Mund të duket si e pabesueshme, por ka ngjarë, me të vërtetë. Familja e një çobani nga Kalivaçi i Tepelenës ishte nga më të varfrat në fshat. Ajo, nga arat që dispononte, nuk siguronte më tepër se 4 muaj buke.
Në muajin prill të çdo viti, fëmijët e paktë të kësaj familjeje, si shumë fëmijë të familjeve të këtij rangu, ushqeheshin me trakaliçe fiku e me bajame të njoma, të cilat sapo kishin lidhur kokrra. Mezi prisnin të bëhej hokërri (tepa) e më pas elbi, jo për tagji, por për ushqimin e njerëzve. Dimri, në ato vite (vitet e zisë për bukë) kalohej, duke u ushqyer kryesisht me lakra të egra.
Në vitet '50 të shekullit të shkuar, familja e çobanit në fjalë, kishte lidhur qinosi dhensh, me familjen e fisnikut Karafil Mahmut Bilaj, i cili ishte vendosur në vendin e quajtur Gjembi i Bilos, pranë arave pjellore të tij, në Margëlliç. Xha Karafili, me një staturë interesante, kur fliste, shumë fjalë i kishte të huazuara nga turqishtja. Ai kishte ngritur 2 kasolle (njëra përdorej si kuzhinë e tjetra për të pritur miq). Gruaja e tij, Bedrija, ishte një zonjë grua, shumë punëtore dhe e pritshme. Po t’i shkoje në shtëpi, ajo të bëhej "kurban" dhe, shpejt e shpejt, vinte tiganin në zjarr e piqte petulla, të cilat i servirte, të shoqëruara me pekmes, nga rrushi razaki i pjergullave, mbi vidhat e ledhit të llomerave. Për fat të keq, çifti nuk solli në jetë fëmijë dhe jetonte i vetmuar.
Rreth 100 m më në lindje, banonte vëllai i ndarë i tij, trimi Refat Mahmut Bilaj. Të dyja familjet që rridhnin nga i njëjti gen, ishin shumë bujare dhe mikpritëse. Një herë, në shtëpinë e xha Karafilit erdhën disa miq e Ai organizoi gosti (drekë). Ftoi të tijtë dhe çobanin qinosar, të cilin e respektonte mjaft, për ndershmërinë dhe drejtësinë e tij. Çobani i la dhentë në Fierin e Metes, me djalin 10-vjeçar, i cili ishte i pangrënë, prej disa ditësh.
Çobani i moshuar hëngri e piu në gosti, e mbushi stomakun, por nuk i vajti mendja tek i biri i pangrënë. Nënë Bedrija, e cila organizoi gostinë dhe në familje kishte ushqime (gatime) me shumicë, nuk kishte lindur fëmijë dhe nuk ia kishte idenë kujdesit për fëmijët e uritur të familjes tjetër.
Kur çobani shkoi tek tufa e deleve, nuk e pa të birin dhe e kërkoi, aty pranë, nëpër shkurre. E gjeti thuajse pa ndjenja, mbi një kaçube xine. Djali duhej ushqyer me diçka. Shtëpia e çobanit, në Ahmetaj, ishte disi larg e vajtja atje harxhonte kohë, e cila ishte e shtrenjtë në ato çaste. I punoi mendja çobanit, kapi një dele me qumësht, e moli në opingën e tij dhe ia dha ta pinte djalit të alivanosur qumështin jetëdhënës. Djali, mbasi piu qumështin, me opingë, erdhi në vete dhe të dy, babë e bir, e vunë tufën e dhenve përpara dhe e çuan në kasollen pranë shtëpisë. Ky ishte një mësim i mirë për çobanin plak, të cilit përvoja e jetës i erdhi në ndihmë vetëm për të gjetur "enën" me të cilën moli delen.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.