(Perifrazim i një letre të hershme kurbetliu)
Mjaft kalivaças, në kohë të ndryshme, nga halli kanë marrë udhët e kurbetit të zi. Kjo ka ngjarë që në kohët që nuk mbahen mend; vazhdon edhe sot e kësaj dite. Disa prej tyre nuk mundën të ktheheshin në vatrat nga ku u nisën, por mbetën përjetësisht në dhe të huaj. Ka pasur dhe nga ata që nuk u dihet varri. Zakonisht, bashkëfshatarët tanë, në kohë të shkuara, kurbetin e bënin në Anadoll (Turqi).
Në një kafeteri të Izmirit (qytet i krahinës së Anadolit), e cila u pagëzua si kafeteria e shqiptarëve, kurbetlinjtë mblidheshin, pinin kafe e duhan dhe qanin hallet. Aty merrnin letra nga të afërmit e u kthenin atyre përgjigje. Pronari i ngjiste letrat në xham dhe të interesuarit i gjenin ato më lehtë.
Kur letra kishte brenda ndonjë lajm të kobshëm, atë dërguesi e digjte në një cep dhe mesazhi kuptohej. Hamza Rushan Muharremaj, një djalë që sapo kishte vënë brisk në faqe, i pamartuar, në shoqërinë e të afërmve të tij, mori udhën e kurbetit duke lënë në Kalivaç vëllezërit: Brahim dhe Barjan Rushani. Brahimi ishte mjaft i zoti, por u nda nga jeta shpejt dhe aksidentalisht. Barjami ishte "i leshtë" e i "vrarë" nga veshët; ai kujdesej për mekamin e Baba Dero Fushës, i cili, sipas të gjitha gjasave, rridhte nga fisi i fismë i Muharremajve. Hamzai punoi e u rropat, gjithë jetën, në Anadoll, por nuk bëri prokopi e nuk krijoi familje.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri ndryshoi regjimi, u mbyllën kufijtë dhe Hamzai nuk erdhi dot në vendlindje, as për të përcjellë vëllanë e ndarë në atë botë. Kur u lashtua e i ranë fuqitë, aty nga fundi i jetës së tij, me mallin që e përvëlonte, për të tijtë dhe për fshatin ku i kishte bërë koka "dëng", në mesin e viteve '60-të, i dërgoi një letër Bajramit. Letrën e kam lexuar në atë kohë, por tekstin e saj, të plotë, nuk e mbaj mend mot-a-mot. Prandaj po e perifrazoj. Letra, përafërsisht, kishte këtë përmbajtje: "... Barjam, o derman, o vëlla i vetëm me nënë e me babë!
Shpejt, mora udhën e kurbetit dhe erdha, këtu, në Anadoll. U ropata, gjithë jetën, në punë të rënda por nuk bëra dot prokopi. Nuk më lanë të vija aty e t’u vështroja. Më ka pikur malli. E vështroj që po më vjen exheli... Përpiqu të më nxjerrësh izen (lejen) për të ardhur...
Jetën e lashë këtyre hënave, por nuk dua të më dalë shpirti këtu e të më treten kockat në dhe të huaj... Dua të vij, e të vështroj edhe një herë, juve që u dua shumë dhe atë vend të bekuar nga Zoti, përpara se të më dalë fryma. Kam gjongulin të tretem pranë atyre që na kanë bërë. Të ndihmofshin çirakët, kudo që janë dhe ai Bumbareqi që ke afër e i shërben me besnikëri..." U përpoq i ziu Barjam për ta ndihmuar të vëllanë; nuk la derë pa trokitur, por zëri i tij ra në veshë të shurdhët.
Një ditë, nga Izmiri, i vjen një letër, shkruar nga shokët e Hamzait. Letra ishte e djegur në një cep të saj dhe Barjami e kuptoi domethënien e saj. Ky ishte krimi i radhës, në praktikën kriminale të një kohe që prodhonte krim e fatkeqësi.
Shënim: Letra ishte e shkruar në një shqipe të pakultivuar dhe shumë fjalë ishin në turqisht. Megjithatë, nëse letra ekziston, ia vlen të bëhet fond muzeal!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.