Lufta e Dytë Botërore dhe pushtimi fashist i vendit edhe në Kalivaç të Tepelenës, si në të gjithë vendin, trazuan e prishën ekuilibrat. Ai rregull që ishte vendosur, lidhur me regjistrimin e popullatës, në kohën e Mbretërisë u prish e regjistrat e gjendjes civile, u bënë paçavure. Nëse ditëlindjet tona, nuk janë të sakta, përveç ndonjë faktori tjetër njerëzor, si ulja apo ngritja e moshës së meshkujve, lidhur me kohën e kryerjes së shërbimit ushtarak dhe ngritja e moshës së vajzave për t’u fejuar e martuar më herët, burimin e kanë tek këto parregullsi. Me qëllim që të vendoseshin rregulli dhe ekuilibri i prishur, administrata e re, e sapodalë nga lufta, rihapi zyrat e gjendjes civile dhe plotësoi regjistra të rinj, me të dhëna për banorët e trevës. Nëpunësit që u caktuan të bënin këtë punë, u përzgjodhën me kujdes, nga radhët e njerëzve më të përshtatshëm e më të arsimuar. Mjaft syresh, ishin nga ata që kishin punuar dhe në administratën e mëparshme dhe ia dinin radhën punës.

Ishte viti 1945. Vendi ishte çliruar dhe ekonomia fshatare e varfëruar dhe e shkatërruar po rimerrte veten, shumë ngadalë. Kalivaçasit i mbanin “të lidhur” mjaft fije me të shkuarën e afërt. Të rriturit (bëhet fjalë për burrat kryefamiljarë), me qëllim që të saktësonin e plotësonin të dhënat vetjake të gjendjes civile, e mbanin vrapin në Krahës, ku ndodhej lokaliteti i trevës dhe zyra e gjendjes civile. Disa pjesëtarë të familjeve, sidomos femrat, përfaqësoheshin nga kryefamiljari. Agjitatorët e partisë kishin bërë punën e tyre dhe, në një ditë të bukur pranvere, kur moti ishte ngrohur dhe fshati jeshilonte, ne, fëmijët e moshës parashkollore, na mblodhën në oborrin e madh përpara dyqanit të Todit, nga Poliçani, atje ku sot banon familja e Cizo Hajredinit, nga Agajt e Hasanimeret; pranë Përroit të Llaskos.

Babai im, çoban i njohur, ishte me dhen në vendin e quajtur Rredhe, kurse nëna mblidhte lakra të egra, në ledhet e arave të mëhallalinjve. Vajta tek vendi i caktuar, së bashku me bashkëmoshatarët e mi dhe me motrën e vetme, Lumturinë, e cila ishte 2.5 vjet më e madhe. Thuajse të gjithë fëmijët që do të hynin në procesin e regjistrimit ishin të shoqëruar nga prindërit. Një burrë që mbante syza miopi, të cilat i binin sipër hundës së madhe, me një kapele me strehë, në kokë, i përkulur mbi një libër me shumë fletë, shkruante, me penë, ato që pohonin prindërit. Ai, herë pas here ngjyente majën e penës në një shishe të vogël, e cila, me shumë gjasa, kishte bojë, brenda. Nuk ia mbaj mend emrin, por, më kujtohen disa përgjigje të prindërve, ndaj pyetjeve të tij.

Ai, pyeste për emrin dhe kohën e ardhjes në jetë, të fëmijëve. Mbaj mend se përgjigjet e prindërve ishin të shkurtra e të qarta. Fëmija i radhës veçohej prej të tjerëve dhe atëherë, nga goja e burrit me penë në dorë vërshonin pyetjet. Përgjigjet e pyetjeve, ishin të larmishme dhe disa syresh, mjaft interesante. Ja disa përgjigje pa saktësi: “Djali im, ka lerë kur u bë misri qamet”; tjetri pohonte: “Kocja ime ka dalë në dritë, atë sene, kur lumi doli tej për tej, si det, nga shirat e dendur që ranë”; një i tretë, deklaroi se: “Fëmija që po regjistrohej, kishte lindur, kur u vra, në luftë ‘x’ apo ‘Y’ partizan” etj. etj.

Erdhi radha ime. Nuk ishte i pranishëm, as babai, as nëna. Mua dhe motrën na përfaqësoi dajo Sulua, i cili ishte djalë teze i nënës sime, kishte qenë partizan e për rrjedhojë ishte më i besueshëm. Pyetjes së burrit me syza miopi, për moshën time, dajo Sulua (Sulo Barjam Hysaj) iu përgjigj: “Ky është versnik me këtë djalin këtu” dhe dëftoi me dorë Sadikun, të cilin e mbante për dorë e ema, Memja e Muharrem Hasanit. Në fakt, Sadiku kishte lindur një javë, para meje, por unë isha “buçko” nga trupi, mbasi shkoja pas babait, me dhen, dhe kur ai milte qumësht, në vedër, unë fusja kokën, largoja nga sipërfaqja e qumështit, ndonjë kakërdhi që kishte rënë dhe pija qumësht të ngrohtë, me temperaturën e trupit të deles nga kishte dalë, me shkumë dhe bio. U tha; u bë; më regjistruan 6 muaj më të madh dhe ajo datëlindje vazhdon të ekzistojë edhe në ditët tona, në dokumentet e identifikimit.

Dajo Sulua im e paska pasur fjalën shpatë, nga një metal, të cilin nuk e oksidon koha!