Është thënë e nuk ka mbetur pa u përsëritur fakti, i nxjerrë nga jeta shumëshekullore e bashkëfshatarëve të mi, se në Kalivaç, që në kohët kur nuk mbahen mend ka qenë e njohur e ka gjetur zbatim fisnikëria. Kjo, në tërë kuptimin e fjalës. Edhe një miqësi nuk bëhej dikur, pa pyetur a ishte i fismë miku. Më vjen mirë që kjo traditë e lashtë, është përcjellë, nga brezi në brez e po përtërihet.

Ajo që dua të them, ka të bëjë me faktin se tradita e njohjes dhe zbatimit të rregullit të pashkruar të fisnikërisë, asnjëherë nuk ka rënë në kundërshti me ligjet dhe rregullat e shtetit, të cilësdo formë qoftë. Bëhet fjalë për atë shtet, i cili ngrihet e funksionon mbi bazën e ligjeve që rregullojnë jetën e shtetasve e jo në bazë të tekave të njërit e të tjetrit.

Shumë kalivaças e kanë informacionin se kam shërbyer në një sektor “delikat”, në ushtri ku edhe për t’u martuar, duhet të merrje lejen e partisë-shtet.

Ajo që do t’ju rrëfej, nuk është pa lidhje por ka të bëjë me zbatimin e ligjeve të asaj kohe, pa rënë ndesh me zakonet e fisnikërisë. Të dy; si ligji dhe tradita, kanë pika takimi të përbashkëta e nuk bëjnë dot, pa njëri-tjetrin. Nëse ligji i ka nenet të shkruara, tradita, edhe pse e pashkruar, njihet nga të gjithë, pranohet, në heshtje dhe gjen zbatim, vullnetarisht. Ndihem mirë, kur vështroj se tradita, në veçanti ajo që ka të bëjë me fisnikërinë, po rimerr vlerën që ka pasur dhe po përtërihet.

Në fundin e viteve ’80 të shekullit që përcollëm, kur banoja në Tiranë e shërbeja në ushtri, në një funksion të lartë partiak, papritur, më trokiti dera dhe kur e hapa, prapa saj qëndronte kushëriri im i afërt Reshat Resmi Nelaj, me të cilin jam rritur dhe, herë-herës, kur ishim të mitur, pinim sisë nga nëna e njëri-tjetrit.

E pashë të shqetësuar dhe, ca nga kureshtja e ca nga padurimi, sapo u rehatuam, në kundërshtim me rregullin e pashkruar kalivaças, sipas të cilit, mysafiri, nuk pyetet, përse ka ardhur e kur do të ikë, e pyeta kushëririn: “Ç’e mirë të pruri, o kusho?”

Ai, sikur ta kishte gati përgjigjen, më tha: “Një hall i madh, më ka zënë dhe kam ardhur të marr mendimin tënd; ta pleqëroj hallin, me ty që të kam si vëlla”.

Dhe nisi rrëfimin Reshati, duke më “qarë hallin”. Djali i tij i madh, Petrefi, i cili ishte në adoleshencë, njihte e pëlqente një vajzë për kokën e vajzës, të bukurën Vjollcë, të bijën e të ndjerit Veli Ahmet Pashaj, nga Hysodosajt dhe të fisnikes Ervehe, nga Çelajt e Hasanbegajve. Dy të rinjtë e njihnin dhe e pëlqenin njëri-tjetrin dhe e kishin ndarë mendjen të lidheshin me martesë.

Sipas traditës, familja e djalit duhet të bënte kërkesën, pranë familjes së vajzës. Për ta realizuar këtë, Petrefi i bënte “presion” Reshatit që ta bënin fakt të kryer këtë lidhje dashurore. Prandaj kushëriri im ishte vënë në siklet dhe kishte marrë tërë atë udhë, që ta pleqëronte me mua atë hap që duhet të merrte.

I njihja të dyja familjet, të cilat nuk i linin asgjë mangut njëra-tjetrës, për nga fisnikëria. Mendova me vete: “Sa mirë kur fisniku gjen fisniken dhe me siguri që do të vejë guri në vend”. E kisha dëgjuar që, në fshatin tim ka qarkulluar slogani: “Fisnikja, po nuk të bëri djalën, do të të thotë fjalën”! Vjollca bukuroshe, e zgjuar, e urtë dhe e sjellshme, me rrënjë fisnike, i realizoi të dyja kërkesat, në çift me djalin e pashëm të Reshat Resmiut.

E dëgjova, me vëmendje e duke e parë në sy dhe, në përgjigje i thashë: “Hall të madh paske o kusho! Djali të të trashëgohet dhe i martofsh të gjithë, me radhë!”

“Kam hallin tënd se je në bukën e qeverisë, tha Reshati, pa unë çoban me dhen jam e nuk ma heq dot njeri kërrabën nga dora!”

Për ta qetësuar njeriun tim, e porosita: “Kur të të vijnë miqtë për të fejuar djalin, më njofto se do të vij të marr pjesë dhe unë”. Vura re që i erdhi mirë e u qetësua, nga fjalët që i thashë. Atëherë vijuam bashkëbisedimin në tema me interes të përbashkët.

Në një ditë shtatori të vitit 1988, me uniformë parade, me të gjitha lulushanet varur, në xhaketë e në kapele, mora udhën për në Kalivaç, ku të nesërmen do të merrja pjesë në ceremoninë e fejesës së Vjollcës, me Petrefin, në shtëpinë e Reshat Resmiut, në krye të Shureve.

Kur dielli kishte zënë dhenë, nga udha në fund të Dërrasës, ia behën, në kolonë, për një, burrat nga Hysodosajt. I pritëm, sipas zakonit të fshatit, për këto raste.

I pari ishte i miri Fejzo Ahmet Pashaj, të cilin, Vjollca e ka xhaxha. Pas tij ishte dajua i Vjollcës, Medini i Çelajve dhe me radhë, pas tij; Jashari i Elmazit, nga Pashajt; Ahmeti i Fejzo Ahmetit dhe i biri i Dajlan Xheladinit, nga Myftarajt e Hysodosajve. Vetëm e bukura Vjollcë, nuk bënte pjesë në dërgatë, mbasi nuk e lejonte tradita vendore një gjë të tillë.

Nga ana e djalit, ishin: Reshati, vëllai i tij, i ndjeri Nelo, Xheladini, Selmani, Lutua, Ilmiu e të tjerë, kushërinj, të afërm e miq të familjes.

Kundërmoi era e mishit të pjekur në hell dhe u pi raki e fortë, nga damixhani i qelqtë, i cili kapardisej në fund të odës. U pi raki me dolli, me mirësi e sipas dëshirës, dhe u konsumua mish i pjekur në hell, pa hesap, derisa u thye dita.

Sipas normave zakonore vendase, miqtë u përcollën me nderime deri tek fundi i Dërrasës, duke marrë me vete shumë mirësi e falmeshëndetje, për pjesëtarët e familjes së vajzës dhe të afërmit e saj.

Ky është vetëm një rast tipik, i një lidhjeje dashurore mes dy të rinjve, i realizuar sipas normave zakonore të fisnikërisë, pa cenuar ligjet e shtetit.

Niazi Nelaj

25 shkurt, 2018