(Vlerat individuale të çdo kalivaçasi zbukurojnë gjerdanin e lavdisë së fshatit tonë)
Dera e Ramo Nebiut, në Hasanimeraj, është njëra nga më të fismet e më vlerashumë në Kalivaç të Tepelenës. Nga vlerat që bart, ajo i bën nder fshatit tonë, paçka se prej kohësh nuk banon në Kalivaç.
Pasardhësi i tij i vetëm, Azis Ramo Kalemaj, la pas një djalë – Mehmetin dhe dy vajza: Nasibene dhe Bejleren. Kur bëhet fjalë për pasardhësit meshkuj, në Kalivaç, ka qarkulluar e ka zënë vend slogani: “Një – po një…!” Vlerat e Mehmet Azis Kalemaj nuk kanë shans të diskutohen. Nëse mund të bëhet fjalë për një njeri, të kompletuar me gjithë të mirat, tek i cili ishte vështirë të gjeje ndonjë parregullsi, fizike dhe të karakterit, probabilitetin më të madh për të qenë i tillë, me siguri që e kishte Mehmet Azis Kalemaj. Me bindje, bazuar në njohjen personale dhe në rrëfimet e bashkëkohësve të tij, mund të them se ai mbetet një gur kilometrik në udhën e gjatë e të vështirë të fshatit tonë.
Nuk është se i kemi pasur me shumicë kontributorë si ai, vlerat e të cilëve kanë trokitur fort në dyert e historisë së Kalivaçit të Tepelenës. Në të shkuarën, të pajetuar prej nesh, kanë spikatur figura të shquara historike si ajo e Ormen Alliut; Sulo Beqirit e dinjitarëve të tjerë, të cilët, me bëmat e tyre i kanë zbardhur faqen vetes dhe fshatit tonë. Kryepleqtë si Cizo Selfo Agaj; Musa Mehmet Nelaj; Muharrem Qerim Alimehmetaj etj., besoj se nuk i kanë shtuar më pak lavdi historisë së fshatit tonë. Por, kryetarë të degëve ushtarake të rrethit, me sa dihet, kanë qenë vetëm dy: Zoto Halil Ramaj, në Ushtrinë Mbretërore dhe Mehmet Azis Kalemaj, në Ushtrinë Popullore.
Heroi i këtij rrëfimi, Mehmet Azis Kalemaj, pati një jetë interesante e plot me kthesa të papritura, intensive e me prirje atdhetarie, plot me larmi episodesh e me ngjarje dobiprurëse, për Kalivaçin. Mbi të gjitha vlerat e tij, si yll vezullues, në jetën e Mehmet Azis Kalemaj shndrin veprimtaria atdhetare gjatë Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, idealeve të së cilës ai u qëndroi besnik, derisa u nda nga jeta. Shpirti i tij prej atdhetari të kulluar, u pa qartë dhe në pjesëmarrjen aktive në luftën për çlirimin e vëllezërve tanë, të një kombi, në trojet shqipfolëse të ish-Jugosllavisë. Vlerë me vete është vënia në dispozicion të mjekimit dhe shërimit të partizanëve të plagosur e shtëpisë së Azis Ramos, në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo e bëri më të fortë atdhetarinë e asaj çerdheje e cila nuk u mjaftua me nxjerrjen prej saj të djalit të vetëm, partizan.
Njeriun e mirë Mehmet Azis Kalemaj, në fshatin e tij, në Kalivaç të Tepelenës, janë të paktë ata që e kanë njohur nga afër. Ka dhe nga ata të cilët vetëm sa e kanë dëgjuar, nga rrëfimet e të moshuarve, dhe natyrshëm kanë shtruar, me kureshtje, pyetjen: “Po ky mbiemër – Kalemaj, i cili është vetëm i një familjeje në Kalivaç, a ka rrënjë në fshatin tonë dhe cilat janë ato?”
Shpresoj shumë se edhe ky rrëfim, sido që është, do ta shuajë sadopak kureshtjen e lexuesit të nderuar e do të hedhë dritë mbi disa të vërteta të pakundërshtueshme. As që mund të vihet në dyshim — dhe kjo, mendoj se duhet fiksuar në mendjet e njerëzve — se Mehmet Azis Kalemaj e donte shumë Kalivaçin, i ka rrënjët aty dhe bëri më të mirën e mundshme, për prosperitetin e fshatit ku u lind e u mëkëmb. Mendoj se ia vlen të dihet se Mehmeti, gjatë gjithë jetës, nuk u përpoq vetëm për vete e për familjen e tij, por për mbarë shqiptarinë. Drithërohej për Kalivaçin, biri i denjë i këtij fshati plot lavdi dhe nuk linte rast pa e parë atë e pa shkelur në udhët e gurta ku nisi të hedhë hapat e parë.
Mehmet Azis Kalemaj u bë dikushi e arriti diku, si rrallëkush, me zotësinë, mençurinë dhe mbështetur në shpatullat e tij; ai ishte i mirë me të gjithë e për të gjithë. Të orvatesh për të numëruar tiparet e rralla të atij burri nuk është një punë e lehtë, nëse nuk e ke njohur fizikisht dhe për shumë kohë, në punë të përbashkët. Nëse do të rrëmoje për të gjetur tiparin karakteristik të tij, apo, siç thonë, rëndom, kryefjalën e tipareve, me siguri që do të shquaje mirësinë e zemrës së tij të bardhë e të gjerë dhe urtësinë që rrjedh nga geni. Më tej do të kemi mundësinë të njohim disa nga vlerat dhe tiparet e tij të qenësishme, mbi bazën e rrëfimeve të motrave: Nasibe e Bejlere; djalit – Sokol e nipit – Faik; bashkëfshatares Aishe e mjaft të tjerëve, si dëshmitarë okularë të tij. Vajza e Mehmetit – Sllavica; nusja e të birit të ndjerë – Ilirit dhe në veçanti vajza e motrës Nasibe – Adelina, sollën kujtime “perla” për jetën e heroit tonë. Ndihmesë të veçantë dha prof. dr. Vezir Fejzo Muharemaj.
Jetëshkrimi:
Mehmet Azis Kalemaj u lind në fshatin Kalivaç të rrethit të Tepelenës, më 6 shkurt të vitit 1923, në një familje shumë të varfër por tejet të ndershme, fisnike dhe atdhetare. Familja ku u lind e u mëkëmb Mehmeti ishte nga më të fismet në mëhallë e në fshat. Ajo nuk i përkiste mëhallës Ahmetaj, por i pari i tyre – Ramo Nebi Kalemaj zgjodhi për vendin më të përshtatshëm për të ngritur banesën e familjes tip kështjelle, pikërisht në krye të mëhallës Ahmetaj, disa metra mbi shtëpinë e nipit të tij, Mane Tafil Zenelaj. Manja ishte i biri i Shajbise, motrës së fisnikut Ramo Nebiu. Nuk ishte vetëm kjo lidhje që i jepte siguri nëpunësit të administratës turke, dëmçmuesit, Ramo Nebiu.
Në vendin ku u ngrit banesa, në atë kohë shtriheshin territoret kullosore të tij, kryesisht, për të dhirtat. Vetë plaku Ramo, si dëmçmues, nga ai pozicion e kishte si në pëllëmbë të dorës, të gjithë fushën e fshatit; buzën e lumit; kodrat rreth fushës dhe ullishtat. Kësisoj, ai, nga dritaret e banesës, pa dalë nga dera, mund të diktonte se diku po dëmtohej prona vetjake e bashkëfshatarëve nga keqbërësit. Pozicioni dominues i banesës ishte strategjik, sa i takon mbrojtjes, në ato kohë të trazuara dhe me honin poshtë që përfundonte në Përroin e Veldonit, fisniku e kishte më të lehtë të mbrohej. Nuk mund të nënvlerësohet fakti që Ramo Nebiu dhe familja e tij, në Ahmetaj ishin jo vetëm midis dashamirësve por dhe gjetën tek banorët më të afërt me shtëpi, siç ishin: Hysni Meta; Musa Mehmeti; Nelo Binua; Kamber Asllani etj., përkrahje dhe ngrohtësi.
Lidhje tjetër e shëndetshme e Kalemajve ishte ajo me Qamil e Shamet Sulo Malaj, të cilët ishin djemtë e motrës së Ramo Nebi Kalemaj. Pavarësisht se nga cili fshat kanë ardhur në Kalivaç dhe kur kanë ardhur, Kalemajt, si dhe fiset e tjera që kanë migruar në fshatin tonë, u përshtatën për bukuri dhe hynë në lidhje të natyrshme miqësie duke lidhur krushqi të pëlqyera, reciprokisht.
Dikur, Azis Ramua, la sarajet e babait, në krye të mëhallës Ahmetaj e ngriti një banesë me dy kate, me çati, në skajin jugor të bahçes së familjes së tij; diku sipër banesës së Sadik Xhemal Hysenaj, pranë udhës që të çon tek shkolla e fshatit, në periferi të mëhallës Hasanimeraj, pranë fisit të Muharremajve; një fis me ndikim në fshat. Vajtja pranë Muharremajve dhe lidhjet miqësore e shpirtërore me ta e forcuan më tepër pozitën shoqërore të Kalemajve.
Me qëllim që të tretet kureshtja e lexuesit të interesuar, lidhur me shkaqet që e bënë Azis Ramon të braktiste shtëpinë e babait, në krye të mëhallës Ahmetaj dhe të ngrinte ngrehinën dykatëshe në krye të bahçes së familjes së tij, po mjaftohem me këtë informacion: Sipas një bestytnie, të cilën e besonin dhe vetë Azis Ramua dhe të tijtë, plakut Ramo Nebiu nuk i rronin djemtë dhe fajtore për këtë ishte gjoja një mallkim që i kishin bërë shtëpisë së tij si fortesë. Dy djem të tij kishin vdekur, pikërisht nga “syri i keq”. Ata janë varrosur në udhën e verbër që të çon në shkollën e fshatit, mbasi lë pas të përpjetën sfilitëse, në krah të shtëpisë së Hysni Metes dhe anëkalon arishtën e Azis Ramos. Hashrat prej druri shege (dikur, në vend të arkivolit, trupi i të ndjerit varrosej me qefin të bardhë, mes copave të plota e të gjata të drurit, sipas ritit mysliman) që janë përdorur për varrimin e djemve të plakut Ramo Nebiu, siç duket kanë qenë prej shege me nyje nga të cilat kanë shpërthyer lastare. Prandaj, në mes të udhës së verbër, janë disa lastarë shege, të cilët, në vjeshtën e parë mbusheshin me kokrra të ëmbla dhe fëmijët që shkonin në shkollë, nëpërmjet asaj të përpjete që të merr frymën, pushonin pak dhe njomnin buzët, me frutat e ëmbla, të cilave nuk ua dinin historinë. Po ta dinin fëmijët e shkollës se poshtë udhës ku shkelnin, dikush “prehej”, me siguri që do ta anëkalonin atë vend të “shenjtë”.
Meqenëse ishte kështu, Azis Ramo Kalemaj, kur bashkëshortja e tij nga Shkoza Bejazja, ishte shtatzënë, në muajin e nëntë, që të mos lindte në atë shtëpi të nemur, e shpuri atë në shtëpinë e njeriut të mirë Hysni Mete Deraj, të cilin nuk e kishte gjak, por vetëm se ai ishte dashamirës ndaj Kalemajve dhe gjitonëve të tjerë. Dhe Mehmet Azis Kalemaj u lind në qoshen e djathtë të odës së bujarit zemërmirë Hysni Mete Deraj. Gege Shanikua dhe gratë e tjera të gjitonëve si Hysnija e Musa Mehmetit dhe vjehrra e saj Inxhi; Fatija e Kamber Asllanit; Jemineja e Malko Binos; Zadekua e Nelo Binos dhe gra të tjera të fisit, jo vetëm që asistuan lindjen e Mehmetit, por dhe u kujdesën për lehonën Bejaze. Kur lehona Bejaze mbushi 40 ditë nga lindja e djalit, xha Hysniu, e përcolli Bejazen, për në shtëpinë e saj, sikur ta kishte bijën e shtëpisë, me djep, me shpërgënj e me takeme të tjera të nevojshme për të porsalindurin dhe me gatim (çyrek e revani) e me dhurata për lehonën. Siç ishte tradita, në hejbet e Bejazes, kishte çyrek; revani dhe dhurata të tjera, sipas kohës. Ky lloj sjelljeje, i rrallë, jo vetëm për atë kohë, u bë shkak për lindjen e një miqësie të re mes dy familjeve, e cila vijon, sot e kësaj dite.
Në zbatim të kësaj ndodhie humane, miqësia e lidhur me këtë rast, mori jetë kur u rrit e u burrërua Mehmeti. Ai, edhe mbasi fitoi statusin e shtetarit me peshë (Kryetar i degës ushtarake të rrethit të Tepelenës), sa herë shkonte në Kalivaç, nuk harronte të kthehej tek oda e Hysni Metes, të ngjitte shkallët e gurta, të hapte derën e odës së bekuar e fatlume, kanate dhe të drejtonte gishtin tek qosheja e djathtë e saj ku ishte lindur. Fjalët e tij të kursyera ishin: “Këtu jam lindur unë dhe unë jam nga Kalivaçi i Tepelenës!” Siç dëfton Aishja e Jashar Hysniut dhe e Ajkos, kur u martua djali i madh i Mehmetit, Skenderi, baba Azizi e çoi çiftin e ri, në Kalivaç dhe, me këtë rast, Jashar Hysniu, i cili kishte ngjarë nga i ati për bujari e për respekt, shtroi një davet. Mes të tjerash, xha Azizi mentar e gojëtar i rrallë, iu drejtua nuses së Skenderit, me fjalët: “E vështron, moj bijë, se ku ke ardhur? A nuk të thashë se do të të çoj tek njerëz të mirë?”
Si djalë i vetëm i asaj shtëpie, i ardhur në jetë mes mjegullnajës së bestytnive dhe paragjykimeve të kohës, Mehmet Azis Kalemaj, u rrit mes përkëdhelive të familjarëve, dhe natyrshëm mori statusin e “pekulit” të asaj bashkësie. Si të gjithë bashkëmoshatarët, edhe Mehmeti u përkund në djepin prej druri të gdhendur me merak nga mjeshtri i këtyre punëve Asim Cali; u lidh me shpërgënj leshi, u ushqye me qull (miell gruri i verdhur në ballë të tiganit) e më vonë me trahana të thartë. Fëmijëria e Mehmetit erdhi e mbarë. Ai u rrit i shëndetshëm, topolak, i urtë, i dashur e shumë i bukur. Mirë më tha njëra nga mbesat e Mehmetit, Adelina, se: “Bukuria njerëzore, deri tek ai njeri shkonte…” Mjaftonte ta vështroje me kujdes portretin e Mehmetit, sidomos fytyrën e tij dhe nuk ishte e vështirë të shquaje tek ai një bukuri mashkullore, thuajse hyjnore, të zbritur në tokë që njerëzia rreth tij të ndihej mirë.
Nëse mund të bëhet fjalë për një njeri pa të meta, më duhet t’i referohem një kalivaçasi të zgjuar e të shkathët, i cili, në intervistën që më dha, theksoi: “Ai burrë (lexo: Mehmet Azis Kalemaj) nuk kishte asnjë të metë!” Secili e ka të drejtën të mendojë, sipas qasjes që ka ndaj problemit, por, jam i sigurt se ai që e ka njohur nga afër Mehmet Kalemaj, me siguri që kështu do të mendonte. Janë ekuilibra, të cilët i vendos vetë nëna natyrë, pa ndërhyrjen e njeriut. Geni, vërtet ndikon fuqishëm, por nuk mund t’i “thotë” të gjitha gjërat. Pamja gjithë nur dhe shpirti i tij i butë si dhe sjellja shembullore e tij ishin shkaqe që bënin të mundur përcaktimin si njeri të veçantë të djalit të xha Azizit; si në Kalivaç dhe në Shkozë ku ai ishte nip.
Edhe kur e takonin rastësisht në udhët plot me gurë, njerëzit kthenin kokën e dëftonin me dorë, nga ai: “Ja! Ky është djali i Azis Ramos!”
Babai i Mehmetit, Azis Ramo Kalemaj, ishte një fshatar i thjeshtë, fukara tek Zoti, por ai ishte i njohur, në fshat e në trevë, si njeri i drejtë, i ndershëm e shumë punëtor. Mehmeti trashëgoi nga i ati tiparet më të mira të karakterit: fisnikërinë e origjinës dhe nurin e bukur. E ëma, Bejazja gjithë nur, nga Shkoza, në këtë pleksje nuk mund të ishte pa ndikim të dukshëm. Baba Azizi, si mjaft bashkëfshatarë të tij me ekonomi të dobët, për të siguruar të ardhura për familjen e tij, kur pa se shpërblimi që merrte nga puna e yzmeqarit në dyert e të kamurve, ishte fare i pamjaftueshëm për të ushqyer familjen, e hodhi vështrimin larg, në Anadolin e asaj kohe, ku kishin emigruar të afërmit e tij si Qamil Sulo Malaj; Mane Tafil Zenelaj etj. si dhe shumë bashkëfshatarë nga Kalivaçi. Me një “kaposh” plaçka vetjake dhe me torbën me bukë, në krah, në vitin 1926, Azis Ramua mori udhën e mërgimit dhe atje, në Turqinë e largët e të ashpër, u punësua në punëra të rëndomta, të cilat i jepnin diçka më tepër të ardhura.
Me babanë në emigracion, Mehmeti u rrit e u edukua nën ndikimin e nënës fisnike dhe të afërmve të saj. Në formimin e tij të shëndetshëm, ndikim të fuqishëm patën gjitonët dhe miqësia kalivaçase dhe e fshatrave të tjerë.
Në vitin 1936, kur Mehmeti ishte 13 vjeç, në jetën e tij ndodhi një fatkeqësi e rëndë; u nda nga jeta, në mënyrë të papritur, Nëna e tij – Bejazja Zonjë. Djalit të vetëm të Azis Ramos, Mehmetit 13-vjeçar, si i madhi i tre fëmijëve, i ra një barrë e rëndë përsipër. Ai mbeti i pari i asaj familjeje dhe tani nuk do të përgjigjej më vetëm për vete, por dhe për dy motrat e tij: Nasibene – 3 vjeçe dhe Bejleren – 2 vjeçe. Zia pllakosi në familjen e Azis Ramos, pa praninë e tij. Një rrethanë tejet e vështirë u krijua për adoleshentin Mehmet Kalemaj.
Atij i duhej tashmë të mendonte si kryetar i familjes. Këmbora e rëndë që iu var në qafë ishte tepër e madhe për kapacitetet e tij mendore dhe fizike. Me tre jetimë nga nëna dhe me babanë në kurbet, jetesa e tërë familjes u vështirësua dhe megjithë dashamirësinë e gjitonëve dhe të afërmve, dalja nga ajo gjendje varej nga dy meshkujt e shtëpisë, nga Azis Ramua dhe nga Mehmet Azizi.
Heroi i këtij rrëfimi ndoqi udhën e Babait. Ai, fillimisht u pajtua yzmeqar tek të kamurit dhe, kur pa se nuk ia dilte dot me ato të ardhura të pakta, migroi, në Vlorë, ku u pajtua në një ndërmarrje të punëve botore italiane të quajtur “Haterike”, ku, gjithashtu punoi në punë të rënda për moshën dhe fizikun e tij. Por, ai mendoi kushtet e rënda në të cilat gjendej familja e tij dhe përgjegjësinë që ndjente për rritjen e dy motrave jetime, nga nëna, siç ishte dhe vetë. Vështirësia u shtua dhe për faktin se gjatë kohës kur ai punonte në punë të rënda, sfilitëse, i duhej dhe të shkollohej. Me shumë vështirësi dhe me ndërhyrjen e miqve të shumtë të familjes, Mehmeti u sistemua dhe vijoi mësimet e shkollës fillore, në fshatin Armen të rrethit të Vlorës.
Nuk ishte shkollim si ai që bënin bashkëmoshatarët dhe bashkëfshatarët e tij, në Kalivaç të Tepelenës, por kishte diçka të ndryshme; madje thellësisht tjetërsoj. Hoxha i fshatit Armen, një burrë i përkushtuar pas fesë dhe bamirësisë, nuk kishte fëmijë biologjikë. Ai pikasi tek Mehmet Kalemi, një djalë të urtë, të qetë, të dëgjueshëm dhe pa vese. Pamja e jashtme e tij, ajo bukuri fëminore-engjëllore, e shtyu hoxhën e fshatit Armen, ta merrte Mehmetin e vogël, në shtëpinë e tij dhe aty, në kushte shtëpie, ta arsimonte me mësimet e shkollës fillore.
Në punët e rënda që i duhej të përballonte në ndërmarrjen e punëve botore italiane, krahas të mësuarit në shkollë, Mehmeti ndjeu shtypjen dhe shfrytëzimin e egër kapitalist dhe ra në kontakt me idetë përparimtare të kohës. Të rinj të tjerë, me të cilët kishte kontakte pune dhe jete, mëkuan tek Mehmeti adoleshent urrejtjen për pushtuesit e huaj dhe dëshirën e zjarrtë për t’i shporrur ata nga vendi ynë. Në vitin 1942, kur ishte konturuar ideja e Luftës Nacionalçlirimtare, Mehmet Azis Kalemaj u kthye në vendlindje, në Kalivaç të Tepelenës, ku gjeti një terren të “zjarrtë”, shfaqje konkrete e të cilit ishte urrejtja për pushtuesit dhe gatishmëria për të rrëmbyer armët e për të luftuar për çlirimin e Atdheut. Ai u përfshi në radhët e të rinjve antifashistë të fshatit si Qemal Demir Alidervishaj; Halil Zoto Ramaj; Sinan Hasan Ramaj; Teki Sherif Zenelaj (Mucoimaj); Hamit Ziflo Pashaj; Jace Sadik Azizaj; Axhem Azbi Bakaj (Celaj); Selam Halil Malaj; Shamet Sulo Malaj; Muharrem Hasan Nelaj, etj. dhe, nën drejtimin e luftëtarit të regjur Sulo Beqir Sulaj, u përgatitën mendërisht dhe ushtarakisht, për të mbushur radhët partizane. Mehmeti, fillimisht u përfshi në njësitin territorial të trevës, i cili mori emrin “Verrikoll” dhe me formimin e çetës së parë partizane të rrethit të Tepelenës, çetës partizane “Selam Musai”, jo vetëm që u bë anëtar i saj, por dhe mori pjesë aktive në luftimet e zhvilluara në Mogilla të Vasjarit; në kthesat e rrugës automobilistike të Dorzës; në Qafën e Miricës etj., ku ai dhe shokët e tij “kolauduan” armët dhe ushtruan syrin dhe gishtin për të bërë qitje reale.
Kur u formua Batalioni partizan “Baba Abas”, më 10 gusht të vitit 1943, në Donije të Kalivaçit, Mehmeti u bë ndër të parët partizanë të këtij formacioni luftarak. Dita-ditës, djali i vetëm i Azis Ramos – Mehmeti, po kuptonte se vendi i tij i nderit nuk ishte shtëpia e tij, as fshati i Kalivaçit, por mali, udha e të cilit do të sillte lirinë e popullit.

Formimi i Brigadës së 6-të Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, pjesëtar i të cilës u bë Batalioni ku ishte rreshtuar Mehmeti, e bëri atë, menjëherë luftëtar të saj. Fillimisht, Mehmet Azis Kalemaj ishte në funksionin e partizanit të thjeshtë, vullnetar dhe, në mbarim të luftës, ishte në detyrën e komandantit të kompanisë. Pas 24 majit të vitit 1944, ai u gradua aspirant dhe si oficer i Ushtrisë Nacionalçlirimtare e më pas i Ushtrisë Popullore, shërbeu në reparte e në qytete të ndryshme, me detyra në rritje. Në luftë kundër pushtuesve fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre brenda vendit, Mehmeti partizan shfreu gjithë dufin e urrejtjes e të zemërimit që kishte akumuluar brenda vetes për armiqtë e popullit e të vendit të tij. Partizani Mehmet Kalemaj, si atdhetar i flaktë e si luftëtar i lirisë, në zjarrin e luftës u shqua, në të gjitha luftimet e betejat, jo vetëm për tiparet luftarake që përfaqësonte, por dhe për disa cilësi të rralla që shfaqi në fushën e luftës.
Mehmeti, në zjarrin e luftës, shpërfaqi vlerat e njohura të kalivaçasve si guximi e trimëria, mospasja frike nga vdekja, iniciativa luftarake, përkushtimi i rrallë, burrëria dhe qëndrueshmëria në çdo situatë dhe urtësia e tij biblike. Pushka e tij partizane u dëgjua në luftimet e ashpra për çlirimin e Tepelenës, në shtator të vitit 1943, në luftimet për Urën e Dragotit, në Shkallën e Zezë; në Kajcë e në Qafën e Kiçokut; në trevat e Lumit të Vlorës, ku mund të cilësohen mjaft të ashpra luftimet në Mavrovë, ku dhanë jetën disa partizanë nga Kalivaçi, si Muharrem Hasani e Hamit Azbiu dhe u plagos rëndë kushëriri i tij i parë Shamet Sulo Malaj. Të ashpra ishin dhe luftimet në Ploçë; në Vajzë; në Gorisht; në Kuç; në Golem; në Tendën e Qypit e kudo ku shkeli Brigada e 6-të Sulmuese; brenda dhe jashtë territorit të shtetit shqiptar të asaj kohe.
Më 10 tetor të vitit 1943, për tiparet e tij njerëzore dhe luftarake, Mehmet Azis Kalemaj u pranua anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, titull, të cilin ai, jo vetëm që e meritoi, por dhe e mbajti të pastër, derisa u nda nga jeta.
Mehmet Azis Kalemaj, në radhët e partizanëve të Brigadës së 6-të sulmuese luftoi me heroizëm, tashmë partizan i formuar e në detyrën e Komandantit të Kompanisë Partizane, luftoi dhe për çlirimin e shqiptarëve, që jetonin në trojet e tyre, në territoret e ish-Jugosllavisë, si në Kosovë dhe në Maqedoni. Kur në Ushtrinë Nacionalçlirimtare Shqiptare u vendosën gradat, më 24 maj të vitit 1944, Mehmeti, me meritë, mbi bazën e cilësive që shfaqi gjatë gjithë Luftës, meritoi gradën e aspirantit dhe gjatë karrierës së gjatë ushtarake të tij, ai mbërriti gradën e lartë të Nënkolonelit aktiv.
Në kohën kur partizanët që drejtoheshin nga komandant Mehmeti luftonin për çlirimin e qytetit të Ohrit dhe heroi ynë ishte në shoqëri me partizanët maqedonas, ai u njoh me dy vëllezër partizanë, trima, siç ishte rasti me Naxhinë dhe me vëllanë e tij, më të ri në moshë – Edipin. Ata ishin me kombësi shqiptare, nga shqiptarët e Maqedonisë. Familja e tyre ishte e kamur dhe fisnike; me emër në qytetin e Ohrit dhe në tërë Maqedoninë. Babai i tyre ishte hoxhë dhe pjesëtarët e familjes së tyre ishin me edukatë e me kulturë.
Në atë familje, ishte rritur, si lule e bukur, një vajzë gjithë nur dhe shumë e edukuar, vajza e hoxhës dhe motër e dy vëllezërve partizanë. Mehmeti bukurosh dhe në moshë për t’u “lidhur”, me qëllime serioze, duke hyrë shpesh në atë familje qytetare, u pëlqye dhe u fejua me atë vajzë, me emër tipik mysliman – Mynevere. Ajo, si gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, fliste në gjuhën turke dhe në atë serbokroate. Myneverja nuk dinte asnjë fjalë shqip. Këto dy gjuhë fliteshin në familjen e tyre qytetare.
Vëllai i Myneveres, Naxhiu, ishte me shumë nivel dhe trim. Ai, pas Luftës së Dytë Botërore u caktua në funksionin e lartë të Ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë dhe e donte shumë kunatin e tij – Mehmetin e Azis Ramos, nga Kalivaçi i Tepelenës. Jo për nurin e bukur të tij, por për vlerat njerëzore dhe tiparet burrërore-luftarake që kishte manifestuar, të cilat ia njihte e ia respektonte.
Dasma e Myneveres me Mehmetin u kurorëzua në Ohër, në shtëpinë e prindërve të Myneveres, me bekimin e babait të saj – hoxhë dhe të nënës praktikante. Nusja nuk u vesh me të bardha, siç ishte tradita e siç do të donin të dyja palët. As me shumë krushq nuk vajti dhëndri për të marrë nusen, me shumë zhurmë e me krushq çakërqejf që komunikonin me njëri-tjetrin me zë të lartë, nga ata që pinë raki e qëllojnë në ajër me armë të hipur mbi kuaj. Lufta e Dytë Botërore, e cila sapo kishte përfunduar, për Mehmetin dhe për njerëzit e shtëpisë së nuses, vinte akoma me krisma e shpërthime në veshët e tyre. Oshëtima e pushkëve partizane u vinte e freskët njerëzve të Myneveres dhe atyre të Mehmetit.
Me vështirësitë e kohës, rrugëtimi i çiftit të ri, për në Shqipëri, nuk u bë i mundur menjëherë pas dasmës dhe udha buzë liqenit nuk u bë vetëm me makinë. Një copë udhë, ata e bënë, me makinë; herë rrugëtonin të hipur në kuaj, pati dhe pjesë rruge të cilat u përshkuan në këmbë. Pengu më i madh për Mehmetin, i cili i njihte dhe i respektonte traditat e trevës nga vinte, por që nuk e zbehu fare tërë atë gëzim të ligjshëm të tij, ishte fakti se, në Kalivaç, ai kishte lënë babanë, dy motrat dhe farefisin, të cilët donin, me gjithë shpirt t’i gëzoheshin djalit të tyre, sipas mënyrës tradicionale.
Në vitin e parë të pasluftës, i cili ishte mbërthyer fort në shifrat 1945, çifti i ri: Mynevere dhe Mehmet Kalemaj, u vendos në qytetin e Korçës, në një shtëpi tregtarësh, në zonën prapa kinemasë “Moraves”, atje ku ka ndërtuar vilën luksoze, kirurgu i njohur – Sotir Polena. Shtëpia ku u sistemua çifti i ri, përbëhej nga dy dhoma të mëdha, të shtruara e të rregulluara, bukur. Mehmeti ishte në shërbim, oficer, në repartet ushtarake të garnizonit të Korçës. I duhej shtëpia e madhe djalit të xha Azis Ramos. Ai, si njeri me shpirt human e me zemër të madhe, në shtëpinë që i dhanë, sistemoi bashkëshorten, e cila, shpejt lindi një vajzë, të cilës, burrë e grua i vunë emrin e kuptimtë: Liri.
Babanë e ve, Azis Ramon, Mehmeti nuk mund ta linte në Selenicë e vetë të qëndronte në Korçë. Ai ndjente detyrime morale dhe materiale për atë baba i cili rrezatonte vetëm mirësi. Më pas, në shtëpinë e Mehmetit, në Korçë, u sistemuan dhe motrat, të cilat ai i donte e i respektonte, aq shumë. Ai e kuptonte statusin e tyre të jetimit, si një amanet të Nënës së ndjerë, dhe ishte betuar në vetvete se do të kujdesej, për to, çfarëdo që të ndodhte. Rrallë gjendet në jetë një vëlla i cili i do aq shumë motrat; e kundërta është e natyrshme.
Mehmet Azis Kalemaj, edhe në këtë drejtim ishte i veçantë e i papërsëritshëm. Të dyja epitetet i shkojnë shumë për shtat atij njeriu. Ndoshta mund të jetë unikal rasti i tij i bashkëjetesës së një çifti të sapomartuar, së bashku me babanë, të ve dhe me dy motrat, njëra nga të cilat kishte mbetur, gjithashtu e ve dhe kishte dy jetimë: Sanijen dhe Faikun. Dy vjet qëndroi motra Nasibe, së bashku me fëmijët në shtëpinë e Mehmetit, derisa u lirua nga ushtria i fejuari, në një qytet interesant e të panjohur për vetë “heroin” e këtij rrëfimi.
Pas martesës me Myneveren, Mehmeti vajti i vetëm, pa nusen, në Kalivaç. Ishin vitet e para të pasçlirimit dhe bashkëfshatarët e tij kishin trashëguar nga tradita shumëvjeçare, mjaft mentalitete të së kaluarës të cilat kishin hedhur rrënjë në ndërgjegjen e tyre. I vinte zor dhëndrit të ri të shkonte pranë të tijve, pa nusen e shumëdëshiruar e të shumëpritur prej tyre, por e përballoi sfidën, me karakterin dhe tipin e tij të qetë e me mençuri. Ai kishte lidhur martesë me një vajzë të një shteti tjetër, e cila nuk dinte fare shqip dhe trashëgonte nga familja ku ishte rritur, të tjera mentalitete.
Në vitin 1947, Myneverja lindi një vajzë. Ishte fëmija i parë i çiftit, i cili erdhi në jetë në vitet kur Shqipëria gëzonte lirinë. Atmosferës së gëzuar që sundonte në familjen e Mehmet Kalemajt iu shtua dhe një tjetër kënaqësi; ardhja në jetë e vajzës, e cila kishte marrë emrin simbolik: Liri. U shtua familja e u rritën gëzimi dhe kënaqësia e pjesëtarëve të saj. Baba Azizi dhe vetë Mehmeti do të dëshironin që fëmija i parë të ishte djalë.
I tillë ishte mentaliteti i kohës, por ata “nuk e prishën zemrën”, duke menduar se familja e re sapo kishte nisur “udhën” dhe se Liria “do ta hiqte këmbën zvarrë” duke sjellë edhe djem e vajza të tjera.
Kur Liria ishte gjashtëmuajshe, në prag të prishjes së marrëdhënieve partiake dhe më pas atyre shtetërore, të Shqipërisë me Jugosllavinë, Myneverja, me shumë vështirësi nxori një leje kalimi për në Ohër, ku kishte prindërit dhe vëllezërit. E kishte përvëluar malli të mirën Mynevere, për të sajtë që jetonin në anën tjetër të kufirit ujor. Në atë vit, ishin lëkundur shumë lidhjet mes dy shteteve dhe prognoza e tyre nuk ishte premtuese. Vëllai i madh i Myneveres – Naxhiu, për shkak të detyrës shtetërore me rëndësi që kryente ishte në dijeni mbi zhvillimin e pritshëm të ngjarjeve, prandaj e këshilloi kunatin dhe motrën të niseshin sa më parë për në Shqipëri. U tha; u bë.
Myneverja dhe vajza u kthyen në Korçë dhe kur Liria mbushi nëntë muaj, Mehmeti; Myneverja dhe Liria e vogël, të shoqëruar nga baba Azizi, morën udhën e gjatë e të vështirë për të shkuar në Kalivaç të Tepelenës. Myneverja kishte dëgjuar nga bashkëshorti për atë fshat të largët, në një trevë të panjohur, me tradita të lashta e me zakone që ngjanin disi me ato që la në Ohër. Por, gjithsesi, vetëm kureshtja dhe emocionet se po shkonte në një vend e mes atyre njerëzve që ngjajnë me ca shkëmbinj të shkëputur nga bokerrima, të fortë e të paepur dhe me shpirt njeriu ia shtonin padurimin dhe emocionet atij “engjëlli”. Mezi priste të njihej nga afër me atë realitet të paparë nusja nga shqiptarët e Maqedonisë e cila ishte rritur në të tjera kushte ekonomike, kulturore e pasurore.
Çifti i ri dhe vajza e tyre e vogël Liria u sistemuan si mysafirë në familjen e kushëririt të parë të babait të Mehmetit, në Beqiraj, tek Qamil Sulo Malaj. Ata ishin mysafirë të preferuar në “shtëpinë e tyre”. Them kështu mbasi Qamili ishte nip (djalë i motrës) i Ramo Nebiut. Ishte hera e parë që nusja e re shkonte në një shtëpi fshati, të ngritur me gurë të bardhë gëlqerorë, të skalitur, me dy kate (në katin e parë ishte katoi ku mbarështoheshin kafshët dhe bagëtitë) kurse në katin sipër banonin njerëzit. Ashtu si në familjen e saj në Ohër, Myneverja pa, me sytë e saj dhe ndjeu kujdesin e jashtëzakonshëm të të zotëve të shtëpisë dhe grave të fisit, të cilat e rrethuan atë, me dashuri e përkujdesje të paprovuar.
Myneverja kishte dëgjuar për mikpritjen e shqiptarëve të këtyre anëve, por tashmë e preku atë, në të gjithë dimensionin e saj. Ajo, vërtet nuk nusëroi, siç bënin nuset e ardhura rishtaz në atë fis, por u ul këmbëkryq, në vatër, mbi një shilte të thurur me dorë, u pështet pas jastëkut, hëngri mish qengji të pjekur në hell, bisedoi lirshëm e për probleme nga më të ndryshmet; u ekzaltua, kur iku e i dhanë me vete shumë dhurata. Qamil Sulua ishte i ve. Bashkëshortja e tij, ashtu si Nëna e Mehmetit, ishte ndarë nga jeta, para shumë viteve dhe i kishte lënë atij një vajzë, jetime nga nëna – Hamidene bukuroshe. Vëllai i tij, Shameti, i cili u plagos rëndë, në betejën e Mavroves dhe i shpëtoi vdekjes vetëm falë kujdesit mjekësor të mjekëve të Koalicionit Antifashist, në vendin përtej detit, akoma nuk ishte martuar me Shazen.
Gratë e fisit Malaj, të cilat drejtoheshin nga dy Bejazet e Danet, bënë të pamundurën për t’i krijuar nuses së re një atmosferë sa më të këndshme e miqësore dhe kushte të atilla që të mos e ndiente distancën, nga Korça dhe nga Ohri.
Qamil Sulo Malaj ishte një burrë shtatlartë, me pamje kreshniku e me veshje tradicionale si të bashkëfshatarëve të tij kalivaças dhe me qylahun e bardhë me majë sipër, në kokë, si simbol i veshjes tradicionale labe, të cilin nuk e hiqte nga koka. Qamili ishte atdhetar i “kulluar” dhe burrë i mençur e trim. Kur u formua batalioni partizan “Baba Abaz”, në Donije të Kalivaçit, më 10 gusht të vitit 1943, Qamil Sulua u ngrit i pari e tha: “Më shkruani mua, të parin për të dalë në mal”, dhe kryesoi listën e partizanëve kalivaças, të cilët dolën vullnetarë, të cilët fillimisht ishin 52 djem e burra. Ai, për shkaqe ekonomike kishte emigruar disa vjet në Anadol dhe e zotëronte mjaft mirë, gjuhën turke. Këtë e kisha dëgjuar kur bisedonte me Hysnijen e Musa Mehmetit dhe me Banush Xhezon, nga Ahmetajt, me të cilët kishte lidhje miqësie.
Kështu që Myneverja, edhe pse nuk dinte shqip, me të zotin e shtëpisë komunikonte në turqisht. Azis Ramua, vjehrri i Myneveres, zotëronte gjuhën turke, kurse Mehmeti komunikonte lirshëm në serbokroatisht. Ky fakt ia shtoi kënaqësinë Myneveres, e cila, edhe ashtu, pa ditur shqip, ndihej si në shtëpinë e saj, mes mikpritjes kalivaçase, të cilën, ajo e shijoi, pa kufizim.
Mendoj se duhet theksuar një fakt domethënës, nga jeta dhe nga lidhjet e afërta e të sinqerta të familjes së Azis Ramos me atë të Qamil Sulos. Kur erdhi nga emigracioni i gjatë, që pati, në Turqi, si bashkëfshatarët e tij dhe jo vetëm, siç dëftojnë bashkëkohësit, Azis Ramua solli shtatë mushka me plaçkë. Po çfarë sillnin kurbetlinjtë nga Turqia? Tesha për fjetje; rroba për shtrojë; sixhade me pamje të bukura, të punuara “hollë”, të cilat i varnin në mure, enë kuzhine: (tepsi, sini, filxhanë, komplete për të larë duart, lugë, thika etj.); enë bakri, si kazane, kusi, jamake, tenxhere etj. etj. Kur u largua nga Kalivaçi, për të shkuar në Korçë, pas djalit, Azis Ramua, me bujarinë e shpirtit si det, ia fali të gjitha ato që pruri nga kurbeti, kushëririt të tij – Qamil Sulos. Xha Azizi mori me vete vetëm një batanije-qilim në ngjyrë të kuqe dhe disa sixhade muri, të bukura.
Myneverja, si amvise e rregullt e mjaft e pastër, u kujdes për t’i larë sixhadet dhe batanijen e kuqe. Ajo, pas larjes, i nderi ato që të tereshin, në tel, në oborrin e shtëpisë, por dikush vuri dorë mbi rrobën e kuqe dhe ajo u zhduk nga teli. Myneverja, e cila nuk dinte shqip, u ankua tek gratë gjitone, me shpresë se mos e ndihmonin për të gjetur rrobën. Me një shqipe gjysma-gjysma, por të thënë bukur (të llastuar), Myneverja u drejtua gjitonëve, me “këmbë e me duar” dhe me disa fjalë të cilat sqaronin situatën dhe rrëfenin ankesën: “… morën i kuqi i Azizit…!” Mes atij shqetësimi të ligjshëm të amvises Mynevere Kalemaj, ato që e dëgjuan këtë ankesë, mezi e mbajtën të qeshurën, por, edhe në atë mënyrë, mesazhin e morën, të qartë: Dikush kishte rrëmbyer nga teli, rrobën e kuqe që kishte prurë plaku i shtëpisë, Azis Ramo Kalemaj, nga kurbeti.
Pas vizitës së parë në Kalivaç, Myneverja, nusja e Mehmet Azis Kalemaj, u kthye në Korçë, me një mendim të qartë e të vetin për jetën e atyre fshatarëve dhe sidomos lidhur me mikpritjen kalivaçase. Asaj i la përshtypje “ëmbëlsia” e fjalëve të kalivaçasve dhe grave të tyre. Gratë që gjeti në Kalivaç, të cilat e rrethuan me dashuri, në çdo rast e vështronin në sy, bisedonin me të sikur të njiheshin prej kohësh dhe donin të mësonin prej saj, ndonjë risi, lidhur me sjelljen e femrave të Ohrit, në marrëdhëniet pasmartesore e në përgjithësi për respektin që ato kishin për burrat. Bisedat e lira, mes tyre, nxorën në pah se disa gjëra, në të dyja anët e kufirit, ishin me natyrë të njëjtë. Ky fakt i afroi më tepër të ardhurat në Kalivaç, pas martesës me vendas.
Më tepër se mikpritja, Myneveren e mrekulloi përcjellja që i bënë kalivaçasit. Gratë e fisit, veç të puthurave e përqafimeve që i dhuruan, në çastin e ndarjes, e mbushën atë me dhurata: për vete, për Mehmetin dhe të Atin si dhe për dy kunatat që kishte në shtëpi. Këtë “mrekulli kalivaçase”, Myneverja nuk kishte për ta besuar, pa e përjetuar.
Për vlerat e fisnikes Mynevere Sulejmanovicit (Kalemaj, pas martesës), do të mjaftonte vetëm një fakt. Kemi parë e dëgjuar që janë të rralla kunatat kur jetojnë në një derë. Ca më tepër e vështirë bëhet gjendja kur njëra syresh është e palidhur, si në rastin e Bejleres dhe tjetra me dy fëmijë jetimë, në moshë të mitur, siç kishte ardhur, pas një fatkeqësie, motra Nasibe. Këtyre faktorëve të pafavorshëm u shtohej dhe fakti që në familjen e Mehmet Azis Kalemaj, jetonte dhe i moshuari Azis Ramo, i mbetur i ve, prej kohësh. Edukata e shëndoshë familjare, kultura e të jetuarit në komunitet dhe shpirti i mirë i asaj gruaje, pa zënë në gojë durimin dhe tolerancën e saj, e bënë të mundur një bashkëjetesë të vështirë dhe jo në pak kohë.
Myneverja erdhi në atë familje si fat i saj dhe si një engjëll mbrojtës, menaxhoi jetën e atyre njerëzve të mirë. Me ndërmjetësinë e mikut të familjes Kalemaj, nga Krahësi, burrit të fisëm e me ndikim në trevë – Gani Tafil Ramaj, Nasibeja e bukur, u lidh me një burrë nga Koshtani i Tepelenës i cili vinte pas një martese fatkeqe. Bejlerja e shoqëroi të vëllanë, në çdo rreth të Republikës ku ai vajti me detyra dhe u lidh me një ushtarak nga Kalaja e Dodës, me ndërhyrjen e kalivaçasit Caush Hamit Muharremaj, i cili ishte oficer karriere, me detyrë në Kukës.
Nusja shqiptaro-maqedonase që lidhi martesë me Mehmet Azis Kalemaj, jo vetëm prej dashurisë me të cilën u lidh, por dhe falë tipareve vetjake mjaft të pëlqyeshme për të të bashkëshortit të rrallë, ishte mjaft e kënaqur nga të gjitha rrethanat, me përjashtim të mallit që kishte për njerëzit e saj përtej liqenit, të cilëve nuk kishte mundësi t’u gjendej pranë, në raste fatlume dhe në fatkeqësi. Politikat e izolimit e të vetizolimit kishin prerë çdo lidhje mes dy anëve të kufirit shqiptaro-jugosllav. Myneverja, edhe pse nuk e thoshte, e ndjente dhe e vuante këtë situatë. Ajo, vetëm pas më se 30 vitesh, u takua me vëllanë e madh, Naxhinë, disa minuta, përballë hotelit “Dajti”, në vitin 1973, kur Naxhiu erdhi në vendin tonë me statusin e diplomatit. Takimi i shkurtër me të vëllanë, nën një monitorim të rreptë, vetëm sa e ndezi zjarrin e dashurisë së gruas nga Ohri, të martuar me një kalivaças.
Në takim ishin dhe Sllavica me bashkëshortin, vajza e tyre 9-muajshe dhe Skenderi student. Në atë kohë Mehmeti banonte në Tiranë dhe Myneverja punonte si përkthyese nga serbokroatishtja, në Ministrinë e Mbrojtjes.
Fëmijët që lindën nga martesa e Myneveres me Mehmet Kalemaj: Liria; Skenderi; Sllavica; Iliri dhe Sokoli, u lindën në qytete të ndryshme, aty ku babai i tyre ishte me detyra ushtarake. Mehmet Azis Kalemaj e nisi odisenë e transferimeve, nga qyteti i Korçës, në atë të Tiranës; në Kavajë, në Shkodër, përsëri në Tiranë, në Burrel dhe së fundi në Tepelenë, ku ishte në detyrën e Kryetarit të Degës Ushtarake të rrethit, deri në vitin 1956, kur u lirua nga kjo detyrë dhe nga ushtria.
Mehmet Azis Kalemaj ishte human dhe dashamirës. Këtë e thonë shumë njerëz; si nga ata që e kanë njohur personalisht atë burrë dhe nga të tjerë që vetëm sa kanë dëgjuar për të. Mendoj se këtë vlerë të Mehmetit, e ka shprehur qartë e saktë, një bijë nga Kalivaçi – Aishe Jashar Deraj (Malaj), e cila, në vitet 1961-1964, vazhdonte shkollën shtatëvjeçare dhe banonte në konviktin e Tepelenës, me bursë të plotë shteti. Mehmeti, në atë kohë banonte në qytetin e Tepelenës dhe kryente detyrën e Kryetarit të Degës Ushtarake të rrethit. Ja si e kujton atë kohë vetë Aishja: «… Familja e Mehmet Azis Kalemaj, ka qenë njëra nga miqtë më të vlerësuar të shtëpisë sonë. Vetë Mehmeti ishte lindur në qoshen e djathtë të odës së gjyshit tim – burrit të ndershëm e të urtë Hysni Mete Deraj. Kur Nëna e Mehmetit, Bejazja, ishte shtatzënë, në muajin e nëntë të shtatzënisë, familjarët e saj e prunë, për të lindur në shtëpinë tonë, për arsye se fëmijët e asaj familjeje që lindnin në trojet e saj, nuk e kishin pasur jetën të gjatë. Bejazja, së bashku me djalin që “sapo kishte dalë nga ditët”, kur kaluan 40 ditë, nga lindja e Mehmetit, të dy, foshnja dhe lehona shkuan në konakun e tyre, tek shtëpia e Azis Ramos. Bujarët e familjes sonë, e përcollën lehonën dhe djalin me plot dhurata; për vete, për të birin e sapolindur dhe për pjesëtarët e tjerë të familjes së Azis Ramos, sikur ta kishin bijën e tyre biologjike.
Familja e Azis Ramos me atë të Hysni Metes nuk ishin në lidhje gjaku; as të së njëjtës mëhallë. Ata i lidhte qenia pranë njëri-tjetrit me shtëpi dhe ndershmëria e bujaria e fisnikut Hysni Meta, i cili njihej në fshat, si bartës i këtyre vlerave të rralla. Siç jemi mësuar të dëgjojmë: “e mira shpërblehet me të mirë dhe të mirën hidhe në det, se ajo del vetë në steret…”. E pruri rasti të njihem nga afër me familjen “model” të Mehmet Azis Kalemaj, kur ajo banonte në qytetin e Tepelenës e unë isha konviktore, në këtë qytet. Kjo ka ngjarë në vitet e largëta 1961-1964, por mua më ka lënë mbresa të pashlyera.
Në vitin 1961, ndiqja mësimet e klasës së pestë, si konviktore. Kushtet e jetesës në konviktin e asaj kohe ishin të vështira, si për djemtë e në veçanti për vajzat. Isha akoma e parritur e, në atë qytet nuk kisha asnjë njeri të sojit tim. Vija nga fshati, isha e padalë dhe ndjeja nevojën e përkrahjes. Sikur ma dërgoi i plotfuqishmi i jetës, e, në ato çaste të vështira, m’u gjend pranë familja e mrekullueshme e Mehmetit.
Nënë e babë m’u bë e zonja e shtëpisë, gruaja me zemër të madhe, shqiptaro-maqedonasja - Mynevere Sulejmanovic Kalemaj. Sapo morën vesh që unë isha në konvikt, të dy, Mehmeti dhe Myneverja, erdhën menjëherë dhe, me drejtorinë e konviktit bënë një marrëveshje fjale, sipas të cilës, në çdo fundjavë unë të isha në familjen e tyre fisnike. Me drojën e një vajze fshati të moshës sime dhe me çiltërsinë e të qenit nga një familje e thjeshtë fshati, por fisnike, hyra në atë familje ku gjeta jo vetëm kushte më të mira për të jetuar, por dhe ndjeva një ngrohtësi që më duhej. U ndjeva sikur isha tek Ajkua ime e tek Jashar Hysniu, të cilët i kisha lënë rreth 50 km larg.
Liria, vajza e madhe e tyre, dhe Sllavica m’u bënë motra e shkuar motrës; Skenderi dhe Iliri, dy djemtë e asaj familjeje, m’u gjendën si vëllezërit që kisha lënë në Kalivaç. Sllavicen e kisha bashkëmoshatare e me të qëndroja më gjatë. Fillimisht më priti Baba Azizi. Baba i flisnin të gjithë në atë familje, si të rinjtë e të rriturit, atij burri fisnik e zemërbardhë, i cili, për fat të keq, kishte mbetur herët pa grua.
Pas tij erdhi nga puna e zonja e shtëpisë, Myneverja, të cilës, fëmijët e saj dhe familjarët, të cilët e donin dhe e respektonin shumë, i thonin: Tati. Në atë familje unë gjeta çdo gjë që i mungonte në konvikt, një vajze të moshës 10-vjeçare, të statusit tim, të cilat konvikti i asaj kohe, ua plotësonte. Përveç kushteve të tjera, në atë familje, gjeta ngrohtësinë e nevojshme, për një fëmijë që është larg familjes biologjike.
Në atë familje mbretëronin harmonia, dashuria për njëri-tjetrin, mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjelltë. Rregulli dhe hierarkia në familje ishin të përhershëm. Më të rriturit respektoheshin në mënyrë të përkryer dhe me bindje nga më të rinjtë. Edhe të rriturit kujdeseshin shumë për ata që ishin më të rinj në moshë. E zonja e shtëpisë, Myneverja, pa mëdyshje ishte një Zonjë e Madhe në tërë kuptimin e kësaj fjale.
Ajo, jo vetëm që menaxhonte familjen, por ishte dhe një pastërtore e amvise për së mbari. Në familjen e Mehmet Kalemaj, nuk bëhej asgjë, pa mendimin dhe pa kaluar nëpër duart e Myneveres. Ajo merrej me edukimin e fëmijëve, me veshjen adekuate të tyre, priste e përcillte miqtë e shumtë të asaj shtëpie bukëdhënë dhe, çka duhet theksuar, kujdesej në mënyrë të veçantë për Baba Azizin, i cili jetonte në dhomën e tij ku nuk i mungonte asgjë. Petkat e tij ishin gjithnjë të pastra; shtrojet e mbulojet – gjithashtu. Myneverja ishte e ardhur në vendin tonë, por me zgjuarsinë e saj dhe me dashamirësinë që shpaloste, u përshtat shumë shpejt me traditën, me zakonet dhe mentalitetin e trevës.
Ajo mësoi, edhe gjitonët; gratë me të cilat ishte në kontakt, me mënyrën e re të të jetuarit. Së bashku me Mehmetin, me të cilin e lidhte një dashuri e pastër dhe e çiltër, ajo grua për t’u pasur zili, kishte formuar një “çerdhe” të ngrohtë familjare ku çdo gjë ishte në vendin e vet. Ndrinte shtëpia e saj, në çdo kohë. Dashamirësisë dhe humanizmit që gjeti, ajo i shtoi kulturën dhe edukatën e shëndoshë të cilat i ishin rrënjosur në familjen ku ishte rritur. Myneverja, në Tepelenë, punoi kuzhiniere dhe gjellët e saj ishin me shumë shije orientale sa njerëzit që ushqeheshin nga duart e saj “lëpinin gishtat”!
Në një rast, si amvise e mirë, Myneverja doli për të blerë një këndez, të freskët, për të kënaqur mysafirët e nderuar që ishin të vazhdueshëm në shtëpinë e saj. Ajo e kishte mësuar shqipen vetë dhe e fliste gjysma-gjysma. Me këmbë e me duar po përpiqej t’i shpjegonte fshatarit se donte të blinte një gjel, por nuk i dinte emrin dhe i tha: “Dua burri i pulës!” Qeshi fshatari dhe e kuptoi çfarë donte të blinte klientja.
Kur ua tha shoqeve, e sinqerta Mynevere, ato vunë buzën në gaz e nisën ta ironizonin. E kuptoi ironinë e tyre, gruaja nikoqire dhe nuk vonoi t’u kthente përgjigje: “Ksehasuni ju me fjalët e mia, por ju nuk i thoni dot ato, siç i them unë!”»
Aishja vijon rrëfimin: «Mbresë të veçantë më la respekti që kishin, të gjithë pjesëtarët e asaj familjeje, për Baba Azizin. Atë nuk e respektonte vetëm i biri – Mehmeti, por i madh e i vogël. Ishte për t’u dashur e për t’u respektuar ai goxha njeri. Kur hynin në shtëpi, Mehmeti, Myneverja dhe fëmijët, pyetja e parë që bënin ishte: “Si është Babai?” “A ka ngrënë?” etj. etj. dhe, të gjithë kujdeseshin që Baba Azizit të mos i mungonte asgjë. Nuk më largohet nga mendja, mënyra e komunikimit mes pjesëtarëve të asaj familjeje me njëri-tjetrin. Të paktën në ato tre vite që isha pranë tyre, në Tepelenë, nuk dëgjova, qoftë edhe në një rast të vetëm, të flitej me zë të lartë. Ata komunikonin me zë të ulët, thuajse merreshin vesh me gjuhën e trupit. Në atë familje çdo gjë ishte në vendin që i takonte; rrëmuja ishte vetëm në fantazinë time. Vetë Mehmeti, për shkak të detyrës dhe të përkushtimit që kishte për të, në familje vinte vonë, në mbrëmje. Ai, sapo hynte tek dera e shtëpisë, akoma pa u ulur, pyeste: “Si është Babai?” dhe qetësohej e rehatohej, vetëm kur mësonte se i Ati ndihej mirë. Kur vinte në shtëpi Mehmeti, asaj “i qeshte nuri”. Mehmeti ishte i urtë, i dashur, human dhe autoritar. Ai nuk ishte nga ata që e vendosin autoritetin me imponim, por me bindje dhe me fjalën e mirë në gojë. Nuk ishte nevoja të ngrinte zërin, Mehmeti; atë e vështronin në sy, të gjithë familjarët, të cilët bënin siç thoshte ai.
Në shtëpinë e Mehmet Azizit, në Tepelenë, kur shkoja si mysafire, e ndjeja veten si në vatrën time, në Kalivaç, sikur kisha pranë Ajkon time që e doja shumë dhe Jasharin, i cili, më donte dhe e doja, jashtë mase. Atje gjeta të gjitha kushtet për të plotësuar nevojat vetjake si vajzë e asaj moshe. Myneverja më trajtonte sikur të më kishte vajzën e vet. Ajo kishte lindur dy vajza e më mësonte si të vishesha, si të gatuaja e si të sillesha, sikur të isha bijë e saj, biologjike. Nuk më ndante nga bijat e saj, por më rrethonte me dashuri e me këshilla që më kanë vlejtur gjatë gjithë jetës.
Ajo më plotësonte dhe ndonjë dëshirë fëmijërore të ekzagjeruar, më gatuante gjellë me shije, nga ato që preferoja shumë dhe për të cilat isha e malluar. Fisnikëria e saj dhe edukata e shëndoshë që kishte marrë në familjen ku ishte rritur dukeshin në çdo qëndrim të saj, brenda familjes dhe në komunitetin ku jetonte.
Interesant ishte qëndrimi i Baba Azizit. Edhe unë, si familjarët e tij, u mësova t’i drejtohesha: Baba, atij njeriu të cilit fisnikëria i shquhej sikur ta kishte të shkruar në ballë. Siç kujdeseshin për të familjarët e tij, edhe ai kujdesej për të ardhurit e në veçanti, për mua, që isha e parritur dhe pa përkrahje në atë qytet të gurtë. Një të shtunë, mbasdite, kur shkova në shtëpinë e tyre, mbasi u rehatova në kuzhinë, Baba Azizi erdhi, qetë-qetë, dhe më kapi për dorë. Ai më çoi në dhomën e tij e më tha: “Bijë e Babait, të kam përgatitur një surprizë”; dhe shtypi një buton e nga një si kuti, e bukur, të cilën nuk e kisha parë më parë, buçiti kënga labçe e cila më pëlqente shumë.
E njihte këtë dëshirë timen, plaku i mençur Azis Ramo, prandaj ma kishte bërë gati surprizën e vazhdoi: “E dinim që të pëlqejnë shumë këngët labçe, prandaj i grumbulluam, apostafat për ty!” U gëzova shumë e mend fluturoja, nga kënaqësia. Ishte me të vërtetë një surprizë e këndshme të cilën ma dhuroi njeriu i mirë Azis Ramo Kalemaj, në një kohë kur më mungonte ky relaks.
Mehmeti, sa herë vinte në Kalivaç, nuk mund e nuk donte ta shmangte ardhjen në shtëpinë tonë. Ai ngjitej nëpër shkallët e gurta, në odën, ku ishte lindur, ulej këmbëkryq, në qoshen e djathtë të saj dhe thosh, me krenari: “E vështroni këtë qoshe të bekuar? Këtu jam lindur unë!” dhe vijonte: “Jam kalivaças, kokë e këmbë!”»
- I paharruar qoftë kujtimi i atij njeriu të rrallë e të veçantë!
Shkroi Aishe Jashar Deraj (Malaj); në Patos, më 18.12.2017.
Më sipër u njohët me opinionin e një vajze nga Kalivaçi, e cila e ka njohur së afërmi natyrën interesante të Mehmet Azis Kalemaj dhe familjes së tij të veçantë. Jam i sigurt se këdo që të pyesësh, nga ata që e kanë njohur, personalisht ose që kanë punuar pranë tij, të njëjtat fjalë do të thonin. Ndonjë kritizier, me të drejtë mund të shtrojë pyetjen: “Mirë, or njerëz; po ky Mehmeti ka qenë njeri dhe në punë e në jetë, mund të ketë pasur dhe ndonjë gjë që nuk shkon!” Janë të natyrshme pyetja dhe sugjerimi: “një njeri që ha bukë, bën dhe thërrime!” Pyeta e ke nuk pyeta, kërkova të dija dhe për të metat e tij, por, e dini si m’u përgjigj një kalivaças: “Ta them me përgjegjësi se Mehmet Azis Kalemaj nuk kishte asnjë të metë!”
Ndoshta ka të drejtë ai burri që deklaroi kështu mbasi e ka me të njohur e jo me të dëgjuar. Nga sa e kam njohur “heroin” e rrëfimit, të them të vërtetën, nuk kisha vënë re ndonjë mangësi nga ato që “të vrasin sytë”. Po e zgjeroj mendimin, i cili është dhe opinioni im i pashprehur për atë deli burrë. Jam i mendimit se për tiparet fizike të tij, u shkrua mjaft; më poshtë do të ndalem tek puna e tij si oficer i Ushtrisë Popullore dhe si kuadër drejtues në pushtet.
Mehmet Azis Kalemaj mbahet mend si njëri nga oficerët model të Ushtrisë Popullore. Pamja e tij e jashtme, mbajtja e uniformës ushtarake, kujdesi permanent që ai dëftonte për paraqitjen e tij, të bënin me turp. Petkat ushtarake që vishte, ishin jo vetëm të pastra e të hekurosura, por dhe i rrinin bukur, në atë trup të fuqishëm e zbukuroheshin nga hijeshia e fytyrës. Në çizmet e tij, të lustruara, me merak, në çdo kohë, njeriu mund të vështronte veten si në një pasqyrë. Sa i shkonte uniforma fushore, me gjimnastorkë, ku zbardhte e lëshonte dritë qaforja e bardhë, e qepur me shije artisti e sipas kërkesave të rregullores. Sjellja e tij ishte korrekte; ajo përkonte me rregullat e përgjithshme të ushtrisë e me veçoritë e të ndodhurit në mjedise pune apo pushimi.
Një gjë dua ta theksoj, me forcë: Mehmet Kalemit, nuk i tha njeri të dilte në mal, për liri. Duhet vënë në dukje se ai, si djalë i vetëm i familjes, mbante përgjegjësi për babanë dhe për dy motrat që la në vatër. Urrejtja e thellë për pushtuesit fashistë dhe shfrytëzimi barbar që provoi kur punonte në shoqërinë italiane të punëve botore, ishin nxitja kryesore, që e shtynë të rrëmbente armën e të dilte malit, për liri. Nuk mbushej me frymë djali i xha Azisit, nën thundrën e të huajit, kur Atdheu lëngonte nën zgjedhën e huaj. Mehmeti zbriti nga malet, dhe tok me shokët, solli lirinë e shumëdëshiruar.
Fryma e papajtimit me pushtuesin e futi djaloshin adoleshent nga Kalivaçi i Tepelenës, Mehmet Azis Kalemaj, në hullitë e luftës me karakter internacionalist. Ai nuk bënte pjesë në radhët e atyre luftëtarëve trima, nga Kalivaçi, të cilët, sapo u çlirua Shqipëria, dorëzuan armët, pa përfillur gradat dhe “ofiqet” që u propozuan dhe rrëmbyen bishtin e parmendës për të lëruar arat, të cilat i kishin lënë djerrë, por mendoi dhe vendosi t’i shkojë luftës, deri në fund duke qëndruar në radhët e Ushtrisë Popullore, në cilësinë e oficerit aktiv.
Mehmet Azis Kalmaj e nisi karrierën e oficerit me gradën aspirant dhe u ngjit, nëpër shkallët e karrierës, pa u nxituar dhe një nga një, deri në gradën e oficerit madhor të nënkolonelit. Duhet thënë se çdo shkallë e ngjitur prej tij kishte në bazë zotësinë dhe aftësinë e sprovuar për t’iu përgjigjur detyrës së caktuar. Mehmet Kalemaj urrente servilizmin, konformizmin, akraballëkun, nënshtrimin ndaj mendimeve të eprorit. Me guximin e kalivaçasit, ai, në çdo rast ballafaqohej, trimërisht, duke i parë të metat në sy dhe duke thënë e mbrojtur vetëm të vërtetën. Si në luftën partizane dhe në vitet kur zhvillohej lufta e ftohtë, Mehmet Kalemaj ishte konsekuent në qëndrime dhe nuk të falte kur bëhej fjalë për të mbrojtur parimet dhe normat që rregullojnë jetën e veprimtarinë në ushtri.
Për mjaft vite, në krye të Degës Ushtarake të rrethit të Tepelenës, Mehmet Azis Kalemaj shkëlqeu si mbrojtës i parimeve dhe përkrahu, brenda normave, në çdo rast, kur ishte e mundur, kalivaçasit që i drejtoheshin me kërkesa të veçanta. Nuk do ta teproja po të shtoja se edhe autorin e këtyre radhëve, Mehmeti e ka ndihmuar, kur disa pushtetarë dhe partiakë lokalë u bënë barrikadë për të mos lejuar kalimin nga sektori agrar në atë të mbrojtjes. Në këtë rast, ishte këmbëngulja e Mehmetit, duke rrezikuar dhe karrierën e tij që më doli në krah dhe e zgjidhi ngërçin. Nuk linte gurë pa lëvizur e veprim pa ndërmarrë, me qëllim që t’u gjendej njerëzve, në raste nevoje.
Kur ishte Mehmet Kalemaj në detyrën e Kryetarit të Degës Ushtarake të rrethit të Tepelenës, në institucion mbretëronin rregulli, disiplina ushtarake dhe zbatoheshin ligjet e shtetit, një për një. Mehmeti ishte zemërmirë e ndihmonte njerëzit në nevojë, por gjithmonë duke ruajtur ligjet e shtetit. Ai nuk pranonte ndërhyrje, ishte kundër dallavereve dhe pazareve; i qëndronte besnik parimeve dhe normave morale për të cilat rrëmbeu armët e doli malit për liri.
Mehmet Azis Kalemaj nuk e pati jetën të qetë e udhën të shtruar me qilime. Ai shpirt i butë e ajo zemër e bardhë patën për hise, që në vegjëli të provonin shtypjen dhe shfrytëzimin e egër të pronarëve makutë e shpirtkatranë. Kur u maturua, djali i vetëm i Azis Ramos, me zjarrin e urrejtjes kundër pushtuesit në gji, rrëmbeu armët e doli në mal, për liri. Pas çlirimit të vendit dhe vendosjes së pushtetit popullor, Mehmet Azis Kalemaj zgjodhi sektorin më të vështirë, atë të mbrojtjes së Atdheut, duke shërbyer në detyra të ndryshme, deri në atë të Kryetarit të Degës Ushtarake të rrethit. Në të gjithë veprimtarinë e tij aktive, jeta e Mehmetit ishte intensive dhe ai, duke përjetuar me emocione gjithë transformimet, u lodh e u sfilit fizikisht. Prandaj, kur mbushi 63 vjeç, në pranverën e vitit 1966, Mehmet Azis Kalemaj doli në pension, si ushtarak dhe u ligështua kur hoqi kapelën e oficerit, të cilën e mbante në kokë prej kohësh, në ruajtje të idealeve kombëtare.
Falë tipareve të tij të mira, sidomos, ndershmërisë, paanësisë, të qenit i drejtë e i papajtueshëm me ligësinë, burrit të shtetit, korrektit të paparë, Mehmet Kalemaj, edhe pas lirimit nga ushtria, iu gjet vendi ku mund t’u shërbente idealeve për të cilat ai luftoi e punoi. Me një vendim të organit të nomenklaturës, në prill të vitit 1966, Mehmet Kalemaj u emërua në detyrën e drejtorit të ndërmarrjes komunale të rrethit të Tepelenës. Ai e gjeti ndërmarrjen në valën e ndryshimeve për mirë të qytetit halleshumë. Nuk e pati të lehtë menaxhimin e një qyteti të varfër, ku papunësia dhe strehimi ishin bërë gangrenë. Duheshin ndershmëria dhe të qenit i drejtë të Mehmet Kalemit, që të minimizoheshin këto probleme jetike dhe qyteti të merrte frymë.
Mehmeti u vuri shpatullat çështjeve jetike të qytetit duke drejtuar jo me arrogancë e dhunë verbale, por me takt, mençuri e korrektësi. Nga goja e tij, nuk u dëgjuan kurrë fjala e ashpër, dhuna verbale dhe të bërtiturat kot se koti. Zemërbardhësia e tij shoqërohej nga kërkesa e llogarisë për kryerjen e detyrave. Në stilin e tij të punës, kishte zënë vend motoja: “Beso dhe kontrollo”. Udhëzimet që jepte drejtor Mehmeti, i shoqëronte me kontrollin e zbatimit të detyrave.
Kjo metodë e bëri efikase punën e tij drejtuese dhe solli ndryshime në qytet. Mirë më tha një bashkëkohës i Mehmet Kalemit, sipas të cilit: “Mehmeti mbillte dashuri e korrte unitet!” Kështu dhe kur u emërua në funksionin jetik të Kryetarit të Këshillit Popullor të qytetit të Tepelenës. Edhe në këtë detyrë, Mehmeti shpalosi vlerat e tij të rralla. Ai kishte kurajon për t’i thënë gjërat, hapët e me emrin që kanë.
Në një rast, siç kujton kalivaçasi Refat Demir Alidervishaj, i cili ka shërbyer gjatë, në radhët e një reparti ushtarak, në Tepelenë: «Familjen e ngushtë e kisha në Kalivaç e doja ta sillja pranë, por në Tepelenë ishte vështirë të gjendej një banesë. Iu drejtova Mehmetit, kryetar Këshilli e ai ma zgjidhi problemin. Zemërligjtë ia ngritën në një mbledhje partie dhe kërkonin ta vinin përpara përgjegjësisë. Mehmeti, si kalivaças, me kurajon dhe sinqeritetin e pastër, u çua e u përgjigj: “Unë ia dhashë se e kam timin!” Kaq u desh që gojët e liga të pushonin.»
Duke e njohur mirë se cili ishte, në Tepelenë, Mehmetin e donin dhe e respektonin të gjithë banorët. Ai ka lënë gjurmë, në detyrën e shenjtë të kryetarit të Këshillit Popullor të Qytetit, ku përcolli vetëm punë të mira. Prandaj zgjedhësit e konfirmuan në krye të këtij organi në disa legjislatura. Si njeri me vlera e me tipare të preferuara, Mehmeti u zgjodh, në disa konferenca Partie, disa herë radhazi, dhe e mbajti me nder, deri në fund të jetës, titullin e lartë të anëtarit të Partisë së Punës. Vitet e fundit, Mehmet Kalemaj, kur dhe forcat fizike të tij kishin rënë, ai, në vitin 1973 u emërua në një detyrë, të nderuar në Aparatin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tepelenës.
Më 1 qershor të vitit 1989, pas një sëmundjeje të rëndë, luftëtari i lirisë dhe mbrojtësi i idealeve të Luftës Nacionalçlirimtare, Mehmet Azis Kalemaj u nda nga jeta. Hidhërimi që shkaktoi vdekja e tij e parakohshme përfshiu familjen, të afërmit, miqtë dhe shokët e shumtë të tij, gjithë qytetin e Tepelenës, fshatin ku u lind e u rrit, gjithë ata që e donin dhe e respektonin. Për në banesën e fundit u përcoll nga disa qindra vetë, të cilët e mbajtën në supe, në atë udhë të gjatë e të vështirë, nga shtëpia e tij, në varrezat publike të qytetit. Fjalën e lamtumirës e mbajti Abedin Beluli.
Folën dhe pjesëtarë të tjerë të kortezhit. Fjala e lamtumirës u hartua nga miqtë e Mehmetit: Sami Jaupi; Hasan Musta; Elmaz Teme; Muhamet Muci; Xhevair Seiti; Mehmet Hysenaj etj., të cilët, kur Mehmeti ishte në jetë, deri në çastet e fundit, i shkonin në familje, për ta parë e për t’u këshilluar me të. Varrimi i tij u bë në varrezat publike, të qytetit të Tepelenës, në një varr të përbashkët me bashkëshorten e tij, dinjitozen Mynevere, e cila ishte ndarë nga jeta 9 vite më parë nga një atak kardiak; pak kohë mbasi doli në pension pleqërie. Jeta dhe veprimtaria e shquar atdhetare e njeriut të mirë nga Kalivaçi i Tepelenës janë pasqyruar gjerësisht në shkrime të ndryshme dhe në organet e shtypit të shkruar. Vite më pas, në një shkrim në gazetën lokale “Lajmetari”, veterani Sulejman Qesarati postoi shkrimin biografik të titulluar: “Njerëz që lënë emrin pas”!
Shpresoj se edhe ky shkrim do të hedhë dritë, sadopak për kontributin e një kalivaçasi, i cili dallonte mjaft nga të tjerët, për tiparet e veçanta që kish trashëguar nga origjina, të cilat i kultivoi e i ngjiti më lart. Le të shërbejë edhe ky shkrim pa pretendime, sadopak për njohjen e njërit nga luftëtarët e parë të trevës dhe bartësit të vetive më të mira të fshatarëve të saj. E veçanta e atdhetarit të flaktë Mehmet Azis Kalemaj ka të bëjë me konsekuencën, deri në fund të jetës, si shfaqje e besnikërisë së tij, për të ruajtur të pastra idealet e luftës për liri dhe vlerat e larta morale të bashkëfshatarëve kalivaças.
- I paharruar qoftë kujtimi i tij i ndritur!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, kalivaças autokton
Në Tiranë, janar–shkurt 2018

Shume bukur Niazi,te lumte mendja dhe dora te arta.