Natyrës së bukur të fshatit tim, e cila nuk ka të krahasuar, nuk i mungojnë as objektet e lashta, me vlera të shumta historike dhe praktike. Shpellat, në rrjedhën e lumit, me emra fisesh, nuk janë të vetmet. Me shumë vlera historike dhe ekonomike, është Lundra e Kalivaçit e cila, jo më kot është etiketuar qysh prej kohësh që nuk dihen; Lundra e Kalivaçit.
Kështu ajo quhet edhe sot. Pozicioni gjeografik ku është vendosur, në daljen Perëndimore të "tunelit" mes shkëmbinjsh, në Donije, patjetër që ka ndikuar, se vendi ku kanë qenë montuar pikat mbështetëse të pallamareve (kavove prej çeliku) është shkëmbor, në të dyja anët e lumit, por me rëndësi janë disa fakte të tjera. Lundra e Kalivaçit, ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër dhe, në çdo kohë është menaxhuar nga kalivaças. Me dy kavo të kapura pas platformës, të cilat bashkoheshin e lëviznin nëpër pallamarin mbajtës, në atë lundër të thjeshtë, prej kohësh, kanë kaluar lumin njerëz e kafshë, pa numër, për të qarkulluar nga krahina në krahinë, në mot të qetë e kur lumi bëhet si det, nga fryrja, në stinën me shira. Lundra është menaxhuar nga kalivaças, jo vetëm se ata ishin notarë e lundërtarë të shkathët e me zemër, por dhe për disa cilësi të tjera të tyre. Jo se në fshatrat fqinje, nuk ka pasur e nuk ka njerëz të aftë për ta bërë këtë punë, por kalivaçasit, janë tjetër "brumë".
Sa mbaj mend, ajo lundër është menaxhuar me aftësi, nga Hasan Ramo Ramaj, nga mëhalla e Hysodosajve, pas të cilit, "stafetën" e mori njeriu i fisit të tij, i paharruari Gani Muharrem Ramaj. Pas tij, lundra u shfrytëzua, nga të tjerë bashkëfshatarë deri sa u privatizua nga trimi i çartur Tahir Muharrem Nelaj. Për njëfarë kohe, lundrën e drejtoi vëllai i Tahirit, i fuqishmi e i mprehti Sadik Muharrem Nelaj, i cili, u nda nga jeta, në lundër, në një fatkeqësi natyrale. Tashmë, kushtet kanë ndryshuar mjaft e njerëzit nuk janë po ata. Ajo lundër, me histori, vazhdon të quhet Lundra e Kalivaçit, por është katandisur në një kaike (varkë) me motor dhe drejtohet nga i biri i Tahirit - Erjoni "gjigant" e notar me emër. Duke u bazuar në hamendësi, ndoshta mund të ketë ngjarë që, në kohë të tjera, lumi, kur ka qenë më ujëplotë, mund të jetë kaluar me "trap" të ngjashëm me mjetin e kohëve që jetojmë.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.