta; Ali Pashua e ndonjë tjetër, të cilët i vështroje rrallë, në atë kuvend. Disa burra nga ajo mëhallë, të cilëve nuk para u kishte peshë fjala, edhe vetë e neglizhonin kuvendin dhe merreshin me punët e tyre. Buza, me ata gurë me përmasa kolosale, të nxirë nga koha e të mbuluar nga myshku, ishte njëri nga simbolet më të rëndësishme të mëhallës.

Simboli tjetër, i dyti në radhë, por jo më pak i rëndësishëm, ka qenë e mbetet Veldoni. Nuk bëhet fjalë thjesht për përroin me të njëjtin emër, por dhe për sheshin e zgjatuar i cili nis nga udha që vjen nga Margëlliçi, nëpërmjet Murit të Hasanet dhe përfund mëhallës, të çon në Qafën e Dërrasës. Sheshi i Veldonit, parë nga sipër, të krijon përshtypjen e një trekëndëshi, në kulmin e të cilit zbret një shteg, për të kaluar përroin me të njëjtin emër, i cili quhet Shtegu i Përrallit.

Pas kapërcimit të përroit, udha shkëmbore, ngjitet, tangent kurrizit e përfundon tek haurët e Abedin Kahremanit, të cilët ia kishte dhënë në përdorim për strehimin e të dhirtave Rako Meshinit, nga Malëshova e Përmetit. Në Sheshin e Veldonit, fëmijët e moshave të ndryshme, grumbulloheshin e organizonin lodra të ndryshme, sipas moshës. Më të pëlqyera ishin lodrat me cingla; ajo dërrakthi, dokthi, topagropthi, kalaja dibrançe, lodra me top, etj. etj. Sheshi nuk ishte në pronësi të askujt; banorët e shfrytëzonin atë, në mënyrë të barabartë dhe për të kujdeseshin të gjithë. Njëra nga lodrat më të dashura të djemve adoleshentë të mëhallës, ishte futbolli. Lodra zhvillohej me topa lecke, të sajuar nga nënat ose me topa të bërë vetë prej qimeve të viçit, të ngjeshura me dorë, duke i fërkuar ato, mbasi ishin lyer me pështymë.

Një kategori djemsh, më të rritur në moshë, të dhënë pas qitjeve me armë, e shfrytëzonin sheshin e Veldonit, në gjatësi, për të bërë shkollë shenjimi. Instruktor ata kishin mehallaliun Shyqyri Abedini dhe ndonjë tjetër që dispononte armë, me leje, nga shteti. Për tabelë qitjeje vendoseshin pllaka guri, në drejtim paralel me gjatësinë e sheshit, në distancë nga syri i qitësit, sa ta çmonte “instruktori” i shkollës së shenjimit. Armët që përdoreshin për këtë qëllim ishin të gjata, të prodhimit italian, trofe të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat i kishin, në përdorim, me leje, të besuarit e regjimit. Fishekët, gjendeshin nëpër shkurre e nëpër ferra dhe në murishte, të mbetura, gjithashtu nga Lufta. Në “vijën e zjarrit”, vendoseshin plisa, një mbi një e mbi ta, vendosej arma me të cilën shenjohej e bëhej qitje reale.

Në anën Lindore të sheshit të Veldonit, andej nga kalonte udha që të zbret në përrua, nuk para kalonin njerëz, kështu që “poligoni” i qitjeve ishte i mbyllur e rrezikshmërinë e kishte minimale, edhe pa roja sigurie.

Lodra e futbollit, shpesh shndërrohej në arenë grindjesh, deri në rrahje, mes kundërshtarëve. Këtë dukuri negative e favorizonte fakti që loja zhvillohej pa arbitër, për portë vendoseshin dy gurë çfarëdo dhe diskutimet: ishte apo nuk ishte gol, shndërroheshin në kontradikta e në dhunë. Loja zhvillohej pa spektatorë mbasi prindërit e fëmijëve, ishin të angazhuar me punë të tjera në familje, në arë apo me blegtori. Të dyja faqet e lartësive që kufizojnë Përroin e Veldonit ishin të mbuluara nga shkurre ku rrallëherë, qëndronin derra të egër dhe kafshë të tjera pylli të përshtatshme për gjueti. Andej nga është Hija, zinte pozicion Abedin Kahremani, një fshatar i zgjuar, i thekur për gjueti, i cili shenjonte në faqen përballë dhe shpesh vriste derra e kafshë të tjera pylli. Në një rast, kur vrau një derr të egër, ai e solli tek Buza, e la në mes të udhës dhe ne të vegjëlit që rridhnim nga familje të varfra prisnim nga një copë mish, të cilin e çonim në shtëpi.

Duhet thënë se në ato vite, mishin e derrit, nuk e konsumonin pjesëtarët e familjeve të mëhallës, të cilat rreshtoheshin në sektin Bektashian të fesë Muslimane.

Simbol tjetër i mëhallës sonë ishin lëmenjtë. Në dukje, lëmenjtë nuk të bëjnë ndonjë përshtypje të madhe, por kur i futesh analizës, del domethënia dhe vlera e tyre e vërtetë. Në Ahmetaj ka mjaft lëmenj dhe kjo nuk është pa gjë. Lëmenjtë janë dëftues të saktë të begatisë. Ata shfrytëzohen për të manipuluar drithrat e bukës dhe prodhime të tjera bujqësore. Nuk kemi të bëjmë thjesht me grumbullimin dhe shirjen e të lashtave, i cili është destinacioni i parë i tyre. Mëhallalinjtë tanë, në lëmë kanë bërë depozitimin e misrit, të fasuleve e fierzave, të kockullave, deri dhe tek manipulimi i qepëve, hudhrave dhe ngritja e mullarëve, në anë të tyre. Për të ndërtuar një lëmë, kërkohet të zbatohen disa kërkesa e të ruhen disa parametra.

Në një vështrim të përciptë, në mëhallën Ahmetaj, lëmenjtë kryesorë janë ndërtuar në anën Veriore të saj, andej nga rrjedh Përroi i Veldonit. Zakonisht çdo familje kishte lëmin e vet. Disa familje, nga ato që mbillnin e korrnin pak kultura bujqësore, të lashta apo të vona, nuk kishin lëmë të tyre. Duke nisur nga kryeja e mëhallës, numërohen lëmenjtë: Lëmi i Mane Tafilit, të cilin nuk e pashë ndonjëherë të kishte aktivitet për shirje drithërash buke apo për depozitimin e tyre. Disa metra më poshtë ishte lëmi i Dajlan Muharremit, i cili, gjithashtu nuk ka pasur aktivitet të dukshëm, në ato vite. Ndryshon puna kur flasim për lëmin e Xhemal Haxhiut, në Brinjën e Qendret, mbi Gropën e Baltes, i cili zjente nga puna.

Ky lëmë i plotësonte të gjitha kushtet, veçse tabani i tij ishte prej balte të bardhë, dhe kur njerëzit fshinin, me fshesë, bashkë me drithin, në fund dilte dhe dheu. I tillë ishte dhe lëmi i Ahmet Selfos, i cili është i vendosur diçka më në thellësi, më pranë banesave. Disa lëmenj janë të ndërtuar në brendësi të mëhallës. I tillë ishte lëmi i Hysni Metes; ai i Muharrem Kamberit; i Asim Mehmetit dhe ai i Novruz Selfos. Sherif Rrapua e kishte ndërtuar lëmin në Luadhe, pranë qivurit të Sakajve. Në kohën kur funksiononte kooperativa bujqësore e fshatit, u ndërtua një lëmë në Shure, pak nën varrezën e mëhallës, i cili pati mjaft aktivitet.

Në gurishte ndërtoi një lëmë Resul Nelua, por ai nuk funksionoi kurrë. Në Ahmetaj, nuk kishte lëmë që të ishte i shtruar me pllaka guri, si ai i Haxhiajve, në Hasanimeraj.

Në mëhallën e Ahmetajve, jetonin burra me tipare të veçanta, burrërore, të theksuara, të cilat njiheshin e respektoheshin nga mëhallalinjtë, nga bashkëfshatarët dhe fama e tyre i kishte kapërcyer kufijtë e fshatit tonë. Musa Mehmet Nelaj; Abedin Kahreman Haderaj; Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj); Ahmet Selfo Zenelaj; Xhemal Haxhi Nelaj, Laze Xhezo Haderaj; Mane Tafil Zenelaj; Xhevit Malko Nelaj etj., Muharrem Kamber Deraj, etj. njiheshin si burra të zgjuar e të mençur, të drejtë e të ndershëm. Në kuvendet e burrave që zhvilloheshin spontanisht në Buzë ose në odat e burrave, ata, jo vetëm që drejtonin debatin, por fjala e tyre kishte peshë të rëndë. Nuk ishin të paktë rastet kur në dyert e shtëpive të tyre trokisnin burra e gra, të mëhallës e më gjerë, për t’u konsultuar për çështje të ndryshme si në rastet kur duhej bërë një biznes, për të shitur apo për të blerë, toka, troje, bagëti, kafshë, drithëra buke, si dhe për të lidhur ndonjë krushqi e për të bërë miqësi të re etj. etj.

Disa burra të mëhallës, si Ahmet Selfo Zenelaj; Laze Xhezo Haderaj; Sadedin Xhelal Bejomalaj (Nelaj); Ali Pasho Nelaj etj. ishin valltarë “brilantë”. Kur dilnin ata në valle, tundej oda e gjëmonte dheu. U kishin lezet lëvizjet e trupit, si balerinat sot dhe hareja në atë mjedis “merrte krahë”. Muharrem Kamber Deraj, ishte burrë i rrallë. Zgjuarsisë natyrale të tij dhe shkathtësisë trupore të paparë, i shtohej aftësia për të qëndruar mbi kafshë e për të bërë qitje, nga pozicioni hipur mbi pelën e tij të shkathët, zotësia për të bërë debat dhe përgjigjet aty për aty, kur replikonte. Muharremi pinte raki më shumë se të tjerët dhe “e mbante” shumë atë.

Ai këndonte bukur e hidhte valle, qëndronte këmbëkryq me orë të tëra dhe njihte mirë zakonet e traditat e trevës dhe më gjerë. Prandaj e caktonin krushk të parë madje dhe si sinixhi, edhe kur nuk ishte në lidhje gjaku apo në lidhje miqësie me të zotin e dasmës.

Burra të tjerë, si Hysni Mete Deraj; Qemal Sherif Zenelaj (Mucoimaj); Ali Pasho Nelaj etj. shquheshin si hokatarë, në jetën e përditshme dhe caktoheshin për të luajtur role shakaxhinjsh, në dasma e gosti, duke ironizuar qëndrimet e ndonjë njeriu të rëndomtë të religjionit Bektashian. Nëpër dasma, plaku Hysni Meta, vishej si dervish e luante rolin e hokatarit, madje duke përdorur dhe shprehje banale. Virtuozë e talente të lindur ishin: Muhedin Salih Nelaj; Shyqyri Abedin Haderaj; Qemal Sherif Zenelaj (Mucoimaj); Ali Pasho Nelaj; Tahir Muharrem Nelaj etj., të cilët, edhe pse të pashkolluar, projektonin e lartësonin mullarë me kashtë, me bar e me lëpushka, me saktësi të madhe, e duke shfrytëzuar mjete rrethanore për shenjim e gjatë ngritjes së tyre. Aq me përvojë të gjatë dhe të aftë ishin ata, saqë, duke e parë mullarin në këmbë, mund të përcaktonin, sa kafshë e për sa kohë mund të ushqeheshin me zairenë e vendosur në mullar.

Në Ahmetaj, disa gra, qëndronin në ballë të shoqeve sa i takon veprimtarisë dhe aftësive të tyre të rralla. Hysnija e Musa Mehmetit, me origjinë nga Kolonja e Gjirokastrës, e rritur në hapësirat e Anadolit dhe e martuar me Musanë, kur Ai ishte në emigracion, atje, ishte grua kapedane; nga ato gra që mateshin me burra të zgjedhur. Ajo, si hallemadhe e shamizeze, (djali i saj i parë, Samiu, ra dëshmor, në Luftën Nacionalçlirimtare, në betejën e Drashovices), ishte shumë burrëreshë e trime e njohur. Thuhet se Hysnija, ishte “komandante” e grave të mëhallës Ahmetaj. Ajo pinte duhan, me çibuk dhe raki me duçe (ranxhatë), ishte e zonja të polemizonte, njëlloj si burrat e ndjerë, e ishte nga ato gra, të cilave nuk ua shkonte dot njeri ujët nën rrogoz. Të trashëguar nga vjehrra, nga plaka Inxhi, Hysnija kishte fituar, me përvojë statusin e mamisë popullore.

Ajo ishte njëra nga gratë që pritnin fëmijë, në kushtet e familjeve kalivaçase të atyre viteve. Ajo ishte shumë kurajoze dhe trimëreshë. Trimëria e saj i kalonte kufijtë e dhuntisë, mbasi ishte tipar i lindur i saj, por dhe i kultivuar. Ajo ngjante nga rrënja dhe kishte marrë nga trimëria e njohur e bashkëshortit.

Një tjetër grua “heroinë” ishte Memja (shkurtim i emrit të plotë – Merjeme) e dëshmorit Muharrrem Hasan Nelaj. Trimërisë dhe zgjuarsisë së saj i bënte shoqëri një bukuri gati hyjnore. Përveç bëmave të tjera të saj ku shquhej qëndrimi kurajoz, Memja ishte nismëtare e çeljes së kursit kundër analfabetizmit, në radhët e grave të mëhallës Ahmetaj, me mësues Ferdiun, nga Gjirokastra. Jo vetëm kaq, Memja, e cila dha shembullin, e para, ka dhe meritën e përshtatjes si klasë të katoit të odës së re në të cilën u caktua të banonte i biri, Tahiri. Memja e ndau katuan në dy pjesë; në njërën anë vegjetonte lopa e familjes; në gjysmën tjetër mësonin shkrim-këndim, gratë e mëhallës Ahmetaj. Mbaj mend si Memja, bleu, e para një fletore dhe një laps, dhe ishte e zellshme në mësim.

Ajo me shumë vullnet e këmbëngulje, mësoi alfabetin shqip dhe në përfundim të kursit dinte të shkruante emrin e saj: Mëmë, në vend që të vendoste gishtin, kur nënshkruante nëpër dokumente.

Në Ahmetaj, si në tërë fshatin Kalivaç, mjaft gra ishin nikoqire të mira. Nuk bëhet fjalë për aftësitë e tyre për të gatuar mbasi çdo grua gatuante me shije dhe pjesëtarët e familjes, ishin familjarizuar me dorën e saj dhe nuk ankoheshin, por janë disa aftësi të tjera të veçanta që i bëjnë ato të dallohen nga të tjerat. Havaja e Banush Xhezos; Hatemja e Qemal Sherifit; Xhevua e Sadedin Xhelalit; Tajanja e Ahmet Selfos; Lulja e Hasan Sadikut; Zonja e Madhe e Binajve e të tjera gra fisnike, punonin në tezgjah, endnin fije leshi, të cilat mbasi i ngjyenin me lloj-lloj bojërash, përgatitnin rroba, për të shtruar dhe veshje për dimër.

Punimet me shtiza, me bizë dhe qëndismat me motive të ndryshme, ishin punime artistike të mirëfillta. Burrat, thuajse të gjithë, mbanin në trup fanella mishi. Ato ishin të punuara me dorë, me shtiza ose me grep, prej fijesh leshi dhe, siç pretendohej, i shpëtonin burrat nga ftoma. Fanellë leshi, vishnin dhe mjaft gra. Nuk bëhet fjalë për qëndismat dhe trikot, çorapet dhe sende të tjera që përgatisnin vajzat kandidate për t’u bërë nuse. Tantellat me motive dhe çorapet e jeleket për paje janë, ndoshta nga krijimet më të bukura të femrave.

Në Ahmetaj ka jetuar e punuar mjeshtri i madh, pa këmbë, artisti Asim Mehmet Nelaj, i cili shkonte, me vështirësi, i hipur mbi një gomar mashkull, trupvogël; shtëpi më shtëpi dhe, me fantazinë e tij, me vegla të thjeshta e primitive, gdhendte drurin e bënte orendi shtëpiake befasuese.

Nuk mund të lë pa përmendur një aftësi të rrallë, të cilën e zotëronin pak njerëz në mëhallë. Është fjala për të yshturit. Në Nelaj, një burrë: Asim Mehmeti dhe një grua: Zonja e Madhe e Binajve, ishin nga yshtarët më të preferuar. Për një kokërr vezë, Zonja, bënte masazh, thoshte nën zë disa fjalë të pakuptueshme, bënte matjen e gjymtyrëve të “pacientit”, hidhte në zjarr disa breza kripë dhe disa fije fshese dhe largonte të keqen nga trupi i të sëmurit. Xha Asimi bënte të njëjtën gjë, por ngaqë ishte “i vrarë” nga veshët, e thoshte me zë të lartë formulën çudibërëse të cilën e dëgjonin të pranishmit. Këta të dy dhe Memja e Muharrem Hasanit ishin yshtarë të përgjithshëm të cilëve “u zinte duaja”, për “këputjet mish”; një tjetër yshtare jetonte në fund të mëhallës, Tajanja e Ahmet Selfos, e cila ishte e specializuar për të “shëruar”, ata që kishin “marrë sy”.

Është thënë dhe më sipër se në Kalivaç e në mëhallën e Ahmetajve kanë jetuar njerëz, kryesisht të seksit mashkull, bujq apo blegtorë me emër. Sherif Rrapo Zemelaj (Nucoimaj), ishte bujk dhe blegtor cilësor; Xhemal Haxhi Nelaj dhe Hysni Mete Deraj ishin bujq nga më të zotët; nga ata që e qëndisnin arën dhe merrnin rendimente të larta nga toka. Ahmet Selfo Zenelaj; Xhevit Malko Nelaj; Banush Xhezo Haderaj dhe Sadedin Xhelal Bejomalaj (Nelaj) ishin blegtorë të aftë jo vetëm për mbarështimin e të imtave, por dhe për mjekimin e tyre.

Sipas traditës dhe praktikës shumëvjeçare të fshatit, në Ahmetaj, disa gra, “të helmuara” nga vdekja e burrit, fëmijëve ose njerëzve të tyre të dashur, kanë lidhur në kokë shaminë e zezë, janë veshur me petka të zeza dhe i janë përkushtuar mirërritjes së fëmijëve, me statusin e vejushës. Në krye të kësaj kategorie ka qëndruar, deri në vdekje, Hysnija e Musa Mehmetit e cila, si grua e zonja dhe nënë e dëshmorit Sami Musa Nelaj ishte e zgjedhur delegate e Kongresit të Përmetit dhe në krye të organeve drejtuese të grave në rrethin e Tepelenës. E tillë ishte dhe Memja e Muharrem Hasanit; Zonja e Vogël e Binajve dhe gra të tjera. Në Ahmetaj ka jetuar një grua “heroinë”- Samua e Breshan Fejzos, e cila mori pjesë aktive, me armë në dorë, në radhët e partizanëve nga Kalivaçi dhe, pas Luftës Nacionalçlirimtare kontribuoi, fuqishëm për forcimin e unitetit dhe për emancipimin e grave të fshatit.

Më poshtë do të përpiqem të sjell në mendje familjet që përbënin mëhallën e Ahmetajve, në ato vite dhe pjesëtarët e tyre, duke synuar të kujtoj dhe shtëpitë, fëmijët, gratë, bagëtitë, kafshët e punës e të prodhimit, lidhjet miqësore etj. Nuk di, kur dhe përse e ka ngritur shtëpinë e tij, tip kështjelle, në krye të mëhallës, fisniku Ramo Nebi Kalemaj, i cili nuk ishte nga Ahmetajt, por rreshtohej me Hasanimerajt. Po përpiqem të bëj hamendësi, lidhur me motivet që e shtynë fisnikun të zinte atë pozicion të veçantë, në krye të mëhallës Ahmetaj.

Trualli ku u ngrit kulla e Ramo Nebiut, ishte i të gjithë fshatit, apo siç i thoshin në atë kohë, ishte Aliher, d.m.th.: (i të gjithëve dhe i askujt). Disa të dhëna gojore, na bëjnë me dije se ato sipërfaqe, Ramon Ebiu i shfrytëzonte si mera (kullotë), prandaj, me sa duket, fisniku e pati më të lehtë ta shfrytëzonte si truall. Pozicioni ku u ngrit banesa, është strategjik; ai zotëron pamjen mbi të gjithë “Pusin” dhe vështron lumin. Vetë fisniku Ramo Nebiu ishte dëmçmues dhe puna e tij ia donte të kishte fushëpamje sa më të madhe. Pozicioni është i favorshëm për t’u maskuar e për t’u mbrojtur. Vendi është i mbuluar nga shkurre përralli e xine dhe tatepjeta e theksuar që zbret në Përroin e Veldonit, janë të favorshme, për t’u mbrojtur e për t’u larguar.

Banorët e Ahmetajve, në veçanti familjet që ndodheshin pranë, ajo e Mane Tafilit dhe ajo e Hysni Metes, ashtu si dhe të tjerat më poshtë, ishin paqësorë dhe nuk ushqenin synime keqdashëse, ndaj familjes së Ramo Nebiut. Në këtë mënyrë, dëmçmuesi Ramo Nebi Kalemaj, ndihej ngrohtë mes banorëve të mëhallës Ahmetaj, me të cilët u lidh me miqësi e cila i rezistoi e i reziston kohës. Motra e tij, Shajbija ishte nënë e Mane Tafilit dhe nëpërmjet Manes, Ramo Nebiu u bë mik me të gjithë pinjollët e Ahmetit themeltar të kësaj mëhalle.

Mëhalla Ahmetaj, në vitet e Luftës së Dytë Botërore u bë strehë e çlirimtarëve. Partizanë të orëve të para, si Sami Musa Nelaj; Muharrem Hasan Nelaj; dy djemtë e Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj): Tekiu dhe Ferriku; Qamil Pasho Nelaj etj. ishin partizanë aktivë. Gruaja e veçantë Samoja dha një shembull konkret për forcën e gruas kalivaçase, në Luftën çlirimtare përkrah burrave. Ali Pasho Nelaj, duke qenë në prapavija të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e shndërroi shtëpinë në spital partizan dhe mbajti në ilegalitet të plotë, për tridhjetë ditë, rresht (derisa u shërua), partizanin e njësiteve të armatosura të Vlorës – Beqir Radhima, etj. Pozicioni strategjik i mëhallës lejonte që partizanët dhe korrierët e tyre, të hynin e të dilnin, pa u diktuar nga armiku, duke shfrytëzuar errësirën e natës dhe terrenin e përshtatshëm për t’u maskuar e për të shkuar, në befasi e në fshehtësi të plotë në shtëpitë e Sherif Rrapos (Mucoimaj), në atë të Muharrem Hasanit dhe tek Ali Pashua e tek Ahmet Selfua e tek të tjerë banorë të mëhallës Ahmetaj.

Sipas gojëdhënës, i pari i mëhallës quhej Ahmet. Emrin Ahmetaj mëhalla jonë e ka marrë pikërisht nga emri i të parit të saj, Ahmetit. Ahmeti, kishte tre djem: Nelon; Deron dhe Cinon.

Kur u rritën e u martuan, të tre djemtë u ndanë me vete dhe formuan tri familje. Nga djali i parë, rrodhën Nelajt, të cilët u shtuan në numër krahasimisht me të tjerët dhe formuan një numër më të madh familjesh. Derajt në vite patën më pak lindje dhe në vitin 1950 përbënin vetëm 2 familje: atë të Muharrem Kamberit dhe të Hysni Metes. Nga kjo degë, një familje, ajo e Kaso Ziflos, u shpërngul dhe pinjollë të saj, aktualisht jetojnë në Durrës. Njëri nga djemtë, i cili quhet Lato ka shërbyer në organet e punëve të brendshme të rrethit të Durrësit, me detyrë polic. Nelajt, të cilët patën shansin të shumohen, formuan nëndegë dhe në vitin 1950 numëronin 9 familje.

Nga Nelua i parë, i cili ishte i biri i Ahmetit, themeluesit të mëhallës, erdhën në jetë djemtë: Salih Nelua dhe Myftar Nelua. Duke ndjekur vijën vertikale-mashkullore, po ndjekim nëndegët e fisit Nelaj, të cilat kanë qenë: Mehmet Myftari; Bino Myftari; Dajlan Myftari dhe Salih Myftari. Mehmet Myftari, la djemtë: Musa Mehmeti; Bajram Mehmeti; Pasho Mehmeti; Asim Mehmeti dhe Shaqo Mehmeti.

Në vitin 1950, në Ahmetaj, secili nga djemtë e Mehmetit, kishte formuar familje me vete. Dy vajzat e tij: Melatja dhe Sadua, ishin të martuara. E para në Sevaster; e dyta, në Hysodosaj, me Hysen Mahmutin, nga fisi i Alidervishajve. Musai, në çift me Hysnijen lindën dy djem: Saminë dhe Mehmetin dhe dy vajza: Mushon e Velidene. Samiu ra dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare, në betejën kundër pushtuesve gjermanë në Drashovice të rrethit të Vlorës kurse Mehmeti u bë kuadër i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe, për shumë vite drejtoi kooperativën bujqësore të fshatit, në funksionin e kryetarit të saj. Mushua u martua në Hasanimeraj me Refat Mahmut Bilaj; Velideja, fillimisht u martua në Shkozë, ku i vdiq burri e i la një djalë – Remzine, të cilin e rriten dhe e martuan dy gjyshërit nga nëna.

Edhe Ai u nda nga jeta nga një atak kardiak, në fillim të vitit 2018. Pastaj, Ajo u martua në Krahës, me Qani Bektash Shabanaj, me të cilin lindi një vatër me fëmijë. Shaqua, i ndarë nga jeta në një pritë, nga martesa la dy vajza: Fahrijen dhe Tahiren.

Pas ndarjes së tij nga jeta, bashkëshortja e tij u martua e vajzat u rritën bonjake nën kujdestarinë e ulokut Asim Mehmeti, të cilin e kishin vëlla të babait.

Nga pasardhësit e Mehmetit; Pashua la dy djem: Alinë dhe Qamilin. Qamili mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare, me armë në dorë, u plagos në luftën partizane dhe pas çlirimit, jetoi për një kohë të gjatë, në qytetin e Korçës; vitet e fundit të jetës u zhvendos në Krahës (qendër) ku dhe u nda nga jeta. Asimi, djali tjetër i Mehmet Salihut, ishte ulok, nga të dyja këmbët dhe qarkullonte vetëm hipur mbi gomar. Ai u martua me Shanikon, nga Dorza, me të cilën, erdhën në jetë: Kujtimi; Barjami; Xhikua dhe Refija.

Nga degëzimi i Bino Myftarit, rrodhën Binajt. Binua kishte dy djem: Malkon dhe Nelon. Malkua u martua me Jeminene, nga dera e fisme e Azis Telhait dhe Jaçe Sadikut, nga Hysodosajt kurse Nelua, u martua me Zadekon, nga Brehamajt, të cilët e kanë pasur ngrehinën midis Maliq Brehamit dhe shtëpive të Alush Xhezos. Malkua, së bashku me djalin e madh të Nelos, Selmanin, shkuan nizam, në Turqi e nuk u kthyen prej andej. Thonë se, të dy u vranë në Betejën e Shipskes, ku u ndesh ushtria turke, efektivë të së cilës ishin këta, dhe ushtria ruse.

Në vitin 1950 Binajt ishin tri familje. Konkretisht, njëra nga familjet kishte si kryefamiljar Xhevit Malkon, i cili ishte i martuar me Zonjën e Madhe të Binajve, bijë nga Koshtani i Tepelenës dhe kishte tre fëmijë: Lumturinë; Niaziun dhe Dilaverin.

Familja tjetër ishte ajo e Resul Nelos, i cili kishte për bashkëshorte Mbeten, të bijën e Hase Jazos, nga Shkoza e rrethit të Vlorës. Kjo familje kishte një tufë me fëmijë: Xheladinin; Selmanin; Feruzene; Luton; Behijen dhe Ilmine. Djali i tretë i Nelo Binos ishte Resmiu. Ai ishte kanakari i prindërve dhe i përkëdheluri i kësaj dege të fisit. Siç dëftojnë bashkëkohësit e tij, Resmiu nuk punonte, por e kalonte kohën aktive, tek dyqani i Todit, nga Poliçani, atje ku relaksoheshin burrat e fshatit. Resmiu u martua i ri, me bukuroshen Zonjë, e cila ishte bijë në Qyraj të Shkozës, e ardhur në jetë nga dy prindër autoktonë, nga Qerimeja dhe nga Bilua.

Meqenëse në të njëjtën derë erdhën dy zonja; njëra u emërtua: Zonjë e Madhe e Binajve dhe e dyta: Zonja e Vogël e Binajve.

Resmiu dhe Zonja e Vogël e Binajve, lindën tre djem: Reshatin; Nelon dhe Petrefin. Për fat të keq, djali i tretë i tyre, Petrefi, u nda nga jeta, kur ishte akoma pa u ngritur në këmbë, nga një sëmundje të cilën e kalonin të gjithë moshatarët e tij; (nga fruthi) i cili kërkon më tepër kujdes familjar e më pak mjekim. Resmiu, babai i tre fëmijëve, gjithashtu u nda nga jeta fare i ri, nga një ftomë (plevit). Ai u trajtua me mënyra tradicionale mjekimi, si me hedhje në djersë e me veshje lëkure, pa rezultat. Pas vdekjes së Resmiut, Zonja e vogël e Binajve lidhi shaminë e zezë në kokë e iu përkushtua dy djemve që i la jetimë bashkëshorti, të cilët i rriti, me drapër, duke korrur të lashtat dhe të vonat dhe duke mbledhur kallinj në arat e bashkëfshatarëve si dhe me pula deti.

Më afër me Binajt ishin Sadikajt. I pari i tyre ishte Sadik Dajlani, një burrë i zgjuar e i zoti, me shumë prona e me miqësi në të gjitha anët, njeri me autoritet në familje e në fis dhe me reputacion në fshat. Xha Sadiku la një djalë, Hasanin dhe dy vajza: Hankon dhe Minen. Të dyja u martuan në Hysodosaj. E para vajti nuse në fisin Sulaj ku mori për burrë Beqir Sulon; kurse tjetra hyri nuse në fisin Alidervishaj ku kishte për burrë Seit Manen. Edhe Hasani, i cili u martua me Lulen, një grua për së mbari, shumë punëtore dhe e sjellshme, lindën vetëm një djalë: Muharremin.

Një po një! Djali i tyre i vetëm, Muharrem Hasani, ishte shumë i zoti. Mbasi u shkollua, në Krahës tek miku i familjes – Dervish Medimi, Ai u lidh shpejt me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe ra dëshmor, në fund të Luftës, në një përpjekje, me forcat gjermano-kuislinge, në Ysoverdh të Mavroves. Muharrem Hasani la pas, 5 fëmijë dhe Memen e bukur, e cila, lidhi shaminë e zezë në kokë dhe iu përkushtua rritjes dhe edukimit të fëmijëve.

Në vitin 1950, familja e Muharrem Hasanit kishte në përbërje: Memen (Merjemen); Lulen; Dajlanin; Tahirin; Skënderin; Sadikun dhe vajzën e vetme- Rubijen.

Nga nëndega e Saliut, rrodhën: familja e Xhemal Haxhiut i cili, i martuar me Hyrine, të bijën e Xheladin Dajlanit, nga Hysodosajt, pruri në jetë shumë fëmijë. Në kujtesën time, fëmijët e shumtë të familjes në fjalë ishin: Yzemeja; Hancja; Xhekua; Mbetja; Bejlerja; Sosja; Hairja dhe djemtë: Kasemi; Zaimi; Nekiu (ndjesë pastë) dhe Haxhiu. Një familje tjetër e kësaj rrjedhe ishte ajo e Salih Haxhiut, i cili kishte për bashkëshorte Hankon, motrën e Riza Kamberit, nga Bozanajt dhe të këzes të Xhemal Banushit nga Hasanimerajt. Salih Haxhiu, me Hankon, sollën në jetë: Muhedinin; Abazin; Ganon dhe Fetijen.

Pas ndarjes nga vëllai, Abazi u shpërngul në Fier, ku banon aktualisht, së bashku me fëmijët e tij. Muhedini, i martuar me Zyben, nga Leshnja, solli në jetë: Fadilen; Agimin dhe Bashkimin. Agimi, aktualisht banon në Tiranë kurse Bashkimi në shtetin fqinjë, në Greqi. Fadileja u martua në Lopës; banon në Sarandë.

Degës Nelaj, i përkasin dhe nëndegët: Minojacaj dhe Bejomalaj, të cilët e kanë ndryshuar mbiemrin, para Luftës së Dytë Botërore; kryesisht për shkaqe pronësie. Minojaçajt, në vitin 1950, kanë qenë tri familje: Isuf Jece; Nezir Isufi, (i ndarë) dhe Bejekua e Mino Jaçes. Pjesëtarë të familjes së xha Isufit ishin: Kadriu, së bashku me motrat: Hateme; Ajdine dhe Pashako si dhe me nënën e tyre- Lejlane. Neziri, i martuar me Kezen, nga Caushajt, motër e Lalasë së Veledin Ahmet Caushaj, nga Hasanimerajt, kishte formuar familje të veten.

Në vitin 1950, Ai kishte sjellë në jetë Zonjën; Havon dhe Kujtimin (ndjesë pastë). Më vonë, familja e Nezir Isufit u shpërngul në Selenicë, ku punoi e jetoi gjatë së bashku me bashkëshorten, në repartin e kazaneve ku shkrihej minerali i sërës. Kadriu u shpërngul në Sarandë, ku jeton, sot e kësaj dite së bashku me bashkëshorten nga Çorrushi dhe pinjollët. Hajdineja dhe Hatemja, u martuan në Shkozë, kurse Pashakua; në Krahës. Vëllai i xha Isufit, Mino Jaçja, thuhet se ka shërbyer në Ushtrinë Turke, oficer dhe ka mbetur në shtetin turk. Ai ishte i martuar me Bejekon, me të cilën kishte dy vajza: Hasimene, e cila u martua në Bozanaj, me Azbi Bako Çelaj dhe Arzihanen, e cila u martua me Aliko Qazim Muharremaj, në Hasanimeraj.

Një degë tjetër e fisit Nelaj është ajo e Bejomalajve. I pari i familjes ishte Fejzo Breshani, me dy djem: Xhelalin dhe Breshanin. Xhelali, i martuar me Shazen, solli në jetë Dinen dhe Esmane; Breshani, u martua dy herë dhe la një tufë fëmijësh, me “dy berqe”. Dinja (Sadedini), një burrë trupmadh, i urtë e i qetë, njeri me shpirt njeriu, u martua me Xhevon, nga Hysodosajt, motrën e Gani Muharrem Ramaj, me të cilën solli në jetë Gurijen; Butrine; Xhelalin dhe Shazen. Breshani, gruan e parë e kishte nga Dulajt e Hasanimerajve; Ajo quhej Haire dhe ishte motër e vëllezërve Dule e Xhezo Alushi. Hairja vdiq tragjikisht, (u mbyt në lumë) e nuk ka varr; kufoma e saj nuk u gjet.

Nga kjo martesë fatkeqe erdhën në jetë: Ismaili; Xhika; Bejua; Metullahja dhe i ndjeri Sabri, i cili ishte “lulja” e djemve të mëhallës. Pas ndarjes nga jeta të Haires, xha Breshani, një burrë zotni, i qetë e me humor të këndshëm, shumë punëtor e i shëndetshëm, u martua me Samon, një jetime e ardhur nga radhët e njësiteve partizane; e lindur në Leshnje dhe e mbetur jetime që në fëmijëri, mbesë e Halil Laze Malaj, nga Beqirajt. Pesë fëmijëve që gjeti, Samua u shtoi dhe 5 të tjerë dhe i rriti e i veseliti, së bashku, sikur t’i kishte sjellë në jetë, vetë. Me xha Breshanin, ajo lindi: Gëzimin; Shpresën; Zengjinen; Fatmiren dhe Tatjanën.

Derajt, deri në vitin 1950, mbetën dy familje: Familja e Muharrem Kamberit, një burrë xhanan, i zgjuar, i shkathët e hazerxhevap; zot qosheje dhe njohës i mirë i zakoneve të vendit, i përpjekur për mbarëvajtjen e punëve në familje dhe shumë i shkuar në gjitoni, ishte i martuar me Tajanen, të bijën e fisnikut Zagoll Saliko Xhaferaj, nga Meçajt, i cili solli në jetë vetëm vajza. Nga lidhja e Muharremit me Tajanen, erdhën në jetë: Nasibeja; Ramadani; Kamberi, Hydajeti; Derua; Ëngjëllushja dhe Asllani. Xhako Rremja (kështu i thoshim ne të vegjëlit e asaj kohe), kishte motër Halimene, e cila ishte e martuar në Hasanimeraj, me Seit Durken dhe Fizen, të martuar në Shkozë, me Jonuz Demon.

Familja e Hysni Metes, me shtëpi dykatëshe në krye të mëhallës, poshtë udhës që të çonte tek Përroi i Llaskos dhe nën bahçen e Azis Ramos, ka qenë familje e madhe, por fatkeqe. Një sërë vdekjesh, e lanë atë familje fisnike, me një djalë- Jasharin dhe me një vajzë. Xha Hysniu, i pari i asaj dere ishte një burrë i gjatë, i urtë e i qetë, shumë punëtor, e i pangatërruar me njeri, i shkuar me të gjithë, njeri me humor e që nuk prishte qejf. Ai ishte i martuar me Shefikon, por fatkeqësia që nuk iu nda atij njeriu të mirë, e detyroi të martohej për së dyti me një tjetër Shefiko, nga Çorrushi, martesë e cila nuk rezultoi jetëgjatë. Jashari, i mbetur jetim nga nëna, u martua herët, në vitin 1947, me Ajkon, nga Hasanbegajt, të bijën e Zoto Xhelilit. Nga martesa e tyre erdhën në jetë: Aisheja; Naimi; Zyrakua; Valentina; Hysniu dhe Labikja.

Nga të tre djemtë e themeluesit të mëhallës, Ahmetit; tri familje rezultuan nga Cinua. Të tre pinjollët e kësaj dege: Mane Tafili; Ahmet Selfua dhe vëllai i tij Novruzi, e kanë ndryshuar mbiemrin, nga Cinaj, në Zenelaj, të cilin mbajnë aktualisht. Koha dhe shkaku i këtij ndryshimi, tani për tani mbeten të paditur.

Nga Ahmetajt, si gjithë bashkëfshatarët e tyre, burrat, në të shkuarën e largët kanë emigruar në Turqi, kryesisht në krahinën e Anadolit. Ata, në këtë kurbet, tërhoqën njëri-tjetrin.

Në atë vend aziatik disa shkuan e nuk u kthyen; mbetën atje. Të paktë kanë qenë ata që shkuan në Amerike. Vëllezërit Sherif dhe Demir Rrapo Zenelaj (Mucoimaj), punuan në Boston, në një fabrikë tekstilesh. Sherifi ishte punëtor ngarkim-shkarkimi, kurse i vëllai, Demiri, ishte magazinier, në këtë fabrikë. Demiri ishte më i shkolluar dhe bënte pjesë në degën e Bostonit të shoqatës atdhetare “Vatra”. Gjatë kohës së punës, në këtë fabrikë, e cila i përket viteve 1915-1920, Sherifi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale nga apendiciti dhe pas disa ditësh rifilloi punë, në fabrikë.

Në vitin 1920, kur bëheshin përgatitje për Luftën e Vlorës (gusht 1920), të dy vëllezërit u bënë aktivistët kryesorë për mbledhjen e ndihmave, mes bashkatdhetarëve dhe, në atë vit, u kthyen në Shqipëri. Për t’u shënuar është një fakt interesant: Demiri, në vend të valixheve me dhurata, solli tri valixhe me libra e revista të shkruara në Gjuhën Shqipe, me të cilat hapi një kurs ku mësuan shkrim e këndim 16 kalivaças, nga të cilët njëra ishte grua (Sadua e Muharrem Shemes, nga Agajt e Hasanimerajve). Pra, gjykuar nga ky fakt, mund të arrijmë në përfundimin se në Ahmetaj dhe, nga banorët e saj (pavarësisht se të dy vëllezërit ishin të ardhur nga Toçi, në trojet e dajos së tyre – Bektash Sakos), u çel shkolla e parë shqipe në Kalivaç të Tepelenës.

Nuk mund të lëmë pa përmendur kontributin e banorëve të mëhallës Ahmetaj, në radhët e Ushtrisë Popullore dhe në organet e punëve të brendshme. Nga Ahmetajt, është oficeri i lartë, me funksione drejtuese në ushtri dhe me një sërë specializimesh, brenda e jashtë vendit- Xhevdet Ahmet Zenelaj. Në funksione drejtuese, për shumë vjet ka qenë veterani dhe njëri nga drejtuesit e veprimtarive luftarake partizane, Teki Sherif Zenelaj (Mucoimaj) dhe vëllai i tij Ferriku. Të dy në funksione drejtuese; Tekiu në forcat vullnetare të rrethit të Vlorës; kurse Ferriku në repartet e kufirit. Dy oficerë kanë shërbyer në forcat ushtarake-ajrore: Rexhep Ahmet Zenelaj dhe Niazi Xhevit Nelaj. Në organet e punëve të brendshme, kanë shërbyer: Mehmet Musa Nelaj; Muhamet Demir Zenelaj (Mucoimaj); Gjonlekë Ahmet Zenelaj; Sami Mehmet Nelaj; Bilbil Zaim Nelaj; Vasil Hydajet Deraj etj.

Disa mëhallalinj nga Ahmetajt kanë shërbyer, në reparte të ndryshme të ushtrisë, në detyrën e nënoficerit aktiv. Mund të përmendim: Ismail Breshan Bejomalaj (Nelaj); Selman Resul Nelaj; Dajlan Muharrem Nelaj; Jashar Hysni Deraj; Qazim Mane Zenelaj dhe vëllai i tij- Selami; Kadri Isuf Jacaj (Nelaj); Abas Salih Nelaj; Duilaver Novruz Zenelaj; Dilaver Xhevit Nelaj; Leven Ahmet Zenelaj; Besnik Sadik Nelaj etj. Oficer, në organet e inspektoratit rrugor, ka shërbyer- Xhevdet Qamil Nelaj. Kushëriri i tij- Arben Ali Nelaj, është në shërbim aktiv, në organet e punëve të brendshme. Në këto organe ka shërbyer dhe i ndjeri Besnik Sadik Nelaj dhe djali i xhaxhait të tij- Shkëlqim Skënder Nelaj.

Në detyra ushtarake kanë qenë të ingranuar dhe Mane Tafil Zenelaj, në detyrën e Xhandarit, në kohën kur sundonte Mbreti Zogu i Parë dhe Laze Xhezo Haderaj (xhandar), para e gjatë Luftës së Dytë Botërore. Jo të paktë janë bijtë dhe bijat e kësaj mëhalle, të cilët kanë kryer shkolla të sistemit të Arsimit të Lartë, dhe kanë drejtuar apo drejtojnë aktualisht, me njohuri të thella e me kompetencë shkencore, institucione e sektorë të rëndësishëm të jetës. Njëra syresh është pedagogja e Universitetit Shtetëror të Tiranës; prof. dr. Mirjeta Hysni Deraj, e angazhuar në punë studimore-shkencore, me shumë vlera.

Jam i bindur se ky material, i cili, që në titull, na dëfton se kemi të bëjmë me një opinion vetjak, apo më mirë ta themi; me kujtime vetjake, si çdo shkrim do të ketë lexues pro dhe të tjerë kundra. Kjo nuk mund të shmanget, derisa bëhet fjalë për raporte interesash dhe ceken dukuri deri tani të mblojtura në sepetet e secilit, ashtu si nuk mund të shmanget subjektivizmi, i cili, në fund të fundit është pjesë e jetës. Le të kënaqen ata që e vlerësojnë e le të ngushëllohen ata që e kundërshtojnë. Më mirë se fjalët, le t’ia lëmë vendin fakteve të jetës, të cilat, në fund të fundit janë kokëforta e trokasin në çdo kohë.

Le t’i referohemi vitit 1950, lidhur me gjendjen e familjeve, në mëhallën Ahmetaj të Kalivaçit. (Gjithmonë sipas kujtimeve vetjake):

  • Mane Tafil Zenelaj: Ishte kryefamiljar, i familjes me shtëpi, në krye të mëhallës Ahmetaj (rreth 50 m më poshtë rrënojave të Ramo Nebiut). Familja e tij e madhe, banonte në një shtëpi njëkatëshe, përdhesë, të ngritur me mure guri të bardhë, me çati, të mbuluar me pllaka guri gëlqeror. Pllakat që mbulonin çatinë ishin të trasha e të rënda. Shtëpia kishte vetëm një dhomë të gjatë ekstremisht e të ftohtë. Familja ishte e varfër, me shumë fëmijë dhe me shtrojë e mbulojë të kufizuara.

Mane Tafili ishte burrë zakoni. Ai ishte njohës i mirë i traditave të fshatit e të trevës dhe ishte i zgjuar, i mençur, trim e human. Në pamje ngjante me një kreshnik, tipik lab. Xha Manja vishej me rroba shajaku, të zi; në kokë mbante një qylah të bardhë, me majë në kulm. Figura e tij i ngjasonte një kreshniku lab; me ballët e lartë, me hundë si shqiponjë, me dy sy që shkrepëtinin, me ato vetulla të theksuara, me mustaqe të gjata, të thinjura, me një gjykim të thellë e të drejtë. Xha Manja ishte njeri me autoritet, si në familje, në fis e në mëhallë dhe më gjerë.

Në disa legjislatura, pas çlirimit të vendit, Mane Tafili u zgjodh, kryetar i Këshillit Popullor të fshatit Kalivaç; gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka qenë kryetar i Këshillit Antifashist të fshatit. Shkrim e këndim kishte mësuar autodidakt; ishte gjysmanalfabet. Ai kishte zë kumbues dhe këndonte labçe këndshëm e me sokëllima dilte mbi korin e këngëtarëve të grupit.

Mane Tafili lidhi martesë me Bukurijen, nga Çorrushi; e cila ishte bijë nga një familje fisnike, por fatkeqe. Bukuria mbeti bonjake që në fëmijëri, së bashku me vëllanë dhe me një motër. Ajo ishte një grua e bëshme, e shkurtër e topolake, shpirtmirë dhe nënë e dhimbsur që rriti një tufë fëmijësh, në skamje ekstreme. Xha Manja, pas martesës, duke shfaqur, karakterin e tij human, mori në shtëpi dhe e rriti si fëmijët e tij, derisa e martoi, vëllanë e Bukuries- Hasanin.

Në çift me xha Manen, Bukuria, lindi e rriti një tufë me fëmijë, në varfëri e skamje të skajshme. Një lopë qumështi “shqirake”, kishte familja e Mane Tafilit; Sorrilen. Me qumështin e saj, u rritën fëmijët e shumtë të asaj familjeje: Shahini; Rustemi; Selami; Qazimi; Tafili; Fuati; Avniu dhe e vetmja vajzë – Shajbia. Në ekonominë e asaj familjeje, ishte dhe një kalë trupvogël, me qime të kuqe. Një bahçe e vogël, e asaj familjeje, ishte poshtë shtëpisë. Struktura e tokës së saj ishte gurishte, nga ato toka ku zakonisht mbillet duhan.

Në atë bahçe ishin dhe disa fiq protoshesh dhe ndonjë pemë tjetër. Poshtë bahçes ishte një lëmë, të cilin nuk e pashë ndonjëherë të gumëzhinte nga shirja e drithërave të bukës. Familja e xha Manes, nuk dispononte bagëti të imëta. Tokat arë, familja i kishte në Shure; në Xina dhe në Gryka. Në Shure, toka ishte gurishte dhe joprodhimtare: në Gryka ishte ara kryesore që ushqente familjen. Atje, familja kishte dhe disa rrënjë ullinj.

Për fëmijët e xha Manes, problem kryesor ishte ushqimi, por dhe veshja e tyre, nuk ishte problem i zgjidhur. Shtëpia e ftohtë prej guri gëlqeror, me një dhomë me oxhak, ngrohej me vështirësi dhe kërkonte që zjarri, në vatër të ishte 24 orë, i ndezur, kalafak. Fëmijët e shumtë, u rritën njëri pas tjetrit e morën dhenë. I detyruar nga ngushtësia dhe nga varfëria, Mane Tafili e shpërnguli vendbanimin, nga kryeja e mëhallës, në Shure, atje ku ndodheshin tokat e trashëguara nga të parët e tij. Fillimisht familja u vendos në dy kasolle; njërën për të banuar; tjetrën për të gatuar, të ngritura në rrëzë të ledhit, ku disa drurë përralli ishin më të lartë se kasollet.

Më pas, kur fëmijët u rritën e u martuan, secili doli në shtëpi me vete dhe sot, ata kanë zaptuar Murin e Hasanet dhe trojet e tyre në Shure. Shahini qëndroi në fshat së bashku me Tafilin; Fuatin dhe Avniun (ndjesë pastë); Rustemi shtegtoi në Sarandë e më pas në Tepelenë; Selami, fillimisht punoi në Selenicë e më pas në Tepelenë, ku banon aktualisht; Qazimi, u vesh nënoficer aktiv dhe shërbeu në repartet e ushtrisë e rrethit të Durrësit; vajza e vetme e xha Manes, Shaibia, pas martesës, nuk e pati fatin të bardhë e u nda shpejt nga jeta.

Mane Tafil Zenelaj kishte natyrë humane. Ai pranoi në familjen e tij vëllanë e bashkëshortes, Bukurisë- Hasanin, të mbetur jetim në fëmijëri, të cilin e rriti dhe e martoi. Por ky nuk ishte i vetmi akt human i tij. Ai mori mbesën e tij- Rronjen, nga Kuta, pas vdekjes së nënës së saj, vajzës së Qazim Tafilit, vëllait të Manes, të cilën e rriti dhe e martoi, në fshat, me Fejzo Qazim Muharremaj. Sot, nga një familje që ishte në vitet ’50 të shekullit që shkoi, pinjollët e Mane Tafilit, kanë zaptuar Murin e Hasanet dhe Shuret, si dhe i gjen në disa rrethe të vendit e jashtë tij.

Mane Tafili, këndonte dhe kërcente bukur. Ai ishte njeri me humor dhe mbante me gaz dasmat e gostitë që bëheshin në mëhallë. Kënga e tij e preferuar ishte:

“… Thonë se vdiqe nga veremi;
O Dhimitragjon- djalë i vetëm-o;
Në për soj, ashtu se kemi;
O Dhimitragjon- djalë i vetëm-o;
Që të vdesim nga veremi;
O Dhimitragjon- djalë i vetëm-o…”

  • Hysni Mete Deraj.

Shtëpia e Hysni Metes, në kohën për të cilën bëhet fjalë, ka qenë, thuajse paralel me shtëpinë e Mane Tafilit, rreth 50 m, në Jug të saj. Ajo ndodhej, gjithashtu në krye të mëhallës Ahmetaj dhe e ndante udha nga bahçja e Azis Ramo Kalemaj. Banesa e familjes së xha Hysniut ishte një odë, me shkallë guri nga jashtë, ngjitur me murin, pa parmakë, me shpinë nga lartësia dhe me dritare nga Perëndimi. Përveç odës me katua, në katin e sipërm të së cilës banonin njerëz kurse në katua qëndronin gjedhët ishte dhe një përdhesë, në Jug të saj por e lidhur me odën, me një mur guri, i cili mbronte banesën, nga gurët që rrokulliseshin prej bokërrimës sipër saj. Rreth 20 m sipër odës, në bokërrimën ku kalonin fëmijët për në shkollë, ishte një ulli i madh, i varietetit kaniniot. Në perimetrin Lindor të banesës ka qenë një mur, i fortë, prej guri, i lidhur me llaç gëlqereje, i ndërtuar posaçërisht për të pritur ndonjë gur të rastësishëm, i cili mund të shkëputej, me rrokullisje, nga lartësia.

Shtëpia e xha Hysniut, si oda dhe përdhesja ishin të mbuluara me pllaka guri gëlqeror, të bardhë, të trashë e të rëndë. Të dy mjediset e banimit ishin të ngritura me mur guri e me breza druri dhe të lidhura me llaç gëlqereje. Asnjeri nga mjediset e banimit nuk kishte tavan. Oda ishte e shtruar me dhoga të trasha, të pakaluara në bidërme (pa kanal). Shkallët e gurta të odës ishin të puthitura me murin e odës, në anën Jug-Perëndimore të saj. Në krye të shkallëve ishte një sheshpushim me përmasa 2x2 m, ku vendoseshin opingat dhe mjetet për larjen e duarve.

Midis odës dhe përdheses, ishte një avlli, e shtruar me pllaka të bardha, të trasha guri gëlqeror. Në anën Jugore të banesave, në largësi rreth 30 m, ishte një lëmë, i cili shfrytëzohej për të grumbulluar e për të shirë, graminaçet e familjes dhe për të depozituar prodhimet e tjera bujqësore. Pranë lëmit ishte një ulli, i varietetit kaniniot, i cili kishte një degë të shtrirë, paralel me tokën, mbi të cilën luanim kur ishim të vegjël. Avllinë e ndante nga bahçja e familjes, e cila ishte e stërgjatur, në drejtim Jug-Veri dhe përfundonte me një kumbull të madhe, të egër, me kokrra me ngjyrë të verdhë. Kufitar me xha Hysniun ishte Xhevit Malkua. Bahçet e tyre i ndante një mur guri rreth 3 m i lartë.

Kumbullën e verdhë të xha Hysniut, nuk e linin të piqej fëmijët e Xhevitit, të Resmiut dhe të Mane Tafilit.

Hysniu ishte i biri i Mete Hysos, i cili kishte vëlla – Alikon. Së bashku, të dy vëllezërit bënin një familje të madhe.

Por vdekja, e cila mori karakter epidemie, në Luftën e Parë Botërore shkaktoi shumë viktima; vdekja rrëmbeu dhe disa pjesëtarë të trungut të tyre. Alikos, iu nda nga jeta djali i vetëm - Alemi; vajzën e vetme e martoi dhe, pas vdekjes së tij, e shoqja – Shanikua, e cila njihej si Shaniko Bërja, u mbështet tek nipi i burrit, tek Hysni Meta. Ajo jetoi gjatë dhe, familjarët, përfshi Ajkon, e trajtuan si nënën e tyre. Xha Hysniut, nuk i eci mbarë me gratë. Ai, fillimisht u martua, me Shefikon nga Amanikajt, e cila u shua në vitin 1943, në spitalin partizan të Krahësit, nga një sëmundje që në atë kohë ishte e panjohur. Njëri nga djemtë e xha Hysniut; Hajriu u mbyt në lumë, në rrethana të paqarta plotësisht, teksa u fut për t’u larë, në një ngjir (një vend ujëplotë në lumë ku uji kthehet në vorbull e notari e ka të vështirë të dalë nga ujët), në fund të Jorgave, së bashku me demin e tij, me të cilin notonte vazhdimisht.

Ai, për të dalë nga ujët në situatë të vështirë, e kishte bërë zakon të merrte me vete demin, i cili, në rastin e dhënë, e goditi me shqelm, në gju Hajrine, të cilit iu mpi këmba. Djali tjetër i xha Hysniut- Jashari, i cili, në atë kohë ishte rreth 4 vjeç dhe e vështronte të vëllanë nga buza e lumit, kur pa që Hajriu nuk doli më nga ujët, duke qarë, vajti në shtëpi dhe të tijtë, nga të qarat e të voglit e kuptuan atë që kishte ndodhur. Vëllai i Hajriut- Hetemi, 14 vjeç, kur mësoi për vdekjen e vëllait të mbytur, të cilin e donte shumë, kaloi në krizë nervore dhe vdiq. Djali i tretë i familjes ishte Jashari, i lindur në vitin 1932. Ai u rrit si pekul i familjes dhe në kushte të detyruara, u martua, me Ajkon 14 vjeçe, të bijën e Zoto Xhelilit nga mëhalla e Hasanbegajve, kur sapo kishte mbushur moshën 18 vjeç e nuk e kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Hysni Meta ishte një burrë i gjatë, pak i kërrusur, mjaft i urtë e shumë punëtor dhe i qetë. Ai, asnjëherë në jetën e tij, nuk ishte ngatërruar me njeri dhe askush nuk kishte dëgjuar ndonjë fjalë të keqe nga goja e tij. Xha Hysniu vishej me rroba shajaku, në kokë nuk mbante qylah të bardhë, si të tjerët, por kapele, me strehë. Fytyrën e kishte pak të stërgjatur, mbante mustaqe të rralla, bojë gruri. Në dasma e gosti, xha Hysniu luante rolin e hokatarit. Atij i shkonin shumë shakatë e nuk i zemërohej njeri, edhe kur përdorte fjalor të rëndomtë.

Hysni Metes i “plasi shpirtin” ara e tij në Llomera, e cila ishte aluvionale e prodhimtare, por Përroi i Çorrushit, i cili, në ato vite nuk ishte “i disiplinuar”, rrëmbente arën dhe xha Hysniu përpiqej me cfrete, të ndërtuara me mjete rrethanore, ta ndalte atë dukuri negative. Hysni Meta u nda nga jeta në vitin 1954, nga një sëmundje e rëndë. Jashari, e nxori nga spitali ku ishte i shtruar, në Vlorë, të pashpresë dhe dha shpirt, në shtëpinë e tij, pas dy ditëve nga mbërritja. Në atë vjeshtë, kur lumi kishte dalë tejpërtej dhe lundra nuk mund të hidhej, bashkëfshatari Haki Sulo Sulaj, një sedërli i guximshëm, mori iniciativën dhe në ato kushte të rralla rrezikoi jetën, për të prurë në shtëpi xha Hysniun që lëngonte dhe të tijtë.

Fatkeqësitë që i ndodhën kësaj familjeje të fisme nuk e ndalën dot rritjen natyrale të saj. Ajkua, në çift me Jasharin, e mbushën vatrën e Hysni Metes, me një tufë fëmijësh, duke nisur me Aishen; Naimin; Zyrakon; Valentinën; Hysnine e ri dhe Labiken. Këta, të gjithë në lidhje martesore kanë sjellë në jetë të tjerë fëmijë dhe raca e mirë, tashmë është shtuar dhe është përmirësuar.

  • Abedin Kahreman Haderaj. Një familje për t’u pasur zili dhe një kryefamiljar, mjaft i zgjuar, i mprehtë e bashkëkohor. Nga shtati ishte i imët, por nga mençuria nuk e kishte shokun. Dy sy larushë, përtej xhamave me numër, nuk arrije t’i kuptoje kurrë se çfarë shprehnin. Xha Abedini ishte nga ata filozofë popullorë, tek i cili shkonin për të pleqëruar hallet dhe problemet që i shqetësonin, jo vetëm mëhallalinjtë, por dhe të tjerë, nga fshati e larg fshatit tonë. E kam njohur kur ishte në moshë të thyer, por disa nga tiparet e tij si mentar i rrallë i kam të skalitura e nuk më hiqen nga mendja.

Abedin Kahremani ishte mjek popullor i saktë e shumë kompetent, në fushën e traumës. Thuajse të gjithë ata që e dinin, kur dikush pësonte frakturë, sidomos në gjymtyrë, shkonin tek Xha Abedini, në shtëpi, e ai, me një rreckë të lyer me jaki e me dy dhoga, mbasi kishte përcaktuar vendin e thyerjes apo të krisjes së kockës, bënte “manipulimin” e kockës dhe kjo punë ishte tepër e saktë. Për kuriozët, plaku human Abedin Kahremani, mjek popullor cilësor, si shpërblim për atë që bënte, nuk pranonte, as shpërblim, as ryshfet. Ai ishte thellësisht i përkushtuar dhe human.

“Specialitet” tjetër i xha Abedinit ishte gjuetia. Ai ishte gjuetar i thekur. Nuk gjuante shpendë e lepuj, por ishte esnaf, në gjuetinë e derrave dhe të kafshëve të egra grabitqare. Si armë gjahu, xha Abedini shfrytëzonte një patiçkë (armë e gjatë e prodhimit italian, të cilën e përdornin në luftime ushtarët fashistë) të cilën e kishte me leje nga shteti dhe e përdorte me fishekë të gjetur nëpër shkurre e nëpër murishte. Plaku qejfli gjahu, zinte një pozicion të mbështetur, pas një shkurreje, në vendin e quajtur Hije dhe shenjonte përballë, kur “preja” ishte përtej, në faqen përballë të Kurrizit të Meretes. Ai ishte snajper dhe shenjonte me saktësi të madhe.

E kam parë me sy, kur kishte vrarë dy derra të egër dhe i la të shtrirë tek Buza, të parjepur. Ata që donin, sipas dëshirës, pa pyetur asnjeri, merrnin një copë mish derri dhe e hanin.

Xha Abedini ishte i disa profesioneve. Profesioni i tretë i tij ishte ai i vreshtarit dhe i pemëtarit. Ai ishte specialist për krasitjen e vreshtit e të pemëve dhe “i zinte dora”, kur shartonte. Eksperimentet i bënte në vreshtin e tij, përtej, në Plire, sipër Llapovicave; i cili ishte në pronësi të familjes së tij. Ka pasur dhe mjaft vreshtarë e pemëtarë të tjerë, në mëhallë e në fshat, por, dora e Abedin Kahremanit, sikur ngjiste më saktë, ashtu siç “zinte” jakija e tij.

Xha Abedini e kishte shtëpinë, lehtësisht të gjetshme; ky ishte njëri nga shkaqet që i çonte njerëzit, palë-palë tek ai, për t’u konsultuar e për të “marrë mendje”. Plaku i fisit të Hadere, nuk fliste shumë, por, në fjalët e tij të kursyera, nevojtarët që merrnin udhën, gjenin zgjidhjen e shumë halleve e shqetësimeve. Në një rast, i cili i takon vjeshtës së parë të vitit 1958, kur i shkova me babanë tim për t’i kërkuar një rrugëdalje; Ai na propozoi të bënim qinosi me familjen e tij. Shqetësimit të tim eti se ai ishte fukara dhe se kishte drojë se mos nga kjo pleksje do të dëmtohej njëra palë, xha Abedini, mbasi u mendua një çast, tha: “Ne do të bashkojmë bagëtitë, por dhe fatet tona, dhe kur fatet bashkohen, ata mbajnë fort njëri-tjetrin.” Çfarë filozofie? Sa e ëmbël dhe optimiste ishte fjala e tij e mençur?

I tillë ishte plaku mendjehollë Abedin Kahreman Haderaj.

Vlerë më vete e Tij, është fakti që xha Abedini, “nuk i dogji”, profesionet që ushtronte. Ai ia transmetoi ato të birit të vetëm, Shyqyriut, i cili i shtoi begraunit që i pasoi i ati edhe atë të instruktorit të qitjes dhe të udhëzuesit të dhëndurëve të rinj, para se të futeshin në gjerdek (një dhomë ku qëndronte dhëndri, me nusen e re, në vetmi, për disa minuta, në natën e parë të martesës). Këtyre dy profesioneve të reja, u shtohej dhe aftësia e Shyqyriut për të ngritur mullarë, me saktësi të madhe, pa pasur shkollë e pa njohuri për stereometrinë. Por Shyqyriu nuk mund të trashëgonte nga i ati, mençurinë dhe mprehtësinë e tij, të cilat, në çdo rast janë prirje individuale.

Shtëpia e Abedin Kahremanit ndodhet në anë të udhës që ngjitet, nga Brinja e Qendret, për në Maja. Porta e madhe, me dy kanata druri të rëndë, ishte e ngritur me kolona guri, me hark, prej guri gëlqeror, të skalitur. Banesa e tij ishte me dy kate; një odë e shtruar me dhoga dhe një katua ku strehoheshin kafshët e punës dhe pela e kuqe. Në odë, banonin familjarët. Ajo ishte e madhe, e stërgjatë, me vatër e me oxhak; pa tavan. Dy dritare tip frëngji, të orientuara drejt Perëndimit, ishin të përforcuara nga shufra hekuri dhe mbylleshin me kapakë dhoge, të trashë.

Nga dritaret, mund të bëhej qitje me armë, nga pozicioni: lart-poshtë. Në katin e sipërm, ngjitja bëhej nëpërmjet një palë shkallësh prej guri të gdhendur, të pjerrët, të cilat përfundonin me një sheshpushim ku familjarët dhe mysafirët, linin opingat. Aty vendoseshin dhe enët e bakrit: (gjymi dhe legeni) ku laheshin duart.

Si mjedis banimi ku zakonisht mblidheshin fëmijët e asaj familjeje shërbente dhe një kasolle, e ndërtuar, gjysma me gurë të bardhë e një pjesë me gardh. Muri i lartë, i ngritur në faqen Perëndimore të avllisë, i kishte themelet në anë të udhës kryesore të mëhallës Ahmetaj, e cila vinte nga Hija e shkonte në Dërrasë. Mund të ketë vlerë më vete, po të theksohet se muri i shtëpisë së Abedin Kahremanit (ishte dhe është akoma), i ndërtuar me një mjeshtëri të dukshme, me gurë të skalitur dhe i lidhur me llaç gëlqereje e me breza druri. Kjo shtëpi dhe ajo pranë, të dyja tip kulle, thuhet se janë ndërtuar në vitet e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, kur ai ishte Vezir i Janines. Prapa shtëpisë, ishte një bahçe e vogël ku vegjetonin disa rrënjë pemësh dhe mbillej: duhan xhebel e perime, si spinaq, labot, qepë e hudhra, të cilat nuk kanë preferencë për ujitje dhe kultivohen kryesisht në stinën e dimrit.

Arat e Abedin Kahremanit ishin në Shpendra, të cilat ishin mjaft prodhimtare, dhe në Plire, nën Majën e Dokes; një vend i varur, të cilin e shfrytëzonte, kryesisht për të kultivuar hardhi dhe pemë frutore, meqenëse ishte tokë e pjerrët dhe e varfër. Në pronësi të tij ishin dhe kullotat, për të dhirta, në Fierin e Metes. Xha Abedini, burrë i zgjuar e me kokën plot, kishte tërhequr në Kalivaç, blegtorin nga Malëshova e rrethit të Përmetit- Rako Meshini, i cili zotëronte një tufë të madhe, dhish, të cilat dimëruan për shumë vite, në Kalivaç. Përftoi xha Abedini, nga zgjuarsia e tij, por përftoi dhe fshati. Haurët që kishte ngritur Abedin Kahremani, në Fierin e Metes, me një planvendosje, sikur të ishte arkitekt i përsosur, kryejnë, më së miri funksionin për të cilin u ndërtuan; janë dhe sot e kësaj dite, në këmbë.

Abedin Kahremani, u lidh me martesë me Avizene, e cila rridhte nga një familje fisnike, nga Krahësi i Tepelenës dhe me të lindi fëmijët: Nasibene; Refijen; Shyqyrine; Lirinë dhe Lavdijen. Të birin; Shyqyrine, xha Abedini e martoi me një vajzë nga Krahësi, e cila quhej, gjithashtu Avize. Vajzat i martoi: Nasibene, në Hysodosaj të Kalivaçit, me Dajlan Xheladinin, që ta kishte pranë; Refijen, në Shkozë të Vlorës kurse dy të tjerat, i martoi në Fratar të Mallakastrës. Si Abedini dhe fëmijët e tij, asnjëherë nuk shkaktuan probleme, për komunitetin.

Sa i takon gjësë së gjallë, familja e xha Abedinit, nuk ishte nga ato familje që synonin shumë krerë. Një pendë qe parmende; një pelë që bënte mushka dhe disa krerë (rreth 20) dhen, për lesh, më tepër, këto ishin kafshët që mbarështonte familja e Abedin Kahremanit. Duhet theksuar fort, se Abedin Kahremani, si njëri nga burrat më të zgjuar të kohës kur jetoi, zgjuarsinë e vuri në punë. Ai, asnjëherë nuk u konfliktua me njeri dhe nuk bëri kundërshtarë.

  • Laze Xhezo Haderaj. Banonte në njërën nga të dyja kullat me frëngji, të cilat dukeshin si “binjake” dhe ishin të ngritura nga e njëjta dorë. Projektimi dhe ndërtimi i saj kishte elemente mesjetare. Kulla e tij ishte jo më larg se një avlli (rreth 25 m) larg, kullës së xha Abedinit. Besoj se nuk është nevoja ta përshkruaj kullën e Laze Xhezos derisa në hollësi është përshkruar “binjakja” e saj. Me Abedin Kahremanin, Laze Xhezua ishte kushëri dhe sikur ia kishte fshirë zgjuarsinë dhe mençurinë. Laze Xhezua ishte i biri i Xhezo Nures dhe i Taces. Ai kishte vëlla Banushin; një motër – Sadefen, e cila ishte nënë e Arif Qamil Sulajt, nga Hysodosajt, të cilën nuk e patën fat, as vëllezërit, as fëmijët e saj, për arsye se Ajo u nda nga jeta, shpejt e në moshë të re.

Laze Xhezo Haderaj ishte një burrë me shtat të shkurtër (rreth 165 cm), por ishte tepër i shkathët e i formuar me muskuj. E kujtoj tepër elegant, me ecje të lehtë, e të qetë si të një balerini. Xha Lazja vishej bukur dhe mbahej pastër. Ndoshta rregullin e të veshurit, Ai e kishte trashëguar nga koha kur ishte xhandar, i Mbretit Zog. Pantallonat qillota dhe xhaketa e zezë prej shajaku i shkonin me kapelen me strehë që mbante dhe me një palë opinga, lëkure ose llastiku, sipas rastit. Një bluzë e bardhë, me kopsa dhe një palë çorape leshi, ishin prodhime leshi nga dhentë që mbarështonte të punuara me shije nga femrat e familjes.

Lazje Xhezua, ishte tip interesant. Ai e mbante kokën të përkulur përpara dhe të vështronte në sy, vetëm kur kuvendoje me të. Dy sy bojëkafe të zënë, i përpiqte shpesh dhe ishte e vështirë t’i kapje mendimet e tij. Sytë e tij, i vështroja shpesh të skuqur. Një aftësi e rrallë, të cilën shumëkush e lakmonte, nga burrat e mëhallës e të fshatit ishte vallëzimi i tij. Po të dilte në valle Laze Xhezua, pjesëmarrësit në gosti apo në dasmë, hapnin mesin e dhomës dhe kënaqeshin me përdredhjen e belit dhe hapin e lehtë të valltarit të talentuar – Laze Xhezua.

Ai ishte burrë pa llafe dhe nga ata që “vështrojnë” punën e tyre. Laze Xhezua, kurrë nuk përzihej në punët e të tjerëve dhe nuk bëri kundërshtarë edhe pse, pa të drejtë disa pseudoatdhetarë, “i binin në qafë” dhe e ngacmonin me nofkën “ballist”. Ata spekullonin me faktin që xha Lazja, në kohën e Mbretit Zog i Parë kishte qenë në detyrën e xhandarit, në trevën e Himares, por që nuk i kishte bërë keq asnjeriu. Prandaj, Laze Xhezua edhe pse kokën e kishte plot dhe jetonte me situatat, nuk prononcohej lehtë në bisedat me tendencë politike. E theksoj sërish, se ai burrë, nuk ishte indiferent, por thjesht “vështronte” punët e tij.

Me troje ishte ngushtë e nuk kishte mundësi të ngrinte as një kasolle, për bagëtitë. Xha Lazja i kishte arat në Shpendra, ku toka ishte e begatë dhe prodhonte jo vetëm drithëra buke, por dhe perime. Ai kishte ara, dhe në Xina, në Moçale dhe në Bishtje, por ato, si strukturë ishin më të varfra e jo aq prodhimtare. Një kalë trupvogël, të urtë, me ngjyrë kafe nuk e largonte nga dora dhe e përdorte për ngarkesë. Bagëti të imëta, familja e Laze Xhezos, mbarështonte një tufë me dhen, të cilat i menaxhonte, me kompetencë e me përkushtim vetë xha Lazja. Ai kishte dhe një pendë qe parmende, me të cilët punonte arat e familjes.

Laze Xhezo Haderaj, lidhi martesë me Nefizene, një goxha grua, e dashur e punëtore, e cila kujdesej shumë, për bashkëshortin, për fëmijët dhe për shtëpinë. Ajo ishte shpirt njeriu, por për fat të keq ishte “e vrarë” nga veshët. Ne, fëmijët e asaj kohe, në nderim të dy figurave prindërore të asaj familjeje, me respekt, Gege Nefizes i flisnim thjesht Ize, siç i drejtoheshin dhe fëmijët e saj kurse xha Lazes i thoshim – Aga. Izja ishte nga Golimbasi, bijë e një dere fisnike. Ajo, fisnikërinë e reflektonte në sjelljen e saj korrekte, dashamirëse dhe bujare, në komunitet.

Çifti Nefize dhe Laze Haderaj e mbushën atë truall aq të kufizuar me “cicërima” të vegjëlish, njëri pas tjetrit. Ata prunë në jetë: Barjamen; Nuren; Merushen; Kujtimin; dhe Raitin. Të gjithë fëmijët u edukuan si prindërit e tyre dhe nuk di, as të kenë pasur ndonjë zënkë fëmijësh me të tjerë. Ata u bënë të urtë e të sjellshëm dhe përherë vështruan punën e tyre, si i ati. Nuk mund të lë pa përmendur një këngë, të cilën xha Lazja e kishte shumë për zemër dhe e këndonte, me disa veçori. Teksti i këngës është i njohur, por mënyra si e interpretonte Laze Xhezua, nuk të linte pa kthyer kokën, që ta shijoje më mirë. Laze Xhezua, si këngëtar e vallëtar, “i thekur” “ia shkulte”:

“… Në dyqan tek Kico Sharra;
Kapedan, more Nase;
Shtruar rakinë përpara;
Kapedan, more Nase;
Vjen Kapteri nga Himara;
Kapedan, more Nase;

Ngreu Nase, shko përpara!

Kapedan, more Nase;
Se do të lidhem me pranga;
Kapedan, more Nase;
Mua s’më lidhi Turqia;
Kapedan, more Nase;

Na do më lidhe Italia?

Kapedan, more Nase…”

Kënga e tij ishte e shtruar dhe xha Lazja e përdridhte, bukur, zërin, kur këndonte, siç përdridhte belin, kur vallëzonte.

  • Banush Xhezo Haderaj, ose, siç i thoshim rëndom: Çeco Banua, ishte vëlla me Laze Xhezon dhe më i ri. Figura e tij, mund të them se ishte Biblike. Ai ishte shtatlartë, rreth 180 cm, pak i kërrusur, me fytyrë të zgjatur, hundëshkabë, me ballët e lartë nën një kapele me strehë, ku lëviznin dy sy bojëkafe dhe një palë mustaqe të verdha, të prera bukur e të rregulluara, në çdo kohë. Xha Banushi, të cilit i thërrisja, herë xha e herë dajo Banushi, për arsye se më kishte qethur kokën, ishte, pa mëdyshje, njëri nga çobanët më esnafë të mëhallës e të fshatit. Ai mbarështonte, mjeshtërisht, një tufë me dhen, të cilat shquheshin, për pastërtinë e racës e të paraqitjes; ishin mjaft prodhimtare, si në lindjet e qengjave dhe në sasinë e qumështit e të leshit që jepnin. Me një pelë të kuqe përdore, të cilën nuk e ndante nga dhentë, Çeco Banua, ecte, qetë-qetë, si vëllai i tij – Lazja, në drejtim të Shpendrave, ku kishte tokat e familjes, ose kur “hidhte” dhentë, për kullotë, nga Bregu i Stanet, në Mocal, në Fierin e Metes e në Arat e Buta, nga Qurket e nga Maja e Tendes, kur moti ishte me lagështirë. Dhente dhe shtëpinë e xha Banushit i ruante një bushtër e kuqe, e egër.

Xha Banushi, kishte qenë emigrant ekonomik, në Anadol (Turqi), për një kohë të gjatë dhe e fliste turqishten lirshëm. Ai vajti në Anadol, së bashku me mëhallaliun Musa Mehmet Neaj dhe me bashkëfshatarin Qamil Sulo Malaj. Strehë e tyre u bë qyteti i Izmirit. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, Çeco Banua, u kthye në Kalivaç e iu përvesh punëve të blegtorit e asaj të bujkut. Ai, nuk mund të veçohej vetëm për njërin nga këto dy profesione. Asnjeri nuk mund të thosh me siguri se cilin, nga të dy profesionet, bënte më mirë xha Banushi. Të dy specialitetet që ushtronte Ai, garonin me njëri-tjetrin.

Shtëpia e Banush Xhezo Haderaj ishte pranë shtëpisë sime të lindjes. Si vëlla më i vogël i Lazes, kur u nda nga trungu amëtar, pa sherr e pa shamata, xha Banushit i ra shorti “të dilte” pa banesë. Ai, me disa muratorë të sajuar, nga radhët e ushtarëve italianë të mbetur atyre hënave, pas kapitullimit të Italisë Fashiste, ngriti dy konakë (dhoma), ngjitur, me njëra-tjetrën, përdhesë me mur guri të bardhë, të lidhur jo me llaç gëlqereje si banesat e tjera të mëhallës, por me shur (baltë të bardhë). Çatia e shtëpisë së tij ishte e mbuluar me pllaka guri, të bardha, të rënda, nga ato që përdoreshin rëndom në Kalivaç. Konakët (dhomat), i kishin dyert pranë e pranë, me orientim nga Perëndimi. Një sheshpushim i vogël dhe një palë shkallë (5-6 shkallë), zbrisnin në avllinë e kufizuar, të shtruar me pllaka guri gëlqeror, të trasha.

Kasollen e dhenve, Banushi e kishte ndërtuar në shtrirjen, Lindje – Perëndim, paralel me kasollen e dhenve të fqinjit të tij më të afërt, Xhevit Malkos.

Kur u kthye nga Turqia, Banushi ishte në moshë për t’u çiftosur dhe u martua me Havane, të bijën e Nasos e të Maliq Brehamit, nga Hasanimerajt. Havaja ishte një femër me shtat të lartë, mjaft elegante; “si selvi”. Një palë sy bojëqielli, ndriçonin fytyrën e saj të bardhë, të cilën nuk e kishte zënë dielli, kurrë. Havaja ishte mjaft pastërtore; kujdesej shumë për bashkëshortin dhe për fëmijët. Ajo ishte nikoqire e zonja dhe përpunonte mjeshtërisht bulmetin, por dhe nxirrte nga duart e saj, punime leshi, mjaft të bukura, në tezgjahun prej druri, i cili ishte i montuar në fund të shtëpisë.

Familja e tyre e re, Havaja, të cilës i thoshim Lala dhe Banush Xhezua, shpejt u shtua, me fëmijë, të cilët erdhën në jetë njëri pas tjetrit. I pari, e “hoqi udhën” Xhemili, e pas tij, u lindën, njëri pas tjetrit: Naxhija; Jashari; Ramadani, Tacja (Noshja) dhe i fundit – Xhevati. Xhemilit i ra shorti të martohej i ri, pa mbushur 19 vjeç, siç ishte tradita, pa shkuar ushtar, dhe shpejt doli me vete.

Havaja, bashkëshorte e xha Banushit, ishte mjaft e pastër. Nga shtëpia e tyre, nuk dilte asnjë produkt i papërpunuar dhe me skarcitet. Havaja ishte disi dorështrënguar dhe tepër serioze. Ajo përpunonte me pastërti dhe sipas teknologjisë së kohës, gjithë bulmetin që buronte nga tufa e dhenve që vinte përpara Xha Banushi. Përveç kësaj, Lalaja, siç i thoshim ne fëmijët e asaj kohe, ishte duarartë. Shtëpia e xha Banushit shndrinte nga pastërtia; jashtë e brenda. Në vitin 1960, u krijuan kushtet dhe Çeco Banua ndërtoi një odë të madhe, në kufi me bahçen e Xhevit Malkos; në anën Veriore të saj.

Arat e xha Banushit ishin në Shpendra; në xina dhe në Moçale. Bagëtitë e tij, ushqeheshin në kullotat në pronësi të familjes, në ato që ishin në pronësi të fshatit dhe në Fierin e Metes që ishte në pronësi të Abedin Kahremanit, kushëririt të tij. Duhet thënë se Banush Xhezua, ishte esnaf, për mbarështimin e dhenve. Një bucë e kuqe, e cila quhej Murre, e egër dhe e shkathët, ishte në rojë të shtëpisë e pronës së tij. Xha Banushi vishej me rroba shajaku, të zeza dhe në kokë mbante një kapele, me strehë. Ai këndonte bukur dhe, kur këndonte, sokëllinte. Kënga e tij e preferuar ishte:

“… O Thanas, more Thanas;
Nem dyfekne se do ta vras;
Dyfekun që më la plaku;
Pesë mexhite, bën kondaku…”

Çeco Banua, ishte burrë i qetë, i mençur e i urtë. Ai vështronte punët e tij e nuk ndërhynte në çështjet e të tjerëve. Ishte disi “i mbyllur”; punët e tij nuk kishte qejf të bëheshin objekt bisede i të tjerëve.

  • Xhevit Malko Nelaj. Ishte i biri i Malkos dhe i Jeminese. Malkua rridhte nga degëzimi i fisit Nelaj kurse bashkëshortja e tij, Jemineja ishte bijë e një dere të fisme nga Hysodosajt, pasardhës të të cilës janë Azizajt. Familja e ngushtë e saj “u shua”, mbasi i ati, Bazja, dhe e shoqja, nuk sollën në jetë djem. Malkua kishte vëlla Nelo Binon, i cili ishte më i lashti, mes dy vëllezërve. Babai i Xhevitit, Malkua, së bashku me djalin e madh të Nelos, Selmanin, në dhjetvjetorin e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë shkoi në Turqi, në cilësinë e kurbetliut, me qëllim që të bënte prokopi. Asnjeri prej tyre nuk u kthye në vendlindje; ata humbën “si sëpata pa bisht” e nuk u dihet as varri.

Kur u nis për në kurbet, Malkua la pas gruan, në moshë fare të re dhe një vajzë, Merushen rreth 7 vjeçe. Xheviti ishte në barkun e Jeminese, Ai u lind, 5 muaj, pas largimit të babait nga shtëpia. Kësisoj, Xheviti nuk e njohu babanë, por u rrit bonjak dhe punoi yzmeqar, në dyert e botës. Familjet e dy vëllezërve, Malko dhe Nelo Bino, jetonin në mjedise e me ekonomi të përbashkët. Nelua kishte dy djem: (Resulin dhe Resmine) dhe një vajzë- Shazen, e cila, siç ishte tradita, u martua në moshë të re, në Shkozë, me Feim Fejzon, nga Pajajt.

Jemineja, vejusha që lidhi në kokë shaminë e zezë dhe iu përkushtua rritjes së dy fëmijëve jetimë, kishte marrëdhënie mjaft të mira, me Zadekon, jo sikur ishin kunata, por si motra. Zadekua ishte bashkëshorte e Nelo Binos. Ajo ishte një grua fisnike, bijë nga familja e shuar e Brehamajve, të Hasanimeret. Shtëpia e prindërve të saj, ka qenë në hapësirën mes shtëpisë aktuale të vëllezërve Dule e Xhezo Alush Dulaj. Priti gjatë vejusha Jemine, të merrte ndonjë lajm mbi fatin e të shoqit ose t’i vinte ai në shtëpi, por më kot. Në kushtet e varfërisë ekstreme, në pamundësi për t’u bërë ballë halleve të kohës dhe për ta “siguruar” të bijën e vetme, Merushen, e martoi atë, sapo shkeli në të katërmbëdhjetat.

Ajo, “e dha” të bijën përtej lumit, në Dhemblan, në familjen e Sulejman Bilos. Në ditën e dasmës së të bijës, sipas zakonit, Jemineja u ngrit në valle, me një lëmsh që e kishte mbërthyer në fyt. Në një këngë të sajuar momentalisht, ajo grua e zgjuar e trime, përmblodhi gjithë brengat e jetës së saj fatkeqe. Fragmente të shkëputura kanë mbërritur deri tek ne, por që thonë shumë:

“… Malko… unë Merushen e martova;
Dot me ty nuk e gëzova;
… E marr Xhevitin nga dora;
I mbeti koka na Vlora;
Pret të vish e t’ia bësh forra…”

Xheviti u rrit mes vështirësive të kohës, të cilave u shtohej dhe bonjakëria e tij. Nelua, kur nipi i tij, Xhviti, u mëkëmb e mund të ruante bagëtitë bravare, e pajtoi atë në Hoshteve të Zagorisë, ku ai ruante bagëtitë dhe lopët e fshatit dhe vinte në shtëpi një herë në vit. Kakot shpirtmira të Zagorisë, e trajtuan bonjakun nga Kalivaçi, me shumë dashamirësi, sikur ta kishin djalin e shpirtit Xhevitin, e ushqenin, e lanin dhe e ndërronin gjatë gjithë vitit. Dhe Xheviti ua shpërblente shërbimin dhe kujdesin për gjënë e gjallë e me sjellje korrekte. Ai ishte mjaft i urtë e i dëgjueshëm dhe fshatarët e Hoshteves, e pagëzuan me emrin Vito (Vitore). Xhaxha Nelua, ia merrte pagën për një vit dhe të hollat i shpenzonte për nevojat e familjes.

Në moshën e adoleshencës, Xheviti u kthye në Kalivaç dhe, meqenëse kishte fituar përvojë të vyer për mbarështimin e dhenve, u pajtua hyzmeqar, tek i kamuri i fshatit- Muharrem Haxhiu dhe vëllai i tij- Beshiri. Ai, me ndershmërinë dhe me përkushtimin e tij të paparë, me punë e me qëndrim korrekt, fitoi zemrat e vëllezërve të kamur dhe u taks vëllam, me hajmali, me Muharrem Haxhine, me të cilin kishte hyrje-dalje, familjare, si mik shtëpie. Mbas shumë viteve në shërbim të kësaj familjeje Xheviti arriti të bëhet qinosar. Histori me vete, me nota tragjiko-komike u bë çështja e martesës së Xhevitit.

Thënë çiltër, Nelo Binua, nuk ishte i interesuar ta martonte Xhevitin, për shkak se ai fitonte dhe se po të martohej, shpejt do të shkëputej nga trungu, do të dilte me vete, e kësisoj, ai do të merrte gjysmën e pasurisë. Prandaj Xheviti u martua në moshë të rritur, rreth 40 vjeç, kur i kishte mustaqet gjer tek veshët. Ai u martua me zonjën e Madhe të Binajve, nga fshati Koshtan i rrethit të Tepelenës, bijë e Bejushes dhe e Temes, nga Shehajt. Nuk kaloi shumë dhe, pas lindjes së fëmijës së parë, Lumturise, Xheviti dhe zonja dolën si familje me vete. Shtëpia përdhesë, trualli i pakët dhe arat u ndanë më dysh. Njëra pjesë i takoi Xhevitit dhe pjesa tjetër, Nelos me dy djem.

Ishin vite të rënda. Binajt, veçse i kishte pllakosur varfëria dhe mjerimi, u goditën rëndë dhe nga vdekjet njëra pas tjetrës. U ndanë nga jeta të moshuarit: Nelua; Zadekua dhe Jemineja. Tragjike e me rrjedhoja të rënda ishte vdekja e Resmiut, djalit të vogël të Nelo Binos. Ai ishte i martuar me Zonjën e Vogël të Binajve, bijë e Qerimese dhe e Bilos, nga Qyrajt e Shkozës. Zonja ishte jo më tepër se 20 vjeçe kur mbeti e ve; me tre fëmijë: (Reshatin; Nelon dhe Pertefin).

Ajo lidhi shaminë e zezë në kokë dhe vendosi t’i përkushtohej rritjes së tre fëmijëve. Xheviti, ndërkohë ishte bërë me tre fëmijë (Lumturinë, Niazine dhe Selamin). Resmiu u nda nga jeta prej një ftohjeje banale, pa iu nënshtruar mjekimit shkencor të asaj kohe, por u mjaftua me ato që bëri mjekësia popullore. Nga shkaqe banale, u ndanë nga jeta dhe dy djem të vegjël: (Pertefi i Resmiut - nga fruthi dhe Selami i Xhevitit, nga një puçërr që i doli në grykë).

Pas vdekjes së Resmiut, situata u rëndua shumë. Dy djemtë dhe bashkëshortja e tij, Zonja e re dhe e bukur, kërkonin përkrahje. Resuli ishte i martuar dhe kishte një tufë me fëmijë. Si vëlla i të ndjerit, atij, të parit, i takonte të hidhte hapin e parë të përkrahjes, por Resuli u tha pleqve që e gjykuan gjënë se ishte shumë i varfër dhe kishte shumë fëmijë, prandaj nuk e merrte dot përsipër aktin e bashkimit të dy familjeve. Atëherë doli Xheviti i rritur jetim. Ai mori përsipër bashkimin e dy familjeve, ku ishin dhe dy djemtë bonjakë dhe u bëri ballë, denjësisht, vështirësive të këtij bashkimi.

Pas bashkimit të dy familjeve, vështirësitë e jetesës u shtuan. Ato vite ishin vite krize, në radhë të parë ushqimore. Bëhej fjalë për të siguruar bukën e gojës, e cila ishte bërë problem më imediat e i vështirë. Katër fëmijë të vegjël, dy nënat e tyre dhe Babai kujdestar, plot shtatë gojë, duhet të hanin. Akti human i Xhevit Malkos, u çmua siç qe në fakt, burrëror dhe i ndershëm, por ekonomia e drobitur e familjes, kërkonte më shumë përkushtim dhe, në atë kohë, të gjithë i kishin sytë tek Xheviti. Për fat, në ndihmë erdhi qinosia që bëri Xheviti me vëllezërit: Halim- Veip- Bilal dhe Haxhi Beshiri.

Siç kanë thënë në Kalivaç; u ndodh, “gjëja e bardhë, për ditë të zezë”. Bulmeti, që milej nga dhentë e Haxhiajve, i cili shfrytëzohej një ditë nga familja e Xhevitit e një ditë nga ajo e Haxhiajve, na mbajti gjallë.

Por ky lulëzim ekonomik nuk zgjati shumë. Në vitin 1946, u bë shtetëzimi i bagëtive dhe Xheviti, së bashku me dhentë dhe me stanin, (inventarin e tij), vajti, i shtrënguar nga pushtetarët, në Vithkuq, ku u formua një brigadë blegtorale. Për 2.5 vjet, Ai nuk i pa fëmijët dhe gruan e nuk e shkeli dot pragun e shtëpisë.

Pas lirimit nga puna e çobanit të dhenve të shtetëzuara, Xheviti punoi në Selenicë, në galeri, si minator, në sektorin e Kumes e më pas u kthye në fshat, punoi në bujqësi, në fshatin e pakolektivizuar. Pas formimit të Kooperativës bujqësore, Ai zuri rasatin e dhenve, nëpërmjet një qinosie të re, me bashkëfshatarin- Karafil Mahmut Bilaj, e ushtroi profesionin e çobanit të dhenve, derisa u nda nga jeta, më 11 janar të vitit 1975.

Xhevit Malkua, vërtet ishte i pakët nga shtati, pasojë e gjenit, por shtatin e kishte të plotë dhe ishte i fortë. Ai, zakonisht vishej me rroba shajaku, të zeza, në këmbë mbathte opinga meshini ose llastiku; nga koka, nuk e hiqte një qylah të bardhë, me majë. Pavarësisht se veshjen mund ta kishte copë-copë, si fukara që mbeti gjatë gjithë jetës, Qylahun e bardhë, (shenjë e përkatësisë së trevës), nuk e hiqte nga koka. Vlerat e tij nuk mateshin me përmasat e shtatit, por me ndershmërinë dhe bujarinë e shpirtit të tij. Në pamjen e jashtme, madhështia e atij shpirti nuk të linte përshtypje, por në thellësi të qenies së tij, gjallonte drejtësia dhe bujaria, pa kufi. Xhevit Malkua kaloi një jetë të vështirë, në të gjitha etapat.

Brenda tij, ishte ngulitur një shpirt i pastër, pa mellefe e inate. Ai ishte natyralisht i zgjuar e me qëndrime komunitare. Si tip, në sipërfaqe, shfaqte nervozizëm, brenda familjes, por, në mjedis, dinte ta mblonte atë, përbrenda e nuk shfaqej kollaj. Respektonte shumë burrat e mençur të mëhallës, si Musa Mehmetin; Abedin Kahremanin; Xhemal Haxhiun; Mane Tafilin; Muharrem Kamberin; Ahmet Selfon etj.

Shpirti i sakrificës, atë njeri e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Ai donte t’i vështronte fëmijët e tij, të ecnin me kohën e të ishin në ballë të shokëve. Punët e rënda që kreu kudo, e lidhën me njerëz me vlera, nga të cilët mësoi shumë. Një shok i tij, me origjinë nga Çamëria, punëtor miniere, në Selenicë, i rekomandoi të kujdesej për arsimimin e fëmijëve, dhe, kur doja të braktisja shkollën unike, kur isha në konviktin e Tepelenës, Xheviti më përzuri “me dru”, e më dërgoi në shkollë në besën e një të afërmi të tij. Ndoshta ky ishte rasti më fatlum për mua dhe qëndrim burrëror prej tij. Ai, në këtë rast, nuk u determinua nga sentimentalizmi i prindit për fëmijët, por vështroi përpara.

Për shpirt sakrifice, dëshmon dhe rrugëtimi i tij 2x5 ditë, në këmbë, nga Panariti i Korçës, në Kalivc të Tepelenës, në vitin 1960, për të më takuar, kur u ktheva me ultimatum, nga Bashkimi Sovjetik. Ose rrugëtimi i gjatë, shpesh në këmbë, nga Kalivaçi, në Rinas, e kthim, kur unë bëra një aksident me aeroplan, në vitin 1964.

Xheviti ishte nip, në Hysodosaj dhe, pavarësisht se ishte nga Ahmetajt, me të nxjerrë dhentë nga kasollja, edhe ato i kishte mësuar ta mbanin vrapin në Bregun e Hysodosajve, ku donte e respektonte shumë: Mete Medinin dhe të vëllanë - Tefikun; Sulo Beqirin; Jaçe Sadikun e Azis Telhane, të cilët i kishte kushërinj. Pikë të dobët e besnik të rrallë kishte Nasip Hysenin, i cili ishte djalë i kushërirës së tij Sados. Arat, Xheviti i kishte në Llomera, kufi me Çizo Selfon; në Rredhe, kufi me Dajlan Xheladinin, si dhe përftoi nga Reforma Agrare, pak tokë, në Fengje.

Kalvar më vete ishte shtegtimi i familjes së tij nëpër Ahmetaj, mbasi i ra çatia e shtëpisë, të cilën nuk mund ta ngrinte për mungesë parash. Fillimisht, familja jetoi në Gurishte, ku e strehoi kushëriri i tij, Resuli, në një kasolle, pastaj tek shtëpia e Ali Pashos, dhe më vonë, në shtëpinë e Sheros, e cila ishte në pronësi të kushëririt të tij Muharrem Kamberi, derisa ngriti një kasolle përpara shtëpisë. Çatinë e rrënuar, e ngriti vetëm, në dimrin e viteve 1959-1960, duke shfrytëzuar çatinë e një shtëpie që kishte ngritur nipi i fisit- Haki Sulua, në Rrëza. Pasardhës të Xhevit Malkos janë: Lumturia; Niaziu dhe Dilaveri të cilët, (dy djemtë e tij), prej kohësh janë shpërngulur nga Kalivaçi e jetojnë në Tiranë.

  • Muharrem Kamber Deraj. I biri i Kamber Asllanit dhe i Fatise; njëri nga pasardhësit e Deros, të birit të Ahmetit, themeltarit të mëhallës. E kam thënë dhe e ritheksoj se, në Kalivaç të Tepelenës, kanë jetuar burra me tipare burrërore e me pamje kreshniku lab. Pa e detajuar këtë “tezë”, mund të konfirmoj se njëri nga burrat më të zotë të viteve ’50, në mëhallën e në fshatin tonë, ka qenë Muharrem Kamberi. Mund t’i veshësh çfarëdo tallagane (veshje e lashtë burri) lavdie atij burri dhe, pa merak, je brenda. Edhe kur nuk e njihje atë njeri, të bënte për vete, që në takimin e parë; po të arrije ta bëje mik, ai të nxirrte në dritë, nga çdo situatë e vështirë. Kush e ka njohur nga afër, nuk ka si të mos përulet përpara kujtimit të tij të ndritur. Në këtë çështje nuk ka mëdyshje e nuk nevojitet lobing. Muharrem Kamberi ishte një njeri i veçantë. Ai ishte nga ata burra që i vijnë rrallë komunitetit. Xhako Rremja (kështu i thonim ne kur ishim të vegjël), ishte i lindur për të qenë në ballë të situatave të vështira.

Edhe sot, kur kanë kaluar shumë vjet prej ndarjes së tij nga jeta, kur e kujtoj atë njeri, bëj habi, ai trup i zakonshëm njeriu, ku e fshihte gjithë atë energji? Në shtat ishte i gjatë rreth 180 cm, i thatë, por i thante, i veshur thjesht, me rroba cohe, të zeza e me qylahun e bardhë në kokë. Nuk i pëlqenin veshjet prej shajaku. Xhako Rremja kishte një fytyrë të rreptë në dukje, por Ai njeri kishte shpirt të ndjeshëm. Dy sy të mëdhenj e të zgjuar, bojë gri dhe dyshues, që flisnin, e hijeshonin atë fytyrë burri. Fytyra e tij ishte e “hequr”; Ai mbante mustaqe të gjata, bojë gruri gjithnjë të rregulluara, me dorë.

Në trupin e tij tërë muskuj, mund të veçoje shkathtësinë e jashtëzakonshme. Kush e di çfarë truri ka mbajtur brenda ajo kokë? Do të më jepni të drejtë, kur t’ju dëftoj disa vlera të atij njeriu, i cili, me tiparet e tij të veçanta u bë mik i të gjithë kalivaçasve dhe më tej.

Ne, të parriturit e asaj kohe, për ta respektuar figurën e tij të pëlqyeshme, i drejtoheshim me nofkën: “Xhako Rremja” e kjo ishte e mirëpranuar edhe prej tij. Ai fliste shumë, por çdo fjalë e tij zinte vend e mbahej mend. Ishte mjaft e vështirë ta zije në fjalë, atë burrë. Muharrem Kamberi ishte hazerxhevap. Ai ishte i aftë të polemizonte me këdo e për çdo çështje dhe gjithnjë e kishte një përgjigje të gatshme. Shtëpia e tij ishte në trojet e Kamber Asllanit, babait të tij, thuajse në qendër të mëhallës Ahmetaj.

Pranë kishte shtëpinë e Xhevit Malkos dhe të dy djemve të Resmi Nelos dhe atë të Musa Mehmet Nelaj. Muri i bahçes së tij, me shegë të ëmbla, i cili ishte në formë trekëndëshi, me bazë nga shtëpia e Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj), dhe nga sipër me një shteg (udhë e ngushtë dhe e shkurtër) i cili të çonte tek dera e katoit ku mbylleshin gjedhët e familjes (dy qe parmende dhe një lopë, të cilën e thërrisnin Sorrile). Xhako Rremja, mbarështonte një tufë të vogël dhensh, sa për lesh e për ndonjë mish. Kafsha e preferuar e tij ishte një pelë, murra, tepër e shkathët, pa tule, e thatë, si kalorësi, por shumë e bindur. Muharremin, për tiparet e veçanta që kish, e thërrisnin për kryekrushk, edhe kur Ai nuk ishte në lidhje miqësore me të zotin e dasmës, apo kur nuk ishte i parashikuar në radhët e krushqve. Statusin e kryekrushkut, Ai e kishte fituar me meritë, dhe si të thuash, i ishte imponuar komunitetit.

Ishte aftësia e Muharremit për t’u përshtatur shpejt ndaj një situate të krijuar dhe përgjigja dinjitoze e tij duke replikuar me kundërshtarin, ballazi e pa u menduar që e bënin atë njeri të preferuar në komunitet. Reflekset e tij ishin të mahnitshme. Reagimi i menjëhershëm i tij, ishte ndoshta tipari që bënte diferencën. Prandaj Muharrem Kamberi ishte i preferuar dhe konsiderohej “i prerë” për kryekrushk. Ai qëndronte bukur mbi pelën e tij të shkathët, mund të bënte dhe qitje nga pozicioni mbi kafshë; ulej këmbëkryq, në shtëpinë e nuses, me orë të tëra; këndonte bukur; bënte muhabet të këndshëm; njihte mirë zakonet, traditat, mentalitetet dhe përshtatej shpejt me situatën. Xhako Rremja pinte raki “me opingë” dhe e mbante shumë rakinë.

Në fshat e në trevë, rrallë gjendej burrë që ta mposhtte atë, me raki. Fliste me zë të lartë dhe, kur këndonte, sokëllinte.

Muharrem Kamberi, nuk kishte vëlla. Nëna e tij, Fatija, një grua me trup të imët por me zemër të madhe, ishte nga Beqirajt, hallo e Qamil dhe Shamet Sulos, kurse motra Halime, ishte e martuar me Seit Durken, nga Hasanimerajt. Xhako Rremja, kishte dhe një motër tjetër, të cilën e quanin Fize dhe ishte e martuar në Shkozë, me Jonuz Demon; një burrë fisnik dhe esnaf. Bashkëshortja e Muharremit, quhej Tajane. Ajo ishte e bija e fisnikut trim Zagoll Saliko Xhaferaj dhe e Metos, nga Meçajt. Në çift me Tajanen, ai solli në jetë: Ramadanin; Nasibene; Kamberin; Hydajetin; Engjellushen; Deron; Henon dhe Asllanin.

Prej tyre; Hydajeti i ngjau të atit nga mendja dhe nga shkathtësia e gjykimit; Asllani i ka fshirë fizikun dhe zgjuarsinë; Derua, nisi, me zell rrugën e dijes, por nuk e pati jetën të gjatë; Ai, u nda nga jeta, në një rrugëtim fatkeq me makinë, për të dhënë provimet vjetore në Shkollën Pedagogjike të Gjirokastrës. Edhe pse çifti pati mjaft fëmijë të tjerë, ndarja nga jeta e Deros i helmoi të gjithë ata që e njohën, jo vetëm prindërit e tij.

Trojet dhe yrtrat, Muharrem Kamberi i kishte rreth shtëpisë, por bëri të vetat dhe ato të kushëririt të tij- Ziflo Dinos, pinjollët e të cilit u shpërngulën herët, (pas Luftës së Dytë Botërore) nga fshati e u vendosën në Durrës. Njëri nga pinjollët e Kaso Ziflos, Latifi, ka qenë punonjës i organeve të Punëve të Brendshme në rrethin e Durrësit.

Vetë Muharremi, ka pasur një fëmijëri dhe rini të vështirë. Puna e hyzmeqarit në dyert e të kamurve, në rrethe të ndryshme të vendit e shkathtësoi shumë dhe e futi në udhën e karvanarit që transportonte, me kafshë dhe tregtonte drithë, i cili gjendej me vështirësi, në atë kohë dhe transportimi lypte shumë sakrifica. Zotësia e tij e rrallë dhe shpirti i sakrificës bënë të mbahej në këmbë ekonomia e familjes dhe u rritën një tufë fëmijësh, njëri pas tjetrit. Mirëpo një pjesë të të ardhurave që siguronte me shumë mund xhako Rremja, e shpërdoronte bashkëshortja e tij, Tajanja, e cila, vërtet që kishte përftuar mjaft nga shkathtësia e të shoqit, por ishte, siç thonë rëndom: “dorëshpuar”.

Shoqe të ngushtë ajo kishte Zonjën e Madhe të Binajve, me të cilën ishte e së njëjtës moshë dhe, të dyja kishin ardhur nuse, në të njëjtën kohë, në Ahmetaj. Në gjitoni, Tajanja ishte shumë bujare, kurse tjetra, ishte më dorështrënguar. Idhull i Tajanes, si i tërë grave të mëhallës Ahmetaj, ishte Hysnija e Musa Mehmetit, së cilës Ajo ia dëgjonte shumë fjalën.

Në një rast, Tajanja e Muharrem Kamberit, më ka shpëtuar jetën, tek Burimi i Madh, në Donije. Isha rreth 3 vjeç dhe kisha shkuar pas nënës, në burim, për të mbushur ujë të ftohtë. Sa t’i vinte radha Nënës, u largova disa metra, në Perëndim të burimit, atje ku thellësia e lumit ishte më e madhe dhe po kacavirresha mbi një pllakë guri të pjerrët, e cila përfundonte në lumë. Kur duart takuan me ujin dhe trupi po rrëshqiste drejt sipërfaqes së lumit, Tajanja e shkathët, më pa, ulëriti dhe erdhi, me vrap, më zuri për këmbë e më tërhoqi, lart. Në një rast tjetër, kur Drejtoria e Konviktit të Tepelenës, ku isha konviktor, në vitin 1954, kërkonte firmën e njërit prind, Ajo grua e zgjuar, u paraqit si nëna ime dhe firmosi për të. Që atëherë thoja se kam tri nëna: Nënën biologjike; Zonjën e Vogël të Binajve, tek e cila kisha pirë sisë dhe Nënë Tajanen që u bë garante, me firmosjen e atij dokumenti me vlerë.

Arat e Muharrem Kamberit ishin: në Trapin e Çesmes; në Moçalet e Derë dhe në Llagëme (Ferra). Shtëpinë në Ahmetaj, e kishte me dy kate, të ndërtuar me mure guri, të shtruar me dysheme dhoge, pa tavan. çatia e shtëpisë ishte e mbuluar me pllaka guri gëlqeror, të rënda; dritaret vështronin nga Perëndimi dhe ishin tip frëngji. Dy qetë e parmendës, lopa sorrile dhe pela gri, përbënin kapitalin gjë e gjallë të Muharrem Kamberit. Ai mbante disa krerë dhen, sa për të marrë leshin prej tyre dhe për të ngrënë ndonjë “mish”. Shtëpinë dhe gjënë e gjallë të asaj familjeje i ruante një bushtër mjaft e egër, të cilën e thërrisnin Murre.

Pranë banesës kryesore, të familjes ishte dhe një shtëpi tjetër, të cilën e kishin emërtuar: “Shtëpia e Sheros”. Historia e emërtimit të kësaj shtëpie i përket një periudhe më të lashtë. Në katin e parë të saj, në katua, sidomos, në dimër, banonin dhe punonin “sopiqarë” (ustallarë), nga Malëshova dhe nga Zagoria, të cilët kallaisnin enë bakri.

Përveç sa u thanë, Muharrem Kamberi ishte duarartë. Atij burri i zinte dora shumë punë. Ai ishte njëri nga bashkëfshatarët tanë, mjeshtër për punimin e parmendave dhe kompletit të zgjedhave, lesave (branave) etj. Ai ishte dhe vreshtar e pemëtar i mirë. Në veçanti, shquhej për krasitjen dhe shartimin e vreshtave dhe të pemëve frutore si: Fiqtë, shegët, ftonjtë dhe ulliri të cilët ishin pemët më të preferuara të tij. Në avllinë e xhako Rremes qëndronte i mbështetur, pas murit, një govatë (koresh), prej druri, të cilin e kishte punuar vetë, me sqepar dhe e përdorte për shtypjen e ullinjve dhe për nxjerrjen e vajit. Këtë mjet pune, e shfrytëzonte familja e tij, e merrnin dhe gjitonët përqark shtëpisë së tij. Ai ishte koreshi i mëhallës.

Muharrem Kamber Deraj, la pas një tufë me pasardhës të denjë dhe një emër të mirë. Tiparet e tij karakteristike dhe me vlerë, ia vlen të njihen, jo vetëm si histori. Ai ishte një kalivaças tipik, të cilin, siç thonë në fshatin tonë; “Sido që ta hedhësh, bie në këmbë”.

  • Musa Mehmet Nelaj. Njëri nga burrat më të mençur, më trima e më me autoritet, në fis, në mëhallë e më gjerë. Familja e tij, pa më të voglën mëdyshje, ka qenë dhe mbetet njëra nga familjet me kontribute të veçanta e me vlerë, në historinë moderne të Kalivaçit të Tepelenës. Xha Musai, i ndodhur në emigracion ekonomik, në Anadol të Turqisë, ku kryente punën e rëndë të çobanit me dhen, si gjithë bashkëfshatarët e tij kishte vajtur atje, për të fituar një grusht me para, që t’i investonte në Kalivaç. Në moshën e rinisë, atje, në Anadolin e huaj, Ai, u njoh e u martua me Hysnijen, e cila, gjithashtu kishte emigruar e banonte atje, së bashku me familjen dhe ishte me origjinë nga Kolonja e Gjirokastrës, me mbiemrin Hoxhaj. Musa Mehmeti u kthye në Kalivaç, i martuar, së bashku me gruan dhe me një vajzë (Mushon) e cila sapo kishte mbushur moshën 2 vjeçe. Koha kur erdhi në Shqipëri xha Musai koincidoi me shpalljen e pavarësisë dhe Ai u bë pjesë aktive e asaj plejade. Në periudhën mes dy Luftërave Botërore, Musa Mehmeti u angazhua me punët e familjes së tij: me arat, trojet, me banesën, me bagëtinë dhe me konsolidimin e familjes së re. Duhet thënë se në punët e bujqësisë e të blegtorisë, Musai nuk ishte aq i prerë; Ai e kishte mendjen tek dyfeku mbasi ishte dhe një snajper i mirë. Të moshuarit dëftojnë se Musa Mehmeti kishte sy pushkë dhe, në Anadol ishte stërvitur për të qëlluar në kokë, me saktësi; me armët e asaj kohe. Atdhetaria ishte motivi kryesor që e bëri djalin e Mehmet Salihut e të Inxhise, të merrte udhën e të vinte nga Anadoli ku ishte stabilizuar, në Kalivaçin e varfër të atyre viteve. Në Luftën Nacionalçlirimtare, familja dhe fisi i Musa Mehmetit mbajtën barrë të rëndë mbi vete. Xha Musai dhe nënë Hysnija i dhanë Luftës Çlirimtare, dëshmor, djalin e parë të familjes- Sami Musa Nelaj kurse fisi i Nelajve, i dha kësaj lufte dhe një tjetër dëshmor; Muharrem Hasan Nelaj, si dhe një invalid (Qamil Pasho Nelaj).

Musa Mehmeti erdhi në jetë nga dy prindër kalivaças autoktonë. Inxhija dhe Mehmeti lindën shumë fëmijë, siç ishin: Musai, Shaqua, Pashua dhe Asimi, të seksit mashkull dhe Melatja dhe Sadua, të seksit femër. Dega e Mehmetajve e fisit Nelaj, ishte më e fuqishmja, nga ana ekonomike, më e shtuara si numër e me ndikim më të fuqishëm, në mëhallë e në fshat. Trojet e kësaj dege shtriheshin nga fundi i mëhallës (nga udha kryesore që vjen nga Muri i Hasanet, kalon Përroin e Veldonit dhe shkon në Qafën e Dërrasës). Në lartësi, ajo kufizon me udhën paralele, në mes të mëhallës, nën shtëpitë e Caqajve. Fakti që xha Musai e ka ndërtuar shtëpinë, i futur, midis trojeve të Derajve dhe atyre të Binajve, dëfton për fuqi ekonomike të Mehmetajve, jo për dobësi të tyre.

Arat e xha Musait, ishin të grupuara, në dy vende: Tokat e bukës, ato më pjelloret e më me peshë ishin në Margëlliç; në kufi me arat e Çorrushit dhe në Gryka. Në këtë të fundit, familja e Musa Mehmetit nuk merrte aq bereqet sa e shfrytëzonte për kullotë dhe për ullishte. Në inventarin e gjësë së gjallë të Musa Mehmetit, bënin pjesë: një pendë qe parmende me Arapin, që ishte kau më i fortë i mëhallës dhe Kuqalin trupmadh, por i urtë; një kalë i kuq, i urtë dhe rreth 20 krerë dhen.

E mbaj mend xha Musanë si tani. Ai përfaqësonte një burrë të shkurtër, me veshje shajaku e me qylah të bardhë me majë, në kokë, mbante mustaqe të mëdha, të zbardhura, tek çapitej, i kërrusur, me hap të shkurtër e të lehtë, me kalin për dorë e me dhentë përpara, sidomos kur kthehej nga Margëlliçi, ku punonte në ugar, gjithë ditën. Dy qetë e parmendës së Xha Musait, Arapi dhe Kuqali, ishin të harmonizuar në zgjedhë e nuk i bënin hile njëri-tjetrit. Kuqali ishte trupmadh, kurse Arapi kishte trup të ngjeshur dhe ishte mjaft i fortë. Ai dilte i pari në “garat” e borrocitjes mes qeve, sikurse dhe Sorrani i xha Sherifit dhe Arapi i Ahmet Selfos.

Shtëpia e xha Musait ishte thuajse ngjitur me shtëpinë e Xhevit Malkos. Ato i ndante avllia e Musa Mehmetit dhe një bahçe e ngushtë e tij, në të cilën ishte një ulli dhe një men. Shtëpia ishte njëkatëshe, e ngritur me gurë të bardhë dhe e lidhur me llaç gëlqereje e me breza druri. Ajo përbëhej nga dy dhoma. Çatia ishte e mbuluar me pllaka guri gëlqeror, të rënda. Pozicioni i shtëpisë ishte Jug-Veri.

Oborri i madh, më tepër i gjatë se i gjerë, vende-vende ishte i shtruar me pllaka guri gëlqeror. Sipërfaqja e pashtruar me pllaka guri, ishte e mbuluar me bar. Në fund të avllisë, në faqen Perëndimore të saj, përtej sipërfaqes së avllisë, ishte një gardh teli me gjemba, i cili ndante avllinë e xha Musait nga arishta e Muharrem Kamberit. Porta e avllisë (shtegu), ishte me tel të thurur dhe vazhdonte me një rrugicë tërë gurë, e cila kalonte në rrëzë të shtëpisë së Xhevit Malkos, zbriste tek muri i bahçes së shegëve të Muharrem Kamberit dhe gjarpëronte nëpër mëhallë. Shtëpia e Musa Mehmetit ishte përdhesë dhe përbëhej nga dy dhoma. Dhoma që shtrihej në Veri kishte në vatër saçin, këmbjet dhe buharinë me çengel, ku vareshin kusia, jamakja etj. dhe përdorej për të “mbledhur” familjarët apo, siç quhej rëndom, ishte shtëpi pune.

Në dhomën tjetër priteshin miqtë dhe ajo ishte e shtruar vazhdimisht, me rroba të leshta e me shilte. Mbi vatër, në buharinë e dhomës qëndronte e varur një patiçkë e prodhimit italian të cilën e kishte përdorur në Luftën Nacionalçlirimtare, djali i madh i xha Musait, Samiu, i cili ra dëshmor i kësaj lufte partizane, në betejën e Drashovices, në shtator të vitit 1943. Çdo dhomë kishte 2 dritare, të orientuara nga Perëndimi, tip frëngjie, të cilat ishin të siguruara me hekura dhe mbylleshin me kapakë druri. Në faqen Lindore të murit të dhomës së “miqve”, ishte një dollap, ku mbaheshin rrobat e zbukurimit. Ajo ishte tip musendre. Në muret e kësaj dhome, për zbukurim ishin varur 2-3 sixhade të vogla, pellushi, me figura të ndryshme kafshësh.

Ato i kishte prurë Musai, nga Anadoli.

Shtëpia e Musa Mehmetit, në Ahmetaj ishte më e preferuara dhe frekuentohej shpesh, për dreka e për darka dhe për të kaluar natën, nga pushtetarë e partiakë të zonës, të rrethit e të tjerë të ardhur nga metropoli. Ajo kishte lidhje të ngushta me familje të tjera, nga më të preferuarat e kohës, të lidhura me pushtetin dhe kishte rol parësor në Kalivaç. Xha Musai dhe Ninija (Hysnija) ishin dy njerëz me peshë, të mençur e të zotë dhe trima. Familja e tyre mbante statusin e kohës, “familje dëshmori”. Çifti i lidhur e i ardhur nga Turqia, përveç Mushos, e cila ishte fëmija i parë, solli në jetë: Velidene; Saminë dhe Mehmetin. Mushua u martua me bashkëfshatarin Refat Mahmut Bilaj, nga Hasanimerajt, i cili ishte me tipare burrërore e luftarake, si familja ku u bë dhëndër.

Velideja u martua në Shkozë, por, edhe pse e donte shumë bashkëshortin dhe me të lindi një djalë, Remzine (ndjesë pastë), bashkëshorti i saj- Veledini u nda nga jeta fare i ri dhe Velideja adoleshente, të cilës i thonim Dede, “doli” nga shtëpia e burrit, erdhi, së bashku me Remzine, tek prindërit e më pas u rimartua në Krahës, me Qani Bektash Shabanaj, me të cilin banoi e banon, në Korçë, ku lindi e rriti një vatër me fëmijë. Remziu u rrit e u veselit në Kalivaç, në familjen e Musa Mehmetit dhe u martua, me një vajzë nga Meçajt; jetoi në Fier, derisa u nda nga jeta, aksidentalisht (nga një atak kardiak), në shkurt të vitit 2018.

Djali i madh i Musa Mehmetit- Samiu, mbaroi shkollën për infermier, në Sarandë ku banonte në konviktin e vëllait të Nënë Hysnijes. Ai përqafoi idetë antifashiste të kohës dhe u rreshtua partizan. Fillimisht, Samiu bënte pjesë në njësitet guerile të qytetit të Vlorës, kur ra në sy të fashistëve, doli partizan e u rreshtua në Çetën Plakë të Vlorës, pastaj në formacionet partizane të Br. 5 sulmuese. Ai, duke shfrytëzuar statusin e infermierit, me një çantë sanitare, në krah, hynte e dilte shpesh, në qytetin e Vlorës, me mision luftarak. Para se të dilte partizan, Samiu ishte i fejuar, me një vajzë nga fshati Amanikaj. U vra në Luftën e Drashovices, në muajin shtator të vitit 1943 dhe u shpall dëshmor i Atdheut.

Ninija, si nënë dëshmori dhe grua e zonja, gjatë luftës çlirimtare ishte “komandante” e grave të fisit e të mëhallës. Ajo organizonte, drejtonte dhe mbronte, me trimëri e iniciativë, jetën dhe nderin e grave të mëhallës Ahmetaj. Shtëpia e Musa Mehmetit, gjatë Luftës së Dytë Botërore, priste, përcillte, furnizonte dhe u shërbente partizanëve kurse, pas çlirimit u bë strehë, për partiakët dhe pushtetarët komunistë. Hysnija ishte anëtare e kryesisë së grave të rrethit të Tepelenës dhe në Kongresin e Përmetit, më 24 maj të vitit 1944, ishte delegate e tij.

Djali i dytë i xha Musait- Mehmeti, u rrit kanakar e me pekule. Jo vetëm se mbeti djalë i vetëm i familjes, por dhe kishte statusin e vëllait të dëshmorit. Pas përfundimit të shkollës fillore të fshatit, Ai, me zgjuarsi e shkathtësi, punoi në Tiranë, në institucione qendrore, përfundoi shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, punoi oficer i kësaj ministrie në Tiranë, dhe, kur në Kalivaç u formua kooperativa Bujqësore, në vitin 1956, me urdhër të drejtpërdrejtë të kryeministrit Mehmet Shehu, u caktua kryetar i kësaj kooperative. Kalivaçasit e kanë njohur atë burrë si njëri nga njerëzit më të zgjuar, më trima, më të shkathët e të përkushtuar, njeri me vizion të qartë dhe si një organizator e drejtues kompetent e nga më të mirët që ka njohur fshati. Mehmet Musai u martua në vitin 1948, me Minajeten, të bijën e Razijes e të Feimit, nga Sevasteri, me të cilën lindi shumë fëmijë. Për kohën që bëhet fjalë, Ata kishin sjellë në jetë: Saminë; Lavdoshin dhe Sulon; më pas, çifti solli në jetë disa fëmijë të tjerë; mes tyre: Musanë; Reizin; Xhikon; Inxhine dhe Nasten.

Në avllinë e xha Musait, në fund të saj ishte një ulli i madh, me disa çatalla, i varietetit kaniniot. Në hijen e asaj peme, në ditët e nxehta të verës, njerëzit uleshin e kalonin vapën, mbi disa trungje. Gjëja e gjallë e familjes strehohej në një kasolle, të gjatë, me mur guri e me shtrirje: Perëndim – Lindje, e cila shërbente dhe si depo ku rezervohej kashta dhe bari. Prapa shtëpisë përdhesë të xha Musait, në shpinë të banesës, jo më larg se 4-5 m, ishin varret e fisit Deraj. Muharrem Kamberi, ishte dashamirës e tolerant, por në çështjen e ruajtjes së varreve të të parëve të degës së fisit, ishte fanatik e i rreptë. Ai e kishte rrethuar “vendin e shenjtë” me një gardh të sigurt, me tel me gjemba.

Vendi ku ndodhej varreza ishte i pyllëzuar, kryesisht me drurë lofate. Hashrat që ishin përdorur për varrimin e të ndjerëve, siç duket kishin lëshuar lastare e ishin rritur, gradualisht.

Në jetën e plakut Musa Mehmeti, kanë ngjarë, prapësi nga më të ndryshmet, të cilat kanë përthithur mençurinë dhe trimërinë e tij. Më në zë, kanë qenë ato që kërkonin mençuri e burrëri, për të dalë nga situata e vështirë. Në një rast, në fund të viteve ’50 të shekullit të shkuar, dy djem të rinj, nga fisi i Nelajve, u implikuan në një vepër të kundërligjshme. Një nuse, nga Smokthina, mbahej e ngujuar, në shtëpinë e M. Salihut. Pa izen (aprovimin) e xha Musait, nuk bëhej asnjë veprim në fis e në mëhallë. Çiftin e ngujuar, e ruante një rojë e armatosur, e cila ishte nën urdhrat e xha Musait.

Erdhën dy oficerë policie, të dërguar nga Dega e Punëve të Brendshme të rrethit të Vlorës, për të prangosur dy djemtë që kishin shkelur ligjen. Oficerët, kishin informacion të saktë dhe shkuan drejt e në shtëpinë ku mbahej e ngujuar nusja e re. Roja nuk i lejoi, dhe i drejtoi tek xha Musai. Ai i mirëpriti të ardhurit me mision, i qerasi, sipas traditës dhe i pyeti, për qëllimin e ardhjes dhe nga e kishin marrë urdhrin e arrestimit të dy të rinjve nga fisi Nelaj. Oficerët, me çiltërsi i dëftuan plakut të vërtetën. “Ua, – tha plaku, – po ju e dini që Kalivaçi është në rrethin e Tepelenës dhe duhet të shkoni në Degën e Punëve të Brendshme të këtij rrethi, të paraqitni urdhërarrestin dhe të vijnë oficerët e kësaj dege për ta zbatuar atë?”

Ashtu bënë dy oficerët, të cilët mësuan se plaku Musa Mehmeti nuk e gëzonte kot statusin e të parit të fisit. Ai i njihte mirë ligjet dhe vepronte konform tyre.

Në ato vite, u përhap tek njerëzit psikoza e pranisë së një lugati, në mëhallë. Ishte verë dhe gratë e Binajve, gjenin “mbrojtje” në shtëpinë e Xha Musait; tek Nënë Hysnija- burrëreshë e cila matej me burrat në raki dhe e pinte duhanin me çibuk. Në vapën e gushtit, gratë e fisit flinin në avllinë e Xha Musait, njëra përbri tjetrës, por kishin frikë nga lugati. Xha Musai, kur errësohej, vinte nga Margëlliçi, ku kishte punuar gjithë atë ditë, mbi kalin kuqo dhe flinte në mes të avllisë, për t’u dhënë kurajo grave të nënfisit. Shtëpinë dhe gjënë e gjallë të Musa Mehmetit i ruante një goxha qen stani, i zi, i egër, me emrin Marko. Ai njihte vetëm të zotin e të zonjën e shtëpisë dhe qëndronte vazhdimisht i lidhur, tek dera e kasolles.

Më donte shumë xha Musai dhe unë e doja dhe e respektoja gjithashtu. Duke më përkëdhelur, kur po mbaroja shkollën fillore të fshatit, në vetmi, më tha: “O djalë i Xhevitit! Ti mëson në shkollë dhe ke dëshirë të vazhdosh shkollën. Po dolle ti, nga Binajt; dolle; po nuk dolle ti, nuk del njeri!” Në një rast tjetër, kur vinte nga Margëlliçi e ishte mjaft i lodhur, i dola përpara shtegut tonë e i mora kalin për kapistre. “Ah, mor bir, – më tha, – vij nga Margëlliçi, rehat, se udha është e shulme (e drejtë e fushore); kjo Brinja e Qendret ma merr frymën!

Sikur të mos ishte Brinja e Qendret!” Si unë, Babai im e donte, e respektonte dhe e dëgjonte shumë. Dhe kjo ishte jo vetëm tek im atë; tek Xha Musai, vinin për konsultë, thuajse të gjithë burrat e fisit e të mëhallës. Nga një familje që ishte në vitin 1950, sot, në radhët e pinjollëve të kësaj familjeje numërohen 5 çerdhe, vetëm në linjën mashkullore dhe të gjithë ngjajnë nga rrënja.

  • Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj). Edhe pse nuk ishte autokton kalivaças, por i ardhur nga Toçi i Tepelenës, Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj) dhe vëllai i tij Demiri, kanë dhënë kontribute me vlerë në mëhallën Ahmetaj dhe në fshatin e Kalivaçit. E thënë me pak fjalë, roli i dy vëllezërve për përparimin e fshatit dhe për begatinë e tij, ka qenë tepër i ndjeshëm dhe i domosdoshëm. Rrallë mund të gjesh njeri si Xha Sherifi që e vuri pasurinë me punë rropatese e me zotësinë e tij. Pa llogaritur kontributin e vëllait të tij, Demirit, për arsimimin e bashkëfshatarëve. Sado të rrëmojmë në arkivat e vendeve të ndryshme, zor se do të gjejmë një të dytë si Demir Rrapua që të ketë qenë anëtar i shoqatës “Vatra” të Bostonit dhe që, kur u kthye nga kurbeti, në vend të dhuratave për të tijtë, i solli baulet plot me libra e me revista në gjuhën shqipe.

Vëllezërit Sherif e Demir Rrapo Zenelaj (Mucoimaj), erdhën nga Toçi, në trojet e dajos së tyre, në Ahmetaj, i cili quhej Bektash Sako kurse gruaja e tij quhej Dylbe. Çifti nuk lindi fëmijë dhe për të mos e lënë truallin dhe mallin e gjënë të shkretë, “adoptuan” dy nipërit e mësipërm. Xha Sherifin e kam njohur nga afër dhe e kujtoj, me atë shtat të shkurtër por të ngjeshur; me veshje shajaku të zi e me qylah të bardhë me majë, në fund, topolak, me kokë të madhe, me mustaqe të mëdha bojë gruri, me një zë kumbues e melodioz. Ai qëndronte rrallë në shtëpi; më tepër gjendej në stan, tek dhentë dhe në kasollet e ndërtuara pranë tokave pjellore, në Llagëme. Historia e kësaj familjeje është jo vetëm e veçantë e interesante, por dhe një vlerë më vete për mëhallën Ahmetaj.

Sherifi ishte i biri i Rrapo Laze Mucoimaj dhe i Gjylo Sako Ormeni (Mucoimaj), motër e Bektash Sakos, e lindur rreth vitit 1842, e ndarë nga jeta në vitin 1944, në moshën 102 vjeçe, në Ahmetaj. Çifti: Rrapo e Gjylo Mucoimaj sollën në jetë 4 fëmijë: Sheron; Sherifin; Havakon dhe Demirin. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë; Gjylua, pas vdekjes së të shoqit, mori katër fëmijët dhe u vendos në Kalivaç, në trojet e vëllait të saj – Bektash Sakos, i cili, në Ahmetaj mbante mbiemrin Ormeni. Bektashi ishte i martuar me Dylben, një grua zonjë, e gjatë, shumë punëtore dhe fisnike, e lindur në derën e Seit Manes nga dy prindër autoktonë; nga Seit Manja dhe nga bashkëshortja e tij – Selvia. Në familjen ku erdhi Selvija nuse, burrat e shtëpisë emigruan, në kurbet, si më poshtë:

  • Bektash Sakua qëndroi 18 vjet, në Turqi;

  • Sherif Rrapua, punoi 6 vjet, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Boston);

  • Demir Rrapua, punoi e jetoi 16 vjet, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Boston) dhe ishte anëtar i shoqatës shqiptare “Vatra” të këtij qyteti.

Të dy vëllezërit punonin në të njëjtën fabrikë tekstili; Sherifi, punëtor ngarkim-shkarkimi, kurse Demiri ishte magazinier. Demiri ishte i shkolluar, një burrë i zgjuar dhe me kujtesë fenomenale. Ai, në Boston vijonte kurse për mësimin e gjuhëve të huaja dhe dallohej nga shqiptarët e tjerë për nga intelekti e vendosmëria për të nxënë. Siç kujton një emigrant në SHBA, në të njëjtën kohë me dy vëllezërit Mucoimaj, Bajram Caush Aliaj, nga fshati Kropisht i rrethit të Vlorës, në vitin 1921, kur u kthye në Kalivaç, Demiri, solli libra e revista të ndryshme në gjuhën shqipe dhe çeli një kurs për mësimin e gjuhës, me bashkëfshatarë kalivaças. Në njërin nga kurset morën pjesë:

  • Xhemal Haxhi Nelaj;

  • Banush Xhezo Haderaj;

  • Kalo Qazo Ramaj;

  • Mane Tafil Zenelaj;

  • Muharrem Hasan Nelaj;

  • Kalo Guçe Dulaj;

  • Tefik Mehdin Sulaj;

  • Sulo Beqir Sulaj;

  • Qamil Sulo Malaj;

  • Muharrem Sheme Agaj;

  • Breshan Fejzo Bejomalaj (Nelaj);

  • Sulo Barjam Hysaj;

  • Sado Fazlli Agaj;

  • Hysnije Reiz Nelaj.

Selvia, nëna e Bektash Sakos, kur ikën burrat në kurbet, mblodhi dërgesat e tyre, i mblojti dhe me to, bleu truall, nga Nelo Binua dhe nga Avizeja e Bilbil Bolos. Me copat e trojeve që bleu, ajo zgjeroi trojet ekzistuese të familjes, në kufijtë ku është sot Avduli i Qemal Sherifit. Ajo, duke qenë nikoqire e mirë, me paratë që i dërguan të mërguarit, bleu dhe toka arë, mall e gjë, me të cilat u mor Sherifi, pas kthimit nga emigracioni, në vitin 1921.

Sherifi ishte shumë i fuqishëm e punëtor me sedër. Ai menaxhonte me kompetencë: tokat, prodhimet bujqësore, tufën e madhe të dhenve dhe prodhimet e tyre. Pasurinë, xha Sherifi, e vuri, siç thonë në Kalivaç, me thonj e me dhëmbë. Ai u martua me Fatimenë, të bijën e Dervish Abaz Vrenozit, nga fshati Kashisht i rrethit të Tepelenës. Me Fatimenë në çift, Ai solli në jetë 5 fëmijë. Qemali ishte i pari dhe më i madhi i djemve të xha Sherifit. Pas tij, u lindën, njëri pas tjetrit: Tekiu; Ferriku; Barjami dhe Hekurani.

Demir Rrapua, mbasi u kthye nga Bostoni, u martua me Merjemen, të bijën e Zenel Memallaj, nga fshati Vasjar i rrethit të Tepelenës. Nga martesa e tij me Merjemen erdhi në jetë vetëm një djalë, Muhameti, në vitin 1927. Ai ishte një; po një ama! Duke hapur një pus për të nxjerrë ujë të pijshëm, në vendin e quajtur Luadhe, në muajin mars të vitit 1926, Demiri ndërroi jetë, në këto rrethana: Gërmimi i pusit shkoi deri në kuotën 25 m dhe prej tij doli ujë mjaft i ftohtë e i bollshëm. Për të disiplinuar rrjedhjen, Demiri vajti në Vlorë, për të blerë tubo e çimento, por udhës u sëmur keq. Atë e prunë në Kalivaç, të sëmurë rëndë, vëllezërit Shaqo e Medin Muka, nga Shkoza, të cilët ishin nipër në Sakaj.

Demiri u nda nga jeta më 5 maj të vitit 1928, në shtëpinë e tij, në Ahmetaj. Ai la pas një djalë, Muhametin, i cili, vërtet u rrit jetim, por u bë njëri nga djemtë më të devotshëm e me figurë mjaft të pastër; në Kalivaç e më gjerë.

Në vitin 1950, shtëpia e xha Sherifit, në Ahmetaj, e ndodhur midis tri udhëve kryesore të mëhallës, përbëhej nga dy oda e një përdhesë. Oda e “vjetër”, me dy dritare tip frëngjie të orientuara nga Perëndimi, ishte njëdhomëshe, e shtruar me dysheme dhoge e me tavan. Në fund të odës ishte një musëndër, ku vendoseshin jatakët për fjetje, shtrojet dhe mbulesat. Ngjitja në odë bëhej nëpërmjet shkallëve të gurta. Në fund të shkallëve ishte një sheshpushim, nga ku hyhej në odën e re, e cila i ra në pjesë Qemalit. Të dyja odat ishin të përshtatshme për banim dhe shfrytëzoheshin nga pushtetarët, pas çlirimit, për të ngrënë e për të pirë dhe për të fjetur, si vende të sigurta.

Avllia e madhe, e shtruar me pllaka guri, e rrethuar nga një mur i lartë, fuste brenda dhe përdhesen, e cila shërbente, për të mbledhur fëmijët dhe për gatim. Në hyrje të kompleksit të shtëpive të Sherif Rrapos, në anën Jugore të tyre, drejtpërdrejt me dalje në udhën zbritëse të mëhallës, ishte një portë e madhe, me dy kanata dhoge të trashë, me çati sipër dhe me dy sofatë guri, në hyrje të saj. Dy kolona prej guri dhe një hark i gdhendur me mjeshtëri, harkonin gjithë portën. Kafshët e punës dhe zaireja, mbaheshin në një kasolle, me pozicion Jug- Veri, anës udhës që zbriste tek pusi pa ujë i xha Isufit. Pranë kasolles ishin disa rrënjë shegësh të ëmbla.

Në inventarin pasuror të familjes bujqësore të Sherif Rrapos, ishin një tufë me dhen rreth 100 krerë; dy qe parmende, një pelë e një mushkë dhe plot pula, shqirake e deti, për të cilat kujdesej nikoqirja Dylbe. Qetë e xha Sherifit, Sorrani dhe Kuqali ishin trupmëdhenj e të fuqishëm. Sorrani llogaritej ndër qetë më të fortë të mëhallës e të fshatit. Arat e xha Sherifit, në Llagëme, në Luadhe e gjetkë ishin të begata. Me punët e bujqësisë merrej djali i madh i shtëpisë- Qemali. Vetë plaku i shtëpisë, Sherif Rrapua, ishte blegtor esnaf e i menaxhonte dhentë me kompetencë e mjeshtërisht. Dy qen të fortë stani; Lupi dhe Pikoja, ishin në rojë të shtëpisë e të katandisë.

Dy djem të Sherif Rrapos: Tekiu dhe Ferriku dolën partizanë. Në luftë Tekiu u njoh dhe u martua me Nasibene, të bijën e Ahmet Fejzos, nga Hysodosajt, e cila ishte fisnike, si ai dhe partizane. Në çift me Nasibene lindën: Beharja; Ditua; Agimi; Petriti dhe Fatua. Të gjithë u bënë pasardhës të denjë të dy prindërve të veçantë. Ata u rritën të edukuar e të arsimuar, me sjellje dinjitoze e me respekt në komunitetin ku jetojnë. Tekiu, njëri nga themeluesit dhe organizatorët e luftës antifashiste, pas çlirimit të vendit, mbasi shëtiti qytet me qytet (si oficer i Ushtrisë Popullore), u vendos në Vlorë ku dhe u nda nga jeta, si pensionist i ardhur nga radhët e oficerëve madhorë.

Tekiu mbeti, deri në vdekje, besnik i idealeve për të cilat ai luftoi, me armë në dorë dhe shkriu jetën. Qemali u martua me Hatemen, të bijën e Musa Brahush Bilaj, nga Hasanimerajt, me të cilën solli në jetë: Enverin; Luton; Gjylon; Serveten dhe Abdylin, të cilët u bënë të zotë të vetes dhe njerëz të dobishëm për familjen dhe për komunitetin. Ferriku, në çift me Rabushen, pas jetës së malit në radhët e partizanëve, u bë oficer kufiri, i shëtiti postat e kufirit, me radhë, dhe, kur doli në pension, me kërkesën e tij, u vendos, me familje në qytetin e Policanit, ku dhe u nda nga jeta.

Familja e Sherif Rrapos, është model i familjeve jokalivaçase të cilat u integruan bukur në jetën e vendasve dhe kanë kontribuar e kontribuojnë për përparimin e fshatit tonë të përbashkët. Arsimimi, lufta çlirimtare, pasurimi me punë të ndershme e me djersën e ballit, sjellja për t’u pasur zili, bujaria e shpirtit dhe marrëdhëniet miqësore me familjet pranë, janë disa nga vlerat e familjes së Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj) të cilat mbeten piketa të shëndosha që dëshmojnë për mirësinë Kalivaçase.

  • Isuf Jaçe Minojacja (Nelaj). Duke gjykuar nga pozicioni i shtëpisë së tij, në qendër të mëhallës Ahmetaj, dhe nga emri që mban toponimi pranë: “Kryeja e shtëpisë”, mund të arrihet në përfundimin se në atë vend, mund të ketë qenë shtëpia e parë e themeluesit të mëhallës. U takon historianëve të hedhin dritë mbi këtë hamendësi, e cila bazohet në toponimi. Nofka: “Kryeja e shtëpisë”, mendoj se nuk është një fjalë e hedhur kuturu, por me domethënie.

Isuf Jaçja, të cilit, ne të vegjëlit e asaj kohe i thoshim, thjesht “Xha”, me konotacion dashamirës i shkonte për bukuri atij njeriu, i cili, nuk mbahet mend të ngatërrohej me njeri apo të përgojonte njërin e tjetrin. Xhai, të cilin e kam njohur pak, por e kam ndjerë përkëdheljen dhe përkujdesjen e tij, ishte “shpirt njeriu”. Me shtat mesatar dhe elegant, me një pallto të gjatë me ngjyrë gri të errët, e cila i vinte deri tek fundi i këmbëve, Xhai hokatar e i gjindshëm, çapitej qetë-qetë, nëpër rrugicat gjithë gurë të mëhallës dhe udhës për në arat e familjes, të cilat ishin të pakta e ndodheshin në Bishtje; në Xina; në Rredhe e në Fengje. Edhe pse të kufizuara në sipërfaqe, arat, Xhai, më tepër i jepte me qira e më pak i punonte vetë.

Babai i xha Isufit, Jaçe Minua, me rrjedhë nga fisi i Nelajve, kishte dy djem: Minon dhe Isufin. Thonë se Minua, ishte oficer, në Ushtrinë Perandorake Turke dhe humbi pa nam e pa nishan. Ai ishte i martuar me Bejekon, e cila solli në jetë dy vajza: Hasimene dhe Arzihanen. Të dyja motrat u martuan në Kalivaç, me qëllim që Loloja, (kështu i thonim Nënë Bejekos), t’i kishte kocet pranë, për çdo rast. Mino Jaçja nuk la djalë dhe dera e tij, pas ndarjes nga jeta të Lolose, e cila u shua në vetmi, në përdhesen e ftohtë, buzë udhës që zbret, nga Kryeja e Shtëpisë, tek ka ndërtuar shtëpinë Xhemal Haxhiu.

Isuf Jaçja e kaloi jetën në fukarallëk. Ai provoi dhe kurbetin e largët, përtej Oqeanit Atlantik, por nuk mundi të bëjë ndonjë pasuri. Nëse bashkëfshatarët e tij e bënin kurbetin në Anadol të Turqisë ku tërhiqnin njëri-tjetrin; Xhai, së bashku me bashkëfshatarin Musa Brahush Bilaj, nga mëhalla e Hasanimerajve, kapërceu oqeanin Atlantik dhe vajti në “tokën e premtuar”, në Amerikë, për të cilën kishte dëgjuar se puna paguhej më tepër, por u zhgënjye shpejt e u kthye në Kalivaç. Ai, kur ndodhej në Amerikë, u përfshi në punë të rëndomta, nga të cilat nuk kishte mbetje parash, por vetëm mbijetonte. Ishin vitet kur Shoqëria “Vatra”, nëpërmjet aktivistëve të saj grumbullonte para, për të ndihmuar, me fonde Luftën e Vlorës, të gushtit 1920.

Në këtë kuadër, edhe Xhai, kontribuoi, aq sa mundej, me të holla. Për këtë shkroi dhe gazeta e shqiptarëve të Bostonit: “Dielli” e atij viti.

Xhai trashëgoi nga i ati një shtëpi me dy kate, me dy mjedise banimi, ngjitur, njëri me tjetrin. Drejtimi i banesës ishte Veri- Jug. Muri i saj ishte i ngritur me gurë të bardhë gëlqerorë, të skalitur, të lidhur me llaç gëlqereje e me breza druri. Dritaret e shtëpisë tip frëngji, me hekura e me kapakë të trashë dhoge, ishin të orientuara nga Veriu dhe nga Perëndimi. Sheshit ku zakonisht luanin fëmijët, (vajza e djem) banesa i kishte kthyer kurrizin. Shtëpia kishte një palë shkallë prej guri nëpërmjet të cilave bëhej ngjitja në banesë.

Shkallët ishin të lidhura nga një hark prej guri, sipër të cilit ishte një sheshpushim nga ku hyhej në të dy seksionet e banesës. Përpara shtëpisë ishte një kopsht ku mbilleshin perime të stinës. Në kopsht vegjetonin dy rrënjë shegësh të ëmbla dhe një kumbull. Loloja, e cila e kishte përpara derës bahçen dhe në pronësi shegët e kumbullën, i plehëronte ato, me hirin e zjarrit dhe me plehun organik të bagëtive të pakta që mbarështonte.

Iauf Jaçja u martua dy herë. Nga martesa e parë erdhi në jetë Neziri, i cili, sapo u martua me Kezen, nga Caushajt (lagje e Çorrushit), u nda nga trungu e krijoi familje me vete. Meqenëse Nezir Isufi ishte me diferencë të madhe moshe nga ne fëmijët e asaj kohe; në shenjë respekti, i drejtoheshim: Xha Neziri. Ai, në çift me Kezen grua e bëshme, solli në jetë: Zonjën; Kujtimin, i cili u nda nga jeta qyshkur ishte fëmijë; Havon (Vevene) e në vitet që pasuan, edhe Qatipin e Mbarimen. Në prag të viteve ’60, xha Neziri dhe fëmijët u shpërngulën në Selenicë, ku, së bashku me Kezen; një grua e fuqishme dhe e pashme, punoi në repartin e kazaneve. Nezir Isufi, ashtu si paraardhësit e tij, ishte burrë i drejtë e i ndershëm dhe shumë punëtor e i pafjalë.

Xhai, kur ndau banesën, i dha djalit të parë odën që ishte pranë shtëpisë së Muhedin Salihut. Dy gjitonët kushërinj i ndante një rrugicë e ngushtë e shtruar me kalldrëm. Martesën e dytë, xhai e bëri me Lalane, motrën e Abibit, nga fshati Koshtan i Tepelenës. Në ato vite, mjaft djem nga Kalivaçi, në moshën e martesës, për të marrë nuse, i hidhnin sytë nga fshatrat e “malësisë” së toskërisë të rrethit, me pretendimin se vajzat e këtyre trevave, ishin më të urta, të pastra dhe gatuanin me shije. Me Lalane, një grua e shkurtër e topolake, shumë e sjellshme dhe nënë e dhimbsur, e gjitone e gjendur, xhai, solli në jetë: Kadrine; Ajdinene; Hatemen dhe Pashakon. Vajzat, pas martesës morën mbiemrin e burrave, por “rrënjën” nuk e harruan.

Dy nga vajzat e mëdha të Isufit e të Lalasë u martuan përtej lumit, në Shkozë, atje ku kishin vajtur dhe vajza të tjera të fisit të tyre, si Shaza e Nelo Binos; Fizja e Kamber Asllanit etj. dhe Shanikua, e ëma e Kanan Mazes.

Xha Isufi ishte human dhe dashamirës. Meqenëse gratë dhe disa burra të mëhallës, për të mbushur ujë, rropateshin deri në Donije, duke mbajtur në kokë apo në kurriz, kazane, qypa, bucela e bidonë, të mbushur me ujë për të pirë, vendosi të hapte një pus e të nxirrte ujë të pijshëm, për komunitetin. Punoi xhai; vetë e me argatë, pusi u gërmua rreth 10 m, por shenja uji nuk dha. Atëherë, pusi u braktis, por nuk u mbush me hedhurina, as nuk u rrethua tek gryka. Kjo përbënte rrezik real, si për kafshët që qarkullonin, në atë udhë dhe për fëmijët e parritur. Më kujtohet koha kur, sapo kisha nisur të ecja autonom dhe, sapo shkëputesha nga duart e gjyshe Jeminese, e mbaja vrapin tek pusi i thatë i xhait, me kureshtjen e fëmijës së asaj moshe që zgjat kokën, për të parë, çfarë ka në fund të pusit.

Gjyshja, e cila më donte shumë, më përzinte prapa me të qara e me të bërtitura: “Korba, do më bjerë në pusin e Isuf Agait djali i djalit e ku do të mbytem?” Loloja, një grua e dëshiruar për të lindur djalë, e cila më donte sikur të isha i saj, kur më vështronte të kaloja pas shtëpisë së saj, më kapte për dore, më mbështillte në futen e saj, më gabonte me shegë e me çfarë t’i ndodhej dhe më ruante sa të vinte gjyshja ime.

Isuf Jaçja ishte hokatar. Asnjeri nuk mërzitej e nuk prekej nga shakatë e tij me kripë. Dëftojnë se, një herë, xhai u hodh përtej lumit e vajti në Shkozë, për të parë dy vajzat që kishte martuar atje. Ishte vapë e rruga e gjatë anës lumit e bëri me djersë. E pritën në shtëpinë e tyre, dy kushërirat e tij: Shaza e Feim Fejzos dhe Fizja e Jonuz Demos. Të dyja, bënë çmos, për ta kënaqur, kushëririn, me çfarë u ndodhej.

Ato e pyetën: “Çfarë do, o xha?” Dhe xhai u përgjigj: “Atë që dua unë, ju nuk e keni!” E morën për keq dy kushërirat thënien e Xhait dhe nënqeshën.

Mirëpo xhai ishte burrë i zgjuar dhe e kuptoi të qeshurën e tyre me qesëndi. Për të larguar keqkuptimin, Ai sqaroi se donte dhallë, për të shuar etjen. Atëherë, gratë, të çliruara nga ngërçi që i kishte kapluar, i ofruan mysafirit, atë që kërkoi, duke deklaruar se dhallë kishin sa u hidhnin dhe qenve.

Gjitonë të Isuf Jaçes ishin: Muhedsin Salihu; Muharrem Hasani; Sherif Rrapua; dhe vëllezërit: Laze e Banush Xhezo Haderaj. Ai ishte njeri i urtë e i mençur dhe nuk i binte asnjeriu në qafë. Më të afërt, Ai kishte Breshan Fejzon dhe Xhelal Fejzon, dy djemtë e Fejzo Breshanit, për shkak të shkëputjes prej tyre më vonë. Shkëputja nga Binajt; Mehmetajt dhe Sadikajt, të cilët i kishte, gjithashtu kushërinj, ishte kryer më herët.

  • Muhedin Salih Nelaj. Ishte i biri i Salihut dhe i Hankos. Babai i Muhedinit, Salihu, ishte vëlla i Xhemal Haxhiut, kurse e ëma, Hankua ishte bijë në Bozanaj, motër e Riza Kamberit nga fisi Dostaj. Shtëpia e Muhedinit ishte ngjitur me atë të Muharrem Hasanit dhe me odën e Isuf Jaçes, e cila i ra në pjesë Nezirit. Oda e Muhedin Salihut, i ngjante një kulle me frëngji. Ajo shtrihej në pozicionin Veri-Jug, me kurriz nga udha që vinte nga Hija e përshkonte mespërmes mëhallën dhe përfundonte në Dërrasë. Dy dritaret tip frëngjie, të pajisura me hekura e që mbylleshin me kapakë të trashë dhoge, vështronin nga Perëndimi. Oda ishte e gjatë; ngjitja në katin e dytë, realizohej nëpërmjet shkallëve prej guri, të thepisura e pa parmakë anësore. Në krye të shkallëve ishte një sheshpushim i vogël, i rrethuar me copa druri, ku burrat linin opingat. Oda ishte e shtruar, me dysheme dhogë, por pa tavan. Në fund të odës ishte një musëndër, brenda së cilës familjarët vendosnin shtrojet dhe mbulesat e miqve. Muret e shtëpisë ishin të ngritur me gurë gëlqerorë, të gdhendur, të lidhur me llaç gëlqereje dhe me breza druri, në çdo 70 cm. Çatia ishte e mbuluar me pllaka guri, të bardhë, të rënda. Në oborrin e banesës, në skajin Verior të avllisë së shtruar me pllaka guri të trashë, ishte një përdhesë, me drejtim Lindje- Perëndim, me kurriz nga udha, e cila zbriste tek lëmi i Muharrem Hasanit. Dalja nga porta e madhe e shtëpisë, bëhej në dy drejtime. Njëri ngjitej lart, e dilte në udhën kryesore të mëhallës, tek kryeja e shtëpisë; tjetri zbriste, nëpërmjet një labirinthi të ngushtë, takohej me derën e avllisë së Muharrem Hasanit e zbriste, mbi shtëpinë e xhaxhait të tij, Xhemal Haxhiut. Më duhet të theksoj, se ngushtësia dhe afërsia e trojeve të këtyre familjeve dëshmojnë për përkatësinë fisnore të tyre.

Salih Haxhiu dhe bashkëshortja e tij, Hankua, sollën në jetë: Muhedinin; Abazin; Ganon dhe Fetijen. Muhedini u martua me Zyben dhe në çift me të lindën: Fadilene, Agimin dhe Bashkimin. Muhedin Salihu, ishte një burrë me shtat mesatar, i zgjuar, i shkathët e i papërtuar. Ai, mbi të gjitha ishte njeri me zemër të madhe dhe tolerant. Në familjen e tij, u përshtat, vëllai i Zybes, Qemali, i cili ishte dorac, prandaj njerëzit, rëndom i thoshin: Qemal Doraci. Ai ishte njeri pa njeri, prandaj u mbështet tek motra Zybe, e cila, së bashku me Muhedinin e trajtoi mjaft mirë.

Qemali ishte një burrë i shkurtër, me të dyja duart të pazhvilluara, me qafë të trashë, i merrej goja, por ishte shumë besnik dhe mjeshtër për mbarështimin e deles. Ai kujdesej për tufën e dhenve të Muhedin Salihut, të cilat, për nga fiziku, pastërtia dhe prodhimtaria veçoheshin nga bagëtitë e mëhallalinjve.

Muhedin Salihu ishte qejfli kuajsh dhe pela e tij gri; e shkathët dhe e qetë, ishte mjaft e shpejtë dhe e bindur. Ajo, e “mbajtur” me gomar, bënte mushka, të cilat i tregtonte Muhedini. Ai ishte bujk dhe blegtor i shquar dhe një zanatçi i përkryer. Muhedin Salihut i “zinte” dora shumë punë. Mullarët (hipitë) që ngrinte Muhedini, ishin si të vizatuar, nga dora e një mjeshtri pikture dhe nuk fusnin kurrë ujë. Muhedini, pa asnjë klasë shkolle dhe pa njohuritë fillestare për stereometrinë, ngrinte hipi me shumë saktësi; madje Ai dinte dhe sa kafshë mund të ushqeheshin me zairenë që ishte vendosur në hipi.

Muhedin Salihu ishte një zejtar me emër. Atij i vinte ndorësh të përgatiste parmenda, zgjedha, tevliqe, lesa dhe të gjitha pajisjet që i shërbenin një bujku. Vlera më vete ishin tiparet e Muhedinit, si njeri. Ai ishte mjaft i urtë, i dashur e i sjellshëm dhe shumë i ndershëm. Ndershmëria dhe shkathtësia e tij, ishin faktorë që determinonin caktimin e tij në rolin e yzmetçiut (tip kamerieri), në dasma e gosti dhe në vaki.

Trojet e Muhedinit ishin të kufizuara, prandaj, në vitet ’60, ai ishte i detyruar të zbriste me shtëpi në vendin e quajtur Shure, në tokat e nënfisit Mehmetaj, ku bënte pjesë familja e tij. Aty, djemtë e Muhedinit: Agimi, i cili është ndërtues me emër dhe vëllai i tij Bashkimi, ngritën banesa të veçanta. Sot, ata kanë shtegtuar; në kërkim të një jete më të mirë. Agimi është vendosur në Tiranë kurse Bashkimi ka emigruar në shtetin fqinj të Jugut. Vëllai i Muhedinit, Abazi, pas martesës së dytë, u vendos e jeton në qytetin e Fierit. Motra e tyre: Ganua u martua në Sevaster, në familjen e Ficorr Metushit, jetoi në Tiranë, ku dhe u nda nga jeta.

Fetija, u martua dhe jeton përballë Tepelenës, në anën tjetër të Vjosës, në fshatin Becisht.

Arat e Muhedin Salihut janë në Shure, në Rredhe, në Xina, në Llagëme dhe në Moçale. Tokat e familjes ishin të begata dhe familja e Muhedin Salihut i shërbente mirë tokës. As tronditjet që ndodhën në familjen e tyre, pas vdekjes misterioze të gege Hankos; as pas ndodhisë së pakëndshme, me bashkëshorten e parë të Abazit, nuk i tronditën pozitat e familjes së Salih Haxhiut, në Nelaj dhe në Ahmetaj e më gjerë. Kam qenë i mitur, por, edhe pse prindërit na mbanin larg ndodhive makabre, ca me të parë e ca me të dëgjuar, më kujtohet ndodhia me nënën e Muhedinit, gegën time - Hankon e Salih Haxhiut. Ajo ishte mjaft punëtore dhe, një ditë gushti, kishte shkuar në arë, për të punuar tokën. Gjithë ditën, në atë diell përvëlues, Hankua, në moshë rreth të gjashtëdhjetave, po ngjitej në të përpjetën e theksuar, që anëkalon bahçen e Dajlanit.

Tek porta e Sherif Rrapos, Ajo i thirri gege Dylbes, të cilës i kërkoi një sapllak me ujë. Gege Dylba, vajti në avlli, për të mbushur ujë, tek bucelat e vendosura pas murit të avllisë, por, kur u kthye me sapllakën me ujë në dorë, e gjeti gjitonen të shtrirë në sofat, tek i buçiste gjak, nga goja, nga hundët e nga veshët. E morën të moshuaren, prej krahësh, për ta çuar në shtëpinë e saj, rreth 50 m, më tej, por ajo grua e nënë e mirë, dha shpirt udhës. Sikur të mos mjaftonte kjo tragjedi, gojët e liga dhe shpirti i keq, pas përcjelljes së saj në varrezat e Mehmetajve, pranë Përroit të Faqekuqes, duke vënë në lëvizje fantazinë e tyre, me dashakeqësi, përhapën një thashethemnajë, e cila kërkoi mjaft kohë për t’u fashitur.

Sipas fantazisë së sëmurë të keqdashësve, e ndjera, na qenkej ngjallur dhe është bërë lugat që shëtiste nëpër mëhallë. Thashethemnaja u shfrytëzua për qëllime jo të mira, nga ata që nuk e besonin legjendën e përhapur, por që u leverdiste që tymnaja të pushtonte opinionin injorant. Nuk e lanë të qetë, të ndjerën; as në varr. Dikush, me dashakeqësi, vajti e zbuloi dhe i hodhi benzinë gropës të cilës i vuri zjarrin. U dogjën copat e drurit e u përzhit dheu.

Pas shumë kohësh, siç ndodh rëndom, koha hodhi harrimin edhe mbi këtë ndodhi të stisur.

  • Muharrem Hasan Nelaj. Njëra nga familjet që ka paguar më tepër gjatë shekullit të njëzet. Familjes në fjalë i dha emër xha Sadiku, gjyshi i Muharrem Hasanit. Për të ardhur tek Muharremi, më duhet të ndalem pak tek gjyshi i tij - xha Sadiku. Ai ishte i biri i Dajlan Myftarit dhe ky i biri i Nelos, të parit të fisit Nelaj. Sadik Dajlani ishte një burrë i zgjuar e i zoti. Atij i dëgjohej fjala në fshat e i kishte lezet kuvendi. Në jetën e tij, pati një rritje të dukshme ekonomike, dhe u shtuan pronat, të cilat kishin në themel, zotësinë dhe shkathtësinë e xha Sadikut i cili, shfrytëzoi gjithë mundësitë për t’u pasuruar, pa i hyrë njeriu në hak. Sadik Dajlani e lidhi familjen me miqësi, me fisnikë të dëgjuar si Breqir Sulua, në Hysodosaj dhe me Seit Manen; po në këtë mëhallë. Muharremi, nipi i tij, i ngjau shumë gjyshit, jo aq nga shtati sa nga tabijati.

Sa i takon asaj që theksova në hyrje të këtij rrëfimi, pagimit, mund ta konkretizoj vetëm me 3-4 shembuj. Muharremi, hodhi dyfekun në krah e doli partizan, në moshë të madhe, dhe la pas 5 fëmijë, të cilët, pas rënies së tij dëshmor, në luftën Çlirimtare, mbetën bonjakë e u rritën jetimë. Pas tij, rrugën e heroizmit e vazhdoi i biri, Tahiri, i cili, në vitin 1960, kur ishte detar i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në detyrën e shifrantit të Brigadës së Nëndetëseve, në Pashaliman, kreu aktin e rrallë trimëror, pa i thënë asnjeri dhe me vullnet të plotë. Në vitin 1997, në atë katrahurë që u krijua në vendin tonë, u nda nga jeta Besniku, i biri i Sadikut të ri dhe disa vite më pas, humbi jetën, vetë Sadiku, në një aksident lumor, kur ishte lundërtar, në lundrën e Kalivaçit.

Banesa e familjes së Muharrem Hasanit ishte fare pranë vendit të quajtur Buzë, në mëhallën Ahmetaj. Banesa e “vjetër” përbëhej nga dy oda të lidhura njëra me tjetrën me një palë shkallë guri. Në fund të shkallëve, ishte një sheshpushim dhe një tarracë, (tip depoje), ku grumbulloheshin materialet rikupero të familjes. Në sheshpushimin që formohej, në fund të shkallëve ishin dy dyer, përballë njëra-tjetrës, nëpërmjet të cilave hyhej në odat përkatëse. Oda e “vjetër” ishte e gjatë, me dy dritare tip frëngji, të pajisura me hekura dhe që mbylleshin me kapakë të trashë dhoge. Dritaret ishin të orientuara nga Perëndimi.

Prej tyre mund të bëhej qitje me pushkë. Muret e banesës ishin të ngritur me gurë gëlqerorë, të gdhendur, të lidhur me llaç gëlqereje dhe me breza druri. Odat, të dyja ishin të shtruara me dhogë, por pa tavanë. Çatitë e tyre ishin të mbuluara me pllaka guri, të bardha, të rënda. Oda e “vjetër” ishte me katua poshtë, kurse oda e lidhur me të, nuk kishte katua.

Pas Çlirimit të vendit, dy odave ekzistuese u bashkëngjit dhe një odë e re, me katua poshtë, e cila, kur u ndanë djemtë e Muharremit, i ra në pjesë Tahirit.

Në këtë mjedis, në katin e parë të saj, i cili shfrytëzohej për të depozituar zairenë dhe për të strehuar lopën e vetme të familjes, në vitin 1946, kur në Kalivaç nisi lufta kundër analfabetizmit, në katuan e odës së Tahirit, u organizua kursi kundër analfabetizmit i mëhallës Ahmetaj. Nismëtare u bë e veja e Muharrem Hasanit, Memja, një grua zonjë, në tërë kuptimin e fjalës, e cila rriti dhe edukoi e nxori në jetë pesë jetimët që i la bashkëshorti dëshmor. Ajo ishte nga Kecerishti, nga një dere fisnike dhe, pas rënies dëshmor të Muharremit, mbasi lidhi shaminë e zezë në kokë e iu përkushtua fëmijëve, e zëvendësoi, denjësisht Muharremin, si në menaxhimin e familjes dhe si një aktiviste e rrallë shoqërore. Memja, si rrallë gra në fshat e në trevë, vetë burrë e vetë grua, u bëri ballë sfidave të kohës dhe ishte në ballë të transformimeve të fshatit. Ajo u bë flamurtare, edhe në çështjen e madhe të luftës kundër analfabetizmit. Bashkëshorti i saj, Muharremi, ishte njëri nga kalivaçasit e pakët që mësoi shkrim e këndim, me shumë sakrifica, në vitet e regjimit të errësirës.

Gjitonë të Muharrem Hasanit ishin: Nga Jugu- Isuf Jaçja; nga Lindja- Muhedin Salihu; nga Veriu – rrëpira e Brinjës së Qendret, e cila zbriste në Sheshin e Veldonit dhe në Perëndim, bahçja në pronësi të tij, e cila kufizohej me udhën e brendshme zbritëse të mëhallës dhe me shtëpinë e Xhemal Haxhiut. Pra, në të gjitha anët e horizontit, shtëpia e Muharrem Hasanit kufizohej nga njerëz të fisit të tij. Avllia e stërgjatë, ishte e shtruar me pllaka të trasha guri gëlqeror. Në hyrje të shtëpisë nuk kishte portë, por një lesë të thurur me tel me gjemba. Në Veri të udhës që zbriste nga Buza, ishte një lëmë, i cili ishte në pronësi të Muharrem Hasanit, me gjurmë të dukshme se dikur, ai mjedis ishte përdorur për grumbullimin dhe manipulimin e drithërave etj.

Në fund të avllisë, në anën Perëndimore të saj, ishte një men i madh, dhe në bahçen poshtë avllisë ishte një dru arre, një rrënjë bajameje dhe disa shegë dhe disa rrënjë fiqsh të varietetit Bradashesh. Tokat arë të Muharrem Hasanit ishin në Rredhe; në Xina; në Bishtje; në Moçale dhe në Fengje. Bahçja e Dajlanit, (djalit të madh të Muharremit) shtrihej nga porta e Sherif Rrapos, derisa takonte udhën kryesore që vjen nga Margëlliçi. Arat dhe trojet, Sadik Dajlani, i cili ishte mjaft i dhënë pas blerjes së tyre, i shtoi ato nëpërmjet blerjes dhe trashëgimisë. Ai ishte mjaft punëtor dhe kursimtar.

Kur ndodhej, duke ngrënë, në arë apo kudo gjetkë dhe një kalimtar i rastit e përshëndeste, me shprehjen e njohur, “Të bëftë mirë, o xha Sadik!” Ky nuk përgjigjej, siç ishte tradita: “Bujrun”, por: “Për mirë e ha, or bir!” Rrëfejnë dhe një ndodhi interesante: Xha Sdiku leronte në Bishtje. Në pushim, u ul nën hijen e goricës dhe nisi të hante një tas me përshesh. Një karkalec, me këmbë të gjata, u fut në tasin me përshesh. E nxori, xha Sadiku, me lugën që kishte në dorë dhe vijoi të hante.

Karkaleci, “i vendosur e kokëfortë”, mori fuqi me dy këmbët e prapme e përsëri u fut në tas. “Qenka kesmeti im”, tha në vetë plaku dhe iu drejtua insektit: “Mblidh këmbët, o karkalec, se mos më mbytesh”, dhe, me lugë e mori insektin dhe e hëngri. Ai kishte djalë Hasanin, babanë e Muharremit, por, përpara tij, Hasani ishte inekzistent; ligjin në atë shtëpi e bënte Sadik Dajlani.

Muharremi ishte djalë i vetëm i Hasan Sadikut e u rrit: kanakar i familjes. Ndryshe nga bashkëmoshatarët, në rininë e tij, Muharremi iu nënshtrua shkollimit, në shkollën fillore të fshatit Krahës të Tepelenës, tek miku i familjes Dervish Medini. Ai e kishte nisur mësimin e Gjuhës Shqipe, diçka më parë; që kur mëhallaliu Demir Rrapo (Mucoimaj) pruri nga Bostoni, libra, revista e abetare, në Gjuhën Shqipe, në vend të dhuratave për të tijtë.

Nën ndikimin e drejtpërdrejtë të kushëririt të tij të parë, Sulo Beqir Sulaj, themeltar i lëvizjes për liri, në Kalivaç, Muharremi u aktivizua në lëvizjen çlirimtare dhe u inkuadrua në Brigatën e 6-të Sulmuese. Ai, meqenëse dinte shkrim e këndim, kurse partizanët e tjerë, në shumicë ishin analfabetë, u caktua mësues i kompanisë. Muharrem Hasani ra Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare, më 11 qershor të vitit 1944, në një luftim të ashpër, në Ysoverdh, të rrethit të Vlorës. Ai u shpall dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare; eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve të Atdheut, në Tepelenë.

Situata luftarake kundër pushtuesve gjermanë, rezultoi e tradhtuar dhe atë natë u vranë mjaft partizanë. Pozicionet e partizanëve u kapën nga armiku dhe trupat e disa të vrarëve, gjatë tërheqjes me ngut të partizanëve, mbetën atje ku ranë. Trupi i pajetë i Muharremit, u dergj në qiell të hapët shumë ditë e u dekompozua. Në këto kushte u vështirësua mjaft identifikimi i të rënëve. Në familjen e Muharremit u shpall kuja, pa kufomë.

Kur u bë e mundur, nëna e tij, Lulja, një grua e gjatë, dhe e heshtur, u nis për të kërkuar të birin, së bashku me bashkëfshatarin Ali Demir Alidervishaj, nga Hysodosajt, me familjen e të cilit ishte në lidhje miqësore. Në një bisedë, me Alinë që i përket vitit 1967, Aliu ma ka dëftuar kështu, këtë ndodhi:

“…U nisa me Lulen, për në Ysoverdh të rrethit të Vlorës. U ngritëm shpejt e u nisëm për udhë, herët në mëngjes, akoma pa gdhirë mirë. Fshati Ysoverdh është 5-6 orë larg, nga Kalivaçi. Në të gdhirë, kaluam lumin e Vjosës, në vah, tek Ullinjtë e Hanit. Kaluam poshtë fshatit Shkozë, në rrëzë të fshatit, kështu dhe në Dushkarak, më pas u ngjitëm në Sevaster. Në Ysoverdh, mbërritëm afër mesditës.

Nuk lamë shkurre e driza pa kërkuar trupin e pajetë të Muharremit. Një vendas, çoban, i cili kishte parë përleshjen, na dëftoi ku i kishin pasur pozicionet partizanët. Kërkuam atje ku na orientoi çobani dhe gjetëm një kufomë të dekompozuar. Lulja, e malluar dhe e pikëlluar për të birin, me buzët që i dridheshin e me lotë në sy, e njohu djalin e saj. Ajo e identifikoi të birin, nga një bluzë leshi të cilën e kishte punuar me shtiza, me duart e saj dhe nga një dhëmb floriri që kishte në nofullën e poshtme.

Nëna e njeh evlatin dhe Lulja nuk mund të ishte tjetër. E mbështollëm kufomën e dekompozuar në një rrobë, të leshtë, që kishim marrë me vete dhe morëm udhën e kthimit për në Kalivaç. Në Sevaster, na u bashkua hallo Melatja, (kushërirë e Muharremit, e martuar në Sevaster), e cila erdhi në Kalivaç, për të varrosur kushëririn e vrarë në luftë. Kujë e madhe plasi atë natë, në Ahmetaj. Ishte kuja e dytë që shpallej, për të njëjtin njeri. Kishim rrugëtuar 12 orë, në këmbë e ishim mjaft të lodhur.

Të nesërmen, pjesët e gjetura të kufomës u varrosën në qivurin e familjes; më vonë eshtrat e tij u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve, të rrethit të Tepelenës.”

Muharrem Hasani kur u nis për në mal, ishte i martuar me të bukurën Mëmë, nga Kecerishti me të cilën kishte prurë në jetë 5 fëmijë: Dajlanin; Tahirin; Skënderin; Sadikun dhe Rubijen. Jetimët u rritën e u edukuan nën kujdesin e Memes, e cila iu përvesh punës, për të administruar mallin e familjes e cila ishte njëra nga familjet me më tepër mall e gjë, në mëhallë si dhe për t’u kujdesur si nënë. Lopa e tyre ishte vërtet shqirake, por prodhonte qumësht mjaftueshëm për të ushqyer pjesëtarët e familjes. Një kalë gri dhe një pendë qe, përballonin punët në bujqësi dhe nevojat familjare. Bagëtitë e imëta, të cilat i kishte të qinosura me Breshan Fejzon ishin në dorë të sigurt dhe ishin bazë e blegtorisë së familjes. Tahiri, Skënderi dhe Sadiku, një pjesë të shkollimit e kryen në konvikte e institucione të tjera ku strehoheshin të varfrit dhe fëmijët e dëshmorëve.

Dajlani, djali i madh i Muharremit, u fut në punë, akoma pa u rritur, për të mbajtur pjesën tjetër të familjes.

Aktualisht, nga një familje që ishte në vitin 1950, shtëpia fisnike e Muharrem Hasanit, përbëhet nga më se 13 familje, vetëm në linjën mashkullore. Ata kanë migruar, në Tiranë e në Vlorë dhe kanë emigruar e jetojnë në shtetin fqinjë të Jugut.

  • Sadedin Xhelal Bejomalaj (Nelaj). Sadedini, i biri i Xhelal Fejzos dhe i Shazes, ishte nip i burrit më të shëndoshë të mëhallës Ahmetaj, Breshan Fejzos. Dinja (kështu njihej në komunitet), ishte njëri nga njerëzit më të mirë, më të urtë, më të qetë e më të ndershëm, që kam njohur. Thuhet se i ati, Xhelali, u nda shpejt nga jeta dhe Dinja u rrit nën kujdesin e xhaxhait të tij, Breshan Fejzos dhe me sakrificat e nënës së tij fisnike, gruas së rrallë, Shazes së Xhelal Fejzos. Xha Breshani, burrë i leshtë e bujar, duke ndjerë përgjegjësinë, që kishte për nipin bonjak, edhe pse i ndarë më vete, i dha atij gjysmën e mallit dhe e ndau shtëpinë e trashëguar nga babai, Fejzo Breshani, si kujdestar i mirë, në dy pjesë të barabarta, si sipërfaqe dhe si kushte. Shtëpia e Dines ishte me dy kate. Oda e xha Breshanit dhe ajo e Dines kishin një palë shkallë, të brendshme, prej druri. Dinja ndërtoi dhe një shtëpi tjetër, pranë asaj prindërore, e cila ishte me shkallë guri, me sheshpushim të madh e me strehë. Ajo e kishte hyrjen nga Jugu, andej nga kalonte udha zbritëse e mëhallës, për tek Ullinjtë e Bushit dhe për në varrezat e mëhallës Ahmetaj. Shtëpia e Dinë Xhelalit ishte fare pranë qivurit të Sadikajve, paralel me udhën dhe me bahçen e Dajlan Muharremit. Në Lindje kishte shtëpinë e Sherif Rrapos, me portë të madhe përpara e me dy sofatë guri. Në Perëndim ishte ullishtja e Fejzo Breshanit; në Veri ishte shtëpia e xhaxhait të tij, Breshan Fejzos.

Trojet e Dinë Xhelalit për ndërtimin e banesës, ishin të kufizuara, për shkak të shtrirjes së ullishtës dhe ndërtimit të odës së veçantë, anës udhës. Avllia, ishte e shtruar me pllaka guri gëlqeror; nëpër të kalonte dhe xha Breshani, me mall e me gjë. Oda e Dinë Xhelalit, ishte ngritur me gurë gëlqerorë, të lidhur me llaç gëlqereje dhe me breza druri. Të dyja odat e tij ishin të shtruara me dhogë dhe të mbuluara me pllaka të rënda guri gëlqeror. Të dyja odat komunikonin me njëra-tjetrën nëpërmjet një dere të brendshme. Sot, oda e re e Dinë Xhelalit, nuk ekziston, as si themele.

Në vend të saj është bërë një kopsht, në të cilin mbillen, kryesisht kultura dimërore. Arat e familjes së Dinë Xhelalit ishin ngjitur me ato të xhaxhait të tij, Breshan Fejzos, në Jorga dhe në Margëlliç. Duhet thënë se pjelloria e tokave të Dines ishte e madhe dhe shërbimet, bimëve nuk u mungonin.

Sadedin Xhelali ishte djalë i vetëm dhe trashëgimtar i një familjeje dinjitoze që “rrotullohej”, me djersën e ballit, si gjithë mëhallalinjtë. Nuk mund të lë pa thënë rolin e pazakontë të fisnikes Shaze, në atë derë. Ajo, nën kujdestarinë e kunatit Breshan Fejzo, i cili ishte një Zotëri i vërtetë, bujar e me zemër të madhe, rriti dhe veseliti fëmijët që i la burri, Sadedinin dhe Esmane, duke u bërë, vetë burrë e vetë grua. Roli i saj ishte i paparë dhe Shaza e Xhelal Fejzos gëzonte respektin e komunitetit vendas dhe të miqësisë. Dinja, si gjithë djemtë e asaj kohe, u martua që në moshën 18 vjeç. Fisi i Nelajve, ku bënte pjesë dhe familja e tij biologjike, sipas “radhës”, e hodhi vështrimin në Hysodosaj, për t’i gjetur nuse Sadedinit.

Ai u martua me Xhevairen, motrën e Gani Muharremit, nga fisi i Ramajve, bijë e Muharrem Mehmetit. Së bashku me Xhevon, një grua mjaft e lartë, në çdo drejtim, Dinja pruri në jetë, një vatër me fëmijë. E para, në radhë ishte Gurija. As Xhevua, as Sadedini, nuk u dëshpëruan që “buka e parë” e tyre erdhi e seksit femër, megjithëse në ato vite, kur në një familje lindte femër, gojët e liga thoshin: “Qajnë qepra e qoromidhe”.

Pas Gurijes erdhi në jetë Butrinti (Butua); Xhelali; Shaza; Floresha dhe e mbylli serinë e lindjeve- Afërdita.

Kur u shtua me fëmijë dhe për faktin e thjeshtë se tokat arë, më kryesoret dhe më prodhimtaret, Sadedini i kishte në Margëlliç, në mesin e viteve ’60 të shekullit të kaluar, Ai ngriti shtëpi në vendin e quajtur Vathra, në tokën e familjes së tij, pranë vendit të quajtur Gjembi i Bilos. Aty ndërtoi dy shtëpi njëkatëshe, me mure guri të gdhendur, të lidhur me llaç gëlqereje e me breza druri. Çatinë e shtëpisë e mbuloi, si në Ahmetaj, me pllaka guri gëlqeror, të rënda e të forta. Në vendin e ri, ku u vendos familja e tij, jo vetëm që ishte pranë arave më kryesore dhe pjellore, por kishte më tepër hapësira, si për njerëzit dhe për kafshët e shpendët që mbarështonte. E mbaj mend Dinë Xhelalin, si një njeri, nga më të urtët e më të drejtët në mëhallë. Një burrë i gjatë e i shëndetshëm, i veshur me rroba shajaku, të zi; në kokë nuk mbante qylah të bardhë me majë në krye, por kapele, me strehë.

Për kapistre mbante e nuk e ndante nga dora, një kalë të kuq, trupmadh e të urtë, i cili ishte përshtatur të shoqërohej, me tufën e dhenve që menaxhonte Sadedini. Duhet thënë se Sadedin Xhelali ishte jo vetëm bujk i mirë, por dhe një mbarështues esnaf i tufës së dhenve. Si kafshë pune, Dinja kishte dy qe parmende, si njëri-tjetri; të urtë e të bindur.

Mbasi familja e Dines u shpërngul në Margëlliç, në vitin 1956, ku gjeti kushte më të mira dhe gjitonë të shkuar: vëllezërit Karafil dhe Refat Mahmut Bilaj, shtëpinë e tij në Ahmetaj e bleu kushëriri i tij i afërt Kadri Isuf Minojacaj (Nelaj), i cili, nuk qëndroi shumë në ato ngrehina, por u shpërngul në Sarandë, ku banon dhe sot. Në familjen e Sadedin Xhelalit, ka ngjarë një episod i rrallë. Po ua paraqes, siç e kam dëgjuar nga më të moshuarit: Kur motra e Dines, Esmaja, e cila kishte ngjarë nga prindërit e saj të fisëm, sapo kishte mbushur 15 vjeçe, sipas traditës, u dyndën lajmësit, me kërkesën për ta fejuar. Erdhën kërkesa nga anë e anës. Një kërkesë erdhi nga Kurveleshi i Sipërm. Për të dhënë “hairin” (pëlqimin), një ditë u dyndën njerëz nga Gusmari.

Kërkuesit e dorës ishin tre burra, në raport të ndryshëm me kandidatin për dhëndër. I pari i dërgatës ishte fisniku i njohur Rakip Duka. Ai ishte burrë i mençur dhe shakaxhi me kripë.

Sipas zakonit të trevës, për të nderuar miqtë e largët, Xha Breshani, në rolin e “kujdestarit”, të familjes së vëllait të ndjerë, thirri në gosti, gjithë burrat e mëhallës Ahmetaj, nga një për çdo derë. Në mukth, një nga një u mblodhën burrat e mëhallës. Në qoshen e djathtë, ishte ulur kryemiku i largët, i pari i ardhësve, Rakip Duka. Të tjerët, ishin ulur më poshtë, sipas “peshës që zinin në komunitet”. Para se të niste gostia, xha Breshani, u ngrit në këmbë dhe bëri prezantimin e të tijve. Ai, duke përmendur emrin e mëhallaliut dhe raportin familjar me të zotin e shtëpisë, nuk harroi të vendoste “nofkën” për secilin.

Kështu; kur foli për Sherif Rrapon, xha Breshani theksoi: Sherif Efendiu. Kur prezantoi Musa Mehmetin, ai shtoi: Musa “Beu”; Isuf Jacen, e prezantoi: Isuf “Agai”, e kështu me radhë.

Pas xha Breshanit, i erdhi radha të bënte prezantimin e të ardhurve Rakip Dukës. Si burrë me mend, Rakipi, jo pa humor u ngrit në këmbë, nga qosheja ku ishte ulur e tha: “Miq të dashur! Ne vërtet kemi ardhur për të kërkuar dorën e vajzës tuaj e ju duam për miq, por, në xhisin tonë nuk kemi kaq bejlerë e agallarë. Unë jam Rakip Duka, nga Gusmari; burrë i mirë për së pari; nga fisi kërriç gomari!” Kaq tha burri i mençur e i pashëm, krushku që mori pëlqimin e të zotit të shtëpisë dhe të atyre që u ndodhën në gosti, për fejesën e të birit, me të mirën Esma. Në odë plasi gazi.

Ka kaluar shumë kohë që nga ajo ditë, por ndodhia gazmore, përcillet gojë me gojë, nga brezi në brez duke u rrëfyer, me kënaqësi.

  • Breshan Fejzo Bejomalaj (Nelaj). Xha Breshani, një burrë për së mbari, ishte i biri i Fejzo Breshanit dhe i Nënë Xhikës. Në Ahmetaj, por jo vetëm, Breshan Fejzua njihej si burrë “Bakull”, jo vetëm se ishte i ngjallur, por dhe se ishte i “butë”, zemërmirë e hokatar. Ai ishte mesatar në shtat, me bark, me flokë të rënë përpara, dhe me ballët e lartë. Nuk vishej me rroba shajaku, por si të ndodheshin dhe në kokë nuk mbante qylah të bardhë, me majë, por kapele me strehë. Në këmbë mbante opinga meshini ose llastiku; çorapet e leshta dhe trikon me lule i thurte Samua duarartë, me shtiza e me grep.

Shtëpia e xha Breshanit ndodhej poshtë murit të avllisë së Sherif Rrapos, ngjitur me shtëpinë prindërore të nipit të tij (djalit të vëllait), Sadedin Xhelali. Banesa e Breshan Fejzos, në Ahmetaj përbëhej nga një odë me katua dhe një përdhesë, e ndërtuar me gurë gëlqerorë të lidhur me baltë. Muri i odës ishte i lidhur me llaç gëlqereje e me breza druri, kurse ai i përdheses, ishte i lidhur me baltë të bardhë (shur) të përzier me byk. Të dy mjediset e banimit ishin me çati të mbuluar me pllaka guri gëlqeror, pa tavan. Përdhesja shfrytëzohej për të gatuar; atje mblidheshin fëmijët e shumtë të familjes dhe përgatiteshin ushqimet.

Trojet e xha Breshanit ishin të përbëra nga një arishtë, e cila çonte tek pusi pa ujë i xha Isufit dhe nga ullishta, nën shtëpi e cila ishte në pronësi të përbashkët me Sadedin Xhelalin. Në anën Jugore të ullishtës, diku nën ullirin e madh, në udhën zbritëse të mëhallës, ndodheshin varrezat e familjes. Arat, Xha Breshani i kishte në fund të Jorgave, atje ku derdhej Përroi i Jorgave dhe ku, pranë rrapit në buzë të lumit ishte një ngjir (vend i thellë ku uji rrotullohet), ku gratë e mëhallës Ahmetaj e ato të Pusit “shkonin” (shplanin) teshat e lara me finjë. Arat më të begata, Xha Breshani i kishte në Margëlliç. Ato ishin e janë toka aluvionale, të cilat i “mbathte” Përroi i Çorrushit, me tokën e sipërfaqes që gërryente nga faqet e lartësive në të dyja anët e luginës.

Në inventarin bujqësor të familjes së Breshan Fejzos hynin dy qetë e parmendës dhe një pelë me qime ngjyrë gri si dhe një tufë me dhen. Në vitet para Luftës së Dytë Botërore, Xha Breshani mbarështonte të dhirta, të cilat i kishte në qinosi me Muharrem Hasanin. Në vitet ’50 të shekullit të kaluar, Ai kishte përpara një tufë me dhen, të cilat i kulloste kryesisht në Vathera e në Margëlliç. Arat pjellore, në të dy vendet Breshan Fejzua i punonte vetë. Breshan Fejzua ishte mjeshtër për ngritjen e mullarëve dhe ishte i fuqishëm.

Breshan Fejzua, të cilit i ra shpejt barra të kujdesej jo vetëm për familjen e ngushtë të tij, u martua dy herë. Në martesën e parë, të cilën e lidhi me Hairen, motrën e Dule dhe Xhezo Alushit nga Hasanimerajt, ai pruri në jetë 5 fëmijë. I pari erdhi në jetë Ismaili, lindja e të cilit e gëzoi dhe e gjallëroi atë shtëpi.

Pas tij u lindën: Sabriu; Xhika; Bejua dhe Metullahja, të cilës, për të respektuar prejardhjen i thërrisnim: Nënë. Mirëpo, në kohën kur çdo gjë dukej se po shkonte mbarë dhe familja ishte e konsoliduar, ngjau një fatkeqësi e madhe, të cilën, fillimisht njerëzit nuk donin ta besonin. E zonja e shtëpisë, nëna e pesë fëmijëve, Hairja fisnike, ra në lumë, në fund të Jorgave dhe u mbyt. Gjëmë e madhe, si në Dulaj dhe në Bejomalaj (Nelaj). Gjëma “helmoi” të madh e të vogël. Thanë se Hairen e mallkoi një dervish, i cili kërkonte lëmoshë.

Vëllai i madh i saj, Dulja, me torbën me bukë në krah, përshkoi, një muaj rresht, të dyja anët e lumit Vjosë, nga Kalivaçi, në Selenicë, por nuk ndeshi asnjë gjurmë dhe Hairja e ndjerë, mbeti pa varr. I ndodhur në hall, për hir të moshës relativisht të re dhe 5 jetimëve që kërkonin nënë, xha Breshani u rimartua me Samon, një ish-luftëtare e reparteve partizane. Samua kishte mbetur jetime, nga të dy prindërit qysh në fëmijëri dhe ishte rritur tek të sajët.

Pas përfundimit të Luftës, ajo u kthye në Kalivaç dhe qëndroi në familjen e Halil Lazes, në Beqiraj, të cilin e kishte dajo. Samua bonjake e pranoi martesën me babanë e 5 fëmijëve dhe, në çift me xha Breshanin solli në jetë, edhe pesë fëmijë të tjerë. Gruaja e rrallë me emrin Samo u bë nënë edhe për fëmijët e gjetur dhe, duhet thënë, se kujdesej shumë për të shoqin. Në Kalivaç ashtu siç vishej e mbahej Breshan Fejzua, ishin të rrallë burrat. Kujdesi ishte fryt i punës së Samos, zonjë e zotëruar!

Jeta u dëftua e ashpër me Breshan Fejzon. Vdekja mizore i mori, para kohe, nënën e pesë fëmijëve; por Breshani nuk ishte tërësisht i pafat. Futja e Samos në jetën e tij, i ndreqi ekuilibret dhe familja vazhdoi jetën si më parë. Djali i madh i xha Breshanit, Ismaili, pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në repartet e kufirit, në Leskovik, qëndroi në cilësinë e nënoficerit aktiv. Ai, në kundërshtim me praktikën shekullore të fshatit e të krahinës për martesë me vajza të fesë së tyre, u martua me një vajzë të besimit të krishterë nga Çarcova e rrethit të Përmetit, e cila quhej Kostandine. E kam parasysh si tani, atë vajzë me fytyrë të rrumbullakët e me flokë të zinj, kacurrela, dhe me një dhëmb të verdhë, në nofullën e sipërme, duke thyer doke e mentalitete.

Bashkëshortja e tij, Kostandina, kur erdhi për herë të parë në Ahmetaj, ishte një rreze drite dhe jo një nuse e bukur. Ajo, pa hezitim, në atë kohë u çmua nusja më e bukur që kishte ardhur në Ahmetaj.

Por bukuria e saj, nuk ndodhej vetëm në pamjen e jashtme; ajo ishte e bukur, së brendshmi, në shpirt. Kostandina, e sapoardhur nuse në Ahmetaj, sillej sikur të ishte lindur e të ishte rritur aty. Pasardhësit e Ismailit, dy djemtë: Maksi dhe Paqesori dhe e vetmja vajzë e tij, Rajmonda, të tre të nderuar, sot ndodhen në treva e në punë të ndryshme dhe nuk e harrojnë vendin ku ka lerë babai i tyre.

Tragjike ishte jeta e djalit tjetër të xha Breshanit, me Hairen, i cili quhej Sabri dhe ishte njëri nga djemtë më të mirë e më të bukur të fshatit. Ai, para se të shkonte ushtar, u lidh me martesë me jetimen e bukur Hamide; fëmijë e vetme e fisnikut Qamil Sulo Malaj, nga mëhalla e Beqirajve. Fati nuk e deshi që Sabriu të gëzonte dashurinë e të bukurës Hamide dhe të dy fëmijëve (vajzë dhe djalë), si drita. Sabriu u nda nga jeta fare i ri dhe nga një sëmundje banale e cila, në ato vite nuk mund të kurohej plotësisht. Është i gëzueshëm fakti që Hamideja, bijë e atij çikë babai dhe bashkëshorte e atij deli djali, është kthyer e jeton në vatrën e të shoqit, së bashku me të birin – Fejzon. Xhika u martua në Becisht, në një familje fisnikësh, ashtu sikundër Bejua dhe Metullahja, bënë emër në familjet me të cilat u pleksën.

Djali i vetëm i Samos, Gëzimi dhe katër vajzat e saj, janë njerëz të nderuar, në familjet ku kanë ngritur çerdhen e tyre të jetës.

Nuk mund të shmang një tipar dallues të Breshan Fejzos, si një burrë me burrëri, por dhe me dhimbsuri të paparë. Nuk bëhet fjalë për dhimbsurinë ndaj fëmijëve të tij, por për rastin e rrallë human të përkujdesjes, ndaj Sadedinit, djalit të vëllait, të cilin e trajtoi gjatë gjithë jetës, me kujdesin që bënte për fëmijët e tij, madje, shumë herë edhe më mirë se ata. Aq e vërtetë është kjo sa vetëm duke iu referuar shtëpisë, oborrit, ullishtës etj., të cilat ishin pa gardh e pa kufi. Xha Breshani dhe fëmijët e tij, kalonin nëpër avllinë e Sadedinit për të dalë në rrugë dhe kurrë nuk ndodhi, ndonjë mosmarrëveshje mes tyre.

  • Xhemal Haxhi Nelaj. Ishte i biri i Haxhi Salihut, pinjoll i degës Mehmetaj të fisit Nelaj. E them që në fillim se Xhemal Haxhiu ishte njëri nga burrat më të zgjuar e më të mençur të mëhallës dhe shumë paqësor. Ai vështronte punën e tij e nuk përzihej në punët e të tjerëve, jo se ishte indiferent, por se respektonte personalitetin e çdo njeriu. Xha Xhemali, thoshin në mëhallë, edhe kur shikon në udhë një mizë, nuk e shkel atë, por e anëkalon dhe e lë në fatin e saj. Një njeri që nuk u ngatërrua me gjitonët në mëhallë e në ara, apo me mëhallalinjtë dhe me këdo. Sjellja korrekte e tij ishte pjesë e karakterit dhe dukuri konkrete e mençurisë së tij.

Shtëpia e Xhemal Haxhiut ishte e ndryshme nga banesat e tjera të mëhallës Ahmetaj. Banesa e tij përfaqësonte një ngrehinë e cila, kur zbrisje nëpër udhën e mesit të mëhallës, nuk dukej fare. Një mur i lartë rreth 3-4 m, i ndërtuar me gurë të gdhendur e i lidhur me llaç gëlqereje, mbronte shtëpinë dhe avllinë e familjes, nga rrëshqitja e dheut. Banesa ishte me dy kate; e ndarë në dy seksione. Çdo seksion kishte komunikim me tjetrin, nëpërmjet një palë shkallësh prej guri gëlqeror, të gdhendur, të cilat përfundonin në një sheshpushim, disi të madh ku çeleshin dy dyer me hark guri dhe me kanata druri të trashë.

Njëra nga dhomat, më e madhja, ishte me oxhak e buhari. Aty gatuhej e mblidheshin fëmijët e shumtë të familjes. Muret e ndërtesës ishin ngritur me gurë gëlqerorë të lidhur me llaç gëlqereje e me breza druri. Asnjëra nga të dyja dhomat nuk kishte tavan. Çatitë e tyre ishin të mbuluara me pllaka guri të bardhë, të rënda. Njëra nga dhomat, ajo ku mblidheshin fëmijët, në katin e parë shërbente për strehimin e kafshëve të punës dhe të prodhimit (dy qe të parmendës, një lopë dhe një pelë gri).

Bagëtitë e imëta, të leshta, strehoheshin në një kasolle të ngritur posaçërisht, nën avlli. Përpara banesës, ishte një avlli, me përmasa të mëdha. E shtruar me pllaka guri të trashë, vende-vende kishte zënë bar. Në mes të avllisë ishte një rrënjë fiku e varietetit bradashesh, me çatalla të gjata, të shtrira paralel me tokën. Avllia ishte e rrethuar me mur guri, dhe brenda mund të futeshe nëpërmjet një dere prej teli, e cila ngjante më tepër si lesë. Në anën Jugore të banesës, andej nga ishte pusi pa ujë i xha Isufit dhe bajamja e madhe e xha Nezirit, ishte një shteg, i cili të çonte në ullishte.

Në anën Veriore, në Veri të udhës zbritëse, në pronësi të xha Xhemalit ishte një lëmë, ku grumbulloheshin e përpunoheshin produktet bujqësore. Poshtë lëmit të xha Xhemalit ishte një gropë ku gratë e mëhallës merrnin baltë të bardhë për të lyer shtëpitë. Vendi në fjalë quhej: Gropa e Baltes. Në anën Veriore të lëmit dhe të truallit të xha Xhemalit zbriste si thikë një pjerrësi e cila e ka emrin: Brinja e Qendret. Ajo puthitet me Sheshin e Veldonit.

Nën avlli ishte një kopsht i stërgjatur, ku herë-herës ndërtohej një kasolle ku depozitohej zaireja dhe poshtë saj ishte trualli i Ali Pasho Nelaj. Mbi shtëpinë e Xhemal Haxhiut, në anën Jug-Lindore të saj, kishte një kopsht të vogël Muharrem Hasani. Ky kopsht mbillej, kryesisht me perime dimërore. Arat, Xha Xhemali i kishte në vendin e quajtur Llagëme dhe në llomerat e Margëlliçit. Xhemal Haxhiu i punonte arat, vetë. Mund të thuhet me siguri se ai ishte njëri nga bujqit më të mirë të fshatit dhe jo vetëm.

Xha Xhemali ishte “qëndistar” i tokës arë. Ta kishte ënda të vështroje ugarin e Xhemal Haxhiut. Ara e tij, ishte e pluguar bukur; e vrarë plis, e lesuar, e pastruar nga barërat e këqija etj. Arën kryesore, atë që ndodhej në Margëlliç e cila ishte e klasit të parë dhe prodhimtaria e saj ishte “sa t’i jepje; të jepte”, e kishte rrethuar me gardh me tela me gjemba. Brenda arës së tij nuk kishte shans të futej, asnjë këmbë bagëtie dhe asnjë njeri. Ai pastronte, me merak gjithë tokën që të mos depërtonin barërat e këqija, brenda saj. Veç ta vështroje parcelën e Xha Xhemalit e cila ndryshonte pamje nga parcelat rreth saj.

Xhemal Haxhiu, jo vetëm që i qëndronte arës “mbi kokë”; por Ai ishte dhe bujk i përparuar, në mendime. Nuk kishte mbaruar ndonjë shkollë agronomike, por praktika shumëvjeçare e punës me tokën i kishte mësuar kur duhej çarë toka; kur duhej përzierë ajo; kur piqeshin kushtet për të mbjellë grurin, misrin dhe perimet e arës dhe kur u duheshin bërë shërbimet kulturore. Farërat që mbillte xha Xhemali, në arë, ishin si ato që mbillnin dhe të tjerët, por shërbimi që u bënte bimëve Ai burrë, ndryshonte cilësisht. Me pak fjalë, Xhemal Haxhiu, me shërbimin që i bënte tokës dhe bimëve e kishte të siguruar prodhimin, si në vite të mbara bujqësore dhe në vite të mbrapshta.

Xhemal Haxhiu u lidh me martesë me Hyrine, të bijën e Xheladin Dajlanit, nga Hysodosajt. Fisi i Myftarajve, nga rridhte Hyrija ka qenë nga fiset më me peshë të asaj mëhalle. Me atë trup të bëshëm e me kujdes të veçantë për fëmijët, xha Xhemali, të cilit për respekt dhe si edukatë, ne fëmijët e fisit Nelaj i flisnim Çeco dhe Nënë Hyrija, të cilës i thoshim Lule, ashtu si fëmijët e tyre, sollën në jetë mjaft fëmijë, të cilët u rritën dhe u edukuan me frymën e prindërve të tyre dhe me ndjenjën komunitare. Fëmija i parë ishte vajzë: Yzemeja dhe pas saj një varg fëmijësh të tjerë; Hancja; Xhekua; Mbetja; Kasemi; Bejlerja; Sosja; Nekiu; Zaimi; Hairja dhe Haxhiu. Nga të njëmbëdhjetë fëmijët që erdhën në jetë prej tyre, vetëm njëri, Nekiu, u nda nga jeta ende fëmijë. Ky është tregues i qartë i kujdesit të Lules dhe Çecos, për fëmijët e tyre.

Shtëpia e Xhemal Haxhiut, ishte disi e shkëputur nga të tjerat. Për shkak të këtij fakti, ishte krijuar një opinion i rremë, sikur familja e xha Xhemalit bënte jetë të mbyllur. Kishin për të ngrënë apo binin pa darkë fëmijët e Xhemal Haxhiut, këtë nuk e mësonin as gjitonët më të afërt, Sadikajt të cilët ishin me shtëpi disi më sipër; as Minojaçajt, të cilët, gjithashtu ishin më pranë. Fëmijët që rriti dhe edukoi çifti Hyri e Xhemal Haxhiu ishin e janë të shëndetshëm e të imunizuar nga sëmundjet sezonale.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, pas kapitullimit, pa kushte të Italisë Fashiste, ushtarët e saj, të shumtë, të shpartalluar, ata që mundën u larguan në atdheun e tyre, të tjerët u katandisën si mos më keq dhe u shndërruan në yzmeqarë të shpërndarë në familjet e vendasve. Në familjen e xha Xhemalit ishte një ushtar i tillë, i cili nxirrte gurë nga nëntoka, në vendin e quajtur Hije. Lulja, fliste me hundë dhe kur përgatiste drekën, për të sajët e për yzmeqarin italian, dilte tek lëmi, atje nga ku dukej vendi ku punonte italiani, “ngulte këmbë” dhe e ftonte ushtarin e huaj të vinte në shtëpi, për të drekuar. Ajo grua shpirtmirë, e trajtonte denjësisht fashistin edhe pse e dinte që soji i tij kishte bërë krime në vendin tonë. Hyrija nuk dinte italisht dhe thirrja e saj shprehej: pjesërisht italisht e pjesërisht shqip. Thirrja e saj, ishte përafërsisht kështu: “O Kacanjorre! Venire manxhare bukë!” E kuptonte ushtari i transformuar në gurëgërmues dhe vinte në shtëpi për të drekuar.

Nuk mund të lë pa përmendur një anë tjetër të personalitetit të Xhemal Haxhiut: vizionin e tij të qartë dhe qëndrimin e ekuilibruar në rrethana të ndryshme. Ai e kishte të qartë se njeriu është para së gjithash njeri, bashkëfshatari mbetet mbështetja kryesore dhe se lidhjet miqësore janë më të forta se ndasitë. Këtë e vëmë re në miqësitë dhe krushqitë që ka bërë xha Xhemali, duke çmuar njeriun, jo bindjet e tij.

Më në fund, dua të theksoj edhe një herë, vërtetimin e saktë, në jetën kalivaçase të thënies së lashtë, se “I miri, jo gjithnjë ka të mira!” E them me bindje se është mjaft e vështirë të gjesh njeri më të mirë se Xhemal Haxhi Nelaj, por pleqëria e tij, nuk erdhi, siç e meritonte ai burrë. Jeta e ndëshkoi rëndë, në moshë të thyer.

Në vitet e fundit të jetës së tij, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje ortopedike e cila e la me një këmbë. Lëvizte me shumë vështirësi dhe vetëm kur e kishte të detyruar. Më tepër qëndronte, në hije të fikut që vegjetonte në avllinë e tij, ku luante me letra me dashamirët. Pinjollët e familjes së tij, sot i gjen në të katër anët e vendit dhe jashtë tij. Ata, kudo ku punojnë e jetojnë manifestojnë edukatën e shëndoshë dhe sjellje të mirë, si të prindërve që i rritën e i edukuan.

  • Ali Pasho Nelaj. I biri i Ganos dhe i Pashos, pinjoll i nëndegës të Babai i tij ishte vëlla i Musait, Asimit dhe i Shaqos (në linjë mashkullore) dhe i Melates e i Sados, (në linjë femërore). Aliu përfaqësonte një burrë me shtat mesatar, rreth 170 cm; i veshur me rroba cohe (jo shajaku), me jelek të thurur me shtiza apo me bizë, me lule; me kokë të rregullt e me mustaqe. Në kokë mbante kapele me strehë; në këmbë mbathte çorape leshi dhe opinga, meshini apo llastiku. Ajo që e shquante Aliun e Pashos nga njerëzit e fisit e të mëhallës ishte dashamirësia. Aliu, nuk e gremiste kollaj fjalën dhe nga goja e tij nuk kisha dëgjuar ndonjë fjalë të keqe që të “helmonte” të tjerët. Ali Pashua ishte mjaft human e i gjendur, në çdo kohë pranë gjitonëve, për çdo rast (si në gëzime dhe në hidhërime).

Shtëpia e Ali Pashos ndodhej diku në mes të mëhallës Ahmetaj, poshtë shtëpisë së Xhemel Haxhiut dhe mbi atë të Ahmet Selfo Zenelaj. Banesa e familjes së tij përbëhej nga dy dhoma përdhesë, të ngjitura me njëra-tjetrën, me dyer të veçanta, pa komunikim të brendshëm me njëra-tjetrën. Muret e shtëpisë ishin ngritur me gurë gëlqerorë, të gdhendur, të lidhur me llaç gëlqereje dhe me breza druri. Përpara se të hyje në dhomë, në hyrje ishte një tip sheshpushimi, me strehë sipër dhe dy dyer, me harqe guri sipër, që mbylleshin me kanata druri, të trashë. Dhomat, të dyja ishin me përmasa të mëdha, (gjerësia 4-5 m dhe gjatësia 7-8 m). Çatia ishte e mbuluar me pllaka guri të bardhë, të rënda.

Të dyja dhomat ishin me oxhakë, me buhari e me vatër mbi të cilën ndizej zjarri. Dhomat, të dyja ishin të ftohta, shumë të ftohta, mbasi ishin përtokë, të “shkuara”, me baltë e me byk, të përzier me bajga lope. Çdo dhomë e veçantë, kishte dy dritare, tip frëngjie, të orientuara nga Perëndimi, të pajisura me hekura, mbylleshin me kapakë dhoge të trashë. Avllia, përpara shtëpisë ishte e shtruar me pllaka guri gëlqeror, të trasha, por jo kompakte. Në anën Veriore të shtëpisë dhe të truallit, kalonte udha vertikale e mëhallës, e cila, nëpërmjet Brinjës së Qendret, zbriste në sheshin e Veldonit. Një portë e ndërtuar me tel me gjemba, si lesë, të çonte në udhën kryesore zbritëse të mëhallës.

Në vitet ’50 për të cilat bëhet fjalë, Ali Pashua u shpërngul me gjithë familje, pranë tokave në pronësi të tij, në Margëlliç. Atje, ai ngriti një kasolle në të cilën banonte, si në dimër dhe në verë. Qëllimi i kësaj shpërnguljeje ishte të ndodhej pranë arave të begata dhe, në çdo kohë të ishte i pranishëm, për t’i ruajtur nga dëmtuesit dhe për të punuar. Shtëpinë në Ahmetaj, të cilën e braktisi disa (2-3 vite); Aliu, për humanizëm e bamirësi nuk e la bosh. Në dhomën nga Veriu, u strehua familja jonë, mbasi kishim banuar në kasollen e Resul Nelos, në Bexge. Na kishte rënë çatia e shtëpisë dhe nuk ishim në gjendje nga ana ekonomike, për t’i hedhur çati të re.

Kësisoj, familja jonë ishte muhaxhire, në fshatin tonë dhe kalonte nga njëra shtëpi në tjetrën. Ku na pranonin. Në dhomën nga Jugu u strehua familja e Telha Qazim Shatrafilit, nga fshati Luzat i Tepelenës e cila kishte migruar në Kalivaç, ku mes njerëzve dashamirës dhe tolerantë, xha Telhai, kishte gjetur dhe terren për të ushtruar profesionin e tregtarit të vogël (pramatarit). Ai u shiste, grave të fshatit, bojëra, penj të ngjyrosur, gjilpëra, shtiza, biza, Moline, shami, rruaza, temina e sende të tjera të domosdoshme. Ishte i vetmi dyqan shëtitës në Kalivaç; çmimet i kishte të kripura, por meqenëse ishte i vetmi i këtij lloji, bënte punë e fitonte. Familja e xha Telhait përbëhej, nga ai vetë, nga bashkëshortja e tij, Merushja dhe nga tre djem: Shabani; Hyseni dhe Qazimi.

I pari nuk banonte në Ahmetaj; Ai ishte i veshur polic dhe banonte në Tepelenë, së bashku me bashkëshorten, nga Leshnja, bijë e Barjam Axhemit dhe me fëmijët. Gege Merushja, një grua me trup të madh, ishte mjaft punëtore dhe e duruar. Ajo ishte shoqe e ngjashme me nënën time. Aq shumë dru zjarri ngarkonin ato dy gra saqë kur zbrisnin nga Bregu i Stanet, të ngarkuara me dru, në kurriz, me një tërkuzë të punuar vetë, dukej sikur po lëvizte pylli. Aq shumë dru ngarkonin ato, për të ngrohur shtëpitë e ftohta, në të cilat banonin. Megjithatë, xha Telhai ishte i pakënaqur, prej punës së saj, dhe e rrihte vënçe, gegën time, Merushen.

E gjora grua, nuk kishte gojë e nuk ankohej kurrë, por e kisha dëgjuar të thosh: “Kuterine, moj Merushe”. Dy djem të tyre: Hysenin dhe Qazimin i kisha shokë, si në shkollë dhe kur shkonim për “gjah”. Qazimi ishte më i shkathët nga unë; atij i zinin grackat dhe leqet, shpendë dhe kur shkonim për të kapur peshk, në lumë, grepi i tij, tundej më shpesh.

Ali Pashua, kishte troje të mjaftueshme dhe, brenda tyre kishte plot pemë e ullinj. Trojet e tij kufizonin me ato të Xhemal Haxhiut; në Jug dhe me udhën kryesore përfund mëhallës në Perëndim. Ndoshta kemi të bëjmë me një rastësi, por trojet e tij në të dy skajet kishin për “fundore” dy rrënjë bajamesh, të azdisura e prodhimtare. Anës udhës zbritëse, brenda murit rrethues, i cili, më shumë i përngjante një pirgu me gurë, vegjetonin disa rrënjë fiqsh protoshesh, të cilët prodhonin dy herë në vit. Ata i ruante vetë Aliu, ose Nëna e tij- Ganua.

Ali Pashua, kishte pranë, brenda trojeve të të parëve, xhaxhanë e tij, Asim Mehmetin ose, siç është njohur rëndom në fshat: Asim Çali. Kufitar, në anën Jugore ishte bahçja me ullinj e Breshan Fejzos. Aliu u martua me Zadekon, nga Qesarati, e cila u bë zonjë shtëpie, në një dere të fisme, siç ishte dhe dera e origjinës së saj. Me fisniken Zadeko, e cila shquhej për dashamirësi dhe si grua shumë e drejtë dhe e dhimbsur, Ata sollën në jetë, disa fëmijë, djem e vajza. I pari erdhi në jetë Pashua, të cilit, sipas traditës vendase, Aliu i vuri emrin e babait të tij të nderuar. Pastaj u lindën, me radhë: Tomorri; Fiqretja e të tjerë.

Në inventarin e kafshëve të punës e të prodhimit të familjes së Ali Pashos, ishin: Një pendë qe parmende; një pelë dhe disa krerë dhen; për qumësht e për lesh. Ekonominë familjare, Ali Pashua e menaxhonte vetë. Përveç punëve vetjake, tek shpirti human i Aliut ndodhej gatishmëria e tij e veçantë, për t’iu gjendur pranë cilitdo nga gjitonët, mëhallalinjtë apo bashkëfshatarët që i drejtohej, për ndihmë. Aliu ishte organizator i shquar i veprimtarive në dasma, në gosti e në gëzime, por ishte dhe mjaft i gjendur në raste fatkeqësie. Ai ishte i prirë për të ndihmuar, pa shpërblim, këdo që ishte nevojtar.

Nuk mund të lë pa përmendur një fakt të rrallë, i cili ka ngjarë, në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Familja e tij dhe tërë fisi ishin të rreshtuar në radhët e atyre që aspironin çlirimin e vendit. Ali Pashua, vëllanë e vetëm, Qamilin e kishte partizan, në Brigatën e 6-të Sulmuese (ku dhe u plagos e u shpall invalid lufte). Shtëpia e tyre ishte bërë strehë, për luftëtarët e lirisë dhe vetë Aliu nuk qëndroi duarkryq e vrojtues. Ai e ktheu shtëpinë në spital partizan të padeklaruar, dhe mbajti një muaj rresht, derisa u shërua, partizanin e plagosur, Beqir Radhima, pjesëtar të njësiteve partizane të rrethit të Vlorës. Besoj se nuk është nevoja të komentohet ky rast human e trimëror i tij.

  • Asim Mehmet Nelaj. Djalë i Mehmet Salihut dhe i Inxhise; i njohur me “nofkën” Asim Çali. Asimi, që në kohën kur ishte i vogël, mbeti ulok nga të dyja këmbët. Gojëdhëna na bën me dije se Asim Mehmeti, në rininë e tij ka qenë njëri nga djemtë më të bukur e më të fortë të fshatit. Në çdo ndeshje, ai dilte fitimtar mbi moshatarët e tij, si në mundjen greko-romane dhe shquhej në lojëra force. Syri i keq, e pa dhe “e shajtoi” bukuroshin e fuqishëm. Gjithsesi kjo mbetet në kufirin e legjendës dhe nuk ka besueshmërinë e nevojshme. Me ndihmën e duarve, të cilat, i kishte mjaft të fuqishme, duke u tërhequr zvarrë, nëpër shtëpi me dy këmbët uloke, Ai lëvizte me vështirësi nëpër shtëpi dhe për të shkuar nga njëra qoshe e shtëpisë, në tjetrën. Kur dilte nga shtëpia e shkonte për të punuar në shtëpi të tjera, Ai shfrytëzonte një gomar mashkull, trupvogël, por të fortë, me ngjyrën e qimeve kafe të pjekur.

Shtati i tij ishte një trung dhe dy këmbë, nga gjuri e lart. Pjesa e poshtme e këmbëve të tij ishte e pazhvilluar. Në shtat mbante një xhaketë shajaku të zi; në kokë vinte një qylah të bardhë prej shajaku, me majë në fund. Kokën dhe fytyrën e kishte të stërgjatë, si pykë, tiparet e fytyrës ishin ezmere, mbante mustaqe dhe herë-herës mjekër të shkurtër. Sikur të mos mjaftonte qenia e tij ulok, xha Asimi nuk dëgjonte mirë edhe nga veshët. Ai nuk ishte shurdh, por “i vrarë” nga veshët. Ky “defekt” i tij, nëse mund ta quajmë kështu, me origjinë nga gjeni, bëhej shkak që në komunikim me të tjerët, xha Asimi të fliste me ton të lartë e bisedat e tij të dëgjoheshin edhe nga të tretët.

Asim Mehmeti ishte i pari dhe i vetmi zdrukthëtar në Kalivaç. Për punë zdrukthëtarie xha Asimin e merrnin të gjithë bashkëfshatarët, kundrejt një pagese modeste. Profesionit të zdrukthëtarit, Asim Mehmeti iu përvesh që në moshë të re, si mundësi për t’u vetëpunësuar e për të mbijetuar. Ai, me vullnet të fortë, por dhe me fantazi mësoi të bëjë, fillimisht objekte të thjeshta, si sufra, dollape, musëndra, qere, vedra, bucela, kade, talëra, e më pas djepë, sepetë, hambarë, farasha, petesa, furka e druga, dysheme dhe tavanë të punuar me bidërme e me lule. Kuptohet, në zanatin e tij, në fillim u futën objektet më të thjeshta dhe, dalëngadalë, me fitimin e përvojës, Ai kaloi tek objektet e vështira.

Me punën e tij korrekte dhe të ndershme, cmilari, sharra, sqepari dhe veglat e tjera të punës, duke punuar objekte shërbimi dhe zbukurimi, kanë lënë gjurmë, thuajse në të gjitha shtëpitë e Kalivaçit dhe në rrethina. Veglat e tij të punës ishin primitive. Një sharrë dore e thjeshtë; një sqepar, një cmilar e një çekiç, ishin pajisjet e tij të punës, të cilat, në dorën e Asim Calit bënin mrekullira.

Shtëpia e xha Asimit ishte disa metra më në Perëndim të shtëpisë së nipit të tij, (djalit të vëllait), Ali Pashos. Kur u ndanë vëllezërit nga njëri-tjetri, Asimit, si sakat që ishte, i ra në pjesë shtëpia me dy kate, e punuar me gurë të gdhendur, me një qemer të bukur guri të bardhë, të gdhendur dhe me shkallë guri, nga jashtë. Në katin e sipërm banonin familjarët e xha Asimit, në katua strehoheshin kafshët e punës e të prodhimit. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, shtëpisë së tij i ra zjarri e ajo u shkrumbua me gjithë plaçkat që kishte brenda. Në pamundësi ekonomike për ta ringritur, Asimi e la shtëpinë gërmadhë, dhe ndërtoi një kasolle, në vendin ku më parë ishte një lëmë, diku në Jug-Perëndim të shtëpisë së Ali Pashos. Kasollja ishte e ulët, dhe siç janë kasollet, kur në vatër ndizej zjarr, tymi kthehej në një re të vërtetë mbytëse.

Trojet e Asim Mehmetit ishin rreth shtëpisë dhe kasolles që ngriti më pas, kurse arat e tij ishin kryesisht në Margëlliç; ngjitur me arat e Musa Mehmetit dhe të Ali Pashos, nga të cilët ishte ndarë, nga i njëjti zjarr. Arat e tij ishin mjaft pjellore, por në pamundësi për t’i punuar vetë, Ai i punonte me argatë. Së shumti, arat e xha Asimit i punonte nipi i tij, Ali Pashua; prandaj, xha Asimi nuk dispononte, as qe parmende, as lopë. E vetmja pasuri e luajtshme e tij ishte gomari mashkull trupvogël, me të cilin, Ai lëvizte.

Kur arriti moshën për t’u martuar, Asim Mehmetit, miqësia e shumtë dhe me peshë e familjes, i gjeti për bashkëshorte, Shanikon, nga Dorza, e cila vuante nga sëmundja e Parkinsonit. Me avancimin e moshës, sëmundja e saj, u agravua e u shpeshtua. Në çift me Shanikon, Asim Mehmeti solli në jetë një vajzë, të cilën e quajti Xhiko.

Më pas lindën Kujtimi, Barjami dhe Refija e bukur.

Asim Mehmeti, përveç zanatit të zdrukthëtarit, kishte dhe një tjetër “profesion”, atë të hanxharxhiut. Ai njihte mjaft mirë pjesët e trupit të bagëtive dhe i vinte ndorësh për të prerë mishin e tyre, të pjekur në hell, sipas anatomisë. Sekreti i kësaj pune ishte prerja e mishit, tek nyjet, pa bërë cifla eshtrash. Ai dinte dhe zakonin e nderimit të mikut, prandaj hiset e mishit i bënte sipas “peshës” së mikut. Dikujt i jepte bishtin e berrit, si pjesa më me vlerë, tjetrit i jepte shpatullën, gjysmën e kokës, nofullën e kështu me radhë, deri tek gjymtyrët, të cilat u jepeshin pjesëmarrësve më të afërm me të zotin e shtëpisë. Me një dru mishi e me një hanxhar në dorë, kudo ku kishte dasma, gosti apo vaki, xha Asimin e vështroje pranë zjarrit, duke copëtuar mishin e ngrohtë.

Pranë tij, në prehër, qëndronte vajza e vogël, Xhikua, së cilës ai i jepte për të ngrënë mish, nga pjesët më të shijshme. Për fat të keq, Xhikua nuk e pati jetën të gjatë, dhe fëmijët që erdhën pas saj nuk ndoqën të njëjtën udhë.

Nënë Inxhija, e cila kishte sjellë në jetë, Musanë, Pashon, Shaqon, Asimin, Melaten dhe Sadon, kishte dhuntinë të bënte yshtjen e njerëzve. Ajo, nëpërmjet masazhit dhe gjoja disa fjalëve të shenjta, të cilat i belbëzonte nëpër dhëmbë që të mos t’i mësonin të tjerët, ishte kthyer në një mjeke popullore, e cila, më tepër bënte hipnotizim të njerëzve që i paraqiteshin për ndihmë sa i shëronte ata. “Zanatin e rrallë”, Ajo ia la trashëgim xha Asimit, nisur nga motive humane se Ai ishte sakat dhe do të robëtohej për të mbijetuar. Mirëpo Xha Asimi, kur kryente procesionin e të yshturit, fjalët që duhet t’i belbëzonte, i fliste me zë të lartë e të qartë dhe ata që ndodheshin pranë tij mësonin tekstin “e shenjtë” të yshtjes.

Asim Mehmeti, vërtet ishte ulok e robëtohej në punë për të mbajtur familjen, por Ai ishte njeri me zemër të madhe e shumë human. Në detin e fukarallëkut në të cilin Ai jetonte, sikur të mos i mjaftonin fëmijët e tij dhe Nënë Inxhija, të cilën e pleqëroi, me shpirt bujari, Asim Çali, rriti, martoi e paretoi dy vajzat e vëllait të ndjerë, Shaqo Mehmetit: Fahrijen dhe Tahiren, të cilat dolën nuse nga shtëpia e xhaxhait të tyre, Asimit sakat.

Në vitet ’60 të shekullit të njëzet, Asim Mehmeti, ngriti një kasolle në anë të Përroit të Faqekuqes, atje ku kishte marrë tokë nga Reforma Agrare Dajlan Muharremi, në parcelën me pronar të ligjshëm Muharrem Haxhiun. Kur u rritën djemtë e tij, Kujtimi dhe Barjami, dhe kur ata u martuan, në vendin e quajtur Shure e Dajlanit, u ndërtuan dy përdhesë, pranë njëra-tjetrës, të cilat janë funksionale edhe sot e kësaj dite. Asim Mehmeti, sipas ligjeve të natyrës, nuk është më në jetë, por dora dhe mendja e tij rrojnë e do të rrojnë gjatë, në shtëpitë e bashkëfshatarëve të tij kalivaças, nëpërmjet orendive dhe zbukurimeve, të cilave nuk u ikën koha asnjëherë.

  • Novruz Selfo Zenelaj. Djali i dytë i Selfo Rexhepit; pas Ahmetit që ishte më i madhi i tyre. Novruzi ishte i lindur nga dy prindër autoktonë: Xhemiles dhe Përveç vëllait Ahmetit, ai kishte dhe dy motra: Zenepen dhe Xhikën. Të dyja të martuara në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Xha Novruzi kishte shtat mesatar; Ai vishej me kilota e me një xhaketë shajaku në ngjyrë të zezë; në kokë mbante qylah të bardhë, me majë në fund. Fytyrën e kishte të gjerë, ngjyrë gruri, mbante mustaqe të mëdha, të azdisura; në moshën e tretë, me ngjyrë të bardhë, ashtu si flokët e thinjur. Ballin e kishte të lartë; syrin si filxhan; hundën të gjerë e mishtake. Ai ishte i shkathët, si fizik e në përgjigje, por jo sa i vëllai-Ahmeti. Mes dy vëllezërve të lindur nga të njëjtët prindër kishte një mospërputhje të këndshme. Nëse xha Ahmeti ishte tepër elegant e kërcente bukur, i lehtë si era; vëllai, Novruzi, kishte zë më të plotë e më të qartë dhe këndonte bukur. Kënga e tij e preferuar ishte:

Korba, o Çeco Akika; korba Çeco; qyqja –Çeco;
Kërraba jote me pika; korba Çeco; qyqja – Çeco;
Çeco kur vije nga dhentë; korba Çeco – qyqja Çeco;
Me pëllëmba ç’mi mbledh mendtë; korba Çeco- qyqja Çeco…

Novruz Selfua, e kishte shtëpinë, ngjitur me atë të vëllait të tij, Ahmetit, në fund të mëhallës Ahmetaj, ngjitur me udhën kryesore që të çon nga Veldoni, në Dërrasë. Shtëpia e tij ishte një odë e një përdhesë. Oda ishte me katua, me një palë shkallë guri nga jashtë, të cilat përfundonin me një sheshpushim, të përbashkët për të dy vëllezërit. Në secilën odë, hyhej nëpërmjet sheshpushimit, nga një derë, me qemer guri sipër. Dera ishte me një kanatë, e përbërë nga dhogë e trashë. Muret e odës ishin të ngritur me gurë gëlqerorë të skalitur, të lidhur me llaç gëlqereje dhe me breza druri rezistentë ndaj lagështirës.

Oda ishte me çati, e mbuluar me pllaka guri të bardhë, të rënda; pa tavan. Dyshemeja e odës ishte e shtruar me dhoga, të trasha e të forta, të paputhitura mirë. Në katin e parë, në katua, strehoheshin gjedhët e familjes: Dy qe parmende dhe një lopë e një gomar. Familja mbarështonte një tufë dhensh, të cilat i ruante vetë xha Novruzi dhe bijtë e tij. Dritaret e odës ishin të orientuara nga Perëndimi, andej nga ishin tokat e familjes dhe nga mund të vinte rreziku. Përveç odës, familja kishte dhe një përdhesë të madhe, e cila lidhej me mur, me ballin e odës dhe shërbente për gatim, si depo dhe për të “mbledhur fëmijët”.

Avllia e xha Novruzit, ashtu si e vëllait të tij, ishte e shtruar me pllaka guri të bardhë, të trasha, por të paniveluara e të pasistemuara. Avllia rrethohej nga mure të lartë rreth 3 m; në anë të oborrit kishte fiq protoshesh.

Arat e familjes ishin kryesisht në Shure, në Jug të arave të Xha Ahmetit dhe në Vidhishte. Shuret ishin toka të varfra e me shumë gurë, siç kishin emrin. Ato mbilleshin, kryesisht me bime foragjere si elbi, tërshëra, tepa dhe me perime, si: fasulet, bizelet, bathet, spinaqi, laboti, koçkullat, fierëzat, urovi; mbillej dhe duhan. Në vendin pranë dardhës së Haxhiajve, ku toka ishte disi me më pak gurë, mund të mbillej edhe misër, po të plehërohej e po ta “ngiste reja”. Arat në Vidhishte, përkundrazi, ishin aluvionale, ato i “mbathte” Përroi i Çorrushit dhe prodhonin mjaft, drithëra e perime. Ato shfrytëzoheshin për kultivimin e kulturave të arave, që përdoren si ushqim për njerëzit si misër, grurë, elb, fasule dhe bostan.

Diku, në mes të arës, ishin dy fiq vasjares dhe në fund të arës kalonte udha kryesore e fshatit, e cila vinte nga Çezma e Thatë e ngjitej në Dërrasë. Në këtë udhë ishte një kubë, nga ato që kanë shërbyer si garnizone të përparuara. Kubeja ishte e ngritur mbi tokë në lartësi rreth 4 m, me gurë gëlqerorë të skalitur, të lidhur me llaç gëlqereje. Ajo kishte 4 harqe dhe ishte e mbuluar sipër, me harqe guri, të puthitur mirë.

Novruz Selfua, u martua me Shazen, e cila ishte e bija e Zake Lazes, nga Beqirajt, me shtëpi në Hasanimeraj. Ajo nuk kishte as vëlla; as motër; familja e saj është shuar, ndonëse, vëllezër të Zakes ishin Halil Lazaja dhe Qazim Lazja, që lanë disa pasardhës. Shaza ishte një grua e imët, me shtat mesatar, e dobët, e zeshkët dhe tepër nevrike. E mbaj mend vazhdimisht të veshur me një fustan të zi dhe me shami të zezë në kokë. Ajo ishte e zonja e fjalës dhe dilte fitimtare në çdo dialog me bashkëmoshatarët. Në çift me xha Novruzin, Ajo solli në jetë, mjaft fëmijë.

I pari erdhi Zeneli, i cili, në moshë madhore, u vendos në Korçë, ku u lidh me një grua me ngjyrë, me të cilën lindi disa fëmijë. Ai u nda nga jeta, në Korçë, atje ku punoi e jetoi shumë vite. Fëmijë të tyre të mëvonshëm ishin: Shevqeti; Selfua; Bajamja; Arshiu; Dilaveri dhe Muhameti. Shevqeti, punoi e banoi shumë vite në Patos ku dhe u nda nga jeta. Dilaveri, pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, qëndroi nënoficer karriere, në repartet e ushtrisë së rrethit të Durrësit. Djali i madh i xha Novruzit, Zeneli, u martua me Lefterine, kur kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në repartet e Korçës; la dy fëmijë, me të.

Në vitet ’60 të shekullit të kaluar, Ai erdhi në Kalivaç, ku ngriti një kasolle në truallin e të parëve të tij, por u largua shpejt nga fshati, mbasi nuk e supertoi dot jetën e vështirë të tij. Fëmijët e tjerë të Novruz Selfos, sot e kësaj dite banojnë në Kalivaç, të Tepelenës, në trojet e të parëve të tyre.

  • Ahmet Selfo Zenelaj. I biri i Xhemiles dhe i Selfo Rexhepit; vëlla i Novruz Selfos, Ahmeti, ishte, padyshim njëri nga burrat më të zgjuar e më të shkathët në mëhallën Ahmetaj e më gjerë. Xha Ahmeti kishte trup mesatar, Ai, ishte elegant e i lidhur mirë. Mençuria dhe eleganca ishin tipare karakteristike të tij. Ahmet Selfua vishej me rroba shajaku, të zeza; në kokë mbante një qeleshe të zezë pellushi, si ato që mbajnë burrat nga trevat e Skraparit. Xha Ahmeti mbante mustaqe të shkurtra, kurdoherë të prera bukur, hundë normale, dy sy gështenjë, në të cilët nuk ishte vështirë të shquaje zgjuarsinë. Tiparet e fytyrës së xha Ahmetit ishin si shtati i tij, të pakta e sikur ishin dhënë si me kursim. Çdo gjë tek ai njeri ishte e vendosur në vendin e duhur dhe pa tepri. Kur fliste, në veçanti kur dëftonte ndodhi nga jeta e fshatit apo nga jeta e tij, xha Ahmeti gjithnjë buzëqeshte. Zërin e kishte disi të ngjirur por, kur dilte në valle Ahmet Selfua tundej dyshemeja e kënaqeshin ata që e vështronin. Ai vallëzonte si gjeth, i lehtë e me një shkathtësi, të cilën e kishin zili, shumë burra.

Ahmet Selfua, ishte qejfli kuajsh. Pelën e kuqe- balashe që mbante për kapistre, nuk e ndante kurrë nga vetja. Ajo ishte e “privilegjuar” dhe kulloste në mes të dhenve. Nuk ishte thjesht një çështje hobi; pela i kishte shpëtuar jetën xha Ahmetit, kur hasmi i kishte zënë pritë e donte t’i merrte jetën. I kishte lezet kalërimi Ahmet Selfos! Se mos vetëm kalërimi?

Kur qëndronte i kapardisur, mbi pelë; Ai çdo veprim e kryente me elegancë të madhe. Vëllai i tij i vetëm, Novruzi, edhe pse ishin të lindur nga një nënë e një babë, nuk ngjanin me njëri-tjetrin. Në disa drejtime, Novruzi ishte e kundërta e të vëllait; sidomos në sjellje. Ata kishin dhe dy motra: Zenepen dhe Xhikën; të dyja të martuara në Çorrush. Ahmeti, me dhimbsurinë dhe kujdesin për to i partonte rregullisht e mbante lidhje korrekte me to.

Plaku i mençur Selfo Rexhepi dhe Nënë Xhemilja, e zgjuar e fisnike, e lidhën xha Ahmetin me një familje fisnike, trimash e të besës, në Kalivaç; me derën e fisme të Ali Xhelilit, nga Hasanbegajt. Ahmeti u martua me Tajanen, të bijën e Xhelilit dhe motrën e Aliut. Nga martesa e tyre, u lindën një tufë me fëmijë të cilët e mbushën mëhallën me njerëz të zgjuar, të pashëm e të fisëm. I pari i fëmijëve ishte Rexhepi; pas tij erdhën në jetë: Naileja; Gjonleka; Selvija; Levendi; Xhemilja dhe Xhevdeti. Njëri më i mirë se tjetri. Nuk ke ke të veçosh prej tyre, se janë si të prerë nga një sharrë.

Ata u bënë të mirë, mbasi kishin nga të ngjanin. Të dy prindërit e tyre, si Xhixhua dhe Çecua, ishin si të bërë për njëri-tjetrin, të zgjuar e të mençur si ata. Me fëmijët e tyre, sidomos me Rexhepin e në veçanti me Gjonlekën, kam qenë mjaft afër. Edhe vetë xha Ahmeti, kishte shumë shoqëri me tim atë- Xhevit Malkon. Ata i bashkonte jo vetëm origjina e përbashkët, por sidomos “mideja” dhe tiparet e njëjta.

Kur u nda nga jeta xha Ahmeti, nga grykët, isha i vogël. Ndoshta nuk i kisha mbushur të 14 vjetët. Gjëma ndodhi në “palcën” e dimrit, në janar e bënte mjaft ftohtë. Vdekja ngjau natën.

Sipas traditës, gjëma mund të shpallej vetëm në agim, kur të zbardhte dita. Pas kujës, në shtëpinë e tyre vërshonin mëhallalinjtë dhe fshati i tërë. Thirrën Babanë tim që të shpallte kujën. Ai, meqenëse ishte natë, më mori dhe mua për dore. Zbritëm Brinjën e Qendret dhe sapo hymë tek shtegu i shtëpisë, rreth 20 m, larg nga përdhesja, ku ndodhej xhenazja e ku kishin vërshuar gratë e fisit, Xheviti vuri dorën tek veshi e sokëlliti: “Eja o vëlla – kujë-o”; me zë të lartë sa të dëgjonte mëhalla dhe fshati. Unë, bëra si babai; bërtita: “Eja o xhaxha kujë-o!”

Sapo hymë në avlli, nga kuzhina doli Memja e Muharrem Hasanit, e cila, më donte shumë. Ajo më mbështolli me futen e zezë e më tha: “Ti, mos qaj ashtu, me kujë, se je i vogël” dhe më futi në kuzhinë që të më qetësonte. Sot e kësaj dite, nuk e kam të qartë, përse u desh të zbriste nga kryeja e mëhallës, Babai im, për të vënë kujën, kur, në shtëpinë ngjitur ishte vëllai i Ahmetit- Novruzi. Mundet të ketë ndikuar lidhja e ngushtë e Çecos me Xhaxhakon, ose, duke njohur dobësitë e karakterit të vëllait, Çecua nuk e çmonte shumë rolin e tij.

Arat e Ahmet Selfos ishin në Shure dhe në Vidhishte. Shuret ishin toka të dobëta dhe me shumë gurë. Ato, me një plehërim të lehtë, me vathë, i mbillnin me tagjira e me foragjere dhe me bimë leguminoze që nuk kërkonin shumë ushqim dhe ujë. Mbjellja e tyre me perime të dimrit, gjithashtu ishte normale. Më pjellore ishte Shurja e Meços, e cila, e rrethuar në tri anë nga Përroi i Veldonit, ngjante si Gadishulli Iberik. Ndryshe ishin arat në Vidhishte. Ato ishin toka aluvionale, të përftuara nga “mbathja” që bënte Përroi i Çorrushit dhe prodhonin, drithëra buke, tagjira, perime, bostan etj.

Xha Ahmeti ishte mjeshtër për mbarështimin e dhenve. Tufa e dhenve që vinte përpara Çecua, dallonte nga dhentë e të tjerëve. Ato ishin të parjepura, të pallangosura me urinë e me bajga dhe të “gjalla” në çdo stinë. Edhe qengjat e Çecos ishin të tjerë. Ta kishte ënda t’i vështroje, kur ata dilnin duke kërcyer, nga shtegu në udhë e në Sheshin e Veldonit, apo kur ishin në kullotë, së bashku me nënat e tyre. Për një farë kohe, xha Ahmeti i qinosi bagëtitë me Sihat Kananin nga Shkoza.

Sihati ishte i biri i luftëtarit të mirënjohur – Kanan Mazes. Qinosia u shkoi mbarë dhe të dyja familjet e forcuan miqësinë. Djali i madh i Çecos- Rexhepi, u taks byrazer me hajmali me Sihatin dhe si për fat, ata u bashkuan në të njëjtin repart ushtarak të aviacionit shqiptar, në Qytetin “Stalin”. Nuk thonë më kot se: “Miqësia ngjan pa bëhet!” Në ditët tona, djali i vogël i Çecos, Xhevdeti është lidhur me martesë, me mbesën (vajzën e motrës) e Sihat Kananit. Të flasësh për familjen që krijoi mentarja Tajane dhe i kompletuari Ahmet Selfo Zenelaj, ndoshta do të duhej të nxiheshin shumë faqe e të tretej shumë kohë, por për një ekspoze, të shkurtër edhe kaq, besoj se nuk është pak.

  • Resul Nelo Nelaj. I biri i Zadekos dhe i Nelo Binos. Zadekua ishte bijë në Hasanimeraj; shtëpia e prindërve të saj, ka qenë midis odës së Dules dhe vëllait të tij Xhezo Alushi. Atje ka qenë një banesë ajo e Brehamajve të cilët u “shuan” për arsye se nuk u lindën meshkuj në atë shtëpi. Zadekua mbeti pa derë babë dhe nuk kishte një derë ku të partohej. Resuli ishte djali i dytë i Nelo Binos. Vëllai i madh i Resulit quhej Selman. Ai shkoi në kurbet, në Turqi, së bashku me Malkon, të cilin e kishte vëlla të babait, por, të dy nuk u kthyen kurrë nga kurbeti e nuk u dihet as varri; as përfundimi. Humbja e tyre, pa njoftim, detyroi të visheshin me të zeza dy gratë e Binajve: Zadekon e Nelo Binos dhe Jeminene, të venë e Malko Binos. Resuli kishte një motër; Shaze Nelen, e cila, me moshë ishte më e lashtë, dhe e martuar, përtej lumit, në Shkozë, në derën e Feim Fejzo Pajaj. Vëllai më i ri i xha Resulit, të cilit, gjithë të vegjëlit e fisit, i thërrisnim - Aga, ishte Resmiu. Ai ishte kanakari i familjes dhe e kalonte kohën duke luajtur kumar me burrat e fshatit, tek dyqani i Todi kaurit, nga Poliçani. Nelua, për të plotësuar tekat e pekulit, shiti troje e ara, madje dhe kur i erdhi radha për të shkuar ushtar, në vend të tij, dërgoi bedel, të birin, Resulin, i cili, kur ulej për të pushuar, e kishte mjaft të vështirë të ngrihej.

Resuli u martua me Mbeten, të bijën e Hanes dhe të Hase Jazit, nga Shkoza. Kishte dhënë e mori Nelo Binua, në Shkozë. Me sa duket, xha Nelos i pëlqeu miqësia me banorët e këtij fshati buzë lumit, me banorët e të cilit, siç thuhet në Kalivaç: “Do të jepnim e do të merrnim miell hua, po të mos ishte lumi në mes”. Mbetja ishte “e vrarë” nga veshët, por kjo nuk e pengoi të sillte në jetë, së bashku me “Agane” tonë, një vatër me fëmijë. Mbetes, ne të parriturit e asaj kohe, në shenjë respekti i thoshim, siç e thërrisnin fëmijët e saj- “bole”, në konotacionin e mirë të kësaj fjale. Ajo solli në jetë: Xheladinin; Behijen (e parë); Selmanin; Feruzen; Luton; Ilmine dhe Behijen (e re).

Plot shtatë fëmijë dhe asnjeri nuk trashëgoi prej saj defekt, në dëgjim.

Kur u nda nga vëllai, i vogël, Resulit i takoi gjysma e trojeve të kufizuara (ato që mbetën nga shitjet) dhe gjysma e arave dhe e mallit. Mirëpo, “Agai” na mbeti pa shtëpi. Përdhesja e ngjitur me atë të Xhevit Malkos, i takoi Resmiut, i cili, pleqëroi dy pleqtë: Zadekon dhe Nelo Binon. Në këto kushte, “Agai” u detyrua të ngrinte një kasolle, në kopshtin, që ndodhej poshtë avllisë së shtëpisë. Kasollja, si gjithë simotrat e saj, kur ndizej zjarr, mbushej me tym e brenda saj nuk mund të qëndronte asnjë këmbë njeriu. Përveç kësaj, familja e re u shtua shpejt, me disa fëmijë dhe “Agai” u shpërngul në Gurishte, ku ndërtoi buzë përroit të Veldonit, dy kasolle me kashtë; njërën për të mbledhur fëmijët e për të gatuar kurse tjetrën, si dhomë pritjeje.

Arat e Resul Nelos ishin në Llomera, në Rredhe dhe Reforma Agrare i dha tokë arë, në Fengjet e Muharrem Haxhiut; atje ku ra balloni i Italisë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Kishte dhe tokë, të cilën e shfrytëzonte, herë për të mbjellë graminaçe e herë si kullotë, në Gurishte e në Shure, me kufitar Çizo Selfon. Në çdo vend ku kishte arë, Resuli kishte kufitar vëlla Resmine dhe kushëri Xhevitin. Arat e “Agait” ishin pjellore, por kërkonin shërbime të cilat, në një farë mënyrë u mungonin. Në inventarin bujqësor të familjes së “Agait” ishin një pendë qe, të rinj në moshë e të fortë: Arapi dhe Kazili; një gomar dhe disa krerë dhen.

Familja e Resul Nelos ishte, pa mëdyshje, njëra nga familjet më të varfra të mëhallës e të fshatit. Burimi i varfërisë lidhej kryesisht me dembelizmin e kryefamiljarit, i cili, siç dëftojnë bashkëkohësit e tij: “Kur lëshonte qetë nga parmenda e ulej në hije, nuk ngrihej, pa i ardhur njeri pranë”. I mbeti torba në krah, xha Resulit, duke shërbyer si yzmeqar, në dyer të kamura, në fshatra të rrethit të Vlorës. Djali i madh i tij, Xheladini, që në fëmijëri, për të fituar bukën e gojës, për vete dhe për njerëzit e familjes, u pajtua yzmeqar, në Risili. Më vonë, Xheladini, punoi në Minierën e Selenices, minator, ku, për punë me rendiment e cilësi fitoi, disa medalje pune dhe u shpall “Stahanovist”, sipas modelit sovjetik. Vajza e madhe e “Agait”, Behija (e parë), u martua, siç martoheshin vajzat e atyre viteve, pa mbushur 15 vjeçe, me bashkëfshatarin Tefik Bajram Isufaj, nga Hasanimeraj, por, për fat të keq, nuk e pati jetën të gjatë.

Ajo ndërroi jetë, në vitin 1945, në një lindje të vështirë. Shembullin e së motrës e ndoqi Feruzeja, e cila, në moshë të vogël vajti nuse, në derën fisnike të Qazim Lazes, në Beqieaj, ku u martua me djalin e Vezikos e të Qazim Lazes, me Sulcen. Martesa e tyre nuk e pati udhën të gjatë, por për fat të mirë, nuk la pasardhës.

Jeta e Resul Nelos u mbyll në një kohë kur Ai duhet dhe mund të jetonte akoma. Një atak kardiak, u bë shkak që “Agai” të ndahej nga jeta, në një mëngjes të zakonshëm, në verë, kur frutat ishin pjekur e të korrat ishin mbledhur. Duhet theksuar fakti se “Agai” shquhej si bamirës e zemërbardhë. Kur familja jonë mbeti pa strehë dhe po afrohej dimri, Ai na liroi njërën nga kasollet e tij; më të mirën, ku banuam disa vite radhazi.

  • Reshat dhe Nelo Resmi. Dy djem si drita, të lindur nga një martesë fatkeqe. Rshati, vëllai i madh dhe Nelua, vëllai i tij më i vogël në moshë, u lindën nga dy prindër të denjë për njëri-tjetrin, por jo fatlumë. Prindër të tyre ishin: Zonja e Vogël e Binajve dhe Resmi Nelua. Zonja e vogël e Binajve (kështu u emërtua, për arsye se në Binaj kishin ardhur dy nuse, me të njëjtin emër- Zonjë), ishte bijë në Qyraj të Shkozës, me nënë Qerimene dhe baba Bilon. Ajo erdhi nuse, në Kalivaç, në derën e plakut Nelo Bino; nuse për djalin e tretë të tij, Resmiun. Resmiu, si më i vogli i derës, u bë kanakari (i përkëdheluri) i saj. Nënë Zadekua dhe baba Nelua, i plotësonin çdo dëshirë, apo teke djalit të tyre pekul. Resmiu, kur u rrit e kalonte kohën tek dyqani i Todi Kaurit nga Poliçani, duke luajtur bixhos, me burrat e fshatit. Për të plotësuar tekat e të birit, Resmiut, Baba Nelua, përveç arave, shiti dhe një pjesë të trojeve, prandaj Binajt, në atë kohë, tri kurorë, mbetën me pak troje dhe gjëja e gjallë e tyre u pakësua ndjeshëm. Kur i erdhi radha për të shkuar ushtar, siç rrëfejnë të moshuarit, plaku Nelo Bino, nuk dërgoi Resmiun kanakar, por në vend të tij, vajti bedel Resuli, djali tjetër i Nelos. Familjen e Nelo Binos dhe atë të vëllait të tij, Malkos, të cilat, asokohe banonin së toku, i mbante Xheviti, me punën e yzmeqarit, në dyert e botës. Siç dëftojnë, edhe kur mbushi moshën për të shkuar ushtar Xheviti, në vend të tij, vajti, sërish Resul Nelua, i cili, me sa duket, ia kishte marrë dorën shërbimit në ushtrinë e asaj kohe, ku koha shtyhej këndshëm, po të kishe duhan dhe ushqim të garantuar.

Kanë marrë formën e barcaletave e dëftohen si të tilla, disa veprime e qëndrime të papërgjegjshme të plakut Nelo Bino. Siç dihet, Xheviti ishte më i madh në moshë, se Resuli e se vëllai i tij Resmiu.

Sipas traditës, Xhevitit, edhe si bonjak, i takonte të martohej më herët nga dy vëllezërit. Mirëpo Xheviti, nga puna e yzmeqarit merrte mjaft të ardhura dhe me ato mbahej familja e origjinës. U lashtua në moshë, Xheviti beqar. Miqtë dhe fisi i bënin presion plakut Nelo Bino, që të martonte Xhevitin, më parë; pastaj dy djemtë e tij. Po çfarë do të thosh të martohej Xheviti? Së pari iknin të ardhurat dhe jetimi pa baba Xhevit Malkua, po të bëhej me nuse, sapo të lindte fëmija i parë i tij, do të ndahej me vete, dhe atëherë do të ndodhte ndarja, nga e cila, Atij i takonte të merrte gjysmën e mallit.

Prandaj, xha Nelua, kur dashamirët i sugjeronin martesën e Xhevitit, përgjigjej: “Do të martoj më parë Resmine se është i vogël e gëzon!” Një përgjigje e mençur, por e kurdisur, me dredhi. U nisën lajmësit dhe bukuroshit Resmi Nelo Nelaj, i gjetën për short, të bukurën Zonjë, në Qyraj të Shkozës. Siç rrëfenin të moshuarit, Zonja në moshën e adoleshencës ishte aq e bukur sa i thoshte diellit: “Ja dil ti; ja do të dal unë!”

Sipas traditës, përpara dasmës, në shtëpinë e kandidates për nuse, 15-vjeçares, Zonjë, shkuan dy sinixhinj, të zgjuar e të shkathët dhe trima, me fletë: Brahim Rushan Muharremaj dhe Muharrem Hasan Nelaj. Ata çuan rrobat e nusërisë me të cilat do të vishej nusja e re, për të ardhur në Kalivaç. U mblodhën gratë e fisit, për të parë rrobat. Grave të Shkozës nuk u pëlqyen rrobat që kishte dërguar krushku Nelo Bino. Ato nuk ishin siç kishin bërë pazar babai i djalit me atë të vajzës. Plaka që drejtonte atë eveniment, më e zgjuara e më hazerxhevap, kuptohet dhe më e shkathëta, me këtë rast ia mori këngës si më poshtë:

“… O Nelo, more Nelo;

Qysh e pamë fjalën-o?

Ta prisje mantonë coh;
E preve samariko;
Ik e vishja Shazes-o;
Ta mbajë për dimër-o…”

E dëgjuan e u ofenduan sinixhinjtë tanë, por nuk e dhanë veten. E dëgjoi dhe e mbajti vathë në vesh, Shaza, e bija e Nelo Binos, e martuar në Shkozë.

Kur Zonja u vesh me rrobat e nusërisë dhe doli nga dera e shtëpisë së saj për të hipur mbi kalë, gratë e Shkozës që e përcollën me këngë, i vunë në prehër një djalë, i cili quhej Shazivar, por që ishte pak “i leshtë”. Shaza, e cila nuk e harronte rromuzin e grave dhe nuk i dilte lehtë inati, meqenëse i erdhi në shteg, ia mori këngës, me ironi: “… Të keqen, Shazivar- ylli; të ruajtë Zoti nga syri!” Kanan Mazja, burrë i zgjuar dhe hazerxhevap, i cili ishte nip në mëhallën Ahmetaj dhe e njihte mirë situatën atje, u përgjigj, aty për aty: “… As ia thua dhe një herë! Të rëkofsha për Zybere…!” Zyberi ishte analog i Shazivarit, në rrethin fisnor të Shazes. Replika dhe rromuzet me hidh e prit, siç veprohet rëndom në raste të tilla, dolën barazim dhe nusen e morën krushqit dhe e prunë në Kalivaç.

Mirëpo martesa rezultoi fatkeqe. Mbasi lindi Reshatin, Nelon dhe Petrefin, në vitet e krizës së rëndë, pas çlirimit të vendit, u nda nga jeta Petrefi e pas tij, Resmiu, nga një sëmundje e cila, në kushte të tjera mund të kurohej. Ai vdiq nga një plevit i rëndë, në një kohë kur mungonin mjekët dhe medikamentet e nevojshme. Përpjekjet e plakave të mëhallës me mënyrat sipas mjekësisë popullore (hedhje në djersë me fleta arre e elb, veshja e lëkurës etj.) nuk dhanë rezultat dhe Resmiut iu pre jeta, në mes në moshë të re. Mbetën dy djem jetimë; pa baba: Reshati dhe Nelua, të dy të mitur.

Nëna e tyre, Zonja e Vogël e Binajve, në atë kohë ishte 20 vjeçe. Ajo mori një vendim jete, prej një plaku të moçëm e të mençur: lidhi në kokë shaminë e zezë, deklaroi se nuk vë mbi Resmi Nelon, asnjë burrë tjetër dhe u përkushtua për rritjen e dy djemve.

Në kushtet e një krize të rëndë ekonomike, kur familjes i kanosej uria dhe skamja ishte ulur këmbëkryq në vatrat e kalivaçasve, kjo gjëmë ishte e rëndë sa s’mund të ketë shoqe. Vendimi i Zonjës së Vogël të Binajve, u përshëndet si një akt i pjekur e kurajoz, por duhej gjetur një rrugëdalje, për rritjen e fëmijëve jetimë.

Sipas të gjitha “rregullave” të kohës, Resuli, si vëlla i të ndjerit, duhet të merrte në dorë rritjen e dy jetimëve, por ai u “hoq mënjanë” me mendimin: “Jam fukara dhe kam shumë fëmijë për të ushqyer!” Në këto kushte u gjend si shpëtimtar Xheviti, i cili bashkoi dy familjet dhe unë e Lumturia; Reshati dhe Nelua, që ishim vërsnikë të njëri-tjetrit pinim sisë tek të dyja zonjat. Zonja e Madhe e Binajve, si më e parë nga dy gratë, ishte ngarkuar me detyrën e tiganeshës (të gatuante për të gjithë familjen e bashkuar). Duke menduar se do të më favorizonte, si djalë i saj, unë, nga padurimi dhe i shtyrë nga uria, i zgjatja dorën nënës sime, që të më mbante me hatër. Ajo, në një rast, kur i zgjata dorën, më hodhi një lugë me qull të valuar e dora ime u dogj keq. Të qarat e mia ishin aq të forta saqë gjitonët në mes të mëhallës u alarmuan dhe erdhën tek dera.

Kur Reshati mbushi 7 vjeç, aq sa mund të pajtohej yzmeqar e të kontribuonte për mbajtjen e vetes e të familjes, Xheviti fukara vendosi t’i ndante dy familjet duke respektuar normat zakonore, për ndarjen e shtëpisë, të trojeve dhe të arave. Atëherë, Zonja e Vogël e Binajve, veshi pantallonat e zeza dhe me shaminë e zezë në kokë, i rriti të dy djemtë, me të korrat e botës, me kallinjtë që mblidhte kallameve të grurit dhe me pula deti.

Kemi të bëjmë me një rast tipik të një gruaje burrëreshë, e cila mban betimin, që bëri përpara të shoqit të ndjerë, u përkushtohet fëmijëve, duke sakrifikuar nga vetja dhe i bën ballë jetës, sido që i erdhi. Reshati u rrit, yzmeqar, në dyert e botës; më pas u bë minator, e punoi në disa kantiere të vendit, kreu shërbimin ushtarak dhe u martua me Xhikon, një grua zonjë, me të cilën solli në jetë një tufë fëmijësh. Nelua, vëllai i tij e moshatari im, u rrit në kohën kur fshati ishte kooperativë bujqësore; ndërroi disa profesione e kreu disa detyra dhe u martua me Kushullen, të bijën e Barjam Rushan Muharremajt. Ai u nda nga jeta prej një sëmundjeje të rëndë e të pashërueshme, mbasi bëri shumë përpjekje për të mbijetuar. Kur u krijuan mundësitë dhe Zonja e Vogël e Binajve ishte gjallë, Reshati dhe Nelua, zbritën, në Shure; fillimisht ngritën një kasolle e më pas ndërtuan dy shtëpi paralele, përdhesë, të lidhura njëra me tjetrën.

Në përfundim të këtij materiali studimor, mund të pohoj se mëhalla e Ahmetajve, ka qenë dhe është më e madhja në Kalivaç të Tepelenës. Vitet e shndërrimeve demokratike, por jo vetëm ato, kanë bërë të mundur që mjaft familje dhe individë të shtegtojnë në vise të tjera; brenda vendit dhe në vende të tjera. Deri në Amerikë e në Australinë e largët kanë shtegtuar kalivaçasit. Të larguarit janë të shumtë, por shtegtimi i tyre, nuk ka mundur të pakësojë numrin e familjeve dhe të individëve, përkundrazi, në një bilanc të përafërt, në vend të pakësimit kemi shtim të njerëzve. Në kohë e për shkaqe të ndryshme, nga mëhalla janë larguar:

  • Hekuran Sherif Zenelej (Mucoimaj), larguar në vitin 1949, në Durrës; nuk është kthyer asnjëherë në Kalivaç.

  • Ziflo Dino Deraj, është larguar fill pas çlirimit të vendit dhe është vendosur në Durrës (qytet), nuk është kthyer asnjëherë në Kalivaç.

  • Qamil Pasho Nelaj, larguar në repartet partizane të Luftës Nacionalçlirimtare; u plagos në luftë, u vendos në Korçë (qytet), më vonë u zhvendos në Krahës (qendër) ku dhe u nda nga jeta.

  • Teki Sherif Zenelaj (Mucoimaj), doli partizan, u vendos në qytetin e Vlorës ku dhe u nda nga jeta.

  • Ferrik Sherif Zenelaj (Mucoimaj), doli partizan, jetoi në vise të ndryshme të vendit, në pension u vendos në Polican, ku dhe u nda nga jeta.

  • Muhamet Demir Zenelaj (Mucoimaj), u bë oficer policie, shërbeu në disa rrethe të vendit, së fundi u vendos në Berat, ku dhe u nda nga jeta.

  • Ramadan Muharrem Deraj, larguar nga fshati në vitin 1960, u vendos në Lac, ku dhe u nda nga jeta.

  • Abas Salih Nelaj, larguar në vitet ’60 të shekullit të shkuar, u vendos e banon në Fier.

  • Ismail Breshan Bejomalaj (Nelaj), u largua nga fshati kur shkoi për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në kufi, në zonën e Leskovikut, ku qëndroi nënoficer karriere derisa u nda nga jeta.

  • Remzi Veledin Licaj (Nelaj), u lind në Shkozë, u rrit në Kalivaç, nga gjyshe Hysnija dhe nga gjysh Musa Mmehmeti, u largua nga fshati në vitet ’70 të shekullit të shkuar, u vendos në qytetin e Fierit, ku dhe u nda nga jeta.

  • Nezir Isuf Minojacaj (Nelaj), u largua nga fshati në vitet ’60 të shekullit të shkuar, u vendos në Selenicë, ku dhe ndërroi jetë.

  • Kadri Isuf Minojacaj (Nelaj), u largua nga fshati, në fund të viteve ’60 të shekullit të shkuar, u vendos në qytetin e Sarandës, ku jeton.

  • Enver Qemal Zenelaj (Mucoimaj), pas vitit 1990, u shpërngul nga fshati e u vendos në qytetin e Memaliajt, ku banon sot.

  • Bejo Breshan Bejomalaj (Nelaj), u shpërngul nga fshati në vitet ’80 të shekullit të shkuar, u vendos në Tepelenë ku dhe ndërroi jetë.

  • Heno Muharrem Deraj, u shpërngul nga fshati në vitet ’80 të shekullit të shkuar e u vendos në Memaliaj; aktualisht ndodhet në Greqi.

  • Dajlan Muharrem Nelaj, u shpërngul nga fshati në vitet ’50 të shekullit të shkuar, shërbeu në ushtri, nënoficer aktiv në reparte të aviacionit, në Tiranë e në Vlorë, u nda nga jeta në Krete (Greqi).

  • Sadik Muharrem Nelaj, u largua nga fshati në vitet ’80 e u vendos në Risili (Vlorë); u rikthye në fshat, në vitet 2000; është ndarë nga jeta.

  • Skënder Muharrem Nelaj, u largua nga fshati, në vitet ’70 të shekullit të shkuar, u vendos në Krahës (qendër), pas viteve ’90 u vendos në Tiranë.

  • Zaim Xhemal Nelaj, në vitet ’90 të shekullit të shkuar, u shpërngul nga fshati dhe emigroi në Itali.

  • Haxhi Xhemal Nelaj, pas viteve ’90 të shekullit të shkuar, u shpërngul nga fshati e u vendos në Sarandë.

  • Zenel Novruz Zenelaj, u shpërngul nga fshati në vitet ’60 të shekullit të shkuar e u vendos në qytetin e Korçës, ku dhe ndërroi jetë.

  • Shevqet Novruz Zenelaj, në vitet ’60 të shekullit të shkuar, u shpërngul nga fshati e u vendos në qytetin e Patosit, ku ndërroi jetë.

  • Naim Jashar Deraj, u shpërngul nga fshati, në vitet ’90 të shekullit të shkuar e u vendos në Tiranë.

  • Dilaver Novruz Zenelaj, u shpërngul nga fshati, në vitet ’60 të shekullit të shkuar e u vendos në Durrës ku shërbeu nënoficer aktiv, në ushtri.

  • Kujtim Laze Haderaj, u shpërngul nga fshati në vitet ’70 të shekullit të shkuar e u vendos në Vlorë ku u nda nga jeta.

  • Selam Mane Zenelaj, u shpërngul nga fshati në vitet ’70 të shekullit të shkuar e u vendos në qytetin e Tepelenës.

  • Rustem Mane Zenelaj, u shpërngul nga fshati në vitet ’70 të shekullit të kaluar; banon në qytetin e

  • Qazim Mane Zenelaj, u shpërngul nga fshati në vitet ’60 të shekullit të shkuar dhe shërbeu në ushtri, nënoficer aktiv, në repartet e rrethit të Durrësit.

  • Shamet Sulo Malaj, doli partizan, u plagos në luftë, u mjekua në Itali; pas çlirimit u vendos në qytetin e Memaliajt, ku ndërroi jetë.

  • Halil Laze Malaj, u shpërngul nga fshati në vitet ’50 të shekullit të shkuar e u vendos në qytetin e Vlorës, ku u nda nga jeta.

  • Rexhep Ahmet Zenelaj, u shpërngul nga fshati në vitet ’50 të shekullit të kaluar, studioi në Bashkimin Sovjetik, shërbeu në aviacionin e Qytetit “Stalin” dhe në atë të Vlorës ku u nda nga jeta.

  • Gjonlekë Ahmet Zenelaj, u shpërngul nga fshati në vitet ’50 të shekullit të shkuar, mbaroi shkollën e Ministrisë së Brendshme dhe dy fakultete; u vendos në qytetin e Tiranës.

  • Xhevdet Ahmet Zenelaj, mbaroi shkollën e oficerëve, bëri disa kualifikime, jashtë vendit; shërbeu në Qytetin “Stalin” dhe në Tiranë, ku banon.

  • Dilaver Xhevit Nelaj, u shpërngul nga fshati në vitet ’70 të shekullit të shkuar, u vendos në qytetin e Tiranës.

  • Niazi Xhevit Nelaj, u largua nga fshati në vitet ’50 të shekullit të shkuar, mësoi në Tepelenë, në Korçë, në Bashkimin Sovjetik e në Kinë, u bë oficer aviacioni (pilot): banon në qytetin e Tiranës.

  • Agim Muhedin Nelaj, pas viteve ’90 të shekullit të shkuar, u largua nga fshati e u vendos në qytetin e

  • Bashkim Muhedin Nelaj, u shpërngul nga fshati, pas viteve ’90 të shekullit të shkuar, banon në Greqi.

Këto largime janë vetëm në linjë mashkullore, por ato nuk e kanë shpopulluar mëhallën, e cila, nga lindjet dhe nga ndarjet e familjeve, ka “pushtuar” Shuret; Murin e Hasanet; Vatherat dhe sheshin e Veldonit. Disa familje janë ngjitur tek arishta e Azis Ramos, e cila i përket mëhallës së Hasanimeret. Në këtë punë studimore nuk paraqiten disa hollësi që kanë të bëjnë me largimin nga fshati të familjeve me shumë fëmijë, të cilët kanë shkuar në emigracion, në vendet fqinje dhe më larg. Mundësitë janë për studime më të thelluara të cilat, me siguri do të hedhin dritë për fakte të tjera. Materialet janë bazuar në kujtime vetjake, të cilat, gjithsesi mbeten të limituara.

Materialin e përgatiti

Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë,

Gjatë muajve dhjetor 2017, mars 2018