Në vitet '50 të një shekulli më parë, në vendin tonë zhvillohej një luftë e ashpër klasash, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. Nëpërmjet grupeve të armatosura, që quheshin banda, me armë, synohej përmbysja e pushtetit që u vendos po me armë. Bandat qarkullonin në të gjithë territorin dhe, atje ku mundnin, bënin atë që dinin të bënin.

Për të minimizuar veprimtarinë e tyre, shteti i atëhershëm formoi reparte të specializuara ushtarakisht, për t’i ndjekur e asgjësuar ato. Në Tepelenë, u formua e funksionoi një repart i cili mori numrin konvencional: Reparti me Numër 84. Më pas, pati dhe emra e numra të tjerë, sipas kohës.

Në këtë repart, si fillim u rekrutuan burra të pjekur, trima dhe të besës; disa syresh ishin nga Kalivaçi i Tepelenës. Mbaj mend se në këtë grupim bënin pjesë kalivaçasit:

  • Tefik Bajram Isufaj;
  • Sulejman, Musa Bilaj;
  • Sulo Bajram Hysaj;
  • Fejzo Qazim Muharremaj;
  • Xheladin Ahmet Caushaj;
  • Beqir Sulo Sulaj; etj.

Këta ishin ushtarë me rrogë; disa syresh kishin marrë dhe fëmijët në Tepelenë, të cilët jetonin në kushte të papërshtatshme dhe me pagën e kryefamiljarëve. Kalivaçasit, me tiparet luftarake të tyre, i dhanë tonin jetës dhe veprimtarisë së këtij reparti special.