Ajo që dua t’ju rrëfej nuk është e sajuar, por e përjetuar. Dikur, lejen e zakonshme e kisha shumëditore. Një pjesë të saj, detyrimisht, e kaloja në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve; pjesën tjetër e kaloja ku të ishte e mundshme. Meqenëse prindërit i kisha në Kalivaç, disa ditë i kaloja pranë tyre.

Ishte verë dhe temperaturat e ajrit ishin të larta. Vendi më i freskët e më i bukur për t’i përcjellë ato ditë ishte Donija, me lumin poshtë këmbëve, me ato rrape shekullore, anës lumit dhe me burimet e freskëta që gurgullonin ujë të ftohtë nga thellësitë e shkëmbinjve karstikë.

Nuk jam peshkatar dhe pak njohuri kam për këtë kulturë (peshkimin), por më pëlqente të kapja peshq nga ata të lumit tonë, të cilët vërtet kanë hala e janë të bezdisshëm në të ngrënë, por janë mjaft të shijshëm, sidomos kur skuqen në tigan, me vaj ulliri të bërë me këmbë, në koresh. Peshkimin me grep, në lumë, fillimisht e nisa si me shaka dhe për të „vrarë“ kohën, por shpejt „më hyri krimbi“ e kalova në vartësi të tij. Me një fillispanje në dorë e me një grep në fund të saj, i cili ushqehej me krimba të nxjerrë anës pirgjeve me pleh të mëhallës, ulesha mbi një pllakë guri, disa metra sipër Burimit të Madh të Donijes, mbi nyjen ku mbërthehej pallamari i lundrës, atje ku kishte ujë më shumë dhe ku ishin vendosur dy tuba të trashë, që çonin ujë tek motopompat e ujitjes. Hidhja grepin në lumë dhe vrojtoja, me orë të tëra, pa lëvizur nga vendi, derisa i binte grepit gjahu i dëshiruar. Thuajse çdo ditë zija peshq, mjaftueshëm, sa nëna të gatuante darkën për tre vetë. Peshqit që kapja, si për të bërë karshillëk, i shkoja në një thupër konopice e i mbaja të varur, që të dukeshin. Gratë dhe burrat e fshatit, grupe-grupe, në mbrëmje, para se të binte nata, nxitonin për të mbushur ujë të freskët për familjet e tyre. Me kërshëri, kur këmbehesha me ta, më vështronin me kureshtje e thonin: „I biri i Xhevitit qenka dhe peshkatar!“

Nëna ishte mësuar t’i çoja „gjah“ në buzëmbrëmje dhe bënte gati tiganin e zjarrin, me shkarpa, në oborr.

Një ditë më ndodhi çudia. Hodha grepin si zakonisht dhe m’u tha buza për ujë, por nuk mund të largohesha, nga meraku se mos i binte grepit ndonjë peshk e dilja huq. Burimin me ujë të ftohtë e kisha 10 m larg, por nuk tundesha nga vendi. Në mëngjes, kur akoma nuk e kisha nisur gjuetinë e peshkut dhe në mbrëmje, kur isha duke sistemuar „prenë“, më bënin shoqëri lundërtari Halimi dhe i moshuari Sulo Beqiri, një luftëtar i regjur, i cili vinte nga Selenica ku banonte, për të ushtruar profesionin e dëshiruar të peshkatarit me grep dhe për të kënaqur nostalgjinë që kish për fshatin e lindjes, ku kishte shkelur çdo pëllëmbë e njihte çdo njeri.

Me Solun isha në hall e nuk dija si t’i drejtohesha. Si të moshuarit i thosha xha; si njeriut të gjakut tim i thosha kushëri; si të Hysodosajve ku kisha dajot e babait, i thosha dajo. Hall i madh. E kisha zgjidhur ta quaja dajo-kushëriri e atij nuk i mbetej qejfi.

Një ditë, filli u tendos e nisi të ngjitej drejt rrjedhës. Në dorë kisha tërheqje, jo si zakonisht. Do të ketë ngecur grepi në ndonjë rrozhgë (copë druri nga ato që përcjell lumi), e nuk i kushtova rëndësi. Uji i kthjellët i lumit më lejoi të vështroja një kurriz peshku, i cili ngjitej drejt rrjedhës, me zigzage. Kisha dëgjuar që, në të tilla raste, duhet tërhequr filli me kujdes dhe lësho-shtrëngo. Ashtu bëra.

Nxora në zall (zall i thënçin se vetëm gurë kishte) një goxha peshk, i cili ma ngatërroi aq keq fillin, sa nuk e shpleksja dot. Peshku, më duket se ishte levrek (nuk i njoh mirë llojet e peshkut), rreth 1 a më shumë kg, kur doli nga uji, „qante“ si ndonjë fëmijë. E mblodha si e mblodha fillin, me peshkun e madh të varur dhe vajta në shtëpi. Kur këmbehesha në udhë me ata që shkonin për ujë, të cilët më qesëndisnin, më vinte turp. Ndaj nuk dola më për peshk. Mjetet e mia të peshkimit nuk ishin nga ato që kapin e mbajnë edhe peshq të mëdhenj, siç më ngjau mua atë ditë.