Kur kënga labçe-vënçe, në Kalivaç të Tepelenës "gjëmon" e zërat janë në harmoni, ata që e dëgjojnë nuk përtojnë të thonë: "U vajtka kënga gjym!" Kalivaçasit e kanë kënduar dhe e këndojnë këngën labçe, me shumë dëshirë e pasion dhe nëpërmjet tekstit të saj "shfrehen" e lehtësohen. U duket sikur "shfrehen" e i hedhin tutje hallet e dertet. Çdo këngëtar ka një këngë të preferuar. Gjithë komuniteti, kur dëgjon zërin e tij dhe mënyrën e të kënduarit, thotë, edhe pa e parë: "Po këndon filani!" Plaku i mençur e trim i çartur i Nelajve – Musa Mehmeti, kur ia merrte këngës, bënte edhe hedhësin e dukej sikur sokëllinte.
Njëra nga këngët më të preferuara të tij ishte:
"... Vane more shokë vane;
Vane ata burrat e parë;
Pleqtë me qylah të bardhë..."
E kishte një dert, në shpirt, mentari dhe mundohej ta shprehte nëpërmjet këngës labçe. Kohët e fundit po lexoj në disa mjete komunikimi masiv prononcime, në të cilat bëhen insinuata sikur ka perënduar koha e burrave të rëndë dhe se burra si ata nuk vijnë më. E thënë me fjalë të tjera: "ka ikur vapa, më gushtin!" Nga sa di unë, kjo thënie me ankim e anatemim brenda, nuk qëndron. Në optikën time ka ikur një kohë e ka ardhur një tjetër, por burrat dhe burrëria kalivaçase nuk janë sosur e nuk mund të mbarohen.
Nëse dikur kalivaçasi shquhej me pallë, pastaj me dyfek në dorë, e pruri koha të merrte përparësi parmenda dhe plugu, traktori e makina, sot, në kohët moderne, ka dalë mendja përpara dhe njerëzit i thërresin apo vënë në punë mendjen. Ndodhia që do t’ju rrëfej nuk është përrallë, as e sajuar nga fantazia ime, por ka ngjarë me të vërtetë, në Kalivaç dhe me protagonistë kalivaças aktualë. Mund të shkruaja dhe emrat e protagonistëve, por mendoj se nuk është ky qëllimi. Dy adoleshentë nga Kalivaçi, djem të zgjuar e të shkathët, pa u thelluar, lejuan një faj, i cili i bënte të përgjigjeshin para ligjit, si shkelës të tij. Njëri nuk e kishte babanë, kurse tjetri e kishte të atin, "sa një mal". Babai i djalit shkoi pranë organit ligjzbatues dhe deklaroi: "Në qoftë se duhet të prangosni, ja tek është djali im, merreni e futeni në izolim se unë do të shkoj ta vështroj, kurse atij tjetrit nuk ka kush t’i shkojë; ai nuk e di se ku e ka babanë!" Ky qëndrim prej burri të ngulur, trim e me shpirt njeriu, mendoj se i kapërcen kufijtë e çdo sjelljeje njerëzore.
Ai është i denjë për çdo nderim e mirënjohje. Më thoni, ju lutem: A kemi të bëjmë në këtë rast me burrëri? Unë them po dhe me një po të madhe. Ja, pra, paskan mbetur burra që kanë burrëri e çfarë burrërie. Në Kalivaç, nuk janë as një, as dy, e as që mund të numërohen. Burrëria nuk shfaqet kur na duhet neve, për ilustrim, por kur e thërret në skenë koha.
Ajo është aty, midis njerëzve tanë!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.