Dikur (në vitet '50 të një shekulli më parë), dy çobanë nga Kalivaçi i Tepelenës, të moshuar e të zgjuar, me vështrim të mprehtë si të shqiponjës, kishin nxjerrë dhentë në kullotë, në yrtrat e nënfisit Binaj, në Gurishte. Nga rrënojat e shtëpisë së lashtë, tip kështjelle, të fisnikut Ramo Nebiu, e cila, nuk di përse, u ngrit në krye të mëhallës Ahmetaj, dy burra po rrokullisnin gurë, të cilët ishin të gdhendur e mund të futeshin në muret e banesave që po ngriheshin, rreth 100 m më poshtë.
Njëri nga të moshuarit e pikasi këtë veprim e i tha tjetrit:
— ... A e vështron atë baterdi që po bëhet në krye të mëhallës sonë?
Tjetri hodhi vështrimin andej nga i tha kushëriri, e pa ndodhinë, mori frymë thellë e u përgjigj:
"Një herë e një kohë, siç thotë gojëdhëna, pyeti burri gurin: ‘Ku vete, o mall i shkretë?’ Guri u përgjigj: ‘Do vete ta shkretoj gjetkë!’"
Nuk kaluan shumë vite dhe banesat e ndërtuara me ata gurë u braktisën nga pronarët...
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.