Burrat nga Kalivaçi i Tepelenës kanë qenë kryesisht blegtorë, por të shquar e të përkushtuar. Jeta baritore, në inventarin e stanit, nuk ka vetëm bagëti të imëta (dhen e dhi), por të pandarë nga çobani kanë qenë balua, sharku apo guna, kërraba dhe veglat muzikore të tij.

Në vetminë e tij, në shoqëri me kafshët që mbarështonte, një çoban „esnaf“, në mot të ngrohtë, kur bagëtitë kullosnin për qejfin e tyre, ulej mbi një kaçubë, me paliçe, xinë, xanë, mërete, përrallë etj. ose mbi një gur dhe nxirrte fyellin, e i binte për shtatë palë qejfe melodisë së preferuar, të cilën, zakonisht, e „kompozonte vetë“. Në këtë mënyrë, ai shijonte natyrën e bukur, ajrin e pastër dhe gjënë e gjallë që vegjetonte përpara tij. Fyelli apo cylla e bariut artikulonte avazet që i pëlqenin të zotit.

Në shekullin e tetëmbëdhjetë, në fshatin tim ka jetuar një çoban delesh, esnaf. Ai mbarështonte një tufë delesh, esnafërisht dhe ishte qejfli melodish me fyell. Jehona e talentit të tij i kishte kapërcyer kufijtë e trevës e ishte bërë e njohur edhe në Dovlet. Mirëpo, çobani ynë talentin e shpaloste vetëm në vetmi, nga droja dhe padalja e tij.

Një ditë, në Kalivaç ia behën tagrambledhësit, të cilët kërkuan çobanin për të dëgjuar melodi me fyell. E thirrën e ai la dhentë në Gryka e u paraqit tek nëpunësit e Dovletit. Çobani ynë kishte hedhur krahëve llabanën, në dorë mbante kërrabën e nën sqetull fyellin.

— Kemi dëgjuar se i bie bukur fyellit, — iu drejtua më i moshuari i nëpunësve çobanit.

— Për qejfin tim, — u përgjigj fshatari ynë.

— Po bjeri dhe për ne, — i tha nëpunësi, — se do të të paguajmë me një mexhite.

— Jo, — nguli këmbë çobani.

— Bjeri se do të të japim dy mexhite, — tha nëpunësi i shtetit.

— Thashë një herë jo, — përsëriti kokëngjeshuri.

— Atëherë ik, në punën tënde, — tha tjetri, — se ne për këtë të kemi thirrur.

Iku çobani, por sapo mbërriti tek shtëpitë e Muhos, u ul mbi një gëmushë e nisi t’i binte fyellit, siç dinte ai. E dëgjuan dhe e shijuan melodinë shtetarët. I pari i tyre bërtiti: „Ne e dëgjuam melodinë pa para, ia rrojte b... mexhites!“ Çobani i zgjuar u përgjigj aty për aty: „Edhe ju, ma rrojtët b... mua!“

Unë mendoj se dolën barazim, po ju, si mendoni?