Dashamirësia është ndoshta tipari më i qenësishëm i banorëve të Kalivaçit të Tepelenës. Kjo nuk është dukuri e kohëve moderne, por ka qenë den babaden. Shprehje konkrete është solidariteti mes bashkëfshatarëve tanë. Ky shfaqet në forma të ndryshme dhe merr thekse të veçanta në dasma e gëzime. Në dasmë nuk ftohen të marrin pjesë të gjithë, përveç familjarëve, të afërmve, mëhallalinjve dhe miqve.
Megjithatë, një formë konkrete e dashamirësisë është dhe fakti: kur dëgjon krismën e pushkës që sinjalizon një dasmë, çdo kalivaças, kudo që të ndodhet dhe pavarësisht nga puna që ushtron në atë çast, mban frymën, ngre kokën lart dhe thotë: "Me trashëgime dhe me një djalë!" Kemi të bëjmë me një dashamirësi të pastër, të çiltër e pa paragjykime. Pas të hënës së parë, pas dasmës, gratë e fshatit, në bazë fisi apo si mëhallë, dynden në shtëpinë e dhëndrit, për të parë nusen e për të uruar të zotin e shtëpisë. Burrat, gjithashtu, kur ia kanë ngenë, sipas fisit, bëjnë të njëjtën gjë. Kur marrin kafenë nga nusja e re, sipas traditës, çdo njeri, qoftë burrë apo grua, detyrimisht darovit sininë me aq sa e ka të mundur. Kjo nuk është lëmoshë, as një detyrim zakonor i detyrueshëm, por një dashamirësi e mirëfilltë.
Solidariteti dhe dashamirësia kalivaçase janë më të dukshme në raste fatkeqe. Në këto raste nuk ka nevojë për lajmërim e për të bërë lista të ftuarish. Çdo njeri i përgjegjshëm, me iniciativë, e ndjen si domosdoshmëri t’i gjendet pranë të "helmuarit" dhe të përcjellë fatkeqin (fatkeqen). Përveç përcjelljes, sipas traditës, të nesërmen, ose në një ditë të justifikuar, kalivaçasit që në kohë të kohës kanë shkuar në shtëpinë e të ndjerit (të ndjerës) dhe kanë bërë ngushëllim. Ky është kujdesi i njerëzve të mirë ndaj atij që ka pasur një fatkeqësi. Mund të them se është solidaritet, tjetër emër nuk ka, kur tjetrit i jep kurajo dhe i përsërit të ketë durim se dukuria në fjalë nuk ka ngjarë e nuk ngjan për herë të parë tek ai.
Interesante është vajtja në shtëpinë e "të helmuarit" e 4-5 e më shumë njerëzve, njëherazi, të prirë nga më i moshuari. Sapo ulen në shilte dhe hedhin nga një paketë cigaresh, si shenjë e ngushëllimit, çdo njeri thotë: "Ia dha drurit; druri u ça; ia dha gurit; ai u shkërmoq; ia dha njeriut; ai e duroi!" Bëhet fjalë për dhimbjen që provon njeriu kur ndahet nga të dashurit e tij një i asaj shtëpie. Këtë formulë e përsëritin të gjithë, si në një paradë, dhe asnjeri nuk mërzitet. Çdo njeri e pranon, mbasi kjo formulë është e gjetur dhe ka ardhur deri tek ne, mbasi ka rrugëtuar gjatë.
Para se të ngrihen, burrat dhe gratë që kanë qenë për ngushëllim përsëritin: "Qyç e liga!" A nuk është dashamirësi kjo shprehje? Unë them: po!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.