Në jetën e përditshme, mes banorëve të Kalivaçit të Tepelenës, prej kohësh kanë qarkulluar thëniet e mençme si: "Bëmë baba të të ngjaj"; "Tjetrin mos e duaj por hisenë ia ruaj"; "Dardha bie në bythë të dardhës"; "Tek ka rrjedhur do pikojë"; "I kamuri, edhe po s’të dha, nuk të kërkon"; etj. etj. Në fund të fundit, të gjithë këta "çekanë" në një vend rrahin. Shprehjet e mësipërme na dëftojnë disa tradita e zakone të përcjellë brez pas brezi dhe që kanë mundësuar mbijetesën e fshatarëve tanë, deri në ditët që jetojmë. Lidhjet e shëndosha dhe marrëdhëniet e sinqerta i kanë mbajtur të bashkuar kalivaçasit. Edhe kur ato nuk kanë ekzistuar, kalivaçasi i zgjuar i ka kërkuar e i ka vendosur ato. Kohezionin e fituar e kemi dhuratë, detyra jonë është ta ruajmë atë, si sytë e ballit.

Mes kalivaçasve, si në çdo komunitet, nuk ka pasur e nuk mund të ketë dakordësi mes të gjithëve e për çdo gjë. Madje këtu qëndron bukuria; jo çdo gjë shkon si në vaj. Zenkat, mëritë, qejfmbetja, mbajtja e kokës mënjanë, cmira, zilia, xhelozia, inatet etj. janë dukuri, praktikisht të pashmangshme. Ato s’janë, veç dukuri negative që synojnë cenimin e kohezionit të arritur. Por, në Kalivaç ka pasur e ka njerëz të mençur, të cilët, nuk u kanë fryrë ureve të zjarrit e nuk kanë ushqyer ndasitë, por me mendjen e kthjellët e duke shfrytëzuar autoritetin e merituar, u kanë prerë udhën paudhësive. Një traditë të lashtë, besoj se e ka ndjerë apo e ka dëgjuar çdo lexues. Po e përsërit që të mos harrohet. Dy vëllezër, të lindur nga e njëjta nënë, ka raste kur janë zënë e janë "grirë" me njëri-tjetrin, për shkaqe nga më të ndryshmet dhe i kanë mbajtur kokën mënjanë vëllai-vëllait.

Dimë se jeta është një garë e pabarabartë. Njëri nxiton e fiton e bëhet i kamur, kur tjetri, në kushte të përafërta, mbetet prapa. Cmira dhe zilia nxitin inferiorin ta vështrojë vëngër të parin. Thashethemet, përgojimet, përpjekja për t’u futur në jetën e tjetrit etj. janë motive që largojnë e veçojnë.

Mirëpo një kalivaças me mend, e ka mbyllur sherrin brendapërbrenda e nuk i ka nxjerrë mosmarrëveshjet në pazar. Sa herë kemi ndeshur në dukuri negative e sa herë të tjera jemi dëshmitarë të korrigjimit të sjelljeve të gabuara. Është gjë normale, kur një i qejfmbetur, digjet nga zjarri për t’u pajtuar e mezi pret rastin të hedhë hapin, i pari. Secili lexues mund të sjellë shembuj pambarim, kur një i tillë, ka shkuar i pari brenda, në raste gëzimesh e ca më tepër në "vaki" duke lënë mënjanë inatin, cmirën e zilinë.

Në këtë rast, ka fituar mendja, dhe është mposhtur pasioni. Ka pasur dhe raste kur, i qejfmbeturi, ka shkuar në shtëpinë e tjetrit, që ta gjejë aty miqësia dhe, pas evenimentit, ka vazhduar si më parë. Në çdo rast, them se mund të vëmë përpara mendjen, ta vëmë mendjen në punë, në mënyrë që pasioni dhe qëndrimet e pamatura të çastit që dëmtojnë, të ndeshen sa më rrallë. Shembuj ka e prej tyre të udhëhiqemi. Në Kalivaç, mendja e mençur dhe burrëria kanë bërë të mundur shuarjen e mosmarrëveshjeve, madje dhe serioze. Në çdo rast të ngjashëm, filli i fisnikërisë është faktor i brendshëm e i pazëvendësueshëm. Le të mbështetemi tek fisnikëria dhe tek fisnikët e punët do të na shkojnë mirë e më mirë!