Jeta në Kalivaç ka ekzistuar prej shumë kohësh. Kalivaçasit, gjatë gjithë ekzistencës së tyre, kanë trokitur fort në histori. Bëmat e tyre kanë mbërritur tek ne, në forma të ndryshme e në rrugë jo të njëjta. Transmetimi gojor, nga njëri brez në tjetrin, ka qenë udha kryesore. Tre profesionet bazë të kalivaçasve – çobanëria, bujqësia dhe puna e ushtarakut – kanë qenë cilësore.
Zgjuarsia, mprehtësia, guximi e trimëria i kanë shoqëruar kalivaçasit në tërë udhën e tyre të gjatë; kanë qenë bashkudhëtare të tyre. Në kohët moderne, kur njerëzit përvetësuan profesione të reja, pa të cilat nuk mund të përballohet jeta, kalivaçasit nuk mund të qëndronin prapa të tjerëve, por herë-herës, nxituan e dolën „në presidium“ duke u bërë protagonistë.
Para Luftës së Dytë Botërore, profesioni i shoferit ekzistonte vetëm në fantazinë e njerëzve, ose shkruhej në libra të shenjtë. Kur u krijuan kushtet, djali nga Kalivaçi – „i prapi“ – Ferrik Cano Haderaj nga Hasanimerajt, me kurajo, u vërsul mbi timonin e një kamioni të tipit „Zis“ dhe, duke transportuar qymyr guri, nga miniera në portin e Vlorës, në një rrugëtim fatkeq, humbi jetën, në kthesat e thella të Përroit të Salarisë.
Në gjysmën e dytë të viteve '60 të një shekulli më parë, lindi nevoja të plugoheshin e të kultivoheshin tokat. Ishte bashkëfshatari ynë, nga mëhalla e Hasanimerajve, Xheladin (Xhelo) Ahmet Caushaj, i cili, fillimisht në funksionin e ndihmësit e më pas të traktoristit, e mori përsipër këtë punë.
Ushtarakët nga Kalivaçi, në kohë të ndryshme, kanë luajtur rol parësor e kanë mbajtur peshë të madhe në çështjet e mbrojtjes. Oficeri i parë, në funksione drejtuese, me gradën e oficerit madhor të Ushtrisë Mbretërore, ishte Zoto Halil Ramaj, nga Hysodosajt.
Nevojat e komunitetit për ushqim u rritën dhe kultivarët, jo vetëm që u shtuan, por dhe parashtruan kërkesën e trajtimit shkencor, të tokës e të bimëve. Djali nga Ahmetajt, autor i këtij shkrimi, me moshë 18 vjeç, u bë agronomi i parë, i specializuar për fruta, në vitin 1959, kur ishte pjesë e stafit të lokalitetit të Krahësit.
Kënga labçe është kënduar nga bashkëfshatarët tanë, që në kohë, të cilat nuk mbahen mend, por grupi i parë folklorik i fshatit u ngrit nga Skender Muharrem Nelaj. Më pas, bilbilat nga Kalivaçi pushtuan skenat e vendit e ato ndërkombëtare.
Kalivaçasi e do arsimimin dhe e ka kërkuar atë që herët. U desh të dilte në skenën e historisë djali nga Hysodosajt Halil Zoto Ramaj që të hapej shkolla e parë fillore në fshat.
Dikur, për të ndërtuar banesa, ustallarët vinin nga Panariti e nga Opari; i pari që e vodhi zanatin e muratorit ishte djali i Cano Ademit, Veliu, që mori në dorë mistrinë dhe çekanin.
Koha kërkoi evidencimin dhe mbajtjen e llogarisë së të ardhurave. I biri i Cizo Selfos, nga Hasanimerajt, Hajredini, u bë llogaritari i parë, i cili mbi dijenitë shkencore vuri përkushtimin dhe ndershmërinë e tij.
Në shekullin e fundit, u gjallërua shumë jeta kulturore, arsimore dhe artistike e fshatit. Nuk mund të mbeteshin jashtë kësaj „valleje“ të talentuarit Xhelil Aliu, si regjisor e folës elokuent; Nuri Mehmetaj, si gazetar cilësor; profesor doktor Vezir Fejzo Muharremaj etj., intelektualë të spikatur që u dhanë tonin punëve, në sektorët përkatës.
Kalivaçasit kapërcyen prapambetjen shekullore dhe me guximin që i karakterizon, shaluan aeroplanë, siç bëri aviatori Rexhep Ahmet Zenelaj, apo provuan zhytjen në thellësi të detit, siç bëri Hekuran Sherif Zenelaj (Mucoimaj).
Bashkëfshatarët tanë nuk mbeten pas, as në sektorin e mjekësisë. Drita Refat Ramaj (BILaj), mes vështirësive të kohës, me përkushtim, hodhi dritë mbi një profesion tejet human.
Në përfundim të këtyre radhëve, nuk mund të lë pa përmendur shpërthimin e vlerave morale dhe intelektuale të bijave dhe bijve nga Kalivaçi. Fitorja historike e kompletimit të shkollës së fshatit me mësuese e mësues vendas, të cilët kanë dëftuar aftësi e përkushtim, është garanci se edhe në të ardhmen, nivelet do të jenë në rritje dhe „korifejtë“ e fshatit tonë do ta gjejnë vendin që u përket, në aradhën e të përparuarve.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.