(Monografi, kushtuar njeriut të mirë - Gjonlekë Ahmet Zenelaj).
Në mëhallën Ahmetaj të Kalivaçit të Tepelenës, në fund të asaj pjerrësie që zbret, nga shkolla e fshatit, në fushën e tij, jeton, prej kohësh, një komunitet luftarak; ai i Zenelajve. Komuniteti është degëzim i pinjollëve që la pas, i pari i mëhallës – Ahmeti. Pasardhësit e Çinos, njërit nga tre djemtë e Ahmetit, nuk e patën shansin të shtoheshin si degët e tjera, sidomos, si Nelajt, të cilët u bënë pemë degëshumë e mëhallës me emrin e të parit të saj – Ahmetit. Në hyrje të viteve ’50 të shekullit të shkuar, Çinajt, të cilët e shndërruan mbiemrin në Zenelaj, numëronin tri familje: atë të Ahmet Selfos dhe vëllait të tij – Novruzit dhe të Mane Tafilit. Në vitet që pasuan, familjet e "ngushta" të këtij komuniteti u shtuan e u shumuan dhe "pushtuan" disa treva, brenda vendit e jashtë tij.
Mendoj të ndalem për të sqaruar një problem jo të pavlerë: Në Kalivaç, jetojnë tri fise që mbajnë mbiemrin Zenelaj, dy nga të cilët janë ngulur në të njëjtën mëhallë; në Ahmetaj. I treti, banon në mëhallën – Hasanbegaj. Të tria këto fise, kanë të përbashkët vetëm mbiemrin; për lidhje gjaku mes tyre, as që bëhet fjalë. Kjo vërtetohet po të rrëmosh në rrënjët e tyre e të ndërtosh pemën e çdo fisi.
Në familjen e Ahmet Selfo Zenelaj, djali i dytë i çiftit Tajane e Ahmet zenelaj, u quajt Gjonlekë (të tjerët e thërresin Gjolke; mua sepse më pëlqen ta quaj – Gjonlekë dhe jo më kot). Një emër i përbërë, disi i pazakontë në fshat e në trevë. Kemi të bëjmë me bashkimin e dy emrave: Gjon dhe Lekë; të dy – emra të besimit të krishterë katolik. Të jetë ky një sinjal, i ardhur nga lashtësia, i cili na dëfton për përkatësinë katolike të fshatit e të trevës ku ai ndodhet? Padyshim që një domethënie e ka. U përket specialistëve të fushës, në veçanti historianëve, ta sqarojnë e ta argumentojnë këtë hamendësi. Dhe të tillë, nga Kalivaçi, nuk është vetëm një.
Shkrimin dua t’ia kushtoj jetës dhe veprimtarisë së Gjonlekës, pinjoll i denjë i fisit me emër nga i cili Ai rrjedh. Ai njeri ka lënë gjurmë e ka bërë emër në historinë e Kalivaçit, pavarësisht se jeta e tij është shtrirë në disa treva të vendit. Gjonleka është djali i dytë i familjes. I pari ishte Rexhepi (ndjesë pastë), i cili u bë njëri nga aviatorët e devotshëm në shërbimin inxhiniero-teknik të reparteve të aviacionit; pas tij u lindën Levendi dhe Xhevdeti. Çifti Tajane e Ahmet Zenelaj, pruri në jetë tri vajza: Nailenë (ndjesë pastë); Selvinë dhe Xhemilen. Mund të pohoj, pa pikën e drojës se Gjonleka, për mua nuk ka qenë thjesht një shok jetëgjatë, por dhe një vëlla i mirë e i përkushtuar, tek i cili jam mbështetur gjatë gjithë jetës dhe e kam pasur si model e udhërrëfyes të pagabuar e një pikë referimi.
Marrëdhëniet tona, fillimisht lindën si lidhje të natyrshme, të dy njerëzve të të njëjtit fis; me kalimin e viteve e me ndryshimet që ndodhën në jetët tona edhe lidhjet pësuan forma të tjera e patën intensitete të ndryshme, por qëndruan marrëdhënie mirëkuptimi e përkushtimi për njëri-tjetrin. Çdo pyetje që mund të lindë për këtë çështje, ka vetëm një përgjigje: Ishim tipa të njëjtë në dy trupa të ndryshëm dhe rrugët që ndoqëm nuk kanë qenë të njëjta. Një gjë më duhet ta theksoj fort: Miqësia ime me Gjonlekë Ahmetin ka pasur vijimësi dhe është e lashtë sa vetë mosha jonë. Të papriturat e jetës dhe ndodhitë tronditëse, në të dy krahët as që kanë mundur ta lëkundin e jo më ta shuajnë miqësinë mes nesh.
Miqësia jonë është kalitur në tallazet e kohës dhe, prej tyre ka dalë më e fortë. Tek Gjonlekë Ahmeti (më pëlqen ta etiketoj kësisoj, siç u thonë burrave në Kalivaç), njeriu gjen një kalivaças tipik, me tipare kalivaçasi, të shtuar me intelektin e tij të rrallë dhe të arsimuar për së mbari. Gjonleka është njeri i logjikës së fortë dhe ka shpirt tejet human. Ai nuk është nga ata që ngurrojnë apo që "turpërohen" të thonë se janë kalivaças. Përkundrazi; Gjonleka është krenar dhe e thotë me plot gojën e me mburrje se është nga Kalivaçi i Tepelenës dhe se e do shumë fshatin e tij.
Shoku im i fëmijërisë, kur u rrit e shtegtoi larg, asnjëherë nuk i ka ndërprerë lidhjet me origjinën, por ka shkuar herë pas here në Kalivaç, për të takuar të tijtë e për t’u shmallur me bashkëfshatarët. Gjonlekën e lidhin me Kalivaçin shumë fije, nga ato që duken e të tjera që kuptohen. Kush i ka shkuar për të kërkuar ndihmë, e mban mend mirë si bëhej "copë e thërrime" Gjonleka, për t’i ardhur në ndihmë. Natyrisht, Ai ka bërë atë që ishte e mundur dhe në sferën e specialitetit apo të kompetencave të tij, brenda ligjit. Gjonleka ka bërë sa e kishte "hapin" për fshatin dhe për bashkëfshatarët.
Në këtë vizion, Gjonlekë Zenelaj, me bëmat dhe me personalitetin e tij kompleks, është nderi i Kalivaçit dhe ka lënë gjurmë në historinë e tij. Nuk paraqitet nevoja të bëhen lista, për djemtë nga Kalivaçi që kanë bërë emër e kanë lënë gjurmë, në të gjitha kohët, me bëmat e tyre. Ata janë të panumërt e bëmat e tyre nuk ngjajnë me njëra-tjetrën. Mund të them, pa pasur drojë se dikush mund të më kundërshtojë në ato që them, se Gjonlekë Ahmet Zenelaj është njëri nga djemtë më të përkushtuar e më të devotshëm të Kalivaçit të Tepelenës. Ai i di mirë ku i ka rrënjët dhe është kujdesur që pema që rritet mbi ato rrënjë të jetë e shëndetshme dhe me dobi për fshatin e tij.
E theksoj këtë jo më kot. Kam njohur pinjollë të familjeve fisnike, të cilët, kur kanë shtegtuar, nga halli apo nga malli, kanë harruar "folenë" e janë endur kuturu. Të hedhësh një gur pas, kur largohesh nga fshati e të mos kujtohesh as për të përcjellë në udhën pa kthim, ata që të kanë bërë kokën, më duket poshtërsi e tejkaluar. Do të ishte pak, po t’i etiketoja të tillët pa burrëri. Shoku im i mirë Gjonlekë Ahmeti nuk është i tillë. Ai, jo vetëm që nuk është ndarë kurrë nga Kalivaçi, por në çdo vajtje në fshat, ka shuar mallin që i vlonte në gji dhe është larguar nga Kalivaçi me ndjenjën e së mirës në zemër, duke "marrë vlagë" për një kohë të caktuar.
Malli dhe dashuria që ka Gjonleka për Kalivaçin nuk janë ndjenja që shuhen lehtë. Dikush, nga padija apo nga ligësia, mund të thotë, me qesëndi: "Paska ardhur e ne nuk e kemi parë!" Do t’i thoja atij mjerani se shuarja e mallit nuk bëhet vetëm në një formë standarde, e cila aplikohet nga të gjithë. Gjonleka shmallet sipas mentalitetit dhe privatësisë së tij. Ai nuk i bën reklamë çdo vajtjeje në fshat dhe nuk është njeri i bujës e i zhurmës, por i qetësisë dhe i mëvetësisë.
E kam parë dhe jo në një rast, kur i kanë shkuar në takim kalivaças apo njerëz të trevës, për t’i kërkuar ndihmë. Kërkesat e njerëzve ishin të ndryshme, siç janë vetë ata dhe shqetësimet që kanë. Dikush i kërkonte të ndërhynte, për një të drejtë studimi; një i dytë kishte në familje një njeri që vuante nga një lloj sëmundjeje dhe i kërkonte Gjonlekës ndihmë, për ta diagnostikuar e për ta mjekuar; një i tretë kishte djalin ushtar e donte ta takonte, apo të ndërhynte për të shkuar me leje pranë familjes, deri dhe për të shkruar një letër ankesë drejtuar udhëheqjes së kohës. Më ka lënë mbresë të thellë mënyra si i priste e si i takonte njerëzit Gjonleka dhe çfarë bënte, mbasi i kishte premtuar atij që i kishte qarë hallin e si e ndiqte çështjen.
Jam dëshmitar okular e mund të riprodhoj, besnikërisht një takim të tillë. E them që në krye të herës se, Gjonleka nuk përgjigjej kurrë me fjalët: "problemi yt nuk ka zgjidhje", por i thosh atij që kërkonte ndihmë se, kjo çështje nuk është në kompetencën time, dhe i dëftonte udhën e zgjidhjes. Mënyra si i priste njerëzit, si i dëgjonte me vëmendje e durim ata dhe si i përcillte, me njerëzillëk ishte e paparë. Gjonleka, për të pritur njerëzit, sidomos bashkëfshatarët tanë, nuk kishte as orar, as një vend të caktuar. Mbasi e takonte tjetrin dhe e pyeste, për shëndetin, për familjen, për fisin e për fshatin, me kureshtjen për të marrë sa më tepër informacion, pastaj, me takt, futej në temë, e pyeste për hallin që e kishte kapluar dhe përpjekjet që kishte bërë deri atëherë. Nga goja e Gjonlekës, nuk dilte asnjë fjalë apo premtim, pa e menduar thellë e pa e peshuar mirë problemin.
Kur çështja nuk ishte në kompetencat e tij, Ai nuk të mbante "zvarrë", me premtime të kota. Ai, po-në e ka po dhe jo-në; jo. Ekuivoku, për Gjonlekë Ahmetin është "i panjohur".
Gjonlekë Zenelaj, prej vitesh (më shumë se 50 vite) banon, në Tiranë. E kam parë kur i vinin kalivaçasit për probleme të ndryshme dhe si i priste e si i respektonte. E veçantë ishte mënyra si i pyeste për fshatin tonë dhe për bashkëfshatarët. Ai interesohej, si ishin të korrat e për shërbimet që u bëheshin kulturave të arave, pemëve frutore deri tek kullotat për bagëtinë. Gjonleka i pyeste ata, kush u martua, kush u fejua dhe me ke; kush vajti ushtar e kush u lirua nga ushtria, kush është shtuar e cila familje është pakësuar etj., etj. A nuk ju duket ky lloj interesimi për vendlindjen shprehje e dashurisë për të?
Shoku im i mirë, me pyetjet që bënte nuk kishte si qëllim thjesht të shuante kureshtjen, por të merrte informacionin e nevojshëm për punët dhe për njerëzit.
Kam biseduar shpesh me shokun tim. Temë qendrore e bisedave tona ka qenë ajo për Kalivaçin dhe për banorët e tij. Shpesh kemi kujtuar vitet e mjerimit masiv, të cilat i kemi përcjellë në fëmijërinë tonë copë-copë. Kujtonim si shkonim në shkollë, të grupuar, të zbathur e të veshur keq, të pangrënë e pa bazën e nevojshme mësimore. Ishim të lumtur, kur nisnim ditën e parë të shkollës, 1 shtatorin. Sa shumë gëzonim në atë ditë, e cila vinte pas pushimeve të gjata.
Mezi e prisnim atë ditë. Na merrte malli për shoqet e për shokët, për mësuesit (të cilët nuk ishin kalivaças, por nga vise të tjera), kishim mall për Sheshet, për atë fushë të kufizuar e tërë gropa ku luanim me top lecke etj. Edhe për atë shkollën e atyre viteve, me dy-tri klasa, me ato mure guri, të ftohtë që ngroheshin nga një sobë me dru, e cila më shumë na tymoste. Kishim mall të bënim atë udhë që të çonte në shkollë e cila ishte me pjerrësi të theksuar dhe gjithë gurë. Edhe për kaminat e gëlqeres që çelte xha Hamit Caush Muharremaj, pak nën shkollë, na merrte malli. Kujtonim si na mbathnin prindërit tanë fukarenj, me opinga të bëra vetë prej lëkure lope, të cilat rrëshqisnin mbi gurë, sikur të ishin ski. Sillnim në kujtesë dhe ndonjë prapësi që kishim bërë, sidomos, kur futeshim në bahçet e gjitonëve, për të marrë fruta apo perime etj.
Nëse do të bëhej fjalë për një tipar të qenësishëm të Gjonlekë Ahmetit, i cili e ka shoqëruar Atë gjatë gjithë jetës, ky, pa mëdyshje është vullneti i tij për t’u shkolluar dhe këmbëngulja për t’u ngjitur në "majat" e diturisë. Nuk mund të them me siguri, e kujt ishte ideja për të ndjekur mësimet e shkollës shtatëvjeçare, në qytetin e Patosit, në familjen e luftëtarit të lirisë, atdhetarit të flaktë, Nuri Rrapo, njeri i afërt i familjes së Gjonlekës. Mendoj se Gjonleka, kishte dëshirën e zjarrtë për të mësuar, por mosha e tij, akoma e brishtë, nuk arrinte të gjykonte për ardhmërinë e vet. Babai i Gjonlekës, Ahmet Selfo Zenelaj, si burrë i zgjuar, me siguri ka ndikuar fuqishëm që djali i familjes së tij, Gjonleka, të vijonte udhën e arsimimit larg familjes dhe fshatit dhe ia besoi këtë një njeriu të sigurt e besnik të idealeve të tij - Nuri Rrapos, nga Çorrushi.
Meqenëse e cekëm këtë vlerë të Gjonlekës, le ta çojmë më tej gjykimin që nisëm. Në Shkollën e Ministrisë së Brendshme, në vitet 1959-1961, në degën e sigurimit të shtetit, Gjonleka hyri me dëshirë dhe me synimin të bëhej i vlefshëm për vete, për familjen dhe për vendin e tij, në një fushë të vështirë.
Pas kësaj shkolle, ai përfundoi, me sukses, dy fakultete, njëri pas tjetrit: Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike. Edhe sikur vetëm njëri prej tyre të ishte i vërtetë, do të ishte i mjaftë për të kënaqur egon e djalit nga Kalivaçi, por Gjonleka, nuk synonte arsimimin e tij, për ta pasur si "stoli"; as për të bërë karrierë. Ai kërkonte të arsimohej, me qëllim që të ishte më i aftë për të kryer detyrën. Pra, diplomat, për Gjonlekën nuk ishin stoli, për t’u kapardisur, me to, por burim dijesh dhe aftësimi. Mendoj se kjo është një tjetër vlerë që i shtohet fshatit tonë arsimdashës.
Po të doni, u dëftoj dhe një tipar tjetër të Gjonlekës, i cili më duket se është vlerë më vete. Gjonleka është larguar nga Kalivaçi që në fëmijërinë e tij dhe ka jetuar në vise të ndryshme të vendit (kryesisht në Tiranë) për gati 60 vjet. Ai është ndodhur, shpesh i vetëm, mes njerëzve me psikologji, mentalitet e të folur të ndryshme nga ai.
Kur bisedon me Gjonlekën, të lind ideja se ke të bësh me një fshatar nga Kalivaçi, i cili sapo ka ardhur nga fshati i tij. E folura e tij është tipike, kalivaçase, me një elokuencë që i ka falur shkollimi dhe geni. Ai e ka ruajtur, me fanatizëm gjuhën e nënës, të cilën e flet pastër e me theksin e nevojshëm. Në gjykimin tim, ky tipar është një formë tjetër e shprehjes së dashurisë për fshatin dhe për bashkëfshatarët. Mbasi ke biseduar me Gjonlekën, të duket sikur Ai, sapo ka mbyllur dhentë në kasolle, apo nën tendë, pas kullotjes në Vathra apo në Fierin e Metes, i ulur mbi një gur apo mbi një shkurre, për të ndezur një duhan, siç bënte dikur i ati, Ahmet Selfua me kushëririn e tij Xhevit Malkon, në Gurishte. Mendoj se është vlerë më vete të ruash gjuhën e nënës, pa e përzier e pa u ndikuar nga të tjerët.
Në optikën time, të mblosh për një kohë të gjatë mentalitetin, psikologjinë, të folurën, të menduarit dhe të vepruarit, në fund të fundit është dashuri për vendin (lexo fshatin) tënd. Gjonlekë Zenelaj e ka këtë tipar, e ruan atë me fanatizëm dhe krenohet me të. E thënë me fjalë të tjera, bazuar në tiparet e tij të veçanta, Gjonlekë Ahmet Zenelaj është aset, për Kalivaçin. Nuk paraqet ndonjë rëndësi të veçantë, ku banon e kur është larguar nga fshati i lindjes; me shumë vlerë mbetet fakti që Ai ka mbetur një kalivaças i mirë, besnik i origjinës, pavarësisht ndryshimeve për mirë që ka pësuar duke qenë i larguar. Ai është nga të paktët njerëz të arsimuar të atij fshati arsimdashës, që bart në vetvete shumë vullnet e këmbëngulje për t’u arsimuar dhe, në fakt si bartës i këtyre vlerave, Gjonleka është bërë një specialist i kualifikuar i fushës së tij. Një tipar tjetër me shumë vlera tek Gjonleka, të cilin e kam pikasur jo vetëm unë, është dashuria e tij për t’u arsimuar.
Ai kishte "uri", për të akumuluar sa më tepër dituri, nga të gjitha fushat e jetës. Mbasi përfundoi mësimet e shkollës fillore, në fshatin e lindjes, meqenëse në Kalivaçin e asaj kohe, nuk kishte shkollë shtatëvjeçare, Gjonleka shkoi në qytetin e Patosit, ku kreu jo vetëm shkollën unike (shtatëvjeçare), por dhe mësoi mjaft gjëra që nuk i dinte më parë.
Pas shkollës në Patos, Gjonleka përfundoi Shkollën e Ministrisë së Brendshme, në degën e sigurimit dhe u titullua oficer. Nuk e la me kaq çështjen e shkollimit e nuk iu nda shkollës. Pa shkëputje nga puna, me këmbëngulje e vullnet të rrallë, Gjonleka përfundoi dy fakultete, njëri pas tjetrit, në fushën e ekonomisë dhe në shkencat politike-juridike. A nuk kemi të bëjmë me një rast tipik e të rrallë në jetën e bijave e të bijve të Kalivaçit? Unë them: "Po" dhe e njoh mirë rastin.
Jetëshkrimi
Gjonleka u lind më 22 prill të vitit 1939, në derën e fisme të Selfo Rexhepit, në mëhallën Ahmetaj, të Kalivaçit të Tepelenës. Selfo Rexhepi ishte pasardhës i një fisi me emër, i cili kishte për të parë Ahmetin, themeluesin e mëhallës. Për të nderuar kujtimin e stërgjyshit, plaku i mençur e trim, Selfo Rexhepi, njëri nga burrat më të mençur e më trima të kohës kur jetoi, i cili, në vitin 1920, në krye të 20 burrave me fustanellë, nga fshati i tij, iu bashkua çetës së Kanan Mazes, nga Shkoza dhe luftoi përkrah tij në Luftën e Vlorës, i vuri njërit nga djemtë e tij, emrin Ahmet. Selfo Rexhepi kishte 2 djem: Ahmetin dhe Novruzin. Ahmeti u bë më i zgjuar, më trim. Ai ishte dhe më i pashmi nga fëmijët e plakut Selfo Rexhepi.
Kur Ahmeti u bë për t’u martuar, Plaku i mençur, duke respektuar traditën shumëvjeçare të fshatit të tij, i hodhi sytë për t’i gjetur nuse djalit nga dyert fisnike, të cilat ishin familje të radhës së tij (lexo: fisnike).
Në Kalivaç e më gjerë, prej kohësh ka qarkulluar slogani: "... Miqësia, ngjan, pa bëhet!" Këtë e dinte mirë plaku mentar, Selfo Rexhepi. Ai e ngriti kokën lart dhe vështroi nga mëhalla e Hasanbegajve, e cila njihet si më e lashta e më e fismja në fshatin tonë. Xhelil Zotua, kishte një vajzë në moshë për t’u martuar - Tajanen. Në ato vite vajzat martoheshin në moshën 14-15 vjeçe; po të qëndronin më shumë të palidhura, quheshin "të mbetura".
Funksionuan "kanalet" dhe lidhja e menduar mirë, u bë realitet. Gjeti mentari – mentarin; u pleks fisniku me fisnikun; trimi u "mbështet" tek trimi dhe slogani funksionoi, për bukuri. U gëzuan plaku Selfo Rexhepi dhe Nënë Xhemilja; gëzoi e u lumturua shtëpia (pjesëtarët e saj), fisi, mëhalla dhe miqtë e shokët e shumtë. Çifti i ri, Tajane e Ahmet Zenelaj, e mbushi vatrën me një tog fëmijësh. Dasma vazhdoi një javë, u ther një kope me të imëta e u derdh si lumë rakia. Nusja hyri në derën e Selfo Rexhepit, sipas traditës vendase, me shumë krushq e me duvak të kuq në kokë, hipur në një dori shale, e shoqëruar nga shumë kalorës që herë pas here qëllonin në ajër, me armët që mbanin mbi supe.
Ai vit, ishte i mbarë, për mëhallën Ahmetaj. Mëhalla në faqe të kodrës, u mbush me nuse të reja; "lulet" u shtuan e mëhalla shkëlqeu, nga ngjyrat e ndezura. Atë vit erdhën nuse: Tajanja e Ahmet Selfos; Nefizeja e Laze Xhezos; Memja e Muharrem Hasanit; Tajanja e Muharrem Kamberit dhe Zonja e Xhevit Malkos. Sapo mbaronin davetet dhe kënga, në një shtëpi, ato nuk pushonin, por nisnin në tjetrën.
Në krye të vitit, nusja e re, Tajanja e Ahmet Selfos lindi fëmijën e parë, Rexhepin e ky qe një gëzim i ri për familjen e saj, dhe në Hasanbegaj ku Tajanja ishte bijë ashtu si në Ahmetaj ku ajo erdhi nuse. Të dyja familjet, organizuan davete, radhë-radhë, në të cilat buçiti kënga labçe e u lëkundën themelet e shtëpive nga vallet e grave e të burrave. Në Hasanbegaj, vallen e hiqte fisniku i paharruar Veiz Dano kurse në Ahmetaj, në krye të valles ishte Laze Xhezua. Edhe vetë dhëndri, Ahmet Selfua, ishte një vallëtar i mirë e nuk u linte gjë mangut dy të parëve. Nusja e re, Tajanja fisnike dhe e zgjuar, e kishte pasur këmbën të mbarë; Ajo e nisi serinë e fëmijëve me një goxha djalë; pruri në jetë Rexhepin.
Pas ardhjes në jetë të Rexhepit, vatra e Ahmet Selfos, u mbush me të qara fëmijësh, të cilët erdhën në jetë njëri pas tjetrit. U lindën: Najleja; Gjonleka; Selvija; Levendi; Xhemilja dhe i fundit, e mbylli serinë e lindjeve, Xhevdeti. Meqenëse lindjet, në shtëpinë e Ahmet Selfos, rrodhën njëra pas tjetrës, fëmija pasardhës, u përkund në djepin e më të lashtit e u lidh në shpërgënjtë e tij.
Burri i mençur Selfo Rexhepi, u la trashëgimtarëve, dy djemve të tij: Ahmetit dhe Novruzit (se vajzat, në atë kohë nuk përfshiheshin në trashëgimi), shtëpi e katandi. Ai i la djemtë diçka më të kamur, në krahasim me kushërinjtë e një gjaku. Shtëpia e tij, në fund të mëhallës Ahmetaj, ishte dykatëshe, me odë sipër e me katua poshtë; e ndërtuar me mure guri të bardhë, nga gurët e Kalivaçit, të lidhur me llaç gëlqereje dhe me breza druri. Shtëpia ishte me çati. Qeresteja ishte e zgjedhur nga drurë vidhi e lisi, të cilët i rezistojnë më gjatë pikës së ujit. Çatia ishte e mbuluar me pllaka guri të bardhë, të rëndë.
Të dyja odat ishin me dysheme dhoge, pa tavan. Ato ndaheshin nga njëra-tjetra, nga një mur ndarës prej guri. Në katin e sipërm të shtëpisë banonin familjarët; në katin e parë, i cili shfrytëzohej si katua, strehoheshin qetë, lopët dhe kafshët e ngarkesës.
Shtëpia e Selfo Rexhepit, ndodhej në fund të pjerrësisë së faqes së kodrës, tek e cila ishte "mbështetur" mëhalla e Ahmetajve. Në anën Lindore të shtëpisë, thuajse në rrëzë të murit, kalonte një rrugë këmbësorësh, rreth 3 m e gjerë, e cila lidhte Dërrasën me Veldonin e më tej me Murin e Hasane, me Fierin e Metes, me Vathrat e shkonte në Margëlliç. Dritaret, të vendosura në faqen Perëndimore të ndërtesës ishin të vogla, tip frëngjie, të pajisura me hekura dhe që mbylleshin me kapakë prej dhoge të trashë. Çdo odë kishte dy dritare; nga dritarja, mund të bëhej dhe qitje me armë. Kjo zgjedhje, nuk ishte e pamenduar. Dritaret vështronin andej nga ishin pronat e familjes dhe andej nga mund të kanoste rreziku.
Vendosja e shtëpisë, me shpinë nga mëhalla, ishte zgjidhje e mençur, mbasi, në atë anë ndodheshin familje të të njëjtit gjak, dhe familja e Selfo Rexhepit ndihej krahëngrohtë. Të dyja odat ishin vazhdimisht të shtruara me anje, me mesje, me shilte e me jastëkë, për të pritur e për të nderuar miqtë e shumtë të familjes.
Bagëtitë e imëta (kryesisht të leshta), strehoheshin në një kasolle, të ndërtuar posaçërisht, në hyrje të avllisë së stërgjatur, në një vend pak të pjerrët, me qëllim që të kullonte urina e dhenve. Kasollja e dhenve, ashtu si vetë avllia, ishte e stërgjatur, me shpinë nga rruga dhe vinte e varur, nga Perëndimi. Ajo ishte e ndërtuar me gardh prej konopice dhe e mbuluar me kashtë. Në anën nga udha, kasollja ishte me mur guri. Nga shtegu i avllisë, në drejtim të konakëve, zgjatej një rrugicë e ngushtë e cila të çonte tek avllia e shtëpisë, nëpërmjet një porte të madhe, me një hark guri të gdhendur sipër, të punuar nga mjeshtër gurgdhendës të njohur. Avllia ishte e shtruar me pllaka të trasha guri, pa ndonjë nivelim kushediçfarë dhe e rrethuar nga mure të lartë guri, me pllaka përsipër, të lartë 2.5-3 m.
Plaku i shtëpisë, Selfo Rexhepi, me mençurinë dhe largpamësinë karakteristike, jo vetëm që kishte ndarë nga njëra-tjetra dy odat dhe katonjtë respektivë, por kishte ndërtuar dy palë shkallë prej guri, pa parmakë anash, të cilat bënin të mundur ngjitjen e njerëzve në katin e sipërm. Në hyrje të odave, ishte një sheshpushim, ku mysafirët linin opingat dhe vendoseshin pajisjet prej bakri (ibriku dhe legeni) për të larë duart. Nga sheshpushimi, nëpërmjet dy dyerve, me hark guri sipër, mund të futeshe në secilën odë. Largpamësi ishte dhe ndërtimi i dy përdheseve, në secilën anë të horizontit (Veri-Jug), të cilat shërbenin për të gatuar dhe për të "mbledhur" fëmijët. Vizioni dhe mençuria e plakut Selfo konsistojnë në faktin se ai, duke gjykuar sipas logjikës së kohës dhe traditës shumëvjeçare, mendoi se një ditë, mbasi të martoheshin, të dy djemtë: Ahmeti dhe Novruzi, do të ndaheshin, më vete, siç u ndanë, për të formuar familjet respektive. U ndanë vëllezërit, pa zhurmë e pa grindje.
Në mënyrë të barabartë, u ndanë arat, trojet, shtëpia, bagëtitë, kafshët e punës e të prodhimit dhe ato pak orendi e plaçka që kishin. Shoqëria dhe miqësia, me këtë rast u dyndën, jo për t’i ndarë nga grindja, siç kishte ngjarë gjetkë, por për t’u uruar: "T’u hahet buka e ëmbël, këtej e tutje", siç e donte tradita.
Arat në pronësi të familjes së madhe bujqësore, të cilat u ndanë mes vëllezërve, në mënyrë të barabartë ishin me strukturë të ndryshme. Vidhishtet, të cilat kufizoheshin me udhën kryesore dhe me kubenë, në anën e Perëndimit dhe vijonin gjatë rrjedhës së Përroit të Çorrushit, ishin toka aluvionale. Ato "mbatheshin" vazhdimisht nga llomerat që sillte përroi në fjalë, kur vërshonte dhe prodhonin shumë drithëra buke. Në mes të arës ishin dy fiq të varietetit vasiarës. Mbilleshin dhe perime, në ngastrat e kësaj toke arë. Shuret, përkundrazi, ishin toka të varfra.
Në to mbillej, kryesisht, elb, tërshërë, hokërr, urov, fasule, bathë, fierëza, koçkulla dhe qepë, hudhëra, spinaq, labot etj. Në vende të veçanta, në të dyja pjesët, mbillej duhan, i llojit xhebel. Shurja e Meços dhe diku mbi ledhin, tek dardha e Haxhiajve, po të plehërohej toka, mund të mbillej dhe me grurë e me misër. Tokat, të gjitha, në atë kohë, ishin mbi ujë. Në krye të Shureve, pranë banesës, deri tek muri i avllisë, vegjetonin fiq bradashesh, të cilët, në verë bënin hije të freskëta si dhe kokrra të ëmbla. Si në krahun Verior dhe në atë Jugor, në distancë rreth 50 m larg shtëpive ishin ndërtuar dy lëmenj, një për secilin vëlla. Ullinjtë e llojit kaniniot, me çatallë që zgjateshin, jo drejt qiellit, por anash, ishin në ledh, nën murin mbajtës të udhës kryesore.
Ata ishin mjaft prodhimtarë dhe vajin që merrej prej tyre, e shfrytëzonin si ushqim familjarët e të dyja shtëpive. Gjonleka, si gjithë fëmijët e moshës së tij, kur Xhixhua shtypte ullinjtë në një koresh prej kërcuri, të gdhendur nga xha Hasimi e merrte prej tyre vajin si flori, i cili qëndronte sipër lëngjerës, në kazanin e bakërtë ku e priste nikoqirja, lyente bukën e ngrohtë të misrit dhe aroma e bukës me atë të vajit të saponxjerrë përziheshin e të jepnin një kënaqësi të paprovuar.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur Gjonleka, nuk i kishte mbushur 4 vjeçët e çapitej me vështirësi nëpër yrtra (troje) dhe shureve, të cilat ishin plot me popla guri, atij i ndodhi një e papritur e rrallë. Ja si e dëfton këtë ndodhi, vetë Gjonleka: "...
Në muajin qershor ose korrik të vitit 1943, pushtuesit italianë dhe veglat e tyre, kishin ndërmarrë një operacion të gjerë kundër partizanëve të zonës. Në krahinën e Mallakastrës, siç dihet, lëvizja partizane ishte mjaft e fuqishme e ishte shtrirë dhe në disa treva kufitare të rrethit të Tepelenës. Forca të shumta fashiste erdhën dhe në Kalivaç. Një batalion italian, i pajisur me armatime të fuqishme e me mushka "gjigande", të cilat tërhiqnin topat dhe mitralozët e rëndë, u stacionua në pronat e familjes sime, në vendin e quajtur Shure. Ata ishin të shumtë në numër e të armatosur, deri në dhëmbë. Grumbullimi i ushtarëve fashistë dhe i kafshëve të tyre, arrinte deri në fundin e Shureve.
Kishin pushtuar, tokat arë, yrtrat, lëmenjtë, avllinë dhe banesat tona. Siç më kujtohet, vijon bisedën Gjonleka, ishte vakt dreke dhe ushtarët, së bashku me oficerët italianë, u përfillën për të drekuar. Isha rreth 3 vjeç e i mbaj mend mirë ato që ngjanë atë ditë. Banorët e mëhallës sonë dhe ata të fshatit ishin njoftuar, paraprakisht se në Kalivaç do të vërshonin ushtarët fashistë italianë. Nuk di kush e dha këtë sinjalizim e nuk e mora vesh, as më vonë.
Burrat e fshatit, të lidhur me Lëvizjen Çlirimtare, ishin thirrur nga komanda partizane e zonës dhe në fshat nuk qarkullonte asnjë këmbë burri. Në mëhallën tonë, kishin mbetur vetëm gratë dhe vajzat. Fëmijët, gjithashtu ishin në vatrat e tyre, pranë nënave. Para se të mbërrinin ushtarët italianë, gratë dhe fëmijët e mëhallës Ahmetaj, u organizuan e u drejtuan nga Hysnija e Musa Mehmetit, nga Nelajt, e cila ishte burrëreshë, trime dhe e mençur, nënë e dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare: Sami Musa Nelaj. Ato, në grup, u futën në korije dhe në Përroin e Veldonint, mes shkëmbinjve si dhe në Përroin e Gomares, ku nuk depërtonin dot ushtarët fashistë për shkak të pyllit të dendur dhe ferrës së qenit. Këto vende ishin të sigurta dhe gratë e vajzat, nuk kishin rrezik të binin në duart e pushtuesve italianë, të cilët ishin të dhunshëm edhe me këtë kategori njerëzore.
Strehimi i grave, vajzave dhe fëmijëve kishte siguri, në atë terren të vështirë edhe për vendasit.
Nuk di si ndodhi që unë 3-vjeçari, së bashku me gjyshen plotësisht të verbuar, Xhemilen e Selfo Rexhepit, një grua trime, kurajoze e stoike, të cilën e doja shumë, humbëm lidhjet me gratë e mëhallës e nuk u mëshehëm dot, së bashku me to. Gjyshja Xhemile, e cila dashurinë që kisha për të ma kthente me dashuri e me dhimbsuri, nuk më braktisi, por në mbretërinë e errësirës ku "lundronte", qëndroi me mua në shtëpi e nuk m’u nda, me këshilla, edhe pse nuk vështronte. Ajo qëndronte në odë, kurse unë "lëvrija" nëpër shtëpi e në oborr (avlli). Nuk kisha parë, e më la mjaft përshtypje, prania e aq shumë ushtarëve dhe mushkave "katana". Shuret tona, më parë nuk ishin populluar asnjëherë si atë ditë. U habita kur pashë gjithë ato mushka trupmëdha, të mbathura me nallxhe (podkoj të mëdhenj), të cilat bënin zhurmë lemeritëse, kur kafshët qarkullonin nëpër ato troje gjithë gurë.
Më habiti dhe prania e atyre ushtarëve, të veshur me ca uniforma të çuditshme, me kapele tjetërsoj e me armatim personal e kolektiv. Kapelet e tyre nuk ishin, as qylahe, si të burrave tanë, as kapele me strehë si të partizanëve. Ata më drejtoheshin në një gjuhë të huaj, të cilën nuk e kuptoja. Mbaj mend që më thoshin: "pikolino" e hidhnin drejt meje kutitë bosh të konservave, mbasi kishin konsumuar mishin e kalit apo të gomarit. Bridhja nëpër këmbët e ushtarëve e të mushkave dhe argëtohesha, pa masë duke mbledhur kutitë bosh të konservave me ngjyra të bukura, të cilat nuk i kisha parë më parë. Mbasi u drekosën dhe pushuan pak, aq sa mund të pushonin në ato kushte dhe kur u "thye" dita, ushtarakët italianë ngarkuan mushkat, morën me vete, sendet dhe armatimet që u duheshin e u larguan, nga maja e Derrasës, në udhën që të çonte në lundrën e Kalivaçit; në Donije.
Pushtuesit italianë ikën, por lanë pas hijen e rëndë të pushtimit dhe një pirg me mbeturina, të cilat u desh mjaft kohë për t’i hequr. Ne, të vegjëlit, argëtoheshim duke luajtur me skatoletat bosh. I përdornim ato, sikur të ishin topa futbolli, se në atë kohë nuk gjendeshin topa të tillë.
Më pas, kur Italia Fashiste kapitulloi, ne luanim dhe me helmetat e ushtarëve fashistë e me gavetat e tyre. Ata, të mbetur udhëve, në dhe të huaj, pa krenarinë e dikurshme, u kthyen në argatë të vendasve, dhe u angazhuan për të punuar tokat, për të bërë mure e për të ngritur banesa, për të prerë dru e për të djegur kamina, deri dhe në rolin e dadove, për t’u kujdesur për fëmijët. Bagëtitë e imëta, i mbarështonin vetë fshatarët e nuk kishin besim t’i linin në dorën e ushtarëve të huaj. Tjetër profesion kishin ushtarët fashistë e me të tjera synime kishin ardhur në vendin tonë, të paftuar, si pushtues..." (intervistë e vitit 2011).
Reforma Agrare, në vitin 1945, i dha Ahmet Selfos 2 dn tokë, në Jorga. Ahmeti e refuzoi këtë ngastër toke, mbasi nuk ia vlente të shfrytëzohej. Ahmet Selfua, si në Ahmetaj dhe në Kalivaç, ishte blegtor me emër. Në fshat, ka pasur e ka mjaft blegtorë të zotë, mjeshtër në profesion. Në mëhallën e Ahmetajve, çobanë që kanë lënë gjurmë kanë qenë: Sherif Rrapo Zenelaj (Mucoimaj); Banush Xhezo Hadëraj; Laze Xhezo Hadëraj; Dinë Xhelal Bejomalaj (Nelaj); Xhevit Malko Nelaj dhe Ahmet Selfo Zenelaj. Xha Ahmeti mbarështonte një tufë me rreth 50 krerë dhen.
Për disa vite me radhë, Ai i kishte dhentë të qinosura me Kanan Mazen, nga Shkoza. Kujdesi për dhentë bënte diferencën mes xha Ahmetit dhe çobanëve të tjerë. Në Kalivaç, por jo vetëm, ka qarkulluar slogani, sipas të cilit: "Malli është i dhimbsur sa shpirti!" Praktika, në të gjitha kohët e ka vërtetuar dhe e vërteton, përditë, këtë slogan.
Tufa e dhenve që mbarështonte xha Ahmeti ishte ndryshe nga të tjerat. Dhentë e tij ishin të pastra e u shkëlqente fija e leshit; nga majmëria e nga pastërtia. Në çdo stinë të vitit e pavarësisht nga moti dhentë e tufës së tij ishin si "pela". Ato, prodhonin më shumë qumësht dhe qumështi i tyre ishte i ushqyeshëm, sidomos për fëmijët. Edhe qengjat e tufës së tij ishin më të bukur, më të shkathët e shëndetplotë.
Kur dilnin nga shtegu i avllisë, duke kërcyer, dhe "pushtonin" Sheshin e Veldonit, ose kur ishin në kullotë, qengjat e xha Ahmetit dalloheshin nga të tjerët e i jepnin një gjallëri e një bukuri të veçantë mjedisit. Çobani i tyre (Xha Ahmeti), e njihte barin dhe dinte të bënte dallimin mes barit të mirë e atij që i helmonte bagëtitë apo nuk kishte qumësht të mirë dhe nuk i fuste kurrë dhentë e tij, në mera të gabuar. As në pyll, nuk i fuste Ai, prandaj fija e leshit të dhenve të tij ishte si "degë" e shkëlqente. Delet që vinte përpara Ahmet Selfua, nuk rripeshin kurrë. Ai kujdesej që dhentë ta kalonin natën mbi shkarpa, prej paliçeje apo xine, të cilat i vendoste mbi vatrën e kasolles duke "shkelur" njëra mbi tjetrën dhe i ndërronte shpesh, në mënyrë që delja të mos dilte nga kasollja tërë kakërdhi dhe e lerosur me urinën e saj. Pelën e kuqe të shalës, të bukur e të shkathët dhe me intuitë, e cila i kishte shpëtuar jetën, nuk e ndante nga vetja, edhe kur kulloste dhentë.
Pela e tij elegante dhe e shpejtë, kulloste në mes të dhenve.
Nuk mund të mos theksoj, një gjë: Ahmet Selfon e thërrisnin për të vajtur krushk, si në rastet kur me familjen që bënte dasmë ishte në lidhje gjaku apo kishte miqësi edhe kur nuk kishte të bënte fare me të. Ndodhte kështu se Xha Ahmeti, ishte një burrë i pashëm, elegant, vishej mirë e dinte të sillej, ishte i zgjuar e mentar, polemizonte pa problem me cilindo, qëndronte bukur e i kapardisur majë pelës së kuqe të tij, madje dhe qëllonte me armë, i ndodhur mbi kafshë; ia merrte bukur këngës labçe dhe ishte vallëtar i përkryer; njihte dhe zbatonte rregullat dhe normat zakonore, ishte njeri që përshtatej, sipas rastit dhe e tirrte bisedën, sipas trapezit. Ai ishte qejfli kuajsh dhe kalëronte bukur. Në shtëpi mbante gjithë aksesorët e nevojshëm, për kalërim, si: Shalë, Samar të mirë; hejbe leshi, të bukura të cilat i kishte endur në tezgja Tajanja, të cilës, ne të vegjëlit, për ta respektuar i thërrisnim Xhixho. Me këtë "novkë" e thërrisnin dhe pinjollët e saj. Aksesorëve u bashkëngjiteshin: Freri, kapistra, qingjoret, mamuzet, torba e tagjisë dhe një shufër thane, të cilën e kishte përgatitur vetë kalorësi, me merak.
Pela e kuqe e Ahmet Selfos nuk ishte vetëm e bukur, elegante dhe e përshtatshme për kalërim; ajo, njëherazi kishte dhe intuitë për t’u habitur. Një ditë, xha Ahmeti e ngarkoi pelën me dy thasë me grurë, duke llogaritur dhe peshën e tij mbi thasë. Do të shkonte për të bluar grurin në mullirin e Gurrës, në Specovë, buzë lumit të vjosës. Udha, për në mulli, kalonte anës lumit dhe ishte mjaft e ngushtë. Vende-vende, ajo ngushtohej aq shumë sa me vështirësi mund të shkëmbeheshin dy kalorës. Shtrati i udhës ishte shkëmbor dhe kuajt, që ishin të mbathur keq, rrëshqisnin.
Me pelën e xha Ahmetit, kjo dukuri nuk ndodhte. I zoti i saj kujdesej për çdo detaj që lidhej me të. Ajo që pason, është me të vërtetë interesante dhe befasuese.
E ngarkoi barrën me grurë Ahmet Selfua, i hipi pelës, në mes të thasëve, dhe e drejtoi për nga Dërrasa, nga udha që të çon në Qurke, në Rrëza, në Këmbën e Gurit, në Gurje, në Sheshin e Donijes dhe mbasi kalonte lundrën e Kalivaçit, udha ngushtohej e ishte plotësisht mbi shkëmb. Kalorësi, goditi me mamuze, pelën, tek brinjët, që të merrte udhë. Frërin e mbante në dorë dhe herë pas here e tërhiqte. Pela "nuk merrte udhë". Kjo gjë nuk i kishte ndodhur në asnjë rrethanë xha Ahmetit. I shqetësuar, Ai vuri në përdorim, shufrën e thanës, të cilën e kishte përgatitur posaçërisht, për të fshikulluar pelën, nga vithet, në rastet kur donte që kafsha e tij të ecte, me hap të shpejtë.
Pela, edhe pas këtij veprimi, nuk lëvizi nga vendi dhe shqetësimi, tek kalorësi e tek të pranishmit u shtua. Më në fund, nga të goditurat e kalorësit dhe nga të shtyrat e familjarëve të tij, pela u nis për udhë, me përtesë. Sidoqoftë, rrugën, derisa kaloi lundrën, kafsha e përshkoi, nën goditjet e mamuzeve dhe të thuprës. Ajo që ngjau më pas, ishte me të vërtetë befasuese dhe e pangjarë.
Kur kalorësi mbi pelë, mbërriti tek vendi i quajtur Sheshi i Vështit, atje tek ka qenë një copë lëndinë, pela e kuqe, mbasi nguli të dyja këmbët e para, papritur u kthye në 180 gradë dhe u nis, me revan, andej nga kishte ardhur. Ky fakt e shqetësoi kalorësin por dhe e vuri në mendime.
Kur u fut tek shtegu i banesës, familjarët e xha Ahmetit, e panë pelën qull në djersë, tek gulçonte, me kalorësin mbi shpinë dhe me barrën e grurit të pabluar. Ata, me të drejtë bënë të habiturin e, aty për aty, nuk e shpjegonin dot ndodhinë. Çfarë të kishte ngjarë? Më pas, u mor vesh që pela e xha Ahmetit, me intuitë, tek Sheshi i Vështit, kishte ndier se prapa shkurreve kishte njerëz, të cilët, ajo nuk ishte mësuar t’i ndeshte në këtë udhë. Dhe, me të vërtetë, siç u kthjellua puna, më pas, doli që hasmi i kishte zënë pusi Ahmet Selfos, prapa kaçubeve të përrallit, për t’i marrë jetën. Pela e shalës, besnike e të zotit, e kishte shpëtuar atë, nga ky kurth.
Që atë ditë, xha Ahmeti, nuk e ndau pelën nga vetja, por e mbajti tok me dhentë e në mes të tyre, edhe në kullotë.
Rasti i mësipërm nuk ishte tentativa e vetme, e hasmit, për t’i marrë jetën xha Ahmetit. Në një rast tjetër, natën, kur qentë e shtëpisë ishin në zinxhirë, në fshehtësi, gjaksi, i armatosur e i stërvitur për të vrarë, duke shfrytëzuar errësirën e natës dhe faktin që shtëpia e Çinajve ndodhej në fund të mëhallës Ahmetaj, u ngjit mbi çati, nga ana e udhës, hoqi një pllakë guri, dhe, duke parë se Ahmet Selfua, ishte në gjumë, me kandilin të ndezur e me dyfekun nën jastëk, u përpoq të shënjojë, me armën që kishte gati. Mirëpo xha Ahmeti, i cili "nuk e hante bukën thatë" e ishte trim dhe syçelët, ndjeu se diçka e keqe i kanosej, kur dëgjoi të binin nga çatia, copëra gurësh dhe bujazhga (copa druri nga të qeprat), fiku kandilin, mori dyfekun dhe qëlloi, kuturu, drejt çatisë, andej nga erdhi zhurma. Krimineli, i tromaksur (i frikësuar), në panik, zbriti nga çatia e shtëpisë dhe ia mbathi nga Veldoni, ku mund të fshihej më lehtë. Që atë natë, hasmi hoqi dorë, përfundimisht nga përpjekjet për t’i marrë jetën Ahmet Selfos.
Ahmet Selfua, si blegtor i mirë (këto dy profesione; blegtori dhe bujku, nuk mund të jetojnë pa njëri-tjetrin), ishte dhe një bujk me emër. Ai menaxhonte një pendë qe: Arapin dhe Sorranin. Arapi ishte njëri nga qetë më të fortë në mëhallën tonë e në mëhallet e "Pusit".
Kur qetë borroçiteshin (përplasnin kokat), në zallin e lumit apo në kallametë e grurit; Arapi i xha Ahmetit; Arapi i Musa Mehmetit dhe Sorrani i Sherif Rrapos dilnin fitimtarë mbi qetë e tjerë. Në katoin e shtëpisë mbarështohej dhe një lopë, e destinuar për qumësht, e cila bënte viça, çdo vit. Shtëpinë e Ahmet Selfos dhe gjënë e gjallë të tij e ruante një goxha qen bagëtish, trupmadh e i egër, të cilin e thërrisnin Arap. Ai qëndronte, i lidhur me zinxhirë, deri në mesnatë dhe, pas mesnatës, derisa të këndonte kaposhi i dytë, ishte i zgjidhur. Po ta lije të lirë, ai sulmonte njerëzit e i "shqyente" ata.
Kur lëshohej Arapi nga zinxhiri, në Shure e në Veldon nuk pipëtinin egërsirat dhe njerëzit që i shpinte udha nga shtëpitë e Çinajve e kishin të vështirë të kalonin andej.
Duhet të them se, pas ndarjes së dy vëllezërve, ekonomitë bujqësore të tyre, nuk u zhvilluan njëlloj, edhe pse fillimisht ishin në "starte" të barabarta. Ahmeti ishte më i zoti e me disa tipare pozitive, të cilat u nënvizuan më sipër dhe i dha një zhvillim më të shpejtë ekonomisë së tij familjare. Siç u shtua me fëmijë, shtëpia e xha Ahmetit u shumua dhe me mall e me gjë dhe begatia ishte në shtim. Jo vetëm se Xha Ahmeti, me zgjuarsinë dhe organizimin e mirë të punëve, ishte faktor progresi, por dhe bashkëshortja e tij, Tajanja fisnike, bijë nga derë e madhe, ishte nikoqire e zonja. Ajo priste e përcillte mjaft njerëz, me fjalë të ëmbël e me buzëqeshje, duke i grishur ata të vinin prapë. Një fjalë e mirë e saj, e thënë me çiltërsi e jo sa për t’u dukur, ishte një dhuratë sikur t’i falje tjetrit tërë botën.
Ajo derë ishte e hapët për të gjithë dashamirët e saj, të cilët hynin e dilnin, si bletë dhe me dëshirë të madhe. Ajo shtëpi, priste e përcillte dhe partonte dhe dy motrat e xha Ahmetit: Xhikën dhe Zenepen, të cilat ishin të martuara në Çorrush.
Mbase nuk është e tepërt të theksoj se falë tipareve të të dy prindërve, fëmijët e familjes së Ahmet Selfos, u rritën dhe u edukuan, në kushte relativisht më të mira, krahasuar me fëmijët e tjerë të fisit. Tajanja e Ahmet Selfos, të cilës, ne, të vegjëlit e asaj kohe, në shenjë respekti i thoshim "Xhixho", njëlloj siç e thërrisnin dhe fëmijët e saj, me fisnikërinë e genit, kishte me vete dhe qetësinë e kujdesin për fëmijët e saj. Ata, të ardhur në jetë njëri pas tjetrit u rritën me shpërgënjtë dhe me petkat e më të rriturve, brenda familjes. Gjonleka u mëkëmb, pranë prindërve dhe në shoqërinë e bashkëmoshatarëve. Ai kishte "vërsnikë": Skënderin e Memes; Kasëmin e Xhemalit; Bejon e Breshanit; Xhemilin e Banushit; Ramadanin e Muharrem Kamberit; Selamin e Manes; Zenelin e xha Novruzit; Reshatin e Resmi Nelos; Barjamen e Lazes; Lumturinë e Xhevitit; Pashakon e xha Isufit; Lavdijen e Abedinit e të tjerë, vajza e djem të mëhallës.
Derisa u mëkëmb e mund të vraponte; bjer e ngreu, në udhën plot me gurë që të çonte, nga shtegu i shtëpisë së tij, deri në Sheshin e Veldonit, Gjonleka, në shoqërinë e më të rriturve të familjes, luante në avllinë e shtëpisë, e cila ishte e shtruar me pllaka të mëdha guri, e parrafshët dhe në lëmë. Kur doli në Sheshin e Veldonit, me bashkëmoshatarët djem, Ai luante lodrat e kohës dhe të moshës së tij. Lodra më e preferuar e tij ishte topi, por një top prej lecke, apo me leshin e kaut, të presuar me pështymë. Lodra me cingëla, dokthi, hobeja, dërrakthi, topagropthi; syllambyllazi, kalaja dibrançe etj. ishin gjithashtu, mjaft të preferuara për të. Në stinën e nxehtë, kur u rrit disi, nën monitorimin e më të rriturve, herë pas here, Gjonleka shkonte në Donije e më tepër në fundin e Jorgave, për t’u freskuar në lumë. Në dimër, i cili për hir të së vërtetës, aso kohe, çuditërisht ishte më i acartë e me borë, së bashku me shokë të tjerë nga mëhalla, ku rolin primar e merrnin djemtë e xha Telha Shatrafilit, nga Luzati: Hyseni e sidomos Qazimi, Gjonleka ngrinte gracka, për të zënë zogj fluturakë e mëllenja dhe bënin njeri prej bore, me sy, me gojë, me hundë e me veshë, prej thëngjilli.
Në adoleshencë, Gjonleka mësoi të qëllonte me armë, nga pozicioni barkas, në Sheshin e Veldonit. Për "instruktor", fëmijët e moshës së tij kishin Shyqo Abedinin dhe ndonjërin nga ata që mbanin pushkë me leje të shtetit. Sa për fishekë, ata, në atë kohë gjendeshin nëpër shkurre e nëpër murishte, të harruar që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
Gjonleka ka tiparet e babait të tij. Ai është i imët nga trupi, por i fortë fizikisht dhe mjaft i shkathët. I tillë ka qenë që në fëmijërinë e hershme. Shkathtësinë, elegancën dhe sqimën, krahas tipareve të tjera të qenësishme, Gjonlekë Ahmeti, i ka ruajtur në vazhdimësi. Edhe kur luante me shokët, në vegjëlinë e tij, Ai veçohej nga të tjerët për nga shkathtësia, sedra e mirë dhe ndjesia komunitare.
Kur mbushi moshën 7 vjeç, Gjonleka nisi mësimet në klasën e parë të shkollës fillore të fshatit. Në vitin 1946, kur Gjonleka hyri në klasën e parë, në Kalivaç nuk kishte shkollë unike (shtatëvjeçare) kurse mësuesit ishin të ardhur nga rrethe të tjerë të vendit. Meqenëse fshati shtrihej në juridiksionin e qarkut të Gjirokastrës, mësuesit ishin kryesisht nga ky rreth, në qendër të të cilit funksiononte gjimnazi, dhe nisi të merrte jetë shkolla e mesme pedagogjike.
Shkolla në të cilën nisi mësimet e klasës së parë Gjonleka, ishte në majë të bregores së quajtur Maja e Tëndës, e cila ishte e baraslarguar nga të tetë mëhallet e fshatit. Shkolla ishte me dy seksione, e ngritur mbi mure guri të bardhë, njëkatëshe, me çati, me klasa të mëdha e të ftohta ku zhvillohej mësim në klasa të përbashkëta. Mësues, pas bashkëfshatarit Halil Zoto Ramaj, i cili e çeli atë shkollë, fill pas çlirimit të vendit, ishin: Reshati, Kolë Meshni e më pas: Vasil Kola e Kristo Gushi, të gjithë gjirokastritë, përveç Koles, i cili ishte malëshovit. Mësuesit, fillimisht banonin në mëhallën Hysodosaj, në shtëpinë e Arif Qamilit, ngjitur me atë të Tefik e Mete Medinit dhe pranë shtëpisë së Sulo Beqirit. Në vitet që pasuan, në shkollë erdhën të tjerë mësues, kryesisht nga rrethi i Elbasanit dhe, për pak kohë, ata banuan në shkollë, në një kthinë e cila përdorej dhe si sallë e mësuesve.
Gjonleka shkonte në shkollë, së bashku me shoqet dhe shokët e mëhallës sonë. Ai ishte me fat se kishte në shkollë, motrën e madhe, Nailenë dhe kushëririn e parë, Zenelin e Novruz Selfos, me të cilët bënte udhën e përpjetë të shkollës. Duke u ngjitur në atë të përpjetë, grupit të nxënësve i bashkoheshin të tjerë bashkëmoshatarë e bashkëshkollarë dhe, në krye të mëhallës Ahmetaj, komuniteti i nxënësve bëhej një grup solid. Kishte raste, kur ndonjë fëmijë, nuk dilte tek porta e avllisë, i vonuar për të bërë detyrat apo për shkaqe të tjera. Atëherë Gjonleka dhe të tijtë ishin të detyruar ta pritnin edhe pse e kishin nisur "vallëzimin" që nga fundi i mëhallës.
Njoftimin për të dalë tek shtegu, ata e nisnin me Hysenin dhe me Qazimin e Shatrafilëve, i bënin zë Kasëmit dhe Soses së Xhemalit, njoftonin Skënderin dhe Sadikun e Memes, bashkoheshin me Bejon dhe me Metullahen e Breshanit, komuniteti shtohej me Ramadanin e me Kamberin e Muharrem Kamberit, bashkohej me ta, Pashakua e Isuf Jaçes, Xhemili i Banushit, Barjamja e Lazes, Lilija dhe Lavdija e Abedinit dhe më sipër shtohej, Shahini, Rusteni, Selami e Qazimi i Mane Tafilit. Kolona e nxënësve, në atë të përpjetë që të merr frymën, pas shtëpisë së Hysni Metës, ngjitej pranë gërmadhave të Ramo Nebiut, kalonte mes një fiku e një shege me shumë çatallë, anëkalonte bahçen e Azis Ramos dhe nëpër një të përpjetë si thikë, nëpër udhën gjithë gurë, ngjitej tek shkolla. Rrugës, fëmijët ndalonin, herë pas here, për të kuvenduar apo për të kopjuar detyrat. Në oborrin e vogël të shkollës, nxënësit i priste një kazan me supë të ngrohtë, të gatuar nga bizelet që kishte prurë si ndihma, Unra, të cilat ishin mbetje nga ushqimi i ushtrive aleate. Sidoqoftë fëmijëve, edhe ky lloj ushqimi i pashijshëm, por i ngrohtë, u zinte disi stomakun e zbrazët.
Gjonlekë Ahmetin, edhe kur ishte nxënës i shkollës fillore, mund ta veçoje, pa vështirësi. Ai nuk ishte trupmadh e me tul shumë, si ndonjë tjetër, por shquhej për elegancë e finesë, për zgjuarsi e shkathtësi. Në pamje të parë, dukej sikur Ai rrinte i veçuar e nuk përzihej me të tjerët. Ndonjëri që nuk e njihte, me të padrejtë edhe mund ta etiketonte si mendjemadh e mospërfillës, por nuk ishte kështu. Gjonleka ishte shpirt njeriu. Ai, në mësime, shquhej si nxënës nga më të urtët, më të rregulltët e më rezultativët në shkollë dhe ishte i gatshëm që ato që dinte vetë, t’ua bënte me dije dhe të tjerëve.
Gjonleka është mjaft besnik, dhe, për shokët "lë kokën". Nëse mund t’i thoshje ndonjë mangësi, mendja do të shkonte, menjëherë tek besimi i tepruar që Ai ka ndaj shokëve dhe përfshirja e tij tok me ta në "aksione", edhe kur nuk duhej. Këtu nuk bëhet fjalë për naivitet, por për besnikëri.
Kushtet e veçanta ekonomike që u krijuan në familjen e tij, si rrjedhojë e atyre faktorëve që u thanë më lart, dhe pika e tij e referimit, xha Ahmeti, bënë të mundur një lloj mirëqenieje të merituar, e cila reflektohej, si në shëndetin e tij dhe në paraqitjen e jashtme. Kishje qejf të hapje librat e të lexoje fletoret e Gjonkelës. Mbajtja pastër e tyre, shkrimi i bukur dhe saktësia e veprimeve aritmetike në to, binin në sy, menjëherë. Mund të pohoj se disa nxënës të klasës së tij, kur nuk arrinin të bënin detyrat e shtëpisë ose kur nuk ishin të përgatitur si duhet, për mësimin e ditës, vazhdimisht i referoheshin Gjonlekës, mbasi ishin të sigurt se Ai do t’i ndihmonte, me bujarinë e njohur të shpirtit të tij.
Gjonlekë Ahmeti, i kaloi vitet e shkollës fillore, sipas modelit: Një vit shkollor; një klasë. Mori dëftesën e lirimit, me nota shumë të mira, në verën e vitit 1950, bëri dhe pushimet verore, por vjeshta e parë duhet ta gjente sërish në bankat e shkollës.
Mirëpo, në ato vite, në fshatin tonë nuk kishte shkollë shtatëvjeçare dhe nxënësit që përfundonin shkollën fillore, ose duhet të shkonin në Krahës, ose, po të ishin me shans, mund të strehoheshin në Konviktin e Tepelenës, i cili u çel, në vjeshtën e vitit 1952, ose bëheshin ndihmës të Çobanit. Gjonleka, e sidomos babai i tij largpamës, xha Ahmeti, shfrytëzuan një mundësi tjetër të dobishme që Gjonleka të mos mbetej i pashkolluar. Në qytetin e Patosit, në atë kohë banonte e drejtonte një njeri me zemër të madhe e shumë human; Nuri Rrapo Seranaj, nga Çorrushi i Mallakastrës. Nuriu kishte luftuar, me armë në dorë kundër pushtuesve, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, dhe i ishte besuar të drejtonte sektorin e naftës, në Patos e në rrethina. Nuriu ishte i shkolluar, vizionar, organizator i talentuar dhe shumë autoritar. Fjala e tij dëgjohej me vëmendje të madhe dhe ai ishte një militant komunist i përkushtuar, për përparimin e sektorit të naftës, i cili, siç dihet kishte rëndësi jetike për vendin.
Gjonleka ishte në lidhje familjare me Nuri Rrapon, dhe xha Ahmeti, duke ndjerë nevojën e domosdoshme për shkollimin e të birit, si dhe duke ia njohur bujarinë nipit të familjes iu drejtua Nuriut, me kërkesën për ta ndihmuar djalin arsimdashës, Gjonlekën, të strehohej në familjen e tij dhe të ndiqte mësimet e shkollës shtatëvjeçare, së bashku me fëmijët e tij.
Kur vajti në Patos, Gjonleka nuk ishte më tepër se 11 vjeç dhe ishte një djalë fshati, i zgjuar, i sjellshëm e i respektuar dhe me vullnet për të mësuar, por i padalë. Ai, në shoqërinë e të atit, me një bohçe me ndërresa në dorë, rrugëtoi, me mjete të rastit, rreth 100 km, larg fshatit të lindjes në drejtim të Patosit. Kur u nda me djalin e shpirtit, tek shtegu, Xhixhos iu copëtua zemra; vëllezërit dhe motrat u shkrinë në lot, ashtu siç u ligështuan gjithë fisi e mëhalla. Po largohej një djalë e deli djalë, i rrallë në sjellje, i bukur e i bekuar, ndryshe nga ata që gjendeshin në çdo shtëpi.
Në shtëpinë e Nuriut, xha Ahmetin e pritën si dajo dhe Gjonlekën, si kushëri të parë. Vajtja në Patos, për djalin e parritur nga Kalivaçi i Tepelenës, Gjonlekë Ahmet Zenelej, ishte një kapërcim i madh, i cili i çeli Atij dyert e jetës dhe e futi në udhën drejt progresit. Gjonleka u zhvendos nga fshati i lindjes, në qytet dhe ky nuk mund të quhet një hap i vogël. Vërtet Patosi i atyre viteve, ishte si një fshat i madh, një qendër punëtorësh nafte, të mbledhur nga treva të ndryshme të vendit, të cilët kishin sjellë me vete, tradita, zakone, mentalitete e psikologji që ndryshonin nga ato që la në Kalivaç, por dhe nga njëri komunitet në tjetrin.
Në vendbanimin e ri, Gjonleka gjeti dritë elektrike; në banesë e në rrugë. Familjet, përfshi dhe atë ku u strehua heroi ynë, e kishin ujin brenda, në rubinetat e çezmave. Zjarri, nuk ndizej në oxhak, si në Kalivaç, por në sobë dhe nxehtësia e çliruar nga djegja e gazit apo nga djegja e druve, përhapej në të gjithë shtëpinë. Në Patos, Ai pa shumë njerëz, të cilët nxitonin për në punë apo qarkullonin nëpër qytet. Në Patos, banonin disa fshatarë nga Kalivaçi, siç ishte familja e Adem Qazim Malaj; Axhem Azbi Bakaj dhe vëllezërit, si dhe mjaft familje nga Çorrushi, të cilët, Gjonleka i njohu, dita-ditës.
Me qëllim që të çlirohet disi lexuesi, po guxoj t’ju rrëfej një ndodhi, e cila brenda ka diçka për t’u argëtuar: Një grua e fisit tim, një ditë mori udhën për në Patos, e ngarkuar me "gatime fshati" e me dhurata, për krushkën dhe për dhëndrin. E pritën në shtëpinë e dhëndrit siç dinë kalivaçasit të presin krushkat. Qëndroi, në gosti, gruaja e fisit tim, rreth dy javë e provoi jo vetëm gatimet e të zonjës së shtëpisë, vajzës së saj dhe bëri disa vizita kortezie, tek të afërm e gjitonë të dhëndrit të urtë. Ajo u kthye në Kalivaç dhe në atë mbrëmje, iu mblodhën rreth vatrës, mjaft gra të fisit, të cilat e rrethuan me mallin që i kishte mikluar koha e ndarjes prej saj. Njëra nga gratë e fisit, më e moshuara e më guximtarja e pyeti shtegtaren: "Po si e kalove në qytet, moj Lolo?" U mendua pak, "turistja" e u përgjigj: "Atje ishte tjetër dynja, moj xhane", dhe deklaroi, jo pa krekosje: "Buka në furrët; ujët – në lumët; drita në trat; zjarri – në matarat!"
Qeshën gratë e Nelajve, me këtë ligjëratë, me theks poetik të "turistes" sonë, ligjëratë, e cila përsëritet, sot e kësaj dite.
Gjonleka vajti në Patos, me qëllim që të kryente mësimet në shkollën shtatëvjeçare, por nuk u ndal këtu. Ai provoi, mbi shpatullat e tij të njoma, shfrytëzimin e fëmijëve si ai, në punë që nuk ishin për moshën e tyre. Krahas mësimeve, të cilat i ndiqte me shumë dëshirë, Gjonleka punonte. Ai u fut në një punë relativisht të lehtë: priste bileta për punëtorët që ushqeheshin në mensën e tyre. Natyrisht, jo të gjithë bashkëmoshatarët e tij, kishin të njëjtin fat, kushëriri Nuri Rrapo, me autoritetin e ligjshëm që kishte në atë qendër punëtorësh, luajti rolin që i takonte, në përkrahje të kushëririt të parë, nga Kalivaçi i Tepelenës. Kishte raste në të cilat Gjonlekës i duhej të transportonte bukë, në pikat ku ushqeheshin punëtorë dhe familjarët e tyre, me një kafshë, e cila, nën peshën e barrës dhe të terrenit, rrëshqiste e rrëzohej dhe kafshari i parritur e ngrinte atë, me vështirësi, i ndihmuar nga kalimtarët.
Në familjen ku gjeti strehë, Gjonleka, gjeti po atë rregull e mirëkuptim që "mbretëronte" në familjen e tij, në Kalivaç të Tepelenës dhe po atë frymë atdhetarie. Nuk mund të lëmë pa dëftuar horizontin që iu çel Gjonlekës, nga kjo vajtje në qytet. Ai rrugëtoi, për herë të parë, me makinë, dëgjoi radio, u "përplas" me mentalitete e psikologji të njerëzve të ndryshëm dhe përftoi nga mënyra e sjelljes së tyre. Nuk mund të mos çmohet, fakti që gjatë tre viteve të qëndrimit në Patos, Gjonleka u rrit fizikisht e u zhvillua mendërisht.
Të jetuarit larg familjes së origjinës, edhe pse distanca ishte rreth 100 km, Gjonlekës i imponoi mallin për nënën, për babanë, për motrat, për vëllezërit, për shokët e shoqet mes të cilëve ishte rritur dhe për fshatin, të cilin e donte shumë. Ndikimi i të qenit larg të tijve për disa vite, e shtoi mallin e djaloshit të ri, për njerëzit dhe për jetën e fshatit. Mezi priste të vinin pushimet e shkollës, që Gjonleka të "derdhej", në Kalivaç, ca me makinë e ca në këmbë. E pritnin krahëhapët, Xhixhua; Çeçua; motrat e vëllezërit e të tjerët me radhë.
Por Ai e kishte mendjen diku larg, në mëhallën fisnike të origjinës së Nënës së tij, në Hasanbegaj, tek dera e fisme e Ali Xhelilit. Aliun, Gjonleka e kishte dajo dhe gojëëmblën Gano, e cila nuk e ndante nga fëmijët e barkut të saj, e kishte xhixhi. Të dy i donte shumë e ata e donin si fëmijët e tyre.
Mbasi u takua e u çmall me të shtëpisë, të nesërmen, duke "fluturuar" nëpër monopatet që të çojnë në atë mëhallë, Gjonleka, i djersitur nga malorja e theksuar përpara shtëpive dhe nga nxitimi i padurimit për të parë, sa më shpejt ata që e donin dhe i donte shumë, shpejt u gjend në shtëpinë e Ali Xhelilit, në Hasanbegaj. Derën e avllisë e gjeti të hapët. Nënë Ganua, me një fshesë në dorë, të përgatitur nga një paliçe grumbullore, po rrekej të pastronte avllinë, të cilën e kishin mbushur me kakërdhi, dhentë që menaxhonte xha Aliu dhe nga gëlasat që kishin bërë pulat shqirake, të shumta në numër, të cilave u bënte shërbim, vetë ajo. Pulat, sapo nikoqirja hapi derën e qymecit, u turrën tek dera e konakut, me shpresën se mos qëmtonin ca kokrra drithë apo disa thërrime buke. Sapo e pa nipin, Nënë Ganua, la në shesh fshesën dhe u sul, drejt tij, me krahë të hapët. Ajo e përqafoi, me mall Gjonlekën dhe e mbuloi me të puthura.
Ajo i tha: "Po nga na dole o i miri i xhixhisë, o nuri i racës sonë, o i preferuari i vatrës që t’u bëftë kurban xhixhija, ç’e mirë të pruri e mirë se na erdhe, o shpirt..." Etj., etj. Fjalë zemre, të cilat i thonë gjithë gratë kalivaçase, por që, në gojën e asaj Nëne kishin një tingull të veçantë, më të ëmbël. Në shtëpinë e Ali Xhelilit, Gjonleka, ishte shumë i preferuar dhe të gjithë, të rriturit e të pjellët e tyre, e donin shumë, siç dhe i donte Ai.
Nuk kanë thënë më kot, në Kalivaç se: "Fëmijët rriten prej përkëdheljeve të babait dhe dhuratave të dajos!" Mos kujtoni se dhuratat e asaj kohe ishin si këto që gëzojnë fëmijët, sot. Një përqafim; një e fërkuar e kokës; një shprehje e ëmbël: "Paç uratën!"; një varg me fiq; një kokërr ftua, një kokërr shegë dhe një tas me kos deleje nga dhentë e mjeshtrit - ishin disa dhurata simbolike që merrte mbesa apo nipi, kur shkonte në dajo.
Kur ikte në shtëpinë e tij, ai (ajo), merrte një copë ixhat (basme), për të bërë fustan ose pantallona të reja. Por, më shumë se këto, fëmija merrte me vete dashurinë e pastër të njerëzve të nënës, dhe gëzimin e atij takimi të përmallshëm. Dhuratat ishin me të vërtetë simbolike dhe të thjeshta; më të shumtat ishin urime e dhurata të tjera gojore-shpirtërore; disa ishin materiale; të shumtat në natyrë. E padëftuar dhe e papërsëritshme ishte kënaqësia që ndjenin të dyja palët, sidomos të vegjlit, kur shkonin në dajo. Ata merrnin me vete vlagën e dashurisë, të cilën e përcillnin tek motrat, tek vëllezërit dhe tek prindërit e tyre. Kjo vlagë, nuk tretej shpejt; ajo mblohej gjatë në shpirtin dhe në zemrën e bartësit.
Në një vajtje tek dajo Aliu, Gjonlekës i ngjau diçka e pangjarë. Në mbrëmje, u mblodhën rreth vatrës fëmijët e shumtë të çiftit dhe kushëriri i tyre i parë, Gjonleka i Ahmet Selfos. Gëzimi i takimit i kishte kapluar të gjithë, fëmijët dhe të rriturit. U qeshnin sytë e u ndrinte nuri.
Kur ishin mbledhur të gjithë familjarët dhe nipi i dashur; Nënë Ganua, për të kënaqur njerëzit e shtëpisë dhe nipin, kishte përgatitur një darkë, për kokën e darkës (në Kalivaç, dikur, familjarët hanin, kryesisht darkë). Ajo e kishte "shkrirë" talentin e amvisës dhe gjellët e saj ishin me shije, aq sa ata që i provuan, lëpinin gishtat. U qasën të gjithë rreth sufrasë me përjashtim të njërit; nipit të dashur - Gjonlekë Ahmetit.
Kur vuri re se djali i motrës nuk po qasej të darkonte, i pari i shtëpisë, mentari-trim, Ali Xhelili, e ftoi atë për të shijuar gatimet. Përgjigja e Gjonlekës ishte disi interesante dhe befasuese. Ai u përgjigj: "Kam ngrënë, dajo e nuk më hahet!" Të gjithë u habitën, nga kjo përgjigje, të cilën nuk e prisnin. Kishte bërë tjetri, gati një orë udhë, në këmbë, dhe në vaktin e darkës, nuk donte të qasej në sofër. Xha Aliu e përsëriti sërish ftesën, por mori të njëjtën përgjigje: "Kam ngrënë, o Dajo, të thashë një herë!"
Çfarë kishte ndodhur? Gjonleka, sedërmadh, njëherazi ishte dhe një kalivaças kokëngjeshur. E tha fjalën "kam ngrënë!" E nuk lëvizte nga e tij. Në shtëpi u krijua një atmosferë e pakëndshme. Gjonleka ishte mysafir, edhe pse i rritur mes tyre.
Sidoqoftë, njerëzit e shtëpisë darkuan e u kënaqën. Gjonleka rrinte në qoshe e vështronte. Ranë të flinin. Meqenëse fëmijët ishin të malluar për njëri-tjetrin dhe duheshin shumë, Nënë Ganua u shtroi e ata fjetën në të njëjtin jatak. Natën, "mikut" po i bënin "kryengritje" zorrët. Ai lëvizte vazhdimisht, në rrobat ku kishte rënë për të fjetur.
Dajo Aliu, të cilin nuk e merrte gjumi, nga meraku, e ndjeu shqetësimin e nipit dhe e pyeti: "Po ti, përse nuk ke gjumë, nipçe?" "Më hahet bukë", u përgjigj Gjonleka, çiltër. Ali Xhelili, i dhimbsur, siç njihej, u ngrit nga jataku, ndezi kandilin e vatrës dhe i serviri nipit të dashur, ushqim, për të shuar urinë. "Miku i vogël", u rregullua me ato që kishin mbetur nga darka, pastaj e zuri gjumi.
Përfundoi klasën e shtatë, në Patos, dhe në vitin 1954 u zhvendos në Tiranë. Në Tiranë, Gjonleka kreu shkollën e mesme ekonomike dhe mbasi plotësoi kriteret e shkollimit e ato të moshës, doli përpara një komisioni ushtarako-mjekësor ku iu nënshtrua disa këqyrjeve dhe analizave e testeve mjekësore dhe u deklarua i aftë për të ndjekur studimet në Shkollën e Ministrisë së Brendshme, në degën e sigurimit të shtetit. Shkolla e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në atë kohë kishte degët: Polici; kufi; sigurim dhe prapavijë. Gjonleka në këtë shkollë ushtarake përcolli plot dy vite me tregues të lartë dhe, në përfundim të saj, mbasi iu nënshtrua provimeve të shtetit, u titullua oficer i organeve të punëve të brendshme me gradën e nëntogerit. Si zakonisht për të titulluarit rishtaz, Gjonleka u caktua, në detyrën e punëtorit operativ në rrethin Jugor të Gjirokastrës.
Në këtë rreth, Gjonleka nisi jetën autonome dhe provoi vështirësitë e punës në terren, madje dhe kundërvënien e egër të keqbërësve. Meqenëse, në detyrën e ngarkuar, ai u shfaq në tërë gamën e vlerave morale dhe profesionale, me vlerësime superlative, në vitin 1963, Ministria e Brendshme (nomenklatura përkatëse) e transferoi Gjonlekën në Tiranë dhe e emëroi në detyrë, në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të kryeqytetit.
Tirana e atyre viteve, nuk ishte e ndarë në rajone, siç është sot, por ishte një terren mjaft i vështirë, meqenëse, ishte metropoli i vendit dhe përveç popullsisë permanente, për arsye të ndryshme, në kryeqytet hynin e dilnin, çdo ditë, mjaft njerëz. Ishin vite të luftës së ftohtë dhe veprimtaria subversive kishte pësuar gjallëri, në veçanti pas ndërprerjes së marrëdhënieve mes vendit tonë dhe superfuqisë sovjetike. Gjonleka punoi me shumë përkushtim e aftësi profesionale, për të përballuar detyrat e kohës dhe ishte ndër punonjësit model të shërbimit ku militonte. Ai, si beqar që ishte në atë kohë, banonte në një dhomë, në hyrje të përbashkët, në banesat që ishin ngritur nga italianët, në vendin e quajtur "Moskat", në katin e dytë.
Më pas u vendos në mjediset e Drejtorisë së Policisë (aty ku është dhe sot), në një dhomë, në katin e dytë. Në çdo detyrë që iu ngarkua, Gjonleka u shqua, për seriozitet, përkushtim, nivel të lartë profesional dhe për edukatë e kulturë të shëndetshme qytetare. Në Tiranën e asaj kohe, adoleshenti nga Kalivaçi, i ardhur nga Gjirokastra e largët, gjeti kushte mjaft të favorshme, për të punuar, për t’u argëtuar dhe për të studiuar. Në Metropol, funksiononin disa fakultete dhe ishte në organizim e sipër Universiteti i Tiranës. Në qytet funksiononte një bibliotekë mjaft e pasur, në shqip e në gjuhë të huaja. Gjonlekës ia donte puna, por dhe i përshtatej tipit të tij, të njihej me mjaft njerëz e të ishte në shoqërinë e tyre.
Dha e mori, me njerëz të ndryshëm, fitoi tipare të reja pozitive dhe u bë më i kulturuar e më shoqëror.
Bazuar në tiparet dhe aftësitë e tij, u gjykua të vihej në një provë të vështirë personaliteti i tij, duke menduar gjithnjë për avancimin e tij në detyrë. Në një grup pune, i cili po studionte e përgatiste një informacion të rëndësishëm, për drejtuesit kryesorë të partisë shtet, ku bënin pjesë kuadro me stazh të gjatë e me përvojë të pasur, u fut dhe Gjonlekë Zemelaj. Siç rezultoi, informacioni nuk ishte ai që kërkohej dhe të gjithë pjesëtarët e grupit iu nënshtruan ndëshkimit. E pagoi keq, "heroi" ynë këtë hap të detyruar. U dogj, i thati me të njomin. Gjonleka, në këtë rast pagoi një haraç, i cili nuk i përkiste.
Ai u lirua nga organet e punëve të brendshme, pa asnjë lloj trajtimi ekonomik. U krijua një situatë e vështirë dhe e papritur, për oficerin e ri në detyrë e me ekonomi të brishtë. Siç do ta përshkruaj shkurtimisht më poshtë, Gjonleka, i bëri ballë, si "hero" i vërtetë, kësaj situate, pa bujë e pa zhurmë; pa ankime e pa anatemime; me karakterin e tij të papërkulur, dhe me zotësi, pa u servilosur e pa kërkuar lëmoshë. Kalivaçasi i pastër, në karakter e në gen, e vështroi rrezikun në sy e u ndesh, dhëmbë për dhëmbë me të keqen që e pllakosi padrejtësisht.
E kam parë si vendosi dhe si u përgatit për të shkuar në Kalivaçin e tij të dashur, për të kontribuar, tok me bashkëfshatarët tanë "heroikë", për transformimin dhe prosperitetin e fshatit. Ai bleu një palë çizme llastiku, për të përballuar, qarkullimin nëpër baltovina; siguroi një mushama shiu dhe veshje të tjera, të përshtatshme për të punuar e për të jetuar në fshat. E bëri mendjen top, Gjonleka, për të shkuar atje, në Kalivaçin e largët ku do të rreshtohej përkrah njerëzve të dashur e të nderuar, të cilët jepnin diçka nga vetja, që të përparonte e përbashkëta. Njëherazi, me përgatitjen për të shkuar në fshat, ai nuk i rreshti përpjekjet për t’u sistemuar në një punë të përshtatshme, në kryeqytet. Për fatin e tij të mirë, jo si dhuratë apo për lëmoshë, por nisur nga tiparet e tij dhe aftësitë që kishte shpalosur, Gjonlekë Zenelaj, kaloi nëpër një kalvar vuajtjesh e peripecish, duke provuar punën në uzinën "Tirana", në Kombinatin e Autotraktorëve dhe më në fund, "u ngul", për disa vite, në Fabrikën e Masurëve, në Tiranë, në detyrën e ekonomistit.
Në vitin 1970, Gjonlekë Zenelaj u lidh me martesë me studenten e Fakultetit të Mësuesisë në Institutin Histori-Gjeografi, zonjën Shpresa Zenelaj (Visha); një vajzë për kokën e vajzës, me tipare e sjellje "shembullore", e zgjuar dhe e mençur, si bashkëshorti i saj. Prindërit e saj, Zyhdiu (ndjesë pastë) dhe Sadetja (ndjesë pastë), ishin punonjës të Ambasadës Shqiptare, në Varshavë. Meqenëse Shpresa ishte madhore dhe ndiqte studimet universitare, nuk mund të shoqëronte prindërit e saj, si fëmijët e tyre minorenë. Kështu ishin rregullat e kohës.
Të dy, Shpresa dhe Gjonleka; njerëz të nderuar e të respektuar në mjedisin shoqëror ku jetonin, shpejt fituan respektin dhe dashamirësinë e banorëve, në rrugicë, në bllok, në lagje, në fabrikë, në shkollë e kudo. Nuk bënë dasmë e Shpresa, një vajzë tiranse denbabaden, nuk u vesh, sipas traditës, me të bardha. Ajo, pas përfundimit të studimeve universitare, me tregues cilësorë mjaft të mirë, u emërua mësuese, në shkollën nëntëvjeçare "Avni Rustemi", në Tiranë. Vlerat morale dhe ato profesionale, të cilat i shpalosi në mësimdhënie e në jetë, bënë që, si bashkëshorti, edhe Ajo t’i ngjiste shkallët e hierarkisë, gradualisht, deri në funksionin e drejtorit të institucionit.
Shpejt lindi problemi i strehimit, i cili, në atë kohë dhe për rrethanat që iu krijuan Gjonlekës, u paraqit tepër i vështirë. Pas shumë peripecish, familja e re u sistemua në një apartament, me një dhomë e një kuzhinë, në afërsi të rrugës "Mine Peza" e më pas, në banesën që gëzojnë aktualisht. Familja u shtua me dy vajza si drita: me Evisin dhe me Aidën; njëra më e mirë se tjetra. Të dyja vajzat, si dy "flutura" shquheshin në të gjithë mjedisin që i rrethonte, për rregullsi, edukatë të shëndoshë familjare dhe ecuri të paqortueshme në mësime. Kishin nga të ngjanin; ato janë bija të denja të dy prindërve intelektualë me tipare të rralla.
Bazuar në aftësitë dhe në sjelljen e Gjonlekës, në vitin 1974, ai u emërua nëpunës, në Ndërmarrjet e Tregtisë së Jashtme, në Tiranë dhe shumë shpejt, u caktua Drejtor i Transportit Shqiptar (Trans- Shqip), ku drejtoi, deri në vitet e transformimeve demokratike të vendit. Në drejtimin e tij ishin, praktikisht të gjitha llojet e transportit me jashtë si transporti automobilistik dhe transporti ujor. Një punë voluminoze, me përgjegjësi e me përkushtim, duhej të përballonte Gjonleka, në ato vite. Ishin aftësia dhe kapacitetet e tij që bënë të mundur kryerjen e kësaj detyre, me shumë përgjegjësi dhe delikate. Nuk bëhet fjalë për vëllimin e madh të punëve, por për natyrën e brishtë të tyre. Transporti automobilistik, vërtet ishte i lëvruar dhe më parë, por me riorganizimin e ndërmarrjes, kamionët tanë shumëtonësh i binin Europës kryq e tërthor, me mallra të shtrenjtë të ngarkuar dhe me shoferë, të cilët, në më të shumtën e herëve ishin në nivel të ulët e nuk zotëronin gjuhë të huaja.
Kështu dhe në transportin ujor ku lundrohej në ujëra, disa herë të panjohura dhe anijet ankoroheshin në porte ku nuk kishte shkelur asnjë këmbë shqiptari. Gjonlekë Zenelaj, veç tipareve cilësore vetjake, me zgjuarsinë tipike, përfundoi, njëkohësisht, dy fakultete të ndryshme si natyrë, por të domosdoshme për punën që bënte.
Gjonleka në një detyrë prestigjioze, të lakmuar; Shpresa mësuese cilësore, e aftë dhe e përkushtuar; vajzat, të urta, të sjellshme, me ecuri të lakmuar në mësime; kjo ishte familja model, të cilën e synonin të gjithë dhe e kishin zili, të gjithë. Dua të them se ato vite (vitet ’80 të shekullit të shkuar) ishin vite "të arta", në jetën e kësaj familjeje model. Shpresa dhe Gjonleka, jo pa vështirësi formuan një çerdhe ku çdo gjë ishte si e sinkronizuar dhe e qëndisur për merak. Për të shpjeguar diçka që më bie ndërmend në këtë rast, i cili, për mendimin tim është unik; dikur, në Kalivaç të Tepelenës, për raste si ky përdornin sloganin: "Atje ku thonë morë-morë do të thonë dhe mjerë-mjerë!" Ky slogan është i vërtetuar nga jeta shumëvjeçare e njerëzve që kanë jetuar në ato troje dhe nuk ka nevojë për riciklim. Dukej sikur në sipërfaqe çdo gjë, në atë familje shkonte për bukuri; dhe, në fakt ashtu ishte, por pas ndodhive të hyrjes në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të njëzet, në jetën e familjes Zenelaj (Shpresë dhe Gjonlekë Zenelaj), ngjanë disa zhvillime, pa precedent.
Ndërrimi i sistemeve dhe ardhja në fuqi e një regjimi shkatërrues për vendin tonë i vunë kazmën veç vendit, në tërësi edhe jetës vetjake e familjare të atyre që nuk mendonin si drejtuesit e shtetit. Nisi një gjueti shtrigash, e pangjarë. Në qendër të luftës së paskrupullt u vunë disa njerëz, me aftësi e prosperitet, të cilët, në vite, me sakrificat e tyre, kishin formuar një personalitet, i cili ishte i lakmueshëm, por i paarritshëm për shtetarët që erdhën në fuqi. Gjonleka dhe familja e tij, pa të drejtë u goditën, pa asnjë lloj mëshire, vetëm se nuk mendonin si "prijësi" kokëbosh. U përdorën lloj-lloj metodash mafioze, u thurën kurthe e u përpunuan prapaskena të turpshme, të hapëta e të kamufluara, me qëllim që të goditeshin vlerat e të stimuloheshin antivlerat.
Nëse mund të bëhet një përshkrim bajat, pushteti i ardhur në fuqi, pas transformimeve demokratike që ngjanë në vendin tonë, pas viteve ‘90 me djallëzi e në rrugë jo të ndershme, bazuar në absurditetin se gjoja Gjoleka nuk e donte demokracinë; kur e panë se kishin të bënin me një dinjitar të ndershëm e profesionist të mirëfilltë, i cili nuk lejoi të bëheshin pazarllëqe e plaçkitje mafioze, me mallin e popullit e vuri Atë në qendër të reprezaljeve derisa i sajoi një palo gjyq, i cili e dënoi Gjonlekën, padrejtësisht. Ata, puthadorët e regjimit, të zhytur në korrupsion e në grabitje, kishin frikë nga aftësia e tyre dhe nga denoncimi i poshtërsive që bënin; prandaj u munduan ta fundosnin Gjonlekën me shokë, për t’i hapur udhën paaftësisë dhe arrogancës. Më vjen keq të bëj një krahasim i cili, nxjerr lakuriqësinë e poshtërsive të klikës drejtuese të uzurpatorëve të pushtetit. Keni parë një të dehur, i cili, për t’u lehtësuar, nxjerr në atmosferë me erë të qelbur, gjithë ato që ka futur në stomak. Kësisoj ndodhi dhe me pushtetarët, të cilët mendonin vetëm për vete e për njerëzit e tyre, jo për popullin që mbeti në mes të udhës.
Pushtetarët e rinj, me uri të madhe për të grabitur vlera materiale e monetare kolosale dhe me urrejtje të padëgjuar, ndaj njerëzve të ndershëm, u sulën si hijenat, dhe meqenëse u priste shpata në të dy krahët; "nuk lanë kokë pa prerë". Gjonleka e pagoi shtrenjtë ndershmërinë dhe kundërshtimin; Ai, si shumë shqiptarë të ndershëm u flak në rrugë e më pas, u shpërblye me burgim, vetëm e vetëm se nuk pranoi të firmoste një çek me para shumë, në interes të Partisë Demokratike dhe të udhëheqësve të saj mizorë.
Shumë shqiptarë të mbetur pa punë, sipas mundësive dhe prirjeve u punësuan apo u vetëpunësuan, për të mbijetuar. Gjonleka, me logjikën e shëndoshë dhe me aftësitë parashikuese që kishte, shfrytëzoi një koniunkturë të caktuar dhe organizoi një veprimtari private. Suksesi i tij u verboi sytë pushtetarëve të cilët u përpoqën dhe gjetën udhë, jo të ndershme për ta penguar e për ta dëmtuar zotësinë e tij.
Në vitin 1993, mbi bazën e një vendimi gjyqësor politik, të pabazuar në ligj, por në dëshira të egra egoiste, Gjonlekë Zenelaj u dënua me izolim, dhe e vuajti dënimin, 2.5 vjet, në Tiranë. Protestat dhe kërkesat e tij të vazhdueshme, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore, jo vetëm që nuk nxorën në shesh, nëpërmjet procesit gjyqësor, provat e nevojshme, përkundrazi, dolën në shesh e u shpalosën lakuriqësisht qëllimet e mbrapshta të pushtetit për të goditur elementin e shëndoshë, me bindje të majta.
Pas vuajtjes së dënimit, "drejtësia" "i thirri mendjes" dhe e shpalli Gjonlekë Zenelaj të pafajshëm. Kjo pafajësi, nuk kaloi pa lënë gjurmë, në jetën vetjake të Gjonlekës dhe pati reperkusione në jetën e familjes së tij. Ishte fat i madh që i ndaluari Gjonlekë Zenelaj, "fajtor pa faj" gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, kishte përkrahjen dhe mbështetjen e pakursyer, shpirtërore, materiale dhe morale të vëllezërve, Xhevdet dhe Levend, të motrave dhe të afërmve të tij. Duhet thënë se gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit, Gjonleka, në asnjë rast nuk u ushqye me ato që i jepnin tiranët, të cilët synonin ta likuidonin atë fizikisht. Dëshmi pafajësie është dhe një dekoratë që i akordoi Gjonlekës, Misioni Diplomatik për paqe dhe prosperitet, kohët e fundit. Po kujt i vlen kjo tanimë, kur e keqja e ka bërë punën e vet?
Edhe pas fitimit të pafajësisë, me cinizëm e për qëllime hakmarrjeje, kur panë se në rrugë ligjore "nuk u ndriti", pushtetarët shpirtkatranë, të egërsuar nuk i rreshtën përpjekjet për t’u shkuar planeve të tyre makabre deri në fund. Presionet, shantazhet, kërcënimet e hapëta, si shprehje e hakmarrjes mesjetare, u shtrinë dhe tek familja e Gjonlekës. Atë e kërcënuan se do t’i rrëmbenin vajzat dhe se i kishte ditët të numëruara.
Pas presioneve dhe shantazheve të vazhdueshme, Gjonleka dhe Shpresa, në muajin gusht të vitit 1995, për t’u larguar presioneve dhe shantazheve që kishin vazhdimësi, vendosën të emigrojnë në shtetin fqinj e u stabilizuan në Athinë, ku qëndruan, 2 vjet, deri në fundin e vitit 1997. Shpresa dhe Evisi, gjatë qëndrimit në Athinë, për të mbijetuar u detyruan të punonin nëpër familjet e vendasve, për një copë bukë. Viti 1997, e solli familjen e Gjonlekë Zenelaj, në shtëpinë e tyre, në Tiranë. Nga Milano, me kërkesën e prindërve, në vitin 1999, u kthye dhe vajza tjetër, Aida, e cila ishte me studime në Universitetin Katolik të këtij qyteti, në degën e ekonomisë. Aida, si nxënëse e "shkëlqyer", në një konkurs që organizoi, Ambasada Italiane, në Tiranë, zuri vend nderi dhe fitoi të drejtën e studimit në këtë universitet, me bursë. Situata e pastabilizuar, në vendin tonë, bëri që familja e saj të kërkonte kthimin e Aidës, në Shqipëri dhe ndërprerjen e studimeve.
Mes shumë peripecive burokratike, në vitin 2003, Shpresa doli në pension pleqërie, mbi bazën e funksionit organik të drejtores së shkollës 9-vjeçare. Të dy, Shpresa dhe Gjonlekë Zenelaj, aktualisht përcjellin vitet e pensionit, në shtëpinë e tyre, në Tiranë, të rrethuar nga familjarë, miq e shokë të shumtë, të cilët ushqejnë respekt të veçantë dhe e kanë si pikë referimi jetën plot tallaze të heroit të këtij rrëfimi. Nuk është e vështirë të arrihet në përfundimin, se përpjekjet e sinqerta të një njeriu me shumë vlera si Gjonlekë Zenelaj, nuk shkojnë gjithnjë në drejtimin e duhur. Ka dhe raste kur udhën ta zënë gurë pa formë që rrokullisen nga gremina, para se të "thyejnë qafën", në humnerën ku e kanë vendin e caktuar nga historia. Jeta e Gjonlekë Zenelaj ka kaluar nëpër "tallaze" e furtunale të pamerituara. Ajo është jetë e një njeriu të fortë, të ndershëm në çdo qelizë, kërkuesi të vendosur për të drejtën, e cila tek ne nuk ekziston dhe zor se do të vendoset ndonjëherë, të kompletuar me të gjitha kualitetet dhe mbetet një pikë orientimi dhe një shembull burrërie e përkushtimi që duhet ndjekur, brez pas brezi.
Mjaft mirë e ka thënë gazetari Bashkim Koçi, në një shkrim kushtuar "heroit" të këtij shkrimi, në gazetën "Vjosa" të datës 28 shtator 2017, se: "... Unë njoh një njeri i cili, për çka është përpjekur për t’i bërë ballë korrupsionit, për çka është përplasur e kacafytur me të keqen, me pushtetarë e sahanlëpirës të politikanëve, zor se e gjen një të dytë në këtë vend, në këtë të nëmurën Shqipëri. Ai quhet Gjolek Zeneli. Historia e jetës së tij është paksa tragjike, çuditërisht e ndërthurur me opinione rrënqethëse e me pasoja familjare, në shumicë të pariparueshme. Më në fund, shqiptari i ndershëm Gjolek Zeneli e ka kuptuar se gjendet i mundur, i kapitur, i helmuar nga dëshpërimi. E ka vënë me shpatulla përtokë mafia, ata që ai dikur mendonte se ‘nuk do ta kishin të gjatë në një shtet demokratik’.
Ai bëri përpjekje sfilitëse, nuk la rrugë e shteg për të vajtur tek e vërteta, por nuk mundi. Tani Gjoleka ndjehet i lodhur, i pashpresë. I ka mbetur ajo që nuk mund t’ia rrëmbejë kush; as robi e as shteti: urrejtja, me zemër e këtij regjimi të pistë... Gjolek Zeneli, i nderuar lexues, ndodhet në shtëpinë e tij këtu në Tiranë në gjendje të sëmurë, i shkatërruar moralisht, i bindur se në këtë vend nuk ka e nuk do të ketë drejtësi... Madje ai shprehet në mënyrë kategorike se ‘drejtësia ka vdekur, i duhen bërë homazhet që meriton...’"
Ja çfarë dinë të bëjnë ata që për profesion kanë grabitjen, kurthet, poshtërsitë, pabesitë dhe korrupsionin, në çdo rremb të gjakut që u vlon në deje. Në këto kohë të trazuara, i ndershmi e ka mjaft të vështirë, të jetojë e të mbijetojë. Kundërshtarët e tij kanë zënë pozicione armiqësore, ndaj njerëzve si Gjonleka. Kjo është e ashtuquajtura demokraci ala Berishiane!
I uroj, me këtë rast, të ketë shëndet e jetë të gjatë; Gjonlekës dhe familjes së tij të mrekullueshme!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj; në Tiranë shtator-tetor 2017


Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë.