(Ngjarje e jetuar)
Në kohën kur lundra e Kalivaçit, e përmendur në shkrimet e tij dhe nga udhëtari Pukevil, në shekullin e nëntëmbëdhjetë, menaxhohej nga kooperativistë, me ditë pune, kryesia caktonte në këtë detyrë njerëz të drejtë, të ndershëm e besnikë. Bëhej fjalë për të luftuar korrupsionin, mbasi lundërtari kishte të bënte me vlera monetare përditë dhe sa herë hidheshin, nga njëra anë në tjetrën, njerëz apo kafshë. Kryesia e kooperativës kishte vënë një tarifë për kalivaçasit dhe një tjetër, më të madhe, për ata që nuk ishin vendas.
Në kohën kur funksiononte kooperativa bujqësore e fshatit, me emrin „Stalin“, lundërtarë ishin caktuar: Halim Beshir Hysenaj; Caush Nebi Caushaj; Xhemal Haxhi Nelaj etj. etj.
Një herë, lundërtar ishte fisniku Xhemal Haxhi Nelaj. Ai njihej si njeri tepër rigoroz, serioz e besnik. Në detyrën që i ishte caktuar nuk lëvizte qimen nga udhëzimet që kishte lëshuar kryesia e kooperativës. Këtë e dinin si vendasit dhe ata që ishin nga rrethinat. Xha Xhemali, si shumë bashkëmoshatarë, nuk dinte as shkrim, as këndim, por paratë i numëronte me saktësi dhe çdo ditë i derdhte në arkën e kooperativës.
Në një rast, një udhëtar, i ardhur nga treva të largëta, donte të hidhej në lundër për të shkuar në trevat e Vlorës, por kërkonte ndonjë „privilegj“, lidhur me çmimin e hedhjes në lundër. Tek vendi i quajtur Dërrasë, një djalë adoleshent nga Kalivaçi, i prapë sa nuk bëhet më, por dhe i zgjuar, e takoi kalimtarin, e përshëndeti dhe e pyeti nga ishte e ku shkonte. Udhëtari me naivitet i dëftoi Refatit, jetëgjatit e shtatlartit, problemin. Refati e pyeti nëse dinte të shkruante e të lexonte dhe, mbasi u bind se tjetri ishte analfabet, vijoi:
— Kur të shkosh në lundër, paraqiti lundërtarit një letër të firmosur nga kryetari i lokalitetit të Krahësit, njeri autoritar e me influencë, sipas së cilës kalimtarit i lejohej kalimi nëpërmjet lundrës me çmimet e vendasve.
Kërkoi letër e laps Refati, po ku gjendeshin ato në atë kohë? Atëherë i polli mendja dhe gjeti një goxha pllakë gëlqerore, të rrafshët e të rëndë, dhe diçka zhgarraviti mbi të. Udhëtari naiv e hodhi pllakën mbi sup dhe zbriti tatëpjetë e u drejtua për në Sheshin e Donijes, ku ishte lundra. Sapo pa pllakën dhe mori sqarimet e nevojshme nga udhëtari i panjohur, xha Xhemali, burrë i zgjuar, i ra hiles se në këtë mes ka një paudhësi, dhe e hodhi udhëtarin në anën e Shkozës.
Siç u sqarua më vonë, Refati i kishte thënë udhëtarit se ishte firma e Rexho Males (ndjesë pastë), kurse udhërrëfyesi i kishte thënë për firmën e Rexhep Abedin Malaj (ndjesë pastë), nga Kalivaçi, i cili ishte dhëndër i xha Xhemalit.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.