Është një fjalë e lashtë sa vetë jeta. Diku e thënë e në shumë raste e mërmëritur. Nuk marr përsipër të bëj as analizë, as anatomi, as... por, si paradhënie, kërkoj mirëkuptimin e atyre, të cilët, edhe pse nuk u përmendet emri, janë brenda ndodhisë.

Në Kalivaç, por jo vetëm, në kohë të ndryshme, dashuria është shfaqur në forma të përshtatshme. Vetë fjala dashuri dëfton për një ndjesi të brendshme, në shumicë të pashprehur. Dikur, mbizotëruese ishin martesat me mblesëri apo, siç thuhet në Kalivaç, me lajmës.

Por dhe brenda lajmësisë, nuk ishte çdo gjë e shfaqur haptaz. Di raste kur një nuse, e ardhur në fshatin tonë nga treva të tjera, ndërhynte fillimisht tek të sajat, për të prurë pranë, si kunatë e më tej, një vajzë të sojit të saj. Në raste të tjera, një djalë në moshë për t’u martuar, të cilit i kishte vajtur syri tek një vajzë, e vështronte atë, dhe ajo e vështronte si me bisht të syrit dhe të dy binin dakord të lidheshin, por pa fjalë. Djali dërgonte një lajmës të besuar e të zot në familjen e vajzës, e kërkonte dhe e merrte për nuse. Di dhe një këngë të lashtë, që u bën jehonë rasteve të ngjashme:

„... Qasi, shokë, të këndojmë; do t’u them një histori;
Ç’më ka ngjarë mua të ziut, me një vajzë, në gjitoni;
Sa herë kaloj andej, ajo del në portë e rri...“

Kjo dashuri „platonike“ nuk mbetej me kaq. Raste të tilla, në Kalivaç, ka pasur shumë dhe martesat mbi këtë bazë kanë qenë jetëgjata. Në kohët e sotme, situatat dhe lidhjet janë tjetërsoj. Vajza e djem punojnë së bashku, njihen nga afër dhe lidhen mbi baza të njohjes e të dashurisë së ndërsjelltë; jetojnë e plaken së bashku. Vetëm në lidhjet mes përhapësve të diturisë mund të gjesh raste ideale të një dashurie të çiltër e jetëgjatë.

Ju falënderoj për mirëkuptimin!