E them që në fillim se me to nuk jemi sjellë me dashamirësi por, si vandalë. Mbase këtë qasje nuk e kemi tonën, por të huazuar nga pushtuesit, sidomos nga ata osmanë, të cilët u vërsulën mbi trojet tona me urë në dorë, për të shkrumbuar çdo gjë dhe me këllëç, për të prerë koka. Simbolet janë tonat e duhet t’i ruajmë si gjënë tonë, jo t’i shkatërrojmë e t’i zhdukim, siç ka ngjarë rëndom. Të paktën t’i ruajmë e t’i njohim, që të mos bëhemi ujem. Ato janë vlera, të ngritura nga të parët tanë; ne, të paktën t’i ruajmë. Pa hidhni një sy, qoftë dhe rrëshqitas, nëpër hapësirën kalivaçase!

Sa qivure (varre familjare) qëndrojnë në këmbë e sa të tjerë, janë rrënuar, apo, ca më keq, janë fshirë nga faqja e dheut? Nuk arrij ta kuptoj: Kujt i prishte punë qivuri i Zoto Halil Ramajt, në Qafën e Dërrasës? Të mos harrojmë se Zoto Halili ishte, ndoshta i vetmi oficer i lartë i Ushtrisë Mbretërore Shqiptare! Po qivuri i Celajve (Bakajve), tek bajamet, në hyrje të Bozanajve cilin pengonte që është zhdukur, nga themeli? Familjarët e tyre vërtet kanë shtegtuar, por, siç më rezulton, kalivaçasit që banojnë në fshat, janë shtuar e, mes tyre ka prurje kualitative. Kufijtë që përcaktojnë pronësinë mbi arat apo mbi trojet, vërtet janë dy gurë, pranë njëri-tjetrit, por nuk guxon t’i prekë njeri.

Po gurët e varreve, kush dhe përse i ka shkulur? I ndritte shpirti Hydajetit të Muharrem Kamberit, i cili, kur ishte kryeplak, rrethoi me tel karic varrezat e u bëri portë. Interpretimi i të dhënave të zbulimeve arkeologjike, që hedh dritë mbi lashtësinë e fshatit, na ka dhënë mjaft material për të shkruar historinë e fshatit, po objektet që gjenden në sipërfaqe, përse duhet t’i zhdukim? Ata që po shkruajnë, shpesh u referohen, toponimeve, për të përcaktuar identitetin, por edhe ato nuk janë veç hamendësi e interpretim. Nga zbulimet arkeologjike dhe nga analiza e toponimeve, na rezulton se treva jonë dhe popullsia e saj, në të shkuarën e largët, i përkisnin besimit të krishterë. Kështu, përroi që zbret në Gurje, quhet Përroi i Shën Marise; Po arat me emrin Jorga; vendi i quajtur Gropa e Gjonit; Ledhi i Kishës; rrënojat e pesë kishave me moshë të ndryshme, a nuk janë sinjale të përafërta?

Më vonë, gjatë pushtimit sllav të trevës, na trokasin toponimet: Përroi i Zelenicës; Leshnje; Cac; Bozanaj; Llapovica; Saloniq, etj. Pushtimi osman, bëri ndryshimet e menduara prej pushtuesve dhe kemi arat me emrin Llagëme etj. Etj. Këto dhe të tjera toponime lypset t’i nënshtrohen analizës dhe interpretimit, nga specialistë kompetentë, të cilët fshatit tonë nuk i mungojnë. Në anën e djathtë të udhës mbi shtrat guri që të çon tek Mulliri i Gurrës, në Specovë, buzë lumit të Vjosës, në vendin e quajtur Sheshi i Vështit, poshtë të cilit ka qenë një shpellë, ku mund të strehoheshin rreth 350 krerë dhi, dikur ka qenë një pirg me gurë, të hedhur sidokudo. Historia e kësaj murane, nuk besoj t’i kapërcejë vitet e një shekulli. Thonë se, në atë vend ka ndërruar jetë, një burrë nga Kalivaçi, në një pritë. Çdo kalimtar që kalonte andej, hidhte, mbi pirgun e gurëve, një gur, për sevap, dhe pirgu me gurë rritej, vazhdimisht.

Ajo muranë luante një rol mjaft të madh, si lapidar i kujtimit të një njeriu që nuk është më në jetë. Një muranë e përafërt ka qenë dhe në Qafën e Dërrasës, atje ku dikur ishte një xhami. Nga fëmijëria, më kujtohet një këngë e lashtë, e cila i bënte jehonë një ndodhie makabre. Teksti i këngës thosh: "...Mbeç shkretë, o Qafë e Xhamise; (i thonin dhe Qafë e Xhamise)
Ç’u bërë vend' i pusisë;
Vrave Bazon dhe Dervishne..."
E pra, kalivaçasi i zgjuar e trim, ka qenë dhe artist, në shpirt. Ai i ka kënduar natyrës së bukur; jetës, sido që ishte; Dashurisë, heroizmit, vuajtjeve etj. Këngët, kanë tekste me domethënie, prandaj duhen lexuar me kujdes dhe midis rreshtave. Na mbetet vetëm t’i shkruajmë e të qëmtojmë prej tyre, simbolet.

Kështu, Kalivaçi, do të pikojë, siç thotë një nënë kalivaçase, e cila i ka kapërcyer të nëntëdhjetë vitet, e cila është larguar nga fshati qyshse ishte fëmijë, e jeton larg, me mallin që e përvëlon për vendin ku i ka bërë koka dëng!