Pashë kronikat dhe lexova me vëmendje shkrimet prononcuese të disa mentarëve nga Kalivaçi i Tepelenës, lidhur me ngjarjen makabre të kohëve të fundit, në Sarandë, „në kurriz“ të njeriut të mirë Haxhi Xhemal Nelaj. Haxhiu, edhe në këtë rast të dhimbshëm, qëndroi, siç është e siç ka qenë tërë jetën e tij: i mençur, i qetë, i duruar e i panxituar. Pa u hyrë në pjesë dashamirëve, vendosa të shkruaj disa mendime vetjake, jo për t’u prerë udhën shkrimeve, por për t’i mirëpritur ato. Haxhiut i është bërë një e keqe e madhe. Këtë „ligësi“ e kanë bërë të liqtë, ata që dinë të bëjnë gjëra të tilla.
Haxhiut nuk i erdhi e keqja nga „x“ apo nga „y“, cilëtdo qofshin ata. Të keqen, Atij njeriu ia ka bërë ky shtet i anatemuar në çdo hap. Ata që ekzekutuan urdhrin makabër s’janë veç puthadorët e këtij regjimi çnjerëzor të korruptuar në çdo qelizë, i cili guxon të bëjë be e rrufe se mbron interesat e të gjithëve. Të bukur mbrojtje i bëri Haxhiut, këtë e pamë me sy dhe e dëgjuam me veshë. Kujt t’i besojmë, atyre që pamë apo atyre që thonë?
Nuk jam aspak kureshtar të mësoj emrin dhe origjinën e ekzekutorit; as të atij që urdhëroi ekzekutimin; e kam të qartë se „derrat një turi kanë“; por inatin e kam të madh e ai nuk më lë të qetë. Dikush shkruan se njëri syresh (nga ekzekutorët) na qenka nip në fshatin tim të veçantë. Me shpirt e me zemër them: Punë e madhe. Ai që projekton një banesë, i parashikon në projekt të gjitha mjediset. Kalivaçi është i veçantë për nga bukuria dhe për njerëzit e tij, por të mos harrojmë se, si vend i bekuar, ai është dyndur dhe është populluar me lloj-lloj malukatesh dhe midis druve të drejta që përbëjnë barrën, ka dhe të shtrembëta që e prishin atë.
Më ngroh e më gëzon fakti që Haxhiu nuk ra në kurthin që i ngritën, por ngau udhën e mençurisë kalivaçase. Kur i telefonova, me qëllim që t’i shprehja përkrahje, po të doni më besoni: m’u zu fjala në fyt e nuk dija çfarë t’i thoshja. Aq e rëndë ishte situata. Tani, mbasi kanë kaluar disa ditë e ndihem disi më i lehtësuar, dhe mbasi lexova shkrimet tuaja, më duhet t’i kujtoj Haxhiut dy fjalë që më tha babai i tij, Xha Xhemali, njëri nga njerëzit më të mençur në Kalivaçin e atyre viteve, në vitet '70 të një shekulli më parë. I lutem lexuesit të bëjë durim e të mos mërzitet prej këtij rrëfimi disi të gjatë.
Në ato vite, për shkaqe vetjake, disa kohë nuk shkela në Kalivaç, edhe pse malli më digjte si zjarr, siç më përvëlon, sot e kësaj dite. Dola në Sheshe, tek shkolla e fshatit dhe nuk ndoqa udhën nga kalonin të gjithë, për të zbritur, anash kaminave të xha Hamit Caushit, por mora udhën e verbër që të çon tek gërmadhat e Ramo Nebiut. Aty ku fshati (Pusi) duket si në pëllëmbë të dorës, u ula mbi një xine e vrojtova atë bukuri të rrallë. M’u fanepsën përpara syve të mendjes fëmijëria ime dhe vuajtjet e panumërta. Lotët nuk i mbaja dot; ata rridhnin si çurkë.
Më duhej të zbrisja në shtëpinë time. Isha i veshur oficer e më vinte turp të më vështronin të moshuarit e mëhallës që kuvendonin tek Buza. Hapa shtegun pranë shtëpisë së Hysni Metes dhe nëpërmjet bahçes sonë, dola në avlli. Mbasi takova Nënën, Hysnijen e Musa Mehmetit, sa të vinte Babai, me dhentë e tij, fluturova tek xha Xhemali, të cilit i thoshim Ceco, ashtu siç e flisnin fëmijët e tij. Cecon e gjeta në hije të fikut ku luante rëndom me letra.
U gëzua plaku i mençur, kur më pa, më përqafoi, më puthi në të dy sytë (Ai të puthte tek sytë, kur të donte) dhe më tha: „Rrofsh, or bir, që erdhe; na ke hapur sytë, me atë që bëre!“ Edhe unë sot i them Haxhiut: „Je i biri i atij çikë Babai; me këtë qëndrim dinjitoz, na ke hapur syrin!“
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.