Kur ishim fëmijë, gjyshet tona të mira, me atë dashurinë e çiltër të zemrave për pinjollët e familjes, të mitur, për të na vënë në gjumë, ose na përkundnin gjatë në djepet prej druri, ose, kur ishim në moshën që kuptonim ato që na thuheshin, na dëftonin përralla, të cilat na pëlqenin e i kërkonim me këmbëngulje, duke vënë në funksion armën e vetme që ka një fëmijë, të qarët. Në netët e gjata të dimrit, përrallat tona nuk ishin në këto nivele që janë sot, mbasi dhe gjyshet që na donin shumë ishin të pashkolluara e të "ndrydhura" nga jeta.

Nga sa më vjen në mend, njëra nga përrallat kishte për protagonist një kafshë mitologjike, kuçedrën me shtatë krerë, e cila kishte bllokuar ujin e njerëzisë. Duheshin prerë të shtatë krerët që ajo të lëshonte ujët e njerëzia të shpëtonte nga kjo fuqi e paparë. Nga ta dinin të mirat gjyshe se tok me opiumin e ndikimit të përrallës na futnin frikën nga fantazma mitologjike e kuçedrës.

Mirëpo, një protagonist tjetër i përrallës, një mirëbërës, gjithashtu mitologjik, i cili quhej Huxhi, u bë shpëtimtar i njerëzisë, duke i prerë kuçedrës së frikshme të shtatë krerët. Njerëzit u gëzuan e pinë ujin e munguar. Në përrallat e gjysheve tona të zgjuara natyralisht kishte dhe protagonistë të tjerë, zemërmirë e bamirës, si djali i vogël i shtëpisë; qerosi etj., etj. Thuajse të gjitha përrallat i bënin jehonë shpirtit të mirë, bamirësisë, bujarisë etj., të cilat i kundërviheshin ligësisë dhe fitonin. Me këto vlera na mëkuan gjyshet tona, të cilat nuk mund të harrohen; se e mira, ashtu si dhe e keqja, nuk harrohen; ndonëse historia të harron, kur e meriton!