Familjet me shumë fëmijë, në fshatin tim janë pakësuar e për këtë nuk ndihem mirë. Pakësimi i lindjeve është shfaqje e rendjes pas rehatisë e begatisë.

Në vitet e fundit, vërtet ka përmirësime, në cilësinë e jetës, por kjo ka thirrur në skenë plakjen e popullsisë, e cila kërcënon. Në të shkuarën e largët por dhe në atë të shekullit të fundit çiftet nga Kalivaçi i Tepelenës kanë sjellë në jetë shumë fëmijë dhe, për mendimin tim, nuk e kanë pasur keq. Mirë bënin, se shtonin racën e të zgjuarve dhe të trimave me fletë. Kjo praktikë, me vlera jetike, ishte, në njëfarë mënyre shprehje vepruese e dashurisë brenda çiftit. Ajo shfaqej në botën e jashtme edhe nëpërmjet lindjeve të shumë fëmijëve.

Mbasi ka mbyllur derën, për të kaluar natën, çdo çift e di vetë raportin mes vedit. Martesat, dikur lidheshin me ndërmjetësinë e lajmësit, shpesh, pa e njohur fare njëri-tjetrin, dy kandidatët për një çift, por, dasma sillte jo vetëm gëzim, në të dyja shtëpitë. Nusja e re, si rregull, integrohej në familjen e re, me përjashtime të rralla, dhe kompaktësohej me burrin, duke u bërë një shpirt, në dy trupa. Ndarjet, kanë ndodhur në të rrallë dhe për shkaqe "thelbësore". Në Kalivaç të Tepelenës, disa familje, kanë shënuar rekorde, lindjesh. Pa u rrekur të bëj evidencë, gjë që nuk është në mundësitë e mia, mund të pohoj, saktë sa vijon: Hamza Sheshua; Arif Qamili; Xhemal Haxhiu; Sulejman Bilaj; Azbi Bakua; Gani Dashua; Ali Xhelili; Mehmet Musai; Qemal Sherifi; Breshan Fejzua; Ahmet e Novruz Selfua; Mane Tafili; Sinan Zeneli; Sulo Beqiri; Kastriot Beqiri; Bajram Malua; Kamber Xhemali; Sadik Rrapua; Sherif Mahmurti; Kalo Qazua etj etj. kanë qenë familje me shumë fëmijë.

Në kohët që jetojmë, disa familje (që, për fat të keq, nuk janë të pakta), kanë sjellë në jetë 1 ose 2 fëmijë. Siç duket, ata nisen nga mendimi i gabuar i kohës, sipas të cilit: një fëmijë është pak dhe tre janë shumë. Mendim i huajtur që nuk na shkon. Kjo mendësi ka bërë që kombe të lashta e të fuqishme të jenë plakur e t’i kërcënojë e nesërmja. Disa thonë: "Një po një!"

Mirëpo njëshi nuk është larg zeros! Hajde zgjidhe këtë ekuacion? Jam kategorikisht kundra mendimit se lindja e shumë fëmijëve ndjell fukarallëk dhe se është ngushëllim i të varfërve. Kushtet aktuale janë të favorshme për mirërritjen dhe edukimin për së mbari të fëmijëve dhe mundësitë janë pa kufi, prandaj them: "Mos u trembni nga fëmijët e shumtë, mbasi secili prej tyre ka fatin e vet!"